• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ne, çfarë po lëmë pas?

September 5, 2013 by dgreca

Tregim nga Arjan Th. Kallço/

1. Në bodrumin e shtëpisë sime, në një ndërtesë të shkëputur nga shtëpia, zbres sa herë që më duhet të marr ndonjë perime të vendosur aty në arka prej druri që t’i rezistojnë prishjes apo kalbjes. Mjaftojnë një palë shkallë të vjetra druri që të ulesh poshtë, mbi një dysheme prej betoni dhe të shohësh një mori sendesh të tjera, relika të mbetura qysh herët, nga koha kur gjyshim im, Jovani, i përdorte për të ushtruar zanatin e vet. Midis hekurishteve të vjetra gjendet një lloj makinerie që vihej në funksion me dorë, tashmë e ndryshkur që përdorej për të prodhuar karamele. U ngjan hojeve të bletëve në një formë diagonale të vendosjes. Më tej disa sende të tjera prek kallaji që aktualisht vështirë ta kuptosh se çfarë funksioni kishin. Një ditë tek pastronim i them babait tim disa fjalë që mesa duket e fyen kujtesën e të atit të vet, por më tepër djersën e tij të derdhur në vite që të arrinte të siguronte ato lloj makinerish dhe që të kishte prodhim konkurues në treg. Sot pas kaq vitesh do të më vinte turp që ta përsëritja të njëjtën skenë. Vitet ikin, njerëzit ndryshojnë, por e kaluara nuk mund të fshihet kollaj nga kujtesa e një populli, për më tepër kur ligji i transmetimit është kyçi i njohjes së asaj kohe e cila në libra na duket se ka qënë tepër perfekte, me rregulla dhe në jetë. Është një alucinacion që ta sjell të gënjeshtër një kohë të cilën nuk e ke jetuar për asnjë çast. Të gjitha ato sende të vjetëra janë simbole të heshtura në pamjen e parë, me të cilat edhe pse nuk mund të dialogosh me zë, e bën me të gjitha mendimet që më pas i hedh në letër. Edhe kjo mënyrë bashkëbisedimi është, por me kode tepër të pështjelluara për kohën tonë. E megjithatë, edhe pse pa gojë, na flasin shumë për gjithçka që ne duam të mësojmë. Edhe një copëzë e vogël prej tyre, është një dëshmimtare e ditëve dhe netëve për ta krijuar në mendje dhe më pas për ta sjellë në jetë, nga duart e disa dhjetra njerëzve që cast pas çasti lidhen ngushtë me të, derisa ia dalin mbanë. Ndoshta nuk kanë qënë të pranishëm në festën e përurimit, por edhe në shtëpitë e tyre ndihej emocioni i prodhimit të parë.

Ja nipçe – dëgjoj përmes imagjinatave të ambjentuara në kohë, zërin e gjyshit – këtu hidhet brumi e më pas me këtë dorezë rrotullohet shpejt që të mos rrjedhë, mpikset dhe poshtë bien si korrërat e një peme plot, karamelet.

Të vjetra, or gjysh, të vjetra – i them, se sot këto relike tek ne kush e di se ku kanë përfunduar, në ndonjë punishte metalesh. Ngadalë po ua fshijmë memorien tuaj. Nuk është mburrje ta fshish të shkuarën, është vetëm marrëzia e rradhës e brezave pa memorie. Gjërat e vjetra janë si mendimet e vjetra që po nuk i përballe me të rejat, do të mbeten përgjithmonë jashtë kohe, edhe pse mund të duken boshe.

I dashur nipçe – vazhdon zëri i tij – edhe ju po të mos jeni të kujdesshëm kështu kanë për t’ju fshirë nga memoria. Ja këto sedne që t’i shikon ishin arritjet tona, progresi që ne sollëm. Po të mos kujdesej babai yt, edhe ti nuk do t’i kishe parë. Ne, kemi kohë që nuk jemi më mes jush, por diçka, ama ju lamë. E sa herë që t’i gjendesh ballas me to, mendon të shkuarën dhe kujton gjyshin tënd. Po ju, çfarë do të lini pas?

Një përsihatje e ethshme më mbërtheu fort në atë çast dhe fillova ta vras mendjen se vërtet çfarë do lëmë pas? Njeriu kujtohet për veprën që ka lënë, aq më tepër kur është vepër e tij, fryti i mendjes. Nëse nuk do të lëmë asnjë symbol të jetës sonë, edhe historia do të ndalet aty dhe gjithkush do të përpiqet t’ia fillojë nga e para. Do të jetë një fëmijë që kurrë nuk do të rritet, sapo faqja e shkruar do të flaket tutje, apo më keq akoma të digjet.

2. Në orën 18.00 treni turistik u ndal para ndërtesës ku po zhvillonte punimet konferenca jonë mbi Mesdheun dhe poezinë e udhëtimit. Kishte pjesëmarrës nga e gjithë bota që edhe pse kishin vizituar vende dhe qytetë të shumtë, përsëri nuk e refuzuan një të tillë në Leçen baroke, një rast unikal – më thoshte një prej miqve jo vetëm në Itali, por edhe në botë. Ai kishte lexuar shumë për qytetin, në librat guidë apo edhe në faqet e panumërta të internetit. Edhe unë e kisha shuar disi kërkshërinë me disa foto në një sit me shumë foto në internet. Me një mirësjellje të madhe dhe një gjuhë tepër të ëmbël, pa turivarje apo me zë të vrazhdë, shoferi dhe operatorja na ftuan të hipnim që të fillonte kështu shëtitja në qytetin historik të Leces.

Ju lutemi zonja dhe zotërinj – na u drejtua operatorja – të hipni në tren, sepse edhe ne e kemi kohën të kronometruar. Pas jush të tjerë turistë na presin për të bërë këtë shëtitje. E kuptoni….besoj – vazhdoni trenisti – është verë dhe na duhet deri në orët e vona të natës të punojmë.

Njerëzit e kulturës e kanë të qartë nocionin e kohës, rrjedhjen e saj, moskthimin pas, pasi ajo ikën dhe as ne nuk e kuptojmë, kur të rrëmbyer nga pasioni, rendim andej-këndej për t’i vënë të gjitha gjërat në vijë, para se të fillojë puna, apo t’i futemi punës për ndonjë shkrim.

Mes nesh kishte edhe njerëz që kishin dekada që punonin dhe koha kishte bërë punën e vet, kishte ikur pa i pyetur fare ata. Bile as nuk i kishte përfillur në kërkesën e tyre për një debat me të. Ju ndaluni sa herë që keni për të gjykuar, por uën nuk mund të ndalem – u kishte thënë dhe doli përjashta. Dolën edhe ata aty në oborr, por pa asnjë shpresë.

Largohuni tutje – ishte përgjigjur me qesëndi ajo – se nuk më ndalni dot. Nuk keni fuqi të bëni asgjë para meje. Akoma njerëzimi nuk e ka kuptuar? Unë jam e vetmja fuqi mbi këtë dhe’, të tjerët janë vetëm kalimtarë. Panë, ç’panë, as nuk u munduan fare që të përpiqeshin t’ia mbushnin mendjen. Kur nuk e bindën paraardhësit tanë, ç’do të bëjmë ne” – ishte pyetja që i shqetësonte, por që tashmë edhe në mendjen time ishte fiksuar pa e marrë përgjigjen e tyre.

Operatorja, pasi u sigurua që të gjithë kishin hipur dhe të gjitha sportelet ishin mbyllur mirë, i bëri shenjë që të niseshim. Nuk donin të humbnin kohë, as edhe një sekondë të vetme. Edhe pse të pavetëdijshëm për natyrën filozofike të fjalëve, edhe ata po e respektonin kohën. Ndoshta më shumë se koncepte të mendjes, respektonin paratë që do të fitonin apo humbnin gjatë ditës, nëse koha vraponte.

Më pas na dhanë edhe kufje të bardha të reja fringo në qese që secili të dëgjonte zërin e regjistruar të guides, në kalimin e trenit në një itinerar të përcaktuar mirë, në qendrën e vjetër historike. Aq e madhe ishte qendra, saqë me humor u thosha miqve të mi në qytetin tim, sa i gjithi mund të futej pa hesitim në atë vend.

Sapo treni bëri metrat e para, filloi zëri i trenistit që ishte edhe vetë hartuesi i tekstit të historisë së shkurtër, por tepër të gjatë të qytetit të Leçes. Pranë meje ishte ulur një studiuese italiane me emrin Maria që punonte në Vatikan dhe prapa një miku im dhe i arbëreshëve, Pierfranko, edhe vetë e kishte për nder të ishte i tillë, dhe që tash punonte në Ministrinë e Kulturës italiane, lidhur me pakicat kombëtare. Unë gjendesha midis dy kufijëve kohorë; të atyre që i kishin ndërtuar tempujt dhe të atyre që i studionin për të parë kontributin e secilit.

Zëri i guidës ishte si një komandë e pashqipuar, pasi sapo përmendej ndonjë monument dhe vendnodhja e tij, koka shkonte andej nga ngrihej madhështore çdo ndërtesë që i kishte rezistuar kohës. Nuk mund ta përshkruash të gjithë historinë e një qyteti të lashtë, me tre qytetërime, në një vizitë të shpejtë gati një orëshe. Ai kishte zgjedhur disa monumente që ishin simboli i kohëve, që edhe sot vazhdonin të flisnin për të shkuarën. Njerëzit që i bënë të lavdishme ato kohë, të gjithë, pa asnjë përjashtim, nuk jetonin më, por kishin lënë veprat e tyre që nuk pushonin së dëshmuari me memorien e tyre shekullore.

Sa bukur që i kanë ruajtur simbolet e tyre – i them Nerias dhe e gjithë vëmendja ime u përqëndrua në katrahurën që kishte përfshirë vendin tim. Të nesërmen u gjendëm në një kishtë të çkishëruar, por përsëri ishte simbol që na komunikonte diçka përmes kodesh me ikona dhe martirë të përjetësuar në afreske. Është kishë ortodokse – u dëgjua zëri i cicerones – i banorëve që kishin ardhur nga përtejdeti.

Edhe këtu – fola me zë të ulët – të parët tanë, ndoshta arbëreshë, e paskan lënë një vepër që t’i kujtojmë.

Pierfrankoja u afrua pranë nesh, natyrisht i mrekulluar edhe ai, mesa duket meditimi ia kishte rrëmbyer mendjen dhe tha: Po ne, çfarë do të lëmë? E kotë ta ndalje përfytyrimin e secilit prej nesh.

Të tilla nuk mund të lëmë dot – u shpreh Neria, presidentja e Shoqatës. As që i ndërtojmë dot.

Koha nuk na jep të njëjtat shanse – iu përgjigja unë. Të parët kishin të tjera, ne kemi tonat. Por sigurisht që diçka do të lëmë.

Po, po do të lëmë – vazhdoi Pierfrankoja – do të lëmë gërmat, fletët, librat tanë.

Nuk është pak – e mbështeta zërin e tij të ulët dhe të mendueshëm – ne këtë detyrë na ka ngarkuar koha, historia: t’i vlerësojmë veprat që kanë krijuar të parët tanë, sepse tonat do t’i vlerësojë brezat që do vijnë. Është e çuditëshme jeta!

Itali, qershor-korrik 2013

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Arian Kallco, Ne cfare po leme pas, Tregim

Lamtumirë një tjetër nobelisti – Séamus Heaney

August 31, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Një tjetër zi e goditi botën e kulturës ndërkombëtare dhe pikërisht letërsinë. Jeta e çdo njeriu, për më tepër e poetit është e lidhur me dashurinë për vendlindjen, për atdheun për botën. Në këtë ndërthurrje të këndvështrimeve të tij, rilindja e jetës, e shoqërisë, e kulturës dhe e vetë poezisë, nuk mund të qëndrojnë larg vëmendjes së tij. Nëse në jetë ke një ideal të fuqishëm, që mban në vetvete jo vetëm dëshirën tënde, por të miliona njerëzve, e për më tepër duke iu referuar historisë së Irlandës, nuk mund të tërhiqesh prapa, por duhet të përpiqesh ta realizosh atë. Kjo kërkon që këtij ideali t’I bashkohen edhe shumë të tjerë që ta ndërgjegjësojnë popullin se me një përpjekje të përbashkët, mund të realizohet gjithçka, cilido qoftë kundërshtari ai pengesa e ëndrrave legjitime të një kombi. Nuk ka armë që të mund ta ndalë ëndrrën e një populli për pavarësi, ka vetëm pengesa të cilat, koha e ka treguar gjithmonë, bien sapo përballen me zërin e një populli të tërë. Ta duash vendin tënd, do të thotë që të mos e harrosh të shkuarën e largët, por edhe të afërt, pasi në to do të gjesh ngjarje, njerëz, tradita, përpjekje pa të cilat vetë kombi nuk do të ketë kuptim. Poeti irlandez i mishëronte më së miri të gjitha këto virtyte, prandaj edhe mori vlerësimet e merituara Brenda dhe jashtë vendit. Një poet i vërtetë idealet e tij i lidh pazgjidhmësisht me fatet e atdheut të vet, larg pazareve të ndyta të poltikave ekspansioniste apo shtypëse në emër dominimit. Heaney ndërroi jetë në moshën 74 vjeçare, por ai është poeti i madh irlandez, nobelisti dublinez për vitin 1995 dhe në motivimin e Stokholmit lexojmë këto fjalë: “Për bukurinë lirike dhe thellësinë morale që ekzalton mrekullitë e përditëshme dhe të shkuarën që jeton”.

Lindi në vitin 1939 në Irlandën e Veriut nga një familje katolike dhe është një prej fëmijëve midis 9 vëllezërish. Rininë e kaloi në Belagi dhe pas moshës së fëmijërisë dhe adoleshëncës, në vitin 1957 u regjistrua në Universitetin mbretëror të Belfastit, ku edhe u diplomua në letërsi. Në vitin 1976 u vendos në Dublin ku dha letërsinë angleze deri në vitin 1984 e më pas në Universitetin e Harvardit dhe në vitin 1989 mori katedrën e poezisë në Oksford. Përfaqësuesi më i madh bashkëkohor i rilindjes poetike irlandeze, një prej poetëve të mëdhenj të ‘900, eksponent i madh i kulturës irlandeze. Irlanda e tij shfaqet në lirikën e poetit përmes pejsazheve, kujtimeve të rinisë dhe temave rilindase irlandeze dhe në të gjitha veprat e tij dalin ngjarjet që lidhen me problemin e pavarësisë irlandeze. Poetika e tij është e lidhur me tokën, me jetën poltike të vendit dhe siç e ka shkruar vetë tek poezia “Dukë rrëmuar”, tek kultura, tek pejsazhi dhe mitet irlandeze, “duke përdorur penën ashtu si gjyshi dhe babai shatin”. Duke rrëmuar është titulli i një prej krijimeve të tij më të famshme:

Por unë nuk e kam shatin që t’i ndjek

njerëzit kështu,

Mes gishtit tregues dhe gishtit të madh,

E kam penën e

Me të do të rrëmoj.

Kryevepra e tij konsiderohet padyshim volumi North(Veriu). Volumi i tij i parë është Vdekja e një natyralisti 1966 e më pas u botuan Drita elektrike, Distrikti dhe Cirku, Kapërcime, Duke rrëmuar, Stacioni Island, Vëmendje. Proza të zgjedhura 1968-1976, Poezi të zgjedhura, Një derë në errësirë, T’i shohësh gjërat, North, Qeveria e gjuhës. Prozë e zgjedhur 1978-1987 dhe Zinxhirri njerëzor 2011.

Është irlandezi i tretë që fitoi Nobelin pas Yeats dhe Samuel Beckett. Ka qënë i lidhur shumë me Italinë dhe kulturën italiane. Mori titullin e lartë Qytetar nderi i Mantovës dhe me atë rast foli për pasionin e tij për poezinë italiane dhe për Danten që e konsideron burimin e tij të parë të frymëzimit. “ Fillova të interesohem për të në vitet ’70, kur i kujtova njerëzit e parë të vrarë prej Irës apo nga ushtria britanike, I lashë ata të flisnin përmes poezisë sime. Jam i sigurtë se nuk do ta bëja pa shembullin e Dantes”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Arian Kallco, Lamtumire, Seamus Heaney

Cilët libra do të renditje ti?

August 17, 2013 by dgreca

Shkruan: Arjan Th. Kallço

Në çdo vend që të shkosh, do të gjesh letërsinë e tij kombëtare, autorët më të lexuar prej publikut letërsidashës vendas, por edhe më të njohurit në botë, sigurisht të përkthyer në disa ose shumë gjuhë. Lexuesit e shumtë edhe tek ne, nuk mund të lënë pa i lexuar autorët shqiptarë të shekujve të kaluar, por edhe të këtij shekulli. Është një vazhdimësi që nuk mund të lihet apo më keq të ndërptitet në mes dhe të shihet si opsion vetëm letërsia moderne. Por duke patur një letërsi modeste në krahasim me shumë vende të tjerë, detyrimisht përpiqemi të lexojmë shumë autorë të huaj të përkthyer, por e pranuar dhe nga vetë shtëpitë botuese, nuk mund të ndalet dominimi amerikan. Nëse do u kërkoja studentëve të mi që të hartonin një listë me emrat e shkrimtarëve më të famshëm shqiptarë, do të kishim një listë që në krye do të shikonte shkrimtarët dhe poetët të cilët nuk kanë nevojë për shumë retorikë. Nëse do t’u kërkoja lexuesve të bibliotekës së qytetit që të hartonin një listë me autorë të huaj, përsëri emrat e autorëve të mëdhenj klasikë dhe modernë nuk do të mungonin, por do të kishte ndryshime mes tyre, sepse edhe shijet e lexuesve nuk janë të njëjta. Nuk mund të pretendohet që t’u imponojmë atyre emrat e autorëve që u pëlqejnë të tjerëve, edhe pse mund të jenë nga më të njohurit. Lista e autorëve të botës do të ishte e gjatë dhe nuk do të dije kë të vendosje në të. Një listë e mirë, ndoshta përsëri pak subjektive do të ishte ajo e Nobelistëve, por përsëri nuk do të gjenim një emërues të përbashkët. Nëse do ta reduktonim listën dhe të vendosim një numër fiks nga përzgjedhja, përgjegjësia do të ishte më e madhe. Do të përjashtoheshin shumë autorë që ende sot gëzojnë një reputacion të madh. Nëse do të hiqnim dorë nga emrat e autorëve dhe do të shihnim veprat e tyre, mund të hartonim një listë të re, ku të renditnim veprat që kanë kënë lënë gjurmë në jetën e secilit prej nesh. Të dyja listat do të kishin shumë pak ngjashmëri mes tyre, pasi jo detyrimisht emri do të lidhej me veprën. Por nëse u kërkojmë që të vendosin vetëm një libër i cili ua ka ndryshuar vërtet jetën, apo do ta vendosnin të parin, atëherë gjithçka do të komplikohej shumë, pasi shumë autorë do të eliminoheshin me keqardhje. Unë do të rendisja një libër tepër të vyer, të thellë dhe kuptimplotë për miqësinë dhe kufirin e ngushtë që e ndan nga dashuria dhe që pata rastin ta lexoja, kur isha student në Tiranë, edhe pse thuhej se hynte në librat e ndalur. Bëhet fjalë për librin Tre shokët të Remarkut. Natyrisht në jetë na takon të lexojmë shumë libra, por në mendje të mbetet ai që të ngjall emocione të papërsëritëshme, të mbërthen me historinë e vet, nuk shqitesh dot për asnjë çast, të bën të qeshësh dhe të qash, ta kuptosh botën, shoqërinë, jetën, historinë, ngjarjet, njerëzit…

Kush nuk e njeh autorin dhe skenaristin amerikan, romancierin dhe tregimtarin Francis Scott Key Fitzgerald (1896 –  1940). Ishte pjesë e rrymës letrare të quajtur Brezi i humbur. Dikur edhe ai bëri atë që do ta bënte secili prej nesh, lexues, shkrimtar, apo poet qoftë, pa asnjë ndjenjë xhelozie, urrjetje apo smire në zemër. Numëri i librave që ai përzgjodhi është simbolik dhe i vogël dhe kjo ndoshta për të shmnagur atë listën e gjatë për të cilën folëm më parë. Por ndoshta janë edhe librat pa të cilët nuk mund ta kuptosh ekzistencën tënde, apo të cilët nuk mund të mos i lexosh para morisë së pafund të veprave cilësore dhe jocilësore që dalin sot në tregjet e çdo vendi. A ka ndonjë kuptim numëri 22 në simbolikat e botës? Një kërkim në internet të jep përgjigje të shumta, por po zgjedh atë që kishte marrë më shumë vota në përgjigje, edhe pse mund të mos koincidojë me numërat apo parapëlqimet e secilit prej nesh. Po i bindem për një çast simbolikës dhe po e pranojmë faktin se numëri 22 është akretipi i Krijuesit dhe përfaqëson energjinë krijuese, e aftë ta plazmojë materien në formën e dëshiruar. Promotor i ideve, numëri 22, vepron si katalizator dhe në mënyrë të pavullnetëshme sjell ndryshime kuptimplote në mjediset ku ndodhet. A mund ta ketë shkruar këtë renditje të qëllimshme autori me bazë numërin 22? Vështirë t’i japësh përgjigje të saktë, por edhe në mos i futemi thellë këtij numëri, po mjaftohemi thjesht si një numër i rastit. Lidhja shkak-rast në filozofi do të na hapte shumë punë, pasi do të ndaleshim dhe të analizonim shumë gjëra në këtë lidhje. Sipas dorëshkrimit të autorit, i hartuar në vitin 1936 për një infermiere dhe që u botua në një sit të Universitetit të Karolinës së Veriut, janë veprat letrare më thelbësore. Në vend të parë  Motra jonë Carrie e T. Dreiserit, dhe më pas vijën autorët e tjerë; Jeta e Jezusit e E. Renan, Shtëpia e kukullës e H. Ibsenit, Winesbourg, Ohio e Sh. Andersonit, Tregimi i plakave i A. Bennett, Skifteri maltez i D. Hammett, E kuqja dhe e zeza i Stendhalit, Tregimet e G. d. Maupassantit më pas Çehovi, Conradi, France, Faulkneri, Prusti, Duoglasi, Mansfieldi, Tolstoi dhe në fund poetët Keats dhe Shelley.

Pyetja që do të shtroja unë do të ishte: a i kemi lexuar të gjithë këta libra? A jemi dakord me mendimin e Fitzgeraldit? Unë vetë nuk do ta gjeja veten në të 22 librat, por do të thosha se në një pjesë të mirë të tyre po, sepse ndonjë libër të përmendur në të, ende nuk e kam patur në duar që ta lexoj. Por edhe mund t’i zëvendësoj disa libra të kësaj liste me të tjerë, pa e mohuar ndonjë flirt të fshehur me letërsinë italiane, e cila na ka dhënë kryevepra të shumta botërore. Këtë vit është përvjetori i Bokaços dhe nismat në Itali, në këtë epokë dixhitale janë të shumta, si p.sh, të shkruash në një cicërimë (tëitter) një prej tregimeve të përmbledhur në 140 gërma. Në shkrimet e ardhshme besoj se jo vetëm unë, por edhe të tjerë do të ndalen në përvjetorin e babait të prozës.

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arian Kallco, cilet libra, do te reditje ti

BEFASIA NE QYTETIN PATRIOTIK

May 18, 2013 by dgreca

Nga Arian Kallco/
Dikur e shikonim në ekranet e televizorëve filmin Në pyjet me dëborë ka jetë. Kohë tjetër – do të thotë dikush. Po kohë tjetër, do të ishte përgjigjia, por ajo kohë ishte për të gjithë njëlloj. Ndërsa në të “bekuarën” demokraci alla shqiptarçe”, po shohim se disa qytete janë të nënë dhe disa të njerkës. Çfarë ka ngjarë që shteti shqiptar ka harruar misionin e vet? Nuk është një harresë e rastit, por një hakmarrje primitive e një qeverisjeje që sheh tek qyteti i Ersekës kundërshtarin e vet politik. Pra ai që ka gurin dhe arrën, e braktisi këtë qytet se ka votuar për krahun e majtë. A ka më absurditet më të madh se ky? E këto gjëra ndodhin në Shqipëri dhe në demokracinë që mbeti në të gjitha provimet e shkollës dhe tash po hallakatet midis anarkisë dhe babëzisë për para, pushtet dhe dominim, një kaosi total parazgjedhor. Ku janë të gjitha fjalët e bukura të propogandës për një vend pa dallime apo ngjyrime politike? Kanë mbetur vetëm të tilla dhe do të mbeten nëse logjika e pushtetit qëndror do të mbetet peng e urrejtes patologjike për ata që janë kundra nesh. Ftesës së departamentit të kulturës për një Ditë kushtuar poezisë italiane iu përgjigja pozitivish dhe i bindur se në çelje të sezonit turistik, si në të gjithë vendin, se diçka do të kishte lëvizur dhe ndonjë investim do t’i kishte zgjidhur problemet imediate të qytetit. Kur mbërrita në Ersekë, befasia nuk do të ishte bashkëudhëtare me mua, pashë se qyteti nuk kishte ndryshuar fare. Qendra e tij ishte në mëshirën e fatit, plot me gropa dhe me asfalt të konsumuar, edhe nga dimri i sivjetëm. Të pasistemuara edhe rrugët që të lidhin me qendrën, rrugicat, lulishtet, sheshet etj. Duket sikur qyteti ka dalë nga lufta me zemërimin e radhës prej sovranit politik që nuk arrijnë të shohin më larg se interesi i tyre elektoral. Pak retrospëktivë: Vitin e kaluar në muajin gusht morëm pjesë në Ditët e kulturës bashkë me shumë miq të shoqatës Pegasi Albania dhe Kosova, por gjendja është po ajo, nuk ka ndryshuar as edhe një fije. Rruga që nga Korça është po ajo, e njëjta e 23 viteve më parë, e paristrukturuar, pa asnjë investim, vetëm disa arna apo pulla të zeza që mbushin gropat deri në hyrje të qytetit. Kjo është rruga nacionale që ende sot ka mbetur jashtë vëmendjes së shtetit shqiptar dhe të qeverisë. A mund të ndodhë një “gabim” i tillë në kohën kur po mburemi para botës se turizmi shqiptar është në kulmin e lulëzimit të vet? Kjo do të ishte vetëm një hipokrizi e vërtetë. E pafalshme, e pafalshme! Sovrani nuk harron të bëjë fushata, takime dhe mitingje në këto ditë të çeljes së fushatës, por memoria i ka ikur fare për ata njerëz që marrin pjesë në të, që zbatojnë programet elektorale, nëse ka ndonjëherë të tillë, që përleshen përditë me vuajtjet, varfërinë dhe përballjet e turpshme politike të ndarjes së shqiptarëve. Edhe kultura e qytetit përpiqet të ngrihet mbi apatinë apo gjumin në të cilin e kanë shtënë ethet elektorale, por edhe për të mungojnë fondet. Në takim me kryebashkiakun mëson se deri më sot asnjë investim serioz, bile edhe në projektet jetësore të qytetit, për ujë dhe shërbime të tjera ndaj taksapaguesve, ka një frymë me sfumaturë të dukshme braktisjeje. Dita e poezisë italiane në një qytet si Erseka është një nismë që duhet përshëndetur dhe mbështetur, pasi pavarësisht largësisë, kontaktet me qytete italiane dhe turistë nuk mungojnë. Disa ditë më parë një grup Italian u ndal për pak turizëm, por e mendoj sesi kanë reaguar kur panë rrugën nacionale dhe qytetin. Është një skenë që tash na u bë monotoni në disa zona, ku edhe qytetari më i thjeshtë nuk e shpjegon dot këtë lloj qeverisje : shteti merr, por nuk jep. Është vështirë ta kuptosh këtë mentalitet, sidomos kur takon banorë të saj që rikthehen nga vende të ndryshme dhe nuk u besojnë syve, sepse e dinë fort mirë se në qytetet ku jetojnë, mentalitete të tilla janë anakronike. Megjithë problemet e pafund, edhe në Ersekë bëjnë sikur jetojnë, një tragjedi e dhimshme që kurrë nuk po merr fund, të bën përshtypje mikpritja, dëshira për kulturën tradicionale vendase, por edhe të huaj, sensi i një qytetarie që është mësuar me problemet e përditëshme, gati të dorëzuar, por që janë të pafuqishëm t’i ndryshojnë gjërat. Ishte më e thjeshtë 23 vjet më parë. Me modestinë e qartë të mundësive, veprimtaria letrare arriti disi të hedhë hapin e parë, për ta shndërruar më pas në një traditë të bukur për nxënësit në mbyllje të vitit shkollor. Emrat e mëdhenj të letërsisë italiane, Aligeri, Petrarka, Bokaço e deri në shekullin e kaluar, ishin korniza e saj. U recituan vargje në dy gjuhë, u kënduan edhe disa këngë, u ngrit edhe një dolli për suksese në edicionet e ardhshme. Erseka, qyteti i vogël jugor, i patriotëve të mëdhenj që i dhanë kombit emra të shquar për të cilët nuk ka nevojë të flasim, pasi njihen prej të gjithëve, mjaft të përmendim gjigandin dhe uraganin Noli, bën apel që të gjitha institucionet qëndrore ta kuptojnë, ta kthejnë vëmendjen, jo vetëm të shoqërisë shqiptare, por në veçanti të shtetit. Fushatat vijnë e ikin, koha vjen e shkon, njerëzit po ashtu, por qyteti do të mbetet dhe kur brezat do të bëjnë gjyqin e shoqërisë, uroj që ta bëjnë në këto zgjedhje një të parë, ta pasqyrojnë me fakte sesa pushteti qëndror bëri për qytetin e tyre dhe t’i japin dënimim që meriton. Edhe në qytetin e harruar – do ta mbyllja me titullin e filmit në krye të artikullit – ka dhe do të ketë gjithmonë jetë. Mjerë ata që luajnë me fatet e qytetarëve dhe harram e paçin bukën e tyre.

Filed Under: Kulture Tagged With: Arian Kallco, bje vizte, ne Erseke

Dante Alighieri nuk mund të lexohet në Algjeri

April 19, 2013 by dgreca

Pak kohë më parë shkrimtari Italian mbërriti në Korçë, për një takim në kuadrin e javës së gjuhës italiane në botë. Kujtoj fjalët e tij në një shëtitje nëpër qytet që e shkuara e qytetit së shpejti nuk do të ekzistojë më për shkak të progresit, prandaj është detyra juaj si shkrimtarë që ta mbani të gjallë në histori me veprat tuaja. Jemi dëshmintarë që Korça e dikurshme po ia lë vendin“modernizmit të betontë” dhe historia e saj po shthurret dhe perëndon pak nga pak. Edhe në vizitën e tij në një vend arab, ai vazhdon ta ruajë traditën e të shkruarit, kur përshkruan gjithçka që i rrok syri nëpër qytete. A.K

Raffaele Nigro/

Shiroku e bën të lagësht dhe të butë në të njëjtën kohë natën në Algjeri. Në kontrollin doganor ka radhë për shkak të një shoqërie pelegrinësh që kthehet nga Meka. Janë gra të moshuara të mbuluara me shami të bardha të zbukuruara me shirita të praruar dhe sandale në këmbë. Ka të moshuar të futur në veshjet e bardha me kapuç dhe këpucë mokasini, celularë që varen në gjoks si suvenire të një moderniteti të mprehtë. Kthehen nga një udhëtim në varrin e profetit, të bardhë në veshje dhe në shpirt, më të sigurtë, edhe në vetëdijen që në kthim i pret një një pjesë jete e dhimbshme. Për shumë prej tyre udhëtimi i fundit. Gjendem në Algjeri për një Takim mes shkrimtarëve europianë dhe algjerianë, nën kujdesin e B.E-së, midis shumë veprimtarive për 50 vjetorin e Pavarësisë së vendit nga Franca, 1962-2012. Tema është e hollë dhe provokuese. Letërsia dhe arratisja. Arratisje e promovuar nga Pranvera arabe, ikje nga integralizmi ose nga moderniteti blasfem i perëndimit, ose nga etika e impenjimeve. Jashtë ka një turmë festuese të të afërmve, në pritje të tyre nga udhëtimi. Më pret drejtori i Institutit Italian të Kulturës, markixhan që ka kaluar përmes përvojave në Sofje dhe Ankara. A njoh shkrimtarë algjerianë? Dikë, Assia Djebar-in, që e kisha takuar në Firence, një grua luftarake, që i shpëtoi dënimit të integralistëve, pasi nuk i pranojnë mospërmbajtjet feministe të saj, shkrimin zemërak të saj. E njoh Malika Mokeddemin, tregimtarinë e saj të denoncimit të diskriminimit seksual dhe ikja në Francë. Dhe Mohammed Dibin, më i njohuri, ka ndëruar jetë në vitin 2003, një burrë që ka shkruar për kalimin torturues nga tradita në modernitet. Më ka bërë kurioz një performancë tregimtare e Amara Lakhous-it, dygjuhëshe që jep mësim në Romë, në universitetin la Sapienza dhe që përzjen kultura dhe tradita euroarabe, duke provuar ta arabizojë italishten dhe italianizojë arabishten e vet. Punohet ethshëm në 10 km e rrugës që e ndajnë aeroportin nga Algjeri dhe rruga e re e presidentit Bouteflika parashikon ripopullimin e qytetit me mijëra palma hurmash të rrëmbyera nga shkretëtira, lagje të reja dhe një xhami shumëmilionëshe euro, më të madhen në botë, që i shtie në diskutime grupimet algjeriane. Algjeri ka shumë prej Napolit spanjoll, në përzjerjen dredha-dredha të rrugëve, në mbeturinat që pushtojnë trotuaret, tek mosbesimi i kangjëllave dhe i mureve rrethues. Nga fusha ngjitesh në kodër në të cilën ngrihet qyteti. Kasabaja e saj, trashëgimi e Unesko-s dhe ribati i vjetër, rrënoja të padepërtueshme, shfaqen mbi port. Një port i madh, në fund të lëmshit dhe labirintheve prej çimentoje të mbështetura në çimento, të mbajtur prej muresh të prishur dhe rrënoja që presin ndonjë restaurim. Hyjmë në hotelin Al Djazair: është në stilin arab, i mbrojtur nga vila të rrethuara me agrume, palma dhe pranë, bima e përhapur në Maghreb, Greqi dhe Andaluzi dhe e përdorur si dekor i kapitolit korinthas. Dy pengesa – një i policisë civile, një e dytë e rojeve private – na ndalojnë që të kontrollojnë në dhomën e motorrit dhe në kofanon e makinës. Mund të kalojmë. Në një sallë me damask dhe të pasur me tapete si në pikturat e orientalistëve, fillon konferenca që më duket një pretekst takimi midis Europës dhe Mesdheut. Nicolae Prelipceanu është sekretari i Bashkimit të tregimtarëve rumunë, shkrimi i lejoi të ndërtojë një rrugë largimi nga terrori në kohën e Çausheskut, por sot vendi kërkon impenjim në themelimin e demokracisë dhe që të stabilizohemi në ekonominë europiane – shpjegon ai. Tema që mbizotëron në shkrimet e pragezes, Petra Hulovà, dhe hungarezes, Jànos Lackfi. Jetuan në socializëm dhe shkrimet, leximet e pakta, qenë një rrjet ante litteram për të debatuar dhe informuar për botën e ndaluar. Ruth Pleyeri, pedagog i shkencave islamike në Vienë, rihap një kapitull dramatik të historisë së ‘900, me ikjen e izraelianes Berta Zuckerkandl në vitin 1940, nga Austria naziste në Algjeri. Belgia Christine Bechet flet për klasikët që t’i shmanget një shoqërie asfiksuese dhe sipërfaqësore, ndërsa regjizori Vassilis Alexakis përsërit pamundësinë e arratisjes për një grek që dje nën diktaturë dhe sot me debitin publik. Juan Vicente Piqueras përshkruan zbrazëtinë letrare të një Spanje që kaloi nga poezia tek tregimtaria dhe në kinema, por që ende nuk i ka gjetur mjeshtrat në gjendje t’i interpretojnë ndryshimet në vazhdim. Përkthyesi i Tonino Guerras, Piqueras, kërkon jetën e lagjeve të vjetra, të fshatit dhe origjinalitetin e humbur. Europa është për të gjithë një strehë, një frymëzim, një mbrojtje nga nacionalizmat dhe nga diversionet e demokracisë. U vjen radha magerbinëve. Në bisedat e tyre lexon shpresën e simbolistëve, ikjen romantike në limitet e ëndrrave, kërkimin e shkretëtirës si strehë nga metropolet, pezull midis Bodlerit, Derridës dhe Kmysë; por edhe konstatimi për një botë që ecën dhe përmbys siguritë e traditës. Kjo është një shoqëri e burgosur e një dualizmi të tmerrshëm. Mohamed Magani, tregimtar dhe francezist në universitetin e Algjerit, është i lumtur se njohu italianë. Se e ndërpreu rrugën njëdrejtimshe drejt Parisit. Kujton prezantimet e romaneve të tij në Bari dhe Firence. Italia është një vend që na do, mjaft të shohësh vëmendjen e botuesve Besa dhe Melangolo — thotë ai. Beteja e Algjerit të Pontekorvos është për algjerianët një monument kinematografik. Por ndeshja për klasën intelektuale algjeriane luhet ende midis laicizmit dhe besimit, dhe në e urrej dhe e dashuroj me Francën. E përsëriti tunizini Hedi Bourawi: «Për arabët frëngjishtja është gjuha e vartësisë dhe e mërgimit. Nuk mund të bëjmë pa të, edhe pse ditën përdorim arabishten, gjuhën e zemrës. Në mospërputhje janë të rinjtë që zgjedhin të studiojnë anglisht dhe spanjisht. Një temë që e prek dhe Amin Zaoui, romnacier prodhimtar, për të cilin progresistët shohin Parisin, integralistët Mekën. Një erë tjetër ndihet në shkrimet e të rinjve. Ka dhjetra syresh, por po përmend disa, Kaouther Adimi dhe Mohamed Grine. Kaouther është 26 vjeçe, në romanin Balerina me papicha, flet për vetminë dhe kontrastet që lindin në një familje algjeriane të zhytur tek krimi dhe varfëria e lagjeve popullore. E njëjta moshë Grine, jep gjuhën frënge dhe italiane, ka shkruar tregimet Pas shamisë. Flasin për hipokrizinë arabe; të nënshtruar me tradita, por bëhen edhe marrëzi për firmat Nike dhe Nokian. Pranvera arabe është një bllof, diktaturat e vjetra u zëvendësuan me të reja dhe terrori integralist dominon në Maghreb. E pyes për botimet. Është i gjallë, ¾ janë botime të Kuranit, ka shitje të pakta për shkak të varfërisë, prandaj prodhohet letër. Në qytet janë shtëpitë botuese Barzach, Casbah, le Editions el Iktilef, Chihab. Ndërsa Mediaplus është në Kostandin. Ofrohet si guidë mes lagjeve popullore që alternohen me pallate elegantë për ministritë, në stil moresk(arab): dyer dhe dritare me hekur, harqe me përforcime, bedena dhe dekore gjeometrike të prejardhjes berbere. Mes kontrolleve lodhëse të policisë, kantiereve të hapura dhe postblloqeve. Sepse vendi është i shqetësuar – më shpjegon. Grupet integraliste na detyrojnë ta mbajmë lart vigjilencën, e tronditin jetën e atij që kërkon normalitet. Ndërtimet e 50 viteve të fundit i mbyti me çimento bulevardet neoklasike të francezëve, realizoi një periferi të pafund të mbushur me dyqane, ku s’ka as antikitet as modernitet. Kalon ndonjë vilë moreske e rrethuar me kopësht, ndërsa futemi në një rrëke apokaliptike me makina të eksituara nga 20 centet, aq sa kushton një litër benzinë. Po tregimtarët italianë? – e pyes guidën time të improvizuar. Janë përkthyer Buxati, Eko. Zgjedhje të rastësishme, episodike, por nuk njihet Petrarka ose Bokaçoja, epika italiane, Leopardi. Me ta merren universitetet. Ambasadori ka premtuar ndihmën e vet; një promovim të kinemasë së re italiane. Po Dantja? Buzëqesh dhe tund kokën. Dantja? S’ka mundësi, është armik i Islamit dhe e i Muhametit.

Përgatiti Arjan Th. Kallço

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Algjeri, Arian Kallco, Dante Alighieri

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • Frank Shkreli merr titullin ‘Qytetar Nderi’ i Malësisë së Madhe
  • Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra
  • KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?
  • Koncerti Panshqiptar Shpalos Bukurinë e Muzikës së të Gjitha Trevave
  • “Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit, një përpjekje në rimëkëmbjen historike të kujtesës sonë të përbashkët
  • Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm
  • “50 VJETORI I REVOLTËS SË SPAÇIT”, HOMAZH DHE NDERIM TE VATRA
  • JU MIRËPRESIM NESËR TE VATRA
  • Shoqatat Shqiptare organizojnë “Piknikun shqiptar” në Staten Island, New York më 28 Maj
  • PAQEJA DHE MBROJTJA, NDESHJA DYFISHE N’EVROPË
  • ME VISARIN…
  • Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së
  • Misioni fisnik i AFC ndërthuret me simbolikën historike të New England Conservatory, Boston në 27 maj
  • Kryeministri Kurti mirëpriti Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi
  • SI DEGRADOI POZITA E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI GJATË KOHËS SË PUSHTETIT TË MILLO GJUKANOVIQ-it ?

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT