Me ftesë të Ambasadorit Lu ka mbrritur për vizitë në Shqipëri, stërnipi i H.Bernstein, Boaz Nash. Këtë e konfirmon zyra e mardhënieve me publikun të Ambasadës ku thuhet: “Ambasadori Lu, mirëpriti Boaz Nash në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Z. Nash është stërnipi i Herman Bernstein i cili shërbeu si Ambasador në Shqipëri nga viti 1930 deri më 1933.Ambasadori Lu, i tregoi Boaz-it ambientet e ambasadës dhe ish-zyrën e banesën e stërgjyshit të tij. Ambasadori Bernstein dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve Amerikë – Shqipëri”, shkruan Ambasada Amerikane në Facebook.
Zoti Herman Bernstein ishte nga shteti i Nju Jork-ut. Ai u emërua nga SHBA në Tiranë si i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm. Bernstein u largua nga Shqipëria më 24 Shtator, 1933. Ambasadori Bernstein për kohën si diplomat dhe më pas, njihet si një mbrojtës i flaktë i cështjes shqiptare dhe mik i shqiptarëve. Është fakt që gjatë periudhës së qëndrimit të Shkëlqesisë së Tij në këtë detyrë mardhëniet Shqiptaro-amerikane ishin në zenitin e mundshëm. {Bashkepunetori i Dielli, Shqiperi- SH.K}.