Studentë nga Universiteti Johnson & Wales i Rhode Island, vizitë në Ambasadën Amerikanë në Tiranë/
Nga Almarina Gegvataj/
TIRANË, 5 Qershor/Një grup studentësh nga universiteti Johnson & Wales i Rhode Island, zhvilloi sot një vizitë në Ambasadën Amerikanë në Tiranë.
Ata janë në Tiranë si pjesë e një programi veror studimi dhe praktike në Union Bank, e cila mirëpret tashmë prej 6 vjetësh studentë nga ky Universitet.
Ata vinin nga pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, përfshirë bregun Lindor dhe Perëndimor. Studentët ishin nga fakultete të ndryshme, të tilla si Marrëdhënie Ndërkombëtare, Administrim Biznesi, Financë dhe Administratë Publike.
Gjatë vizitës së tyre nxënësit patën mundësinë për t’u takuar me disa anëtarë të stafit të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun.
Drejtoresha e Qendrës së Burimit të Informacionit (IRC) Matilda Vangjeli bisedoi me ta rreth burimeve që ka zyra e IRC-së dhe se si përdoren këto burime për të informuar nxënësit dhe mësuesit shqiptarë.
Ajo gjithashtu foli për tre Këndet Amerikane në Shqipëri, për çfarë shërbejnë dhe se çfarë programesh ato zhvillojnë.
Asistentja e IRC-së Migena Aliaj tregoi se si Ambasada e Shteteve të bashkuara përdor platformat e saj në mediat sociale për të shpërndarë informacion dhe për të informuar më mirë audiencën tonë.
Ambasadori Arvizu gjeti kohë nga programi i tij i ngjeshur për t’u takuar me studentët dhe për të biseduar me ta për situatën politike në Shqipëri, hapin e rëndësishëm drejt Bashkimit Europian dhe rolin e saj si një vend anëtar i NATO-s.
Ambasadori ndau përvojën e tij si student i Universitetit Georgetown dhe foli për karrierën e tij diplomatike 33 vjeçare në shërbimin diplomatik.
Në mbyllje të vizitës së tyre, studentët dhe Ambasadori bënë një foto në grup.
Presidenti Nishani në Komitetin Hebraik Amerikan
Komiteti Hebraik Amerikan, një organizatë e njohur e çështjeve hebraike, priti mbëmë në Uashington Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe shfaqi filmin dokumentar “Shpëtim në Shqipëri”, i cili sjell dëshmi të hebrejve që u shpëtuan nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti Bujar Nishani erdhi në aktivitetin e Komitetit Hebraik Amerikan për të falenderuar disa personalitete hebraike që e kanë bërë të njohur Shqipërinë dhe rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Organizatat hebraike në Shtetet e Bashkuara e përmendin shpesh këtë rol të veçantë të shqiptarëve dhe vazhdimisht theksojnë se ky është një fakt që ende nuk njihet sa duhet.
Jason Isaacson, është Drejtor i çështjeve qeveritare dhe ndërkombëtare pranë Komitetit Hebraik Amerikan.
“Mijëra hebrej janë sot gjallë, bota është një vend më i gjallë dhe më i bukur si rrjedhojë e guximit dhe solidaritetit të popullit shqiptar,” tha zoti Isaacson.
Presidenti Nishani shpregoi traditën shqiptare të mikpritjes dhe të besës që bëri të mundur shpëtimin e hebrejnjve në Shqipëri:
“Për ne, shqiptarët, miku është i zoti i shtëpisë. Çdo njeri në nevojë që troket në dyert shqiptare është i mirëpritur si mik, i jepet fjala e nderit dhe mbrohet nga besa. Fjala e dhënë mbahet me çdo kusht,” tha Presidenti i Shqipërisë.
Një film dokumentar me këtë temë që u shfaq për të pranishmit, e tregon historinë e shpëtimit në Shqipëri me gojën e vetë hebrejve të cilët mundën të mbeten gjallë si rrjedhojë e mbrojtjes dhe kujdesit që treguan shqiptarët për ta.
Johanna Newman është një prej atyre që mbetën gjallë dhe që bën gjithçka për të njohur botën me shpirtin bujar të shqiptarëve. Ajo tha se sot ka një familje të madhe, pikërisht në sajë të shqiptarëve.
“Po të mos ishte përkushtimi i popullit shqiptar unë nuk do të isha këtu sot, nuk do të isha nënë e katër fëmijëve të mrekullueshëm, nuk do të kisha 14 nipër e mbesa dhe 13 stërnpiër e stërmbesa”, tha zonja Newmann.
Doktoreshë Anna Cohen nga Nju Jorku, e cila u rrit në Vlorë në një familje hebraike, tregon një histori prekëse:
“Kur isha vajzë e vogël, shihja perëndimin e diellit dhe gjithmonë vizatoja një anije të vogël pa njerëz, me flamurin izraelit dhe atë shqiptar. Kurrë nuk e mendoja se një ditë, këta flamurë do të rrinin pranë njëri tjetrit. Sot që gjërat kanë ndryshuar, do të dëshiroja të shikoja anijen time të vogël pa njerëz dhe me dy flamurë, të mbushur plot me turistë hebrej, do të doja të shihja hebrejtë amerikanë të vizitonin Shqipërinë, të shihnin objektet e tyre të kultit dhe sidomos të restauronin sinagogën e Sarandës, një objekt i vërtetë tursitik,” tha zonja Cohen.
Në mes të duartokitjeve, Presidenti Nishani nderoi me medale zonjat Johanna Newmann dhe Anna Cohen.(Kortezi:ILIR IKONOMI-Zeri i Amerikes)
Mësuesi i Merituar Neki Babamusta nderohet nga Kryetari i Senatit Amerikan
Nga Agron Berisha/
Profesor Neki Babamusta u vlerësua nga Kongresi Amerikan me nderimin e lartë “Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë 2013” (International Advocacy of Democracy) për mbrojtjen dhe përhapjen ndërkombëtare të idealeve të paqes dhe demokracisë. Çertifikata e njohjes dhuruar Neki Babamustës nga Senatori Harry Reid në emër të Kongresit Amerikan vlerëson shërbimin e tij të shquar për demokraci dhe liri në Sh.B.A., Shqipëri dhe Kosovë, shërbimin e tij për arsim prej 40 vite, dhe kontributin e fisit Babamusta dhe Cani për ndërtimin dhe forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane.
Neki Babamusta është fitues i nderit të lartë ‘Mësues i Merituar’, dekoruar dy herë nga Kongresi Amerikan për mbrojtje të vlerave demokoratike në Washington DC si dhe i dekoruar për vlera patriotike në Tiranë, Shqipëri. Vajza e tij, Ermira Babamusta pranoi dekoratën në emër të babait dhe familjes në ceremoninë zhvilluar në Kongresin Amerikan me 1 gusht 2013 nga senatori Harry Reid, Kryetar i Shumicës në Senat.
“Ndjehem shumë shumë i nderuar familjarisht për respektin e lartë që senatori Reid, Kryetari i Senatit Amerikan më dha si “Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë 2013”, duke vlerësuar punën time dhe të familjeve Babamusta-Cani për demokraci, dhe për forcimin e miqësisë midis dy popujve tanë, miqësi e cila do të rrojë shekull pas shekulli, siç ka theksuar e nderuara Senatore Hillary Clinton. Ky vlerësim i qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe Kongresit Amerikan është një mirënjohje e jashtëzakonshme e miqësisë tradicionale 100 vjeçare të familjeve Cani-Babamusta ndaj popullit amerikan dhe Sh.B.A.-së. Mbi të gjtha vlerësoj miqësinë midis dy kombeve tona. Ky dekorim i dytë nga Kongresi Amerikan i dedikohet të gjitha vlerave demokratike të kombit shqiptar, të cilët e shohin kombin e madh Amerikan si aleat të përjetshëm dhe besnikun historik të kombit tonë. ShBA-ja, Shtëpia e Bardhë, Kongresi Amerikan dhe qeveria e saj janë promotorët kryesorë për përhapjen e vlerave demokratike dhe të vendosjes së paqes në botë,” deklaroi prof. Neki Babamusta, Mësues i Popullit.
Veprimtaria patriotike e familjeve Babamusta-Cani
Diktatura komuniste izoloi Shqipërinë për 50 vite nga bota e perëndimit. Diktatura siç ka theksuar ish-kryeminstri Çërçill e bëri Shqipërinë një xhungël të izoluar. Ky izolim solli pasoja tragjike për popullin shqiptar ku pati dhjetëra mijë të vrarë, të burgosur, të internuar, etj.
Për dy fiset Cani dhe Babamusta pasojat qenë tepër të rënda: 20 vetë të burgosur (të vdekur edhe nëpër burgje), të përndjekur, mohuar e drejta e arsimit dhe sekuestrim pasurie. Nga dy fiset dolën patriotë demokratë të denjë si Ramazan Cani: (Hero i Popullit, Mësues i Popullit, bashkëluftëtar me Bajram Currin dhe me vëllezërit Myslim dhe Shyqyri Peza), Ramazani dhe i ati, Mustafa Cani u vranë nga reaksioni feudal (Verlaci), Kastriot Cani (Veteran i Rezistencës, ish-pjestar i Frontit të Rezistencës Anti-Komuniste, me pseudonimin “Furtuna”, ish adjutant i Mustafa Gjinishit, pushkatuar nga diktatura si pjestar i Rezistencës), Dill Cani (Nënkryetar i Frontit të Rezistencës për rrëzimin e komunizmit, dënuar me 101 vjet burg), Përparim Cani (dënuar me burgim nga diktatura), Beqir Babamusta (i persekutuar, vdekur nga ataku në zemër prej kërcënimeve nga diktatura), Qemal Babamusta ( i biri i Beqirit, i burgosur politik, ish-pjestar i Frontit të Rezistencës dhe Veteran), Murat Babamusta (vëllai i Beqirit, Patriot i Kombit, i dekoruar), Ibrahim Babamusta (Mësues i Popullit, ish-pjestar i Frontit të Rezistencës, lauruar me Medaljen e Artë të Perandorit të Austrisë, Franz Ferdinant), Agron dhe Neritan Babamusta (djemtë e Ibrahimit, akademikë të shkencave egzakte), Hasan Babamusta (i persekutuar politik me 101 vjet burgim, i vdekur në burg), Halit Babamusta (i persekutuar politik, i dënuar 2 herë nga diktatura), Regip Babamusta (anti-fashist dhe patriot), Mehmet Babamusta (Dëshmor i Kombit, ish-pjestar i Frontit të Rezistencës bashkë me vëllanë e tij Isuf Babamusta, bashkëpunëtorë me Mustafa Gjinishin, i pushkatuar nga diktatura), Neki Babamusta (i persekutuar, Mësues i Merituar, dekoruar dy herë nga Kongresi Amerikan dhe i dekoruar për vlera patriotike në Shqipëri), Suzana Babamusta (e shoqja e Nekiut, e persekutuar, pushuar nga puna), Qazim Tufa (burri i tezes së Suzanës, dënuar me 101 vjet burgim) dhe Halit Dervishi (shpalluar armik i popullit nga diktatura). Vëllezërit Cani (Kastriot dhe Skënder Cani) u klasifikuan nga diktatura familje raksionarësh dhe u internuan. Ndërsa motra e tyre Tuja Cani, internuar dhe burri i saj Xhuf Sufali, i burgosur politik (Arshiva e Shtetit, 1945).
Neki Babamusta në shtator 1964 nuk pranoi t’i shërbente sigurimit të shtetit gjatë komunizmit, në Shërbimin Diplomatik jashtë shtetit, për të cilën u përndjek ashpër nga diktatura. Këshilli Bashkiak i Kavajës, me miratim nga Prefektuara Tiranë i miratoi atij në shkurt 1996 marrjen e një pensioni të veçantë për merita patriotike-demokratike. Ndonëse vendimi ishte ligjor, i formës së prerë, kjo e drejtë iu mohua Nekiut, pas fitores së demokracisë në Shqipëri, dhe akoma nuk i është dhënë sot. Po ashtu atij iu mohua edhe e drejta e studimit nga diktatura. Studimet universitare në degën “Histori, Letërsi dhe Histori Botërore” Nekiu i vazhdoi me korrespondencë, duke i kryer studimet në kohë rrekord.
Të dy fiset ndjehen krenarë për kontributin që kanë dhënë për çështjen e Rilindjes Kombëtare: me çetë të armatosur dhe luftëtarë morën pjesë në mbrojten e vendit kundër serbëve dhe pushtuesve të tjerë të Ballkanit dhe Evropës, kontribuan për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Ndihmuan direkt patriotin e madh Ismail Qemali ku në fisin Babamusta ai u prit një natë, iu dhanë kuaj, ushqime, para dhe përcjellës. Ndërsa fisi Cani me Ramazan Cani dhe Bajram Xhani, dy miq të ngushtë të fisit Babamusta, me dy çetat e tyre të armatasoura, e shoqëruan Ismail Qemalin për në Vlorë me 26 tetor 1912. Patrioti Ramazan Cani, priti në Durrës dhe i shpëtoi jetën Avni Rustemit, duke e strehuar në një vend të sigurtë, pasi ai vrau tradhtarin Esat Pashë Toptanin në Paris me 13 qershor 1920. Të njëjtën kontribut fisi Cani dha dhe për Kongresin e Lushnjes, ku Ramazan Cani (krahu i djathtë i patriotit Aqif Pashë Elbasani) bashkë me çetën e tij siguruan mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit të Lushnjes, në janar 1920.
Dy fiset Cani dhe Babamusta iu bashkuan Luftës çlirimtare kundër pushtuesve italo-gjerman në vitet 1940-44, duke i dhënë luftës ndihma të mëdha ekonomike dhe financiare. Si ideal lirinë e kombit shqiptar e shihnin të lidhur me idetë e Perëndimit, pa komunizmin. Prandaj dy fiset u lidhën në vitin 1944-46 me Organizatën Anti-Komuniste, Fronti i Rezistencës, themeluar nga Hamdi Frashëri (kryetar), Dill Cani (nënkryetar), Mustafa Gjinishi, Shyqyri Peza, etj. Qëllimi i kësaj organizate kombëtare ishte rrëzimi i komunizmit në Shqipëri, në bashkëpunim me zbulimin anglo-amerikan. Pjesmarrësit patën pasoja tragjike pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, ku ndër të tjerë edhe bashkëpunëtorë patriotë si Shyqyri Peza, Cen Kruja, Rexhep Greca (pjesmarrës aktiv në luftën përkrah Frontit të Rezistencës kundër komunizmit, i burgosur politik në kohën e ish-ministrit të brendshëm, Koci Xoxe), Adem Qose (dënuar me 101 vjet burgim të përjetshëm), Aqif Averiku, etj, pësuan të njëjtin fat nëpër burgjet komuniste. Po ashtu familjet dhe fëmijët e të burgosurve politik u izoluan, internuan dhe iu mohuan të gjitha të drejtat njerëzore, si arsimini dhe punësimi. Fronti i Rezistencën luajti një rol të madh në luftën për rrëzimin e komunizmit në Elbasan, krahinën e Peqinit dhe zonën e Kavajës. Pranë Shtabit të Përgjithshëm në Pezë ndodheshin edhe oficerët anglez.
Gjatë Luftës çlirimtare në shtator 1943 prindërit e Neki Babamusta (Beqiri dhe Rabihane Babamusta) shpëtuan nga gestapo hitleriane 6 ushtarë dezertorë italian dhe një familje rrobaqepësish izraelite prej 4 vetësh. Ndërsa në kohën e “Operacionit të Florit” ku sigurimi i shtetit sekuestrone pasurinë e tregtaraëve, e ëma e Nekiut, Rabihania bashkë me Nekiun shpëtuan disa familje nga burgimi në 1953-56. Në kohën e luftës së klasave gjatë kohës së diktaturës Neki Babamusta shpëtoi nga vëllavrasjet politike, burgime dhe internime 80 jetë njerëzish, gjatë viteve 1953-84 në qytet dhe fshatëra e zonës Kavajës. Ai dhe familja e tij disa herë janë përballur me vdekjen.
Fillimi dhe forcimi i lidhjeve Shqipëri-Amerikë-Kosovë dhe familjes Babamusta
Bashkëpunimi i familjes Babamusta me Amerikën fillon në 1920 me hapjen e shkollës së parë amerikane në Golem, Kavajë. Kjo lidhje vazhdon me pritjen madhështore në 15 mars 1992, që i bëri Kavaja, patriotët, të persekutuarit, dhe pjesëtarët e fisit Babamusta të dërguarit të parë të Sh.B.A.së, ambasadorit amerikan Reilson me të shoqen e tij, bashkë me z. Sali Berisha. Familja Babamusta i dhuroi ambasadorit Reilson historikun e shkollës amerikane.
Aktiviteti i familjes Babamusta vazhdon me krijimin e shoqatës Patriotike Kombëtare “Bajram Xhani” (1992-2004), për të forcuar miqësinë shqiptare me Sh.B.A-në dhe Perëndimit dhe për të mbrojtuar vlerat demokratike dhe të persekutuarve nga komunizmi.
Në korrik 1999 familja Babamusta dha një kontribut të vyer në Detroit, Miçigan duke u lidhur me radion shqiptaro-amerikane Alba për forcimin e miqësisë me Sh.B.A.-në, për mbrojten e vlerave demokratike dhe në veçanti për luftën heroike të popullit martir të Kosovës.
“Të dy vizitat në Sh.B.A. janë kujtime të përjetshme për familjen time. Mikpritja, repsekti, dashuria, përkrahja që treguan familjet amerikane, kongresmenët, senatorët amerikanë dhe qeveria e Shteteve të Bashkura ndaj familjes Babamusta janë të paharruara. Vizita ime e parë në Amerikë në 1999 më la mbresa të jashtëzakonshme, ku njoha vlerat e vërteta të Demokracisë dhe lirisë, të një kombi që është ndërtuar mbi vlera demokratike. Qëllimi i vizitës ishte të njihej populli amerikan me luftën heroike të popullit të Kosovës kundër pushtuesve serb, me Millosheviçin në krye. Kjo na dha mundësi si familje të flisnim për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me komandant z. Hashim Thaçin dhe Adem Jasharin, Hero Legjendar, për rolin dhe vlerat e larta që pati presidenti Rugova për vendosjen e paqes dhe themelimin e shtetit të Kosovës dhe për ndryshimet e mëdha që pati Shqipëria në rrugën drejt Demokracisë. I jam mirënjohës kontributit që ka dhënë Amerika, sidomos Presidenti Klinton për ndërhyrjen që bënë forcat aleate, dhe presidentët në vijim Bush dhe Obama. Si hulumtues historie kam shkruar artikuj të ndryshëm, kumtesa historike që i dedikohen vlerave kombëtare dhe politike të Kosovës dhe Shqipërisë,” tha profesor Neki Babamusta.
Në gusht 2003 familja Babamusta u prit nga senatori Tom Harkin dhe senatorë të tjerë në Kongresin Amerikan, të cilët falenderuan në emër të qeverisë amerikane Ermira dhe Neki Babamusta, fisin Babamusta dhe Cani për veprimtarinë e tyre demokratike dhe miqësinë diplomatike me Amerikën. Gjatë takimit të familjes Babamusta me Senatorin Tom Harkin, familja Babamusta i dhuroi një shqiponjë që përfaqëson simbolin e lirisë të kombit shqiptar. Senator Harkin u përgjigj, “Dhe ne kemi të njëjton simbol për liri, shqiponjën” dhe senatori u ul në gjunë me respekt përpara simbolit të lirisë.
Senator Harkin iu drejtuar Neki dhe Suzana Babamustës: “Ju falenderoj ne emër të popullit amerikan, të Kongresit dhe të qeverisë të Shteteve të Bashkuara. Jemi krenarë që kemi mik dhe aletë të shtrenjtë Shqipërinë, dhe veçanërisht ndaj Familjes Cani dhe Babamusta jemi po aq krenarë për kontributin tuaj dhe që keni prodhuar fëmijë të shkëlqyer. ” Ndërsa Ermirës Senator Harkin iu drejtua më këto fjalë: “Me bindje e ke vendin këtu në Kongres, ashtu siç erdha edhe unë me shumë sakrifica.”
Në verë 2004 me propozim të Kongresmenit Mark Kennedy, Kongresi Amerikan dha tre nderime për Neki Babamustën, Kastriot Canin (gjyshin e Ermirës) dhe Ermira Babamusta, ku mbi Kongresin Amerikan u ngritën tre flamuj. Në Korrik 2013 Familja Babamusta (Neki dhe Ermira Babamusta) marin nderimin e dytë nga Kongresi Amerikan si dhe çertifikata njohje për kontributin diplomatik-demokratik.
NË SHQIPËRI, EKONOMIA SHQETËSIMI KRYESOR
Nga Frank Shkreli/
Sipas një njoftimi për media të botuar dhe shpërndarë me 27 Dhjetor, Instituti Demokratik Kombëtar i Amerikës botoi një raport mbi një studim të ri që vlerëson gjëndjen politike në Shqipëri, të ndërmarrë nga këjo organizatë tetorin që kaloi, bazuar në mendimet e pjesëmarrësve të dhjetë grupeve në katër qytete: në Tiranë, Shkodër, Fier dhe Korçë.
Siç dihet, Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan është një organizatë jo-qeveritare që ç’prej themelimit të tij më 1983 përkrahë institucionet si edhe zbatimin e praktikave dhe zhvillimin e proceseve demokratike anë e mbanë botës, duke krijuar dhe duke mbështetur organizatat e shoqërisë civile. Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan vepron në një numër vendesh anë e mbanë botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Sipas Institutit amerikan, qëllimi i këtij raporti mbi Shqipërinë, siç ndodhë edhe në vende të tjera, është për të identifikuar dhe për të komunikuar shqetësimet e qytetarëve, udhëheqësve politikë, para zgjedhjeve të përgjithëshme që do të mbahen më 23 Qershor të këtij viti.
Në njoftimin për media, Instituti Demokratik Amerikan thotë se pjesmarrësit shqiptarë në studimin e bërë nga ky institut, kryesisht mendojnë se vendi i tyre është në rrugë të gabuar. Në mbështetje të këtij pretendimi ata përmendin papunësinë, rritjen e çmimeve, pagat e ulëta dhe korrupsionin, si faktorët kryesorë që kanë një ndikim të konsiderueshëm në cilësinë dhe standardin e jetës së tyre. Por, nga ana tjetër, në njoftimin për media, Instituti Amerikan thotë se rekomandimi me kusht i Komisionit Evropian për t’i ofruar Shqipërisë statusin e kandidatit për antarësim në Bashkimin Evropian, shikohet nga disa prej pjesëmarrësve si një shënjë optimizmi dhe përmirësimi dhe si një tregues, për disa prej tyre, se vendi është në rrugë të mbarë.
Vihet në dukje se pjesmarrësit në këtë studim, nga katër qytete të Shqipërisë, e kanë të qartë se çfarë dëshirojnë për veten dhe për shoqërinë shqiptare. Ata duan një të ardhme për vendin e tyre ku ligjet respektohen, ku rregullat zbatohen dhe ku sundimi i ligjit të funksionojë për të gjithë, pa dallim. Ata u shprehën se dëshirojnë një shoqëri ku standardi i jetesës të jetë më i lartë dhe preferojnë një sistem në të cilin vlerat, megjithëse nuk thuhet se cilat vlera — merret me mend se e kanë fjalën për vlerat kombëtare dhe shpirtërore — të nderohen dhe të kultivohen. Në lidhje me shërbimet që presin nga sistemi politik, pjesëmarrësit shprehen të zhgënjyer me politikën, duke thënë se sistemi politik nuk është i interesuar dhe nuk merret me nevojat e tyre bazë.
Pjesëmarrësit e grupeve të këtij raporti janë kritik sidomos ndaj asaj që ata thonë se është distanca që ekziston midis tyre si qytetarë dhe politikanëve të vendit dhe shprehen se do të dëshironin që politikanët të tregojnë një mirëkuptim më të madh ndaj problemeve me të cilat përballen qytetarët. Pjesëmarrësit në këtë studim shprehen se politikanët shqiptarë nuk kanë treguar asnjë interesim për problemet e përditëshme të qytetarëve. Ata u bëjnë thirrje politikanëve që të tregohen më mirënjohës ndaj shqetësimeve të tyre dhe kërkojnë prej tyre më shumë llogari për premtimet e dhëna dhe për vendimet e marra.
Në raport ngrihet gjithashtu çështja e korrupsionit, që sipas pjesëmarrësve të grupeve, është pjesë përbërëse e jetës së përditshme të qytetarëve. Sipas Institutit Demokratik Amerikan, pothuaj çdo anëtar i katër grupeve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, kishte një përvojë personale me korrupsionin, pasi ata deklaruan se për të kryer një punë, ose për të siguruar një shërbim, ishin detyruar t’i jepnin ryshfet policit, infermjeres, mësuesit ose nëpunësve të tjerë të administratës publike. Disa prej pjesëmarrësve thanë gjithashtu për raportin e Institutit Amerikan se edhe sjelljet e tyre — duke pranuar se kanë dhënë ryshfet për shërbimet që kishin nevojë — kanë kontribuar në përjetësimin e korrupsionit në vend.
Ndër përfundimet e tjera të raportit, thuhet se megjithse pjesëmarrësit e konsiderojnë gjëndjen ekonomike si të vështirë, shumë prej tyre, përfshirë edhe ata që ishin shprehur se vendi është duke shkuar në drejtim të gabuar, pranuan se gjatë disa viteve të fundit ka patur zhvillime pozitive në vend, duke përmendur përmirësimet në infrastrukturën rrugore, në shkolla dhe në furnizimin e rrymës elektrike. Shumë prej pjesëmarrësve në këtë studim, thuhet në raport, fajësojnë ”ata në fuqi” për gjëndjen e keqe ekonomike, një çështje këjo që sipas tyre, ”është shqetësimi më i madh në jetën e tyre të përditshme”.
Muajin që kaloi, Drejtori i Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan për Evropën Jug-lindore, Robert Benjamin vizitoi Shqipërinë, ku ndër të tjerë, u takua edhe me Presidentin Nishani, me ç’rast i përcolli udhëheqsit shqiptar përshëndetjet nga Kryetarja e bordit të Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan dhe ish-Sekretarja e Shtetit Amerikan, Madlajnë Ollbrajt. Përveç zonjës Ollbrajt, ndër drejtuesit e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan dallohen shumë ish-zyrtarë të lartë të administratave demokrate të SHBA-së, të cilët kanë gjithnjë lidhje dhe influencë në administratën e tanishme demokrate të Presidentit Obama.
Ne Fotografi:Robert Benjamin i Institutit Demokratik Amerikan në takim me Presidentin Nishani në Presidencë