Pergatiti: Anton CEFA/
“Gjatë shekujve, Shqipëria ka dhanë shembuj të naltë vlerash morale, të cilat janë të mundshme vetem në nji popull që kultivon këto vlera.
* “Thelbi i rezistencës kundër të huejit ka qenë tradita shqiptare për liri dhe mbrojtje të tokës-nanë – si pronë private dhe si atdhe- qoftë edhe me çmimin e jetës.”
* “Kemi sot nji boshllek të madh shpirtënor e moral që duhet mbushë dhe sa ma shpejt me vlera morale të trashëgueme si nderi, besa, burrënia, mikpritja, solidariteti kolektiv i fshatit dhe qytetit, e natyrisht dashunia për nji liri të vërtetë, jo të egër e primitive.”
* “Me ardhjen e rregjimit komunist në Shqipëri, nandor 1944, diçka themelore, boshti i trashëgimisë shqiptare, tradita e jonë kombëtare, u thye në mënyrë të pareparueshme!”
* “Shpesh kam pershtypjen se gjatë atyne ditëve nji epokë e re filloi në vendin tonë – epoka e anti-traditës kombëtare shqiptare,- epoka që jo vetem e perbuzi atë, por ngulmoi me eliminue nevojën dhe me zhdukë sensitivitetin popullor per atë, e punoi sistematikisht me e vra. Ato ditë, u pa qartë ndryshimi i madh që erdhi në vendin tonë, dhe në marrëdhanjet e mia me botën shqiptare që njihsha që në vitet e para të rinisë shkollore. Pak nga pak, kuptova se ishe “i merguem” në vendin tim…e ma vonë, i urryem!”
* “Në Shqipërinë komuniste u pushkatue ai që nderoi mikpritjen, u burgos dhe u vra ai që ruejti nderin ma shumë se jetën, u torturue egersisht ai dhe ajo që burrënisht nuk pranuen me shpifë per shokun ose të panjohunin; u internue shqiptari që mbajti besën e dhanun, ose bashkëshorti- grueja sidomos- që nuk tradhëtoi burrin . . .”
*“Në vitin 1991, kur pushteti komunist u çthur pa shpëtim, ish të persekutuemit demokratë e të shpronësuemit me dhunë nuk perqafuen urrejtjen e ngritun në shkencë nga komunistët, por faljen e fajit dhe frymën e pajtimit, tue shpresue në drejtësine ligjore-që i zhgënjeu randë! Ky akt fisnikërie supreme do të provonte persëri forcën e traditës shqiptare të trashëgueme nga e kaluemja e jonë, e që nuk ishte shue plotësisht.
*“Dalja në skenë e kaosit të frikshëm, në vitin 1991, ngjau në nji Shqipëri të çveshun nga vlerat morale të traditës kombëtare të trashëgueme ma parë dhe të atyne të fitueme ma vonë gjatë viteve të kontaktit me Europën e Perëndimit. Çdonjeni kerkonte plotësimin e nevojëve dhe të dëshirave, dhe menjiherë. ‘Këtu dhe Tani!’, nga nji autoritet i papergatitun e me mjete të kufizueme. Respekti per ligjin kishte zbritë poshtë si rrjedhim i arbitraritetit 45 vjeçar komunist. ‘Shteti’ shikohej si anmiku kryesor, e jo si mbrojtës i qytetarëve. U krijuen konditat e reja: ose me u largue prej vendit, ose me u pasunue sa ma shpejt dhe me mjetet ma të paligjëshme. E para shterroi “trunin” dhe energjinë e vendit, dhe e dyta institucionalizoi korrupsionin që vashdon i pa frenuem.”
*“Ajo që duhej ba që në ditët e para të demokracisë së re- vlerësimi i së kaluemes, dënimi i saj, dhe hudhja e themeleve per nji ‘shtet’ e ‘shoqëni’ të re që do të paraqitej si anti-tezë e plotë e sistemit komunist nuk ngjau. Në vitin 1991, Shqipëria humbi shansin e madh me rihye në histori si shtet demokratik dhe i qytetnuem.”
VASIL PANI, NE KRYE TE TABORIT TE SHQIPTARIZMES
Në kujtim të 120-vjetorit të lindjes të atdhetarit të shquar dhe kryetarit të VATRËS për shumë vite, VASIL PANIT/
“Vasil Pani ka qëndruar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës”.- Fan Noli/
Nga Anton Çefa*/
Vasil Pani u lind në vitin 1895 në fshatin Dardhë të Korçës në një familje të fisnikëruar nga shqiptarizma e shenjtë e Rilindjes sonë kombëtare. Si shumë dardharë të tjerë, edhe Vasili me babanë e tij, patriotin Josif Pani, për arsye ekonomike emigruan në SHBA. Atëherë Vasili porsa kishte shkelur në të dymbëdhjetat. Qe tamam viti 1907, kur në saje të përpjekjeve të përfaqësuesve të mëdhenj të lëvizjes patriotike e demokratike shqiptare të dhjetëvjetëshit të parë të këtij shekulli, dardharit Sotir Peci, mësuesit martir Petro Nini Luarasi dhe kolosit Fan Noli, u themelua shoqëria “Besa – Besë” në Boston. Bashkë me dardharë të tjerë, në krah të kësaj tresheje madhore u vu edhe babai i Vasilit, Josifi, për të mos iu ndarë asnjëherë veprimtarisë patriotike, së cilës ai iu përkushtua jo vetëm si një emigrant i thjeshtë, por edhe si një intelektual i përgatitur.
Nën drejtimin e Josif Panit, nga shtatori i vitit 1917 deri në mars të 1918-s, në Worcester Mass., doli gazeta e përdyjavshmë politike e shoqërore “Sazani” në shqip dhe anglisht, e cila bëri një propagandë të gjerë për çështjen kombëtare, dhe i shërbeu bashkimit të shqiptarëve të Amerikës rreth Federatës Panshqiptare Vatra. Vetë titulli i gazetës është aqkuptimplotë: Sazani, ishulli më i madh shqiptar, është një nga viset tona që ka bartur më shumë peshën e rëndë të robërisë së huaj. Ai ka qenë i pushtuar nga venedikasit, turqit, anglezët, grekët, italianët dhe gjermanët.
Kur në vitin 1911, ende pa u formuar VATRA, shoqata “Besa-Besën” hapi një fushatë për të ndihmuar Shkollën Normale të Elbasanit, Vasili 15-vjeçar dhuroi një dollar, të mbledhur pak nga pak me kujdesin fëminor, duke dëshmuar zjarrin atdhetar që i ndizej në gji dhe ndjenjën e fuqishme të dashurisë për arsimimin e breznive të reja shqiptare.
Në vitet 1912-1914, bashkë me disa të rinj emigrantë, Vasili shkoi në Shqipëri për të luftuar me armë në dorë për mbrojtjen e Atdheut, dhe u rreshtua në çetën e luftëtarëve të kryesuar nga patrioti i madh Themistokli Gërmenji, e cila vepronte në krahinën e Korçës, në fillim kundër pushtuesve osmanë, dhe më vonë kundër grekëve dhe tradhtarëve vendas, që ishin në shërbimm të të huajit.
Me t’u kthyer në Amerikë, më 1914, ai vihet në dispozicion të Vatrës. Zgjidhet anëtar i Këshillit; pak më vonë, sekretar i Federatës dhe, më 1929, kryetar. Nga ky vit deri më 1936 dhe nga viti 1938 deri më 1946, Vasili qe kryetar i këtij institucioni, më i lavdishmi i shqiptarëve të Amerikës; dhe ia kushtoi asaj pjesën më të madhe të kohës së tij. Restorantin e vet në East Camberbbridge. Mass., Vasili e kishte bërë qendër të grumbullimit të shqiptarëve, ku bisedohej për hallet e Shqipërisë. Më të drejtë është thënë: “Ky restorant kishte vlerat e një instituti kombëtar”. Idealit atdhetar, Vasili i shërbeu edhe me shkrime.
“Dielli”, më 11 shtator 1936, shkruan: “Për zotin Pani çështja shqiptare ka qenë një fe mbi të cilën është falur që në kohën që erdhi në moshën të kuptojë. Dëshira dhe ambiciet e Vasilit kanë qenë: t’i shërbejë Atdheut, të bëjë sakrifica, të qenurit gati të mbrojë çështjen kombëtare. Ka çmuar më tepër pasurinë morale që rrjedh nga miqësia dhe vëllazërimi midis shqiptarëve se sa pasurinë materiale.”
Vasil Pani vdiq papritmas në vitin 1947 dhe u varros me nderimet më të mëdha nga diaspora e shqiptarëve të Amerikës. Me këtë rast, “Dielli” shkroi: “Vatra po të mos kishte qenë Vasili mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonë miqtë e Vasilit dhe e pranojnë kundërshtarët e Vatrës.” Dhe: “Me vdekjen e Vasil Panit, Shqipëria humbet një burrë besnik, Vatra një figurë të shquar . . .”
Vatranët do të përulen gjithnjë me mirënjohje para kujtimit të ish-kryetarit të tyre të nderuar dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës do ta kujtojnë me respekt emrin e këtij patrioti dhe veprimtari të palodhur, që siç e ka cilësuar Noli “ka qëndruar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës. Kurdoherë i pari në kishën kombëtare që në krijimin e saj si edhe në Vatrën.”
*Ribotim i redaktuar dhe i plotësuar
* Ne Foto:Ate e bir, Josif e Vasil Pani
KUR MOHOHEJ KONICA
Nga Anton CEFA/
Nga fundi i viteve ’50 dhe fillimi i viteve ’60, kur fryma liberale e Hrushovit u duk se po fillonte të shkrijë ngricat e hapësirës së jetës shqiptare dhe të kulturës sonë, u ngarkuan profesorët Vehbi Bala dhe Jup Kastrati të përgatitnin nga një monografi, i pari për Fishtën dhe i dyti për Konicën, për t’i riabilituar dy kolosët e mëdhenj të kulturës dhe të veprimtarisë kombëtare. (Duhet thënë se për regjimin diktatorial komunist mohimi deri në vdekje dhe riabilitimi deri në apoteozë i personaliteteve të ndryshme, sipar erërave të interesit politik, nuk përbënin ndonjë pengesë a vështirësi).
Në këtë rast, Dh. S. Shuteriqi – atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, si dhe një ndër ideusit kryesorë të historiogarfisë sonë letrare – qe shprehur në mënyrë konfidenciale, ndoshta për të arsyetuar qëndrimet e tij: “Ne i nxjerrim nga dera, ata na futen nga dritarja” (Ishte fjala për Fishtën dhe Konicën). Dhhe megjithëse, këto ishin “fjalë veshi”, ato morën dhenë. Ishte etja për kulturën e vërtetë kombëtare, dëshira e madhe për njëfarë lirie si dhe shpresa se diç e mirë po ndodhte, që i përhapte ato.
Mirëpo menjëherë, me përcaktimin kategorik të Diktatorit që u deklarua haptas kundër “revizionizmit hrushovian”, në Mbledhjen e Përfaqësuesve të 81 Partive Komuniste që u mbajt në Moskë në nëntor të vitit 1960, as që mund të bisedohej më për riabilitimin e dy kolosëve dhe aq më pak për botimin e monografive për jetën dhe veprën e tyre., që ishin plotësisht gati dhe, me sa dimë, ishin dorëzuar për botim.
Si në çdo diktaturë, dhe diktaturat më të egra janë ato të kuqet, në Shqipëri, në çdo fushë e për çdo gjë, ka vepruar diktati. Kjo është një dëshmi më se e qartë që vërteton se ndalesa e botimit të monogtafive për Fishtën e Konicën u bë thjesht për arsye politike.
Aq është e vërtetë, sa po në këtë vit, u shndërrua në letër romani “Krim e ndeshkim” i Dostojevskit, që ishte përfunduar së shtypuri dhe priste të dilte në shitje (dhe këtë fat pati edhe ndonjë vepër tjetër), ndërsa një përmbledhje poezish e poetit të madh rus Sergej Esenin, që qe botuar në atë periudhë, u fut menjëherë në indeksin e librave të ndaluar të bibliotekave dhe u zhduk nga raftet e librarive.
Sigurisht, kishte përfaqësues të kulturës dhe të institucioneve kulturore që qenë fanatizuar mbas poltikës “largpamëse” të Partisë, ose të tillë puthadorë që ishin gjithnjë të gatshëm të plotësonin me një ëndje shtinjake çdo fjalë e porosi “të dhënë nga lart”; por kishte padyshim, bile edhe më shumë, edhe të tillë që nuk u vinte mirë për këto gjëra që po ndodhnin, por që nuk mund të bëzanin, sepse pipëtimma më e vogël donte të thonte “t’i biesh murit me kokë”. d. m. th. burgim e më pas internim, internim i familjes, vënie në shënjestër të “luftës së klasave” e farefisit, shokëve, etj.
Natyrisht, nuk mund të mohohen edhe qëllimet dashakeqe, impulset e gjelozisë dhe prirjet ambicioze e dukuri të tjera negative të psikologjisë individuale të shkrimtarëve e studiuesve të letërsisë, të cilat shpjegojnë zellin e tyre për të anatemuar zi e më zi të aftët.
Kritika letrare zyrtare nuk arriti deri në atë shkallë sa të mohojë talentin letrar, kritik e publicistik të Konicës, siç ndodhi në ndonjë rast me Fishtën, të cilit iu mohua edhe talenti.
Në tekstin e fundit zyrtar të historisë së letërsisë shqipe, që vinte deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, Botim i Akademisë së Shkencave, Institutit të gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, 1983), qenë “përjashtuar” nga letërsia shqipe Fishta, Konica, Mithat Frashëri, Koliqi,, At V. Prendushi, Dom Lazer Shantoja, At Donat Kurti, At Bernardin Palaj, Dom Ndre Zadeja, Arshi Pipa, Martin Camaj etj. Këta përmenden aty këtu vetëm sa për t’u hedhur baltë e për t’u diskredituar me çdo kusht. Konica në këtë tekst rreshtohet në të ashtuquajturen “rrymë reaksionare” të letërsisë sonë, ku përmenden si kryesorë edhe Fishta e Sqiroi (f. 112).
Lidhur me vepra të tilla si “Shqipëria si m’u duk”, “Dr. Gjëlpëra . . . “, etj., është thënë se “shpesh e paraqiti në mënyrë të tillë të errët pamjen e vendit, sa ushqeu mosbesim në një të ardhme të përparuar dhe, përgjithësisht, në forcat popullore përparimtare”. (Po aty, f. 471).
Errësohet fakti se veprat madhore letrare Konica i shkroi në vitet ’20 e mbas, kur pati përfunduar nevoja e “mitizimit” të vlerave etnopsikologjike të popullit tonë, e cila qe përcaktuese në periudhën e Rilindjes; në atë periudhë kur rilindësit punonin për të zgjuar vetëdijen kombëtare. Mbas formimit të shtetit shqiptar, në plan të parë dilte formimi i qytetarit, bile i qytetarit demokrat dhe prandaj Konica dhe shkrimtarë të tjerë u përpoqën të nxirrnin në pah të metat e tij, për t’i ndrequr.
Ndërsa në hullitë e veprimtarisë atdhetare, Faiku etiketohet si “politikan i paskrupull”; për “Albaninë” thuhet që u vu në shërbim të poltikës austro-hungareze ndaj Shqipërisë.
Në fushën e kritikës letrare, Konica akuzohet se mbrojti pikëpamjet regresive, sipas të cilave “kritika nuk është shkencë”, se “kritika është subjektive”, etj. Natyrisht, Konica, ndër të tjera, pohonte që “kritika letrare nuk është një shkencë, ku çdo e thënë mund të pohohet me dy e dy bëjnë katër”. E thënë qartë, me saktësi dhe bile në formë matematike! A mund të hidhet poshtë një gjë e tillë? Mandej, a mund t’i hiqet subjektiviteti gjykimit të një vepre letrare? Sigurisht që estetika e kritika letrare e Konicës nuk kishte si të mbështetej e të përfitonte nga metoda “shkencore” e realizmit socialist dhe sidomos nga mendimi teorik i P. P. SH.-së dhe shokut Enver Hoxha!
Kritika letrare zyrtare e ka paditur Konicën edhe sepse “u prir më shumë nga rrymat estetizante e impresioniste të kritikës borgjeze të fundit të shek. XIX” (Idem, ibidem f. 127). Për kritikën letrare të realizmit socialist, rrymat estetizante e impresioniste dhe çdo rrymë tjetër e filozofisë, estetikës dhe kritikës letrare “borgjeze” ishin një sakrilegj, para së gjithash politik. I mbështetur në dijenitë e tij të gjera rreth kulturës dhe letërsisë botërore dhe falë talentit të tij, Konica nuk qe thjesht nismëtar në këtë fushë; ai i vuri themele kritikës sonë letrare. Ndonjë rrëshqitje e shkaktuar sa nga shkaqe letrare aq edhe nga shkaqe jashtëletrare., siç ishte rasti i Naimit, i trajtuar drejt nga Sabri Hamiti në veprën “Faik Konica: jam unë” si një temë-obsesion për Konicën, dhe në të cilën u shfaqën “hujet dhe huqet” e tij, nuk qe dhe nuk u paraqit ndonjëherë si shkaku kryesor pët ta “përjashtuar” atë nga letërsia shqipe.
Veç kësaj, Konica nuk u përjashtua vetëm nga letërsia, ai u “përjashtua” nga e gjithë veprimtaria e tij atdhetare dhe mbi personalitetin e tij u hodh për afër 50 vjet një baltë e neveritshme.
Breznitë shqiptare që u rritën dhe u burrëruan gjatë viteve të diktaturës kanë fare pak njohuri për kulturën shqiptare, në përgjithësi, dhe letërsinë në veçanti, që lulëzoi në Kosovë dhe në diasporat tjera shqiptare të shpërndara nëpër botë, prandaj ato i gëzohen veprimtarisë së ethshme që po bëhet që nga rrëzimi i diktaturës për të mbushur zbraztitë e krijuara.
Mithat Frashëri: “Partia ime është Shqipëria”
(Në përkujtim të 135-vjetorit të lindjes)/
Nga Anton Çefa/*
Njerëzit e mëdhenj shpesh e bëjnë veten të paharrueshëm edhe vetëm me një fjalë, një porosi, një thirrje, duke mbetur kështu të përjetshëm në kujtesën kombëtare.
Mithat Frashërin e kujtojmë kështu me sentencën e famshme “Partia ime është Shqipëria”. Një devizë që të merr sytë me dritën e idealit dhe të ngrohë me afshin e dashurisë për Atdheun. Flakërimë e vetëtimtë ndërgjegjeje kombëtare dhe zjarr i pashuar atdhetarizmi. Sado ta mbulojë hiri i murmë i kohës, do të përshkënditë gjithnjë si shpuzë e zjarrtë.
Shqipërinë e krijuan njerëzit e mëdhenj si Mithati. Ajo ka qenë me fat. Nuk i kanë munguar kurrë. Shqipërinë e kanë prishur njerëzit e vegjël. Edhe këtu ka qenë me “fat”. Nuk i kanë munguar kurrë. Përkundrazi, i ka pasur me tepri. Edhe sot e kësaj dite prishanakët vazhdojnë zanatin e tyre të përjetshëm.
Në ato kohë kur Shqipërisë i mungonte çdo gjë, edhe vetvetja, kur ideja kombëtare në hauzin e errët e kaotik të kohës përpëlitej në dhimbjet e lindjes, kur kultura qe veç djerrinë e asgjë më shumë dhe kur organizmit politik shtetëror i kishte humbur emri prej shekujsh, Zoti i fali asaj, ndër të tjerë, edhe treshen e vëllezërve frashëriotë: Abdylin për t’i vënë themelet shtetit, Samiun për të ravijëzuar platformën ideologjike të lëvizjes kombëtare dhe Naimin për të ndezur flakëzën e qiriut të fjalës, flakëz fjale e flakëz shpirti, dhe për të kultivuar përmes saj farën e edukatës kombëtare.
Mithati qe i vetëm. Duhej të kryente detyrat e të treve. Dhe i kreu. Qe i fundit. Duhej t’i kryente një herë e mirë. Dhe u përpoq tërë jetën pa kursyer asgjë. Me fjalë, si ideator i Shqipërisë së qytetëruar; me vepra, si demiurg i saj. Ai botoi një bibliotekë të tërë shkencore duke na mësuar të lexojmë abetaren e vetes, të kohëve dhe të popujve, shkroi një letërsi të tërë artistike, duke na shpirtësuar me frymën e shenjtë të idealit dhe të dashurisë dhe, kur Shqipëria rrezikohej të humbte në vorbullën tejet të trazuar e tejet të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore, i dha asaj alternativën e shpëtimit.
“Partia ime është Shqipëria”. Me këto fjalë mua dhe ju na troket në kujtesë dhe do të na trokasë gjithnjë, ai Mithati, filizi i fundit i trungut frashëriot, atij trungu që i dha aq rrënjë truallit tonë dhe aq e aq degë qiellit tonë. Ndoshta sepse në ato fjalë, më shumë se kudo tjetër, përmblidhet jeta e tij, ideali dhe dashuria, puna dhe veprat.
U lind 135 vjet më parë. Nuk dua t’ia kujtoi vdekjen. Qe e errët. E errët, siç janë vdekjet që vijnë nga duar diktaturash. Jo pak njerëz të ndritshëm kanë vdekje të errëta.
“Partia ime është Shqipëria”. Ky qe ideali i jetës së tij. E lindi dhe e tharmoi që në fëmijëri të hershme, nën ndikimin e baba Abdylit, e urtësoi dhe e pasuroi me porositë e xhaxha Samiut, dhe e shpirtësoi e i dha flatra me frymën e xhaxha Naimit. E leçiti me dritë në Manastir për t’i dhënë shkronjat alfabetit të gjuhës dhe abetares së atdhetarizmit, e shpalli me bujë në Vlorë, në atë më të bardhën ditë të 28-ës, përkrah Babait të Kombit dhe e mbrojti gjithnjë e gjithkund. Për hir të tij, iu kundërvu edhe Plakut, kur Janina rrezikohej prej të huajve, ashtu siç u rrezikua. Kështu iu duk, kështu e pleqëroi dhe kështu e veproi.
Dhe, më së fundi, e ngriti si një armë shpëtimtare, kur atdheu ra rishtas nën thundrën e të huajit. E ngriti si alternativën më të ndershme, kur të tjerë, të kulluar a të turbullt, i nënshtroheshin armikut me motivin për t’i shkyer një thelë sado të vogël për atdheun – duke folur për ata të shëndoshët, – a për të xhvatur sa më shumë për vete, a edhe thjesht për lakmira kolltukësh dhe kotësirash; dhe të tjerë, prishanakë të çmendur, që futeshin qorrazi a edhe syhapur në luftë, nën flamurin e turpshëm të ideologjisë së një Internacionaleje pansllaviste, për ta kthyer atë në një kasaphanë vëllavrasëse.
Në atë gjendje të tallazitur udhëkryqi për fatet e Shqipërisë dhe të kombit – sepse ai gjithnjë mendoi e punoi jo vetëm për gjysmështetin, por për shtetin shqiptar të të gjitha trojeve të veta – si një tribun i vërtetë, zgjodhi atë më të ndershmën rrugë, atë të bashkimit kombëtar, larg dasisë, kundër pasioneve egoiste që sjellin vetëm koncepte, qëndrime dhe institucione dasie.
U bë prijës i rinisë, i popullit, pa e lënë për asnjë moment rolin e mësuesit, të edukatorit. Dhe rinia e admiroi dhe i shkoi pas.
I armatosur me kulturat e qytetërimet e Lindjes e të Perëndimit, i rrahur me përvojat e jetës e të punës së dy botëve, në krahë politike dhe diplomacie, dhe i pajisur me një mendje të shëndoshë, me një zemër të madhe dhe me një vullnet të çeliktë, ai, dishepulli i idealeve demokratike, ai demokrati i vërtetë nuk krijoi parti, siç pritej, sado që e njihte aq mirë shkencën e demokracisë dhe gramatikat e partive, por krijoi një organizatë. Paradoks? – Jo, nuk ishte kohë paradoksesh. Ishte shtjellë ideali dhe domosdoshmëri, nevojë e kohës.
Përballë të huajit, populli është e duhet të jetë një. Vetëm një, i bashkuar; prandej ai duhej rreshtuar në një organizatë, siç është rreshtuar gjithnjë, kur në qiellin kombëtar kanë vetëtuar kërcnueshëm flakët kobndjellëse të rrezikut.
E krijoi dhe e drejtoi. Në fillim, në ditët e para të errësirës së huaj, si një rezistencë e gjithmbarshme sabotimesh e protestash dhe, në një fazë të dytë, si një luftë e armatosur çetash e më vonë njësitesh më të mëdha luftarake.
Komunistët hodhën baltë mbi të; po, a mbulohet ari me baltë? E quajtën “një nga përfaqësuesit kryesorë të reaksionit në Shqipëri, intelektual liberal, pseudopatriot e tradhtar” 1), etj., etj. Dokrra! Gjykimin e artë e jep historia. Ndërsa ata përfunduan në fëlliqësitë e plehrave, qelbësirat e të cilave po na zënë hundët edhe po na ndotin mushkëritë sot e kësaj dite, e nuk dihet se deri kur, historia e ngriti atë në piedestalin e Heroit Kombëtar. Qoftë i qetë në lavdinë e vet! Atdheu do të ketë nevojë gjithnjë për shpirtin e tij, për fjalën dhe veprën e tij; por atdheu është ende i sëmurë dhe nuk kujtohet se duhet t’i japë dy metër vend për t’i pushuar eshtërat e shenjta.
Pse të mos e themi: pati edhe një “dobësi”: nuk mundi ta ngrejë dorën në luftën vëllavrasëse të imponuar nga komunistët. Kjo “hije” e ndriçon edhe më tepër madhështinë e personalitetit të tij. Si për të vërtetuar atë që thuhet shpesh: “Përjashtimi përforcon rregullin”. Më vjen mbarë këtu t’u kujtoj lexuesve një bisedë mes Hasan Dostit, mikut dhe krahut të djathtë të Mithatit, dhe Mustafa Gjinishit, fill mbas mohimit të Mukjes dhe shndërrimit të luftës çlirimtare në luftë për pushtet nga ana e komunistëve:
“Dosti: kush do të fitojë?
Gjinishi: Po të bashkohemi, do të fitojë Shqipëria.
Dosti: Po të mos bashkohemi, do të fitoni ju, sepse ju e dini dobësinë tonë, që ne nuk mund t’ju konsiderojmë armiq dhe t’ju luftojmë në mënyrë të paskrupullt ashtu siç na luftoni ju.
Gjinishi: po fituat ju, jam i sigurt se nuk do të më hyjë gjemb në këmbë, përndryshe s’dihet si do të vejë fati yt dhe imi bashkë.” 2). Dhe dihet se si shkuan fatet e të dyve.
Natyrisht, në kushtet që po jetojmë, do të ishte paradoksale të pretendonim prej politikanëve dhe diplomatëve tanë të sotëm të bëjnë të tyren thirrjen frashëriote “Partia ime është Shqipëria”, por na vret në shpirt nëse nuk u kërkojmë ose së paku nëse nuk u kujtojmë që në veprimtarinë e tyre të mos nisen nga thirrje te kundërta.
Referenca
-Akademia e Shkencave e RPSSH: “Fjalori enciklopedik shqiptar”, Tiranë 1985, f. 289
-Dashnor Kaloçi: “Hasan Dosti-Historia e vërtetë si u formua Balli Kombëtar”, nga interneti.
*Ribotim i redaktuar
Amaneti i Faik Konicës
Nga Anton Çefa*/
Kishte jetuar vëtëm për Shqipërinë, i ishte kushtuar asaj dhe nuk kërkonte gjë tjetër veç të prehej në dheun e saj. “Nuk do të më tresë dheu nëse ti Imzot Noli, ti Lamja i vogël dhe të gjithë ata që e quajnë vehten shqiptarë, nuk do të çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë.”, kishte shkruar me dorën që po i ftohej nga vdekja.
“Amanetin s’e tret dheu” ka thënë fjala e popullit, dhe urtia e fjalës së tij është e rëndë si guri e më e rëndë se ai. Këtë e dinte shumë mirë Konica, kur i shkruante testamentin Nolit dhe Lames së Vogël. (Selfulla Maleshevës, që shkruante nën pseudonimin Male Kodra). Po ku ta dinte ai se Shqipëria do të mbyllej nga herezia e kuqe, dhe jo vetëm që nuk do të pranonte eshtra bijsh, por do të nxirte jashtë edhe sa e sa bij të tjerë të devotshëm e vullnetmirë!
Dhe Noli që gjatë gjithë jetës vajtoi e lëshoi kushtrimin për shokët e tij të luftës të mbetur “syrgjyn vdekur” jetoi dhe vdiq jo vetëm me mallin e Atdheut dhe brengën për fatin e tij, por edhe me pengun në shpirt që nuk arriti t’i plotësonte dëshirën e fundi mikut të tij, “njërit prej bijve më të shkëlqyer të Shqipërisë, njërit nga çampionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare, pa dyshim ustajt më të madh të shkrimit të gjuhës sonë”, siç e kishte përkufizuar ai vetë.
E ku ta dinte Noli se Shqipëria, të cilën ai vetë e kishte lidhur me gjithë botën, duke i vënë cakun me fjalën e tij të zjarrtë në Lidhjen e Kombeve, do të mbyllej hermetikisht e mizorisht sa të mos pranonte as eshtra bijsh!
Mandej, ku do ta dinte Lamja, poeti me atë zemër të madhe, që e donte Shqipërinë “si bari dhe si fshhatar”, ku do ta merrte me mend se vitet e fundit të jetës së tij do t’i ngryste i internuar dhe se në një ditë ogurzezë, kur agjentët e sigurimit do t’i vinin zjarrin shtëpisë së tij, ai do të bërtiste në prak të dëshpërimit e të çmendurisë: “Librat, shpëtoni librat!”
Në ato flakë ku do të digjej edhe letra e Nolit me porosinë e Faikut, atë porosi obsesive për kufomën, që e kishtë tunduar tërë jetën, atij po i dritësohej edhe më e më tragjedia e kombit. Ata agjentë kishin urdhër të digjnin pikërisht librat e dorëshkrimet e tij, të digjnin akte e dokumente të historisë sonë, të digjninë dëshmin kujtesën e kombit. Sa më shumë të zhduknin, aq më mirë do të ishte, sepse historinë do ta bënin komunistët me Enver Hoxhën në krye.
Historia zyrtare dhe kritika letrare e realizmit socialist, të nënshtruara qorrazi ndaj diktaturës, do ta mohonin Konicën – si Fishtën, Mithat Frashërin, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Arshi Pipën e sa e sa të tjerë. Me synimin e krijimit të një imazhi të errët për personalitetet e shquara të kulturës, historisë, gjuhës, letërsisë, etj. Do ta mbulonin arin me baltë!
Atdhetarin e madh Faik Konica do ta quanin “diversionist të lëvizjes kombëtare”, “politikan të paskrupull”, “demagog dhe disfatist” dhe “mbrojtës të oxhakësisë” (anipse kishte edhe Islam Bej, Abdyl Bej, Naim Bej, etj.). “Albaninë” e tij, këtë enciklopedi të mendimit shqiptar të periudhës së Pavarësisë dhe një nga monumentet më me vlerë të publicistikës sonë, do ta etiketonin si “tribunë të mendimit frenues dhe regresiv politik e shoqëror, zëdhënëse e synimeve imperialiste”, etj. Dhe më përtej, atë që krijoi kritikën tonë letrare do ta emërtonin “estetizant zemërgdhu”, etj.
Por ja që kohët kalojnë. Dhe ndryshojnë. I vjen fundi tiranëve dhe Atdheu merr frymë i lirë. Dhe, edhe pse ka një mijë halle me të gjallët, ai nuk harron të vdekurit, bijtë që i deshën të mirën dhe punuan pa u kursyer për të, dhe i pret me dashuri e nderim mbetjet e tyre në gjirin e vet. Në akullsinë e pajetësinë e atyre eshtrave, ai e ndjen vetem me të ngrohtë e më të gjallë. Kështu, Atdheu plotësoi amanetin e Konicës dhe i priti me nderimet më të mëdha mbetjet e tij në gjirin e vet. Me gëzim të papërshkruar e pritën këtë eveniment të madh historik të gjithë shqiptarët e Amerikës , dhe në mënyrë të veçantë vatranët. Dhe me të drejtë. Qëkur vuri këmbë së pari në Amerikë në vitin 1909, Konica bashkë me Fan Nolin, Kristo Floqin , Kristo Kirkën, e atdhetarë të tjerë të shquar filloi t’u mësonte abecenë e atdhesisë mërgimtarëve shqiptarë të shpërndarë andej – këndej, dhe qe njëri nga ideologët kryesorë që i grumbulluan dhe i bashkuan ata në të famshmën Federatë Panshqiptare Vatra, e cila do t’i sillte aq e aq të mira Atdheut. Ai qe disa herë kryetar i Vatrës dhe editor i Diellit, duke e ushqyer atë me shkrimet e tij, që ngërthenin gjerësisht të gjitha problemet e jetës shqiptare.
Gjithhashtu, në shtypin e Amerikës, deri ditën që vdiq, Konica ngriti me forcë problemin e Shqipërisë, prezentoi profilin shpirtëror të popullit tonë, fatet e tij historike, padrejtësitë që i qenë bërë prej Fuqive të mëdha dhe fqinjëve shovinistë, dhe i siguroi Atdheut shumë miq, dashamirë e përkrahës amerikanë.
*(ribotim i redaktuar)
Ne Foto:Portret origjinal i Faik Konices realizuar me 1934, ruhet ne arkivin e Vatres
- « Previous Page
- 1
- …
- 18
- 19
- 20
- 21
- 22
- …
- 26
- Next Page »