• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Idriz Lamaj: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”

October 7, 2013 by dgreca

Nga ANTON  ÇEFA/

Hulumtimi rreth ngjarjeve të së kaluarës dhe ndriçimi i figurave që kanë luajtur njëfarë roli historik, i jetës dhe veprimtarisë së tyre është i domosdoshëm, qoftë për ndërtimin e godinës historike kombëtare mbi themele të sakta-një detyrim qytetërues ndaj së kaluarës, qoftë për t’u orientuar në shtigjet politike të së tashmes-një detyrim i dyfishtë ndaj së sotmes dhe së ardhmes, qoftë për vlerësimin e veprimtarisë së tyre-një detyrim ndaj përpjekjeve, mundimeve e sakrificave të tyre, një detyrim që duhet ta lajë heret a vonë një komb i qytetëruar. Këtij qëllimi i shërben libri i fundit i studjuesit Idriz Lamaj mbi figurën e Xhafer Devës: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, botuar në NY, kohët e fundit.

Le të kujtojmë gjithnjë thënien e famshme të filozofit amerikan, Santayanës: “Ata që nuk kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë”.

            Duke qenë se për një kohë të gjatë historia jonë kombëtare, si në Shqipëri ashtu  edhe në trojet e robëruara, ka qenë mohuar, shtrembëruar, përbaltur, mallkuar, për ne shqiptarët, dritësimi i fakteve, ngjarjeve, personaliteteve ka një rëndësi të dorës së  parë.

            Duke medituar për gjendjen e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, autori hulumton me zell e durim “si një vëzhgues i akullt i kohës” shkrimet dhe letrat e personaliteteve, që hodhën vallen e politikës shqiptare në mërgim dhe u jep dritë atyre mbi bazën  e  kujtimeve të veta në marrëdhënie me to, duke sendërtuar kështu një shërbesë me vlerë për një trajtim sa më objektiv të jetës dhe veprimtarisë së tyre.

            Përveç njohjes e letërkëmbimit personal me Devën, përveç shkrimeve të botuara në shtypin e emigracionit, ku autori ka luajtur një rol aktiv, përveç letërkëmbimit për rreth 40 vjet të Devës me shokun e  mikun e tij të ngushtë, dr. Rexhep Krasniqin, Lamaj, me përpjekjet këmbëngulëse që e karakterizojnë,  siguroi  edhe korrespondencën që dispononte familja e Devës dhe që ia kishte dorëzuar z. Qefali Hamdisë.

            “Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i mirrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihej një periudhë prej mbi 30 vjetësh, 1945-1978”-shkruan autori dhe sqaron: “Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë-tetë gjuhë. Korrespondenca e tij  është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht”.

            Për trajtimin e kapitullit: “Marrëdhëniet e Xhafer Devës me Blokun Kombëtar Indipendent dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri dhe Kosovë”, autori u vu në lidhje me vëllezërit Kapidan Ndue Gjomarkaj dhe Nikollë Gjomarkaj, të cilët përveç vënies në dispozicion të lëndës së nevojshme, i ndihmuan në shqyrtimin e dokumenteve dhe në deshifrimin, transkribimin dhe përkthimin nga italishtja të materialeve të papublikuara deri më sot dhe që u botuan në këtë kapitull.

            Libri fillon me një parathënie të shkurtër, mbas së cilës jepet një skicë  e jetës dhe e veprimtarisë së Xhafer Devës në mërgim, së cilës i shtohen disa të dhëna edhe për jetën e mëparshme në kapitullin “Xhafer Deva në SHBA.”; vijon parashtrimi me hollësi i veprimtarisë së Xhafer Devës në bashkëpunim me Blokun Indipendent për organizimin e zbarkimit të parashutistëve në Shqipëri e Kosovë dhe përpjekjet e tij për krijimin e një qendre sekrete informative në Kosovë në shërbim të amerikanëve dhe riorganizimin e Lidhjes së Prizrenit në Amerikë, (gjë që u bë me inisiativën e Grupit Kosovar me banim në NY, në emër të të cilit vepronte dr. Rexhep Krasniqi, megjithëse ishte kryetar i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë), si një organizatë politike kosovare e pavarur në botën e lirë. Flitet për organizimin e kongreseve të saj, në vitet 1966 dhe 1971; për pjesëmarrjen e Devës, në vitin 1972, në mbledhjen e Madridit për koordinimin e veprimtarisë së partive politike shqiptare në megrim.

            Duke u mbështetur në frymën tradicionale të Lidhjes së Parë historike të Prizrenit dhe Lidhjes së Dytë, Lidhja e Prizrenit në Mërgim pati për qëllim realizimin e bashkimit të popullatës shqiptare që jeton në trojet e veta nën robërinë jugosllave me Shqipërinë, mbi bazën e së drejtës së popujve për vetëvendosje.

            Lidhja e Prizrenit në Mërgim, nën drejtimin e Xhafer Devës, u bë një organizatë e fuqishme që luajti një rol të rëndësishëm për të paraqitur gjendjen reale dhe kërkesat e drejta të popullsisë shqiptare të pushtuar nga Jugosllavia. Ajo krijoi disa degë në SHBA, dy degë në Kanada, degë në Bruksel, Paris, 3-4 degë në Gjermani, Stamboll dhe Australi.

            Nëpërmjet korrespondencës së Devës, autori ka dhënë edhe disa skica portretesh për disa nga udhëheqësit dhe veprimtarët kryesorë të Lidhjes së Prizrenit në Mërgim: Kalosh Hamdia, Hysen Terpeza, Ismet Berisha, Shemsedin Vendresha, Gjon Shtufaj dhe Zef Nekaj..

Deva, gjithashtu, luajti deri në njëfarë mase rolin e një katalizatori në lëvizjen politike shqiptare në mërgim. Ai ishte për një veprimtari të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare, në përpjekje për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe çlirimit të trojeve të pushtuara nga Jugosllavia. Duke gëzuar një reputacion të tillë, ai u zgjodh për të drejtuar tubimin e Madridit.

            Libri mbyllet me kapitullin : “Shkrime të Xhafer Devës”, ku janë botuar : “Sfondi i depërtimit të suksesshëm të Bashkimit Sovjetik në Lindjen e Mesme” (një analizë politike që Deva e lexoi në Akademinë Ushtarake Amerikane në Ëst Point, material që botohet për herë të pare); një relacion i gjatë që Deva ia dërgoi Ministrive të Jashtme Italiane e Amerikane, nga fundi i vitit 1953 (i pabotuar) dhe një Fjalim i Xhafer Devës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Blokut Kombëtar Indipendent.

            Forcat politike në mërgim mbështetën Lidhjen e Prizrenit në Mërgim. Që në Kongresin e saj të Parë, në vitin 1966, në emër të “Vatrës”, z. Antoni Athanas-kryetar i atëhershëm i saj, u zotua  se “do të ndiqte me besnikëri idealet e Lidhjes së Prizrenit në Mërgim për realizimin e Shqipërisë etnike”. Në letrën e falënderimit që Deva i dërgon z. Athanas, shkruan: “Pjësëmarrja Juaj në Kongresin e Parë të Lidhjes së Prizrenit ishte një nderim i veçantë për mua dhe një garanci e vazhdimit të idealeve të Vatrës ndaj realizimit të Shqipërisë etnike. Fjalimi i Juaj prekës dhe zotimi se, ‘do të mbështesni me vendosmëri të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës për bashkim me shtetin e lirë shqiptar’, jam i bindur se do të dëgjohen në Ëashington me respekt dhe seriozitet…”

            Shtjellimin e lëndës, autori e përfundon me kërkesën për kthimin në atdhe të ështrave të Devës: “Është detyrë morale e kosovarëve, sot në Kosovën e lirë prej pushtuesit serb, ta kthejnë Xhafer Devën në Kosovë, sepse varri i tij në vendlindje do të ishte një piramidë kufiri, e cila do t’i bënte roje atdheut më shumë se një ushtar i mbërthyer në armë.”

            Libri është shkruar me një ndjenjë të ngrohtë dashurie e nderimi për personalitetin e Devës e veprimtarinë e tij politike dhe, përveç vlerës historike, aty-këtu ka pjesë të bukura letrare. Nuk mungojnë as fotografitë. Botimi i tij u bë i mundur me sponsorizimin e një grupi shqiptaro-amerikanësh.

Në emër të vatranëve përgëzoj autorin, z. Idriz Lamaj, anëtar i këshillit të “Vatrës”, për botimin e këtij libri dhe botimet e tjera me vlerë dhe i uroj shëndet dhe suksese në veprimtarinë e tij të mëtejshme krijuese e botuese.( Autori ishte editor i Diellit nga viti 1994-2009 Dielli-Arkiv)

 

 

Filed Under: Analiza, Kulture Tagged With: Anton Cefa, Idriz Lamaj, Xhaferr Deva

Vokacioni atdhetar e kontradiktat e Nolit (2)

August 5, 2013 by dgreca

(vijon nga numri i kaluar)/

Nga Anton Çefa/

Kontradikta më e thellë dhe më flagrante në dukje lidhet me qëndrimin e Nolit lidhur me përdorimin e dhunës në zgjidhjen e problemeve të mprehta shoqërore e politike. Ky ka qenë tundimi demoniak i shpirtit të tij gjithmonë të shqetësuar, ankthi që e ka ndjekur dhe e ka munduar e stërmunduar tërë jetën dhe që ai nuk ka mundur ta mposhtë plotësisht, por nuk i është nënshtruar.

Sa ka qenë i fuqishëm e i kthjellët vokacioni i tij atdhetar, sa ka qenë e gjerë, energjike dhe e vrullshme veprimtaria e tij në shërbim të këtij vokacioni, po aq ka qenë shqetësuese çështja e qëndrimit ndaj dhunës në llogoret e luftës për zhdukjen e mbeturinave të sundimit turk në strukturën shpirtërore, shoqërore, ekonomike e politike të popullit tonë, në vijën e frontit luftarak për ndërtimin e një shteti shqiptar sipas modelit perëndimor.

Ky problem e ka munduar Nolin që heret. Duket se në nënvetëdijen e tij, ai e parandjeu këtë ankth dhe prandej u përpoq të çlirohet prej tij, duke e derdhur në tragjedinë “Izraelitë e filistinë”-vepra e tij e parë, botuar në vitin 1907.

Në periudhën e rinisë, kur bëhej fjalë për çlirimin kombëtar nga sundimi turk, si gjithë rilindasit, Noli, pa asnjë mëdyshje, bënte thirrje për luftë të armatosur. Më vonë, kur shtrohej çështja e shkëputjes së Shqipërisë nga sfera lindore-aziatike dhe kur luftohej kundër tendencave diktatoriale që u vërejtën në jetën politike, në përpjekje për ndërtimin e një shteti demokratik, Noli është treguar i lëkundshëm ndaj përdorimit të dhunës-problem që më përtej, lidhet me qëndrimin ndaj marksizmit dhe bolshevizmit. Afrinë mes dhunës dhe bolshevizmit u përpoqën ta shfrytëzonin armiqtë e tij politikë për ta akuzuar si bolshevik.

Në periudhën e viteve të stuhishme e të lavdishme 1920-1924 dhe në të gjithë veprimtarinë e tij politike të këtyre viteve, Noli luftoi për një Shqipëri moderne, të qytetëruar e demokratike. Sigurisht që ai kishte parasysh modelet e demokracive amerikane e evropiane.

            Në parlament Noli e paraqiste veten si përfaqësues i katundarëve e punëtorëve. Në një nga seancat e parlamentit, me iluzionin e demokracisë amerikane në imagjinatë, ai pati shpallur: “Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin”, duke bërë të vetat fjalët e Linkolnit. Besoj se asnjë mendje sado naive dhe e çoroditur qoftë nuk mund ta padisë Linkolnin për bolshevik.

            Në synimet e tij për ndërtimin e një shoqërie dhe të një shteti demokratik sipas modelit perëndimor, Noli u ndesh me elementin konservator, që përpiqej ta mbante Shqipërinë të lidhur me format e vjetra të sundimit, të shpirtësuara nga fryma e mykut oriental. Luftën kundër tij, ai shumë shpesh e veshi me terma tejet radikale revolucionare, gjë që i shërbei kundërshtarëve politikë për ta akuzuar si bolshevik. Nuk është se ai e pati harruar se “të mirat dhe të këqiat në atdheun tonë nuk ishin kurrë të ndara në klasa; sepse shqiptarët më të mirë kanë qenë kurdoherë aq nga klasa e pasur, nga klasa e ashtuquajtur bejlerë e agallarë, sa edhe nga klasa e t’ashtuquajturëve harbutë” 1), terma aq të pëlqyeshme në fjalorin nolian.

            Në fjalimin e tij të famshëm për “Pesë anarkitë”, mbajtur në parlament, në vitin 1924, qe shprehur: “Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive… Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë borgjezie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu është më bujk se bujku. Kini një shëmbull të bukur në partinë popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhaqet më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.”.

            Kuptimplotë është fakti që në veprimtarinë e tij politike, Noli nuk u tregua armik i bejlerëve si “klasë”, por vetëm i bejlerëve konservatorë, ashtu siç luftoi edhe kundër intelektualëve konservatorë; ndërsa ai pati miq e bashkëpunëtorë bejlerë liberalë. Sa për ilustrim, po përmendim këtu se ai qe mik dhe bashkëpunoi me Ali Bej Klisurën, Mehmet Bej Konicën, Hasan Beg Prishtinën, Bajram Beg Currin, etj. Po miqësia e tij me Faik Beun? Sa qe Faiku kundërshtar i Zogut, patën një miqësi të ngushtë me njëri-tjetrin, por kur Faiku i doli në krah Zogut, filluan polemikat e ashpra, akuzat, fyerjet, siç i kanë pasur zakon të dy, dhe megjithatë, miqësinë e mbajtën tërë jetën. Kur shkoi në Shqipëri si deputet i “Vatrës”, në vitin 1920, Noli lidhi miqësi edhe me Ahmet Beg Zogollin, por kjo miqësi u prish shpejt, për shkak të vizionit dhe programit politik të tyre të ndryshëm.

Ndër shumë kërkesa të Nolit, të shtruara në parlament, po veçoj dy nga më rëndësoret: zbatimin e reformës agrare dhe dhënien e të drejtës së votës grave, dy kërkesa më se të nevojshme në funksion të çlirimit shoqëror dhe ekonomik të popullit tonë. Ky qe në vijat më të përgjithshme “yryshi” i tij “bolshevik” kundër “feudalizmit”!

Megjithëse në fjalimin e tij mbi varrin e Avni Rustemit, ai dha “kushtrimin luftarak” për të marshuar drejt Tiranës për realizimin e idealit të tij atdhetar e politik të krijimit të një republike demokratike-duke shkuar edhe në kundërshtim me këshillën e Gurakuqit për mospërdorimin e dhunës-qeverisja e tij në periudhën qershor-dhjetor 1924 dëshmoi se Noli nuk paskësh qenë për dhunën. Siç ka thënë Tajar Zavalani “ai që kishte hudhë parrullën e revolucionit mbi varrin e Avni Rustemit, u tregua më pak revolucionar se të gjithë. 2). Dhe, siç dihet prej të gjithëve, kur forcat e Zogut rrethuan Tiranën, në dhjetor të vitit 1924, dhe ministri i luftës, Kasem Qafëzezi, shkoi ta pyeste Nolin se si duhej të vepronte, këtij iu desh të priste tek dera e zyrës afër dy orë, sepse kryeministri po i binte fyellit!

            Edhe po t’i mbledhim së bashku të gjitha gabimet e Nolit lidhur me problemin që po trajtojmë, qoftë fjalimin në Gjenevë, ku demokracinë e quajti një mashtrim hipokrit të popujve, parlamentin një murtajë, zgjedhjet e lira një komedi, etj., qoftë marrëdhëniet me sovjetikët (ardhjen e misionit diplomatik dhe njohjen e B. S.), qoftë disa mendime të tijat të shprehura në ndonjë introduktë lerare a në poezi, nuk na japin argumente për ta paditur atë si bolshevik

Në fushën e organizimit politik, mbas dështimit të të ashtuquajturit Revolucion Demokratiko-Borgjez të Qërshorit 3), Noli vepron në krahun e revolucionarëve. Në vitin 1925, ai është në krye të KONARE-s, organizëm politik i mërgimtarëve demokratë revolucionarë shqiptarë dhe më vonë, më 1927, ai është kryetar i Komitetit të Çlirimit Nacional, ku bënin pjesë edhe komunistët shqiptarë, të cilët nëpërmjet Federatës Komuniste Ballkanike lidheshin me Kominternin.

            Më 1927, Noli viziton Moskën, si anëtar i delegacionit të popujve të Ballkanit për të marrë pjesë në Kongresin e Miqve të Bashkimit Sovjetik, me rastin e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Në dy shkrime të botuara në Pravda ai shfaqi “simpatinë e tij për shtetin socialist”, “për sukseset e tij të mëdha”, “për politikën paqedashëse” dhe “besimin për një të ardhme më të mirë” të popujve sovjetikë. 4). Simpatia dhe besimi për një të ardhme më të mirë nuk mund të etiketohen me bolshevizëm.

Kultivimi në ndërgjegjën noliane i simpatisë për B. S., lindur dhe ushqyer nga shpresa se shteti i parë socialist në botë, “shteti i punëtorëve e i fshatarëve” do të ndihmonte për çlirimin politik e shoqëror, begatinë e paqen e popujve të vegjël, argumentohej edhe me faktin se Rusia Sovjetike pati publikuar Traktatin e Fshehtë të Londrës për copëtimin e atdheut tonë.

Duke folur për afrimin me sovjetikët, në kohën kur Lidhja e Kombeve dhe Shtetet Perëndimore nuk i dhanë ndihmën financiare aq të nevojshme për Shqipërinë, Robert C. Austin thekson: “Ky hap, të cilin Noli e ndërmori në mënyrë të njëanshme, ishte projektuar më shumë si një përpjekje e fundit për të tërhequr vëmendjen e Perëndimit sesa për të lejuar depërtimin e lirë të sovjetikëve në vend.” 5).

Si njeri i dimensioneve evropiane e botërore, Noli u përfshi në lajthitjen e shumë personaliteteve të mëdha të kohës, që e menduan shpëtimin, d. m. th. çlirimin politik e shoqëror të njerëzimit, në rrugën e sovjetëve.

Gjatë gjithë shekullit XX, duke lënë mbanesh gjysën e dytë të shek. XIX, (kujto, p. sh., Federatën Social Demokrate që pati krijuar më 1881 poeti anglez William Morris, simpatizues i zellshëm i marksizmit dhe, më 1884, Shoqërinë Fabiane, ku bënte pjesë ndër personalitete të njohura intelektuale edhe miku e vlerësuesi i Nolit, George Bernard Shaw), në Evropën Perëndimore ekzistonin grupe intelektualësh që jo vetëm simpatizonin komunizmin, por qenë futur në radhët e partive komuniste, parti të cilat, mbas triumfit të Revolucionit të Tetorit, vepronin nën diktatin e Internacionales Komuniste. 6).

            I gjithë krahu i majtë i intelektualëve evroperëndimorë, në vitet 20-30 të shekullit të kaluar, u nda mes atyre që përkrahnin socializmin dhe atyre që përkrahnin komunizmin dhe, kuptohet, debatet mes këtyre dy grupeve ndikuan mbi jetën politike të Evropës deri në vitet ’80, vitet që sollën përmbysjen e komunizmit.

            Sidomos gjatë viteve ’30, për shumë intelektualë jo vetëm të përmasave kombëtare, por edhe të atyre evropiane e botërore, në radhët e të cilëve futej Noli, komunizmi shihej si rrugë e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave njerëzore.

            Shumë intelektualë vizituan gjatë kësaj periudhe Bashkimin Sovjetik dhe vlerësuan arritjet e tij. Një pjesë e tyre nuk dinin gjë për terrorin stalinist; disa-edhe kjo duhet thënë-mbyllën sytë para tragjedisë sovjetike, duke besuar se qëllimet humane, çlirimi i popujve, e ardhmja e njerëzimit mund të arrihen përmes metodave johumane; pa lënë jashtë edhe ata që mbrojtën haptas terrorin stalinist. 7).

A nuk qenë komunistë nobelistët e lëtërsisë Romeo Roland, Pablo Neruda, Gabriel Garcia Marques (babai i realizmit magjik dhe i dashuruari pas Fidel Kastros), a nuk qenë komunistë personalitetet e shquara të letrave: Frederico Garcia Lorca, Henry Barbys, Louis Aragon, Paul Ives Nizan, Andre Malraux, Paul Eduard, Martin Andersen Nekse, e sa e sa të tjerë? Sa mashtruese aq edhe mikluese qe ëndrra e komunizmit për një shoqëri të lirë, ku të mbretëronte barazia e të mos njihej shtypja e shfrytëzimi.

Gjatë viteve 20-30, komunizmi qe bërë për shumë personalitete evropiane si një besim i dytë. Natyrisht, nuk vonoi që ky besim të digjej në flakët e ferrit të kuq. Mbas proceseve gjyqësore të mesit të viteve 30, që nuk patën të mbaruar, mbas Luftës Civile në Spanjë (1936-39), mbas Paktit Sovjeto-Gjerman (1939), mbas invadimit të Hungarisë dhe atij të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, zhgënjimi qe i plotë.

Jashtëzakonisht qartë është paraqitur ky zhgënjim nga një grup intelektualësh ish-komunistë mbas Luftës së Dytë Botërore, në librin “Zoti që dështoi” (1949), një përmbledhje esesh botuar nga Ed. R. Crossman. Shumë e shumë vepra u bënë pasqyrë e këtij zhgënjimi. Romancieri dhe eseisti hungarez Arthur Koestler e ka pasqyruar atë në disa vepra të tijat, por sidomos në romanin “Errësirë në mesditë” (1941), subjekti i të cilit janë proceset gjyqësore të viteve ’30 të shek. XX në B. S.

            Ndoshta më i njohuri nga ata që e diskredituan qe George Orwell, i cili pati qenë simpatizant i flaktë i komunizmit dhe diskreditoi sidomos tendencat totalitariste si kërcënim të vlerave humane, në romanet “Ferma e kafshëve” (1945) dhe“1984”(botuar më 1949).

Edhe filozofit të madh francez Jean-Paul Sartre, babai i ekzistencializmit, i cili për një kohë të gjatë pati besuar tek Bashkimi Sovjetik, “Revolucioni Hungarez” ia pati ftohur zjarrin e besimit e të dashurisë për sovjetët.

            Megjithëkëtë, zhgënjimi i madh i intelektualëve evropianë ndaj B. S.dhe Stalinit nuk duhet interpretuar edhe si zhgënjim ndaj marksizmit, sepse personalitete të mëdha të politikës, po edhe të filozofisë dhe të artit, vazhduan të mendojnë për një komunizëm të ndryshëm nga modeli sovjetik. Sa për ilustrim, po përmendim këtu vetëm filozofin amerikan Herbert Marcuse, (1898-1979), i cili nëpërmjet të një gërshetimi të frojdizmit me marksizmin predikoi revolucionin e dhunshëm, si shkallën e parë për të shkuar drejt një shoqërie më të pasur dhe më humane. Në vitet 60 të shek. që kaloi, ai qe bërë figura kryesore e së “Majtës së Re” në SHBA. 8).

Të kthehemi tek Noli. Mbas dështimit të tij politik, humanizmi dhe vokacioni i fortë atdhetar iu bënë më të thekshëm dhe dhimbja për atdheun iu bë edhe më e madhe-duke e menduar veten shkaktar të asaj që pësoi jo vetëm ai por edhe atdheu. Duket sikur iu konsumuan lëkundjet dhe u bind se “dhuna revolucionare e masave është alternativa e vetme e luftës ndaj dhunës kundërrevolucionare”.

            Në poezinë autobiografike “Krishti me kamçikun” që mendohet të jetë botuar më 1930, por që mund të jetë shkruar më parë, Noli qan hallin e atdheut që kishte rënë në dorë të batakçinjëve:

                        “Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë

                        janë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë,

                        tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë”

            Krishti, që nuk e duron dot këtë gjendje, merr kamxhikun: “Me kamçik e me fshikull sarafet i dboj,/ dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj.”; por shpejt pendohet dhe e hedh kamxhikun, (në kundërshtim me këshillën e Shen Pjetrit), sepse “lirin’ e sjell drita e mendjes, jo druri”. Dhe çfarë ndodhi atëherë? “Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë/ dhe e shempnë çlironjësin, fen’ e atdhenë”. Krishti pendohet që përdori dhunën, ndërgjegjja dhe besimi që predikon nuk ia lejojnë dhunën; megjithëse logjika e ngjarjeve është në favor të saj. I tillë mund të përvijohet qëndrimi i Nolit. Ai rropatej në vorbullën e tallazitur të kësaj kontradikte, por pa iu nënshtruar asaj. Sentenca latine “Thehem, por s’përkulem” është mishërimi i qëndrimit nolian në gjirin e kësaj kontradikte.

            Në këtë frymë, në shtratin e kësaj lëkundjeje, Noli, mbas dështimit politik, analizoi qëndrimin e tij ndaj dhunës, çka na bën të arrijmë në përfundimin që teorikisht ai e pranon dhunën, por praktikisht nuk mund ta vërë në jetë.

            Në këtë hulli mendore e shpirtërore, megjithëse lëkundjet vazhdojnë, ai arrin ta predikojë përdorimin e dhunës. Kjo është shkalla më e lartë e “bolshevizmit” të Nolit. E kësaj kohe është poezia “Anës së lumenjve”, ku shqiptohet thirrja për kryengritje. Po çfarë është konkretisht qenësia e kësaj thirrjeje kryengritëse në poezinë e mësipërme? Ajo është thjesht një thirrje drejtuar masave popullore për të luftuar kundër gjendjes së krijuar në Shqipëri, kundër republikës autoritare që u vendos menjëherë mbas dështimit të ngjarjeve të qërshorit dhe që në krye të tri viteve, nga një “kuvend” që votoi një zëri, u kthye në mbretëri të trashëguar, e cila solli me vete njëfarë stabilizimi shtetëror të një dore të fortë, por jo çlirimin shpirtëror e shoqëror, për të cilin kishte nevojë Shqipëria. Është pikërisht ajo kohë, kur si shpërblim për shërbimet e larta që i kanë bërë Atdheut, u përshëndetën me plumb tribunët e lavdishën popullorë si Gurakuqi, Bajram Curri, e të tjerë.

            Thirrja e poezisë “Anës së lumenjve”, e cila më së shumti e etiketoi Nolin si bolshevik, nuk ka asgjë të përbashkët me revolucionin bolshevik, që synon vendosjen e diktaturës se proletariatit, ndërtimin e pushtetit të sovjetëve dhe të gjitha shndërrimet e tjera të dhunshme që pasojnë këtë diktaturë. Logjika e shëndoshë asesi nuk mund të argumentojë te kjo thirrje bolshevizmin. Noli kategorikisht qe armik i betuar i çdo diktature. Ideali i tij politik ka qenë një regjim republikan, në kuptimin më të saktë të kësaj fjale. Si militant i lirisë së mendimit,-premisa kryesore e çlirimit shpirtëror të një shoqërie,- atij i përshtatet më së forti thënia e Thomas Jefferson-it, presidentit III të Shteteve të Bashkuara, autorit kryesor të Deklaratës së Indipendencës: “Unë jam betuar në altarin e Zotit për armiqësi të përjetshme kundër çdo forme tiranie mbi mendjen e njeriut.”

            Armiqtë politikë dhe intelektualët puthadorë të tyre e shfrytëzuan këtë thirrje për qëllimet e tyre. Peshkopit tonë të nderuar iu shtua nofka “I kuq”. Ai u akuzua si bolshevik. (Duhet ditur se të parët që e akuzuan Nolin për bolshevizëm kanë qenë grekët). Kjo kontradiktë ideologjike e Nolit, kontradikta mes vokacionit e misionit të tij fetar kristian dhe thirrjes “bolshevike” për dhunë mori ngjyra paradoksale. I krijuar nga propaganda me synime të caktuara, paradoksi nolian bëri një përshtypje të thellë, sepse së paku atyre kulmeve të ndërgjegjes humane botërore që përmendëm më lart nuk i peshonte kryqi mbi gjoks. Të vjen çudi, kur edhe sot e kësaj dite ndonjë intelektual e ndjen ende shijën e këtij “bolshevizmi” nolian.

Nga më të avancuarat dhe të diskutuarat ndër introduktat e Nolit, për problemin që po trajtojmë, është ajo e “Armikut të popullit” e Ibsenit. Pipa ka shkruar që pasazhe të kësaj introdukte “hedhin dritë edhe në ideologjinë revolucionare të Nolit, që pa frikë mund ta quash bolshevike” 9).

Në këtë introduktë, Noli ngrihet kundër institucioneve të shoqërisë borgjeze: ideologjisë (të cilën ai e quan “faqe me nder demokratike”), lirisë së fjalës, zgjedhjeve, parlamentit, fesë, shkollës, opinionit publik, shtypit.

Edhe sot e kësaj dite, kur demokracia ka ecur mjaft përpara, nuk mund të pranohet që institucionet demokratike janë të përkryera. Aq më tëpër në vitet 20-30 të shekullit që porsa e lëmë, të cilat sollën në sofrën botërore të ideologjisë e të politikës rrymat e fuqishme, të përgjakshme e të stërpërgjakshme të fashizmit, nazizmit e komunizmit.

Panariti lidhur me konceptin që kishte Noli për për lirinë e mendimit ka shkruar: “Pas theorisë Noliane, liria s’është e lirë asgjëkundi. Kudo kufizohet me mënyra të ndryshme. Diktatoritë t’a kufizojnë lirin’ e mejtimit me anë të burgut dhe të litarit, kurse shtetet Perëndimore t’a kufizojnë me anë të propagandës dhe të policisë sekrete, pregaditin dosje fiktive dhe në bazë të tyre, të vënë vulën e kuqe (nënvizimi im, A. Ç.), ose nonjë tjetër vulë që të të çkreditojnë përpara turmës ignorante. Po natyrisht në botën Perëndimore liri e mejtimit është tolerabile, kurse në botën diktatoriale të presin gjuhën” 10).

Të ngrihesh kundër institucioneve borgjeze është një çështje; çështja tjetër-më rëndësorja- është, në emër të kuj e bën këtë “kryengritje”, në emër të ndonjë teorie socialistësh evroperëndimorë, apo në emër të një revolucioni bolshevik, për t’i zëvendësuar ato institucione me diktaturën e proletariatit, d. m. th. për t’i mohuar?

Ja zgjidhja që i bën Noli, duke komentuar figurën e Doktor Stokmanit: “Kjo shoqëri duhet përmbysur me gjithsej se është e pamundur të ndreqet me ato baza që ka. Qysh? Nga njëra anë me luftë (dhe këtu nuk është fjala për luftë të armatosur revolucionare, por kryesisht për përpjekje reformative, qoftë edhe me force; shënimi im, A. Ç), nga ana tjetër me edukatë, duke rritur një brez të ri ploretarësh…”. Dhe këtu të shkon mendja menjëherë tek “Republika e Platonit” dhe jo tek marksizëm-leninizmi.

Nuk mund të mospërfillet ndonjë interpretim i Nolit në këtë introduktë, në të cilën ai “e kapërcen vetë domethënien e kësaj vepre, përtej kritikës që i bën dhe që mund t’i bënte Ibseni shoqërisë borgjeze” 11). Këtu, më shumë se kudo ndihet lajthitja e përbotshme ndaj komunizmit, (Noli e botoi “Armikun e popullit” në vitin 1926, ndërsa Ibseni në vitin 1890), por gjithsesi, edhe në këtë introduktë, “bolshevizmi” i Nolit mbetet ndër thonjëza.

Kritika e realizmit socialist, duke i peshuar dukuritë letrare në kandarin politik të partishmërisë, që ka qenë parim i parë më i rëndësishmi i kësaj metode, ka vënë në dukje “kufizimet” e Nolit në formimin e tij ideologjik, “stepjet ideologjike”, “shkarjet politike”(!), d. m. th. trajtimin e gabuar prej tij të bolshevizmit.

Vërëhen herë-herë në shtypin shqiptar dhe në median elektronike, shkrime të papërgjegjshme, plotësisht të papërgjegjshme, të ndonjë pene të çoroditur, ku figura e Nolit cilësohet në mënyrat më të çuditshme, shpesh poshtëruese. P. sh., në revistën “Klan” (v. 1999, nr. 4.), shkruhet për Nolin që ka qenë “spiun i austriakëve”, “ka vjedhur gjithë florinjtë e arkës së shtetit”, “ka vjedhur librat ‘Historia e Skendërbeut’ dhe ‘Bethoveni dhe Revolucioni Francez’ nga Konica, kur është pushtuar Shqipëria nga Italia, më 1939, ka thënë: “Sikur t’i bjerë zjarri Shqipërisë, unë do të bëj sehir dhe do të fërkoj duart si Neroni kur u dogj Roma” dhe shprehje të tjera që bëjnë me qeshë edhe gomarin. Në internet, gjatë këtij viti është shkruar:“Revolucioni i 1924-ës ka qenë revolucion terroristo-ortodokso-bolshevik” dhe Noli është cilësuar: “diktatori i parë ortodokso-komunist i historisë së Shqipërisë”!

            Po ndalem paksa, sado që nuk ia vlen, tek dy cilësimet e fundit, që kanë lidhje më këtë shkrim. Duke lënë mbanesh faktin që këtyre penave u mungon predispozicioni qytetar për të vlerësuar me objektivitet atdhetarët idealistë dhe njerëzit e shquar të kulturës sonë; këto lloj përcaktimesh e të tjera si këto, në kandarin shkencor–duke huajtur një shprehje noliane–janë “flluska e supërflluska sapuni”, ku në vend të vezullimeve logjike e historike, shkëlqejnë padituria, mllefi dhe helmi i qëllimeve të autorëve.

(Ndër kllapa: janë po ato pena që përpiqen të përmbysin atë çka më të shenjtë e më të vyer ka krijuar populli ynë dhe të nxjerrin në pah atë çka ai ka pasur më të ndyrë e më të neveritshme, ato pena që hedhin baltë mbi Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, për të na ngritur në vend të tij shëmtira pashallarësh, që i shërbyen me devotshmëri fanatike pushtuesit turk dhe iu kundërvunë egërsisht, me zjarr e me hekur, luftës çlirimtare të popullit tonë; janë po ato pena që ngrejnë piedestale për Haxhi Qamilat e Esat Toptanat. Cilido që të jetë qëllimi i tyre, ai është para së gjithash e mbi të gjitha antishqiptar.)

Pa pasur ndërmend t’u shpjegoj këtyre zotërinjve konceptet e revolucionit, terrorizmit, ortodoksizmit, diktaturës, etj., u kujtoj vetëm që hapësira e konceptit “bolshevizëm” është një hapësirë e përgjakshme dhune e krimi shumëdimensional. Ajo përfshin revolucionin e dhunshëm, vrasjen pas shpine dhe çdo mjet tjetër makiavelik, grabitjen e pasurive private, shtetizimin e ekonomisë, mohimin më të skajshëm të identitetit të njeriut, nëpërkëmbjen dhe poshtërimin deri në fund të dinjitetit të tij, mungesën e të gjitha lirive e të drejtave njerëzore, duke përdorur kontrollin më të egër dhe censurën më të reptë të mendimit të lirë, që ushtrohen nga e vetmja parti në pushtet dhe nga organizmat më brutale e më represive të policive sekrete dhe sa e sa përbërës të tjerë, nga më antinjerëzorët, që ka sajuar ndonjëherë mëndja satanike e njeriut.

Noli ka pasur gabimet e tij në politikë, gabime që dëmtuan vokacionin e fuqishëm atdhetar e qëllimet e tij të fisme dhe i bënë dëm ndonjëherë atdheut dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Ashtu siç simbolizoi “sinthezin e virtyteve të racës arbërore”, ashtu mishëroi edhe disa nga të metat e tharmit etnik iliro-shqiptar. Ai nuk doli dot nga ajo hise e shpirtit shqiptar, që përvijohet nga hakmarrja, urrejtja, inati, fyerja ndaj kundërshtarit, vështirësia në pranimin e gabimeve; por kjo hise shpirti është fare e zbehtë përballë shkëlqimit të madhështisë së personalitetit të tij.

Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimmeve botërore, të lashta e bashkëkohore, perëndimore e lindore, të cilat ai ia shtroi popullit tonë aq mjeshtërisht në sofrën e dijes; i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist, ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashëmbullt në energjinë e tij; ai u bë një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës së tij, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën, ai qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.

Noli qe një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kulturës sonë në kulturën evropiane e botërore. Në fushën e kulturës, ai qe i madh si shqiptar dhe po aq i madh si evropian.

Noli qe një Mojsi që u përpoq me të gjitha forcat për ta çuar popullin tonë në tokën e premtuar të demokracisë, por nuk ia arriti; por ai ia arrit ta drejtojë atë në tokën e premtuar të kulturës e të qytetërimit.

 

Referenca dhe shënime:

1). “Flamurtari i kombit”, NY. 1982, f. 66.

2). Tajar Zavalani, “Histori e Shqipnis”, 1998, f. 280.

3). Për ato që e kanë të qartë konceptin e revolucionit, nuk paraqitet nevoja të argumentohet që ngjarjet e qërshorit 1924 nuk mund të cilësohen si revolucion. Vetë “Luigj Gurakuqi, në një intervistë që dha në gazetën ‘Popolo d’Italia’ deklaroi se ngjarjet e qërshorit 1924 nuk ishin një revolucion i vërtetë, por një grusht shteti.” (Cituar nga Robert C. Austin: “Shtegu i pashkelur i Fan Nolit-Demokracia në Shqipëri në vitet 1920-1924”, f.84).

4). Akademia e Shkencave e PS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i lëtërsisë, “Noli Vepra 1”, Tiranë 1987, f .392.

5). Robert C. Austin, vepër e cituar, f. 197.

6). Donald Kagan, Steven Ozment, Frank M. Turner, “The Western Heritage”, Fourth Edition, Volume II, p. 868.

7). Po aty, f. 1135.

8). “The New Webster’s International Encyclopedia”, Naples, Fl., 1998, p. 676.

9). Revista “Fryma e Re”, Tiranë, 1993, nr. 1, f. 5.

10). Qerim Panariti, “Fan S. Noli, Albumi II”, Boston Mass. 1996, f. 112.

11). Akademia e Shkencave…, vepër e cituar, f. 39.

Filed Under: Kulture Tagged With: Anton Cefa, e Nolit, kontradiktat, pj 2, Vokacioni atdhetar

Vokacioni atdhetar dhe kontradiktat e Nolit (1)

August 3, 2013 by dgreca

Nga Anton Çefa/

            Eshtë folur shumë për kontradiktat e Nolit, aq sa është thënë që “që ekzistojnë shumë Nolër, në kundërshtim me njëri-tjetrin”1). Janë quajtur ato kundërthënie, inkoerenca, kontradikta dhe paradokse.

            Eshtë më se e vërtetë që Noli të jep mundësi e argumente që ta trajtosh atë kontradiktor në disa hulli. Në vorbullën e kontradiktave noliane, ato më ngacmueset janë dy: a ka qenë Peshkopi ynë i shquar besimtar a jobesimtar, për të mos thënë kundërshtar i besimit dhe, në zgjidhjen e problemeve të mëdha shoqërore e politike, a ka qenë për përdorimin e dhunës a kundra saj, a ka qene revolucionar a kundërrevolucionar.

Po jap mendimin tim, duke i peshuar kontradiktat në vokacionet e tij, të cilat gjithashtu kanë qenë të shumta, por duke u përpjekur të nxjerr në dukje ato më rëndësorët prej tyre. 

            Para së gjithash, duhet thënë se në pikëpamje psikologjike dhe filozofike, duhet pranuar që kontradikta subjektive është në shpirtin e njeriut, në mendjen, në zemrën, në jetën dhe në veprimtarinë e tij. Të lindura fillimisht nga dyshimi, me zgjerimin e përvojës jetësore dhe të kulturës, tek mendimtari a veprimtari, në përpjekjet e tij për t’ju afruar sa më shumë së vërtetës, në çdo plan teorik a praktik që kërkohet ajo, shfaqen kontradiktat.  Qenësia e kësaj dukurie është në përputhje me personalitetin e njeriut. Eshtë i njohur fenomeni që kontradiktat e personaliteteve të shquara marrin ngjyra paradoksale, siç është bërë zakon të thuhet, por edhe siç është shpesh e vërtetë. 

            Personalitetet e larta që tejkalojnë kufijt kombëtarë, siç qe Noli ynë, mishërojnë jo vetëm kontradiktat individuale apo ato të një bashkësie, qoftë kjo edhe një komb, por edhe kontradiktat e njerëzimit, sepse të tilla personalitete janë shprehje e ndërgjegjes së njerëzimit, pra edhe e kontradiktave që e ngërthejnë atë, ndërgjegje që përpiqet e lufton për t’i hedhë dritë së ardhmes.

            Njeriu gjatë gjithë jetës së tij, me rritjen e përvojës praktike jetësore dhe me zgjerimin e dimensioneve të kulturës, e përsos dhe e ndryshon mendimin e tij për probleme të rëndësishme, duke shkuar edhe tek kundërshtimi i mendimit të tij të mëparshëm. Gjë krejt normale. Në këtë rast nuk mund të bëjmë fjalë për kontradikta në kuptimin e vërtetë të fjalës, pa rënë në mohimin e zhvillimit të pandërprerë mendor e shpirtëror të njeriut. A nuk kemi sa e sa personalitete evropiane e botërore që në dekadat e para të shekullit të kaluar u lajthitën nga marksizmi e leninizmi dhe, më vonë, u bënë kundërshtarë të tij? Vetë Noli e ka shprehur një dukuri të tillë në introduktën e tij për Khajamin: “Eshtë e pabesueshme që Omar Khajami, armik i të gjitha despotizmave, të mos ketë ndryshuar aspak pikëpamjet e tij filosofike brenda në 55 vjet” 2).

            Si qëndron Noli mes fesë e ateizmit, a beson apo nuk beson, a është përkrahës i fesë apo kundërshtar i saj – kjo është kontradikta më tunduese për ato që përpiqen ta trajtojnë atë si ateist dhe kundërshtar të fesë.

            Megjithësë nuk është për t’u marrë në konsideratë trajtimi i njëanshëm, në një farë mënyrë tendencioz, që iu bë këtij problemi në periudhën e diktaturës, sepse aty mund të ketë indoktrinim, mungesë çiltërsie, më tepër se objektivitet e bindje shkencore; gjithsesi duhet thënë diçka. Namik Resuli në studimin e tij “Fan Noli sot” 3) ka polemizuar për këtë çështje me Koço Bihikun dhe Dhimitër Shuteriqin, lidhur me “antifetarizmin” e Nolit (në ndonjë poezi e shprehje të tijen), duke pranuar këtë dukuri–sado lëkundshëm – si inkoerencë të Nolit (mbështetur në një shprehje të nxjerrë nga një letër që Noli i ka dërguar Tashkos, më 1906: “Perëndisë që nuk i besoj, i ardhtë keq!” dhe e ka mbyllur këtë çështje, duke e lënë në kapërcyell, me citimin e Qerim Panaritit, biografit të parë të Nolit: “Si person, Noli gëzonte të gjitha të metat e njeriut plus të metat e tij si individual”, (d. m. th. si individ, shënimi im, A. Ç.). Mendoj se kjo shprehje dhe ndonjë tjetër që bie Qerim Panariti në librin e tij 4) mund të jenë rezultat i një momenti shpirtëror a rrethanash të veçanta dhe nuk duhen marrë për bazë për të nxjerrë përfundime rëndësore kategorike, që bien në kundërshtim me krejt jetën dhe veprimtarinë e Nolit.

Aleks Buda ka shkruar: “Me vullnet të lirë e me ndërgjegje, Noli zgjodhi rrugën e priftërisë. Nuk ishte as një thirrje e brendshme, as nevoja për të siguruar jetesën që e çoi në këtë rrugë. Ajo që në kushte normale do të ishte një maskeradë – veshja prift – për një njeri që në thelb…ishte një skeptik në pikëpamje fetare, qe në të vërtetë një akt vetëflijimi i një njeriu që pranoi të flijojë një jetë normale njerëzore dhe lirinë e vet personale e mendore për nevojat politike kombëtare, të luftës kundër veprimtarisë kombëtare të feve e kishave; qe ky një akt vetëmohimi tragjik sepse e detyroi të rrojë një jetë në dy rrafshe” 5). (Eshtë fjala, për rrafshin politik dhe atë fetar).

            Me pak fjalë kështu është trajtuar vendimi i Nolit për t’u bërë prift dhe misioni i tij fetar nga mendimi i shkencës shqiptare nën trysninë e diktaturës. Pra, Noli u bë prift pa pasë një thirrje të brendshme, sepse përkundrazi ai ishte “skeptik” në qëndrimin ndaj fesë; por u vetëflijua tragjikisht për “nevojat e politikës kombëtare”.

            Së pari, na duket një gjykim tepër i sipërfaqshëm mohimi i thirrjes së mbrendshme, vokacionit fetar, që e drejtoi Nolin në rrugën e priftërisë.

            Nga të gjitha vokacionet e Nolit, dy janë më të fuqishmet dhe më ndikueset në veprimtaritë e tij: ai fetar dhe ai atdhetar, vokacioni qiellor dhe një nga “tokësorët”.

            Shfaqja dhe jetëgjatësia e vokacioneve kanë kronologjinë e tyre në jetën e njeriut, gjë që del më në pah tek njerëzit e mëdhenj.  Pa u zgjatur në këtë çështje duhet të pranojmë se është vokacioni fetar, ndoshta për vetë natyrën e tij ekskluzivisht shpirtërore, që u shfaq tek Noli shumë heret, që në moshë të njomë, dhe që e shoqëroi atë, siç do ta themi më poshtë, tërë jetën. (Eshtë për t’u shënuar se në hullinë e religjionit, vokacioni është një thirrje e brendshme që Hyu i bën një shpirti për t’ju kushtuar i tëri Atij; ndërsa në vokacionet e tjera, “tokësoret”, motivacioni është krejtësisht në hullitë njerëzore dhe shfaqet tek aftësitë dhe talenti i njeriut.).

            Vetë Noli na tregon në “Autobiografinë” e tij se ai ishte i vetmi prej pjesëtarëve të familjes që e shoqëronte gjyshe Sumbën në agjërimet e saj; bile edhe ndër ato më të vështirat, siç ishte të qëndruarit, dy herë në vit, tri ditë rresht, pa ngrënë e pa pirë; megjithëse gjyshja, “përherë rropatej ta bindte që të mos agjëronte, sepse ishte shëndetlig” 6). Si mund të spjegohet ndryshe ky veprim fëminor, përveçse me një impuls të brendshëm shpirtëror?  Ky predispozicion shpirtëror i fuqishëm e shoqëroi Nolin tërë jetën. Dhe më vonë në një moshë të pjekur, duke iu nënshtruar këtij vokacioni hyjnor dhe duke synuar në sendërtimin e idealeve të tij të larta qiellore e tokësore, fetare e atdhetare, Noli nuk flijoi kurrëfarë lirie të vetëvetes; nuk bëri ndonjë vetëflijim, përkundrazi ai krijoi mundësinë që të pajtonte dy vokacionet e tij më të fuqishme, duke u vënë plotësisht në shërbim të tyre dhe për hir të këtyre vokacioneve ai solidarësoi bashkësinë shqiptare ortodokse të Amerikës, duke e shkëputur atë nga ndikimi, intrigat dhe politika antishqiptare e Patrikanës dhe themeloi Kishën Shqiptare, u mor me politikë, duke u bërë një luftëtar i fkaktë për ndërtimin e një shoqërie shqiptare sa më të çliruar shpirtërisht dhe lavëroi në tërë ato fusha të kulturës, artit, shkencës, aftësitë e tij të rralla.

            Eshtë tepër e çuditshme, flagrante të pranojmë se personaliteti i Nolit në tërë madhështinë e gjenialitetit të tij t’ia kishte nevojën maskave dhe maskaradave.

            Jeta dhe veprimtaria e Nolit nuk lënë në dyshim vokacionin dhe bindjen fetare të tijen. Noli e hapi dhe e mbylli jetën si besimtar i zellshëm. Në frymëzimin e tij shpirtëror, në prirjen dhe misionin jetësor dhe, jo e parëndësishme, në trashëgiminë instinktive dhe edukatën që mori që heret në familje, ai na dëshmohet katërcipërisht fetar. Fetar në ideal, fetar në bindje, fetar në veprim. Fetar në fëmijëri, fetar në rini, fetar në moshë të pjekur dhe në pleqëri; fetar në jetë, fetar në vdekje.

            Më shumë se çdo gjë dëshmon vepritaria e tij jetësore. Nën ndikimin e edukatës familjare, që në fëmijëri, ai mendonte të bëhej “kalorës i Skendërbeut” dhe “misionar i Krishtit”, dhe përpara marrjes së çdo vendimi ai pyeste veten: “Si do të kishte vepruar Krishti, në një rast të tillë?” Dhe përgjigjej: “Krishti do t’i besonte Zotit dhe do të shkonte përpara”. 7)

Gjatë gjithë jetës, ai jo vetëm ushtroi detyrën si prift, por kohën më të madhe ia kushtoi propagandës fetare. Që më 22 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, vetëm 14 ditë mbasi u dorëzua prift, celebroi Liturgjinë e Parë Hyjnore në gjuhën shqipe dhe po këtë vit botoi “Shërbesat e Javës së Madhe”, duke filluar me botimet e materialeve fetare, që vazhduan gjatë gjithë jetës. Me që lista e tyre është shumë e gjatë, po shënojmë këtu vetëm vitet e botimeve: 1908, 1909, 1913, 1914, 1916, 1936, 1941, 1948, 1949, 1950, 1952, 1954, 1955, 1956, 1957, 1961, 1962 dhe vetëm një vit para se të vdiste botoi Psalmet e përkthyera nga hebraishtja. Sqarojmë që në disa prej viteve të përmendura më lart, ai realizoi dy e më tepër botime. A mund të bëhëj e gjithë kjo punë e vëllimshme dhe e shtrirë në krejt hapësirën jetësore pa një predispozicion të fuqishëm shpirtëror dhe vetëm e diktuar nga nevojat e politikës kombëtare?

Noli ka shkruar: “Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha” 8); ndërsa përkthimin dhe kompilimin e Kremtores (Menoion) – një libër shërbese që përmban psalmet, odet dhe troparia të vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur “sodisfaksionin e tij më të madh” 9) dhe “veprën, në të cilën janë përqëndruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale” 10).

            Në tryezën e punës, ditën që vdiq, iu gjetën: një vëllim i vogël poezish franceze, disa fletë me përkthime nga ky vëllim, (dëshmi e gjallë e hapësirës kohore dhe fuqisë së vokacionit për artin poetik), si dhe një dorëshkrim, në të cilin qe shkruar kjo lutje drejtuar Zotit: “Kur ju të vini në tokë, Mbret i Qiejve, me pushtet dhe shkëlqim, e gjithë bota do të dridhet nga frika, lumenjtë e zjarrit do të rrjedhin para fronit të gjyqit tënd të tmerrshëm, librat do të hapen dy kapakësh, do të zbulohem mëkatet më të fshehta. Më kurse mua prej zjarrit të pashuar e të amshuar dhe më vendos në krahun e djathtë në Parajsë, Gjykatës i drejtë dhe mëshirëplotë!” 11). Sa larg skepticizmit fetar dhe sa kuptimplote për vokacionin fetar të Nolit është kjo lutje !

            I qenësishëm për t’u theksuar, lidhur me çështjen që po trajtojmë, është fakti që vokacioni fetar dhe ai atdhetar tek Noli ishin shumë të fuqishëm dhe kjo përmasë dyfishohej, kur ato viheshin në shërbim të njëri-tjetrit. Dhe ai i vuri mjeshtërisht jo vetëm në pajtim, por edhe në funksion të njëri-tjetrit. Dukuri e padiskutueshme e veprimtarisë së tij.

            Vokacioni i brendshëm fetar dhe ai atdhetar janë dy binarët kryesorë nga kalon lokomotiva që tërheq trenin me vagona të shumtë të veprimtarisë së tij: vagonin e përkthimeve letrare, poezisë, publicistikës, oratorisë, studimeve në fushën e historisë e të muzikës, krijimeve origjinale në fushën e muzikës, diplomacisë, politikës. Vokacioni fetar, fillimisht, dhe ai atdhetar janë më të hershmit në jetën dhe veprimtarinë e Nolit dhe e kanë shoqëruar atë tërë jetën; prandaj mund të na shërbejnë si çelës për të shpjeguar kontradiktat e tij. 12)

            Cili është më i fuqishmi nga këto dy impulse të shpirtit nolian? Duket se gjaku iliro-shqiptar i trashëguar prej të parëve është ai që përcakton çdo gjë më së miri në personalitetin e këtij shqiptari të madh me përmasa evropiane e botërore. Vokacioni atdhetar është pa dyshim në tharmin e psikologjisë së popullit tonë. Deri vonë i zhytur në elemente paganizmi – pavarësisht përqafimit të dy besimeve monoteiste – shqiptari e ka pasë më se të theksuar vetëdijen e përkatësisë së tij etnike, këtë vlagë të ngrohtë atdhetarizmi, si dhe ndjenjën dhe gjithë botën shpirtërore që lidhet me të. Nuk është i rastit, përkundrazi është shumë kuptimplotë konstatimi i Hobhaus-it, shokut e shoqëruesit të Byron-it në udhëtimet nëpër trevat evropiane të Perandorisë Turke, në dekadat e para të shek. XIX: “Kur banorët e provincave të tjera të Turqisë pyetën se çfarë janë, ata përgjigjen: ‘jemi muhamedanë’ ose ‘jemi të krishtërë’; ndërsa banori i këtij vendi (është fjala për trojet shqiptare, shënimi im, A. Ç.), përgjigjet: ‘unë jam shqiptar.”13). Dhe kjo ndodh në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të XIX, kur vetëdija kombëtare e popullit tonë ishte errësuar mjaft nga shkaku i zgjatjes së pushtimit osman dhe politikës së tij antishqiptare dhe kur vetëdija kombëtare e popujve fqinjë kishte kristalizuar platformën e tyre kombëtare. 14)

            Kështu, në vokacionet e tij më rëndësorë, Noli dëshmohet gjithsesi një shqiptar i vërtetë, me gjak, me mish, me kockë; ashtu siç e ka cilësuar Hasan Dosti: “Ky burrë simbolizon sinthezën e virtyteve të racës arbërore.” 15)

            Historia, kultura, etnopsikologjia dëshmojnë dashurinë e popullit tonë për atdheun. Që në fillimet e saj-duke mos lënë jashtë humanistët e mëdhenj, që shkruan në gjuhën latine, kultura shqiptare u frymëzua nga ndjenja e atdhetarizmit. Më së miri këtë e dëshmojnë më të vjetrit: Barleti, Beçikemi, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani; dhe mbas tyre rreshtohen të gjithë, pa dallime besimi a krahine. Dhe asnjërin prej tyre nuk e ka penguar rroba fetare të merret me politikë, shkencë, art, bile edhe të marrë pushkën për të luftuar për atdheun.

            Kleri katolik i Veriut krijoi si moto të veprimtarisë së tij binomin “Fe e Atdhe”. (Duhet theksuar këtu se nëse vokacioni dhe veprimtaria fetare e tij lidhej vetëm më një pjesë të vogël të popullit, siç është elementi katolik, veprimtaria atdhetare e tij kishte karakter mbarëkombëtar.)

            Një nga argumentet për ta paditur Nolin si antifetar ka shërbyer përkthimi prej tij i “Rubairave” të Omar Khajamit. Nëse kontradikta është më se e mprehtë, flagrante, në predikimin e fjalës së Krishtit, nga njëra anë, dhe të bolshevizmit, anti-Krishtit, nga ana tjetër, siç mund të thuhet për disa poezi dhe introdukta të tij; ndryshon puna në përkthimin e Rubairave, një fenomen në dukje kontradiktor dhe, më përtej, paradoksal.

            Në përkthimin e “Rubairave”, duhet të kemi parasysh disa fakte:

Së pari, vetë Khajami është thellësisht kontradiktor. Aq sa mund të trajtohet si afetar, po aq mund të trajtohet si fetar dhe si kundërshtar i fesë.

Së dyti, nëse për hir të lirisë së mendimit, kritikon dogmatizmin fetar, Khajami nuk është ateist. Ai beson në një Zot, pavarësisht se herë-herë kritikon edhe perenditë e feve semitike.

Së treti, mungesa e konsekuencës në idetë e Rubairave, nuk na lejon të përcaktojmë një vijë demarkacioni për një sistem të prerë filozofik të Khajamit. Vetë Noli e pohon këtë në introduktën e tij: “Çdo sistematizatë strikte e iderave që na çfaq Khajami është e kotë sa edhe e lajthitur”. Dhe më poshtë: “Khajami nuk është dishepull i një shkollë, po i të gjitha Shkollave gjer në një pikë” 16).

Së katërit, për hir të realizimit të një perle letrare, Khajami i ka lejuar vetes të predikojë edhe ide krejt kontradiktore. Ja si është shprehur Noli për këtë: “Të gjitha pikëpamjet makar kontradiktore janë të mira për Omar Khajamin në qoftë se i japin lëndën e nevojshme për një rubai artistike” 17). Kjo na dëshmon se vokacioni letrar tek Khajami ka qenë më i fuqishëm se ai filozofik; gjë që shihet, në ndonjë rast, edhe tek disa përkthime të Nolit, në kundërpeshimin mes vokacionit letrar dhe atij filozofik. Me të drejtë, studiuesi Vehbi Bala ka vërejtur një “afinitet shpirtëror të Nolit me krijimtarinë e Khajamit” 18).

Kështu, mund të rreshtohen edhe argumente të tjera për ta kundërshtuar – si bindje – antifetarizmin e Khajamit. Noli e përktheu Khajamin në vitin 1926, si një nga militantët më të mëdhenj botërorë të “Lirisë së Mejtimit”. Mendoj se përkthimet madhore të Nolit janë nisur jo vetëm nga vlerësimi letrar-artistik, por më tepër e më nga vokacioni i tij atdhetar. Ndryshon puna me përkthimin e disa poezive.

            Si mendimtar i madh, Noli kishte nevojë për hapësirë të gjerë e horizont të kthjelltë mendimi. Këtë e ndjente, e quente të nevojshme dhe e dëshironte edhe për popullin e tij, për atdheun e tij; prandaj ai përkthen krahas Ungjijve edhe Rubairat. E gjithë veprimtaria e Nolit buron nga militantizmi për lirinë e mendimit, ushqehet nga kultura e tij shumë e gjerë dhe ndizet e merr flakë nga pathosi qytetar, për t’i dhënë forcë e energji veprimi idealit të tij atdhetar. Noli kërkon t’i japë dritë një populli që porsa ka dalë nga errësira e thellë otomane e që sorollatet në një qorrsokak vështirësish për të krijuar shtetin e vet dhe çdo gjë tjetër, duke filluar qoftë edhe nga ripërtitja e identitetit. Dhe këtë dritë ai e sheh në vazhdën e rilindasve, tek përqafimi i kulturës, nëpërmjet lirisë së mendimit – një çlirim shpirtëror deri në skajet më periferikë të ndërgjegjes kombëtare.

            Të lexosh Khajamin është sikur të përballesh me një enciklopedi të tërë filozofike humaniste, të realizuar në një nga veprat më kulmore artistike të letërsisë botërore, sendërtuar gjithsesi me një thjeshtësi të skajshme. Thënë në mënyrë më se të thjeshtësuar, në morinë e motiveve, dy janë kolonat vertebrale, kryemotivet e Rubairave: gëzimi epikurean, hedonist i jetës –  “carpe diem” e romakëve – dhe qëndrimi stoik përballë vështirësive të saj. Polemika me fetë, kryesisht me dogmat e saj sillet rreth këtyre dy poleve, dy filozofive. Nuk ka këtu ndonjë kontradiktë, aq më pak alarmante, siç është interpretuar aty-këtu. As për Khajamin që i krijon rubaitë e as për Nolin që i përkthen. Sepse jeta i ka brenda saj të gjitha: edhe gëzimet edhe vështirësitë. Të parat duhen jetuar, të dytat duhen përballuar. Eshtë vetë jeta që i jep përparësi njerës ose tjetrës doktrinë filozofike, në rastet emergjente të saj, pa krijuar ndonjë kontradiktë, në kuptimin e plotë të fjalës. Në këtë hulli duhet interpretuar edhe militantizmi Khajam dhe Nolian për lirinë e mendimit.

            I rreshtuar me Khajamin, si një shqiptar i vërtetë që has shumë vështirësi në jetë dhe fare pak, gëzime dhe i ushqyer nga vokacionet e tij atdhetare e fetare, Noli i jep përparësi qëndrimit stoik në jetë. Kjo shihet në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij. Del qartë tek përkthimi i Rubairave dhe sidomos në komentin që i bën atyre. Noli bashkë me Khajamin, së bashku me stoikët, mendojnë që njeriu duhet të jetojë i mbështetur tek arsyeja, në harmoni të plotë me natyrën, me ligjët universale të saj. Dhe në këtë rrugë, virtyti është e vetmja gjë e mirë, e vetmja vlerë, vlera më pozitive e njerëzimit. Për të realizuar detyrën e tij, njeriu duhet ta gëzojë jetën, kënaqësitë që jep ajo, t’i përballojë vështirësitë, vuajtjet, duke u ngritur mbi pasojat e fatit dhe duke arritur lirinë shpirtërore në pajtim me logjikën hyjnore, që drejton gjithësinë, natyrën dhe njerëzimin gjithnjë nga e mira.(Dielli-Arkiv.Vijon)

Referencat dhe shënimet:

 

1).  “Flamurtar i kombit”, përmbledhje e një seminari studimesh, i organizuar nga “Vatra”, në vitin 1982, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nolit, dhe botuar nën editimin e Eduard Liços, në Boston, Mass.; artikulli “Kontradiktat e Nolit”(f. 63), artikull pa autor, por i shoqëruar me shënimin: “Përmbledhur nga një shkrim që pat dalë në revistën ‘Mbrojtja Kombëtare’, botuar në N. Y., në v. 1966.

2). “Rubairat e Omar Khajamit” I shqipëroj Rushit Bilbil Gramshi. Edicja e dytë e ndrequr dhe e plotësuar, Bruxelles, 1927, f. 13-14.

3). Namik Resuli “Fan Noli sot”, në “Flamurtari i Kombit”, f. 10-11.

4). “Albumi II i Hirësisë Tij Peshkop Fan S. Noli dhe biografi kronollogjike prej Qerim Panaritit”, Boston, Massachusetts, 1966.

5). Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Noli Vepra 1”, Tiranë 1987, f. 10-11.

 6). Fan S. Noli “Autobiografia”, Prishtinë, 1968, f. 27.

7) Po aty, f. 31.

8). Rev. Arthur Liolin “Reflektions on Metropolitan Theophan S. Noli”, në “Flamurtari i Kombit”, f.111.

9). Po aty, f. 111: “We know also that he considered his translation and compilation of the Kremtore Menaion…as his most rewarding achievement”.

10). “Dielli”, June 1, 1982, p. 12.

11). Rev. Arthur Liolin, artikulli i cituar, f.111.

12). Edhe vokacioni letrar i Nolit është i hershëm: ai botoi skicat e para letrare në revistën demokratike greke “Numas”, në vitin 1903. (“Noli Vepra 1”, f. 381).

13). Hobhouse, J. C. a Jorney through Albania and other Provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople during the years 1809 and 1810, London 1813, p.148.

14). Kështu, kur diskutohet për “homo balcanicus” duhet saktësuar mirë vija e brendshme e demarkacionit të “njeriut ballkanas”, gjë që vijëzohet në faktin se si e identifikon veten ai. Fatmirësisht, shqiptari, i dalluar për qartësi të plotë të vetëdijes etnike, nuk e ka identifikuar veten me besimin, siç kanë bërë dhe bëjnë edhe sot e kësaj dite grekët e serbët

15). “Flamurtari i Kombit”, f. 28.

16). “Rubairat e Omar Khajamit”, f.14.

17). Po aty, f. 14.

18). “Noli Vepra 1”, f. 51.

 

 

Filed Under: Analiza, Kulture Tagged With: 1, Anton Cefa, dhe kontradiktat, e Nolit, Vokacioni atdhetar

NOLI, KONICA DHE WILSONI

July 10, 2013 by dgreca

nga Anton Çefa*/

“S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri . . . . Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe na sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësinë tonë kombëtare.” – Woodrow Wilson/
“Wilsoni bëri më tepër se çdo njeri për indipendencën e Shqipërisë” – Fan Noli/
“Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre.” – Faik Konica/

Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftë, udhëheqësit e “Vatrës” erdhën në përfundimin se fitorja kaloi nga Forcat e Boshtit, tek të cilat kishin shpresuar deri atëherë në zgjidhjen e çështjes shqiptare, në anën e Forcave Aleate (Antantës). Në mënyrë të veçantë, atyre ua ngrohi zemrat qenia në krye të këtij shteti të madh e presidentit Woodrow Wilson që “predikonte me gjithë zellin e një profeti biblik nevojën për një kod moral në politikën ndërkombëtare” 1).
Wilsoni qe përpjekur me ngulm ta mbante vendin e tij jashtë konfliktit dhe të zbatonte planet e tij reformiste, por me provokimet e herëpashershme të Gjermanisë dhe, sidomos, kur ajo fundosi katër anije amerikane, ai i kërkoi Kongresit t’i shpallte luftë asaj. 2).
Në fjalimin e tij historik para Kongresit Amerikan, më 2 prill 1917, ai deklaroi se “lufta qe bërë e paevitueshme, në emër të ruajtjes së paqes dhe demokracisë në botë. . . Ne nuk kemi asnjë dëshirë për pushtim apo dominim . . . nuk është gjë e lehtë të udhëheqësh këtë popull të madh e paqedashës në luftë. . . . Por e drejta është më e çmueshme se paqja dhe ne duhet të luftojmë për ato gjëra që janë të shtrenjta për ne . . . . Sot ka ardhur dita që Amerika të derdhë gjakun për parimet të cilat i dhanë jetën, lumturinë dhe paqen që ajo ruan . . . . Zoti e ndihmoftë!”3).
Më 8 janar 1918, Wilsoni propozoi “14 Pikat” e tij të njohura si bazë të bisedimeve për paqen. “Si njëri nga katër udhëheqësit e Konferencës së Paqes, ai luftoi burrërisht për të kontrolluar lakminë e vendeve fituese dhe u përpoq për të vendosur drejtësi për të gjitha kombet.” 4).
“14 Pikat”, ndër të tjera, kërkonin që: politika e jashtme e një shoqërie demokratike të mbështetej në baza të shëndosha morale; zgjidhja e konflikteve të bëhej nëpërmjet marrëveshjeve të hapura, drejtësisë dhe vetëvendosjes së popujve; të kufizoheshin armatimet në maksimum dhe të përdoreshin ato thjesht për sigurimin e brendshëm; lundrimet e lira në detra të hapura.
Një nga arritjet më të mëdha në planin 14 Pikësh ishte formimi i Lidhjes së Kombeve. Në pikën e fundit të planit të Wilsonit për paqën, thuhej: “Një shoqatë e përgjithshme e kombeve duhet formuar . . . me qëllimin e sigurimit të garancive të ndërsjellta të pavarësisë politike dhe integritetit territorial të shteteve të mëdha e të vogla” 5).
Ai arriti t’i bindë shtetet fituese të pranojnë formimin e Lidhjes së Kombeve, të parën organizatë të madhe ndërkombëtare, tek e cila ai varte shpresën e një paqeje të qëndrueshme; por u zhgënjye thellësisht, kur, pasi u kthye në Amerikë, Senati – armik i tij – nuk e ratifikoi Traktatin.
Në këtë dokument përmendeshin zgjidhjet konkrete të shteteve të veçanta si Rusisë, Belgjikës, Francës, Italisë, Austro-Hungarisë, Turqisë, Polonisë. Në pikën 11 (po e japim të plotë në referencat) (6), flitej për shtetet e Ballkanit, por nuk përmendej Shqipëria.

* * *
“Deklaratat e Wilsonit rreth ‘luftës për t’i dhënë fund luftës’ dhe ‘e drejta e vetëvendosjes së kombeve’ u ngjalli shpresat popujve të shtypur për drejtësi në vendimet e bisedimeve për paqen. Vatra u bë një avokat militant i kauzës së aleatëve. Anëtarët e saj nënshkruan huat për luftën dhe I Përndritshmi Fan Noli vizitoi kampet ushtarake në Massachusetts, duke u mbajtur fjalime të zjarrta të rinjve guximtarë (është fjala për ushtarët shqiptaro-amerikanë, – sqarimi im, A. Ç)” 7).
Ja si shkruan Qerim Panariti: “Me hyrjen e Amerikës në luftë në Prill 1917, shpresat për çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët u shtuan, po me zgjerimin e shpresave për shpëtimin e Shqipërisë, u zgjerua dhe aktiviteti i Nolit. Nolit tani s’i zinin këmbët dhe detyrat kishëtare s’mund t’i neglexhonte, Vatrën s’mund ta neverite. Personi i Nolit, oratori më i shënuar i racës Shqiptare n’Amerikë, u detyrua të bredhë nëpër kampet e rekrutimit ku ndodheshin djem Shqiptarë duke i këshilluar se hyrja e Amerikës në luftë do të shpëtonjë Shqipërinë dhe botën nga tirania militariste e autokrative monarqike të Evropës Qëndrale.” 8).
Në përpjekje për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, të mohuar nga Anglia, Franca, Italia, udhëheqësit e “Vatrës” i joshi kërkesa e Presidentit për vetëvendosjen e popujve dhe ndalimin e traktateve të fshehta.
Më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, vendi historkik ku ësh të varrosur presidenti i Parë i Amerikës, George Washington, “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Në këtë mision, Nolit iu dha rasti të shtrojë shkurtazi problemin e Shqipërisë. Pas takimit që pati me Wilsonin, ai i dërgoi Komisionit Qëndror të “Vatrës” nga Washingtoni këtë mesazh: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me PresidentinWilson, i cili më dha shpresa të mëdha . . .” 9).
Takimin e tij me Wilsonin, Noli ka për ta kujtuar me admirim e mirënjohje të thellë e vlerësim të lartë në disa raste. Në Fjalimin e tij drejtuar ushtarëve amerikanë me prejardhje shqiptare në Camp Devens, më 8 shtator 1918, ndër të tjera, ai tha: “Ne i kemi sytë nga Amerika për mëkëmbjen e pavarësisë shqiptare. Duke gjykuar nga rrjedha e zhvillimit të ngjarjeve në fushën e betejës, tani nuk ka asnjë dyshim që kjo luftë do të përfundojë me fitoren e Amerikës, që do të jetë një triumf për demokracinë botërore dhe kushtet e palës do të diktohen brenda territorit gjerman nga një arbitër botëror, që e do drejtësinë, siç është presidenti Wilson.” 10).
Po në këtë fjalim, duke bërë fjalë për takimin me Wilsonin, shkruan: “Kam patur nderin në një rast historik ta takoj këtë njeri të madh që tani është bërë orakulli i njerëzve të vuajtur. Ishte Dita e Pavarësisë, kur përfaqëusesit e të gjitha grupeve nacionale në Amerikë ishin ftuar nga presidenti Wilson për ta shoqëruar si miqtë e tij të huaj në jahtin Mayflover gjatë pelegrinazhit në Malin Vernon. Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë, dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigjja e tij fisnike ishte: ‘Unë do të kem një zë (votë) në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”. Dhe shton: “Unë nuk kam nevojë t’ua tregoj sa i fortë është ai zë dhe se çfarë vëmendje të respektueshme dhe të bindshme ka ai në gjithë botën, i shtyrë nga drejtësia dhe i përkrahur nga
miqtë e fuqishëm amerikanë, më të fuqishëmit që bota ka parë ndonjëherë.” 11). Po në këtë Fjalim, duke folur për Wilsonin, thotë: “Wilsoni është i sigurt se do të fitojë e do të zërë vend në histori si Linkolni për humanizmin dhe si çlirimtar i të gjithë kombeve të mëdhenj dhe të vegjël. Kur do të shpallet paqja, Shqipëria do të rifitojë pavarësinë.”
Në mbrojtje të çështjes shqiptare, Noli, udhëheqësit e tjerë të “Vatrës” dhe personalitete amerikane, miq të Shqipërisë, botuan, në këtë periudhë, shkrime në “Dielli” dhe në revistën “The Adriatic Review”. Revista “Adriatic Review” u botua në Boston në gjuhën angleze, në vitet 1918-1919. Ajo i dërgohej zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane dhe personaliteteve tjera të shquara amerikane. 12). Në një nga numrat e kësaj reviste, u botua një memorandum, dërguar presidentit Wilson, më 27 nëntor 1918, në kohën kur Aleatët po planifikonin rishtas copëtimin e Shqipërisë. Memorandumi u firmos nga këta klerikë ortodoksë shqiptarë: At Fan S. Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Camçe, 13). Mbasi jepet një historik i shkurtër i copëtimit të Shqipërisë, etj., në këtë dokument thuhet: “Shqiptarët shpresonin që Amerika dhe Aleatët do ta ndihmonin me zemërgjerësi
Shqipërinë të rimëkëmbej, duke zgjidhur çështjen ballkanike në baza të forta, duke shpëtuar një racë të lashtë e mjaft premtuese nga zhdukja dhe skllavërimi, e duke i dhënë asaj vendin që i takon midis kombeve të qytetëruara të botës, vend për të cilin u zhvilluan betejat më të ashpra e më të gjata në shekuj.”14). Stili i memorandumit është dëshmi e qartë e dorës së Nolit.
Noli dhe vatranët e konsideronin Wilsonin si të vetmin përkrahës në radhët e aleatëve fitues të luftës dhe kishin bindje të plotë që ai do ta mbronte Shqipërinë në Versajë. Edhe pse Wilsoni në “14 Pikat” nuk e kishte përmendur Shqipërinë, ata, vlerësonin frymën e propozimeve të Presidentit Amerikan, i cili në fund të Fjalës së tij, mbasi parashtroi planin për paqën botërore, pati theksuar: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për të gjithë popujt e shtetet dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët” 15). Në shkrimin “Peshkop Noli dhe bashkësia shqiptare në SHBA”, Peter R. Prifti ka shkruar: “I impresionuar thellë nga idealizmi i Wilsonit, Noli u bë një përkrahës i pasionuar i demokracisë wilsoniane. Drejtësia ndërkombëtare, vëllazërimi njerëzor, simpatia për të dobëtit,
paqja botërore qenë idealet dhe vlerat që Noli dhe shqiptarët e Amerikës i bënë të tyret dhe u përpoqën të jëtojnë në përputhje me to.” 16).
Vlërësimi i lartë i Nolit për Wilsonin shkëlqen në mënyrë të veçantë në Panegjerikun që ai mbajti në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, më 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së presidentit Wilson. 17). “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Wodrov Wilsonit, të njëzetetetit President të Shteteve të Bashkuar. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qanë në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë.” Mbasi vë në dukje të mirat ekonomike e politike që ka pasur Shqipëria prej shqiptarëve të mërguar atje dhe prej vetë shtetit amerikan, ai thotë: “Dhe kur themi Amerika, na kujtohet një emër, se të gjitha këto kanë ngjarë, kur nga Shtëpia e Bardhë e Washingtonit, administronte Shtetet e Bashkuara i shkëlqyeri dhe i shumëvuajturi President Wilson.”
Spikat, në Fjalimin e Nolit, idealizmi i Wilson-it dhe i vetë Amerikës.”Veç titullit ‘Amerikan’, Wilsoni ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjetër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar dhe të paqes së përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Ameriaka është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë, nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Wilsoni u zgjodh dy herë President, arrin për të provuar thezën tonë.”
Më pas me penelata të shpejta, në këtë panegjerik, që është një nga perlat më të çmuara oratorike të Nolit dhe gjithë oratorisë shqiptare, ai na jep mjedisin familjar e shoqëror ku u rrit e u formësua karakteri i Presidentit: “Wilsoni u rrit në kishë, në një rrethim fetar me ungjillin në dorë, i predistinuar apostull i një ideali kristianik e njerëzor”, dhe më poshtë: “në çdo gjest e në çdo fjalë çfaqej njeriu mistik i iluminuar, i dërguar prej Përendisë për një mision të shenjtë. Pranë një karakteri të çelniktë kishte mirësinë e Shën Françeskut.”
Duke cituar nga Fjalimi i Nolit, është vështirë të nxjerrësh citate të shkëputura për të dhënë vlerësimin e tij për Presidentin, sepse të trazon tundimi për ta përfshirë tërë fjalimin. Një tundim disi i veçantë të shtyn të mendosh dhe të bësh paralelizma mes idealistit tonë të madh, Nolit, dhe idealistit të madh amerikan, Wilsonit (A nuk qe edhe Noli një “apostull i një ideali kristian e njerëzor” e po aq edhe kombëtar?) Ngjan se kur flet për Wilsonin, Noli mediton për veten e vet, që, si Presidenti Amerikan, “Fuqinë e qeverisë e kërkoi dhe e fitoi si një qëllim, jo si një mjet për apostullatën e tij.”
Wilsoni u përpoq t’u detyrojë të dy palëve, fituesve dhe të mundurve, një paqe të drejtë të bazuar në idealet e tij, të përvijuar në “Katërmbëdhjetë Pikat”, “Po në Versailles, thotë Noli, Wilsoni u ndodh si Danieli në shpellën e luanëve … Aleatët kujtonin se tërë programi idealistik i Wilsonit s’ishte veç një propagandë hipokrite për të gënjyer opinionin e përbotshëm”. Dhe vazhdon, duke përgjithësuar fatin e idealistëve, gjithnjë sikur mediton per veten e tij: “Se kjo është tragjedia e të gjithë idealistëve, që bota kujtojnë se idealizma është vetëm një maskë për të fshehur qëllime egoistike dhe materialiste të pavjelura.”
Drama e Wilsonit bëhët më e rëndë, kur kthehet në atdhe, sepse “dhe atë copkë të fitorjes që mundi të çkëputë nga thonjtë e luanëve të Versailles tani vendi i tij do t’ia rrëmbente nga duart … Senati Amerikan refuzoi të ratifikojë Paqen e Versailles, të kryesuar prej Paktit të Lidhjes së Kombeve . . . Dhe Evropa vazhdoi luftën nën maskën e paqes”. “Partizanllëku i vërbër më shumë se çdo faktor tjetër e shkatërroi Lidhjen e Kombëve.” 18), ka shkruar historiani amerikan Thomas A. Bailey, duke komentuar mosmiratimin e vendimeve të Versajës nga Senati.
Rishtas, por me detaje më të hollësishme, edhe në këtë Fjalim, ai rikujton takimin me Wilsonin në Washington, duke e cilësuar atë “kalorës të kohëve të kaluara në një kohë tragjike”. “Atëherë iu afrova – dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi, dhe përgjigjen e tij bujare e mbanj mend sikur po e dëgjonj sot … Dhe e mbajti fjalën. Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej fakt definiti. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të
karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë e të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot. Që Prefekturat jugore nuk u invaduan para se të caktoheshin kufiret, kanë një shkak dhe shkaku është Presidenti Wilson.”
Noli e rikujton Wilsonin, gjithashtu, në Gjenevë, kur Shqipëria, e përfaqësuar prej tij, u pranua në Lidhjen e Kombeve dhe pavarësia e vendit tonë u njoh zyrtarisht: “Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, emri i Presidentit Wilson.”
Duke na dhënë me ngjyra të gjalla vdekjen e Presidentit Amerikan, Noli e vazhdon fjalimin me vlerësimet e panumërta për Wlsonin, duke e quajtur atë: “profeti bujar i paqes njerëzore, ati spiritual i Lidhjes së Kombeve, titani dhe kalorësi idealist”. Dhe më poshtë: “Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë”; dhe më pas, duke iu drejtuar Kuvendit Themeltar në emër të tij dhe të shokëve të tij idealistë demokratë, Noli e tradhton veten kur thotë: “Lufta jonë s’ka qenë e kotë (është fjala këtu për luftën për demokraci gjatë viteve 1920-1923; shënimi im, A. Ç). Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë e ngjallje”.
Sikurse idealistët e mëdhenj, ëndërrimtarë dhe fisnikë, në vizionet e të cilëve ravijëzohet profecia e një të ardhmeje më të ndritur, Noli e përfundon panegjerikun e tij për Wilsonin dhe Amerikën: “Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë sqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit: “Regere parvos, debellare superbas” (Të mbrosh të vegjëlit, të mposhtësh kryelartët), të cilët mprojnë të vegjëlit dhe përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit, e mirëdashjes ndërkombëtare.” Dhe vërtet, Amerika, në ditët më të vështira për kombin tonë, kur barabaria serbe e etur për gjak u përpoq të zhdukë nga faqja e dheut një pjësë të gjakut tonë, e lindi kalorësin e madh Bill Klinton që “të mbarojë veprën e paqes, të vëllazërimit e të mirëdashjes
ndërkombëtare”. Dhe, po ashtu, ajo lindi George W. Bushin, i cili në vizitën më 10 qershor 2007, në Tiranë, deklaroi qëndrimin amerikan: “Kosova do të bëhët e pavarur.” Dhe, në emër të Amerikës, e njohu Pvarësinë e saj të shpallur më 17 shkurt të këtij viti.

* * *

Po, nga ledhet e fortesës së “Vatrës” qe edhe një tjetër shqiptar i madh që falënderoi Amerikën dhe presidentin Wilson për të mirat që blatuan për vendin dhe popullin tonë dhe vlerësoi lart idealet e tyre. Ai qe Faik Konica. “Jemi bindur se çdo shqiptar di dhe kupton – shkroi ai – se ç’borç të madh i kemi Wilsonit. Në qoftë se ka ndonjë shqiptar që s’merr vesh se shpëtimi dhe liria e vendit (të) tij i detyrohet kryesisht Wilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbësinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë”. Dhe më poshtë: “Shqipëria ishte dënuar me vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s’ndritte gjëkundi. Po e papritura ngjau, dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Woodrow Wilsonit . . . Ndërgjegja e drejtësisë njohu përsëri zërin e madh, dhe u drodh nga gëzimi; se Wilsoni duke mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbronte gjithë popujt,
e mbronte parimin” 19).
Kur vdiq presidenti Wilson, ai shkroi: “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre. Edhe po t’ish i vogël për të tjerët, Wilsoni duhet t’ish i madh për Shqipëtarët”. 20).
Për ta përjetësuar emrin e këtij mbrojtësi të madh të atdheut tonë, Konica, në cilësinë e kryetarit të “Vatrës”, i propozoi, me anën e një kabllogrami, Kuvendit Themeltar në Tiranë që emri i Presidentit Ameriakn të regjistrohet në toponiminë shqiptare. Ja telegrami i Konicës:
“Ju lutem të shtroni një proponim për kqyrjen mirëdashëse të deputetëve pa ndryshim partie: Me vdekjen e ish-presidentit Wilson u çduk mbrojtësi i popujve të vegjël dhe shpëtimtar’ i Shqipërisë. Proponimi im është t’i jepet emëri Wilsonville ose Shën Gjergjit ose Sarandës. Juaji me respekt: (Nënshkruar) Faik Konitza.
Përgjigjja Konicës i erdhi më 11 gusht 1924: “Me vendim ministerial, Shën Gjini u pagëzua Wilson” (Nënshkruar) Noli. 21). Dihet që në periudhën e diktaturës komuniste u zhduk nga harta e Shqipërisë emni i këtij Presidenti të lavdishëm.
Konica nderoi Mikun e Madh të Shqipërisë, duke nderuar kështu veten, “Vatrën” dhe gjithë kombin tonë. Disa ditë pas vdekjes së Wilsonit, pikërisht më 12 mars 1924, ai i dërgoi zonjës së nderuar të ish-Presidentit, Edith Bollin Galt Wilson, një kurorë të bukur prej njëqind trëndafilash, 50 të kuqe e 50 të bardha, të lidhur me një kordelë me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë, ku qe shkruar me dorë: From the Albanian Federation Vatra, Boston, Massachussets”. 22). Veç kësaj, Konica i dërgoi zonjës së nderuar Wilson telegramin: “Jepmëni leje, Zonjë, të bëhem me respekt dragoman i hidhërimit të thellë e të kthiellët që ndjejnë Shqipëtarët, të cilët te personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre, një mik mirëdashës e të fuqishëm në orët më të zeza të rrezikut e të brengjeve.” 23).
Mirënjohja e popullit tonë për presidentin ëWlson dhe Amerikën, falëlënderimi dhe nderimi gjetën pasqyrim edhe në një këngë popullore të thjeshtë e të bukur, “Këngë për Madhërinë e Tij Wilsonin”. Për popullin tonë kënga është vlerësimi më i lartë, që ai i jep një njeriu për bëmat e tij të shquara, është një lapidar përjetësimi. Ja disa vargje të kësaj kënge:

Thërresim ‘Rroftë Amerika’
Madhëri e Tij Wilsoni,
Me katërmbëdhjetë pika,
I thotë Evropës qëndroni!”

“Një profesori amerikan, të quajtur Elmer J. Jones, – shkruan Jup Kastrati në biografinë e tij për Konicën – i bie puna të vizitojë vendin tonë. Në fshatin ku kalon, dëgjon një këngë për Wilsonin. Ia përkthejnë dhe ky ia dërgon Presidentit amerikan. Atëherë ky i fundit shfaq mirënjohjen e vet me letrën që po riprodhojmë poshtë:

“Vashington D.C. 26th January 1922

I dashur z. Profesor Jones,
Ju falënderoj sinqerisht për letrën tuaj dhe për përmbajtjen e saj. S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri. Duket se do të keni pasur një eksperiencë plot interes. Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe ma sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësitë tona kombëtare.

Me urime të përzemërta,

(Nënshkruar) Woodrow Wilson. 24).

Referenca dhe shënime

1). University of Knowlledge, “Great Leaders”, Edited by Franklin J. Meine, Ph. B., M. A. and Harris Gaylord Warren, Ph. D., p. 379.
2). “The New Webster’s International Encyclopedia”, Edition published by Trident Press International, Fl., 1998, p. 1188
3). Albana Mëlyshi Lifshin, “Udhëtim në Historinë Amerikane”, “Dita”, Tiranë, 2003, f. 225).
4). “Great Leaders”, p. 383.
5). Arthur S. Link “The Papers of Woodrow Wilson, vol. 45, 1984, p. 536.
6). Arthur S. Link. “14 Pikat”, Pika XI – “Rumania, Serbia dhe Mali i Zi duhet të zbrazen (nga forcat e huaja ushtarake – shënimi im, A. Ç), t’u rikthehen territoret e tyre; Serbisë t’i jepet dalje e lirë dhe e sigurt në det, dhe marrëdhëniet e disa shteteve ballkanike me njëri-tjetrin të përcaktohen nga negociatat miqësore, në vijat kufitare të vendosura historikisht, dhe, gjithashtu, t’u jepen garancitë ndërkombëtare për pavarësi ekonomike e politike dhe integritet tokësor për disa shtete ballkanike sipas kombësisë.”
7). The Albanian Struggle in the Old =orld and Ne+” – Compiled and +written by members of The Federal =riters’ Project of The =orks Progress Administration of Massachusetts, The =riter, INC. publishers, Boston, 1939, p.58.
8). Qerim Panariti, Fan S. Noli, Albumi II”, botuar në Boston, Massachusetts, 1966, f. 67
9). Idem, ibidem, f. 68.
10). Arthur S. Link, vepër e cituar.
10). ‘Noli: ‘Shqipëria i ka borxh Amerikës, përgatitur nga E. Alliu, gazeta “Illyria”, dt. 31 janar-3 shkurt, 2003″, f. 24.
11). Po aty.
12). Shih “The Albanian Struggle in the Old World . . .”, p. 59-60.
13). Refat Xh. Gurrazezi: “Historia e Federatës ‘Vatra”, Shtëpia botuese Globus R., Tiranë, 2006, f. 93-94.
14). “Noli: “Shqipëria i ka borxh Amerikës”, “Illyria”, 31 janar -3 shkurt 2003.
15). Arthur S. Link “The Papers of Woodrow Wilson, vol. 45, 1984, 536.
16). Peter R. Prifti “Land of Albanians: A Crossroads of Pain and Pride”, Tiranw, “Horizont”, 2001, p. 229.
17). Fan S. Noli, “W Wilson”, në”Portrete dhe skica”, Mbledhur dhe përgatitur nga dr. Nasho Jorgaqi, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë, 1995, f.123-129. Të gjitha citimet nga ky fjalim janë marrë nga ky botim.
18). Thomas A. Bailey “Woodroow Wilson and The Great Betrayal”, Published 1963 by Quadrangle Paperback, p. 38. Për këtë problem, po në këtë vepër, f. 187, lexojmë: “Prokurori i përgjithshëm i Amerikës në kohën e Wilson-it, Thomas G. Gregory, ka thënë: “Lidhja u hodh poshtë në SHBA jo pse ajo qe Lidhja e Kombeve, por sepse ajo qe Lidhja e Wilson-it, dhe sepse udhëheqësi i madh qe rrëzuar dhe nuk kishte asnjë tjetër që mund ta përdorte shpatën e tij të fuqishme”.
19). Muin Çami, “Jehona e vdekjes së Uodrou Uilsonit në mjedisin shqiptar”, Studime historike, Tiranë 2004, f. 35.
20). Prof. Dr. Jup Kastrati, “Faik Konica” (monografi), Gjonlekaj Publishing, New York, f. 173.
21). Idem, f. 174-175.
22). Idem, ibidem.
23). Idem, ibidem.
24). Idem, ibidem.

* Autori e ka edituar gazeten Dielli per 14 vjet.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Anton Cefa, Konica, Moli, Wilson

Antoni Athanas – filozofia e një jete të suksesshme

May 22, 2013 by dgreca

Nga Anton Çefa*/

 Hapat e parë në jetë i bëri së bashku me Shqipërinë. U lind një vit më parë se ajo dhe dora-dorës eci mbi truallin e saj vetëm për pak vite. Sepse e la. Por eci gjithmonë dora-dorës me të. E mori me vete. E mori me vete si mall, e mori me vete si dhimbje, e mori me vete si amanet dhe si dëshirë të flaktë për ta ndihmuar dhe për ta nderuar, siç ndihmon e nderon biri nënën e vet.

 U rrit në varfërinë më të madhe dhe u urtësua para kohe. U urtësua jashtë bankave të shkollave dhe larg fjalës së mësuesve. U urtësua në punë.

            I pajisur me dhunti të pasura intelektuale e ndjenjësore, ai që heret e pati sendërtuar një filozofi jete, së cilës i qëndroi besnik tërë jetën. Çdo njeri ka një filozofi të vetën në jetë. Është  apo nuk  është i vetëdijshëm për të. Shkëlqen ajo tek njerëzit e shquar. Ata e kanë më të thellë dhe më të kthjelltë. Në filozofinë e tyre zotërojnë ideale të fisme si impulse shpirtërore, shkëndijojnë vizione të dritshme si nxitje drejt së mirës dhe përvijohet perspektiva e së ardhmes si formë e saj. Këmbëngulja është ajo veti e çmueshme vullneti, që u siguron atyre përmbushjen e qëllimeve dhe si rrjedhim suksesin.

            Në vitet e para të pleqërisë, kur mosha kishte bërë punën e vet, dhe pasi e pati arritur plotësisht suksesin, pra edhe kur nuk ia kishte më nevojën punës, Athanasi vazhdonte të punonte. Kështu shkurt e qartë, i qe përgjigjur një gazetari: “Çlodhem në atë që bëj. Shkurt çlodhem duke punuar. Po e lë punën, të lë jeta – kjo është filozofia ime.” 1)  Nuk di ndonjë filozof të njohur, as edhe ndonjë moralist të shquar, qoftë edhe ndonjë plak të urtë, që i takon aq shpesh në malet tona, që ta ketë shpjeguar e përcaktuar kaq saktë e qartë kuptimin e jetës si qëllim dhe si mjet për të arritur diçka; me një fjalë: vlerën e punës.

            Kjo filozofi e jetës së tij – padyshim – përfshin kahjen tokësore dhe atë qielloren; si stil i qartë jete që vendos marrëdhënie të drejtpeshuara mes dy botëve: asaj lëndore dhe asaj shpirtërore, asaj njerëzore dhe asaj hyjnore. Siç na e ka treguar i Përndershmi Atë Liolini : “Ka një parim thelbësor të besimit, të cilin Antoni Athanas e njihte dhe e besonte…Atë që Zoti na njeh në thellësi të qenies sonë, duke peshuar se sa e si kemi vepruar si nikoqirë të ditëve dhe viteve që na janë dhënë secilit.” 2). Vështirë të gjendet ndonjë mes nesh që t’i përshtatet më shumë se Athanasi këtij postulati biblik.

Me këtë filozofi, ai u ngjit në shkallët më të larta të suksesit dhe jetësoi atë që në këtë vend mrekullibërës quhet “American dream” (“ëndërrimi amerikan”).

            Më vjen nëpër mend – marr leje të bëj këtu një parantezë – filozofia e jetës e gjeneralit amerikan James Doottle, aq e përafërt me filozofinë e jetës së Antonit Athanas. Qe udhëheqës ushtarak i dalluar, Hero i Luftës II Botërore, këshilltar presidentësh, shkëncëtar, kampion boksi, pilot i njohur në garat e fluturimeve ajrore, sidomos për akrobacitë me aeroplanë, etj. Ai ka shkruar: “Çdo njeri në këtë botë ka ardhur për të ndihmuar tjetrin. Nuk ka rëndësi se si. Ai mund të ndërtojë një urë, mund të bëjë një pikturë, të shpikë një vegël pune ose të shesë në një stacion gazi. Çështja është që ai duhet të përpiqet ta lërë botën një vend më të mirë se e gjeti. Nëse e bën këtë, jeta e tij do të jetë më e vlefshme, nëse nuk e bën atë çka është i aftë të bëjë, ai është i destinuar të mos jetë i lumtur.” Athanasi bëri të gjitha ato që qe i aftë të bëjë dhe na e la më të mirë e më të bukur botën.

Sidoqoftë, enigma e suksesit nuk mund të shpjegohet vetëm me një filozofi, sado e epërme të jetë ajo. Është energjia ajo që e sendëzon filozofinë. Energjia si aftësi fizike, por më së tepërmi si atribut shpirtëror. Dhe është pikërisht kjo e fundit që e drejton të parën. Është pikërsisht kjo energji, që ai e pati si dhunti shpirtërore, e kultivoi që në fëmijëri dhe e seliti me filozofinë e tij të jetës. Tek Athanasi, ajo u ndriçua nga një vizion i kthjelltë. Një vizion plot nxitje që buronin nga një damar i fuqishëm i një zemre të gjerë plot pajë të fisme ndjenjash humane.

Në zyrën e tij, në restaurantin më të mirë të tij, “Anthony’s Pier 4”, – dritaret e së cilës shikonin nga oqeani, si për t’i kujtuar se pas atyre ujërave të pafund, rrallë të qetë e pothuajse gjithnjë të trazuar, ishte atdheu i tij i lindjes, i ëndërrave  dhe i dhimbjes, – kishte dy skulptura: atë të Skendërbeut dhe të Naimit. Shqipëria, më e afërt se kudo, më e çmueshme se kudo, më e mirë se kudo, ishte trupëzuar tek ato dy personalitete, ku rrezatonte vepra e bujshme luftarake që e formësoi dhe flakëza e ndezur apostullore, që e ndriçoi. Dashuria për Atdheun qe me siguri një nga dimensionet më të fuqishme të energjisë shpirtërore athanasiane.

            Një botë e pasur shpirtërore si kjo i gjen sheshet e jetës e të punës. Ideali i pastër për atdheun dhe dashuria e pakufishme për të e lidhën me “Vatrën”. E kuptoi atë që heret, e vlerësoi, e mbajti në kraharuar dhe e drejtoi për vite e vite. Dhe “Vatra” me shenjtërinë e idealeve e bëmave të saj iu bë shkollë, iu bë zyrë, iu bë qëllim. Po me atë përkushtim besimtari e atdhetari, ai u lidh me Kishën. Me atë Kishë Autoqefale Shqiptare, që krijoi Noli. Në atë tempull feje dhe kombëtarësie, u lut dhe gjeti prehjen shpirtërore. Punoi për të, e ruajti, e pasuroi.

            Në një botim të “Vatrës” për Skendërbeun, me rastin e 500-vjetorin të vdekjes, Athanasi ka shkruar: “Im atë e kishte bërë zakon të më merrte me vete në mbledhjet e degës 21 të Vatrës, në Bedford, Mass., sidomos kur ishte ndonjë mbledhje ku flisnin njerëz me rëndësi sikurse Faik Konitza dhe Peshkop S. Noli. Kështu ngjau që unë u rrita me idealet e Vatrës qysh në vjetët e para të moshës s’eme.” 3). Lidhja me “Vatrën”, sigurisht u ndikua po aq edhe nga një instinkt i fshehur në shtresat e nënvetëdijes së tij etnike: instinkti i vendlindjes dhe i çdo gjëje lëndore e shpirtërore që lidhet me të. Një manifestim i epërm i shpirtit etnik, që është i shquar, pikërisht se është i tillë.Tek të gjithë popujt dëshmohet ky instinkt; por kemi të drejtë të themi që tek populli ynë, ai është veçanërisht i theksuar. Historia e vërteton këtë. Hobhaus-i, shoku e shoqëruesi i Byron-it në udhëtimet nëpër trevat evropiane të Perandorisë Turke, në dekadat e para të shek. XIX, ka shkruar: “Asnjë vend i ri, asnjë pamje e re s’mund t’ua fshijë shqiptarëve kujtimet dhe dashurinë për malet, për miqtë dhe për fshatrat e tyre”. Dhe më poshtë: shqiptarët  e konsiderojnë ndjenjën e përkatësisë etnike si tiparin “më të theksuar në karakterin e tyre.” 4).

            Në gjirin e “Vatrës”, u rrëmbye nga dëshira e sakrifica vatrane për ta ndihmuar atdheun, jo vetëm në lehtësimin e varfërisë së tij fizike, por edhe për ta pasuruar atë shpirtërisht – duke filluar që nga kultivimi i vetëdijes kombëtare e deri tek mësimi i parimeve të demokracisë amerikane. E bëri të vetën kanunësinë e saj: “Të rritë në mes të shqiptarëve të Amerikës dhe me anë të tyre në mes shqiptarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës në mes të tyre edhe të dashurisë për kombësinë e tyre”, dhe “Të rritë në mes tyre nderimin dhe dashurinë për kanunet dhe institutet e Shteteve të Bashkuara dhe të forcojë marrëveshjet e miqësisë në mes të qytetarëve amerikanë dhe të shqiptarëve.” 5). Dhe këto dy qëllime të shenjta vatrane, Athanasi i shenjtëroi edhe më gjatë jetës së tij.

Vërtet nuk bëri shkollë, por arriti të bëhet mësues, bile një edukator i fuqishëm, që u mësoi bashkatdhetarëve këtu jo vetëm filozofinë e suksesit përmes punës, po edhe filozofinë e dashurisë për atdheun, përsëri përmes punës. Ai na mësoi të mos presim nga jeta, apo nga kushdoqoftë, të na japin shansin për punët e mira. Duhet ta kërkojmë atë nga vetja. Ai, milioneri i madh, na mësoi se pasuria më e madhe e njeriut nuk janë milionat; pasuria më e madhe e tij janë thesaret shpirtërore. Qenë pikërisht këto që e bënë atë të vlefshëm për shoqërinë, të lumtur për vete dhe të pashlyeshme gjurmën e tij.

            Si për të na vërtetuar me personalitetin e tij madhor që “errare humanum est”, ai gjithsesi, me jetën e tij na ka dhënë një mësim të madh: të kujdesemi për një edukim kombëtar të fëmijëve. Dhe edukimi kombëtar fillon te gjuha e vijon me historinë,  kulturën, duke u shtrirë në hapësirat shpirtërore të idealit, ndjenjës, vullnetit. Edhe pse, sidomos në këtë shtet të madh dhe në të gjithë botën, globalizimi po merr gjithnjë e më shumë përmasa të paparamenduara në të gjitha fushat e jetës; shpirti etnik, trashëgimia kombëtare mbetën vlera të pazëvendësueshme. Vlera jete, vlera identiteti, vlera krenarie, vlera çmimi e respekti. Po i referohem përsëri një interviste të tij. Kur një gazetar e pyeti nëse djemtë e tij e dinin shqipen, ai u përgjigj: “Sigurisht që ata nuk kanë patur një baba aq të mirë sa ç’e kisha unë…” 6). Në botimin e “Vatrës” që përmendëm më lart, Athanasi ka shkruar edhe këtë: “Unë isha tre vjeç kur ardha në këtë vënt. Im atë e kishte bërë zakon, në raste të veçanta, t’u lëçitte miqve të tij vargjet e kësaj historie epike (është fjala per “Historinë e Skendërbeut” të Naimit) dhe unë isha një nga ndëgjuesat e tij më të vegjël. Disa nga ato vargje më kanë mbetur të paharrueshëm në shpirt dhe më kanë inspiruar respekt të veçantë për Skendërbejnë si njeri dhe si hero.” 7). Çfarë mësimi i vlertë përmes pësimit!

Edhe politika – ky koc i fortë që më së shumti na mbetet në fyt ne shqiptarëve – gjet shprehjen e vet në jetën e tij. Ashtu siç e kuptonte ai. Priti e përcolli në “Anthony’s Pier 4” dhe, më thotë mendja, edhe në zemrën e tij, autoritete shqiptare të ngjyrave politike më të kundërta. Prej së bardhës te e zeza. Ndoshta edhe djallin po të qe shqiptar do ta përqafonte si engjull. Mall i gjatë e i thekshëm mërgimtari! Është kjo hise shpirti, siç duket, që bëri që në ndërgjegjen e tij politike të mos kishte barriera.

Gëzohemi që qe shqiptar. Jo aq për sa ndihmoi materialisht “Vatrën”, Kishën a edhe bashkësinë këtu dhe atdheun atje, por më së tepërmi për trashëgiminë shpirtërore që na la – një kapital mbi çdo pasuri për breznitë e sotme e të ardhme; por edhe për emrin e mirë që na la. Njerëzit e shquar janë ata që e paraqesin një komb para botës, bile që e identifikojnë atë. Një nga këto qe dhe do të jetë edhe Antoni Athanas. “Unë jam Antoni Athanas – shqiptar nga Shqipëria!” – u paraqitej ai personaliteteve më të larta amerikane. Kështu ka për të mbetur i skalitur gjithnjë emri i këtij personaliteti gjurmëlënës.

Po të ishte gjallë Lasgushi, do të vjershëronte: “Fluturoi dhe shtërgu i fundit”. Sepse ndoshta është i fundit nga bashkatdhetarët tonë që patën njohur për së afërmi dhe patën punuar me demiurgët e kombëtarësisë këtu: Konicën, Nolin, Çekrezin, Panaritin, etj. Le të shpresojmë dhe të punojmë që të mos jetë “i fundit” që eci në gjurmët e tyre, dhe të mos ketë kurrë  “të fundit”, sepse Shqipëria ka e do të ketë nevojë gjithnjë për bijtë e saj shtegtarë!(Dielli-Arkiv)

           Referenca

  1. Vehbi Bajrami, “Shqiptarët e Amerikës”, N. Y., 2003, f. 332
  2. Dalip Greca, “Lamtumirë Anthony Athanas…”, “Illyria”, 27-30 maj 2005, f. 18.
  3. Federata  Panshqiptare Vatra, “Skendërbeu 1468-1968”, përgatitur nga Edward Licho, Boston, Massachussets, 1968, f. 13
  4. Hobhause, J. C. “A Jorney through Albania and other Provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople during the years 1809 and 1810”, London 1813, p. 70-71 and 72.
  5. “Kanunore dhe Rregullore e Federatës Pan-Shqiptare VATRA”. Shtypur në shtypshkronjë të VATRËS në Vjeshtë të Dytë 1926; rishtypur në Dhjetor 1954, Shtator 1995, f. 1
  6. Dalip Greca, “Shuhet Anthony Athanas, i fundmi i vatranëve të kohës së Nolit”, “Illyria”, 24-26 maj 2005, f. 19.
  7. “Kanunore dhe rregullore e Federatës Pan-Shqiptare VATRA”, botim i cituar, f. 1.

* Poeti dhe studiuesi i Anton Cefa ishte Editor i Diellit nga viti 1994 deri ne vitin 2009. Me 29 prill 2013 ai u nderua me “Cmimin e Merites” nga Federata Vatra.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Anton Cefa, Antoni Athanas, filozofia e nje jete, te suksesshme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT