• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERGJAKET FUSHATA NE SHQIPERI

April 21, 2021 by dgreca

Një i vrarë e 4 të plagosur në Elbasan në mes të fushatës elektorale/

– Reagon ambasada amerikane dhe Delegacioni i BE-së/

Nga Armand MERO- Zeri i Amerikes/

Në Shqipëri, Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, i cili mendohet se është angazhuar në mbështetje të fushatës e Partisë socialiste mbeti sot i vrarë në qytetin e Elbasanit.

Policia njoftoi se është vënë në pranga autori i dyshuar i vrasjes, Arbër Papleka, i angazhuar në fushatën e Partisë Demokratike, si pjesë e stafit të drejtuesit politik për qarkun e Elbasanit, Gazmend Bardhi. Papleka, një ish pjestar i forcave speciale të policisë, është vetdorëzuar. Katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes të cilëve dhe një punonjëse e policisë, e cila sipas njoftimit zyrtar, po përpiqej të parandalonte krimin.

Mbetet e paqartë dinamika e ngjarjes. Dyshohet se mbështetës të Partisë Demokratike kanë bllokuar automjetin me të cilin lëvizte Xhuvani, dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë, pasi dyshonin se ai po lëvizte me para për të blerë vota. Sipas të dhënave ende jo zyrtare, dyshohet se mes palëve ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Autori i dyshuar i vrasjes, Papleka, mësohet të ketë deklaruar në polici se ai ka vepruar në kushtet e vetmbrojtjes.

Xhuvani ishte denoncuar më parë nga Partia Demokratike, si pjesë e konfliktit mes mbështetësve të saj dhe atyre të Partisë socialiste në Elbasan gjatë ditës së verës.

Ndërsa pas ngjarjes drejtuesi politik socialist për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla akuzoi hapur Partinë demokratike. “Sot kanë ardhur në Elbasan furgona, prej ku grupe paramilitare, njerëz të armatosur nga qytete të tjera kanë zbritur dhe kanë terrorizuar qytetarë elbasanas për qametet që gjoja i presin pas 25 prillit!”, deklaroi ai për gazetarët.

Në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama u shpreh se “dëshpërimi i humbësve nuk duhet e nuk do të na bëjë të humbasim as qetësinë, as durimin, as besimin se 25 prilli do të sjellë bashkimin e shqiptarëve për ta ngjitur Shqipërinë në majën e merituar dhe ndëshkimin kuptimplotë të forcave që duan të ribëhen gjarpër rreth këmbëve tona!”.

Ende deri në mbrëmje nuk ka patur një version zyrtar mbi ngjarjen. Sipas policisë “janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Tiranë, disa persona të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen”.

Reagon ambasada amerikane dhe Delegacioni i BE-së

Në një deklaratë të saj për ngjarjen e ndodhur në Elbasan, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri i bën “thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen”. Deklarata bën të ditur më pas se ambasadorja Yuri Kim “i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane.

Nga ana e tij dhe Delegacioni i Bashkimit europian është shprehur se “akti i dhunshëm që ndodhi sot në Elbasan duhet të hetohet me shpejtësi nga autoritetet kompetente, dhe duhen bërë të qarta përgjegjësitë dhe të ndiqet plotësisht”. Përfaqësia e BE-së bëri gjithashtu thirrje “për përmbajtje dhe shmangie të dhunës, retorikës nxitëse dhe gjuhës së urrejtjes në këtë moment vendimtar të fushatës elektorale”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Armand Mero, Pergjaket fushata, Pjerin Xhuvani

Presidenti Meta përfshihet në përplasjet me Policinë Bashkiake

March 12, 2021 by dgreca

Nga Armand Mero*/

Tirane, 12 Mars 2021-Në Shqipëri përplasjet sot mes policisë Bashkiake dhe përfaqësuesve të Frymës së Re Demokratike për lirimin e zyrave të kësaj force politike, përfshinë dhe presidentin Ilir Meta. Kreu i Shtetit ndërhyri duke urdhëruar punonjësit e Bashkisë që të dalin jashtë, ndërsa foli për një përpjekje nga ana e pushtetit, për të dhunuar forcat opozitare që synojnë të konkurrojnë në zgjedhje . Fryma e Re Demokratike, e cila ka qenë në aleancë me socialistët në pushtet, konkurron tani në zgjedhjet e 25 Prillit në koalicion me Partinë Demokratike.

Punonjësit e Policisë Bashkiake u shfaqën sot në zyrat e Frymës së Re Demokratike (FRD), për të marrë në zotërim mjediset që i janë dhënë me qera kësaj force politike e që sipas Bashkisë, tanimë duhet të liroheshin.

Pasi ka debatuar me punonjësit e Policisë Bashkiake, kryetari i FRD, Sali Shehu, i ka telefonuar Presidentit Ilir Meta, i cili ka mbërritur brenda një kohe të shkurtër. Ndërkohë që të dy kanë hyrë brenda, aty ka nisur përplasja mes palëve, në të cilën është përfshirë dhe vetë kreu i Shtetit, duke urdhëruar me zë të lartë që punonjësit e Bashkisë të dilnin menjëherë jashtë e duke i kërcënuar se “do t’ju çoj në burg me duart e mija”. 

Një situatë e tensionuar mbizotëroi për disa minuta me rradhë. Më pas presidenti Meta duke komunikuar më gazetarët tha se veprimet e Bashkisë, kishin sipas tij synim “për të dhunuar fizikisht, por për të dhunuar dhe psikologjikisht çdo forcë opozitare e cila synon të konkurrojë në kushte të barabarta në zgjedhje, duke keqpërdorur Bashkinë “bandë”. Kjo është padyshim tepër irrituese dhe është një paralajmërim për të gjithë qytetarët shqiptarë, për përpjekjet mafioze për të vënë dorë mbi votën e barabartë, mi një proces zgjedhor me garanci dhe integritet”

Presidenti Meta përdori sërish tone të forta ndaj punonjësve të policisë: “Po i paralajmëroj dhe një herë të gjithë policët, Bashkiakë dhe të Policisë së shtetit, që të mos përfundoni si policët e Mubarakut, nën këpucët e popullit shqiptar”, u shpreh ai.

Fryma e Re Demokratike ka qenë në aleancë me socialistët në pushtet. Një prej nënkryetarëve aktualë të Bashkisë është përfaqësues i kësaj force politike. Por FRD së fundmi ju bashkua koalicionit opozitar për zgjedhjet e 25 Prillit. Një vendim që duket se ka krijuar përpasje të brendshme dhe që çoi në dorëheqjen e kryetarit të saj, ish presidentit Bamir Topi.

Bashkia pretendon se Fryma e Re Demokratike, qëndronte në zyra, përtej afatit, që prej tre vitesh dhe se kërkesën për lirimin e mjediseve të dhëna me qera prej saj, ja ka dërguar dhe shumë forcave të tjera politike. Përfaqësuesit e FRD treguan sot se shkresa dërguar atyre ishte pa vulë, pa numër protokolli dhe pa emrin e titullarit që kishte lëshuar urdhërin.

Duke folur për disa media vendase kryebashkiaku Erion Veliaj, përdori tone denigruese ndaj Kreut të Shtetit, ndërsa tha se rruga normale nuk është ajo e dhunës, por e ankimit në institucione, përfshirë dhe gjykatat.

Për situatën e krijuar reaguan dhe forcat e tjera opozitare. “Hakmarrja është tipari më dallues I Edi Ramës në këto 8 vite. Pa diskutim që kjo është dhunë ndaj opozitës dhe mendimit të lirë. Por kjo nuk na tremb e as na shkurajon se dhuna ka qenë e vetmja alternativë që ajo ka patur për shqiptarët, ndërsa alternative jonë është ajo e ndryshimit”, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha, pasi vizitoi zyrat e FRD, I shoqëruar dhe nga përfaqësues të partive të tjera aleate të opozitës.

*Kortezi- Zeri i Amerikes

Filed Under: Kronike Tagged With: Armand Mero, Perplasja c, Policia Bashkiake, Presidenti Meta

Hapja e bisedimeve me BE, Tirana në pritje të vendimit-NESER

June 25, 2018 by dgreca

…ndërsa Gjermania pritet ta kushtëzojë, problem për një vendim të favorshëm ndaj Shqipërisë mund të përbëjë Hollanda, parlamenti i së cilës votoi kundër, javën e shkuar. Ndonëse qëndrimi nuk është detyrues për qeverinë hollandeze, kjo e fundit do të gjendej në vështirësi për të marrë një pozicion tjetër, nisur dhe nga ekuilibrat e brishtë brenda shumicës që udhëheq vendin./

Keshilli-i-Bashkimit-EvropianNga Armand MERO/ VOA/

Në Bruksel ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati mori pjesë sot në mbledhjen e Grupit të Miqve të Shqipërisë, ku përfaqësoheshin Shefat e Diplomacisë të një numri të konsiderueshëm vendesh anëtare. Mbledhja në të cilën ishte e pranishme dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Federica Mogherini, u zhvillua me nismën e ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias. Në fokus të saj ishte diskutimi për rekomandimin pozitiv që Komisioni europian ka dhënë prillin e kaluar për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe zhvillohet në prag të takimit të 28 dhe 29 Qershorit, të udhëheqësve të vendeve anëtare ku do të duhet të merret dhe vendimi.

Sipas ministrit Bushati, takimi “ishte një mundësi e mirë për të komunikuar kursin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, rolin tonë dinamik e konstruktiv në rajon dhe pritshmëritë tona në lidhje me procesin e anëtarësimit, dhe instrumentat që mund të ofrohen në këtë drejtim”. Nga ana e saj, sipas një njoftimit të ministrisë së Jashtme shqiptare, zonja Mogherini, duke vlerësuar rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon “shtoi se hapja e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë është vendim i drejtë dhe në interes të dyanshëm”,

Por ndërsa pozicioni i Komisionit europian është i qartë, fjalën e fundit e kanë vendet anëtare të cilat duhet të vendosin në unanimitet. Gjermania, një nga vendet me peshë të rëndësishme në BE, është në favor të hapjes së bisedimeve, por me kushte. Nesër pritet që Bundestagu gjerman të miratojë qëndrimin zyrtar. Sipas projektvendimit të rakorduar mes grupeve parlamentare të partive të koalicionit qeverisës “Qeveria Federale, me anë të një dokumenti, drejtuar Bundestagut i rekomandon Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, i cili mblidhet më 26 qershor 2018 të vlerësojë progresin e bërë nga Shqipëria dhe të vendosë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë”. Por deputetët gjermanë, ndonëse vlerësojnë ecurinë e reformave në Shqipëri “Bundestagu gjerman konsideron se një vendim për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë duhet të merret vetëm bazuar në kushtëzime të formuluara qartë. Një vendim i tillë i kushtëzuar, do të nxiste Shqipërinë që të avanconte më shumë drejt progresit të kërkuar për hapjen e kapitujve të parë të negociatave”, nënvizohet në projekt-dokumentin. Sipas deputetëve gjermanë “negociatat duhet të hapen vetëm në konferencën e parë të anëtarësimit, në qoftë se rivleresimi i 57 gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatave më të larta dhe prokurorive do të ketë përfunduar si pjesë e procesit të vetingut, me largimin nga detyra të personave me rekorde negative dhe nëse Shqipëria paraqet një ligj per një reformë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR, duke siguruar financim transparent të fushatave zgjedhore” Ndonëse pranojnë se reforma zgjedhore nuk është pjesë e kërkesave europiane, deputetët gjermanë e konsiderojnë se “zbatimi në kohë i rekomandimeve, është i domosdoshëm. Për ta bërë këtë, qeveria dhe opozita duhet të punojnë së bashku në Shqipëri”.

Por ndërsa Gjermania pritet ta kushtëzojë, problem për një vendim të favorshëm ndaj Shqipërisë mund të përbëjë Hollanda, parlamenti i së cilës votoi kundër, javën e shkuar. Ndonëse qëndrimi nuk është detyrues për qeverinë hollandeze, kjo e fundit do të gjendej në vështirësi për të marrë një pozicion tjetër, nisur dhe nga ekuilibrat e brishtë brenda shumicës që udhëheq vendin.

Megjithatë duket se shumëçka do të jetë në dorë të Francës, e cila ende nuk ka formuluar një qëndrim tä qartë zyrtar. Duke qenë edhe se procesi i vendim-marrjes në Francë është i ndryshëm nga vendet e sipërpërmendura, vendimi mesa duket i takon drejtpërdrejt presidentit Emmanuel Macron, i cili ka shpallur publikisht si objektiv kryesor reformimin e vetë BE-së, përpara zgjerimit të saj. Ai ndodhet nën trysninë e forcave politike franceze, por edhe të opinioni publik në Francë, të cilët në shumicën e tyre duket se nuk janë në favor avancimit të këtij procesi zgjerimit me vende të tjera. Po ashtu, situata gati kaotike në vetë gjirin e BE-së, nuk wshtw e favorshme. Nga një anë me një pjesë të vendeve evropiane, përshirë edhe vetë Gjermaninë, të cilat nuk po i japin mbështetjen e pritur inciativave reformuese evropiane të presidentit Macron, dhe nga ana tjetër, me çështjet e migracionit e posaçërisht pas krizës së mprehtë të ditëve të fundit e cila ka tronditur thellësisht kohezionin evropian duke minuar terrenin në përgatitjen e Këshillit Evropian të 28 qershorit, rrezikojnë ta largojnë edhe më shumë vëmendjen e presidentit Macron nga dosjet e Ballkanit. Për këtë arsye, dhe në perspektivën e fillimit të fushatës së zgjedhjeve për parlamentin evropian tw pranverës 2019, nje test shume vështirë dhe i rëndësishëm ky për partinë e presidentit Macron dhe për shumë forca të tjera progresiste në kontinentin evropian, mendohet se Francës mund t’i shkonte për shtat një zgjidhje e cila nga njëra anë nuk do të bllokonte avancimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë në procesin e integrimit, por që nga ana tjetër, nuk do t’i hapte presidentit të saj telashe qoftë drejtpërsëdrejti me kundërshtarët e brendshëm politikë ashtu edhe në mënyrë të tërthortë me forcat euroskeptike apo antievropianiste brenda BE-së.

Sinjalet e para mund të vijnë që nga mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE-së, e cila do t’i paraprijë Këshillit europian. Ministri Bushati deklaroi sot pas takimit me homologët e tij të vendeve anëtare se “mbetemi shpresëplotë që në fillim ministrat e më pas udhëheqësit e BE-së, gjatë kësaj jave, do të marrin një vendim të drejtë që do t’i krijojë mundësi Shqipërisë për të hyrë në fazën e pakthyeshme të procesit të anëtarësimit në BE”.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Armand Mero, Be, Shqiperia pret' lajmin

Kriza, Lu: Ende shpresë për zgjidhje

April 27, 2017 by dgreca

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu është i mendimit se ka ende vende për një zgjidhje të krizës politike, e cila prej më shumë se dy muajsh sheh opozitën në protestë për të kërkuar një qeveri teknike, duke refuzuar të rregjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhje. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Lu shpjegon se, të gjithë po punojnë që ajo të përfshihet në proces, por, siç vë në dukje ai, zgjedhjet mund të konsiderohen të ligjishme dhe legjitime edhe pa pjesmarrjen e opozitës.

Interviste nga Armand Mero/

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador! Së pari, ju falenderoj për këtë mundësi. Shqipëria prej disa javësh po përjeton një krizë të gjatë politike. Para dy ditësh këtu në Tiranë ishin dy euro-deputetë, të cilët u përpoqën të ndërmjetësonin një zgjidhje mes palëve, por dështuan. Sipas jush, cilat janë pasojat e kësaj situate të krijuar tani?

Ambasador Donald Lu: Së pari Armand, faleminderit që më ftuat sërish në Zërin e Amerikës. Unë nuk do të flas për të gjitha pasojat, por dua të them se disa politikanë shqiptarë, duan që ne të mendojmë, se ne jemi pranë dhunës apo kaosit. Atyre unë do t’u përgjigjesha, siç thoni ju në gjuhën Shqipëri, ‘mos i shiko gunën por shikoji punën.’ Dhe qeveria e SHBA është shumë e lumtur që deri tani, qeveria dhe opozita kanë bërë hapa të qartë për të shmangur dhunën. Protestat kanë qenë paqësore. Nëse retorika ndonjëherë nuk ka qenë e tillë, të dyja palët kanë bërë thirrje për dialog, të dyja palët kanë thënë se nuk duan dhunë. Tani është në dorën e të gjithëve ne që të sigurohemi se këta politikanë do t’i mbajnë premtimet e tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, ju nesër, së bashku me ambasadoren Vlahutin dhe me ambasadorin e OSBE-së Borchardt, keni lënë një takim me partitë e vogla parlamentare. A mendoni se ka ende hapësira për zgjidhje, sepse duket se ato janë ngushtuar gjithnjë e më tepër?

Ambasador Donald Lu: Padyshim që ka vend për zgjidhje. Është e vërtetë që dy ditë më parë, negociatat nuk prodhuan ende një zgjidhje përfundimtare. Por do thoja se negociatat shpesh nuk janë një diskutim një ditor. Negociatat shpesh janë një proces, ndonjëherë një proces i gjatë. Z. McAllister dhe Z. Fleckenstein punuan fort për të gjetur një zgjidhje. Të dyja palët ishin të gatshmë për t’u ulur dhe për të diskutuar çështjet. Kjo duhet të vazhdojë. Dhe unë kam besim të plotë se ka njerëz të zgjuar në Shqipëri që punojnë çdo ditë vazhdimisht për të gjetur një zgjidhje.

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador! A do të ishit i shqetësuar ju nga një skenar i zgjedhjeve pa opozitën?

Ambasador Donald Lu: Jemi të qartë në besimin tonë se zgjedhjet do të jenë më të mira nëse kanë pjesëmarrjen e të gjitha partive politike. Nuk kemi hequr dorë nga ky synim. Po ashtu, është e vërtetë që zgjedhjet mund të konsiderohen të ligjshme dhe legjitime edhe pa pjesëmarrjen e opozitës. Por, të jemi të qartë, të gjithë duhet të biem dakord se me pjesmarrjen e opozitës këto zgjedhje do ishin më të mira. Ne po punojmë çdo ditë për të arritur në këtë përfundim.

Filed Under: Politike Tagged With: Armand Mero, Kriza, Lu: Ende shpresë për zgjidhje

Moore: SHBA të interesuara që shqiptarët të kenë besim te zgjedhjet dhe institucionet

May 28, 2013 by dgreca

 Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit u takua në Tiranë me forcat kryesore politike të vendit/ Nga Armand Mero(VOA)/

Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore tha sot në Tiranë se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara që qytetarët shqiptarë të kenë besim të zgjedhjet dhe institucionet. Ai bëri këto komente në përfundim të takimit me kryetarin socialist Edi Rama, i pari në serinë e bisedimeve që ai zhvilloi sot edhe me Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.
Muajin e kaluar vizita e zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Moore përkoi me vendimin e shumicës së djathtë për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe dorëheqjet e tre anëtarëve të tjerë që e pasuan si shenjë proteste. Në atë kohë ai shprehu shqetësim për pamundësinë e funksionimit normal të KQZ-së. Sot ky problem mbetet ende i hapur dhe ishte pjesë e bisedimeve që ai pati me udhëheqësit e forcave kryesore politike në vend.
I pyetur nga gazetarët në përfundim të një takimi që zgjati afër një orë me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, nëse shpresonte për një marrëveshje për KQZ-në, zoti Moore tha: “Edhe në të shkuarën, ne e kemi shprehur qëndrimin tonë për zgjedhjet, sikurse edhe ambasadori ynë e ka bërë të qartë se duam që populli shqiptar të ketë besim në procesin elektoral, në institucionet dhe tek rezultati i zgjedhjeve”
Përmendja e ambasadorit Aleksandër Arvizu dhe qëndrimeve të tij lidhur me zgjedhjet duke se ishte një mënyrë për të rikonfirmuar publikisht mbështetjen ndaj tij, pas toneve të forta që Kryeministri Berisha përdori pak ditë më parë kur tha se “askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër”, ndërsa komentoi thirrjen e zotit Arvizu që në seancën parlamentare ku pritet të miratohen ligjet e kërkuara nga Brukseli të shfrytëzohej edhe mundësia për konstituimin e KQZ-së.
Zyrtari amerikan Moore dhe ambasadori Arvizu u takuan pasdite me Kryeministrin Berisha dhe deri vonë nuk pati asnjë njoftim publik për çështjet specifike të biseduara mes tyre. Ndërkohë që para këtij takimi, zoti Moore, takoi edhe kandidatin për deputet të Partisë Demokratike Eduard Selami i rikthyer në politikë pas një mungese të gjatë. Zoti Moore nesër pritet që të japë më shumë hollësi rreth bisedimeve që ka patur në këtë vizitë të dytë në Tiranë.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Armand Mero, Arvizu, drejtori per Europen Qendrore, KQZ, Moore Jonathan

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT