TRI KRONIKA NGA KOSOVA/
NATO përkushtim për paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon/
-Komandantin Suprem i Forcave Aleate për Evropë pritet nga Komandanti i FSK-së. Gjenerali amerikan shprehu përkushtimin e NATO-s për paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon/
-Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, gjithashtu e njoftoi gjeneralin Scaparrotti për zhvillimin dhe profesionalizmin e FSK-së, kapacitetet ekzistuese dhe gatishmërinë operacionale të sajë, si dhe për planet e udhëheqësve të MFSK/FSK dhe institucioneve më të larta të vendit për avancimin e misionit dhe detyrave, pra në përgjithësi, për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës/
PRISHTINË, 21 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot në Ministri Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, njëherësh edhe Komandant i Komandës së SHBA-ve për Evropë, gjeneralin Curtis M. Scaparrotti të shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Giovanni Fungo. Gjenerali Scaparrotti u prit me ceremoni solemne nga Togu Ceremonial dhe Orkestra frymore e FSK-së e cila edhe ekzekutoi, për herë të parë, Himnin e NATO-s, si dhe Himnin e Republikës së Kosovës.
Në takimin e përbashkët të gjeneral Ramës dhe gjeneralit Scaparrotti, u bisedua për çështjet e sigurisë në Republikën e Kosovës, në rajon dhe më gjerë, gjithashtu u bisedua edhe për profesionalizimin e institucioneve të sigurisë të vendit tonë, si dhe për zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve të FSK-së me KFOR-in dhe NATO-n, në përgjithësi.Në këtë takim, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama e falënderoi komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, gjeneralin Scaparrotti për angazhimin e NATO-s nëpërmjet KFOR-it, në ruajtjen e paqes dhe garantimin e sigurisë në Kosovë, e gjithashtu edhe për rolin e NATO-s, nëpërmjet Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për këshillimin dhe zhvillimin e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, gjithashtu e njoftoi gjeneralin Scaparrotti për zhvillimin dhe profesionalizmin e FSK-së, kapacitetet ekzistuese dhe gatishmërinë operacionale të sajë, si dhe për planet e udhëheqësve të MFSK/FSK dhe institucioneve më të larta të vendit për avancimin e misionit dhe detyrave, pra në përgjithësi, për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.Gjeneral Rama siguroi gjeneralin Scaparriotti se FSK-ja është e gatshme të filloi procesin e transformimit menjëherë pasi të merret vendimi politik. Njëkohësisht, gjeneral Rama i shprehu gjeneral Scaparriottit gatishmërinë e FSK-së që me kapacitetet ekzistuese po edhe ato të ardhshme të jetë garantuese e paqes në vend si dhe të kontribuojë dhe të jetë krah për krah me partnerët në misione jashtë vendit.
Nga ana e tij, komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjeneral Curtis Scaparrotti shprehu përgëzime për lidershipin, profesionalizimin si dhe bashkëpunimin e mirë që FSK-ja ka me KFOR-in, për angazhimet e saj, në të mirë të komunitetit dhe zhvillimit të Kosovës në përgjithësi duke premtuar përkrahjen e NATO-s për ushtrimet fushore dhe stërvitjet e përbashkëta, trajnime dhe operacione si dhe shkollim profesional të pjesëtarëve të FSK-së.Gjenerali amerikan shprehu përkushtimin e NATO-s për paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon, se paqja, siguria dhe prosperiteti janë edhe në interes të NATO-s dhe vendeve anëtare të saj e më gjerë. Në takim me gjeneralin amerikan ishin edhe Sekretari i përgjithshëm Shkelzen Sylaj, drejtori për operacione gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli dhe asistenti ushtarak i KOMFSK, major Berat Shala./b.j/
ALBIN KURTI DHE GLAUK KONJUFCA TAKUAN AMBASADORIN AMERIKAN/
Sot, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë, i nominuari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryeministër të Kosovës, z.Albin Kurti, dhe deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z.Glauk Konjufca, takuan ambasadorin amerikan z.Greg Delawie.
Në këtë takim u vlerësua mbarëvajtja e zgjedhjeve të 11 qershorit, u diskutua procesi i formimit të institucioneve të legjislaturës së gjashtë si dhe sfidat e punët që e presin qeverinë e ardhshme dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi. U trajtuan shumë tema si ajo e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe investimeve të diasporës, marrëdhënies së Kosovës me Serbinë etj.
Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përsëritën gatishmërinë dhe interesimin e tyre për zgjerim të partneritetit dhe thellim të aleancës së Republikës së Kosovës me ShBA-të.