(Njohja me një poete)
Prof.dr.Tefë Topalli
(Profesor Emeritus)
Kështu ndodhi vërtet, ndërsa po bisedoja me mikun tim, prof.dr.Bardhosh Gaçen, para Universitetit të Vlorës, në fllim të qershorit, kur na afrohet një vajzë, që linte përshtypjen se ishte ndër studentet e degës së gjuhës e letërsisë.. Ajo njihej me kolegun tim, ndërkohë u prezantua me thjeshtësi me mua, duke shprehur kënaqësinë për fjalët që shqiptoi profesor Gaçe në drejtimin tim. Quhej Armenida Qyqja. U ul në tavolinë dhe porositi një kafe, pothuaj në të njëjtën kohë Bardhoshi e pyet për botimin e fundit që kishte në shtyp. Kokulur, ajo tha se sapo e kishte marrë, na tregoi dhe ne e uruam. Pasi folëm rreth krijimeve në vargje, mora leje të largohem, kur ajo, me modesti, m’u drejtua se kishte dëshirë të më dhuronte gjithë krijimtarinë e saj, që, pa vonesë, e mori nga makina aty pranë. Ishin pesë përmbledhje me vargje, titulluar me dy e tri fjalë të zgjedhura, siç duan e dinë vetëm poetët. Duke e falënderuar, e pyeta nëse ishte shkruar ndonjë paraqitje e saj në shtypin letrar të sotëm, m’u përgjigj se nuk kishte dijeni, pasi banonte prej vitesh në Kanada. I premtova një shkrim prezantues si krijuese e kësaj prodhimtarie.
Kur e pyet poeten e re Armenida si shpjegohet që brenda tre vjetëve (2018-2021) ka një fluks të tillë botimesh, prej 5 përmbledhjesh me poezi, një publikim që do të krenonte çdo shkrimtar, nuk përgjigjet se ka akumuluar prej shumë kohësh, pasi frymëzimi nuk mbyllet brenda kullës së fildishtë, mendon me bindje se jeta e saj nuk merr kuptim, pa krijimtari, ajo është e shpërndarë në vargje e motive të gjera, që ravijëzojnë portretin e saj artistik. Çështje e shtypit të veprave letrare, sigurisht, lidhet me Kanadanë e largët, ku ajo punon e banon prej vbitesh. Por, në ngjarje të tilla letrare, në mënyrë të veçantë për krijuesit e rinj, nuk duhen pritur 5 vëllime, për të reaguar kritika ndaj artit të saj….Shkruajnë shqiptarët emigrantë, kudo që janë në botë, hartojnë vargje e radhë në prozë për bashkëvëllezërit e tyre dhe, nëpërmjet mallit, shquajnë shpirtin e psikën e një populli, botojnë libra në vendin e tyre, pandaj dhe nuk duhen shmangur nga mbarë krijuesit e tjerë që jetojnë këtu….
***
Vëllimi i parë, me titullin metaforik “Përtej kangjellva të shiut”, ndoshta, nuk është takimi parë i saj me vargun, pasi vjershat e kësaj përmbledhjeje dëshmojnë jo një fillestare, por një autore që jep prova pjekurie në procesin krijues. Kur je në mbyllje të leximit të këtyre 97 poezive të saj, ke bindjen se ato kanë mbirë pas shumë e shumë provave në krijime të tjera, para tyre dhe…mund të jenë zhdukur, siç bëjnë shkollarët, pakënaqurit nga vetvetja, në hapat e parë të krijimit! Në këtë tubë vjershash të Armenidës duket prirja për hermetizëm, një dukuri fare e zakonshme për vargun e lirë, që lëvron përgjithësisht, por jo pa mundësi “hyrjeje” në semantikën e tërë të tekstit poetik. Në një çast shpirtëror dëshpërimi asaj “i treten” fjalët, i përhumbin nëpër fjalorë të mbyllur dhe, papritmas i vjen në ndihmë interteksti migjenian:
“Oh, ta kisha një grusht fjalë,
Dhimbjen ta çliroj
Nga dhomat e fsehta të zemrës”
Poetja e re arrin të transformojë vargjet e zymta, në vargje të jetës, t’i dëbojë ato, madje, edhe t’i dënojë, siç del në poezinë 58, e cila nis me tercinën:
“Pra, ju nuk i doni vargjet e mia të errëta!
E zezë është boja,
E bardhë vetëm letra.”
dhe, pas tabllove natyrore me bukuri të rrallë, përfundon me strofën:
“O vargje të zymta,
Dënuar jeni rrugën mos ta gjeni në letër,
Aty ku zanafillën e patët,
Vdekjen do prisni në vetmi harruar.”
Jo veç për për prodhimin letrar të Armenidës, por në mjaft botime, nuk ka dorë redaktimi gjuhësor: ky vëllim është me aq shumë devijansa norme gjuhësore, sa kanë edhe pasoja semantike, që dëmtojnë kuptimin për lexuesin e zakonshëm.
***
Përmbledhja “Letra pa zarf…”, që po sjellim këtu, ka si temë qëndrore përjetimet intime të individit të dashuruar, që harton njëmbasnjë letra në vargje, duke mbetur i përhumbur në kujtimet e bukura të një marrëdhënieje idili, që s’është më, që nuk nuk i përgjigjet dashurisë me të njëjtën ndjenjë. Prandaj dhe letrat-vargje nuk rreshtin në asnjë nga nga ato ndarje poetike që bën autorja: Letra të shkruara në vargje, Kam nevojë për ty, Dallgët e shpirtit rebel, Tretem mes pritjesh, Thirrje shpirti, Ëndrra me vështrime të bardha dhe Brenda teje dua të rritem. Vetë titujt e vjershave, me fjalë e sintagma të zgjedhura e të poetizuara, me stilema të papritura, nga thesariusi që zotëron autorja jonë, si: zemër, shpirt, endem, shpirtzbrazur, merrmë, je kudo, të pres, dallgë, shtrëngomë, kraharor, Atlantida, mëngjes i fjetur, dallgë malli, pritmë, më harrove, ylber, si një zog, shtretër jargavanësh, Itaka, Shalom, theva mallin, flë mbi buzë, heshta ikjesh, humnerë harrese, yje ëndrrash, kthime të zbrazta, sytha shpirti, kuajt e erës, diell i ditëve të mia, lule ëndrrash, derë e shpirtit, ëndërr që rreshket, ëndërr e shprishur, engjëll i rrëzuar, përhumbje, tretmi retë, në krahët e dritës…etj.
E dashuruara e e poezive të Armenidës nuk ka qetësi, është përherë në thirrje e pritje të asaj ndjenje të përjetuar shpirtërisht, prandaj dhe jo rrallë, shihet me lot në sy, me lot shndërrimi të jetës së saj, si në dy strofat më poshtë:
Lotët në sy…, sikur sytha të çelnin Trokit në portën time, këtë natë të shurdhër,
Lastarë të rinj jete të mbinin në shpirt, Të thyhet heshtja, të kriset me zhurmë,
Degëzat t’i çonin drejt diellit të shpresës Në kthinat e zemrës të ringjallen ëndrrat,
Dhe jeta të ringjallej nga hiçi sërisht… Udhën të marrin, mes syve si lumë…
Megjithëse vjershat e këtij vëllimi kanë një motiv të përafërt, përmbledhja ruan karakteristika të veçanta, më së pari, duke shënuar hop cilësor në mjeshtërinë e vargut, njëherësh, edhe në gjetjen e përzgjedhjen e figurave krejt të natyrshme përgjatë shfaqjes së gjendjes emocionale që përshkon tërë vjershat e kësaj tube të frymëzuar, në përjetim të botës dhe artikulim i saj me gjuhë poetike, si shprehet në parathënie prof.B.Gaçe.
***
Poetët, jo rrallë, ex commodo, kërkojnë të eksplorojnë botë të tjera, përtej planetit Tokë, në hapësira eterike, drejt frymëzimit të pastër, prandaj dhe në librat e tyre gjejmë tituj të tillë, si “Puthje në eter”, një botim me 162 faqei ndarë në gjashtë rubrika: Puthje në eter, Si dallgë në kërkim të bregut, Hieroglifet e kohës mbi gurë, Largohu trishtim, Ngjyrat e mallit, Atdheu im mes udhëkryqesh. Janë ndarje tematike, ku autorja ka arritur në eterin e lartë, sipër reve dhe shijon në imagjinatë lumturinë, por, përsëri mbetet një Odise në kërkim e mes dallgëve, pasi ende nuk e ka gjetur lumturinë! Sjell papritmas, autorja, disa pasazhe nga vendlindja, ku duket se ka shkelur tokën e dashur, që po zien nga shqetësimet, amullia e kaosi, vuan për Tiranën, që nuk është më Tirana që do ajo, por një miscellaneo dykëmbëshash (!) dhe e gjen veten tek muret e lashta të Rozafës, të dënojë ashpër tradhtinë legjendare mes besës midis vëllezërve: “Tradhti që në gurët e parë, në themele,/Ashtu si në mëngjesin biblik, vëllai ndaj vëllait!” Heroina do të dalë nga gjendja që e pllakos përsëri dhe të heqë rrobën e trishtimit që i është qepur prej kohësh; e sheh veten të mbyllur në guackën e heshtjes, pret një zë dhe trokitjen e mallit mbi të…Mbi të gjitha, dëshiron me shpirt e me këmbëngulje nga koha, dhe është e bindur se nëpërmjet poezisë, do t’i kthehet lumturia, e ndjen në fëshfërimet e hapave të saj:
“Fëshfërimë e largët le të bëhen,
Refrenet e këngëve,
Himnet e lashta në buzët e valëve…”
Një shkrimtar apo poet shqiptar, sado larg Atdheut shkon dhe vazhdon të jetë, i kthen sytë nga vendi ku ka lerë dhe thërret se nuk mund ta fshehë zhgënjimin që pëson sapo zbret në tokën e vendlindjes, të cilën nuk e gjen si e ka dëshiruar:
Atdhe! Atdhe!
Përse ta fsheh në fund të shpirtit, përse, Përse ta fsheh në fund të shpirtit, përse?!
Mallin që nga skaji tjetër i botës më sjell tek ti?! Je dashuri dhe vuajtje e hidhur njëherësh,
Sytë e Migjenit më shohin në çdo rrugë, Mall që bluan shpirtin tim që nga larg,
Në heshtje më vrasin, me sytë e njerëzve të mi. E sërish udhën e mërgimit më nder si prag…
***
Me tetë rubrika tematike na vjen vëllimi i 4-t i poeteshës Armenida, me titullin intim “Mes rrahjeve të zemrës”, të cilin autorja e ka segmentuar si vijon: Dëshirë për të rilindur, Mes dilemash, Dashuri në ikje dhe kthime, Dy zemra në një rrahje, Endje nëpër hapat e kohës, Në syrin tim dua puthjen tënde, Pikat e mallit në sy, Toka e gjakut tim.
Ndoshta vonuam ta pohojmë (mund të ishim bindur që në vargjet e para të kësaj krijueseje tërheqëse) se kjo autore është një muzë shqiptare e dashurisë, në përngjasim me atributin e Safo-së greke, që tragjikët e mëdhenj të antikiktetit helen e patën quajtur “Muza e Dhjetë”! Kemi parë deri këtu se, sido që t’i grupojë në klasa me emërtime gjithnduerësh, Armenida nuk u largohet vargjeve për dashurinë, ajo do të bëhet “zëdhënëse” e dashurisë universale mes njerëzve, në përmbledhjet e saja me vjersha nuk gjen urrejtje e mëllefe, xhelozi e mallkime, nuk gjen hakmarrje e zili, por vetëm besim e bindje se poezia, arti e mundin të keqen, e shëndoshin shoqërinë e sëmurë….! Dhe ndalet tek ajo që përkund jetën dhe dashurinë, ndalet tek qenia më e magjishme e botës, te G r u a j a:
“Flijohesh çdo ditë, në çdo kala ëndrrash
Se muret e tyre kërkojnë gjithnjë një fli,
Dhe prapë ngrihesh, e përkund ti jetën
Në djepin e zemrës plot dashuri…! ”
Sa e sheh, në vështrim të parë, thua se ky vëllim i poeteshës Armenida Qyqja sjellë ndryshe, që nga tipografia: me strofa dhe në monokolonë, nuk duket si përmbledhjet e para, jo vetëm në motivet e zgjedhura prej saj, por as në organizimin poetik e gjuhësor: gjen kalime nga vargu i lirë, në vargjet strofike, nga masa të ruajtura rregullisht në strukturën e tekstit, në shfaqje variacione ndërtimi, në të rrallë, edhe me ndonjë varg safik; gjen gjithashtu strofa varg e fjali, por edhe strofa-fraza, aty-këtu, edhe organizime sintaksore gjithë teksti me një frazë. Takimet me rimën, përgjatë poetikës së Armenidës, të duken stacione të rralla pushimi për lexuesin, si tek vjersha “Deri kur?”, f. 112, apo “Vargje të thyera”, f. 110, ku dhe asonancat na sjellin mallin e humbur të autores për vargun e matur tradicional:
“Luftë pa fronte, llogore e krisma “Sa vargje na thyen miqtë që na shitën,
Një Hiroshimë pa tym, veç britma, Rrugës së jetës plot prita e Juda,
Me mushkëritë e shqyera njerëzimi lëngon, U thyen si bukë e më nuk u ngjitën,
Ajër! Ajër! Anembanë globit gulçon…” Në shpirt na mbeten vetëm thermija…”
Poetët janë luftëtarë për drejtësi sociale, për liri fjale dhe përherë kundër diktaturave, që u mëkojnë popujve parulla lufte, pa u dhënë shpata, as parzmore; këtu rreshtohet edhe Armenida: kundër atyre që i bëjnë djemtë të mos u ndodhen prindërve t’u hedhin një grusht dhe – të përlotur nga larg; ajo thërreth e ka besim se këto kasta sunduese do të ben e tavolina ka për t’u përmbysur ! Me shqetësimin e pandarë prej gjendjes që përjeton, ajo del në breg oqeani dhe zgjatet të shohë Bukuroshën e Durrësit, Amantian, Aplloninë, Tiranën e saj, ku po vanitet zjarri në vatrën e mendimeve; kërkon të shohë Atdheun në harresë, në trojet e të cilit nuk po lind asnjë Promete e dhei i atit të saj po humb nën hi harrese…! Ç’është më e keqja, ajo mundohet të lexojë prognozën e Atdheut të vuajtur, të cilin “E shqyen bajlozët, ulkonjat e grinë,/Por sot bishë tjetër, për së gjalli e ha brenda…!” Dhe, për fatin e zi, përmbrenda, janë vetë shqiptarët, që e bëjnë të vuajë! E shkaku, thotë poetja, vjen se qenka “Popull i vdekur !” ***
Vëllimi më i ri, i pesti, që kemi në dorë prej poetës sonë “Dyzet plus”, ndoshta aludon për vite moshe, por vështirë ta përcjellë dëshpërimi këtë përvjetor pjekurie e me shkallë të tillë frymëzimi dhe duarplot: me 150 poezi !
Autorja e ka vënë këtë tregues vitlindjeje, ashtu kalimthi, thuajse pa e vënë re as vetë; madje nuk e rendit tek vjershat e fillimit, por nga mezi i përmbledhjes poetike me këtë titull, duke i kushtuar vetëm një distik të lidhur kuptimisht: “Dyzet plus….po ç’punë ka mosha / Kur zemra mbi kohën galopon kështu?!” Le të mos jetë mosha shënuese e shkrimtarisë në vargje për këtë krijuese – një fakt që lexuesit mund t’i kujtojë Anakreontin plak që ende i kushtonte lirika dashurisë – por është rasti të pohojmë për Armenidën se, me këtë tufë poetike, ka bërë një hap mjaft cilësor në thurjet e vargjeve e në tërë strukturën e tekstit poetik, edhe pse është prapë ajo, këngëtare e dashurisë. Receptimet e kësaj krijueseje nuk duhen kuptuar të gjitha si anë personale, si pjesë e jetës së saj: ajo u këndon gjithë shpirtrave të dashuruar, ashtu si dënon, pa i mallkuar, tradhëtitë në dashuri: ikjet, largimet pa kthim, heshtjen e thirrjes për t’iu ndhodhur pranë…qoftë edhe për “dyzet plus”! Njëqind e pesëdhjetë poezitë e këtij vëllimi, shënojnë një rrugë në ngritje që ka bërë poetja, një përkujdesje për gjuhën, përzgjedhjen leksikore, poetizimin e fjalëve në varg dhe, në mënyrë të veçantë, kjo përmbledhja na takon dendur me rimën, ndonëse ajo vjen e shfaqet në masën e një strofe e rrallë në tërësinë e gjithë tekstit. Por lexuesi duhet të hetojë se kjo mungesë melodike siç dhe quhet shpesh rima, në vargjet armenidiane, nuk ndjehet, edhe kur krahasojmë strofa krejt të ndryshme, siç del në vijim, ku strofa e parë nuk ka fare vargje të rimuara, kurse e dyta vjen me rimema të rregullta:
“Dhe ditët e netët trazohen në pritje, “Në sytë që si dritën më duan,
Njëra-tjetrën tek përcjellin në dallgë, Koha kthehet andej nga ka shkarë,
Me mallin e kripur për velat e bardha, Nuk di ç’lodra zemra luan,
Që rrathët detit në zemër ia shtojnë?! Diku në Eden, nis puthja e parë….!”
Për prodhime të tilla letrare, si këto 5 vëllime me vjersha brenda një kohe jo të gjatë, me të cilat paraqitet Armenida Qyqja, nuk duhet pritur kaq kohë; ajo ka merituar vëmendjen e redaksive e kritikës që në publikimet e para; jo se autorja nuk është orientuar drejt në shinat pa mbarim të krijimit, sepse dhuntitë e artit janë të lindura e zhvillohen me punë dhe punë quhet vjershëria, gjithë shkrimtaria e një krijuesi. Nga ana tjetër, me një shkrim si ky, me një paraqitje portreti për këtë vajzë të talentuar, nuk arrijmë të japim gjithë ravijëzimin artistik dhe prurjet e veçanta që ka ajo në artin e saj. …
Le të “ngushëllohemi”me thënien e një shkrimtari të shquar që shkruante se artin e nisin mijëra, e vazhdojnë qindra dhe e ndjekin dhjetëra…herë-herë, edhe më pak: këtu ka mbërritur dhe në këtë numër përfshihet Armenida Qyqja….
Tiranë, 2 korrik 2022