–Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani në takim virtual me Këshillin e Evropës dhe Komisionin e Venecias/

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani, në një takim me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, ka biseduar për agjendën e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe çështjet që pritet të trajtohen në seancat e radhës.
Zonja Osmani e njoftoi ambasadorin amerikan Kosnett lidhur me urgjencën e miratimit të një numri të konsiderueshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare, me të cilat synohet përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës.
Në këtë kontekst, kryetarja e Kuvendit e informoi ambasadorin amerikan edhe për themelimin e Komisionit parlamentar, i cili do ta trajtojë menaxhimin e pandemisë Covid-19 nga institucionet përkatëse.
***
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani në takim virtual me Këshillin e Evropës dhe Komisionin e Venecias

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani ka mbajtur një takim njoftues online me Frank Power, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë dhe anëtarë të Komisionit të Venecias.
Në takim është diskutuar nevoja e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe KE-së. Kryetarja Osmani ka thënë se Kosova është anëtare e Komisionit të Venecias, i cili gëzon respekt në vendin tonë.
Më tej, ajo ka potencuar rolin e Komisionit të Venecias në ofrimin e opinioneve në lidhje me çështjet ligjore që trajtohen në institucionet e vendit.
U diskutua edhe për çështjet ligjore, të cilat janë dërguar nga pala kosovare dhe të cilat aktualisht po trajtohen nga Komisioni i Venecias.
Në takim kanë marrë pjesë edhe anëtarë të Komisionit të Venecias: Antonio Henriques Gaspar (anëtar), Martin Kuier (anëtar zëvendësues), Cesare Pinelli (zv.anëtar), Silvia Grundmann (shefe e Institutit Demokratik dhe e Divizionit për të drejta të njeriut).