(Me rastin e 150-vjetorit të lindjes)
Prof.dr. Tefë Topalli
(Profesor Emeritus)
A b s t r a k t
Asdreni, që zë një vend nderi në letërsinë e Rlindjes sonë Kombëtare, duke u shtrirë edhe gjatë periudhës së Pavarësinë, është ndër poetët më të kompletuar që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të traditës dhe që radhitet me të drejtë përkrah Mjedës, Nolit, Zef Skiroit dhe Migjenit. Ai jetoi e shkroi në mërgim, Bukuresht të Rumanisë, dhe ishte pjesëmarrës e veprimtar aktiv i lëvizjeve për liri e pavarësi, përparim shoqëror dhe lulëzim të Shqipërisë. Pa u zgjeruar në jetëshkrimin e tij, themi se vjershëtari drenovar pati një fëmijëri të hidhur, rini të vështirë dhe pjekuri të palumtur, derisa u nda së gjallësh, në mjerim, më 1947.
Në këtë shkrim, autori ka bërë objekt të punës së tij gjuhën poetike të Asdrenit, përndryshe, vështrimin e sintaksës së vargjeve, në rrafshin stilistikor të disa vjershave që autori ynë i Rilindjes Kombëtare dhe i Pavarësisë, i ka hartuar në variantin e shkruar të Veriut, përfshirë edhe një paraqitje të vjershërisë së poetit për larminë e strukturave strofike, nga distikët, tercinat, strofat me katër dhe gjashtë e tetë vargje, ndërtimet kolonë, strofat safike, tingëllimat, si dhe rimemat e skemat e tyre brenda kësaj njësie poetike. Mendojmë se ky vështrim brenda nivelit sintaksor dhe stilistik, sillet për herë të parë në këtë masë, ka mjaft risi hulumtimi nga këndvështrimi i poetizimit të leksikut, sintagmave dhe ndërtimit të frazës me përbërësit e saj funksionalë, aq më tepër që autori i këtij kumti ka veçuar edhe vjershat e gjata, duke i quajtur poemtha, pasi kalojnë mbi njëqind e më tepër, deri 400 vargje. Për Asdrenin, na duket me vend ajo që, autori, në pjesën e parë të punimit sjell të dhëna e fakte vlerësimi e studime që janë bërë për artin e këtij poeti drenovar, si para Luftës II Botërore, kur ai bëri emër në letërsinë tonë, ashtu edhe pas saj, duke përfshirë sidomos, botimet e herëpashershme të krijimtarisë së tij dhe lartësimit të asaj që pruri të re në vjershërinë shqipe, prej personaliteteve, si: Konica, Fishta, Karl Gurakuqi, Dh. Shuteriqi, L.Poradeci, R. Qosja në veçanti, S. Hamiti, K. Bihiku, J.Bulo, R.Elsie.
***
I. H Y R J E : Çdo gjë për Asdrenin….V l e r ë s i m i
Në këtë hyrje të këtij shkrimi për Asdrenin, po sjellim në mënyrë kronologjike studimet që i takojnë krijimtarisë së poetit drenovar. I pari që e ka njohur dhe vlerësuar është Faik Konica, i cili ka shkruar tek revista e tij, “Albania” një kritikë, ku, ndër të tjera lexojmë: “Duke qenë se këndonjësit e së Përkohëshmes e njohin zotin Asdreni si vjershëtuar, nuk do t’i zgjat tepër fjalët: veç dua, aq shkurt sa më mundet, të shfaq këtu disa mendime: të parën, përmi karakterin e vjershësjës në “Rreze të Diellit”: të dytën, përmi metrikë a masërie: të tretën përmi gjuhë të “Rrezeve”.
I.Që në fletë të para të librit, vjershësia e z. Asdren shfaqet e lehtë, e qetë: fjalët kullojnë jo si dropull a përrua, po si një lumë pa vala, i shtrihur në mes barërash: Ashtu në krye, dhe ashtu gjer në fund. Mund të thohet përmi vjershësie të z.Asdren, ato që thotë vetë te vjersha “Natyra”(f.12)…Po vjershëtori i luleve e i gjelbërimit gjen një zë të gjerë e të rëndë kur këndon atdhenë e të ngjarat e mbëdha të Shqipërisë. Palla e Skënderbeut, që dolli më parë te “Albania” (e mbajnë mend, besoj, të gjithë këndonjësit tanë), mund të tregohet si pasqyra e mënyrës së z. Asdren në vjershësi trimërie. Ç’mendim i bukur, e sa bukur i derdhur, mendimi i dy vijëve të fundit:
…Se s’pret palla q’është një hekur i dheut
Po pret dor’e fuqishm’e Skënderbeut !
II. Kanunet e metrikës shqipe janë të shumta. Masa më klasike është ajo tetëkëmbëshe….
III….Tërësia e “Rrezeve” është plot me vlerë letrare, e ky libër është një nga fare të pakët që meritojnë të jenë në libërtore të çdo shqiptari a të huaji që punon gjuhën shqipe. Mënyra e shieshme me të cilën u shtyp libri, është sipër çdo lëvdate. (1904)
**
Pas tij, ka vlerë të njihemi me paraqitjen që i bën Gjergj Fishta kësaj vepre poetike të Asdrenit, botuar në revistën e njohur të urdhërit françeskan “Hylli i Dritës”, që duhet të jetë i dyti shkrim, lidhur me përmbledhjen “Ëndrra e lotë”.
Asdren – Endra e lotë
Vjerrsha- Bukuresht – Shtyp.”Gutenberg”
Str. Doamnei 20. 1912.-
“Qe një libër sikush! Mundet me u thanë me gjithë arsye, se me këtë libër vjershash asht shtue fort pasunia e literaturës shqipe; pse fillim e mbarim këtij libri ndihet një fllad i ambël njomësie e hijeshie fort të kandshme. Për në qoftë e vërtetë çka thotë Bajroni, se poezia përbahet prej ndiesive të nalta e të ambla, e prej shqiptimit të mbarë e të ardhshëm, padyshim libri i z.Asdren, “Endra me Lotë” përmbledh në vetvete shumë poezi të thjeshta, tue qenë që ndër të pesë pjesët, ndër të cilat asht nda libri, vegojnë mendime të naltueshme, të shprehuna me gjuhë të pastër e të hijshme. Mbas mendimit tim, ky libër tfaqë ma së miri çka ka të hijshëm në vetvete dialekti i Toskënisë. Do shqiptarë, kur shkruejnë shqip, e përziejnë gegnishten e toskënishten në një mënyrë kaq të vrazhdë, sa mos me t’u ba me e këndue. Ajo s’asht gjuhë: ajo asht si mushku, që s’asht kalë as gomar. Për me u përba gjuha letrare, nuk asht nevoja, nuk asht nevoja me krijue një gjuhë të re: lypet vetëm me e njoftë gjuhën e me i ditë rregullat e saj mirë, e masandej me i rreshtue fjalët në shkrim me mjeshtri; e, atëherë koha e dija e estetika kanë me gjykue se cili dialekt do zgjedhë për gjuhë letrare në Shqipni. Për këtë arsye libri i Asdrenit asht një shembull, që do ndjekë prej shumëkujt. Unë shpresoj se autori ka me punue prap e prap, pa u lodhë, në Parnas të Shqipnisë, e se, me botime të tjera, ka me begatë ma tepër pasuninë e literaturës shqipe, tue u mundue mbas sotit me iu vu pak gja ma tepër teknikës së vjershave e trajtës së përjashtme të poezisë. “
(Gjergj Fishta, Vepra-9, Botimet “Fishta”,
Lezhë, 2004, f. 155-156) (Hylli i Dritës, 1914/9, f. 264)
Njëri nga poetët në foton më lart, Lasgush Poradeci, i ka kushtuar një vjershë – portret me dy tercina, poetit drenovar:
A s d r e n i t
Burr’i urtë-e i veçuar,
Shqipëtar me shpirt të qruar,
Vjershëtor vjershëkënduar:
***
Pate shkruar e punuar
Kombin për ta kombësuar,
Shqipen për ta shqipëzuar.
Studiuesi i tretë, i nivelit të lartë shkencor, që e ka pranuar Asdrenin si poet të shquar, madje edhe në një libër mësimi për shkollat e mesme, është E.Çabej, i cili e ka radhitur autorin mes shkrimtarëve shqiptarë që duhen studiuar nëpër shkollat shqiptare të kohës.Në faqet e para që shënuam Çabej jep pak të dhëna jetëshkrimi, tre vëllimet e botuara: Rreze Dielli, Ëndrra e Lotë e Psallme Murgu. Lidhur me artin e Asdenit, shkruhet: “Asdreni është poet lirik që rron në artin e për artin e tij. Ay është poet artist në kuptimin e plotë të fjalës. Vjershat e tij janë të punuara mirë dhe të përsosura në pikëpamje formale. Ay është mjeshtër i formës.Është për t’u vrejtur se gjithë veprat e Asdrenit kanë një njësi dhe kontinuitet organik midis tyre. Kjo njësi i përshkon të gjitha.Bashkë me këtë njësi shohim dhe zhvillimin e poetit nëpër veprat e tij: ky vjen gjithnjë duke u përsosur. Ideja e atdheut dhe ndjenja e natyrës gjejnë shprehje të gjallë te ky poet. Ky është këngëtar i jetës së katundit dhe i qyteteve të vjetra shqiptare. Gjuha shqipe…Por me rëndësi ka fakti që Asdreni formon kalimin nga brezi i kaluar në poezinë moderne shqiptare. Gjuha shqipe është duke u derdhur te ky poet në forma të ra…” Në lëndën antologjike autori ka zgjedhur 7 poezi, kryesisht prej përmbledhjes “Psallme Murgu”. ***
Edhe poeti e përkthyesi Petraq Kolevica, ka një të dhënë mjaft interesante, e cila lidhet me Asdrenin, nga L.Poradeci, botuar së voni, si kujtime për poetin e liqenit….
“…Siç thashë, poezia duhet të jetë koncize. Ja për shembull, pozia që kam bërë për Asdrenin. Tepër e shkurtë është, po unë i kam thënë të tëra ç’duhet thënë për të: Burr i urtë e i veçuar. Kështu ishte Asdreni. Shumë njeri i mirë, i urtë dhe gjithmonë i vetmuar: Shqipëtar me shpirt të qruar. Patriot i madh ishte. Erdhi edhe vullnetar në kohën e princ Vidit për të luftuar me armë. Dhe pastaj i përmend atributet e tjera: Pate shkruar e punuar-Shqipen për ta shqipëzuar-Kombin për ta kombësuar. Po ai Maloki thotë: Pse, ky është Asdreni? Po, ky është! Kaq mund të them unë për të. Për Naimin kam thënë më tepër, se për Naimin ke ç’të thuash më tepër.”
***
“Mbledhja e parë e vjershave të tij me titullin “Rreze dielli” u botua në Bukuresht më 1904. Zef Skiroi e pret me këto fjalë lindjen e kësaj vepre….”Nuk kemi nevojë për shum fjalë për të lavdëruar veprën e Asdrenit, vetëm themi, me gëzim të math, se në këto vjersha, të cilat shpërndajnë me të vërtetë rreze dielli, ay ka fituar një vend me nder pranë poetëve kombëtarë më të famshëm.”
Revista “Albania”, nga ana e saj, shkruan: “…Gjuha e z. Asdren ësht e kulluar, elegante dhe e gjallë…” Duke u njohur me paraqitjen e poetit drenovar, në këtë tekst letërsie, mësojmë se te revista e mësipërme Faik Konica, shkruan se Asdreni “është një poet i cili në vargjet e tij është përpjekur që të përhapij midis djalërisë shqiptare ndienjën kombtare.”
***
Botime e studime pas Luftës II Botërore
Asdreni i kushtoi shumë vëmendje dhe përpjekje formës poetike. Në krye gjuha e krijimeve të tij ishte e ngathët, shprehja e zbetë, krahasimet të zakonshme; në një varg krijimesh të para gjejmë mfigura të kërkuara, dikimi i leximeve romantike, si “rngjëllore”, “magjiplotë”, “verbim magjie” etj. Ndonëse kjo dukuri do të ndeshet edhe në disa krijime të periudhsë së mëvonshme të stërholluara, në përgjithësi prirja themelore e gjuhës së Asdrenit është qartësia dhe thjeshtësia. Duke punuar me dashuri të veçantë dhe me këmbëngulje, Asdreni arriti ta përsosë më tej gjuhën e vet dhe ta çlirojë nga të gjitha pengesat, që ia kufizonin forcën shprehëse. Krijimet e periudhës së pjekurisë shquhen nga rrjedhshmëria, muzikaliteti, thjeshtësia…Disa mjete stilistike të Asdrenit lidhen me poetizimin dhe idealizimin e jetës fshatare dhe sidomos me synimin e poetit për të shprehur dashurinë e vet për natyrës dhe ndjenjën e dashurisë së pastër….Në stilistikën e poetit gjejmë edhe ndonjë ndikim nga folklori. Kjo vihet re në krahasimet me të cilat jepet bukuria e vashës në poezinë “Ti me sytë e zinj” (“o moj ti me sy të zij , q’i ke buzët si qershi”) edhe në ndonjë krijim tjetër letrar….
( Koço Bihiku, Asdreni- Vepra-1, Tiranë, 1976, f. 47-48)
Veçori tjetër e poezisë së Asdrenit është strofika e larme. Ai përpunoi një pasuri të madhe strofash. Gjejmë tek ai katrenin, strofat gjashtëshe, tetëshe, dhjetëshe e dymbëdhjetëshe; krahas distikut, poeti përdori edhe vjershën monokolare. Ndër strofat më të preferuara të Asdrenit ishte soneti; ai shkroi rreth 30 sonete, disa prej të cilave përfaëqojnë modele në llojin e tyre në poezinë tonë…(f. 48 – 49).
Shkroi kryesisht në jamb katërkëmbësh dhe pesëkëmbësh; në sonetet e viteve të fundit përdori më shpesh vargun njëmbëdhjetërrokësh. Pas jambit vjen trokeu si forma që Asdreni e shfrytëzoi në shkallë të gjerë në krijimet e tij. Në varg trokaik janë shkruar poemi “Burri i dheut”, “Lulëkuqja”, “Ditë prenvere”, “Gjendja jonë”, “Vlorës” etj. ..Në disa krijime, si në “Flamur të rrosh”, “Apolloni”,“Vdekja e Byronit” etj. Zgjodhi amfibrakun si formë për të shprehur në mënyrë të plotë mendimet dhe ndjenjat e tij. E reja që solli Asdreni në lëmin e prosodisë është vargu i lirë, me të cilin ai e pasuroi poezinë shqipe…Vargu i lirë që solli Asdreni mori zhvillim të mëtejshëm në krijimtarinë e Migjenit, G.Palit etj., duke hyrë përfundimisht si arritje me vlerë në fondin e poezisë shqipe.
(Koço Bihiku, Asdreni- Vepra-1, Tiranë, 1976, f. 47- 48 – 49)
***
Përmbledhja “Psallme Murgu” që sollëm këtu, është një botim postum, me komente të stiduesit Leka Ndoja,me 81 vjersha motivesh të ndryshme dhe ndarë në 5 pjesë, sipas E.Çabej: Flaga e vatrës, Vallja e jetës, Ngjyra ylberi, Lule dhe gjêmba. L.Ndoja shkruan: “Asdreni “murgu” i artit, përmbledh në “Psallmet” lutjet e mërgimtarit, që i ndarë nga familja e atdheu përjeton një gjendje të dyfishtë largësie fizike e shpirtërore, një “vjeshtë” lirike të idealizuar, për të theksuar shrehjen e izolimit, tëhuajsimit shpirtëror në vendin e huaj….Veçoria e madhe e Asdrenit është se ai përdor një gjuhë të pasuruar me trajta të gegënishtes, duke krijuar një ekuilibër të përsosur të formës shprehëse standarte për kohën, dhe tepër të stilizuar si gjuhë letrare duke e tejkaluar dhe Lasgushin që në këtë pikë nuk e ka ndjekur mjeshtrin pararendës, duke ruajtur ngjyrat lokale të Pogradec-Korçës…”…Jo më kot Konica i vishte Asdrenit si poet, kualitetin e futjes së frymës kombëtare tek të rinjtë e kohës, e të gjitha kohëve, por ky opinion i përhapur tashmë nuk mund të vërë në dyshim Asdrenin e hymneve triumfale kundrejt lirikës universale të tij…”
**
“Kur më 1930 u botuan “Psallmet e murgut”, rinia nisi ta njohë për herë të parë Asdrenin në mënyrë pak a shumë të plotë. Ky rizbulim i vonë i ka ngjarë më se një poeti në të kaluarën, bie fjala Çajupit. Poezia e Asdrenit, e cila ishte ndër më populloret e kohës, ishte gati vetëm “antologjike” popullore. Libri i tij i fundit, më 1930, ka qenë, nga kjo anë, një revelacion. Pa dyshim, nuk ishte e lehtë atëherë të thelloheshe në kontradiktat që përmbështillte arti i Asdrenit dhe në disa dobësi. Po nuk ishte dhe e vështirë të kuptoje se fliste një zemër e gjakosur. Ne sot e shohim mirë se si ai zien kundër padrejtësive shoqërore (le të kujtojmë vjershën mbi Luftën e Vlorës), ai që pati shpresuar shumë më shumë nga çlirimi kombëtar. Poeti lëshonte psherëtima tragjike, sepse nuk mund të duronte fatin që e kishte pllakosur Shqipërinë e 12-ës. Po, së fundi, ai kërkoi të shkëputej nga “kjo botë e pandrerqshme”, të ndrydhej në një si qeli, ku të mos depërtonte dhimbja e kohës, si një vjershërit “mjerush”, për të cilin e tashmja bëhej argëtim shpirtëror i mbyllur, – ngushëllim me vargjet vetë, – kurse e ardhmja, – e ardhmja çfarë do të sillte?
Këto lloj kontradiktash kanë shumë domethënie për veprën e Asdrenit e për kohën. Pati njerëz që koha i shpuri të thyejnë penën e ta jetojnë thuajse fatalisht batërdinë e Shqipërisë së tradhtuar nga bejlerët e agallarët me shokë. Mihal Gramenoja, vërsniku i Asdrenit, qe njëri ndër ta…Ne e përkujtojmë Asdrenin në çka ai i dha Shqipërisë më të bukur e me vlerë, në çka mbetet prej tij e pavdirë, dhe Asdreni la një trashëgim, që e rendit ndër poetët të cilët e ngritën lart vjershërinë shqipe.
(Dh.S.Shuteriqi, Autorë dhe tekste, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”,
Kombinati poligrafik “Shtypshkronja e Re”, Tiranë, 1977, f. 419-420).
***
“Asdreni është nga ata shkrimtarë të paktë që jetoi dy epoka të zhvillimit historik të shoqërisë shqiptare dhe arriti të përshëndeste lindjen e “diellit të ri” për Shqipërinë, epokën që agoi me fitoren erevolucionit popullor.
Shqetësimet e mëdha të dy epokave, të Rilindjes dhe të epokës që nisi me fitoren e pavarësisë më 1912 dhe mbaroi me humbjen e saj më 7 prill, aspirata e një shoqërie të ndërtuar mbi baza të vërteta demokratike, të cilën nuk e pa të realizuar veçse kur ishte duke numëruar ditët e fundit, përbëjnë brendinë e tërë veprës së poetit, lëvrijnë në vargjet e tij, u japin atyre forcë dhe jetë…
Asdreni e pa kryesisht vegjëlinë si viktimë të pabesisë dhe të tradhtisë së shtresave të larta, në poemën realiste “Burri i dheut” (1920) ai e dha përfaqësuesin e vegjëlisë me tipare sociale konkrete, me vetëdijën e interesave të shtresës së vet. “Burri i dheut” është nga të paktat krijime që pasqyroi veprën e vegjëlisë në Luftën e Vlorës dhe gjendjen e saj të mjeruar sociale pas fitores…Kësaj teme poeti do t’i kthehet sërishmi me “Luftëtarin lypës” (1922) që është një rrëfim tronditës i luftëtarit të mbetur rrugëve pa asnjë ndihmë e përkrahje dhe një akuzë therëse për ata që “zhgryhen mbi fron” pa i vrarë ndërgjegja për tradhtinë dhe pabesinë e tyre….
(Jorgo Bulo, Tradita dhe risi letrare, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”,
Kombinati poligrafik “Shtypshkronja e Re”, Tiranë, 1981, f. 131,134, 135.)
***
Për Himnin shqiptar të Asdrenit:
Karakterizime dhe krahasime
“Himni është këngë solemne, këngë e lavdit, vjershë që hartohet në frymë kombëtare, duke përfshirë përhershmëritë kombëtare në trajtë të dendur e simbolike. Vetëm kur kjo i përmban këto esenca dhe njëherësh pranohet nga të gjithë si e tillë, mbërrin nivelin e këngës simbolike e përfaqësuese të kombit. ..Në shqip vjersha të tilla kanë shkruar Asdreni, Fishta, Noli e Lasgushi….Sipas dëshmisë së Lasgush Poradecit, Asdreni himnin kombëtar Rreth flamurit të përbashkuar (me 6 strofa) e shkroi rreth vitit 1907 në Bukuresht, me kërkesën e Korit Kishtar Shqiptar, kor që po bënte punë kulturore atdhetare. Kjo vjershë për herë të parë u botua në Liri e Shqipërisë në Sofje, më 1912. Në fillim ky u bë himni i kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit, u përhap në Shqipëri dhe u pranua si himn, edhe pa u përgatitur për këtë qëllim, por u pranua nga populli dhe nga kryengritësit dhe u këndua edhe me rastin e ngritjes në flamurit më 1912, në Vlorë….
Aty janë bashkimi, besa, shpëtimi dhe betimi, koncepte kombëtare, po edhe fryma kundërshtuese, kryengritëse që do të zhvillohet në pesë strofa të tjera. Në këtë nivel kënga e himnit hyn njëmend në sferën e lavdit, përkushtimit të tërësishëm deri në nivel identifikimi; po edhe në nivel të shenjtërimit, që është një shkallë sipërfaqësore e lavdimit. Në këtë mënyrë, kënga e Asdrenit nis udhën e ngritjes nga kënga tokësore në një këngë qiellore, të përjetshme, si lavdim i therorisë për atdhe. Krijimi i kultit të heroizmit, i cili është provuar më parë në nivelet jetësore. Atdhetare. ….
Poezinë Hymni i flamurit kombtar Gjergj Fishta (me 10 strofa) e shkroi më 1913, dhe kjo këngë u këndua për të parën herë nga nxënësit françeskanë nëpër rrugët e Shkodrës, ditën që Fishta me miq të vet kishte ngritur flamurin kombëtar në kumbonaren e Kishës së Gjuhadolit….Janë bërë këtu bashkë bekimi dhe mallkimi hyjnor, një prosede i provuar me denduri edhe në vjersha të tjera atdhetare të Fishtës. Është këtu figura e tokës së bekuar e dhënë nga vetë Zoti, garancë e një konvence hyjnore që shkon përtej bindjeve individuale. Tema tjetër e zhvilluar në himnin e Fishtës është kryengritja dhe qëndresa shqiptare, që merr konotacione kohore, historike, tejhistorike, po që përfundon rëndom në figurën identifikuese të luftës së Kastriotit, si identitet i brendshëm kombëtar, po i njohur dhe i pranuar edhe nga të huajt….Hymni flamurit kombtar i Gjergj Fishtës është vërtetë një këngë kombëtare me të gjitha karakteristikat e poetit Fishta…
Noli e shkroi vjershën Hymni i Flamurit (me 6 strofa) me 14 nëntor 1926 dhe u botua në një numër të Lirisë kombëtare të Gjenevës, numër që i kushtohej festës së 28 Nëntorit. Është kjo një thirrje e drejtpërdrejtë e identifikimit me simbolet nacionale, të cilat zbulohen në figura të dashurisë së dheut e të familjes, në figurat themelore të fashurisë njerëzore, duke gjetur kështu ngjyrimet e flamurit për të theksuar gjenezën dhe historinë e këtyre shenjave si produkte të jetës kombëtare. Në këtë vështrim himni i Nolit është i zotëruar nga retorika dhe ideologjia kombëtare…..
Lasgush Poradeci e shkroi Marshin e djalërisë me përcaktim zhanror (Himn Kombëtar) në vitet ’20 dhe e botoi në librin e poezisë Vallja e yjeve në vitin 1933. Kjo në të vërtetë është një këngë për zemrën e djalërisë. Himni i Lasgushir është një himn, para së gjithash, poetik, duke ruajtur skemën e njohur lasgushiane të krijimit të figurave, të pamjeve e të vizioneve kombëtare, që përherë përfundojnë me atë artikulimin e kualitetit të veçantë të brendshëm: të dhembjes e të lavdit të vetvetes. Vjershat-himne të dy autorëve të fundit, janë pa përpunim muzikor…..
(Sabri Hamiti, Vepra letrare-6, Shtëpia Botuese
Faik Konica, Prishtinë, 2002, f. 304-313)
I pari nga studiuesit e huaj, albanologë, që kanë njohur një pjesë të mirë të krijimtarisë së poetit drenovar, përndryshe, të përmbledhjes Rreze Djelli (Sonnenstrahlen), Bukarest, 1904 (Toskisch), ka qenë albanologu austriak Maximilian Lambertz (1882 – 1963). Autori ka vjelë nga poezitë e Asdrenit, shembuj e modele ndërtimi të frazës (periudhës), në monografinë gjuhësore Periudha hipotetike në gjuhën shqipe “Die hypothetische Periode im Albanischen”, botuar në revistën Hulumtime indogjermanike (“Indogermanische Forschungen”, 1914-1915, Vëllimi i 34-t.)
Tetëdhjetë e tri vjet pas Lambertz-it, shkrimtari, përkthyesi, interpreti dhe specialisti në studimet shqiptare, kanadezi Robert Elsie (1950-2017), hartoi një Histori të letërsisë shqiptare (1997), në 13 krerë, plus Kronologjinë e letërsisë shqiptare, Bibliografinë dhe Indeksin e emrave. Autori, me dëshirën e tij, është varrosur në kryeqendrën e Dukagjinit, Theth. Elsie është quajtur Bir shpirtëror i Shqipërisë.
Nga ky studiues i botës shqiptare, për Asdrenin, s’kemi çfarë të shënojmë, përveçse një pohim, ndoshta jo aq të njohur, lidhur me qëndrimin që mori poeti ndaj pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Shkruan kanadezi: “ Asdreni në fillim përshëndeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia në Pashkët e vitit 1939 dhe shkroi Credere, obbedire, combattere, por rrëmuja e shkaktuar nga pushtimi dhe lufta ia bëri fare të qartë dhe me dhimbje se shpresat për pension qenë të kota. Për këtë të dhënë, Elsie nuk e jep burimin, që kërkon një vepër shkencore.
Të fundit për këtë Hyrje po japim punimin më të shënuar shkencor, kushtuar artit poetik të Asdrenit, hartuar si tezë Doktorate nga prof. R.Qosja, me titull “Asdreni. Jeta dhe vepra e tij”, në vitin 1972, mbrojtur në Universitetin e Tiranës. Pa hyrë në përshkrimin shkurt të përbërësve që e formojnë këtë monografi, sjellim një vlerësim që ka bërë studiuesi fishtolog, Dr. Tonin Çobani për këtë libër, ditën e promovimit të ribotimit të saj në Drenovë të Korçës, ku merrte pjesë edhe autori i saj: “Monografia voluminoze e prof. Rexhep Qoses “Asdreni, jeta dhe vepra e tij” është shëmbull i një shkolle estetike shqiptare për metodologjinë që ka përpunuar ky autor në shtrimin dhe strukturimin e lendës së paraqitur. Si një ngrehinë e padukshme ndihet gjatë gjithë librit qartësia e koncepteve estetike që e kanë udhëhequr autorin me konseguencë nga konkluzioni në konkluzion, nga kapitulli në kapitull. Këtë cilësi, që lidhet me talentin prej studiuesi të autorit dhe me punën voluminoze dhe sistematike, mund ta krahasojmë pa frikë se gabojmë me punën e instituteve apo të institucioneve të specializuara dhe me tradita, që, shpesh herë ose na kanë munguar ose nuk kanë qenë eficente te ne.”
Pasazhin në vijim (me pak ndërhyrje tonat) e shkëputem nga libri Panteon i rralluar
i R.Qosjes, ku është botuar kreu XIX i monografisë. Në këto 17 faqe, autori ndalet në mënyrë të veçantë tek stili letrar dhe figuracioni në poezinë e Asdrenit, duke nisur nga:
Epitetet dhe krahasimet – Autori fillon me një kredo të punës që do të ndjekë gjatë studimit: “Karakteristika e stilit të një poeti është e arsyeshme të kërkohen në poezitë e tij më të mira, por kjo kurrsesi nuk do të thotë se edhe në vjershat e tjera, që nuk janë në nivel artistik të atyre më të mirave, nuk dallohen karakteristikat e stilit të atij poeti…Asdreni e fillon krijimtarinë poetike me vargje bombastike, retorike, të cilat e tregojnë natyrën e ndjenjës së tij në momentet e krijimit të tyre më të mirë se ç’e përmbajnë atë ndjenjë brenda strukturës së vet figurative dhe ritmike. Vjershat e tij të para ai i shkruan nën presionin e një temperature të lartë emocionale që nuk është shndërruar pra edhe në vlerë të tyre të brendshme artistike. Në këto vjersha duhet kërkuar me pishë ndonjë figurë e përshtatshme stilistike dhe nuk është e sigurt se mund të gjendet aq lehtë….Përkrah këtij përcaktimi të akademikut Qosja ka ecur edhe gjuha poetike e këtij poeti. Në konkretizimin vizual, figurativ, të botës poetike të Asdrenit rolin më të madh e luajnë epitetet dhe krahasimet, personifikimet dhe metaforat e simbolet, megjithëse toni retorik, i shfaqur në fillimet krijuese, mbetet një prej cilësive të përhershme të shprehjes së tij. …Kështu, për shembull, epitetet janë më të shpeshta në vjershat e tij lidhur me natyrën dhe dashurinë, sesa në vjershat patriotike, sociale dhe politike si dhe meditative, ashtu sikundër janë më të shpeshta në përmbledhjet Ëndrra e lot dhe Psallme murgu, si përmbledhje të pjekurisë krijuese, sesa në përmbledhjen Rreze dielli apo në vjershat e përmbledhjes së pabotuar Kambana e Krujës. Mund të vërehet, gjithashtu, se në dy përmbledhjet e tij më të mira epitetet janë më të shpeshta se ç’mund të jenë në krijimtarinë e poetëve tanë më të dalluar të Rilindjues: Jeronim de Radës, Zef Serembes dhe Naim Frashërit… Kjo nuk do të thotë se të gjitha epitetet e Asdrenit janë të reja, të freskëta, të panjohura në poezinë shqipe përpara tij; një numër i mirë i epiteteve që shfrytëzon ai në vjershat e përmbledhjes së parë dhe, madje edhe të dytë, janë aq të përdorura si në poezinë e Rilindjes, ashtu edhe në poezinë popullore, saqë lehtë mund të quhen epitete të banalizuara nga shfrytëzimi i tepërt…
Sikundër përdor epitete të shfrytëzuara dhe banale, por edhe të reja dhe befasuese, Asdreni përdor në poezinë e tij edhe karahsime të shfrytëzuara dhe bamale, por edhe të reja, origjinale, të panjohura në poezinë shqipe…..Në vijim të këtij kreu autori merr e përshkruan krahasimet, personifikimet, metaforat dhe simbolet, në të cilat është derdhur gjithë mjeshtëria e dija letrare e këtij shkrimtari e studiuesi, si Rexhep Qosja. (f. 519 – 536)
***
Në udhën e Naimit
Le ta nisim nga versniku i Asdrenit, siç e quan Dh.Shuteriqi M.Gramenon, novelisti i këndshëm i viteve të para të shekullit të kaluar, i cili ka përdorur paskajoren gege që në strofën e parë të vjershës “Për mëmëdhenë”, ku dalin dy paskajore gege me vlerën e urdhërores (strofa I, III):
Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë,
Vraponi, burra, se s’ka me prit !
Të vdesim sot ne me besa besë
Pranë Flamurit të kuq q’u ngrit !
Tym edhe flakë, ujë të valë
Baba Tomorri nxjerr e buçet,
Të gjithë trimat atje me dalë,
Se dita erdhi, koha më s’pret !
Te një krijim tjetër i kohës, me titull “Uratë për Liri”, gjejmë vetëm një tregues të tillë: një leksemë – emri “krye”(SP “Për mbi krye”- në vend të “Për mbi kokë”).
Nëse në tekstin e këngës, më sipër, shfaqen dy trajta foljore me paskajoren gege, tek kënga e Asdrenit, të gjitha strofat kanë gegizma: në leksik apo në vështrimin gramatikor të tri foljeve, siç i kemi nënvizuar më poshtë:
Kënga e Bashkimit
………………………..
Eja gegë, këtu pranë,
Qasu, qasu porsi zanë,
Dorën zgjate me dëshirë
Si një burrë i pavdirë !
Gegë, toskë, vllazën jemi,
Të dy bashkë një emër kemi
Dhe një fat në këtë botë:
Shqyptar’jemi, fjala thotë.
Prej një nane jemi lerë
Mysliman’e të krishterë,
Me një diellë jemi rritur,
Si dy lisa pranë ngjitur.
Të dy kemi një dëshirë,
Se një sisë kemi pirë,
Një të qeshur, një të qame
E një zemër të pandame.
Prej Viose gjer te Drini
Mos na ndajë dot Shkumbini,
Porsi vllazën na të rrojmë,
Dhe Shqypninë ta forcojmë.
Se Shqypnia është besa,
Nderi i ynë, jeta, shpresa,
Besën tonë, pra ta mbajmë
Kurrë armiqtë mos na çajnë !
Veç si burra pa një drojë
Si ndë luftë edhe nevojë,
Tërë bota ka me ditur,
Se na s’jena për t’u shitur.
Po të fortë e të bashkuar,
Kryelartë e shpirtndritur,
Të gjithë kena m’u përpjekun:
Për Shqypninë sot me vdekun !
L e k s i k
Kângë-a, e – kur përdoret në tituj, siç e vë autori, duhet kuptuar “teksti i këngës”.
Zânë-a, figurë e besimeve popullore shqiptare, e përfytyruar si një vajzë e bukur luftëtare,
që jetonte në male e pyje e ndihmonte trimat, por që kishte fuqi edhe të ndeshkonte duke të shituar. Fjalë e dy dialekteve me mbizotërim të trajtës gege. Trajtën toske zërë e ka Labëria dhe Bregdeti për “vashë e bukur”; sot, pothuajse e dalë nga përdorimi. Huazim nga lat. Diana-Perëndesha romake e pyjeve.
Pavdirë (i) mb. “që s’shuhet, që s’humbet”. Fjalë krahinore e dialektit gegë. Formim i
brendshëm nga vdjerr “humb”, prej foljes bjerr me të njëjtin kuptim…
Vllâzën, trajtë dialektore e dialektit gegë; toskërisht: vëllezër.
Shqyptar-i, e, mb. trajtë dialektore e gegërishtes; e vjetëruar prej kohësh: khs. Shqiptar.
Prej, prf.- parafjalë e rasës rrjedhore, më tepër e përdorur në variantin dialektor të
Gegërishtes; në vend të saj del më së shpeshti, parafjala e rasës emërore “nga”.
Nânë-a, e. dialektore e veriut: leksiku standard: nënë.
Të qâme, emër prejfoljor asnjanës; leksiku standard: të qara.
Të pandâme, mb. formim nga pjesorja ndarë (-me), me paranyjëzim.
Çaj – f. fjalë e vjetër shqipe nga rrënja i.e., me kuptimin “pres”, “ndaj”.
Drojë-a, e. droe-ja, frikë, e trembur (Fj. i Bashkimit, 1908); fjalë e gegërishtes, e vjetëruar.
Gramatikë:
Më vete duhen parë trajtat foljore, që përdoren vetëm në të folmet gege:
ka me ditur kena m’u përpjekun: me vdekun
kohë e përtejardhme kohë e përtejardhme paskajore gege
(me + pjesore tosk.) (kam + paskajore gege) (me pjesore të vjetëruar,
khs. “vdekë”)
**
Vërejmë se, duke lexuar këtë tekst poetik, në strofën VII, vargu II , lexojmë: “Prej Viose te Drini/ Mos na ndajë dot Shkumbini”, menjëherë na shkon mendja tek studimet dialektologjike, ku prej kohsëh, specialistët tanë, lumin Shkumbin e kanë caktuar si kufi gjuhësor që i ndan dy kryedialeket e shqipes. Nuk e dimë nëse poeti drenovar e ka njohur këtë të vërtetë shkencore, por mund të gjykojmë se ai del kundër ndarjes dialektore gjuhësore, sepse vargjet e tjera janë: “Porsi vllazën na të rrojmë,/Dhe Shqypninë ta forcojmë.” Lidhur me këtë, R.Qosja, duke pohuar ndikimin e Naimit tek Asdreni, shkruan: “Ndikimi gjuhësor i Naimit mbi krijimtarinë e Asdrenit, gjithsesi, do të jetë shumë i frytshëm, megjithëse nxënësi do të bëjë më tepër përpjekje se sa mësuesi për afrimin e dy kryedialekteve.”
Nga kritika jonë është thënë e shkruar se Asdreni, hapat e tij të parë i bëri nën ndikimin e Naimit, nga i cili huazoi traditat progresive, si frymën e zjarrtë patriotike, shpresën në të ardhmën e bukur të Shqipërisë dhe besimin në forcën e dijes dhe të arsyes. Sepse vepra poetike e këtij rilindësi të madh ushtroi një ndikim të thellë në ata autorë që nisën punën e tyre letrare në kapërcyellin e shekullit të kaluar dhe të shekullit XX. Tek vjersha e gjatë kushtuar Naimit- si poem lirik dhe botuar në librin “Naim Frashëri-prej një grupi studentësh të Austrisë (Graz), 1925, Lasgush Poradeci shkruan: “Këtë vjershë e kam bërë në Poradec më 1921, kohë e mbushjes së 20 vjetëve pas vdekjes së Naim Frashërit. Një sëmund’e rëndë dyke më hedhur në spitale, j-a dorëzova vjershëtorit Asdren për çdo eventualitet…(Bukuresht, Qershor 1921). Sot po e botoj me rastine një të katërte shekulli pas vajtjes së Këngëtorit Kombëtar në të Vërtetën. – L.P.
Edhe te ky apostull i Shqiptarizmit, ka shembuj me ngjyrime leksiku e tregues gramatikorë, si tek poema e njohur dhe aq popullore e rilindësit të madh, “Bagëti e Bujqësija”, nëpër gjashtëmbëdhgjetërrokëshat e begatë të kësaj vepre:
Të munjam të fluturonja e të kisha krahë si ti !
Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji !
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’Elbasan’e Tiranën,
E me arth ke ti, o Shkodrë, të shoh Drinin e Bujanën.
Kostur, Përlep, Fëllërinë,Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat e Ysqyp e Prështinë, dhe Mirëdit’e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhân ner Shqypnisë,
Tue bam me trimat luftë, e me munt mren’ e Turqisë,…
Kjo “ngjyerje pene” në dialektin e të folmet e begata të gegërishtes, nuk ka asgjë të përbashkët me koncepsionin e paqëndrueshëm të F.Konocës, kaluar nëpër disa faza, njëra prej të cilave njëra ishte: “E mira e së mirave do të jetë të përdoreshin prej të gjithë Shqiptarëve toskërishtja për prozën, gegërishtja për poezinë”Më tej, ai shtonte se dialekti gegë ruan qindra trajta të humbura prej toskëve, e që janë thesarë të vërtetë të trashëguara nga stërgjyshët t’anë që në kohë të vjetër.” Sipas N.Resulit, Konica ishte “përkrahës i shkrirjes së dy dialekteve.
Ngjyerja e penës, që shënuam më sipër me anë të metaforës, mund të jetë një aluzion i teorive të ndryshme linguistike që qarkullonin në fillim të shekullit XX për unifikimin e gjuhës letrare shqipe me anë të përzierjes armonike të të dy dialekteve. Termin “përzierje të gjuhës”e shpreh edhe Fishta në recensionin e shkurtë që i bën veprës së Asdrenit “Ëndrra e lotë”, para 109 vjetësh, duke u shprehur kundër një planifikimi të tillë për gjuhën e njësuar letrare.
Është me vend të tregojmë këtu se krijimet në idiomën gege në poezi të Asdrenit, i ka vlerësuar me mjaft pëlqim edhe Faik Konica; në një letër të tij të vitit 1902, ku i drejtohet “I dhëmbshur atdhetar!, “I shtrënjtë atdhetar”: “Të përshëndosh për viershat që më çove. Shumë të bukura, edhe gegnishtet janë mirë të goditura.”
***
II. Një shikim për strukturat
e vjershërisë së Asdrenit
Kur ke në dorë librat me poezi të Asdrenit dhe merr e lexon, duke shijuar artin e tij, gjëja e parë që bie në sy është larmia e strofave, struktura e tyre sipas numrit të vargjeve, nisur prej tingëllimave, si formë poetike e vjetër dhe asnjëherë e ndryshuar, vargjet monokolonë, poezi me distikë vargjesh, me tercina, vjersha me strofa katërshe, gjashtëshe, rrallë edhe me tetëshe. Grup më vete dalin te ky poet strofat safike, afërsisht aq sa janë sonete, në dy vëllimet “Rreze dielli” e “Ëndrra e lotë”. Shpesh ndërtimet me dy vargje e tercina, lidhen edhe nga ana sintaksore, si për shembull, te “Ardhi dita”,
Për trima, ju, trima jini,
Këtë dhe ju vet’e dini,
Po ç’dobi ësht’ për atdhenë
Kur s’ësht’si ka qenë”
***
Në jini ju atdhetarë
Dhe të thjeshtë shqipëtarë,
Bënie ju atdhenë
Siç qe nënë Skënderbenë !”
Po një zë kështu më tha:
Mos u çirr e mos u vra,
Se i lumtur këtu s’ka,
Se çdo grimë që po shkon
Jeta çduket, koha ndërron;
Askush botën s’trashëgon.
***
Në strofa katërshe, më e zakonshmja është që fraza nis dhe mbyllet sintaksorisht nga vargu i parë deri tek i katërti, por sipas kuptimit, ngjet që në segmente të ndryshme, strofa vijuese është e lidhur semantikisht me atë pararendëse, si në vjershën “Në mërgim”:,ku katër strofat e fundit janë të lidhura edhe gjuhësisht:
Edhe ti, ylli i mëngjezit
Që sheh ditën kur mburon,
Që ke qenë bres pas brezit
Ylli i bukur që ndriton;
Si kandile e pashuar
Që ndë jetë s’ka shtërrim,
Dërgoi dritë të uruar
Atij vendit, dheut tim!
Shqipëri, i vent i bukur,
Fusha e male plot me ar,
Ku çdo burrë në të dukur
Është trim dhe luftëtar;
Me sa mall e sa dëshirë
Atë ditë po e pres,
Që edhe unë atje i lirë
Pranë prindërve të vdes”
***
Në dy strofat e para, autori i drejtohet “yllit të mëngjezit”, kurse në të tretën e të katërtën, drejtimi i shkon thirrorit “Shqipëri”.
Në strofat pesëshe, që janë më të rralla për krijimtarinë e poetit, gjendet një lidhje e tillë bashkuese nga ana kuptimore, në atë masë sa më tepër se një strofë – një varg i tërë prej tyre – kanë varësi vetëm te një varg, përndryshe tek një gjymtyrë – kryefjalë – siç ngjet në strofën e 9-të (f.19), tek e cila marrin kuptim 7 stzrofa të tjera, deri në mbyllje të poezisë. Në 28 vargjet në vijim rimerret S “Ju male” me anë të përemrave në rasa të ndryshme, edhe të shoqëruar me parafjalë; ka edhe strofa pa subjekte:
Ju male, jini ndjenja jonë
Burim i çdo dëshirës gjallë,
Tek ju e kemi shpresën tonë
Se kur e keqja vjen, gjithmonë
Me ju, ne do t’i bëjmë ballë.
…………………………………………
nër ju, prej jush, ju, me ju,
me ju, nër gjinjt’tuaj, ju (fali),
nër brigjet e luginat tuaj, ju,
tek ju, s’ju (tundin), tek ju,
Edhe në krijimet me strofa gjashtëshe, si ndër më të bukurat vjersha, “Balashit”,ndër tri strofat e para, vetëm njëra qëndron kuptimisht më vete, kurse II dhe III kanë varësi kuptimore me të parën, përndtyshe, me kalin balash e bukurosh e trim dragua:
O balash, o bukurosh,
Që je trim si një fatosh,
O dragua, kali im,
Që po pret me padurim;
Në ke mall për Shqipëri,
Ngjeshu, kalë, ji gati !
Shih sa vent plot bukuri
Ku del ar, ku del flori,
Ku ndrit dielli me shkëlqim
Dhe qesh hëna me pëlqim;
Si në vent të prrallave,
Trimave dhe pallave!
Ku një pyll, ku një mburim
Male e fusha pa mbarim,
Me lëndina plot magji,
Ku derth këngë trimi i ri ,
Ku del zana për mëmgjes
Lulethurur gjer në bres.
Te kjo strukturë strofike, me 6 vargje, R.Qosja vjen e gjen shfaqje të karakteristikave të poezisë së parnasizmit, që shpjeguam më sipër dhe që janë: depersonalizimi i krijuesit, pamja klasike, shprehja e ftohtë, e kristaltë dhe ndërtimi me 6 vargje – si skemë e kësaj rryme.
Kështu ngjet edhe në strofat 7-she, tepër të rralla në vjershërinë e Asdrenit, si te poezia “Lutje” (romantike),ku 35 vargjet e lira të autorit (nga metri, jo nga rimemat), kanë
mbiemra dhe epitete, drejtuar thirrorit në v.I “Vajzë e bukur”:
Vajz’ e bukur
Më je dukur
Dritë jete plot shkëlqim;
Pa lëvdatë
Ke dhuratë
Që prure gaz e dëshirim
Me plot mall e ngushëllim!
Në 4 strofat e vjershës në vijim, ka vetëm dy rimarrje përemërore (përemër pronor, v. II dhe një përemër vetor), të gjitha të tjerat kuptohen nga foljet-kallëzues në vetën II: tënd, (më) çel, shpall, kundërmon, shëron, dashuron, çile, ndriçon, eja, të (kërkon), teje, hapi, fal(mi), prit.
Strofa tetëshe gjejmë edhe në vëllimet “Rreze Djelli”: Dua, f. 69, Frori, f. 129, Përfytyrime, f. 170, Djalëria, f. 198, Rreth mësallës, f. 206; tek vëllimi “Ëndrra e lotë: Betim mi flamur, f. 224, Shqiponja me dy krerë, f. 250, Të falura, f. 265, Zëri i kryengritësve, f. 274, Krujës, f. 279. Kurse, tri vjersha me strofa tetëshe përmban përmbledhja “Psallme Murgu”, poezitë: Vlorës (f. 37), Marshi i djalërisë shqiptare (f. 40), Mëkati i fshehur (f. 112).
Edhe më interesante është arkitektura e poezisë me 10 strofa, kushtuar Vlorës ( 80 vargje), ku vetëm në vargun I të strofës së parë del thirrori i nënvizuar, ngjishet me epitete të qëlluara:
“Vlorë, Vlorë, zall e det…”:
Hyll prej qiellit je pikuar
Dorës Zotit e gatuar
Si rrallë shoqe ke mbi dhet.
Vlorë e bukur, lumja ti!
Dita, nata sy-kulluar
Ver’e dimër lule-shtruar
Je si nuse plot stoli.
Në 9 strofat e tjera, autori i drejtohet Vlorës me folje e përemra, si: ti je, ngjalle, të sjell nder, ta ka shkruar, ti trime, ke tjerrë; je kurore, t’i radhuan,, që lakmon, ti përballë, jashtë teje, por ti, hap, ti je, të vu Zoti, t’jesh, t’i mbash, ta tundësh, ta pat dhënë, dergje gjakun, të ta korrin, mban, ke, por ti, mos u dro, mbaj mburojën. Ndër 72 vargje, vetëm tri herë dalin thirrërët si në vargun e parë të poezisë.
Strukturë të veçantë (përveç përmbajtjes së papritur për kohën kur u shkrua), ka edhe poezia “Mëkati i fsheur”, ku heroina shkon të rrëfejë mëkatin tek psallti dhe, duke mos e kallëzaur atë, ngrhet edhe kundër Perëndisë që e bëri ashtu një qenie “me shpirtin-shkëndijë”, sa të mëkatojë dhe deklarohet: “E di se ka pjesë djalli/Po zemrën kur ma ngjalli/ I tij le t’jem e tërë.”
Tek ky syth duhet vënë në dukje se, përveç vargut të lirë, poeti drenovar, ka sjellë në letërsinë tonë (së bashku me Mjedën), edhe strofat safike ( 13 poezi, tek dy vëllimet e para “Rreze Djelli” dhe “Ëndrra e Lotë”), ai ka 31 sonete në veprat e tij të botuara, ka hartuar vjersha të gjata, në përmasat e një poemthi, si: Epogonët, me 234 vargje; Koshtutta…me 134 vargje; Drini, me 128 vargje; Prej katundit, me 140 vargje; Një ëndërr, me 156 vargje; Paradokse, me 216 vargje, Shqipëria më 1914, me 128 vargje; Shega, me 135 vargje, Hija e keqe, me 384 vargje; Burri i dheut, me 419 vargje; Durrësi, me 70 vargje (5 tingëllima radhazi); Vlorës, me 80 vargje. Nuk mungojnë tek ky poet edhe vjersha me distikë, tercina, monokolonë- si Dëshirë pagane, me 90 vargje; me shumicë janë dhe strofat me nga 4 vargje. Por në strofikën gjithnduerëshe të Asdrenit gjen edhe strofa me 10 e 12 vargje, të organizuara mjaft saktë nga ana gjuhësore. Në vëllimin “Psallme Murgu” ka leksema gege përgjatë poezive; si te “Kanga e bashkimit” që sollëm më lart. Në mënyrë të pashjegueshme, gjenden shenja diaktirike, që përdor autori, sidomos për llojet e theksave e hundorësinë, por mungojnë provat që ka bërë poeti për të shkruar vjersha të plota në idiomën gegërishte.
II.
II. Krijime në vargje sipas idiomës gege
“I shtrënjtë atdhetar: “Të përshëndosh për viershat që më çove. Shumë të bukura, edhe gegnishtet janë mirë të goditura.”
( “Albania”, Faik Konica- 1904)
“Veçoria e madhe e Asdrenit është se ai përdori një gjuhë të pasuruar me trajta të gegënishtes, duke krijuar një ekuilibër të prësosur të formës së shprehëse standarte për kohën, dhe tepër të stilizuar si gjuhë letrare, duke e tejkaluar dhe Lasgushin që në këtë pikë nuk e ka ndjekur mjeshtrin pararendës, duke ruajtur ngjyrat lokale të Podradec-Korçës….”
(L.Ndoja-studiues dhe botues: Psallme Murgu-Hyrje, f. 4)
***
Asdreni krijoi disa poezi sipas variantit të shkruar të gegërishtes, gjithsej 6 vjersha, të gjitha- 336 vargje: tri në përmbledhjen “Rreze Djelli” dhe 3 në “Lndrra e Lotë”. Duket se ai e ka ndjerë që ekzistonte ndërmjet shqiptarëve një kufi gjuhësor, si ndarje edhe në gjuhë, prandaj, siç shprehet vetë te Kënga e Bashkimit, kërkonte të mos na ndajë dot Shkumbini. Janë me interes edhe titujt e vjershave, si: Nata e mrame e Skanderbegut (me 108 vargje), Për Shqypninë (me 25 vargje), Për Atdhenë (me 60 vargje)Zani i Lahutës (me 32 vargje),Kosovës (me 90 vargje) dhe Të tanë janë gëzu (me 24 vargje).
Vjersha e parë “Nata e mrame e Skanderbegut” thuret sipas motivit që lëvrohej më tepër gjatë Rilindjes sonë Kombëtare: evokimi i kohës heroike të Gj.Kastriotit. Përdorimi me shkrim i këtij varianti të shkruar të dialektit verior dëshmon se autori nuk e ka zotëruar në shkallën e duhur idiomën gege deri në shprehësinë e saj. Le të vërejmë me radhë disa tregues, nisur nga foljet dhe kategoritë e saj gramatikore:
- Janë përdorur paskajore gege, përgjithësisht të rregullta, si: me dekë me u shue, pa i këshillue, me iu dhan’këshilla, kan’rrethu, mos m’e len, me ngordhë, mos m’e coptu, me iu falë, me e shtrëngue, me i thanë, m’e tunt, me i dëbue…
- Autori anon më tepër nga format e vjetëruara të paskajores, një pjesë e mirë prej të cilave, nuk përdorej më as në kohën kur krijonte poeti “me + pjesore”, si: m’e shejtnumun, me nerue, m}e çporr’, me hy, rrethue, me luftu, me i zbardh’, (ish) mulue, me ardh’ pran’, me nigjue zan’, ish bjerrun, m’e prit’, m’i qitë, m’u pamun, e mjerume, me i numurue, me rrnue, të shejtnumun, me lotu, me punu, me e pështu, me dalë, me u përment, me ia çduk’, me dek’, me i thanë, me iu çnderu, me e ba, me rrnu, m’e zhdrivilluje, m’e lirue, t’helmumun, etj.
- Dalin trajta të gabuara të kohës së tashme, si: shofin, njofin, munim (nd), njen (ndjen), etj.
- Dëshmohet paskajorja e dytë gege, si: për me mujt’ m’u folë, për me iu dhan’, për me ma shkurtu, për me i qit’, ka shu, për me i njekun, për m’e qitun, për m’e shunt, për t’lulëzumun, për me u kthye, për me ardhë,’ për m’e pshtumun, për me i çporrë, për me e përqafue, për me ia amëlcue (pleqninë), për të nuhmumun, për me e shkue, për m’e mpru, për me t’rrëzu, për me t’shkel’, për me t’ba, etj.
- Koha e përtejardhme: s’ka ma me shënrit’, për me i dhanë, kini me vajt’, ka me ra, ka me qa, për me kqyrë, s’ka me arth, për me pa, ke me hjekujn, kam me ranun, s’ka me shënrit’, etj.
- Përcjellore: tuj shenrit’, ishte tuj prit’, ish tuj thirr’, tuj luftumun, tuj qa, jan’tuj lotue, tuj përcjell’, tuj e bekuje, tuj përpjekun, tuj hjekun, tuj luftumun, tuj lanun, tuj e prekun, tuj gatumun, tuj pritun, tuj pvetun, tuj luftumun, tuj e thirrë, tuj luftumun, tuj i nxjerrë, tuj këndu, tuj na thirrë, tij shku, tuj ta pamun, tuj këndu, tuj pushu, tuj u mposhtumun, tuj pa, tuj kërkumun, tuj ngja, tuj u qafu, tuj u përqasun, tuj xhixhillue…
- Krahas paskajores, del edhe trajta e lidhores: të më rrëmbejë, t’u flasë, t’i keni kujdes, t’jen bes’, mos m’lini (mos me m’lanë), t’u puth (me u puthun), t’u flasë, etj.
- Krijon mbiemra jashtë natyrës së shqipes, si dhe pjesore të vjetëruara: të mretëreshme, të lotueshme, t’mramen her’, të vlerëshmit, e mallku (-uar), i shejtnumun, m’ke shptumun, i lavdumun, asht vumun, asht marumun, e vorfnumun, robënin’, damun, robnu, dëbu, e dashtnumun, vumun, t’lulëzumun, i çmenue, t’tërbue, t’gazmumun, të dobtue, t’munun, t’therrun, hasun (jena), kalumun (me kalë), etj.
- Fjalor: kan e kan (kënd e kënd), shnet, prep, qiella, mrena, katuni, i tan’, met (mbet), vullnesë-a, kurrma, kryet, gjaksi, luana, atdhesi, ven-i, shelbue, nanë, men, prehen, hup, tane (jetën), të rana (rënda), vobesi-a, gjimon, e mallënjyshme, e hyjyshme, gazmend, djelmënisë, buri-a, dashtni-a, krye, kunorë-a, i lavdum, ke pas kjen (si shembëllim me vargun e Pashko Vasës: Ti pas’kenë nji zojë e randë…), Shqypnija, sakola, shoq, drojë (frikë), tetem, duhi, rrokin (armët), pa pra (pa pushue), dojë-a (dëshirë-a), ka le (ka lindur), e bekume, shkëlzen, nalt, kurm-i, çudë-a, të tana, të mramen (të fundmen) … gjinja (gjindja- njerëzit)… burrnisht, me trimni, etj.
- Jo rrallë, poeti përzien leksema toske në vjershat shkruar gegërisht, dhe leksema gege (pa rotacizëm), shkruar toskërisht, si: toskizma: për mua, njenj, tutje, diq, lavdim, s’t’la me bjerrun, , t’kan’shue, , rrënjosun, në të dukur, ay, emri, vonim (!) Emra pa rotacizëm: vorfni, dituni, e pritun, burrnisht, ernat, breshni, luftna, urdhënon, etj. ***
Çka u rreshtua më sipër me shembuj të marrë nga vjershat e autorit, mund të shihen qartë në disa strofa në vijim, vjelë prej 6 poezive:
Kumonat tinglloin me trishtim,
Gjinia e padurueshme nxiton
Për me pa mretin, edhe pa vonim
Atje mlidhet, e po qan e vajton!
Njen se Shqypnia q’sot ka me ra n’zi
Dhe për jet’ ka me qa krahun e tij !
Për Shqypnin’ e dashtnumun
që ka met’n’vorfni,
Djelmt’ e saj n’ kam jan’ vumun
Për me i dhan’dituni.
Atdheu prej anmiqsh ish rrethue,
Kur nana tuj përcjellë birin e vet
E përshënosh gjith’ tuj e bekue
Nga lufta për me u kthye me shnet;
I uron nga zemra prep për me ardh’,
Burrnisht me luftu, armët me i zbardh’.
Si ndë luftë tek ushtari
Me hov hidhet tuj këndu,
Ashtu bujku dhe tregtari
Gjith’ me kang’ven’ me punu.
Shqyptarë, mos kujtoni bes’e fe,
Po nanën ju kujtoni që u ka le,
Që ka mbet’fill e vetum si gru e ve
Prej bijvet e harrume mi kët dhe !
Se asht turp i math për ju
Të huejt me iu çnderu !
T’tana jan’ tuj u mposhtumun,
Syni jot sa q’asht tuj pa;
Dhe me çud jan’ tuj kërkumun
Për punën q’asht tuj ngja.
Sapo lexon tubën e vjershave në dialektin e Veriut, bindesh se ato janë poezitë më të dobëta të autorit, se ai nuk e zotëron dot në shkallën e duhur idiomën gegërishte dhe se poeti ka jo pak toskizma fjalësh, çka dëshmon se bën një përzierje leksikore. Është një vjershërim ekzotik që Asdreni do ta bëjë si provë e mundësi, por pa e arritur poetizimin e vargut, as figuracionin e kërkuar, siç e ka në poezitë e endura në të folmen e tij të jugut.
III. Struktura sintaksore e soneteve
Kushdo që merr përsipër të hulumtojë në sintaksën e vargjeve, duhet baza teorike që ka sjellë e trajtuar në veprën e njohur “Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika” prof.Xhevat Lloshi, ku poetizim i i fjalës, është një tregues aq i rëndësishëm, që, me shumë kërkesa të tjera, shtrihen brenda aritit të gjuhës.
Në llojin poetik, siç janë ndërtimet e vargjeve në tingëllima, ka vështirësi organizimi gjuhësor e sintaksor të 14 vargjeve, pasi vetë skema e rreptë në vendin e theksave, masën metrike në 11-rrokësha, dhe skemën e rimemave, e caktuar e pa ndryshime. Pas Mjedës, që ka edhe poema të tëra sonetesh varg, Asdreni është lëvruesi më i njohur i këtij lloji poetik në Letërsinë e Pavarësisë. Të ndarë sipas përmbledhjeve që ka botuar, gjejmë: tek “Rreze Djelli” – 1 sonet; “Ëndrra e Lotë” – 9 tingëllima; kurse në “Psallme Murgu” përfshihen 21 sonete. Gjithsej 31 poezi të kësaj gjinie. Me një lexim të vëmendshëm, nga soneti i parë në “Rreze Djelli”, deri në tingëllimat e përmbledhjes së fundit, duket se autori ka ngritje cilësore poetike, si në përzgjedhjen e fjalëve të poetizuara, ashtu edhe në klauzolat rimema, të cilat, tek 14 vargjet e para, dalin më tepër nga klasa e foljeve: 8 folje, 2 përemra dhe 4 emra. Skema që zgjedh poeti është: ABAB/ ABAB/ ABA/BAB; metri: me 12 rrokje. Vargjet e dy strofave të para – vargje katërshe – kanë një sintaksë të veçantë, më së shumti: me varg e fjali (rrallë me dy folje brenda vargut); të ndryshme nga thurja kuptimore e dy tercinave (6 vargje), duke ruajtur lidhje sintaksore me bazë fjalie, megjithëse poeti (me shumë mundësi) redaktorët e veprës që kemi në dorë, kanë vendosur pikësim të gabuar, pasi më dendur vargu i 11-të vjen e plotësohet sintaksorisht me vargun e 12-të, ose edhe me gjithë tercinën që mbyll tingëllimën:
Për faqet e syt’e tu zemra më rënkon a një fjali
Dhe nat’e dit’ jam duk’u menjtuar për to, b një fjali
Me mall t’i vështronj, moj çupë, udhës kur shkon, a dy fjali
Që kurrë nuk më vjen të ndahem nga ato. b një fjali
Rima të kryqëzuara
Përandaj unë gjendem ndë aq mundime; a një fjali
Ah! Shpirtit s’munt t’i gjenj asfare qetësi, b një fjali
Zemra, kur ty të shoh, më bëhet thërrime, a dy fjali
Vetën e ndjenj të dobët pa nonjë fuqi ! b një fjali
Ti me nënqeshjen tënde ëmbëlsomë, c një fjali
Shpirtit tem jepi një frymë të çelet d dy fjali
Edhe nga plagat që po vuanj shëromë ! c një fjali
Rimë me kombinime
Se veç nga gjiri yt dashuria vjelet; d një fjali
Pra, edhe mua atje të vjel lëshomë, c dy fjali
Se me atë shpirt e zemër më përkëdhelet ! d një fjali
Nëse dy strofat katërshe kanë organizim sintaksor më vete me parataksë dhe hipotaksë, dy tercinat e kësaj tingëllime, përbëjnë një ndërtim fraze, e cila nuk mund të ndahet nga gjithë struktura e periudhës; kështu kemi të bëjmë me një ndërtim të drejtë (nis me një fjali kryesore, tek e cila nuk varet asnjëra njësi predikative), vijon me një njësi drejtuese, ku varet fjalia pasardhëse- pa mjete lidhëse sintaksore, por vetëm me pjesëzën “të” të lidhores; pas tyre vjen fjalia përcaktore lidhore e bashkuar me fjalën lidhëse-përemrin lidhor “që-të cilat”; në strofën e dytë del njësia me marrëdhënie shkaku e lidhëzn “se-sepse”, vazhdon fjalia tjetër drejtuese (vargu 13, ku janë dy njësi predikative (me ndërvendosje) dhe mbyllet fraza me një njësi kallëzuesore shkakore; ja dhe skema:
Fj.kryes. Fj.drejtuese + Fj.drejtuese
Fr. – Fj.v.qëllimore Fj.v.qëllimore
Fj.v.përcaktore Fj.v.shkakore Fj.v.shkakore
Në sintaksën e vargjeve që po ndjekim rendi merr rëndësi të veçantë: në str.I foljet dalin pothuajse në fund, në str.II ato vendosen në mes të vargjeve, kurse në dy tercinat e sonetit foljet janë vënë në mbyllje të vargjeve; autori ka përdorur edhe dy leksema të idiomës gege: teme dhe vjelet. Tridhjetë vjet më vonë, Asdreni publikon përmbledhjen “Psallme Murgu”, ku përfshihen 21 sonete, prej të cilëve tërheq vëmednjen tuba prej 3 tingëllimash me titull “Adriatikut”. Katërmbëdhjetë vargjet e para dalin në trajtën e një kornize, po të vërejmë me kujdes foljen “pashë”, që del në vargun e parë dhe vjen e përsëritet në vargun e 14-të; brenda kësaj hapësire lëviz vështrimi i ligjëruesit-poet; duket sikur dy vargjet:
“Të pashë det Adriatik, të pashë
Si Zanë je prej qiellit i pikuar……… Kujtime t’êmla, botë lumërije
M’u duk se pashë vetë Perëndinë !”
Gjithë soneti për detin Adriatik ngjet me një tabllo pikture, para së cilës ndjen dhe reflekton autori, sikur ndodhet para një filmi që shfaqet ngadalë, duke gëzuar kënaqësinë e ujit të pamasë. Tingëllima ka edhe një veçori tjetër, që edhe e kemi zënë në gojë: vetëm një herë na del emri i detit dhe në të gjitha vargjet, drejtimi ndaj thirrorit realizohet nëpërmjet foljes: je (trazuar), përemrit pronor yt (gjiri), përemri vetor ty (të rashë), të (lashë), të shkreptijnë; kjo është njëfarë tabllo; tablloja tjetër nuk ka asnjë lidhje me detin, autori sjell para vetes: dritë ari, pallate përrallash, dhe menjëherë i shfaqet magjia: me vajza e djem që derdhen në lëndinë e atij i ngjallen kujtime të ëmbla lumturie…të perëndishme! Po nga ana sintaksore? Përgjigjemi se vetëm strofa e parë ka semantikë të plotë e të pavarur, kurse të gjitha të tjerat: strofa katërshe I dhe dy tercinat nuk japin të dhëna për të qëndruar më vete kuptimisht. Atëherë, poezia-kornizë ravijëzon një tabllo pranë një tjetre dhe kalimit e përceptimit që bën autori në këtë pamje të perëndishme.
Le ta sjellim në vështrimin e përbërësve frazorë këtë gjashtëvargësh. Tercina e parë ka varg e fjali (me nga një folje në fund e në mes vargjeve):
Fj.kryesore Fj. drejtuese Fj.drejtuese
Fr.
- Fj.v.kohore – Fj.v.kohore Fj.v.kryefjalore
Ndër vëllimet poetike të Asdrenit ka vjersha me sintaksë të natyrshme për shqipen, ndërtime sintaksore të thjeshta, të qarta dhe me mjete lidhjeje të pasura, njëherësh, edhe me njësi predikative asindete; shfaqjet e dukurisë l’enjambement, janë të rralla në teknikën e vargëzimit të këtij autori. Por, veç ndërtimeve lineare të njësive përbërëse frazore, nuk mungojnë tek Asdreni edhe strukturat me ndëvendosje, çka puqen me një sintzaksë mtë ndërlikuar poetike, si në dy strofat në vijim, vjelë prej vjershës “Lulja e këputur”:
E mjera lule, të këputa /__________/ /___________/
Pa pikë mëshire e dhembshuri,
As unë s’di //pse kaq u nguta// /____________/
Që nuk t’u solla si njeri. – /____________/
Nga shoqet// rrebtë kur të ndava// /_________//_________//_________/
T’afrova plot fisnikëri,//
Të mora erën //e mënt qava /_________/ _ /_________/
Në ty //kur pashë aq bukuri.
(Vargu III dhe IV ndërtohen
me dukurinë e tejkalimit)
***
IV. Sintaksa në strofat safike
Asdreni, ashtu si dhe poeti i madh Nd.Mjeda, ka mjaft strofa safike, të cilat po i shohim nga pikëvështrimi i mësipërm. Për poetin e Drenovës, themi se praktikon formën e strofave safike jo pak në vjershërinë e tij, por edhe duke dalë jashtë skemës me të dhënat që jep teoria letrare. Poezi të tilla gjejmë që tek “Rreze Djelli”, në strofa pesëshe, 11 rrokëshe, plus vargun e shkurtuar, me 6 rrokje, në “Zërin e Flamurit”, në të cilin jepen përgjithësime e përcaktime sa i takon përmbajtjes së gjithë strofës së ndërtuar me kombinime të parataksës dhe hipotaksës, me njësi funksionale homogjene, si në shmebullin që vijon, ku vargu përmbyllës është njësi predikative:
“Oh, veç aher’ka vlerë trimëria,
Kur për atdhen’ajo derdhet pa kursim,
Kur armiqtë shuhen si mizëria
E flamuri është ndë nder’e lavdim!
Pra, përpara djem, se s’do Perëndia
T’vdesë Shqipëria !”
Mjaft vjersha të autorit, me strifa safike që mbyllen me varg të shkurtuar, dalin jashtë këtyre rregullave dhe ndërtohen me vargje 7-8 rrokëshe + 5-rrokësh, si në vijim, te vjersha “I burgosuri”, ku vargu final është vetëm një sintagmë stilemë e anasjellë:
I lidhur këmb’e duar
Shkon udhës me unjësi;
Jetën duke mallkuar,
i mjeri njeri.
Në vëllimn e parë “Rreze Djelli”, gjejmë edhe ndërtime safike në tercina 9-rrokëshe +6 vargu mbyllës dhe me 5-rrokëshe + vargun 3 rrokësh, si tek “Malli i peshkatares”, “Bëj një të mirë” dhe “Mos kërko”:
Peshkatar, peshkatar, mos nxito,
Mbaje lundrën e më vent qëndro,
se më kënda të t’shoh !
*
Gushën e bardhë Kur foshnja ishim
Falma një herë, Dashuri kishim
Faqet si dardhë Si motr’e vëlla
m’i bjerë. të dy.
Edhe në këtë lloj poetik, autori ka mundur të krijojë skema aq të rralla, sa vetëm në vjershërinë e tij mund të gjenden thurje të tilla, si te “Mall nate”, ku rimemat e gjashtë e shtatërrokëshit dalin ABBCCA dhe vargu i fundit vendoset si në strofat safike, duke qenë i metruar si të tjerët:
Del hëna si ar
Lart bregut porsi korë,
Me rrezet rreth kurorë;
Çel buzët, qesh si zanë
Me kryet gjith’mënjanë
Dhe faqet plot me zjarr !
Po kështu vepron poeti edhe në skema, ku përshkruhet mërgimi i zogjve, si te vjersha “Shpesët udhëtare”:
Tok mbledhur si nga mot
Po shkojnë ndaj mërgimi,
Nga kulmi, nga largimi
Na lënë “lamtumirën”
Dhe çajnë hapësirën
I bien erës m’not.
Strofat safike, më së shumti përmbajnë vargje të shkurtuara pa folje (si në disa strofa të vjershës “Zëri i Flamurit”), por edhe të kombinuar me klasa të tjera fjalësh, shoqëruar me epitete, edhe vetëm me folje që përmbyllin kuptimin e frazës-strofë, duke qenë njësi predikative, si tek poezia e njohur “Lulkuqja…”, e cila përmban disa strofë-fraza me parataksë:
Lulëkuqeja, e mjera, Ajo ngjyrë nd’ato fletë
Asgjëkundi s’ka shtëpi, Është shpresa që tregon
E shkon jetën nd’arrati Një të ardhme që ëndërron..
Ajo s’është si të tjera Është Flamuri ynë vetë
S’ka stoli që valon !
Tek “Psallme Murgu”, ka një adaptim tek vjersha “Shi po bije!”, ku në një strofë safike del fugura morfosintaksore e enalagës, që shfaqet në ndërrimin e gjinisë për emrin “lulet”:
Shi bije! Le të bjerë!
Kopsht, lendinë zun’e thahen
Lulet epur sa po mbahen
Si të mjerë.
***
Përfundime
- Asdreni është një prej poetëve m[ të njohur i Rilindjes sonë Kombëtare dhe i periudhës së Pavarësisë, i cili u njoh që në krijimet e para.
- Ai ka pasur vëmendjen e kritikës dhe u vlerësua gjatë gjysmë shekullit XX, duke nisur nga Faik Konica dhe Gjergj Fishta.
- Poeti drenovar jetoi e krijoi jashtë Shqipërisë dhe formimi gjuhësor i tij i përket kohës së fëmijërisë dhe rinisë, që lidhet më gjatë me gjuhën rumune sesa me gjuhën amtare, kështu që nuk mund të quhej njohës i nivelit të lartë të pasurisë leksikore dhe shprehësisë së shqipes. Sidomos, kjo duket qartë në krijimet e pakëta që ka lënë në idiomën gegërishte.
- Asdreni ka sjellë jo pak risi në vjershërimin shqip, sidomos në pasurinë e larminë e strofikës, nga distikët, tercinat, strofat katërshe, pesëshe, gjashtëshe, tetëshe, strofat safike dhe sonetet e shumta që ka krijuar.
- Ka mjaft të dhëna që ky poet lëvroi për herë të parë edhe vargjet e lira (kryesisht në metrikë), një udhë e re që vazhdoi gjatë, më pas, në letërsinë shqipe.
- Motivet e krijimtarisë së Asdrenit janë temat që u lëvruan gjatë Rilindjes Kombëtare, si dhe problemet shoqërore shqiptare, të gjysmës së parë të shek. XX.
- Për vjershat në tingëllima, për nga mjeshtëria, Asdreni, vjen pas Mjedës, i cili, me sonete krijoi poema të tëra në vargje.
- Ai është një ndër shkrimarët shqiptarë që u çmua dhe u përfshi në librat shkollorë para dhe pas Luftës II Botërore.
Bibliografi
- Faik Konica, Vepra I, Botimet Dudaj, Shtypshkronja “Guttenberg”, Tiranë, 2001.
- Gjergj Fishta, Ëndrra e lotë, Hylli i Dritës, Shkodër, 1914/9.
- Lasgush Poradeci, Ylli i zemrës, Tiranë, 1933. (Vepra letrare, Tiranë, 1990).
- Eqrem Çabej, Elemente të gjuhë[sisë e të literaturës shqipe, excupere 20, Shtypshkroja e Ministrisë s’Arsimit, Tiranë, 1936.
- Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë…Shtypur Shtypshkr.Tirana”,Tiranë, 1992.
- Karl Gurakuqi, Shkrimtarë shqiptarë – 2, Rilindja – Histori e Letërsisë shqipe, nën kujdesin e Ernest Koliqit, Tiranë, 1941; Botim II “Pakti”, Tiranë, 2008..
- Asdreni, Psallme Murgu, Komentuar nga Leka Ndoja, Botimet “Pakti”, Tiranë, 2009 (me 208 faqe). Qendra e Studimeve Albanologjike, Maximilian Lambertz, Periudha hipotetike në gjuhën shqipe, përgatitur për botim: Prof..dr.Tefë Topalli & Dr. phil.MA Edmond Malaj, Botime Albanologjike, Tiranë, 2011.
- Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Tiranë – Pejë, 1997.
- Rexhep Qosja, Asdreni. Jeta dhe vepra e tij, Dukagjini, Prishtinë 1972 (Ribotuar nga TOENA, më 2002).
- Tonin Çobani, Referuar në promovimin e librit “Asdreni, jeta dhe vepra e tij”, TOENA, 2002. , shkruar nga akademiku Rexhep Qosja, promovim që u bë gjatë ditëve të sallonit të librit në Korçë. Botuar te gazeta “Koha jonë”…
- Rexhep Qosja, Panteoni i rralluar- Studime, kritika dhe ese, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1988.
- Karl Gurakuqi, Shkrimtarë shqiptarë – 2, Rilindja – Histori e Letërsisë shqipe, nën kujdesin e Ernest Koliqit.
- Asdreni – Vepra I, Tiranë, 1976. (Botuar për herë të parë në “Korça”, Korçë, v.I, 1909, nr. 17, 15 tetor, f. 2).
- Rexhep Qosja, Asdreni- Jeta dhe vepra e tij, Botimet Toena; Tiranë, 2002.
- Koço Bihiku, në Asdreni-I, Kombinati Poligrafik, Shtypshkronja “Mihal Duri”- Tiranë 1976.
- Lasgush Poradeci, Naim Frashërit- Poem lirik- Nxjerrë nga libra “Naim Frashëri” prej një grupi studentësh të Austrisë (Graz), 1925. Naim Frashëri, Vjersha lirike- Nën redaktimin e L.Poradecit. Shtëpija Botonjëse “Naim Frashëri”, Tiranë, 1950.
- ASHAK, Drejtshkrimet e shqipes Përgatitur nga R. Ismajli, Prishtinë, 2005.
- Faik Konica, Vepra-4, Botimet Dudaj, Shtypshkronja “Guttenberg”, Tiranë, 2001.
- Adreni, Psallme Murgu, Botimet “Pakti”, Tiranë, 2009, (Sipas botimit në Bukuresht, 1930).
- Rexhep Qosja, Asdreni, jeta dhe vepra e tij, Botimet Toena, Tiranë, 2002.
- Xhevat Lloshi, Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika, Albas, Tiranë, 2012..
- Ferdinand Leka, Fjalor i termave të letërsisë, Infobotues, Tiranë, 2013.
***