• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mendime të kripura të Branko Merxhanit

December 26, 2018 by dgreca

3-anton_cefa

Nga Anton Çefa/

* “Jeta shqiptare, shpirti shqiptar, janë nga pikëpamja e thjeshtë psikologjike dhe sociologjike, një tokë e panjohur, e madhe akoma edhe për ne vetë, bijtë e këtij kombi”.

* “Kur s’ke Atdhe, asnjë dhe s’të bëhet më Atdhe i dytë”.

* “Atdheu ynë është në anën e një rrëkëje të freskët që vadit arat, kënga e së cilës dëgjohet gjer nëpër shpellat e maleve të Shqipërisë, ku janë të varrosura kockat e stërgjyshërve tanë; atje në hirin e oxhakut të hidhërimit ku ka rënë loti i parë i mëmave tona, në pyllin e dashurisë që na çeli misterin e jetës në kohën e djalërisë – atje është Atdheu ynë”.

* “Jeta do një zgjidhje. Kjo zgjidhje nuk gjendet lart në qiellin kombëtar, po është e fshehur thellë në shpirtin kombëtar. Ja, për këtë zgjim shpirtëror shërbejnë idealet”.

*“Ideali është prova më e mirë e vitalitetit të një populli. Si mjerë ata popuj që nuk kanë ideale!”

*“Për mua një nga shkaqet më kryesore të andrallës morale që paraqet po thua në çdo çfaqje të sajë jeta e jonë shoqërore e tanishme, është edhe kjo “periodë transitive’ të së cilës i mungon kryekëput ndërgjegja e mendimit.”

* “Në vënd që të hedhim sytë t’ona nga jashtë me shpresën dhe ngushëllimin se vetëm atje do të sbulojmë shkaket e së keqes, është më mirë të hedhim sytë në vetëhen t’onë brenda nesh, brenda në Unën t’onë shoqërore…”

* “Ky popull, i cili mrekullisht mundi të ruajë shpirtin e tij kombëtar, ky popull, i cili luftoi trimërisht shekuj me radhë kundër fatit të tij të keq dhe shpëtoi krenarinë dhe prestigjin e tij nga rreziku i poshtërimit dhe i çdukjes, ky popull do t’ a ketë edhe zotësinë, edhe dynamismën e tij për të rikrijuar jetën e tij shoqërore sipas nevojavet të kohës, që të mundet një ditë të tregohet i madh edhe në lëmin e qytetërimit të tij kombëtar.”

*“Kombet ngrihen dhe mbahen në këmbë vetëm për hir të të vdekurve të tyre të mëdhenj. Të gjallët vetëm i përbëjnë kombet. Ata që i bëjnë, që i shtyjnë përpara, që u japin frymë, erë dhe gjak, janë të vdekurit e tyre të vajtuar e të nderuar.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Mendime të kripura, të Branko Merxhanit

Sofra Poetike- Anton Çefa: LARMI POETIKE

December 23, 2018 by dgreca

LARMI POETIKE/

3-anton_cefa

Nga Anton Çefa/

Poezia/

Bulon në shpirt,/

Prekë të padukshmen/

Dhe i falë jetës nji kuptim solemn/

Prej gëzimi që dhemb./

Nën shkëlqimin e metaforës/

Si në nji fosil/

Rri i mshehun mesazhi i jetës./

 

***

Mbolla farë lulesh

Mbolla farë lulesh

Që çelin veç ndër andrra

E hapa dyer misteresh.

 

Te lulet e fjalës kam gjetur shtegun.

Në shteg të jetës m’drejto,

O fjala ime!

***

Malli dhe mllefi

Malli i jep nji tjeter ngjyrë

Fytyrave

Dhe nji tjeter të rrahun zemrave.

 

Mllefi i jep nji tjeter formë

Sendeve

Dhe fjalëve.

 

***

Mërgimtarëve

Pelerinën e ikjes keni hedhur krahëve,

Bridhni pa kthim

Duke u zbrazur në shpirt.

 

Fikun zjarri i vatrës,

Drita e visit.

Endeni duke u strukur ndër kujtime

Që ushqejnë mallin

Në gjokset e ndezura.

 

Ndër zemra ndrisin

Dritat qiellore t’Atdheut.

***

Përrallë e vertetë ose rruga e kthimit

Do t’ju tregoj nji përrallë të vertetë, përrallën e të gjitha kohëve; në nji vend dhe në nji kohë na ishte nji njeri. Dallgët e një oqeani të trazuar, që quhet fat ose jetë, ndoshta zjarri a uji, lëngata ; ndoshta gjendja ekonomike, dëshira për t’u larguar, a malli për të parë dhenat e huaja, nuk jam i sigurtë, e hodhen në dhena të huaja. Kështu i kishte ndodhur edhe babës së tij, gjyshit, stërgjyshit.

Për të mos harruar rrugën për kthim mori nji grusht nga hini i shpirtit, që digjej për mëmëdheun, dhe e hodhi gjurmëve që lënin kambët.

Hini i shpirtit i qëndroi besnik dhe i mësoi rrugën e kthimit.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, LARMI POETIKE

Në kujtim të Faik Konicës

December 19, 2018 by dgreca

3-anton_cefa

Nga Anton Çefa/

“ . . . Faik Konica ka qenë njëri prej bijëve më të shkëlqyer të Shqipërisë, një nga çampionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare, pa dyshim ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë; eshtë njeriu që na ka zbuluar  flamurin e Skënderbeut. Këta tituj nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët më të egër . . .”- Fan Noli-

ok Antoni F Konica

“ I mësuar dhe i ditur se vendi, shteti është më i madh se humbjet apo fitoret politike, se dallonte kombin e shtetin nga loja politike e pushtetit; edhe politika në fjalorin e tij është një lojni, kurse gjuha e kombi e atdheu një esencë, një eternitas.”- Sabri Hamiti

Faik Konica October 1926_The Mayflower log

Faik Konica: “Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë”

“Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë” – një dëshmi e gjallë e një ndergjegjeje, që pohon, zotohet e merr përsipër pasojat deri në fund e pa asnjë kusht.

Është kjo responsible, me të cilën Konica shpirtësoi tek mërgimtarët shqiptarë shpirtin e bashkimit në emër të një ideali, idealit të shenjtë kombëtar. Tingëllon si një kushtrim kundër përçarjes: “Të realizojmë shpiriten e bashkimit që të mos humbasim!”

Është kjo responsible, me të cilën Konica shpirtësoi tek shqiptarët idealin e qytetërimit, në emër të përparimit. “Të përhapim mes shqiptarëve të Amerikës stërvitjen dhe doktrinat morale!”

Është kjo responsible, me të cilën Konica shpirtësoi tek shqiptarët shpirtin e demokracisë në emër të së ardhmes. Është kjo dëshmia që shkëlqen me virtytin e moralit, moralit të veprimit, veprimit të detyrës, detyrës së ngadhnjimit.

Është kjo resposible, që e bënte Konicën luftëtarin më të zjarrtë të evropianizimit të shpirtit shqiptar, që tingllon aq aktual në ditët tona.

Fjalët e Tij, mësimet Tij, kanë qenë dhe mbeten profetike. Ja një nga profecitë: Shqipëria “U-ngjall nga idealistët, U-ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët.” A nuk po e vrasin sot politikanët kuqalosha!

Do të dritësohemi duke kujtuar fjalët e tij, do të ngrohemi në flakët e zjarrit të dashurisë suaj për Atdheun, do të përpiqemi të ecim në gjurmët e tua.

*   *   *

Përkrah Nolit, me bashkëluftëtarë të përkushtuar si Kristo Floqi, Kristo Kirka, Paskal Aleksi, Llambi Chikozi, Elia Tromara, Kosta Vasil, bashkove shoqatat e fshatrave dhe themelove Vatrën, këtë Kështjellë Kombëtare, Vatrën e dritës dhe të ngrohtësisë, dritës së shpirtit, ngrohtësisë së zemrës; Vatrën që edhe sot e kësaj dite edhe pse e plakur në moshë, është më e re se kurrë.

Në nyjën e parë të Kanunores së Vatrës, shënove si detyrë të parë të sajën: “Të ritë në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës, dhe me  anë të tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës  në mes të tyre edhe të dashurisë për kombësin’ e tyre . . .”

Në farkën e Vatrës u kalitën vargane pas varganesh luftëtarë të rinj si Kosta Kotta, Naum Cere, G.Konda Gjoleka, Efthim Natsi, Ilo Zografi, Vani Çekani, Thoma Nassi, etj., brezni pas breznie, deri në ditët tona.

Vëllezër, të mos i harrojmë këto emra, por t’i kujtojmë e t’i mbajmë në shpirt se na ndriçojnë, t’i ruajmë në zemër se na ngrohin. Këto emra janë të madhërishëm, t’u përulemi; janë të shkëlqyeshëm, të ndriçohemi, janë të përjetshëm, t’i ndjekim !

*   *   *

Konica, shpirti i demokracisë dhe Vatra

Ndërgjegjja koniciane – esencë shqiptare e shpirtësuar në Europë – aq e pasur në përmbajtjen e saj, duket se një ndër dimensionet kryesore pati demokracinë: demokracinë në ideal, demokracinë në formim, demokracinë në veprim. Prandaj, atdhedashës në zemër, liberal në shpirt dhe demokrat në bindje, siç qe, Konica e quajti veten të përgjegjshëm për të mëkuar e mbrujtur parimësinë dhe edukatën demokratike në shpirtin vatran dhe në atë shqiptar, në përgjithësi.

Përgjegjshmërinë për ta njëmendësuar shpirtin demokratik në ndërgjegjet shqiptare, ai e realizoi në dy rrugë: në punën e drejtpërdrejt në gjirin e “Vatrës”, dhe duke ndikuar në gjendjen e Shqipërisë. Konstatimi i parë që bëjmë në këtë rrafsh është ky: “Vatra” u konceptua dhe funksionoi si organizatë thellësisht demokratike; ajo u formësua si shkollë e mësimit dhe e stërvitjes demokratike. Qe shpirti demokratik i udhëheqësve të saj, sidomos i Nolit dhe i Konicës, që frymëzoi jetën, tharmoi bëmat, jetësoi sukseset dhe skaliti historinë e saj aq të frytshme e pozitive për historinë tonë kombëtare.

Dy janë kushtet e karakterit demokratik të një organizme shoqërore: ligjëshmëria e miratuar demokratikisht dhe rigoroziteti i plotë i zbatimit të saj. Rregullorja dhe zbatimi i saj me përpikmëri kategorike në kohët e arta të jetës së “Vatrës” dhe, në njëfarë mase, edhe më vonë, përbëjnë dëshminë më të qartë e më të plotë të strukturës ndërtimore dhe të veprimtarisë demokratike të kësaj organizate. Në nyjën 73 të Kanunores dhe Rregullores së saj, thuhet: “Çdo njeri që pranon të jetë anëtar i Vatrës zotohet t’i bindet Kanunores dhe Rregullores pa nonjë bisedim”.

Për konkretizim të jetës demokratike të “Vatrës” mund të sjellim këtu ndonjë shembull nga organizimi i kuvendeve. Kuvendi ishte organi më i lartë vendim-marrës i Federatës. Në kuvend zgjidhesh komisioni qëndror që drejtonte veprimtarinë e “Vatrës” në hapësirën kohore mes dy kuvendeve. Kuvendet bëheshin çdo vit, zakonisht në muajin e korrikut, dhe zgjasnin disa ditë. Në kuvend mblidheshin delegatët e zgjedhur nga degët, simbas udhëzimeve strikte të kanunores. Mbledhja hapej nga kryetari i “Vatrës” dhe më pas zgjidhej drejtuesi i kuvendit (chairman-i), sekretari, kontrollorët dhe reporteri. Drejtuesi i kuvendit ishte i plotfuqishëm. Me interes për karakterin e funksionimit demokratik të kuvendit është fakti që në të merrte pjesë komisioni qëndror i “Vatrës”, por pa të drejtë vote, e cila i takonte vetëm delegatëve. Komisioni “munt të marrë pjesë në bisedimet vetëm për të dhënë shpjegime”, thuhet në nyjën 36, f. 8. Drejtues i kuvendit të vitit 1916 u zgjodh Kosta Isak dhe sekretar Ndreko Stavrua. Siç na e tregon Gurrazezi në “Historinë e Federatës”: “Në sesionin e katërt u ashpërsuan bisedimet dhe delegatët kërkuan daljen e zyrtarëve të Vatrës (d.m.th., të komisionit qëndror; sqarimi im, A.Ç.) dhe të Kristo Dakos jashtë nga kuvendi, q’ashtu të bisedojin në qetësi.” Kështu u nxorën jashtë kryetari dhe themeluesi i “Vatrës”, Fan Noli, bashkë me anëtarët e tjerë të komisionit qëndror dhe Kristo Dako, delegat i degës nr. 10, Southbridge, Mass. Në këtë kohë Noli dhe Dako kishin mosmarrëveshje me njëri-tjetrin për probleme të ndryshme, sidomos të orientimit dhe veprimtarisë politike të “Vatrës”, dhe Dako kishte ambicie për t’i zënë vendin Nolit. Ata u thirrën të bënin pjesë në mbledhje vetëm mbasi u krijua atmosfera e nevojshme për vazhdimin normal të punimeve. Në fund, kuvendi zgjodhi si kryetar Vatre Kolë Tromarën. Duke folë me admirim për funksionimin demokratik të kuvendeve, Gurrazezi ka shkruar në “Dielli” në v. 1974: “Ahere kish vërtet rregulla parlamentare në Vatrë”.

(E themi këtu, ndër thonjëza që në jetën e “Vatrës” herë pas here i kushtohej rëndësi edhe anës ceremoniale të veprimtarive. Mbas përfundimit të Kuvendit të v. 1917, i cili zgjati 12 ditë dhe u zhvillua në 19 sesione, “Komisioni i vjetër – siç na e tregon Gurrazezi, – i dorëzoi zyrat e Vatrës Komisionit të ri . . . Kur u bë cermonia e dorëzimit të zyrave kryetari i vjetër i dorëzoi Flamurin e Vatrës kryetarit të ri, dhe mbajti një Fjalë të shkurtër. Kryetari i ri u përgjigj kështu: ‘Z. Kryetar: Flamurin që më jipni sot në dorë përpara këtyre zotërinjve dhe shokëve të nderuar është i vetëmi që valon kryelartër dhe i patundur nga fortunat armike dhe nga rebeshi i Luftës Evropiane, i vetëmi dhe m’i shtrenjti Flamur i lirë mi të vetëmen fortesë kombëtare të çelniktë t’ Amerikës. Flamurët dhe fortesat e tjera kombëtare brenda dhe jashtë Shqipërisë kanë rënë dhe i kemi qarë njërën pas tjatrës pa ngushëllim. Po ky s’ka rënë dhe as që do të unjet kurrë sa kohë që rron një Shqipëtar në këtë Republikë të madhe, edhe Ky Flamur do t’i përmbledhë, do t’i organizojë dhe do t’i udhëheqë forcat kombëtare të arratisura në luftën e shenjtë për të çliruar dhen’ e stërgjyshërve. Lufta e këti Flamuri, e kësaj fortese dhe e ushtarëve trima të saj do të mos pushojnë gjer sa të ngulet shigurisht dhe të rrënjoset i paçkulur në Shqipëri Flamuri i Skendërbeut . . . ”. Shënojmë këtu që kryetari i vjetër qe Kolë Tromara, kryetari i ri që u zgjodh në këtë kuvend qe Fan Noli.).

*   *   *

Nënshtrimi ndaj ligjit të vendosur demokratikisht përjashton qëndrimet revolucionare. Në rregullore i është mëshuar një çështjeje të tillë. Aty thuhet, në nyjën 7: “Një njeri që beson në përmbysjen e Guvernës Amerikane me mjete revolucionare, ose kriminale, ose të pakanunëshme në çdo mënyrë që qoftë, nuk pranohet si anëtar i Vatrës; dhe në qoftë se ka qenë pranuar nga lajthimi ose nga mosdija e një zyrtari, emëri i tij do të shuhet nga lista e anëtarëve.” Dhe në nyjën 8: “Një njeri që ka marrëdhënie me revolucionarë, që i përkrah këta me para ose me artikuj ose me konferenca ose me çdo mënyrë tjatër, nuk pranohet si anëtar i Vatrës edhe sikur vetë të jetë njeri i ndershëm e i urtë dhe faji i tij të jetë vetëm një faj moskuptimi. Në qoftë se një njeri i këtillë u-pranua më parë si anëtar i Vatrës, do të shuhet nga lista e anëtarëve.” Po kështu, në lidhje me gazetën “Dielli”, në nyjën 45 thuhet: “Fryma e gazetës do të jetë përparimtare, po antirevolucionare.”

Konsekuenca në parimet demokratike të organizimit shtetëror dhe shoqëror e ka karakterizuar jetën dhe veprimtarinë e Konicës. Nëse Namik Resuli e pati quajtur atë “i pari toskë që trashëgoi mendësinë e një populli evropian”- Qerim Panariti, botuesi i veprës postume të Konicës: “Albania: The Rock Garden of Southeastern Europe and other Essays”, në Fjalën hyrëse: “Faik Konitza: One Man Crusader”, ka shkruar: “Konica qëndroi në Shqipëri gjatë gjashtë muajve të mbretërimit të Wilhelm Wiedi-it, … por refuzoi çdo pozitë qeveritare; megjithëse ai ishte udhëheqësi i parë i Shqipërisë dhe eksponenti më agresiv për një Shqipëri demokratike.” Më poshtë, Panariti na tregon se si Konica “duke diskutuar ndër kafene – në këto mjedise të përhershme politike ballkanase – u fliste shqiptarëve mbi të ardhmen e Shqipërisë, sipas metodës së bisedimit sokratik . . .  Kështu në një rast, ai shpenzoi dy orë duke shpjeguar formën angleze të qeverisjes parlamentare.” Megjithëse larg Shqipërisë, Konica dha një ndihmë vërtet të vlertë në vrullin më të fuqishëm të lëvizjes demokratike të vendit tonë, në vitet 1921-1924, duke mbështëtur me penë luftën e opozitës demokratike, të drejtuar nga Noli, Gurakuqi e Vinjau, kundër qarqeve çifligare-konservatore të kryesuar nga Zogu.

Gjatë këtyre viteve, “Dielli” qe ndaluar të hynte në Shqipëri, pikërisht për shkrimet e Konicës. Përmendim këtu diçiturën e një kartuni të Konicës, botuar në “Dielli”, më 2 qershor 1923, lidhur me zgjedhjet parlamentare – (thirrje që tingëllon aq aktuale edhe sot e kësaj dite, kur Shqipëria është bërë lojë e deputetëve ish-komunistë): “Popull! E ke në dorë shpëtimin t’ënt. Në të pëlqen të vuash nga uria, nga sëmundjet dhe të gjitha të ligat, dërgo në Parlament hajdutët dhe larot. Në dëshëron bukë, shëndet dhe prehje, dërgo në parlament njerës të mirë dhe të pastër”.

Për vrasjen flagrante të tribunit demokrat Avni Rustemi, Konica botoi disa artikuj, në njërin prej të cilëve shkroi: “Vdekja e Avni Rustemit, deputet i vrarë në kryeqytet brenda, nënë syt’ e gjykatores ushtëriake dhe të përfaqonjësve të huaj, shtie një dritë të shëmtuar mbi ndodhjen e punëve në Shqipëri.”

Por kur lëvizja demokratike hyri në rrugë të gabuar, mbas vrasjes së Avniut, ai i kritikoi dhe i denoncoi ashpër miqtë e shokët e tij. “Vatra – shkruan Gurrazezi – i dha përkrahjen asaj guverne (është fjala për qeverinë e dalë nga Lëvizja e Qershorit, shënimi im, A. Ç.) gjer në pikën e fundit, jo se e deshi aqë shumë, po vetëm për hatërin e Fan Nolit që e kryesonte, i cili kish qenë udhëheqësi i dashur i Vatrës. Vatra e këshilloj guvernën të bënte zgjedhje të përgjithëshme q’ashtu të quhesh ‘guvernë legale’ e zgjedhur nga populli, dhe jo revolucionare që hipi në fuqi me forcë . . . Këshilla e Vatrës ra në vesh të shurdhër . . .” Dhe më poshtë: “Vërtet Vatra i dha përkrahjen asaj guverne, po dhe organi i saj nuk ia kurseu kritikat kur e desh nevoja. Për shembull, kur u-muar vesh se në Tiranë po bëheshin lëvizje partish politike të ra nga njerëzit që shkaktuan gjakderdhjen e Qershorit, Dielli botoi një artikull të gjatë dhe të fortë kundra atyre njerësve, të shkruar nga kryetari i Vatrës Faik Konitza me titullin: “Komedia e partive, dhe reziku që qëllon në derë të theaters”. Heqim për ribotim nga ay artikull këto radhë: ‘Nuk është nevojë të shikojmë shemblla në histori të shkruar, arrin të hedhim një sy në historin’ e sotme, për të kuptuar se Shtetet, si njeriu, lindin, riten dhe vdesin, – ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet. Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri, vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vend dhe trembem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vetë-qojturve ‘udhëheqës’ do t’u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varit të saj: ‘U-ngjall nga idealistët, U-ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët”. (Ky artikull, fragmente të të cilit janë bërë proverbiale në kujtesën shqiptare, u botua në “Dielli” më 6 dhjetor 1924).

Luftën kundër krahut konservator e reaksionar të politikës shqiptare në këtë periudhë, ai e zhvilloi edhe në atdhe, kur Vatra nën drejtimin e tij, botoi gazetën “Shqipëtari i Amerikës” (1922-1924), e cila u përpoq të edukonte shqiptarët me principet dhe respektin e dashurinë për demokracinë amerikane dhe institucionet e saj.

Por edhe në qëndrimet e tij ndaj Lëvizjes Revolucionare të Qershorit, tek Konica u vërejtën lajthitje. Kur në ditët e para të fillimit të kësaj Lëvizjeje, Noli i dërgoi “Vatrës” telegramin: “Ushtëria Kombëtare merr masa për çarmatosjen e bashibuzukëve të Tiranës.”, botuar në “Dielli, më 3 qershor 1924, Konica si kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”, i përgjigjet: “Lutemi bëni të njohur ushtërisë kombëtare simpathitë t’ona prej zemre për veprimin patriotik të saj”. Dhe po ashtu, kur nolistët u futën në Tiranë, Konica dërgoi telegramin: “Boston, 12 Qërshor 1924 – Vatra uron ushtërinë kombëtare dhe udhëheqësit civilë e ushtarakë të revolucijes shpëtimtare për suksesin e çkëlqyer…”

Gjithsesi, aq i ashpër dhe arrogant kur shfrynte kundër politikanëve konservatorë, aq tolerant qe në mbrojtjen e parimeve demokratike. Më 11 mars 1924, me rastin e atentatit kundër Zogut, ai i dërgoi këtij të fundit këtë telegram: “Mora vesh lajmin e të shtimunit për vrasjen tuaj. Ndonëse kundërshtar politik, gëzohem për së tepërmi që shpëtuat.”

Marrëdhëniet e Konicës me Zogun më vonë karakterizohen, gjithashtu, nga parimësia demokratike dhe interesat e atdheut. Kur erdhi për herë të dytë në Amerikë për të marrë drejtimin e “Vatrës”, në v. 1921, ai filloi një fushatë të egër kundër Zogut dhe klikës së tij, që mbas 1920-s kontrollonin plotësisht Shqipërinë. Por Konica, që u kishte sugjeruar atdhetarëve shqiptarë që ngritën flamunrin dhe shpallën pavarësinë  “të mos krijojnë një shtet oriental”, “të mos ngrenë një Turqi të vogël në Shqipëri”, “të mos ngrenë një bina të re me qereste të vjetër”, e shihte me dhimbje të thellë në shpirt se “mbeturinat e Turqisë u kthyen në Shqipëri, u shtruan këmbëkryq në kolltuqe dhe filluan të çqeverisin Shqipërinë sikurse kishin qeverisur Turqinë më parë.”

Kur Zogu në vitin 1925 u bë president, Konica u vu në shërbim të tij. Motivacioni: Zogu na mundi ne dhe luftën tonë dhe, si rrjedhim, të vazhdojmë luftën kundër tij nuk ka kuptim dhe, ajo që është më e rëndësishme, nuk është për të mirën e vendit. Për këtë qëndrim, shumë atdhetarë demokratë, antizogistë e antimonarkistë, e denoncuan. Panariti, duke iu qasur këtij problemi, ka shkruar: “Në mbrojtje të tij, njeriu mund të shtojë që ai kishte iluzionin se mund të ishte një faktor frenues i regjimit tiranik të Zogut. Fatkeqësisht, influenca e tij mbi Zogun qe relativisht asgjë. Por, kur u shpall Zogu mbret, ai edhe pse ishte në shërbin të tij dhe vazhdonte të përfaqësonte Shqipërinë në Amerikë, e shprehu haptas pakënaqësinë e tij.

Marrëdhëniet e tij me Zogun dhe vlerësimin e tij për monarkun, Konica i ka treguar në esenë: “Farewell to Zog’s Albania”, botuar nga Panariti në librin: “Albania: The Rock Garden of Southeastern Europe and Other Essays”. Me interes për problemin që po trajtojmë është biseda mes Konicës dhe Abdyrrahman Krosit, që shoqëroi motrat e Zogut gjatë vizitës në Amerikë, në v. 1938. Ndër të tjera, Konica i thotë: “I thuej mbretit që sido qofshin kritikat e mia për regjimin e tij, ato do të mbetën brenda për brenda rretheve shqiptare; jashtë tyre, unë do të mbroj regjimin me gjithë aftësitë e mia. Unë do të vazhdoj t’i shërbej mbretit me besnikëri dhe me vullnet, sepse unë e përfaqësoj atë dhe sepse ai është kryetari i shtetit shqiptar. Por personalisht, unë kam përbuzjen më të thellë për karakterin e tij.” Dhe më poshtë Konica i tregon bashkëbiseduesit arsyet e opinionit të tij ndaj Mbretit, duke e karakterizuar atë me epitetet më të ulëta; për të cilat nuk po zgjatemi; por po shtojmë këtu se për Konicën: “I gjithë mbretërimi i Zogut nuk qe asgjë tjetër përveç një karnival i gjatë me një fund tragjik”.

Dimensioni demokratik i ndërgjegjes së tij e çoi Konicën natyrshëm drejt antikomunizmit. Ai qe kundërshtar kategorik i komunistëve dhe e kuptoi që heret dëmin që do t’i sillnin ata vendit tonë, prandaj ai i denoncoi me forcë. Ai e pati të qartë gjithashtu që mbas kësaj doktrine mashtruese e antidemokratike fshiheshin ambiciet politike pansllaviste. Dhe një nga shkaqet që u prish për disa kohë me shokun e bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Fan S. Nolin, qenë edhe simpatitë e këtij të fundit për komunistët rusë dhe Rusinë e sovjetëve.

*   *   *

Ne e përkujtojmë sot me ndjenjë të thellë mirënjohjeje, jo vetëm për të mos e harruar, por më së tepërmi për t’u ndriçuar nga mendimi i tij, për t’u ngrohur në zjarrin e dashurisë së tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe për t’u kalitur në vullnetin e bëmave të tij. Ai është e do të mbetet për një kohë të gjatë aktual me evropianizmin e tij luftarak. Ndërgjegjja shqiptare ka dhe do të ketë në të ardhmen nevojën e mësimeve të tij.

“Shpirita” që ai i blatoi “Vatrës” dhe gjithë Shqipërisë do të jetë e pranishme gjithnjë në ndërgjegjen tonë; ajo do të na dritësojë kur ta lexojmë; do ta vlerësojmë kur të dritësohemi prej saj; dhe kur ta vlerësojmë do ta ndjejmë thellë, do ta duam dhe ta bëjmë tonën. Asnjë nuk do të mund të kuptojë vitytet dhe veset e shqiptarit pa e lexuar Konicën, asnjë nuk do të mund të depërtojë thellë në hiset e errëta e të ndiçuara të ndërgjegjes së shqiptarit dhe t’i kuptojë hallet e tij pa e lexuar Konicën, asnjë nuk mund të ketë vizion të qartë evropian për të ardhmen e Shqipërisë pa e lexuar dhe rilexuar Konicën.

Referencat:

Për t’iu shmangur referimeve të shumta, po jap vetëm botimet tek të cilat jam mbështetur për këtë studim:

1.“Kanunore dhe Regullore e Federatës Pan-shqiptare VATRA”. Shtypur në shtypshkronjë të VATRËS në Vjeshtë të Dytë 1926; rishtypur dhjetor 1954; shtator 1995.

  1. Refat Xh. Gurrazezi: “Historia e Federatës Vatra”, botuar në “Dielli” nga dt. 29 mars 1972 deri më 28 nëntor 1975. E papërfunduar.
  2. “Albania: The Rock Garden of Southern Europe and Other essays by Faik Konitza”, Edited and Amplified by G. M. Panariti, 1957.

4.Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra: “Faik Konitza 1876 – 1976”. Botuar në New York, 1976.

  1. Prof. Dr. Jup Kastrati: “Faik Konica” (Monografi); Gjonlekaj Publishing Company, New York, 1995.
  2. “The Albanian Struggle in the Old World and New”, compiled and written by members of The Federal Writers’ Project of The Works Progress Administration of Massachusetts. The Writer Inc. Publishers Boston – 1939.
  3. Qerim Panariti: “Albumi II i Hirësisë Tij Peshkop Fan S. Noli dhe biografi kronollogjike”, Boston, Massachusetts, 1966.
  4. “Faik Konitza – Selected Correspondence 1896-1942”, edited by Bejtullah Destani, published December 2000 by The Centre for Albanian Studies.
  5. Agjencia e Publicitetit “Klik”: “Fletore për Konicën”.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, ne kujtim, TË FAIK KONICËS

Thërrime urtije

December 11, 2018 by dgreca

Thërrime urtije/

3-anton_cefa

Nga Anton Çefa/           

“Gëzimi i jetës është gëzimi i qenies, i njohjes nga të tjerët dhe i njohjes së të tjerëve në veten tonë.”

Francis Jeanson

“Përvoja më e bukur që na është dhënë është misteri i jetës: ndjenja e thellë që gjejmë në rrënjët e artit të vërtetë dhe shkencës së vërtetë. Mospërfillja e tyre humb sensin e mahnitjes e të mrekullisë, do të thotë gati të vdesësh, të mos shikosh.”

Albert Anshtajn

“Nuk dialogohet për të arritur fjalën e fundit, por për të zbuluar së bashku të vërtetën dhe të drejtën.”

Jean  Lacroix

“Nji dialog i vërtetë është një sforcim i përbashkët për të hyrë në mendimin dhe në ndjenjat e tjetrit, me kuptue me të pamë njerin prej të tjerëve, me i dhanë unin të tjerëve dhe me u pasunue reciprokisht.”

Albert Dondeyene

“Elementi më nxitës i jetës sonë nuk është njohja e së ardhshmes, por të ndihmojmë për ta realizuar e për ta dalluar përballë nesh, të pallogaritshme në plotninë e saj. Vetëm e tashmja është reale. Siguria absolute e një të ardhmeje mund të grabitet nga e tashmja. Vetëm duke pranuar përgjegjësinë për të tashmen, mund të bëhemi përgjegjës për të ardhmen.”

Karl Jaspers

“Na njerëzit e sotëm jemi njerëzit e parë në gjendje për të dominuar Apokalipsin, prandaj jemi edhe të parët për ta pësuar pa pushim kërcënimin e tij.”

Günther Anders

“Vetëm kur njeriu nuk njeh lëkundje dhe nuk i harxhon forcat në shumë drejtime, vetëm atëherë vullneti i tij mund të bëjë mrekullira.”

Stefan Cvajg

“Mënia zhgatrron e dërmon; dashtnia e bazueme në drejtësi nderton. Ideja është më e fortë se shpata. Tagri (e drejta,  shënimi im A. Ç.) më e fortë se dhuna.”

Imzot Gasper Thaçi

“Destinacioni i vërtetë i njeriut si bashkëkrijues i universit është dinjiteti dhe madhështia e tij.”

Alfred NorthVitchead

“Dinjiteti njerëzor . . .  rrjedh nga një sens pavarësie.”

Maria Montessori

I vetmi lloj dinjiteti gjenuin (origjinal, shënimi im A. Ç.) është ai që nuk zvogëlohet prej indiferencës së të tjerëve.”

Dag Hamarskjold

“Dinjteti nuk është i diskutueshëm.”

Vartan Gregorian

“E mira e parë e nji populli është dinjiteti i tij.”

Camillo Benso di Cavour

“Hapi i parë në evolucionin e etikës është nji sens i solidaritetit me njerëzit tjerë.”

Albert Sehxeitzer

“Shpirti ynë asht plot nostalgji për diçka ma të naltë e ma të ndritshme.”

Gëte

“Ata që nuk kujtojnë të kaluemen janë të dënuem ta përsërisin atë.”

Xhorxh Santayana

Filed Under: Kulture Tagged With: Anton Cefa, Thërrime urtije

Pikëzime etnopsikologjike të Mid’hat Frashërit

November 11, 2018 by dgreca

1 anton_cefa

Nga Anton Çefa/

“Tipike për shqiptarin është individualizma, vetmimi, uni-primitiv. Historia, mënyra e rrojtjes së gjermësotme, e ka ndaluar shqiptarin të mendojë përgjithësisht për shoqëri dhhe për komb. Individualizma ka qenë tepër e fortë në shpirtin e tij: vetëhen dhe kasollën i ka pandehur qendra e botës dhe strumbullar të gjithësisë.  Un-i ka qenë pika në të cilën mblidhesh bota e tërë. . . . Ky mentalitet i trashëguar . . . na ndalon të mendojmë dhe të kuptojmë se lumturia individuale vjen prej lumturisë së përbashkët dhe se lumturia e përbashkët, kërkon punim të përbashkët.”

***

“Shqipëria, ashtu si të gjitha vendet e tjera ballkanike, është habitat i një populli me pasione të forta politike dhe gati për veprim.”

***

“S’është vetëm varfëri e vendit që e shtyn shqiptarin të arratiset në vende të huaj: është më tepër fryma e tij aventureske. Gjer më dje venin trimat për një mexhitkë në muaj dhe linin ështërat e tyre në Jemen, në Gjirit a në Mosull. Sot kemi kurbete të tjera, Rumani, Bullgari, Amerikë, Misir . . . dhe duke ikur ne, vendi mbetet i shkretë. Kur kthehemi nga kurbeti, më nuk e pëlqejmë Shqipërinë, se u mësuam në Bukuresht, në Misir, në Nju Jork dhe harrojmë, s’duam të mejtohemi se vendi ynë vetëm me përpjekjet tona mund të zhvillohet e të zbukurohet si ato.”

***

“Shqiptarët nuk shkrihen kaq thjeshtë në popullsitë midis të cilave ata vendosen.  Për këtë dëshmojnë kolonitë e shumta, të cilat kanë ruajtur gjuhën e tyre, zakonet dhe doket. Do të përmendja sidomos kolonitë e vogla të Asma Keuz (ishulli i Marmarasë), shtatë fshatra pranë Adrinopojës, tre fshatra në Besarabi, Borgo Erico, pranë Zarës (Dalmaci). Kam njohur njerëz nga këto lokalitete dhe jemi marrë vesh shumë mirë në shqip.”

***

“Këtë kujtim të origjinës, këtë lidhkë të besës së të parëve, arbëreshët e kanë mbajtur të gjallë dhe të fortë, kanë qenë madhështorë të kujtojnë se janë bijtë e Shqipërisë; s’e kanë harruar se gjaku, i cili rrjedh në rrembat e tyre, është tërë ai gjak që ziente në kraharor të heroit Kastriot.”

***

“Karakteri i shqiptarit nuk është i prirur ndaj armiqësisë; vëzhgimet që kam bërë, më detyrojnë më tepër të pranoj se ka më shumë shpirtmadhësi sesa në cilindo popull fqinj. Gjatë revoltave të tyre kundër turqve, gjatë grindjeve të tyre me grekët dhe serbët, shqiptarët kanë treguar bujari e zemërgjerësi, të cilën gjithmonë kundërshtarët e tyre e kanë shpërblyer me tradhti dhe mizori të ftohtë.”

***

“Autori i këtyre rreshtave (thotë Mid’hati për vete, në veprën “Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë”, botuar në vitin 1919. A. Ç.), ka kaluar shtatë vjet më parë nga Gjakova në Mirditë, nëpërmjet Urës së Vezirit përmbi Drin. Në mes të urës, takoi një shqiptar rreth të pesëdhjetave, që po vinte kaluar drejt nesh, mbasi ishte lajmëruar se një i huaj po kalonte në afërsi të shtëpisë së tij. Dashamirësi ynë na ftoi për ta kaluar natën në shtëpinë e vet ose, të paktën, të hanim një kafshatë bukë me atë. Ne ishim me ngut dhe nuk dëshironim të humbnim kohë, por ai nguli këmbë dhe na tha: ‘Në rast se ju nuk pranoni të jeni miqtë e mi kur kaloni fare pranë shtëpisë sime, unë nuk do të kem asnjëherë nderin t’ju pres në shtëpi, sepse ju me siguri nuk do të kini rastin që të kaloni përsëri nga kjo rrugë’. Ne u detyruam të pranonim ftesën.

***

Është e njëjta ndjenjë që e bën shqiptarin të mos pranojë ryshfet, sepse jo vetëm që miku nuk duhet të paguajë kurrë, por është një gjë akoma më e rrallë që një shqiptar të pranojë shpërblim për shërbimin e tij, kur atë e ka bërë për respekt ose për miqësi.”

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Pikëzime etnopsikologjike, të Mid’hat Frashërit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT