Për hovin marramendës të rritjes së “Vatrës” në vitet e para të jetës së saj, Qerim Panariti, biografi i parë i Nolit, ka shkruar: “Përparimi i Vatrës i detyrohet barbarizmave Greke në Toskëri. Gjatë vjetëve 1912 dhe gjer më 1915 mijëra Shqipëtarë emigruan n’Amerikë për të shpëtuar nga masakrat greke. I tërë emigracioni i ri shpejtoj të përqafojë Vatrën si të vetëmen armë për të shpëtuar nga skllavërimi i fqinjëve.”
Shqipëria, edhe pse e krijuar përgjysmë, qe gjithnjë në rrezik të zhdukej nga faqja e dheut. Fatet e saj gjithnjë shkuan rrokopujë. Nuk patën të mbaruar qëllimet skllavëruese të fqinjëve.Atëherë e sot nuk është realizuar ideali vatran për një Shqipëri etnike të lirë e të pavarur, të begatë e demokratike, të qytetëruar – ideal që e ka lindur dhe e ka mbajtur gjallë “Vatrën”.
Për hir të këtij ideali, “Vatra” u bë një gjenerator i lëvizjes kombëtare; në periudha të caktuara edhe promotori i saj, dhe gjithnjë një mekanizëm i fuqishëm që ka sajuar ide, ka përvijuar organizma e institucione, i ka ndërtuar ato dhe i ka vënë në lëvizje.
Diku kam lexuar se “Vatra” e nxori politikën nga dera dhe ajo i hyri nga dritarja. Nuk është e vërtetë. “Vatra” e kishte politikën brenda. “Vatra” ishte me kokë e këmbë brenda politikës.
Në Kanunoren e “Vatrës”, në një kapitull të veçantë, të emërtuar në mënyrë kuptimplote “Fryma e Federatës” ka vetën një “nyjë” dhe kjo nyjë është: “Vatra nuk duhet të merret me politikë”, që në logjikën formale do të emërtohej një gjykim mohues absolut; pra një “antifrymë”, antifryma e Federatës!
Natyrshëm, ka “politikë” politika: kjo nyjë qe thjesht për të siguruar pranimin e Federatës nga organet përkatëse amerikane. Në atë Kanunore të shenjtë, që u zbatua gjithnjë me një rigorozitet kategorik, në kapitullin “Qëllimet e Federatës”, ndër të tjera thuhet: Federata ka për qëllim “të rritë në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës, dhe me anën e tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës në mes tyre dhe të dashurisë për kombësin’ e tyre.”
Paskëshin qenë burra të urtë idealesh të pastra e veprimesh fisnike Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Kirka, Paskal Aleksi, Llambi Çikozi, Elia Tromara, Kosta Vasili dhe një vargan burrash të tjerë, që na lënë trashëgim madhështinë e veprimeve të tyre të shkëlqyera, që na vërbojnë edhe sot me shkëlqimin e idealit dhe na trondisin në shpirt me forcën e dashurisë për Atdheun!
Një nga punët më rëndësore që bënë këta burra dhe të tjerët që erdhën pas tyre qe ‘t’i vënin pikën mbi i”, siç i thonë një fjale, politikës vatrane. Dhe “kjo pikë mbi i” qe dimensioni kombëtar i saj. Sepse ka dhe do të ketë politikë kombëtare dhe politikë partiake dhe bile edhe politikë individësh, siç po luhet sot përgjithësisht në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri – ajo lloj politike që më së shumti është politikë karrigash, a politikë pasurimi, a politikë e kotësisë për t’u dukur e për t’u dalluar mbi të tjerët, a politikë dukurish të tjera shpirtërore të mbrapshta – mjerisht aq të përhapura tek ne – dhe që shartojnë veç grindje e përçarje. Është pikërisht kjo mostër politike partiake e individësh që “Vatra” është përpjekur ta nxjerrë nga dera dhe jo rrallë i është futur nga dritarja; por me gjithë luhatjet, lajthitjet, grindjet e përçarjet, ideali kombëtar i politikës vatrane e pati sfiduar themelisht ambicien për pushtet, gjakimin për pasuri, kotësinë e mburrjes dhe rrangallat e tjera të psikologjisë individuale të shqiptarit.
Më se e vërtetë: vatranët përvetësuan dijen e kombësisë për t’ja mësuar atë bashkatdhetarëve, ashtu siç ia patën vënë vetes për detyrë; ata gjithnjë rrezatuan dritën e zjarrit të dashurisë së tyre për të ndriçuar dhe për të ngrohur atdheun, ata varfëruan veten për të pasuruar kombin. Kjo ka qenë politika vatrane, tri kahet e së cilës qenë e mbetën nacionalizmi, demokracia dhe qytetërimi perëndimor. Kaluan nëntë dekada dhe jetësimi i këtyre dimensioneve është ende gjysmak: troje të pushtuara, demokraci e sëmurë, qytetërim ndërdyshas. Për të qeshur dhe për t’u qarë!
Në emër të fjalës së fundit të qytetërimit modern, në emër të ndërtimit të një bote evropiane me ideale mbinacionale, sot përbuzet nacionalizmi. Të veprosh me idetë a dëshirat përtej fakteve dhe të kushtëzosh me to veprimtarinë politike është e lehtë, por jo e drejtë. Në Ballkan, integrimi evropian vështirë të ecë ne rrugët e praktikave të tilla politike. Për hir të luftës kundër nacionalizmit, na jepen këshilla kundër patriotizmit – ndjenja më e natyrshme dhe më e fuqishme e njerëzimit.
Nacionalizmi ynë, në hullinë shpirtërore, janë trojet tona – ideal i nëpërkëmbur, ëndërr e parealizuar, plagë e hapur, zemër që dhemb e kullon gjak. Nacionalizmi ynë, në hullinë e tij doktrinare dhe në sendërtimin praktik të kësaj doktrine, janë marrëdhëniet miqësore të ndershme me fqinjtë-në kundërvënie me shovinizmin e tyre-, dëshira e vullneti për paqen, bashkëpunimi dhe harmonia me Evropën dhe gjithë njerëzimin, gjakimi për integrim. Nacionalizmi shqiptar nuk ka pse të trazojë “paqen aristokratike evropiane”, siç ësht shprehur një studiues, dhe as të kërcënojë rehatinë shtinjake të Gadishullit.
Do të vijë koha kur edhe Ballkani do të zhvishet nga nacionalizmi,por sot e kësaj dite, në qiellin ende me re të përgjakura të këtij gadishulli fanitën, si stihi keqbërëse, synimet shoviniste dhe qëndrimet ksenofobike ndaj shqiptarëve, që aty-këtu përhijohen edhe nëpër Evropë. Bile në këtë gadishull veprojnë edhe organizata, si ajo Pan-Epirote, që punojnë pikërisht për të vërtetuar shkakun kryesor që e mbajti gjallë “Vatrën”. Për fat të keq, ka edhe struktura qeveritare e partiake në atdheun tonë që i shërbejnë me përkushtim e poshtërim politikës së tyre.
Dimensioni politik demokrat ka përcaktuar orientimin politik të qëndrimeve dhe veprimtarisë së “Vatrës”. Ajo nuk e ka njohur dhe nuk mund ta njihte një qeveri të dalë nga një dhunë e çmendur përgjakjeje, siç qe ajo e pranverës së çoroditur të vitit të nëmur të ’97-ës. “Vatra”do të pranonte edhe një qeveri demonësh, sado satanike të ishte, por mjafton të dilte nga vullneti i popullit.
Në Kanunoren e “Vatrës” është gdhendur një tjetër nyjë – nyja e tetë: “Në Vatër nuk pranohen revolucionarët”. E thënë thjesht dhe pa mëdyshje: dëshmi se vatranët kishin bërë të veten kuintesencën e parimësisë demokratike. Ky është një nga mësimet më të vyera që “Vatra” ka përvetësuar nga demokracia amerikane dhe që sot duhet të përpiqet ta përvetësojë më mirë dhe tua trashëgojë breznive të ardhshme.
Dimensioni i tretë kombëtar i politikës vatrane është ai i qytetërimit perëndimor.Vatranët janë të bindur se kombi shqiptar ka vetëm një rrugë qytetërimi dhe kjo është rruga e integrimit evropian në të gjitha drejtimet, në lëmin ekonomik, politik e kulturor.
Le të shpresojmë që idealet vatrane nuk do të mbetën shkrumb i një vatre të shuar!(Dielli-Arkiv- Shkurt 2002, Editor Anton Cefa)
Në një gjuhë me kohën / në një Kohë me Gjuhën…
Intervistë e Shkrimtarit Ardian Christian Kyçyku dhënë shkrimtarit dhe studiuesit Anton Çefa/
Anton Çefa: Z. Ardian kam kënaqësinë të bëj një bisedë me ju si shkrimtar i niveleve më të larta të letërsisë sonë, si estet, si teoricien i letërsisë, eseist, teolog, pedagog, duke u përqëndruar kryesisht në mjeshtërinë tuaj letrare, sidomos në fushën e narrativës, në risitë që i ka sjellë ajo letërsisë sonë, në pikëpamjet tuaja teorike në lëmijet estetike e artistike, pa lënë mangut probleme të metafizikës që lidhen me letërsinë dhe që janë aq të afërta për përgatitjen tuaj.
– Tri aspiratat e shpirtit të njeriut, shprehur në triadën e njohur të Platonit: e vërteta, e moralshmja dhe e bukura, janë tri imperativa në të cilat shpirti merr dhe jep jetë. Njeriu gjakon pas së vërtetës; synon të jetësojë të mirën; ndjen e vlerëson shijen e jetës përmes së bukurës dhe e krijon atë në jetën e përditshme, në natyrë dhe në art. Historia e filozofisë dhe e estetikës ka dhënë gjykime e vlerësime të ndryshme për këtë çështje. Njihet sentenca kategorike e Niçes: “Vetëm si dukuri estetike ekzistenca dhe bota janë përjetësisht të përligjura”, çka i jep përparësinë të bukurës. Të tjerë kanë vënë në vendin e parë moralin. Më vjen mbarë të përmend letrarin, kritikun dhe estetin tonë, Arshi Pipën, i cili ka shkruar: “E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra, një vepër morale ose jo asht në dorë të artistit. Kështu, një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shkruajë kurrë”, çka i jep përparësinë moralit. Si e gjykoni dhe e argumentoni një çështje të tillë?
Ardian-Christian Kyçyku: I nderuar zoti Anton, përfitoj nga rasti t’ju falenderoj përzemërsisht dhe të theksoj se biseda jonë ka nisur shumë vite më parë, por vetëm tani po shndërrohet nga dialog në trialog, me pjesëmarrjen e padukshme të lexuesit. Shpresoj të mos tingëllojë si përmbysje kupe nëse them se letërsia duhet të punojë më pak për të vërtetën, të moralshmen dhe të bukurën, në krahasim me sa duhet të punojnë këto të trija për letërsinë. Sepse kjo e fundit depërton ndryshe tek lexuesi, herë si dashuria me shikim të parë, herë si „tirania” e mençur e martesës, herë si një trandje lartuese, herë si vegim… Jetojmë në ca kohëra kur shumë mendimtarë e shkrimtarë, gjer edhe pas vdekjes, ngulmojnë që sëmundjet e tyre ne t’i bëjmë mënyrë jetese. Për fat të keq, shpesh ia dalin mbanë dhe kjo, në më të mbarin rast, vetmon shkrimtarët dhe mendimtarët e mirëfilltë. Ështe një lojë e vjetër me zbrazëtinë që njeriu mbart brenda vetes, kryesisht në zemër dhe në tru. Metaforikisht, zbrazëtia ka një rol baraspeshimi. Ajo ndihmon frymëmarrjen, si të thuash, ashtu siç zanoret ndihmojnë bashkëtingëlloret. Gjykimet kategorike i japin tjetër kah zbrazëtisë së lexuesit, duke e bindur se ka gjetur vetveten, dhe kjo kthehet në shpëlarje truri. Me të drejtë thuhet se rënia shpirtërore dhe morale nxjerrin në plan të parë intelektualë që shpallen si prijësa të estetikës dhe të përsosmërisë kulturore, por këto jo gjithmonë kanë jetë të mirëfilltë, jo gjithmonë përcjellin të vërteta, por më fort ca copëza të vërtetash mbështjellë me shtresa të tejdukshme mashtrimesh. Megjithë shkëlqimin dhe famën e tyre, ata mbeten të papjekur dhe nuk e pranojnë Besimin. I tremb Drita (e sprovës), sepse kanë frikë edhe nga hija e tyre. Prandaj nuk u kushtoj asnjë grimë besimi. Një personazh mendjekthjellët i imi shpreh atë që më duket sarkazma si një lloj verbimi, ose si i vetmi shikim i pavarur. Më është bërë truri pis, – thotë; – kam ardhur të ma shpëlani. Kjo dëshmon edhe një besim të epërm tek Zoti dhe tek e Vërteta, e cila i zgjedh vetë fjalët që i nevojiten, mënyrat dhe mjetet si do të ngjizen në vepër, dhe mbërrin vetë në kulmet ku arti është gjithçka njëheresh dhe nuk ka nevojë për plane e direktiva.
– Janë botuar dhe botohen pothuajse përditë tek ne romane nga më të ndryshmit, e edhe modernë; por më duket që ju e keni servirur këtë të fundit në sofrën e letërsisë shqipe, në të gjithë elementet e tij në një mënyrë të përsosur, duke njëmendësuar risi estetike nga më të ndryshmet. Keni ndërruar raportin mes veprës dhe realitetit, e keni përmbysur atë, ose edhe e keni mohuar; i keni ndryshuar fytyrën historisë dhe realitetit të ditës; keni sjellë syrin nga gojëdhëna, përralla, miti, duke e shfrytëzuar simbolikën e tyre për synime estetike dhe letrare, pa iu shmangur ngjarjeve aktuale; keni folur për të tashmen, të shkuarën dhe të ardhmen, duke i ngatërruar rendin ose duke i shfytyruar; i keni dhënë romanit një larmi strukturash të mëvetësishme, krejt të ndryshme nga tradicionalet; keni përdorur stilin tuaj të veçantë që ju karakterizon si narrator. Kështu, të gjithë përbërësit e romanit të dikurshëm realist janë përmbysur, duke i lëshuar vendin romanit modern. A mund të na thoni diçka më hollësisht për mjeshtërinë tuaj në realizimin e këtij zhanri letrar më të preferuar prej jush dhe një nga më të rëndësishmit në letërsinë artistike?Ardian-Christian Kyçyku: Një pyetje e rëndësishme dhe ende e pavjetëruar mbetet: ç’është realizmi?! Se ka një realizëm të Shpirtit dhe një realizëm kalimtar, të rrënueshëm, por edhe shkatërrimtar. Për shembull, ata që largohen nga një truall dhe ata që mbeten. Të dytët nisin e ndryshojnë gjëra më së shumti për të qenë në një hap me kohën, por edhe ngaqë u duhet të përshtaten me hapësirën e zgjeruar që mbetet pas ikjes së të parëve. Mirpo hapi i kohës, të paktën historikisht, çon në gropë dhe shpesh edhe në skëterrë. Vendalinjtë shformojnë trojet ku mbështetet malli i të ikurve, por sëprapthi, sepse brenda të ikurve Kujtesa, falë Zotit, bën çudira, ngjall, peshon, pastron e ruan më mirë se çdo kasafortë. Pas një a më shumë breznish, vendësit mbeten pa të shkuar dhe detyrohen t’ua kërkojnë të ikurve. Kështu zgjerohet globalizimi, i cili synon të shfarosë mallin, sepse malli është lufta për mbrojtjen e së pangjashmes, e së papërsëritshmes. Realiteti i ndarë më dysh (mes atyre që e shformojnë në pjesën e dukshme dhe atyre që e mbrojnë në Kujtesë) është karremi përmes të cilit globalizimi u jep gjërave dhe qënieve shije, madje edhe thelb filmik, butaforik. Jo rastësisht bota virtuale tani duket më e gjerë dhe më jetëgjatë se sa fillestarja. Në kushte të tilla, që të mbijetosh si shtetas, duhet vazhdimisht të hiqesh sikur je diku e dikush, atje ku duhet, atëhere kur duhet, ai që duhet etj… E gjitha është një rresht provash si ato të teatrit, por për një pjesë teatri që luhet tek sajohet dhe mbyllet me vdekje të përnjimendtë, qoftë shpirtërore, qoftë metaforike, qoftë shoqërore. Shkrimtari, si shumica e njerëzve, vihet para joshjesh e mëdyshjesh të ashpra. Shpesh gjendja rrënjos bindjen e gabuar se nuk mund të zgjedhim veçse mes dy vetëvrasjesh. Për të na i hapur sadopak sytë, një murg i shquar thotë se „Vetëm gjërat që mbeten këtej Vdekjes janë kotësi”. E drejtë, por sa vetë kanë fatin të lidhen me Vdekjen aq fuqishëm?! Në frymën dhe trysninë e pyetjeve të tilla dalin librat e mëdhenj. Më kot përpiqet një autor të ndryshojë gjëra, po qe se vetë libri dhe letërsia nuk e kërkojnë, për të mos thënë nuk e caktojnë këtë. Lidhur me mënyrat e të shkruarit, mjafton të sjellim ndërmend realizmin socialist, që herë e pasoi dhe herë të tjera e priu marrëzinë ideologjike, derisa doli nga realizmi i natyrshëm i artit dhe cënoi rëndë krejt doktrinën socialiste, si puna e një virusi që del nga kompjuteri dhe nis e sëmur njerëzit. E mira që shoh tek stili „përmbysës” është se ai thyen dhe përjashton dyfishësinë, pra: edhe sikur dikush të përdorë një stil krejt të ndryshëm, ose të kundërt nga ana teknike, pó brenda shpirtërores do të veprojë.
– A mund të përmblidhen në një emër të përbashkët klasifikues romanet e Ardian Kyçykut? Një çështje që e mundon teorikun e letërsisë dhe kritikun letrar, por që, siç duket, është në kundërshtim me natyrën e romanit modern.
Ardian-Christian Kyçyku: Në kohë të ndyshme, – jo si çështje thelbësore, – ka ndodhur t’i përmbledh disa prej librave në pak fjalë e shprehje, por kjo nuk ka zgjatur. Kur ende shkruaja romanet që lidhen kryesisht me mërgimin (Ëngjëjt e tepërt, Kristali dhe hienat, Home, Gjaku asnjanës, zv.Libri etj), shprehja „Mërgimi nuk është sëmundje, por as për t’u shëruar nuk shërohet ndonjëherë” më dukej e saktë. Herë të tjera thosha se „Kur vdekja nuk është shaka, si mund të jetë e tillë jeta?!”. Ose kapërcimi i një faze vendimtare për shkrimtarin: deri në një çast të caktuar, vetëm kur nuk shkruan, mund të rrosh dhe anasjelltas; pastaj: vetëm kur shkruan, rron…
– Personazhet e narrativës suaj – botë më vete, risi më vete! Personazhe që i takojnë kësaj jete dhe së përtejmes, por edhe as kësaj e as asaj, personazhe realë dhe fantastikë, dhe as realë e as fantastikë. Më së shumti, personazhe të gatuar me lëndën e absurdit dhe të groteskut. Në romanin “Home”, vetë protagonisti na paraqitet si personazh real dhe fantastik, ai u takon dy botëve, asaj të të gjallëve dhe asaj të të vdekurve. Si i vdekur, ai “jo rrallë dilte nga trupi”, ose bisedonte e luante letrash në përtejbotën me mjekun e vdekur, që i kishte bërë autopsinë. Më përtej, ekzistenca e tij luhatet: njeri i gjallë – shpikje, ose shpikje – njeri i gjallë”. Disa sende të rëndomta, si Çelësi, Kulla, Martina (arma), Plumbi, si në përralla, kryejnë veprime nga më të ndryshmet, pra janë në role personazhesh. Ato dalin në më se një rrafsh të simbolikës, apo edhe jashtë çdo simbolike. “Çelësi mund të gjente Kullën, ta pushtonte, të sajonte ca dokumente, t’i mbushte me vula e firma dhe ta merrte trashëgim për jetë, ose edhe të shqyrtonte varrezat, por që “nuk mund të hapte dyert që hap miqësia, leku.” Shkurt, si romani që ka mohuar veten, romanin tradicional, ashtu edhe personazhet mohojnë veten. A ndiqni ndonjëfarë “kanunësie” në profilizimin e personazheve, apo çdo gjë është e shlirshme?
Ardian-Christian Kyçyku: Ndoshta duhet thënë „romani që mohon gjithë ç’nuk është letërsi”. Ose „libri që nuk pranon të jetë diçka krejt tjetër”. Kjo lëvizje nuk ka qenë e qëllimshme, por padyshim i ka rrënjët në mllefin që vjen kur sheh se sa larg shkon, – ndonjëherë për vite me radhë, – e rremja. Thënë ndryshe: vendi i syve është në ballë, jo tjetërkund. Sytë e letërsisë së mirëfilltë gati asnjëherë nuk janë po aty ku i sheh lexuesi, apo kritika. Jo se ashtu do shkrimtari, por sepse ata sy duhet të shohin gjërat që lexuesi rëndom i sheh vetëm me sytë e së përditshmes. Tek unë roli i mërgimit ka qënë vendimtar. Pasi gdhihesh „jashtë”, në trupin dhe kokën e të ikurit ndodhin shembje dhe ringritje rrënjësore. Për një kohë, ai është pa rrënjë, krejt si në Asnjanës, mes kufijve shtetërorë, gjuhësorë etj, mes një jete që u ndërpre dhe njërës që ende nuk ka filluar. Dikur erdhi një çast pas të cilit mblidhesha i tëri në kokë dhe në zemër, teksa pjesën tjetër gati nuk e ndjeja. Jetoja vetëm brenda kafkës dhe brenda zemrës, të cilat i lidh frymëmarrja. Ajo i mban jo vetëm lidhur, por edhe gjallë. Nga kjo gjendje u shkruan shumica e librave të mi, dhe kulmuan me romanin „Empatikoni – libri i jetës së parakohëshme”, që është një udhëtim i shumëfishtë i protagonistit jo vetëm në kohë, por edhe brenda trupash të tjerë, apo brenda librash në gjuhë të ndryshme, pa pasur kurrgjë të përbashkët me atë që quhet fantashkencë. Nuk bëhet fjalë fare për legjenda, shpikje a sajesa. Një përvojë e caktuar dhembjeje të mëson, pastaj nis të të udhëheqë – dhe nga ai çast është një lloj krimi të shkruash ndryshe nga ç’ndjen. Në këtë hapësirë qëniet dhe sendet janë farë afër njëra-tjetrës, gati binjake me simbolet e veta, dhe kanë rëndësinë, por edhe rolet e parme, pothuajse si menjëherë pas Krijimit.
– A jeni i mendimit, duke u mbështetur në përvojën e veprimtarisë suaj krijuese, që personaliteti i artistit është çelësi i artit të tij?
Ardian-Christian Kyçyku: Për mua personaliteti matet vetëm me besimin në Zot dhe në mirënjohjen ndaj Tij. Ç’bravë mund t’i bëjë ballë një çëlësi të tillë?!
– Një nga kryeestetët e “shenjave”, Roland Barthes, duke e cilësuar stilin në rrafshin thjesht gjuhësor, ka thënë: “Çdo shmangie nga norma është stil”; ndërsa Buffon-i, duke pasur parasysh personalitetin e artistit, në rrafsh thjesht artistik, ka thënë: “Stili është njeriu”. Cili është mendimi juaj për stilin thjesht në rrafshin teorik estetik?
Ardian-Christian Kyçyku: Stili më duket mjeti më i mirë për t’i thënë Vdekjes, por edhe Jetës, se nuk je krejt i vetëm. Kjo ka disa nënshtresa. Stili mund t’i bindë të tjerët se janë të vdekshëm, por të përhershëm. Mund t’u zbulojë se zmadhimi i një vetmie artistike nuk është dëbim i njerëzve, apo përçmim ndaj tyre, por një zgjerim hapësire për ta, një mënyrë tjetër për të qenë edhe më të lirë, për ta parë vetveten dhe autorin me saktësi, jo si idhuj.
– Nëse Buffon-i, kur thotë: “stili është njeriu”, e ka fjalën për njeriun si kulturë, si talent, si etje për ta njohur e dëshmuar të vërtetën, të mirën dhe të bukurën, dhe, më përtej, njeriun si nerv psikik që nuk duron padrejtësinë, të keqen, të ultën; por vuan, reagon e revoltohet ndaj tyre; unë do të thoja që vepra juaj, kryesisht narrativa dhe eseistika, me sa e njoh unë, merr frymë më së tepërmi, prej këtij nervi. Është pikërisht ky nerv që jo vetëm e ushqen, po edhe e përcakton kritikën si lëndë, përmbajtje, dhe stilin ironik aq të arritur të veprës suaj, si formë, me një term shkollor, a si më duket më mirë ta them, si frymë. Sepse është pikërisht ironia ajo që, duke filluar nga “buzë të ngrira në gaz”, siç ka shkruar hermetiku ynë i shquar Zorba, që “shkrihen” herë të tjera në një sens humori të tejdukshëm, për të kapërcyer pastaj në një satirë të matur, që ndonjëherë prek edhe tonalitete sarkazme, bën efektin e duhur. Çfarë mund të na thoni për këtë gur themeli të veprës suaj?
Ardian-Christian Kyçyku: Më duket se ky nerv që e shquan në thelb shkrimtarin e vërtetë shqiptar, e dallon edhe shkrimtarin e ndershëm nga të tjerët. Lasgushi kishte një fjalë: „I butë është m…! Shqiptari është nevrik dhe nevriku është i zgjuar”. Ky nerv më ngjan me një thesar shpirtëror që rri mbledhur brenda nesh si ndonjë farë dhe, kur shpërthen, është i aftë të verë shumë gjëra ne vend, ose të pakten të rivendosë baraspeshën e gjërave… Ironia njihet si arma e të dobtit, por në letërsi nuk duhet parë si ndonjë mangësi, sepse autori, para se të jetë i plotfuqishëm apo demiurgjik, është i dobët në kuptimin paulian (pikërisht kur jam i dobët, jam i fortë). Në heshtje dhe duke iu larguar/afruar lexuesit, aq sa ai të mos keqkuptojë as tekstin, as mua e as veten, natyrshëm jam munduar ta dyfishoj dobësinë-forcë, duke shpërndarë si rrjetë të brendshme vetironinë. Kjo edhe si shenjë ngushëllimi ndaj atyre që e gjejnë veten tek „damkosësi” (autori) dhe „të damkosurve” (personazhet), por edhe si dëshmi se letërsia duhet të dalë përtej çdo krenarie apo epërsie të autorit.
– Stili i narrativës suaj, i shikuar sipas pikëpamjes së Barthes, pra në pikëpamje të gjuhës, gëzon një individualitet të theksuar, dhe karakterizohet nga një seri mjetesh e mënyrash shprehëse, që përbëjnë risi në letërsinë tonë. Me sa kam vërejtur, në tryezën e gjuhës artistike, në përshtatje dhe në shërbim të stilit tuaj ironik, ju keni sjellë mënyra të reja fjalëformimi, që në një pamje të sipërfaqshme të duken si lojëra fjalësh, por që, më së shumti, ofrojnë kuptime të ndryshme nga ato të zakonshmet (duke i hapur “fjalës së palosur kindën e një pale”), dhe shpesh reflektime filozofike dhe ndriçime psikologjike me vlera të mëdha domethënëse. A mund të na thoni diçka lidhur me punën tuaj me fjalën?
Ardian-Christian Kyçyku: Jetoj i bindur se shumë gjëra nisin qysh në fëmijëri. Disa vjet pasi mësova të shkruaja, në fillore, vura re se flisja ashtu siç shkruaja, gjer edhe kur përdorja i pavetëdijshëm, si për çmësyshje, shprehje ose fjalë nga të rrugës. Ishte një përpjekje e dhimbshme për të qënë në një gjuhë me kohën, jo në një Kohë me Gjuhën. Më vonë vendimi u bë i dukshëm dhe ma ndau jetën më dysh: nga një anë më mbështolli (ose edhe më mbolli) me shumë vetmi, kurse nga ana tjetër përzgjodhi – shpesh pa mëshirë – ata që do të më qëndronin afër. Edhe në rumanisht ndodhi e njëjta gjë. Madje vetmia u dyfishua, sepse përqëndroi në vete jetën në dy gjuhë. Edhe tani, kur nuk heshtin të dyja njëheresh, njëra prej vetmive hesht për sa kohë „përdoret” tjetra. Shumë çështje e dije m’u zbuluan nga një tjetër këndvështrim. Për shembull, në një ese kushtuar Lasgush Poradecit, që ju ma botuat vite më parë tek „Dielli”, pasi shpreha bindjen se, në epokën e quajtur pasmoderne, sa më mirë ta shkruash një gjuhë, aq më gjatë rrezikon të mbetesh mbyllur në të, si ndonjë peng, ose i ngujuar pa faj, pra të mos përkthehesh, ca të papjekur nënqeshën, ose e trajtuan ngjarjen si ndonjë flatrim tejet poetik. Mirpo me kalimin e kohës ata që zgjidhen të kuptojnë ca gjëra, binden se gjuha që përdor dikush, në të folme a në të shkruar, ose në të dyja bashkë, ravijëzon edhe të ashtuquajturin fat, gjer në hollësi gjeografike, shoqërore dhe vetjake (Gjuha ime – fati im). Mund të thuash se, njëheresh me përsosjen e gjuhës dhe mbajtjen e saj në një lartësi dhe pasuri të caktuar, nga „fati” i njeriut largohen rastësia, kaosi dhe makthet e përditshëm. Pushteti dhe ndikimi i tyre pakësohen tejmase. Nga ai çast, gjuha nuk punohet, por jetohet.
– Një tjetër veçori e stilit tuaj qëndron në natyrën sentencioze të frazave a fjalive që e shfaqin a nuk e shfaqin të plotë e të qartë mendimin, ose, duke shkuar më përtej, që e zbulojnë duke e mbuluar a e mbulojnë duke e zbuluar atë, dhe që ngjallin kuriozitetin e lexuesit për të gjetur kuptimin e saktë si dhe kënaqësinë e bukurisë tërheqëse e provokuese, që krijon kjo situatë gjuhësore. Vërehen, gjithashtu, disa ndërtime frazash që, në një analizë timen për një nga romanet tuaja, i kam quajtur “shprehje të përmbysura”, të cilat njëmendësojnë gjykime që aty për aty kundërshtojnë njëri-tjetrin, duke i dhënë hijeshi të veçantë shprehjeje tekstit artistik dhe, në të njëjtën kohë, duke dëshmuar një rast të individualitetit tuaj. Një shembull: “Mbase gjuha juaj amtare, ose thjesht kujtesa, kanë nevojë për pak lëng të hidhur letrash të ëmbla, apo për pak lëng të ëmbël letrash të hidhura.”. Ju jeni familjarizuar aq shumë me këtë lloj ndërtimi, sa që lexuesi e gjen shumë të natyrshëm. A mund të mësojmë nga ju diçka më me hollësi për strukturën sintaksore të gjuhës suaj artistike?
Ardian-Christian Kyçyku: Ka një zjarr të brendshëm që sprovon fjalën dhe e ndihmon (nganjëherë e detyron) të hartojë vetëm fjali të mbamendshme. Kur isha në gjimnaz dhe në fakultet, u mora gjatë me folklorin, veçmas me atë verior. Pasi u zhvendosa në Bukuresht, sidomos kur punoja me doktoratën në letërsi të krahasuar dhe botërore, por edhe kur hartova „Një alfabet i poezisë shqipe”, përsiata gjatë rreth gjenive të paemër që ngjizën Eposin e Kreshnikëve, baladat, legjendat, përfshi arbëreshët dhe mërgimtarët e tjerë, që, në vend të tokës amtare, patën vetëm gjuhën. Po me aq përkushtim u mora edhe me muzikalitetin e heshtjes dhe anasjelltas, me arbërishten që përdorte zanoret e njëpasnjëshme, duke i zbuluar gjuhës një përmasë tashmë të harruar, si një tjetër aftësi frymëmarrjeje; me humorin e brendshëm të rumanishtes, me tragjizmin shkëlqimtar të shqipes, derisa hyra në një gjendje ku secila nga gjuhët në të cilat shkruaj pastron dhe pasuron tjetrën, aq sa nuk ka më rëndësi lënda dhe stërhollimet e trajtave të një „çelësi” (në këtë rast gjuha), por bravat që ai është i aftë të hapë. Edhe tani dua të besoj se jam pranuar në atë lloj zjarri që dendëson kohën dhe përqëndron mendime e metafora në sa më pak fjalë. Vetëm se duhet të rrish prore brenda këtij zjarri, se ai nuk është çmim apo dekoratë, dhe, ashtu siç të ushqen, duhet „ushqyer”.
– Në esetë dhe në narrativën tuaj del shpesh problem i mërgimit. Në një ese tuajën, para do kohësh, keni shkruar: “Mërgimi . . . është vetmi metafizike në verbanen fushë a strofull a shkreti të Urës së Qabesë, urë që rri pezull mbas një jete, së cilës i ka shterur uji, dhe një jete ku uji nuk është zbuluar ende. . . .” . A keni të njëjtin mendim dhe si e argumentoni?
Ardian-Christian Kyçyku: Fjalitë e mësipërme lidhen me mënyrën se si populli e përfton mërgimin, madje në kohën kur mërgimi, për shumicën e të rinjve (për shembull nizamët) ishte me detyrim, ashtu siç sot janë bërë gati detyrim mirëqenia e bujshme, titujt etj. Popullit i dhembin ndryshe gjërat. Asnjëri nga ne nuk pajtohet dot krejtësisht me ndjesitë e popullit, sepse nuk ka thellësinë dhe as jetëgjatësinë e tij. Prandaj shpesh „vizionet” tona ngarendin pas trajtave e ngjyrave që merr mërgimi në varësi të ideologjive, ose modave të kohës. Por në thelb gjërat mbeten siç i ndjen populli. Ikja e të rinjve plak popullsinë dhe e zhvendos pushtetin e ndreqjes apo të rindërtimit të një vendi në mosha të tjera, ose edhe ndër të huaj. Ikja e të aftëve zgjeron tiraninë e të paaftëve, i zhyt gjërat në të tashme, në mish, kërcënon idealizmin, prish fjalët vendimtare, u jep një shije të rreme prej myku termave të tipit atdhe, besim, dashuri, besnikëri, atdhedashuri, përkushtim, tokë e të parëve, besë, mall etj, etj… Dëmet që sjell mërgimi në këtë zonë janë të tmerrshme dhe zgjasin me breza, madje janë aq të rënda, sa më pak ndihen, sa më dhunshëm e tashmja e një kombi, përmes ndërgjegjeve të shitura, i shpërfill, i nëpërkëmb, ose i tall. Si reagim ndaj kësaj rënieje që shpesh emërtohet progres (dhe që është një kafaz shumëngjyrësh ku fshihet pamundësia e njeriut për të ndjerë e shpërndarë Dashuri, në të gjitha kuptimet), Mërgimi rrëmben thelbet (dhe tharmet) e një vendi dhe të një populli dhe, përmes gjuhës, i (zh)vendos në kulturë, kryesisht në letërsi. Mund të flitet me vite për këtë shembje-lartim të shpirtit. Mërgimi mund të këqyret edhe si hap vendimtar i njeriut për të gjetur Emrin e vet, Emrin si vend dhe vlerë në këtë dhe në atë botë. Por do të mjaftonte edhe sikur ta përmblidhnim në fjalinë: „Vdes për një tokë, për një kohë dhe për një kujtesë – ngjallesh në Letërsi”. Përndryshe, edhe sikur kjo letërsi të mos ketë vlerë për kohën, tokën dhe kujtesën e mësipërme, këto mbeten të strehuara brenda Saj. Ndodh diçka e natyrës biblike: Fjala, nga e cila është ngjizur bota, gëlltit botën dhe e rikrijon në Vetvete.
– Një personazh në një nga romanet tuaja, thotë për kohën e diktaturës: “Kësaj jete i mungonte lëngu i tretë, ai kryesori, se gjaku e loti nuk ia lehtësokëshin dot shpirtin njeriut. Është një pikëz dashurie falas ky lëng i tretë”, që shëron shpirtrat dhe mundëson paqen e begatinë. Një mesazh vërtet sublim për popullin tonë është kjo pikëz dashurie e dhënë falas. Cilat janë disa nga mesazhet më kryesore që sugjeron narrativa dhe eseistika juaj?
Ardian-Christian Kyçyku: Personazhi quhet Home Çkena dhe emri i tij është njëfarë nofke, të cilën bashkëkohësit e sajojnë nga përngjitja e shprehjes tiranase „Ho, me, ç’kena?” Ai nuk flet vetëm për kohën e diktaturës, sepse, pasi shkulet nga një jetë tejet e rëndë dhe zhvendoset në Mërgatë, ndjek me empati të epërme rrënimet që dyndin shoqërinë e tanishme. Kur iku, la në atdhe vuajtje, varfëri, por edhe njerëz. Më pas, njerëzit nuk po i gjente dot më. Sepse kahu i varfërisë dhe i vuajtjes patën ndryshuar. Rënia e njeriut në rrafshin biologjik tjetërsoi edhe vuajtjet, edhe varfërinë. Vuajtja zbriti nga shpirti në stomak dhe në xhepa, të themi, kurse varfëria hipi nga xhepat dhe stomaku drejt zemrës, kokës, gjuhës. Ndodhi një shembje e frikshme, të cilën letërsia duhet ta pasqyrojë, përndryshe del nga roli i vet, humb kuptimin.
– Përgatitja juaj e lartë teologjike reflekton në veprën tuaj jo vetëm një vizion metafizik të jetës, por edhe një substancë të tillë, domethënë metafizike. A mund të na thoni diçka më tepër për këtë dukuri të rrallë e aq të nevoshme për letrat tona?
Ardian-Christian Kyçyku: Më tepër se përgatitje, kjo më duket dhunti. Metafizika e di, por edhe fizika duhet ta pranojë se çdo dhunti vjen nga Tjetërkund(i), sa më vetjake të jetë çështja për të cilën flitet. Në rastin tim, edhe kjo i ka rrënjët në fëmijëri. Liqeni i Pogradecit në secilën stinë; përthyerjet marramendëse dhe marratrupëse të dritës; ngjyrat që merr dëbora majë Malit të Thatë; ajri që sikur të bind se ka edhe një frymëmarrje pa frymënxjerrje; hijeshia e femrës së dashur, e vetme, mes ujrave, qiellit, dëborës; muzgu i shtëpive të hershme; heshtja e varrezës dhe e kinemasë; pamundësia për të pranuar se vdekja e dikujt të shtrenjtë nuk është fund i një bote, por derëzë drejt një tjetre – të gjitha e stërvitin njeriun që të jetë gjithnjë e më i lirë. Nuk është ajo liri të cilën e zgjedhim dëshpërimisht, ngaqë vdekja na duket e padrejtë dhe poshtëruese, por e vetmja liri që vlen gati sa vetë shpirti. Kjo të jep shenja nga s’ ta pret mendja. Le të kujtojmë diçka të njohur. Dihet tashmë se të vdekurit, pasi u del shpirti, rëndohen. Disa shkencëtarë kanë bërë matje dhe hulumtime dhe ngulmojnë se shpirti peshon rreth 21 gram. Pasi nga kurmi i të ndjerit ikin 21 gramë, ky shtohet me disa (s’dihet sa) kilogramë. Shqipja ka disa shprehje për vdekjen: „ndërroi jetë”, „doli nga kjo botë”, „iku nga këmisha”, „kaloi” etj dhe asnjëra nuk nënkupton diçka të pavetëdijshme. Pas daljes nga kjo botë, mes të ndjerit dhe atyre që mbeten gjallë kryhet një „kalim pushteti”. Ai rëndohet, sepse heq dorë nga forca (pesha, vetëdija thjesht tokësore etj) që e mbante në këtë realitet. Për ta kthjelluar „ngjarjen” më tej, mjafton të vihet re se ata që në të vërtetë kanë vetëm fare pak më shumë fuqi se kukullat, sado të pushtetshëm të duken, janë tejet të „rëndë” në jetë, në shoqëri, kudo, dhe mezi lëvizen vendit, që gjërat të rrjedhin natyrshëm. Kjo ndodh edhe me librat dhe me shkrimtarët.
– Në disa vepra dhe ese tuajat, për fatin e letërsisë sonë, del prania hyjnore, gjë që në letrat tona, që me “Parathanjen e parathanjeve” të Migjenit dhe në vazhdim, në letërsinë tonë të realizmit socialist, qe mohuar. Si mund të përcaktohet ndihmesa juaj në këtë drejtim dhe, ndoshta, edhe ndonjë risi në rrafshin teorik të trajtimit të këtij problemi?
Ardian-Christian Kyçyku: Synimi im i vetëm është që të mos shkel pash më pash „tokën” e tjetërkujt, por as të groposem për së gjalli vetëm në „tokën” time. Çdo thyerje kufiri, në rastin më të mirë, të ngujon në Asnjanës, ku metaforikisht rrezikon të vdesësh urie, apo edhe shpërfilljeje. Tani gjërat duken të koklavitura dhe të pashmangshme, – deti u bë kos, thotë populli, – dhe shumë vetë dynden t’ia marrin tjetrit jo vetëm bukën, por edhe fjalën nga goja. Të ftuar a të paftuar, shumica pandehin se thonë, por vetëm flasin, dhe shumë pak janë vërtet të zgjedhur të thonë. Është përdhosur heshtja (si mirënjohje ndaj Krijuesit, si shkollë për njohjen e vetvetes, si kulm i fjalës etj) dhe kjo i ka mbushur qeniet njerëzore plot zhurma dhe ndjeshmëri të pashëndetshme… Vërtet dhuntitë mund dhe duhet të bashkëpunojnë, por janë të ndara. Atë që është zgjedhur ta thotë teologu, mendimtari, burri i shtetit etj, nuk ka pse ta thotë shterueshëm shkrimtari. Secili vepron në një hapësirë të caktuar, për një kohë të caktuar. Dhe del qartë më vonë se në Kujtesë mbeten vetëm gjërat e shprehura nga trualli ku e shkruara është flijim dhe mposhtje e vuajtjeve përmes pranimit të tyre, jo shmangie apo arratisje kalimtare.
– Keni botuar në gjuhën rumune ligjëratat universitare “Hyrje në semiotikë” dhe “Shenjat dhe kështjella”. A mund të na thoni diçka për ndihmesën që u jep semiologjia shkrimtarëve për hartimin e veprave narrative, kritikëve për analizat e tyre, dhe lexuesve për kuptimin e tyre?
Ardian-Christian Kyçyku: Me gjysëm shakaje, e kam cilësuar semiotikën si kulm të spiunazhit. Gjatë leksionit të parë, u them studentëve: kush ka dëshirë të luajë mendsh, të ngrejë dorën, ose të braktisë sallën. Pak shkenca të tjera kanë nevojë vendimtare për masën dhe kthjelltësinë mendore sa semiotika. Sepse mund të hysh në të dhe të përfundosh si Pahomi, fshatari i Tolstoit, që vdiq së renduri për të gllabëruar sa më shumë tokë. Përndryshe, semiotika të ndihmon të fitosh kohë, sidomos kur këtë kohë ke ku ta përdorësh. Pas një pune të vëmendshme, mjafton të shohësh ballinën e një libri, afishen e një filmi, fjalët dhe llojet e gërmave të një teksti, ose ngjyrat dhe vendosjen e orendive, apo të veshjeve të dikujt dhe do të dish me kë e me çfarë ke të bësh. Në thellësi të saj, semiotika ia del mbanë ta zbërthejë botën, por vetëm nëse synon ta mbajë të njësuar, në kulm të thjeshtësisë, siç ishte pak pas Krijimit. Njeh detajet e një sahati për të kuptuar si dhe pse punon, jo për t’ia derdhur të përbrendshmet mbi tryezë e për të mos qenë më në gjendje ta rindërtosh. Në të kundërt, mbetesh me veglat në duar, në hapësirën jetike e mendore, dhe nis të numurosh, ose të shkatërrosh.
– Një metodë tjetër frytdhënëse në studimin e letërsisë, krahas semiologjisë (nuk po përmend atë psikanalitike), është strukturalizmi. Ndonjë përparësi e tij në krahasim me semiologjinë?
Ardian-Christian Kyçyku: Pasi përjeton zjarrin brenda Fjalës dhe fjalët që mbijetojnë pas tij, përpjekjet e natyrës shkencore nuk e kapërcejnë nivelin e „punës me këste”. Për mua ka vlerë vetëm empatia. A mund të hysh në tekst dhe të rijetosh, – aq sa lejohet, – atë që përjetonte shkrimtari kur ngjizej vepra, dhe më pas t’ia përcjellësh dikujt tjetër pa ia cënuar shijet dhe dëshirën për të hyrë në veprën përkatëse? Nëse jo, të gjitha shkencat të presin krahëhapur.
– Një vëllim tejet i madh pune ju ka detyruar të hiqni dorë nga gëzimet që mund t’i vidhen jetës së përditshme. E ndjeni veten të lumtur, kur i kushtoheni plotësisht “vuajtjes krijuese”. Naimi e ka përcaktuar këtë dukuri me një shprehje brilante: “Jam i gjallë e jam në jetë, jam në dritëz të vërtetë.” Çka mund të na thoni për këtë aktivitet të veçantë shpirtëror që karakterizon punën tuaj? Dhe çfarë porosie mund t’u jepni atyre që ushqejnë idealin për t’iu kushtuar letërsisë, sikurse i jeni kushtuar ju?
Ardian-Christian Kyçyku: Asgjë s’më ka detyruar; unë vetë e kam bërë këtë zgjedhje, që është më e fortë se çdo përbetim. E di që jeta ime duket e varfër, plot përsëritje dhe me diçka prej murgu, por nuk është e tillë. Ndryshe nuk do të shkruaja siç shkruaj. Gjërat janë të thjeshta. Ka shkrimtarë që vrasin veprën e vet dhe shkrimtarë, të cilët vepra i vret, secilin me thonjëzat e rastit, ose pa thonjëza. Meqë as më vret, as e vras, – me përjashtim të pamundësisë njerëzore për ta kryer më mirë, – kjo vepër shoh se më fsheh gjithnjë e më shumë, ose më shndërron në njëfarë ishulli. Jam mësuar tashmë dhe nuk kam pasur ndonjë zgjidhje tjetër, e cila të më duket më e vlefshme për të shkruarën. Dua të shtoj se në këtë lëvizje nuk ka asgjë të pandershme. Se jo pak autorë bëjnë sikur largohen apo dalin prej kësaj bote, që të tërheqin mbi vete dhe mbi librat e tyre sa më shumë vëmendje e admirim dhe që të shndërrohen në qendra rëndese. Qysh në fillimet e mia letrare, edhe kur mund të dilte diçka me vlerë, nuk kam pranuar të shkruaj për gjëra që nuk kalonin më parë në lëkurën time. Ishte edhe një afrim i lëkurës drejt letrës, edhe një nderim i natyrshëm ndaj jetëve të të tjerëve. Ndodhi që t’i kaloja fëmijërinë dhe rininë e hershme nën një regjim që të rrënonte për një fjalë goje dhe të bënte qesharak po të përdorje „ca si shumë” fjalë shpirtërore. Kjo nuk ndryshoi me rënien e atij regjimi, sepse edhe pasi tirania ik, apo ndërron lëkurë, nënkultura dhe egërsia e brendshme e të paditurve mbeten, madje shpesh forcohen. Për këtë arsye, por edhe për të mbrojtur njerëzit e shtrenjtë, vendosa të rrëfeja gjithnjë e më pak. Kjo ka qënë një nga sprovat e mëdha të jetës sime. Rëniet e mia në dashuri, për shembull, ishin si ca ngritje në Çmenduri. Dilja fare nga e tashmja, u nënshtrohesha ligjesh krejt të tjera; fjalori dhe reagimet ndryshonin; pastaj zbuloja se isha kthyer sërish këtu dhe madje duhej të mbaja përgjegjësi. Rrija e numuroja njerëzit që i kishin mbijetuar katrahurës. Dy-tri ngritje të tilla dilnin e tepronin – dhe kanë qenë më tepër se dy-tri. Ç’të rrëfesh më parë dhe kujt dhe pse?! Dashuria që të jep bojën, të merr gojën, thosha… Nga ana tjetër, lidhjet me gjithçka të thellë femërore, me kohë, të bindin se duhet heshtur, jo vetëm për të shijuar ndjesi të rralla, por edhe për të ruajtur një vend të denjë në historinë e pabujë të njeriut, atë që shpesh drejton historinë e dukshme. Dikur m’u duk se misteri i artistit nuk është veçse mjeshtëria me të cilën ai di të fshehë plagët. Heshtja mbështolli plagët, dhe vetëm fshehja i bënte prodhimtare dhe të vlefshme për letërsinë… Nuk është një jetë e lehtë, por është padyshim ndër më të bukurat e mundshme.. Heraherës humb të drejtën të heshtësh, si gjatë kësaj bisede, por edhe në kësi rastesh përfshirja në jetën e tanishme shoqërore nuk mund të jetë klasike. Në të kundërt do të ishte si të përtypje çamçakiz dhe të shpresoje se kjo do të përkryejë nofullat e dikujt tjetër. Nuk jam kurrë në lartësinë nga e cila jepen këshilla, por mund të them se, me kalimin e kohës, sprovën e madhe nuk e sjell vetmia, por empatia: dhuntia për t’i jetuar të tjerët nga brenda, pa i vjedhur, pa i tradhtuar, por thjesht për t’u dhënë sadopak zemër (ose Gjuhë). E vetëm Zoti mund të të mbajë të fortë dhe të freskët në sprova të tilla. Kuptohet që kjo shton vetminë dhe heshtjen, por edhe librat.
Duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi dhe suksese, dhe duke ju uruar t’u sillni letërsisë dhe kulturës sonë arritje të tjera të niveleve të larta artistike, ju falenderoj shumë për përgjigjet tuaja të po atyre niveleve, dhe ju kërkoj të falur për kohën që ju kam ngrënë.
Vullneti dhe tiparet e tij në profilin psikologjik të popullit tone
“Çdo njeri e ka fatin në dorën e tij”-Fjala e urtë/ “Kush lak s’i bën vullnetit të ngulur, ai botën e trajton mbas andjes së tij”-Gete/
Nga Anton ÇEFA/
Vullneti është aftësia që ka njeriu si veti të brendshme dhe këmbëngulja e tij për të arritur një qellim a synim të caktuar, për të plotësuar një dëshirë ose për të kapërcyer vështirësitë e pengesat me përpjekje të vetëdijshme, me vendosmëri, me durim, etj. 1). Asgjë nuk është e pamundshme për një njeri të vullnetshëm.
Për filozofin dhe estetin Benedetto Croce, krejt fushën e dominimit teorik të shpirtit e mbulojnë format intuitive dhe intelektive, duke përjashtuar kështu format volitive. “Vullneti është formë e aktivitetit praktik”, thotë ai. Është “aktivitet i shpirtit, i cili ndryshe nga teoria e thjeshtë ose nga vrojtimi i gjërave, është prodhues jo njohurish, por veprimesh.” 2). Për lidhjen mes shpirtit njohës, intelektual, dhe shpirtit praktik, realizues, Croce sqaron më tej: “Një veprim sado i vogël mund të jetë veprim i vërtetë, domethënë veprim i vullnetshëm, vetëm po të paraprihet nga një aktivitet njohës.” 3).
Në analizën e tipareve të vullnetit, duhet thënë në krye të kresë që vlera e tij nuk qëndron tek ekzistenca e tij, por tek idealet që e frymëzojnë dhe e drejtojnë atë, tek natyra e motiveve, synimeve e nevojave që e shtyjnë njeriun të veprojë. Një brumosje e shëndoshë morale e njeriut shërben për themelet e tipareve pozitive të vullnetit. Më shumë se në proceset e tjera të psikës njerëzore, tek ai përvijohen krahas anëve pozitive edhe ato negative të karakterit të njeriut. “E mira e njeriut është tek vullneti, dhe e keqja gjithashtu”, ka thënë filozofi grek Epiktetus. Me vullnet bëhen punët e mira, po edhe punët e këqija.
Populli, në fjalën e tij të urtë, ka shprehur vlerën e madhe të kësaj hiseje tejet të rëndësishme të psikologjisë së njeriut për realizimin e misionit të tij në jetë, për sendërtimin, përmbushjen e idealeve të tij, për jetësimin e synimeve që ai i vë vetes: “Uji që rrjedh pikë-pikë e ha gurin”. Çdo punë sado e vështirë të jetë kryhet nëpërmjet vullnetit: “Vullneti e then hekurin”, “Vullneti i burrave shkul malet”. Në proverba të tjerë, ai ka dënuar mungesën e tij deri në dembelizëm, bile me tonalitete humori: “Shyqyr, o muslluk, që s’ke ujë, se edhe unë s’i laj sytë”, “Shyqyr, o mulli, që s’pate ujë, se unë s’kisha për të blojtur”. Mendësia popullore e quan të turpshme mungesën e vullnetit për të kryer një punë të mirë: “S’asht marre mos me ditun, por mos me dashtun me nxanë”. Ajo i ka vënë rëndësi nismës si fazë fillestare e veprimit volitiv: “Po s’fillove, nuk mbaron”. 4).
“Aty ku është vullneti, aty është rruga”, thotë proverbi, – ka thënë një i ditur.- Por, kjo nuk është krejtësisht e vërtetë, ka shtuar ai. E vërteta është: aty ku mungon vullneti, nuk ka rrugë.” Çdo e mirë materiale e shpirtërore, çdo nevojë, çdo dëshirë, vihet në jetë nëpërmjet vullnetit të njeriut.
“Vullneti është njësia e matjes e fuqisë”, ka thënë filozofi i lashtë grek Proclus. Në një hulli sa filozofike aq psikologjike, Niçe, duke e emërtuar “vullnet të fuqisë”, e ka cilësuar vullnetin e afirmimit të vetvetes përball çdo pengese dhe çdo kufizimi të jashtëm, si “instinktin themelor të jetës”. Përpjekjet për afirmimin e vetvetes janë të lindura me njeriun. Tek shqiptari që ka natyrë ziliqare dhe krenare ato janë mjaft të theksuara, dhe mumd të kalojnë në kahje negative.
Një nga tiparet më të rëndësishme të vullnetit të njeriut është këmbëngulja, përpjekja e njeriut me ngulm e durim për t’i realizuar synimet që i ka vënë vetes. Një vargan fjalësh të urta, populli ynë i ka kushtuar kësaj cilësie të vullnetit. Nëpërmjet tyre, ai porosit: “Atë rrugë që të rrokësh, t’i gjejsh fundin”, “S’godite me të parën, provoje përsëri”, “Duhen ngulur dhëmbë e këmbë”. Herë të tjera, ai tregon se me këmbëngulje i arrihet qellimit, bëhet i sigurt realizimi i tij: “Gjalpi ha gurin”, “Litari ha gurë”, “Çdo njeri e ka fatin në dorën e tij”, “Prit e mos lidh, s’bëhet punë”, “S’merret kalaja me një të shtenë”.
Gjithsesi, edhe këmbëngulja tek ne, kur është e paarsyeshme ose kur ngulmohet të vihet në jetë pa tjetër një dëshirë, kthehet në kokëfortësi, veti aq e njohur në psikologjinë e shqiptarit. Studiuesi dhe letrari Daniel Gjeçaj, ka shkruar: “Shqiptari nga natyra asht vullnet-fortë dhe s’topitet para vështirësive. Këto veti të mira në vetvedi, shpesh përse të paarsyetueme, e shtyejnë shqiptarin në kryefortësi të damshme dhe në prirje të veçueme, qi njerin e kthejnë në egoist dhe gjymtyrë të shkëputun nga e mira e përbashkët.” 5).
Aty-aty me këmbënguljen renditet një tipar tjetër me peshë i vullnetit: durimi, përballimi dhe kapërcimi i pengesave dhe vështirësive, të cilat i dalin njeriut udhës së jetësimit të synimeve të veta. Në mendësinë popullore, durimi përbën një faktor të domosdoshëm në sigurimin e suksesit: “Durove, fitove”, “I duruari, i fituari”, “Me durim të tëra bëhen”, “Dhe të mirat, dhe fitimin e sjell puna me durimin”, “Çelësi i fitimit – zemër e durimit”, “Gjithkahit bani durim, se durimi ka pshtim”. Fjala e urtë këshillon të jemi të qetë e të qëndrojmë gjakftohtë, kur një punë për t’u kryer, kërkon kohë: “Ai që pret, del në selamet”, “Fije-fije bari, bahet mullari”, “Dalëngadalë bie shiu, pikë-pikë bëhet këneta”, “Lugë-lugë shpiket një kupë”; të mos ngutemi, të mos bëhemi të padurueshëm: “Mos ban si zorra në prush!”. Vlerësimi i durimit në urtësinë popullore shkon deri atje sa duruesin ta quaj të lumtur: “Lum kush ka sabër!”.
Në rrethanat e disfavorshme që ka kaluar gjatë gjithë historisë së tij, shqiptarit i është kalitur vullneti, sidomos një nga tiparet më të qenësishme të tij, qëndresa. Përmes fjalës së tij të urtë, populli ka vlerësuar lart këtë tipar karakteri: “Shqiptari çalë-çalë shkoi deri në Bagdat”, “Burri nuk shtrihet as për të vdekmi”; qëndresën e ka trajtuar si veçori dalluese të karakterit të njeriut: “Kalin e kallxon ngarkesa e njerinë e kallxon qindresa”; ka këshilluar që nëpërmjet qëndresës, njeriu të ruajë dinjitetin dhe personalitetin e tij: “Qindro shtyllë e mos u ban urë!”. Qëndresa ka qenë motivi i një poezie aq të bukur të atdhetarit të shquar idealist, Luigj Gurakuqit, në të cilën përshëndrit një apoteozë e qëndresës dhe e durimit, dhe një apel për t’i bërë tonat ato veti, në përkushtim të një ideali të lartë:
“Veç nji qellim i naltë t’ban me durue,
E zemrën t’a forcon:
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue
Mjer’ ai që nuk qindron!” 6).
E theksojmë se vetëm kur një ideal fisnik vë në lëvizje e fut në veprim njeriun, vetëm atëherë ai realizon synime të larta, sublime. Thjesht, për konkretizim të këtij fakti psikologjik, po bie këtu strofën e fundit të poezisë “Ultima verba” (“Fjalët e fundit”) të Viktor Hygoit, përkthyer nga Sotir Caci :
“Një mijë po të mbeten, do mbetem edhe vetë,
Edhe njëqind të bëhen, nuk tundem, jo, q’aty.
I dhjeti do të jem po qe se mbeten dhjetë:
E në mbetë veç një, – do të jem un’ay!” 7).
Një tjetër tipar vullneti i psikës së popullit tonë është guximi. Shqiptari nuk u trembet rreziqeve dhe vështirësive, është i guximshëm. Të huajve u ka bërë përshtypje kjo cilësi karakteri dhe e kanë shënuar në veprat e tyre. Douglas i ka quajtur shqiptarët “kurajozë proverbialë”. 8). Hobhouse ka shkruar: “kjo kurajë e patreguar ka qenë kurdoherë, dhe është edhe sot, pjesë e karakterit të tyre” (të shqiptarëve, A. Ç.). 9). Është bërë vërejtja që “Guximi tepër i theksuem dhe demoralizimi i shpejtë para rasave, qi e thejnë vullnesën, bajnë qi shqiptari të jetë, në përgjithësi, i vrullshëm në veprim, por jo gjithaq i qëndrueshëm.”
Fallmerayer e ka quajtur Shqipërinë vendin e vullnetit të fortë dhe të mendjes së shkurtër. 10). Shqiptari, siç e shpjegon Çabej, është “i mësuar më shumë të veprojë me rrëmbim sesa të rrijë e të mendojë”. 11). Kjo e tregon atë të padurueshëm, një tipar negativ i vullnetit. Gjithsesi, në përgjithësi, shqiptarin e dallon durimi.
Në mënyrë të veçantë, tiparet e vullnetit tek populli ynë duken në përpjekjet e luftat e tij për liri. Të shkrira me karakterin luftarak, që e ka karakterizuar gjithnjë shqiptarin, ato i kanë siguruar rezistencën dhe fitoret ndaj armikut. “Sa më shumë fatkeqësi që u bien mbi kokë, – pohon Spenceri për shqiptarët kryengritës, – aq më tepër ata shumëfishojnë dhe grumbullojnë forcat dhe, sa marrin veten, të gatshëm për luftë dhe hakmarrje, hidhen në kryengritje” 12).
Ja edhe dy vlerësime të vullnetit nga kolosi i nacionalizmit shqiptar, Mithat Frashëri: “Nuk dëshiroj lumturinë që na premton folozofia e Hindëve, Nirvana e mohimit, po atë kënaqësi, mbase më pak qiellore, po më të vërtetë, e cila rrjedh prej vullnetit tonë, e bërë prej përpjekjes sonë të çdoditëshme, prej durimit që dëftejmë në sforcimet për të bërë detyrën dhe në të ndjekurit e një qëllimi.”.
“I lumtur është ai që, në udhën e vështirë të jetës, ka një ideal dhe që arrin, me vullnet të pathyer e përpjekje të çdoditëshne, ta përmbushë atë, duke përballuar pengesat e kohës. I lumtur është ai që udhën e vuajtjes njerëzore di ta bëjë pak më të lehtë e më të ëmbël.” 13).
Për vullnetin e shqiptarit e tiparet e tij, për idealet frymëzuese, për vendosmërinë, për qëndresën, për durimin, për papërkulshmërinë, për këmbënguljen, për revoltën ndaj padrejtësisë, për zellin atdhetar, për sakrificën sublime, flet e do të flasë në jetë të jetëve qëndrimi heroik i të torturuarve në burgjet e kampet gjatë kohës së diktaturës.
Sepse :
“Atdheu është Atdhe, edhe atëherë kur të vret”, ka thënë Mitrush Kuteli.
Referenca
1). Shih tek “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1980.
f. 2189.
2). Benedeto Kroçe, “Estetika si shkencë e shprehjes dhe e gjuhësisë së përgjithshme”, përktheu nga origjinali Zef Zorba, “Apollonia”, f. 65-66.
3). Po aty, f. 68.
4). Proverbat e cituar janë përzgjedhur nga:
– “Fjalë të urta të popullit shqiptar”, Botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë, Përgatitur nga Jorgo Panajoti dhe Agron Xhagolli, Kombinati Poligrafik-Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1983.
– Norma Glason, Kolë Kamsi, Sami Frashëri, “Proverba nga e gjithë bota”, Përgatiti Pjetër Pepa, Shtëpia botuese UEGEN, Tiranë, 2000.
– “Banush I Lami, “Një bitinar i mërguar”, Shtypshkronja “Kotti”, Korçë, 2001.
– Ndonjë proverb është riprodhuar nga kujtesa.
5). Daniel Gjeçaj, “Parathanje” e veprës së Anton Harapit, “Andrra e Pretashit”, – Kontribut për kulturën shqiptare – , Romë, 1959, f. XXIII.
6). Luigj Gurakuqi , “Vepra të zgjedhura”, Mbledhë, redaktue, pajisë me shënime nga Mark Gurakuqi, N. SH. Botimeve “Naim Frshëri” Tiranë, 1961, f. 159.
7). Viktor Hygo, “Antologji poetike”, Në vargje shqip, nga Sotir Caci, N. SH. Botimeve “Naim Frshëri” Tiranë, 1959, f. 62.
8). Douglas, F. S. “An Esseay on Certan Points of Resemblance Betëeen the Ancient and Modern Greeks, Edition 2, London 1815, p. 190. Cituar sipas Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 73.
9). Hobhouse, J. C. A journey through Albania and other provinces oh Turkey in Europe and Asia, to Costantinople, during the years 1809 and 1810, London, 1813, p. 148. Cituar sipas Shpëtim Memës “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 73.
10). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, shtëpia botuese “MÇM”, Tiranë, 1994, f. 27
11). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 27.
12). Edmund Spencer, “Travels in European Turkey through Bosnia, Servia, Bulgaria, Macedonia, Thrace, Albania and Epirus, ëith a visit to Greece and Ionian Isles, vol. 2, Edition 2, London, 1853, f. 84, Cituar sipas Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 74.
13). Uran Butka, “Gjeniu i kombit”, “DRIER”, 2000, f. 296.
Idriz Lamaj: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”
Nga ANTON ÇEFA/
Hulumtimi rreth ngjarjeve të së kaluarës dhe ndriçimi i figurave që kanë luajtur njëfarë roli historik, i jetës dhe veprimtarisë së tyre është i domosdoshëm, qoftë për ndërtimin e godinës historike kombëtare mbi themele të sakta-një detyrim qytetërues ndaj së kaluarës, qoftë për t’u orientuar në shtigjet politike të së tashmes-një detyrim i dyfishtë ndaj së sotmes dhe së ardhmes, qoftë për vlerësimin e veprimtarisë së tyre-një detyrim ndaj përpjekjeve, mundimeve e sakrificave të tyre, një detyrim që duhet ta lajë heret a vonë një komb i qytetëruar. Këtij qëllimi i shërben libri i fundit i studjuesit Idriz Lamaj mbi figurën e Xhafer Devës: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, botuar në NY, kohët e fundit.
Le të kujtojmë gjithnjë thënien e famshme të filozofit amerikan, Santayanës: “Ata që nuk kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë”.
Duke qenë se për një kohë të gjatë historia jonë kombëtare, si në Shqipëri ashtu edhe në trojet e robëruara, ka qenë mohuar, shtrembëruar, përbaltur, mallkuar, për ne shqiptarët, dritësimi i fakteve, ngjarjeve, personaliteteve ka një rëndësi të dorës së parë.
Duke medituar për gjendjen e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, autori hulumton me zell e durim “si një vëzhgues i akullt i kohës” shkrimet dhe letrat e personaliteteve, që hodhën vallen e politikës shqiptare në mërgim dhe u jep dritë atyre mbi bazën e kujtimeve të veta në marrëdhënie me to, duke sendërtuar kështu një shërbesë me vlerë për një trajtim sa më objektiv të jetës dhe veprimtarisë së tyre.
Përveç njohjes e letërkëmbimit personal me Devën, përveç shkrimeve të botuara në shtypin e emigracionit, ku autori ka luajtur një rol aktiv, përveç letërkëmbimit për rreth 40 vjet të Devës me shokun e mikun e tij të ngushtë, dr. Rexhep Krasniqin, Lamaj, me përpjekjet këmbëngulëse që e karakterizojnë, siguroi edhe korrespondencën që dispononte familja e Devës dhe që ia kishte dorëzuar z. Qefali Hamdisë.
“Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i mirrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihej një periudhë prej mbi 30 vjetësh, 1945-1978”-shkruan autori dhe sqaron: “Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë-tetë gjuhë. Korrespondenca e tij është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht”.
Për trajtimin e kapitullit: “Marrëdhëniet e Xhafer Devës me Blokun Kombëtar Indipendent dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri dhe Kosovë”, autori u vu në lidhje me vëllezërit Kapidan Ndue Gjomarkaj dhe Nikollë Gjomarkaj, të cilët përveç vënies në dispozicion të lëndës së nevojshme, i ndihmuan në shqyrtimin e dokumenteve dhe në deshifrimin, transkribimin dhe përkthimin nga italishtja të materialeve të papublikuara deri më sot dhe që u botuan në këtë kapitull.
Libri fillon me një parathënie të shkurtër, mbas së cilës jepet një skicë e jetës dhe e veprimtarisë së Xhafer Devës në mërgim, së cilës i shtohen disa të dhëna edhe për jetën e mëparshme në kapitullin “Xhafer Deva në SHBA.”; vijon parashtrimi me hollësi i veprimtarisë së Xhafer Devës në bashkëpunim me Blokun Indipendent për organizimin e zbarkimit të parashutistëve në Shqipëri e Kosovë dhe përpjekjet e tij për krijimin e një qendre sekrete informative në Kosovë në shërbim të amerikanëve dhe riorganizimin e Lidhjes së Prizrenit në Amerikë, (gjë që u bë me inisiativën e Grupit Kosovar me banim në NY, në emër të të cilit vepronte dr. Rexhep Krasniqi, megjithëse ishte kryetar i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë), si një organizatë politike kosovare e pavarur në botën e lirë. Flitet për organizimin e kongreseve të saj, në vitet 1966 dhe 1971; për pjesëmarrjen e Devës, në vitin 1972, në mbledhjen e Madridit për koordinimin e veprimtarisë së partive politike shqiptare në megrim.
Duke u mbështetur në frymën tradicionale të Lidhjes së Parë historike të Prizrenit dhe Lidhjes së Dytë, Lidhja e Prizrenit në Mërgim pati për qëllim realizimin e bashkimit të popullatës shqiptare që jeton në trojet e veta nën robërinë jugosllave me Shqipërinë, mbi bazën e së drejtës së popujve për vetëvendosje.
Lidhja e Prizrenit në Mërgim, nën drejtimin e Xhafer Devës, u bë një organizatë e fuqishme që luajti një rol të rëndësishëm për të paraqitur gjendjen reale dhe kërkesat e drejta të popullsisë shqiptare të pushtuar nga Jugosllavia. Ajo krijoi disa degë në SHBA, dy degë në Kanada, degë në Bruksel, Paris, 3-4 degë në Gjermani, Stamboll dhe Australi.
Nëpërmjet korrespondencës së Devës, autori ka dhënë edhe disa skica portretesh për disa nga udhëheqësit dhe veprimtarët kryesorë të Lidhjes së Prizrenit në Mërgim: Kalosh Hamdia, Hysen Terpeza, Ismet Berisha, Shemsedin Vendresha, Gjon Shtufaj dhe Zef Nekaj..
Deva, gjithashtu, luajti deri në njëfarë mase rolin e një katalizatori në lëvizjen politike shqiptare në mërgim. Ai ishte për një veprimtari të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare, në përpjekje për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe çlirimit të trojeve të pushtuara nga Jugosllavia. Duke gëzuar një reputacion të tillë, ai u zgjodh për të drejtuar tubimin e Madridit.
Libri mbyllet me kapitullin : “Shkrime të Xhafer Devës”, ku janë botuar : “Sfondi i depërtimit të suksesshëm të Bashkimit Sovjetik në Lindjen e Mesme” (një analizë politike që Deva e lexoi në Akademinë Ushtarake Amerikane në Ëst Point, material që botohet për herë të pare); një relacion i gjatë që Deva ia dërgoi Ministrive të Jashtme Italiane e Amerikane, nga fundi i vitit 1953 (i pabotuar) dhe një Fjalim i Xhafer Devës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Blokut Kombëtar Indipendent.
Forcat politike në mërgim mbështetën Lidhjen e Prizrenit në Mërgim. Që në Kongresin e saj të Parë, në vitin 1966, në emër të “Vatrës”, z. Antoni Athanas-kryetar i atëhershëm i saj, u zotua se “do të ndiqte me besnikëri idealet e Lidhjes së Prizrenit në Mërgim për realizimin e Shqipërisë etnike”. Në letrën e falënderimit që Deva i dërgon z. Athanas, shkruan: “Pjësëmarrja Juaj në Kongresin e Parë të Lidhjes së Prizrenit ishte një nderim i veçantë për mua dhe një garanci e vazhdimit të idealeve të Vatrës ndaj realizimit të Shqipërisë etnike. Fjalimi i Juaj prekës dhe zotimi se, ‘do të mbështesni me vendosmëri të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës për bashkim me shtetin e lirë shqiptar’, jam i bindur se do të dëgjohen në Ëashington me respekt dhe seriozitet…”
Shtjellimin e lëndës, autori e përfundon me kërkesën për kthimin në atdhe të ështrave të Devës: “Është detyrë morale e kosovarëve, sot në Kosovën e lirë prej pushtuesit serb, ta kthejnë Xhafer Devën në Kosovë, sepse varri i tij në vendlindje do të ishte një piramidë kufiri, e cila do t’i bënte roje atdheut më shumë se një ushtar i mbërthyer në armë.”
Libri është shkruar me një ndjenjë të ngrohtë dashurie e nderimi për personalitetin e Devës e veprimtarinë e tij politike dhe, përveç vlerës historike, aty-këtu ka pjesë të bukura letrare. Nuk mungojnë as fotografitë. Botimi i tij u bë i mundur me sponsorizimin e një grupi shqiptaro-amerikanësh.
Në emër të vatranëve përgëzoj autorin, z. Idriz Lamaj, anëtar i këshillit të “Vatrës”, për botimin e këtij libri dhe botimet e tjera me vlerë dhe i uroj shëndet dhe suksese në veprimtarinë e tij të mëtejshme krijuese e botuese.( Autori ishte editor i Diellit nga viti 1994-2009 Dielli-Arkiv)
Qytetërimi i lashtë shqiptar
Nga Anton ÇEFA/
Është spekuluar dhe spekulohet edhe sot e kësaj dite me nocionin qytetërim, hapësira e gjerë e të cilit, duke u shtrirë në sfera nga më të ndryshmet të jetës lëndore e shpirtërore të njeriut, i ka krijuar mundësitë për një gjë të tillë.Siç dihet, ka një qytetërim teknologjik, me funksione praktike utilitare, që ka arritur në kulmet më të pamenduara të realizimeve të njerëzimit dhe që ecën përpara me një shpejtësi marramendëse, dhe një qytetërim tjetër-më të lartë, më të vyer, më njerëzor. Është ky qytetërimi shpirtëror, me funksione humane-artistike, i krijuar prej shumë popujve që në kohërat më të larta. Qytetërimi teknologjik ka siguruar një nivel të lartë jetese-në mënyrë të padiskutueshme-, por ai shpesh e ka dëmtuar njerëzimin, duke u përdorur në dëm të tij.
Kjo është arsyeja që e ka shtyrë George Bernard Shaw-n të shprehet (në esenë “Dreqi flet”): “Në artet e jetës, njeriu nuk ka shpikur asgjë, ndërsa në artet e vdekjes, ai e ka tejkaluar”.
Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërës të qytetërimit shpirtëror, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike, si fisnikëria e ndjenjave, urtia e mendimit, bukuria e sjelljes, vlerësimi i së bukurës, çmimi i së drejtës, maturia e burrërisë, masa e fjalës, toleranca në marrëdhënie me të tjerët dhe një virtytësi e lartë e konkretizuar tek nderi, elementi më spikatës e më themelor i siluetës shpirtërore të popullit tonë, besa, mikpritja dhe përbërës të tjerë rrallë të arritur në historinë shpirtërore të popujve dhe shumë më rrallë të tejkaluar.
Duke vlerësuar këto cilësi të karakterit dhe virtytet e larta morale të shqiptarit, Thomas Smart Hughes, ka shkruar: “ato cilësi i bëjnë nder natyrës njerëzore” (Travels in Sicily, Greece and Albania”, London 1820, v. 2, p. 344), dhe F. S. Douglas: “Shqiptarët i kanë të gjitha cilësitë që përgjithësisht përbëjnë embrionin e një kombi të madh” (An Essay on Certain Points of Resemblance between the Ancient and Modern Greeks”, London, 1813, p. 190).
Këtë botë të pasur shpirtërore, që përbën tharmin e shpirtit shqiptar, populli ynë e krijoi si një kanunësi të jetës, e zbatoi me një përkushtim të lartë dhe e ruajti si thesar për t’ua lënë trashëgim breznive.
Elemente të kësaj kanunësie, ai i veshi me rrobe juridike, duke i bërë impulsin organizativ themelor të jetës. Kështu ai krijoi të drejtën zakonore, nën emrin e princit Lekë Dukagjini, aq bukur të përmbledhur nga Gjeçovi.
Pikërisht ky kod ligjor, pasqyrë autentike e qytetërimit tonë të lashtë-që na rreshton në një vend të nderuar, krahas popujve që krijuan kodet e veta të jetës, u sulmua me qëllime denigruese në shërbim të synimeve të tyre shoviniste për të gllabëruar trojet tona, nga një zhgan “akademikësh” sllavë, të cilët shpejtuan t’i vënë etiketën e egërsisë e të barbarizmit, duke e quajtur primitiv e të përgjakshëm. Si kryeargument për këtë u suall ligjësia kanunore e gjakmarrjes, që ka qenë një përpjekje e hekurt për të vënë rregull e drejtësi në një shoqëri ku mungonte shteti dhe institucionet shtetërore të së drejtës dhe aspak një veçori e shpirtit tonë etnik.
Kanuni shqiptar i maleve, që është kanuni i jetës shpirtërore mbarëshqiptare, i ndërtuar mbi themele të drejta e të qëndrueshme dhe, para së gjithash, mbi barazinë dhe i përshkuar katërcipërisht nga një virtytësi e lartë tejet humane është një kundërdëftesë e egërsisë shpirtërore; përkundrazi ai dëshmon një fisnikëri të pashembullt, që rrallë e gjen në kanunet dokësore të popujve të tjerë.
Në Kodin ligjor të Stefan Dushanit, që është një kombinim i së drejtës zakonore serbe me ligjët bizantine, shkëlqen përgjakshëm, si në dritë të diellit, egërsia shpirtërore. Pikërisht, mbi bazën e këtij kodi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1949, iu nxorën sytë viktimave, kufomave iu prenë gjymtyrët dhe iu thyen kokat me çekiçë, u prenë me thika barqet e nënave për të nxjerrë ferishtet e palindura, u dogjën njerëz për së gjalli, u karbonizuan trupa njerëzish.
Ndërsa princi ynë Lekë, në kanunin e tij, ku zdrit tejdukshëm fisnikëria shpirtërore, jo vetëm që nuk i ka lejuar këto krime të përçudura, por përkundrazi ka ligjësuar nderimin ndaj kufomës, ndaj familjes dhe fisit të të vrarit; ai i ka vënë detyrë vrasësit të sjellë mbarë kufomën dhe t’i mbështesë armën tek koka për ta nderuar dhe për ta paraqitur më së bukuri, si dhe detyrime të tjera të kësaj natyre.
Studiuesi dhe përkthyesi në anglisht i Kanunit, shkencëtari i nderuar Leonard Fox, ka shkruar: “Kanuni është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, i cili mishëron një moralitet të pakompromis, të bazuar tek drejtësia, nderi dhe respekti për vetveten dhe për të tjerët”.
Shpirti artistik i popullit tone i derdhur ndër vargje, ka krijuar kryevepra letrare që zënë vende të merituara krahas krijimeve-në këto fusha- të popujve të tjerë. Mjafton të përmendim baladat e këngët legjendare, sidomos Eposin e Kreshnikëve, ku ndriçojnë si lapidar mbi ballin e kombit virtitësia e jetës shqiptare, dëshira për liri dhe vullneti për të mos iu nënshtruar të huajit. Eposi ynë renditet krahas Edave e Sagave të popujve skandinavë, Nibelungen të gjermanëve, Këngës së Rolandit të francezëve dhe Cidit spanjol.
Me të njëjtën bukuri shkëlqimore rrezaton proza popullore, në mënyrë të veçantë përralla- një dëshmi tjetër po aq e fuqishme e vlerave morale e estetike, që gjithashtu i siguron të drejtën popullit tonë për t’u rreshtuar me popullit indian, arab e kelt, popuj që kanë krijuar përrallat më të vjetra të njerëzimit.
E gjithë kjo pasuri shpirtërore është skalitur në gjuhën tonë, e cila na lartëson dhe na bën të krenohemi për lashtësinë, vendin e veçantë që zë në pemën indoevropiane, pasurinë, bukurinë dhe origjinalitetin e saj.
Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë shpirtërore. Nuk po flas për vallet, një manifestim dhe përqendrim (koncentrat) i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë; nuk po flas për kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike; nuk po flas për meloditë e bukura të fyellit e zumareve, lahutës e çiftelisë, etj. ; por po më vjen mbarë të bie si shembull këtu lojërat popullore, në dukje fare të papërfillshme. Ndërsa pushtuesit dhe fqinjët tonë romakë, që realizuan një kulturë të kultivuar të një niveli aq të lartë, dëfreheshin në arena gladiatorësh, duke parë njerëzit e kafshët të copëtonin njëri-tjetrin, populli ynë krijoi një ansambël të mahnitshëm lojërash, që mund të përcaktohen me një epitet fare të thjeshtë: njerëzore; por që dëshmon me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është e huaj, e panjohur.
Sado që kohëra të disfavorshme pushtimesh të huaja, duke përfshirë këtu edhe kohën e diktaturës komuniste, u përpoqën ta gërryejnë qytetërimin e lashtë shpirtëror të popullit tonë dhe e dëmtuan, ai nuk është shuar. Përkundrazi, në kohëra më të qeta, mbasi të futet Shqipëria në rrugën e një demokracie të shëndoshë dhe të kapërcejë maskaradat e politikës së ndytë katovice, që po luhet në vkurriz të popullit tonë, shpirti shqiptar do t’i kthehet vetvetes. Këtu qëndron shpresa, ndërsa siguria qëndron tek vitaliteti ynë etnik.(Arkiv, Editorial i Diellit, Tetor 2002)