• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Muri ishte gjithmonë aty

December 27, 2016 by dgreca

Foto nga Anton Marku 2

Shkruan: Anton Marku/Vjenë/ Edhe këtë herë, si dhe gjithmonë përgjatë historisë, po dëshmohet se luftërat nuk mbarojnë atëherë kur ndalen. Ato vetëm trasformohen në beteja të reja. Ky është rrëfimi për atë se si dështoi tentimi për tëbashkuar një shtet duke ndarë një qytet./

1-muri-mitrovices

Ura (parahistori)

Në fillim, menjëherë pas fjalës, ishin ata. Jetuan shekuj të tërë pranë e pranë pa i besuar njëri-tjetrit asnjëherë gjer në fund. Flisnin gjuhë të ndryshme, nuk lidhnin krushqi mes vete dhe as që ëndërronin njësoj. Vetëm legjendat dhe këngët i kishin të ngjajshme. Shumica të huazuara nga fqinjtë. Megjithatë, i njëjti shi i lagu, i njëjti dielli i poqi, pinë nga të njëjtat burime. Pa arritur asnjëherë të bëhen armiq. Ashtu klasikë. Që të kuptonin më mirë gjuhën e lumit, dikush u tha se do ishte mirë të ndërtonin një urë. Ai që foli i pari nuk u tregoi se për të duheshin të dy anët. Dhe as që i dha emër. Atë ja dhanë vet ata që e ndërtuan. E quajtën ‘‘Ura Jonë’’. Dhe erdhi koha kur njëra palë u plak. Tjetra u rrit. Në anën e erës shtoheshin arkivolet. Në atë të detit djepat. Për një moment u bë ngushtë. Edhe pse tokë kishte mjaft, disa nuk mund të ndaheshin aq lehtë nga dheu. Të tjerët filluan të hyjnë në të. Me trup. Tek koka u vinin nga një gur. A kryq.

Këtu e gati njëzet vjet më parë i ishte afruar shpesh vdekjes por ajo nuk e deshi. U tha se ajo kishte të drejtë në jetë por jo dhe në vdekje. E liga i donte të vdekura ëndërrat, jo urën. Dhe pothuajse ja arriti. Ishte kjo koha kur nëpër të kalonin vetëm qentë endacakë, ndonjë nga të çmendurit e zakonshëm të të dyja anëve të qytetit dhe eventualisht ndonjë i huaj. Shpesh me dyftyrësi të paftyrë. Ajo i mbijetoi luftës së fundit dhe nuk e pati fatin e urës së Mostarit që të hidhet në erë apo një fshati të Srebrenicës që mbeti e shkretë pasi që nuk kishte më njerëz që do kalonin mbi të. Nga asnjëra anë.   Ku ka ura ka dhe mure. Vetëm se ata janë të padukshëm. Ata janë në kokat e njerëzve. Në kokat tona. Dhe të tyre.Deri tani është besuar se jo gjithçka është e humbur. Ka ardhur dita që të mos besohet më.

 Kthimi në realitet

Që nga paslufta, asnjëra palë, as ajo kosovare, as ajo serbe, e aq me pak bashkësia ndërkombëtare, nuk ishin të interesuara që të evitonin konfliktet e mundshme që mund të ndodhnin në të ardhmen, të zgjidhnin mosmarrëveshjet aktuale dhe të gjenin një rrugë të ndërmjetme për pajtim dhe paqe të qëndrueshme. Fjala kompromis nuk egzistonte në fjalorin e tyre edhe ashtu të vobektë negociator. Për më tepër ato ishin mëshumë të fokusuara në pozicionim dhe ripozicionim përpara procesve tjera, që si rrjedhojë do të mund të sillnin ndonjë hap më përpara në integrimet evropiane. Dhe ndodhi ajo që ndodhë gjithmonë pas lojërave të tilla. U krijua një hendek mosbesimi edhe më i madh se më parë. Tani as lutjet as kërcënimet nuk bëjnë më punë. Përfaqësimi nuk do të thotë automatikisht edhe përfshirje. Integrimi nënkupton inkuzion, jo vetëm sipërfaqësor por dhe përmbajtësor. Një ofertë serioze për serbët e veriut të Kosovës, pos për politikanët e tyre, mungoi për shumë vite. Në disa raste, atyre ju dha zëri por jo dhe mundësia e kontributit, e cili, ç’është e vërteta, do duhej të ishte i sinqertë dhe i pakushtëzuar, në proceset dhe sfidat nëper të cilat po kalonte vendi. Ata disi u lanë jashtë. Po ashtu duhet thënë se edhe nga ana serbe refuzimi ishte fjalë pothuajse e përditshme. Ashtu si dhe injorimi dhe cinizmi nga pala tjetër.

Aktualisht, megjithë nisjen dhe vazhdimin, së paku deklarativ, të dialogut nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ajo që është arritur në këtë aspekt është pothuajse baraz me pak më shumë se asgjë. Për mëtepër, me apo pa dëshirën e saj, Kosova po shkon drejt jetësimit të njërës prej dy koncepteve: a) krijimin e një shoqërie multietnike (minus serbët) dhe b) krijimin një sistemi monoetnik, i dominuar absolutisht nga populli shumicë, atij shqiptar në këtë rast. Pritjet e bashkësisë ndërkombëtare ishin (dhe mbase ende janë) transformimi i saj në një shoqëri moderne, në të cilën të gjithë qytetarët e saj, të cilët e konsiderojnë atë si atdhe të tyre, të kenë  mundësi dhe shanse të barabarta për jetë të qetë dhe prosperitet individual dhe grupor. Së pari me nënshkrimin e pastaj zvarritjen apo bojkotimin e zbatimit të marrëveshjve të arritura, disa më shumë e disa me pak, të gjithë po dëshmojnë se mbase në teren duhet të ndodhin ndryshime thelbësore, të cilat do njihnin një realitet të ri, i cili tashmë është vetimponuar. Në këtë ekuacion opcioni i tretë duket i largët.

 Një kaptull i ri

Ata që ende i kanë të mbathura çizmet e luftës e kanë të vështirë të kthehen anash e të bëjnë një gjysmërreth. Rrotull vetes dhe të tjerëve. Veriu dhe jugu i vendit ka 17 vite që nuk komunikojnë mes vete. E tëra qëata bëjnë është shkëmbimi i informatave. Asgjë më shumë se kaq.

Për të dalë nga ky rreth vicioz duhet dhe pak kokë. Jo vetëm muskuj.

Veriu po vazhdon të përballet me një utopi reale në të cilën protagonistët po përpiqen të parashikojnë se si do të mund të duket e ardhmja. Në anën tjetër politikanët kishin raste të panumërta të dëshmojnë se politika u shërben nevojave të (gjithë) qytetarëve, jo vetëm të tyre. Në vend të kësaj fitohet përshtypja se ata po provojnë të ndryshojnë të kaluarën pasi që të tashmen nuk po kanë sukses. Në të vërtetë ata luajnëbixhoz nën moton ‘‘të fitojmë sa më shumë duke humbur sa më pak’’. E në këtë lojë nuk do ketë fitues. Përkundazi, të gjithë do jenë humbës.

Fakt i cili vështirë se mund të mohet është e dhëna se Kosova kopjoi strategjinë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila vendosi stablitetin para demokracisë dhe mirëqenies. Edhe qeveria kosovare, për sa i përket veriut, përdori dhe vazhdon të përdorë këtë kartë. Me shumë se gjithçka tjetër asaj i intereson që atje të mos shënohen incidente ndëretnike. Për të tjerat nuk duket se shpreh ndonjë shqetësim. Rezultat i kësaj politike, nëse vazhdohet me këtë qasje dhe ritëm, në shtigje afagjata, mund të jetë: ashtu siç Serbia e humbi definitivisht Kosovën, edhe Kosova rrezikon të mbetet pa veriun e saj. Në këtë kontekst duhet pranuar se, në një formë apo tjetër, kjo pjesë.

Vjenë: 27 dhjetor 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Marku, gjithemone, Muri aty ishte

Kulla e PISE-s

December 10, 2016 by dgreca

1-anton-markuShkruan: Anton Marku/Vjenë/

Që nga shpallja e Pavarësisë Kosova përjetoi shumë ‘‘ditë historike’’. Disa as që ishin ‘‘ditë’’ pasi që ngjarjet ndodhën pas perëndimit të diellit, e një mori e tyre nuk kishin asnjë lidhje me definicionin ‘‘historike’’. Dita e komunikimit të rezultateve të testit ndërkombëtar PISA bën pjesë në njërën ndër ato ditë vërtetë historike. Kësaj radhe jo brenda thonjëzave. Dhe pa fusnotë… Për më shumë lexoni tregimin në vazhdim.

 Prolog

Atë mëngjes Kosova gdhiu njësoj si në 17 vitet e fundit: krenare me të arriturat e deritanishme, si në planin e ‘‘jashtëm’’ (integrimet euro-atlantike) ashtu dhe në atë të brendshëm (shtet i mirëqenies në shërbim të qytetarëve). Duke qenë të lodhur nga temat madhore, për të cilat ka kohe që ‘‘kapen’’ edhe ‘të kapurit’’ e edhe ata që do donin të ishin të tillë por që ende nuk u ka ardhur radha për tu ‘‘kapur’’, për befasi të të gjithëve, mediat filluan të raportonin se sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, e cila vitin e kaluar organizoi Testin Ndërkombëtar të Vlerësimit – PISA, dhe atë në 72 vende të botës, Kosova po përmendej çdokund. Jo dhe aq për të mirë. Për më tepër, për vendet e fundit në këtë listë që me stocizëm po i mbante.

Loti

Ministrit të Arsimit të Kosovës, i cili për ironi, ka emrin Arsim, për herë të parë pas shumë vitesh ju skuq fytyra: -‘‘Eu’’-tha me vete-‘‘çka na u desht të pranojmë të testohemi nga të huajt. Më mirë ta kishim bërë vetë dhe këtë. Në mënyrën tonë. Ashtu siç dijmë ne: me kopje, shënime, postime në facebook-a, telefona mobil e me gjëra të tjera. Ma kishte thënë gjyshi, ndjestë pastë, se këta të huajt vetëm fatkeqësi ndjellin. Dhe sjellin. Tash do më ngatërrohen reformat që sapo kisha filluar. Në të vërtetë ato i kisha nisur kur isha rektor në Universitetin e Prishtinës, këtu e katërmbëdhjetë vite më parë, por që seriozisht po zbatohen vetëm që nga ardhja ime në këtë post. Sa  të pashpirt që janë! Duan të më prishin imazhin! Po si nuk e shtyen shpalljen e rezultateve? Së paku deri pas përfundimit të mandatit tim. Nejse, në konferencat për shtyp do deklaroj se, në krahasim me vendet e rajonit, aty diku jemi. Shpresoj që gazetarët nuk do të kujtohen të më pyesin:-Ku aty?. Nëse po, gjuhën do e përdredhë në të katër anët e botës, derisa loti të më dalë, por fjala ‘‘aty në fund’’ nuk do dëgjohet nga goja ime’’.

Turpi

Drejtoresha e arsimit e komunës së Prishtinës sapo kishte pirë kafenë e parë në lokalin përballë drejtorisë, kur i cingërroi telefoni. Dukej se ishte diçka shumë me rëndësi. Nga zhurma e makinave nuk i dëgjoi të gjitha që bashkëbiseduesi i tha andej linjës. Kuptoi vetëm ‘‘Pica’’. ‘‘-O jam lodhë me pica çdo ditë! Boll ma! Boll! Nuk due bre! Qe, për inat nuk du! Sot jo! Sot për drekë kisha hangër diçka ma vendore. Naj pite për shembull!Më vonë, raportin e saj për gjendjen aktuale në fushën që mbulon e përfundoi me një thënie që ju kujtua në çast: ‘‘Nuk është turp të biesh, turp është të mos mundohesh të ngritesh’’.

Pagat

Valbona shikoi edhe një herë veten në pasqyrë. Të kuqtë e buzëve po i rrinte për mrekulli. Së paku kështu i dukej asaj. Zingjiri i qafës dhe ai i dorës kombinoheshin bukur me vathët e arit. Fustani i ngushtë, pak i hapur në mes, i vinte në pah gjithë linjat që i kishte dhuruar natyra. Ndërkohë, në ekran po emitoheshin lajmet e orës dhjetë. Shoqëria civile po kritikonte mësimdhënësit për rezultatet e dobëta në një testim ndërkombëtar. -‘‘Uh, bre!-tha me zë:- Çka ish kanë qikjo civilja shoqërore, zhugë na është bo. Veç me shajtë dijnë. Thu se u ba nami. Asnjiherë nuk pysin se çka jemi tuj hjekë na, kuadri msimor. Prej trajtimit në trajtim (sigurisht Valbona ka dashur të thotë: nga trajnimi në trajnim, vrj.ime), gunjtë na u shkyen e kurkush nuk po na e din për nder. Ani se shumë rroga të mdhja po marrim. As për shminka e aj-fon (I-Phone) nuk po na dalin e le ma për naj sen çetër. Që, unë i shita krejt librat që i pata në biblotekën e shpisë, e me ato pare as një javë pushim të hajrit nuk mrrina me e ba në Antali. Të tjerat m’i shtoj nja i ngjofshëm, baba i ni nxansi tem’’.

Kulla

Enveri, një pesëdhjetëvjecar dhe prindër i dy fëmijëve që vijojnë mësimin në njërin nga kolegjet private, po bëhej gati të dalë në pune. Edhe ai, si dhe shumica e punonjësve të qeverisë del në punë. Nuk punon. Për atë paguhet. Në zyrë arriti pak para mesditës. Në tavolinën që ende vazhdonte të quhej ‘‘e punës’’ tashmë, si dhe dje e pardje, ishin vendosur raki e meze. As kafja nuk mungonte. E shpisë. E zezë. Turke. Papritmas, dikush nga kolegët pyeti:

-Ej njerëz, a dëgjuat more për PISE-n?

Enveri, si më i dituri nga të gjithë, pasi që pas luftës ja kishte dalë të merrte një master në universitetin e Tetovës, një tjetër në Tiranë (aty ke ‘‘Vitrina shop’’) si dhe, siç u mor vesh më vonë, një natë (në fakt në mesnatë) i ishte betuar bashkëshortes se nuk do të mbyllte sytë pa e marrë dhe atë të universitetit të Sheffild-it në Greqi, ashtu si dhe kryeparlamentari, nuk priti shumë shumë dhe u përgjigj:-More se ajo kullë në Itali ka qenë e shtrembër e di, por që paska rënë përtokë nuk e paskam ditur. Mbase ky lajm më paska ikur nga leximi që i bëra këtë paradite gazetës ‘‘Washington Post’’.

PISA-t

Sapo ra zilja e shkollës. Turni i tretë kishte dhe dy orë të përfundonte. Ibrahimi dhe Muja, të dy nxënës të klasës së tetë të ciklit të ulët ‘‘të lartë’’ u ndalen në koridor dhe ndezën dhe nga një malboro të gjatë. Të pestëmbdhjetën sot.

-Na more, mos u ngut! Kemi kohë. As profesori nuk vjen në klasë pa e bërë ‘‘selfije’’ me ndonjë mësuese!-foli i pari.

-Nuk po ngutem fare! More, aq më bën për letërsi. As për matematikë. As për shkencë. Ani më ekzakte. Si të matësh kohën me metër.  Por, po më vjen inat, shoku, me këta pisat e PISA’s. Edhe unë isha në test. Si nuk ishte e mundur bre vlla të kopjohej asnjë pyetje?! Asnjë e vetme. Në këto testet tona gjithmonë isha i pari. Kjo pak falë dijes së ‘‘gjithanshme’’ e më shumë fletave A4 të fshehura, miniskriptave, celularit e formulave të shkruara me laps kimik nëpër trup. Tek këta nuk më lanë as kokën lart të ngris. More as në toalet nuk më lanë të dalë. Thanë:-Është dashur ta bëni me kohë, jo tash! Me të vërtetë pisa, a!?

Dialogu

Rama:-… heu bre…djalit tem me ja lonë njësh ai, a? Djali tem, a? Të veteranit? Ani kush, Ferizi, ai që kur unë isha në mal sorrollatej bodrumeve të qarshisë së vjetër keshe po merr shkollë. Çfarë shkolle allahile nëpër bodrume. Tash u ba ai me vendosë kritere. Ja q*** kriteret unë. Mos më paqin thanë mua poki muun (pocky moon) në luftë.

Djali: Babë, atëherë nuk ka pasë pocky moon-a!

Rama:-Jo a! Nuk paska pasë a? Ani më paskan thirrë Muuni Pak, pra! Na bre djali jem qysh atëherë e kemi ditë se ka me ardhë kjo ditë. Na as atëherë kur ‘‘vlojke’’ s‘ja kemi ditë emrin njani-tjetrit. Të gjithë kemi pasë niknejma (nickname).

Djali:-Babë, e çka është niknejmi?

Rama:-Aiiii, më le rehat e mos më caj kryet. Boll më ka kërsitë dy ditë në luftë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Marku, Kulla e PISE-s

Sfidat e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Austri

July 3, 2016 by dgreca

Shkruan: Anton Marku/ Vjenë/

Në rastin e Austrisë, si njëri nga vendet më të prekura nga fenomeni i migrimit, shqiptarët ende nuk po arrijnë të gjejnë format dhe metodat e duhura që do të rezultonin me një pëfaqësim real, së paku në proporcion me numrin e tyre, në këtë vend alpin. Në këtë proces ata ende po ballafaqohen me sfida nga më të ndyshme, gjë që po e vështirëson dhe ngadalëson promovimin e tyre si qytetarë të barabartë në raport me popullatën vendase dhe të huajt e tjerë, një pjesë e të cilëve kanë arritur të pozicionohen shumë më mirë në administratën dhe institucionet lokale dhe qendrore.

Shqiptarët në Austri, faktorë, aktorë apo spektatorë?

Edhe përkundër mungesës së ndonjë registrimi formal, mendohet se në Vjenë dhe rrethinë jetojnë afër 40 mijë shqiptarë. Prej këtij numri supozohet se së paku një e treta posedojnë nënshtetësinë e këtij vendi. Pra, mund të votojnë në zgjedhje. Por, sa prej tyre dalin fare të votojnë? Mbase kjo shifër sillet nën 10%. Në këtë kontekst, pyetja adekuate do të ishte: sa intelektualë shqiptarë ka Vjena? Kush janë ata? Ku janë ata? Sa janë ata aktiv në shoqëri? Pyetjet tjera që presin përgjigje do të ishin: A kanë shqiptarët në Austri preferenca politike ndaj një apo disa partive të caktuara? Në çfarë niveli është vetëdija e tyre politike? Sa është numri i tyre dhe cilët janë shqiptarët e angazhuar nëpër partitë politike në këtë shtet? Cili është roli i tyre në subjektet ku aderojnë? Janë zëra apo numra?

Kandidaturat shqiptare

Është për tu admiruar guximi i atyre kandidatëve të diasporës shqiptare të cilët, në një moment të jetës së tyre, kanë marrë vendimin që të garojnë në zgjedhjet austriake. Ata do të mbahen mend si pionerë të përpjekjeve të njerëzve tanë për përfaqësim politik jashtë atdheut.

Në anën tjetër, është për të ardhur keq që, me ndonjë përjashtim të rrallë, si në Landin e Austrisë së Epërme, ku në zgjedhjet e vitit 2015, nga radhët e social-demokrateve, i riu me prejardhje nga Kosova, Lulzim Fejzullahu, u zgjodh këshilltar në asamblenë e komunës së Ebensee-së, në qytetet e mëdha të Austrisë, aty ku dhe është koncentrimi më i madh i diasporës sonë, e sidomos në Vjenë, kandidatët shqiptarë le që nuk po arrijnë as për së afërmi të marrin numrin e votave të nevojshme që do të siguronin një vend që ofron një karrige këshilltari në njërin nga 23 qarqet sa ka kryeqyteti, por nuk po ja dalin të dallohen as me ndonjë fushatë parazgjedhore për tu mbajtur mend. Kështu si e kanë kuptuar dhe si veprojnë ata në politikë, nuk punohet më (as nivelet lokale) as në viset nga vijmë, në Ballkan.

Rezonim në retrospektivë

Deri më tani, një fushatë klasike e një kandidati shqiptar në Austri dukej përafërsisht kështu:Në aspektin organizativ kandidati fillon të ‘‘aktivizohet’’ tek disa javë para zgjedhjeve. Zakonisht lëviz vetëm, pa ndonjë grup të bashkëpunëtorëve apo vullnetarëve. Për marrje me qera të një lokali për komunikim ditor me qytetarët apo krijim të një shtabi zgjedhor vetjak as që bëhet fjalë.

Në aspektin teknik takimet i bën në ambiente të mbylluara (kafene, klube, shtëpia/banesa private, etj). Në këto raste, e tërë biseda fokusohet në shpërndarje të kartëvizitave dhe ‘‘programeve’’ (fletëpalosje të vogla, në format A5), për tu mos parë më.Në aspektin promovues shumica prej tyre nuk kanë të hapur web-faqe në internet. Të gjithë kanë nga një të tillë në platformën sociale në facebook. Ato, në vend se të përdoreshin për prezantimin e ideve, incimin e bashkëbisedimeve me votuesit potencialë dhe tematizimin e çështjeve me interes të përbashkët, shfytëzohen për LIKE-LIKE urime dhe dëshira për njëri-tjetrin. Pak ditë para datës së zgjedhjeve, pasi tashmë ka krijuar apo huazuar një listë të email adresave të disa qindra bashkëatdhetarëve tanë, kandidati ju dërgon një fotografi, një CV personale dhe një letërthirrje për të votuar mu atë. Zakonisht dita e zgjdhjeve kalon me dërgimin e sms-ve grupore në facebook dhe viber. Me urime për fitore dhe me premtimin se vota do të shkoj aty ku është thënë. Pak ditë më pas rezultatet për kandidtatë bëhen publike. Zhgënjimi po ashtu.

Formula që mund të sjellë sukses

Sot komuniteti shqiptar në Austri ka nevojë për tejkalimin e turbo-folkorizmit dhe pseudopatriotizmit. Atij i duhen ide dhe angazhim konkret. Për këtë arsye do të ishte e udhës të inkurajohen të gjithë ata që mendojnë, duan dhe eventualisht dhe munden, të jenë zëri ynë në këtë rrugë të ndryshimeve pozitive. Ndër veprimet që do të mund të ndërmerreshin, në mënyrë që shqiptarët, në një të ardhme optimale, të kenë përfaqësuesit e tyre politik në strukturat e pushtetit lokal apo qendror në Austri, mund të jenë:

  • Bërja publike me kohë e kandidaturave për zgjedhje:-Në një afat të arsyeshëm kohor, më së paku gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, kandidatët duhet komunikuar vendimet e tyre për të garuar;
  • Përpilimi dhe shpalosja e programeve politike:-duhet bërë në bashkëbisedim me votuesit, duke u njohur më për së afërmi me nevojat dhe intereset e tyre;
  • Krjimi i strategjisë për fushatë zgjedhore:-Në këtë kontekst, është shumë e nevojshme që kandidatët të mos lëvizin ‘‘solo’’ por të themelojnë shtabin zgjedhor dhe grupin e vullnetarëve, të cilët do të shoqëronin kandidatët përgjatë tërë kohës së fushatës parazgjedhore;
  • Partneriteti me komunitetet tjera në Austri:-Kandidatët duhet fuqizuar bashkëpunimin me bashkësitë tjera dhe shoqatat e tyre, sidomos me ato kroate, turke, boshnjake, etj;
  • Sigurimi i mbështetjes shoqërore dhe institucionale:-Shoqëritë e miqësisë austriako-shqiptare dhe austriako-kosovare, këshilli koordnues i shoqatave shqiptare në Austri, asociacioni i bizneseve shqiptare në Austri, shoqata e juristëve, etj, pos tjerash, do të mund të bënin thirrje publike drejtuar mërgatës sonë që, nëse jo për të votuar për kandidatin X apo Y, së paku për të marrë pjesë në zgjedhje dhe votuar njërin prej tyre.
  • Themelimi i grupeve ‘‘Miqët e X kandidatit’’:-Nga radhët e intelektualëve, aktivistëve me autoritet dhe studentëve do të mund të themeloheshin ekipe lobuese, të cilët do të promovonin hapur kandidaturën e njërit apo tjetrit pretendent.

Rikapitullim

Mund të konstatohet se në Austri në përgjithësi dhe në Vjenë në veçanti ka shumë intelektualë shqiptarë. Një pjesë e madhe e tyre kanë studiuar në universitetet më me renome të këtij vendi dhe fituar tituj të ndryshëm akademikë. Shumë prej tyre, pas diplomimit dhe punësimit tërhiqen nga zhvillimet në komunitet dhe pasivizohen, duke u vetmjaftuar me pagën që fitojnë. Preferencat politike të bashkësisë shqiptare në Austri janë të padefinuara strategjikisht dhe institucionalisht. Përpos mungesës së interesimit, vullnetit, dëshirës dhe vetbesimit për tu marrë aktivisht me politikë, është shumë evidente edhe vetëdija e ulët për të marrë pjesë në zgjedhje, qoftë dhe si votues i thjeshtë. Si pasojë, numri i shqiptarëve të angazhuar nëpër partitë politike në këtë shtet mbetet skajshmërisht i ulët, përderisa roli i tyre në subjektet ku aderojnë kufizohet në grumbullimin e atyre pak votave për partitë. Për fat të keq ata vazhdojnë të jenë numra e jo zëra. Një tendencë për ndryshimin e kësaj gjendje nuk po vihet re.

 Integrim do të thotë edhe pjesëmarrje. Mjerisht, më shumë se sa faktorë, shqiptarët në Austri vazhdojnë të jenë aktorë pasiv të skenës politike dhe spektatorë të painteresuar për të kontribuar përmbajtësisht në jetën shoqërore në këtë shtet mik.

 Anton Marku ka përfunduar studimet master në shkencat politike në Universitetin e Vjenës. Për katër vite (2009-2013) ka shërbyer si diplomat në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri…

*Vjenë: 3 korrik 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Marku, në Austri, Sfidat e përfaqësimit politik, te shqiptareve

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT