Tregim nga Arjan Th. Kallço/
1. Në bodrumin e shtëpisë sime, në një ndërtesë të shkëputur nga shtëpia, zbres sa herë që më duhet të marr ndonjë perime të vendosur aty në arka prej druri që t’i rezistojnë prishjes apo kalbjes. Mjaftojnë një palë shkallë të vjetra druri që të ulesh poshtë, mbi një dysheme prej betoni dhe të shohësh një mori sendesh të tjera, relika të mbetura qysh herët, nga koha kur gjyshim im, Jovani, i përdorte për të ushtruar zanatin e vet. Midis hekurishteve të vjetra gjendet një lloj makinerie që vihej në funksion me dorë, tashmë e ndryshkur që përdorej për të prodhuar karamele. U ngjan hojeve të bletëve në një formë diagonale të vendosjes. Më tej disa sende të tjera prek kallaji që aktualisht vështirë ta kuptosh se çfarë funksioni kishin. Një ditë tek pastronim i them babait tim disa fjalë që mesa duket e fyen kujtesën e të atit të vet, por më tepër djersën e tij të derdhur në vite që të arrinte të siguronte ato lloj makinerish dhe që të kishte prodhim konkurues në treg. Sot pas kaq vitesh do të më vinte turp që ta përsëritja të njëjtën skenë. Vitet ikin, njerëzit ndryshojnë, por e kaluara nuk mund të fshihet kollaj nga kujtesa e një populli, për më tepër kur ligji i transmetimit është kyçi i njohjes së asaj kohe e cila në libra na duket se ka qënë tepër perfekte, me rregulla dhe në jetë. Është një alucinacion që ta sjell të gënjeshtër një kohë të cilën nuk e ke jetuar për asnjë çast. Të gjitha ato sende të vjetëra janë simbole të heshtura në pamjen e parë, me të cilat edhe pse nuk mund të dialogosh me zë, e bën me të gjitha mendimet që më pas i hedh në letër. Edhe kjo mënyrë bashkëbisedimi është, por me kode tepër të pështjelluara për kohën tonë. E megjithatë, edhe pse pa gojë, na flasin shumë për gjithçka që ne duam të mësojmë. Edhe një copëzë e vogël prej tyre, është një dëshmimtare e ditëve dhe netëve për ta krijuar në mendje dhe më pas për ta sjellë në jetë, nga duart e disa dhjetra njerëzve që cast pas çasti lidhen ngushtë me të, derisa ia dalin mbanë. Ndoshta nuk kanë qënë të pranishëm në festën e përurimit, por edhe në shtëpitë e tyre ndihej emocioni i prodhimit të parë.
Ja nipçe – dëgjoj përmes imagjinatave të ambjentuara në kohë, zërin e gjyshit – këtu hidhet brumi e më pas me këtë dorezë rrotullohet shpejt që të mos rrjedhë, mpikset dhe poshtë bien si korrërat e një peme plot, karamelet.
Të vjetra, or gjysh, të vjetra – i them, se sot këto relike tek ne kush e di se ku kanë përfunduar, në ndonjë punishte metalesh. Ngadalë po ua fshijmë memorien tuaj. Nuk është mburrje ta fshish të shkuarën, është vetëm marrëzia e rradhës e brezave pa memorie. Gjërat e vjetra janë si mendimet e vjetra që po nuk i përballe me të rejat, do të mbeten përgjithmonë jashtë kohe, edhe pse mund të duken boshe.
I dashur nipçe – vazhdon zëri i tij – edhe ju po të mos jeni të kujdesshëm kështu kanë për t’ju fshirë nga memoria. Ja këto sedne që t’i shikon ishin arritjet tona, progresi që ne sollëm. Po të mos kujdesej babai yt, edhe ti nuk do t’i kishe parë. Ne, kemi kohë që nuk jemi më mes jush, por diçka, ama ju lamë. E sa herë që t’i gjendesh ballas me to, mendon të shkuarën dhe kujton gjyshin tënd. Po ju, çfarë do të lini pas?
Një përsihatje e ethshme më mbërtheu fort në atë çast dhe fillova ta vras mendjen se vërtet çfarë do lëmë pas? Njeriu kujtohet për veprën që ka lënë, aq më tepër kur është vepër e tij, fryti i mendjes. Nëse nuk do të lëmë asnjë symbol të jetës sonë, edhe historia do të ndalet aty dhe gjithkush do të përpiqet t’ia fillojë nga e para. Do të jetë një fëmijë që kurrë nuk do të rritet, sapo faqja e shkruar do të flaket tutje, apo më keq akoma të digjet.
2. Në orën 18.00 treni turistik u ndal para ndërtesës ku po zhvillonte punimet konferenca jonë mbi Mesdheun dhe poezinë e udhëtimit. Kishte pjesëmarrës nga e gjithë bota që edhe pse kishin vizituar vende dhe qytetë të shumtë, përsëri nuk e refuzuan një të tillë në Leçen baroke, një rast unikal – më thoshte një prej miqve jo vetëm në Itali, por edhe në botë. Ai kishte lexuar shumë për qytetin, në librat guidë apo edhe në faqet e panumërta të internetit. Edhe unë e kisha shuar disi kërkshërinë me disa foto në një sit me shumë foto në internet. Me një mirësjellje të madhe dhe një gjuhë tepër të ëmbël, pa turivarje apo me zë të vrazhdë, shoferi dhe operatorja na ftuan të hipnim që të fillonte kështu shëtitja në qytetin historik të Leces.
Ju lutemi zonja dhe zotërinj – na u drejtua operatorja – të hipni në tren, sepse edhe ne e kemi kohën të kronometruar. Pas jush të tjerë turistë na presin për të bërë këtë shëtitje. E kuptoni….besoj – vazhdoni trenisti – është verë dhe na duhet deri në orët e vona të natës të punojmë.
Njerëzit e kulturës e kanë të qartë nocionin e kohës, rrjedhjen e saj, moskthimin pas, pasi ajo ikën dhe as ne nuk e kuptojmë, kur të rrëmbyer nga pasioni, rendim andej-këndej për t’i vënë të gjitha gjërat në vijë, para se të fillojë puna, apo t’i futemi punës për ndonjë shkrim.
Mes nesh kishte edhe njerëz që kishin dekada që punonin dhe koha kishte bërë punën e vet, kishte ikur pa i pyetur fare ata. Bile as nuk i kishte përfillur në kërkesën e tyre për një debat me të. Ju ndaluni sa herë që keni për të gjykuar, por uën nuk mund të ndalem – u kishte thënë dhe doli përjashta. Dolën edhe ata aty në oborr, por pa asnjë shpresë.
Largohuni tutje – ishte përgjigjur me qesëndi ajo – se nuk më ndalni dot. Nuk keni fuqi të bëni asgjë para meje. Akoma njerëzimi nuk e ka kuptuar? Unë jam e vetmja fuqi mbi këtë dhe’, të tjerët janë vetëm kalimtarë. Panë, ç’panë, as nuk u munduan fare që të përpiqeshin t’ia mbushnin mendjen. Kur nuk e bindën paraardhësit tanë, ç’do të bëjmë ne” – ishte pyetja që i shqetësonte, por që tashmë edhe në mendjen time ishte fiksuar pa e marrë përgjigjen e tyre.
Operatorja, pasi u sigurua që të gjithë kishin hipur dhe të gjitha sportelet ishin mbyllur mirë, i bëri shenjë që të niseshim. Nuk donin të humbnin kohë, as edhe një sekondë të vetme. Edhe pse të pavetëdijshëm për natyrën filozofike të fjalëve, edhe ata po e respektonin kohën. Ndoshta më shumë se koncepte të mendjes, respektonin paratë që do të fitonin apo humbnin gjatë ditës, nëse koha vraponte.
Më pas na dhanë edhe kufje të bardha të reja fringo në qese që secili të dëgjonte zërin e regjistruar të guides, në kalimin e trenit në një itinerar të përcaktuar mirë, në qendrën e vjetër historike. Aq e madhe ishte qendra, saqë me humor u thosha miqve të mi në qytetin tim, sa i gjithi mund të futej pa hesitim në atë vend.
Sapo treni bëri metrat e para, filloi zëri i trenistit që ishte edhe vetë hartuesi i tekstit të historisë së shkurtër, por tepër të gjatë të qytetit të Leçes. Pranë meje ishte ulur një studiuese italiane me emrin Maria që punonte në Vatikan dhe prapa një miku im dhe i arbëreshëve, Pierfranko, edhe vetë e kishte për nder të ishte i tillë, dhe që tash punonte në Ministrinë e Kulturës italiane, lidhur me pakicat kombëtare. Unë gjendesha midis dy kufijëve kohorë; të atyre që i kishin ndërtuar tempujt dhe të atyre që i studionin për të parë kontributin e secilit.
Zëri i guidës ishte si një komandë e pashqipuar, pasi sapo përmendej ndonjë monument dhe vendnodhja e tij, koka shkonte andej nga ngrihej madhështore çdo ndërtesë që i kishte rezistuar kohës. Nuk mund ta përshkruash të gjithë historinë e një qyteti të lashtë, me tre qytetërime, në një vizitë të shpejtë gati një orëshe. Ai kishte zgjedhur disa monumente që ishin simboli i kohëve, që edhe sot vazhdonin të flisnin për të shkuarën. Njerëzit që i bënë të lavdishme ato kohë, të gjithë, pa asnjë përjashtim, nuk jetonin më, por kishin lënë veprat e tyre që nuk pushonin së dëshmuari me memorien e tyre shekullore.
Sa bukur që i kanë ruajtur simbolet e tyre – i them Nerias dhe e gjithë vëmendja ime u përqëndrua në katrahurën që kishte përfshirë vendin tim. Të nesërmen u gjendëm në një kishtë të çkishëruar, por përsëri ishte simbol që na komunikonte diçka përmes kodesh me ikona dhe martirë të përjetësuar në afreske. Është kishë ortodokse – u dëgjua zëri i cicerones – i banorëve që kishin ardhur nga përtejdeti.
Edhe këtu – fola me zë të ulët – të parët tanë, ndoshta arbëreshë, e paskan lënë një vepër që t’i kujtojmë.
Pierfrankoja u afrua pranë nesh, natyrisht i mrekulluar edhe ai, mesa duket meditimi ia kishte rrëmbyer mendjen dhe tha: Po ne, çfarë do të lëmë? E kotë ta ndalje përfytyrimin e secilit prej nesh.
Të tilla nuk mund të lëmë dot – u shpreh Neria, presidentja e Shoqatës. As që i ndërtojmë dot.
Koha nuk na jep të njëjtat shanse – iu përgjigja unë. Të parët kishin të tjera, ne kemi tonat. Por sigurisht që diçka do të lëmë.
Po, po do të lëmë – vazhdoi Pierfrankoja – do të lëmë gërmat, fletët, librat tanë.
Nuk është pak – e mbështeta zërin e tij të ulët dhe të mendueshëm – ne këtë detyrë na ka ngarkuar koha, historia: t’i vlerësojmë veprat që kanë krijuar të parët tanë, sepse tonat do t’i vlerësojë brezat që do vijnë. Është e çuditëshme jeta!
Itali, qershor-korrik 2013