Prof..Xhevat Lloshi
“UDHËKRYQET E KRISTOFORIT
DHE AVENTURA E LIBRIT SHQIP”
(UEGEN, Shtëpia e Librit dhe e Filmit, Tiranë, me 676 faqe)
***
“Përkthyesi, një djalë shqiptar besimtar e i arsimuar mirë,
duket se është rritur nga vetë Providenca hyjnore në një
mënyrë të veçantë pikërisht për këtë punë.” (C.Hamlini) –
“Unë e bëj këtë punë
nga dëshira
për të qenë i dobishëm
për bashkatdhetarët e mi. “
(Kristofori)
“Ai nuk është një librashitës i thjeshtë, ai ka një mison
të ndryshëm. Nevoja për shkolla shqipe është një element
i rëndësishëm..Ndërkohë Kristofori udhëtonte nëpër Shqipëri,
duke folur e punuar si misionar i lëvizjes kombëtare mes një
populli që e priste krahëhapur. “Futjen e librave shqip ai po
e kthen në punën e vet të madhe.” Vijonte mbledhjen
e shprehjeve dhe të fjalëve dialektore, “të cilat
po i mban shënim për t’u dhënë dorën e fundit
përkthimeve të veta të Dhiatës së Re dhe të Psalmeve”,
por unë besoj se po mblidhte fjalët për Fjalorin.” (f.281)
“Kristofori kishte hapur një rrugë të re,
sepse e lidhte punën për gjuhën dhe arsimin
me idenë parësore për lirinë e vendit,
për bashkimin kombëtar. Bashkësisë
kombëtare duhej t’i përgjigjej edhe
njësia e gjuhës.”
“Momerandumi i gjuhës shqipe” (1857) është punimi i parë
i Kristoforit kushtuar gjuhës shqipe, me të cilin ai hyn
në trashëgiminë tonë kulturore e Rilindjes drejtpërdrejt
si gjuhëtar, me vetëdije të plotë për misionin e tij.
Dhe ky mision mbeti për të Ylli i Karvanit, sa herë
do të dilte në ndonjë udhëkryq mes shkretërirave,
që jeta i ka më të mëdha se oazat.” (f.112)
***
Nuk ka si të ndodh më mirë, sesa, kur je duke shkruar për një gjuhëtar, nga këta të një libri që kemi në dorë, merr vesh se, bash kësaj jave, publikohet edhe një vepër tjetër e tij, si më ngjau me librin «Udhëkryqet e Kristoforit dhe aventura e librit shqip », të prof. Xhevat Lloshit. Kam nga ky autor, një nga një, të gjitha veprat e publikuara dhe përherë kam parë në sytë e studiuesit gëzimin e njëjtë për një realizim shkencor e kulturor, por, për Konstandinin e Madh të jetës së tij studimore, dhe të gjuhës shqipe, ishte një kulm suksesi në rrugën e kërkimit gjysmëshekullor për Babain e Shqipes. Pas përgëzimit e falënderimit të veçantë, më thotë të lexoja paragrafin e mëposhtëm ku shkruhej te Kreu I, f. 9: « Kristofori është një fenomen në kulturën shqiptare. Ai bën pjesë në atë brez njerëzish, të cilët të parët e panë se po vinin kohë të tjera dhe Shqipërisë së pushtuar prej katër shekujsh i duhej zëri i saj i plotë, i përpunuar si shprehës i njësisë kombëtare, për ta zgjuar popullin për liri. Çdo dukurie të rëndësishme brezat e mëpastajmë përpiqen t’i gjejnë rrënjët dhe për njerëzit rrënjët janë: kur dhe ku ka lindur ? Si u mbrujt dhe çfarë e nxiti për të marrë rrugën deri atje lart, ku i bëri vend vetes dhe ku e mbajnë me nderim ? I pari që e ka shtruar pyetjen se kur dhe ku lindi Kristofori, ka qenë « Kalendari i Maleve » për vitin 1900. Aty (f. 49) përmenden disa nga « emrat e artë të kombit shqiptar » dhe revista ka vendosur ta hapë shekullin e ri me « apostullin e gjuhës kombëtare, me Kristoforidhin ». Është artikulli i një autori shkodran (me gjasë, sipas autorit- i Luigj Gurakquit), i cili mbi gjithçka e vlerëson si nismëtarin e përpjekjeve për një gjuhë të shkruar të përbashkët…. » (f.9) Pastaj, biseda u mbyll me pohimin se qëllimi i librit është ta ngrejë gjuhën tonë në piedestal, me një monument, që lidhet përjetësisht me Kristoforin…. »
***
Profesor Xh.Lloshi të flet për veprimtarinë e elbasanasit e shqiptarit të madh, si të ishte dëshmitar i jetës së tij, që e ka ndjekur hap pas hapi në udhën e vështirë të naltimit të shqipes: është e vërtetë se dëshmitë e dokumenteve që ai zotëron, prej 50 vjetësh, ngjasin dhe ia kalojnë dëshmitarit të gjallë; me pak fjalë por edhe me një ligjëratë të tërë, ai ta sjell përpara Kristoforin e tij si ka qenë dhe si ka dashur të jetë, Babai i shqipes, brenda gjuhës dhe popullit të vet….
Askush s’duhet të habitet : për Kristoforin është folur e shkruar, por ka ende për të folur e shkruar, prandaj dhe prof.Xhevat Lloshi i kthehet kësaj figure, këtij fenomeni të kulturës sonë, se është i bindur që jeta e këtij rilindësi lidhet pazgjidhshmërisht me historinë e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e saj, edhe pse puna e tij kryesore (për të jetuar) ishin përkthimet, me porosi të Shoqërisë Biblike të Londrës. Përkthimet e porositura nga Shoqëria do të ishin shqip, madje edhe në dy dialektet dhe këto do të bëheshin prej një njeriu që ishte gjuhëtar i lindur, por, kryesorja : prej një shqiptari që kishte ëndërruar të bënte libra shqip e të mësonte nxënësit shqiptarë, të udhëtonte nëpër trojet amëtare për gjuhën shqipe…(f.139). Ai do të prirej në mënyrën më të natyrshme drejt Biblës si mjeti më ideal, shkruan autori, për të arritur qëllimet e tij pikërisht atëherë, kur çështja e kombit shqiptar, e jetës, e kulturës dhe e gjuhës së tij ishte shtruar si në çastin « në krye të herës ».(f. 58)
Prof.Xh.Lloshi e shkruan prerë se botimi i përkthimit të Biblës në një gjuhë ka qenë kurdoherë edhe një ngjarje kulturore, letrare e gjuhësore, ai shënohet në historinë e gjuhës së shkruar. Dhe ky pohim nuk ka nevojë të mbështetet e të kujtojmë historinë e gjuhës së shkruar gjermane që zë fill me përkthimin e Dhiatës së Re nga peshkopi Vulfila (311-383), mjafton të sjellim ndër mend se përpjekjet e shqipërimit të Vulgatës, në vendin tonë kanë zgjatur plot katër shekuj e gjysmë : nga libri i parë shqip, 1555, deri kur u botua Bibla e plotë, më 2004. Marrë që nga Formula e Pagëzimit, shkruan autori, me të është pagëzuar vetë gjuha shqipe e shkruar.
**
Pa u larguar nga argumenti, në këtë paraqitje të librit më të fundit të autorit, duhet vënë në dukje se, me vite, prej gjysmë shekulli, prof.Xhevat Lloshi, në trajtimet e temave historike për njerëz e ngjarje kulturore, sidomos për shqipen e shkruar, ecën gjithnjë duke shfaqur teza të mbështetura mbi të vërtetat e dokumentuara. Kjo ka bërë që mjaft të dhëna që kemi, të mos mbeten pa u lëkundur: për data, njerëz, fakte, qëllime, rrethana, pasoja, renditje ngjarjesh, lidhja e tyre dhe arsyetime që janë kontradiktore, të padëshmuara me fakte që, ose kanë ekzistuar nëpër shkrime e arkiva brenda e jashtë vendit, por që tani ka ardhur koha të njihen e të dalin në dritë. Ky qëndrim i prerë i autorit, domosdo që lind e sjell sfida, siç e quan prof.F.Dado, por që kanë anën e tyre pozitive, se krijojnë atë që ka munguar në letrat tona : kritikën shkencore, e cila del haptas në shumë studime të stilistit tonë. Prandaj dhe ky libër vjen e shfaqet si botimet e tjera para tij dhe shtrohet mbi tri vija : a). në risitë dhe prurjet e panjohura deri më sot, b). divijimet që kanë ndodhur në albanologji (brenda historisë së shkrimit shqip), c). mbrojtja e së vërtetës me dokumente të zbuluara dhe me arsyetime që sjellin sfida ! Faqe pas faqeje, me këtë libër në dorë, të formohet ideja se tash që vepra e madhe origjinale dhe e përkthyer e K.Kristoforidhit, po sheh dritën e botimit, duhet ndriçuar vetë Kristofori, madje duke e zhveshur nga legjenda që jo rrallë, e mjegulloi; e gjithë kjo të sjell ndër mend artikullin programatik të Gj.Fishtes, 92 vjet më parë, me emrin domethënës « Tash, që asht ba Shqipnia, duhen përba shqiptarët ! »
Vetë titulli intrigues mbi dy fjalë emra « udhëkryeqet » dhe « aventurë » na bëjnë ta hapim menjëherë për të zbuluar cili është Kristofori, i njohur në librat tanë shkollorë në trajtën Kristoforidhi, kur nevojiten krahasime me biografi të hershme për qytetarin elbasanas : ajo e S.Shuteriqit, por nuk mjafton, duhet parë Gjimnazi i famshëm « Zozimea » dhe regjistrimet e nxënësit Konstandin. E dyta, arsyetimi i hollë dhe në suazë stilistike e çon autorin te sqarimi i dokumentit të Perikopesë së Ungjillit të Pashkëve, të cilin ai e quan tekst apo « vepër të plotë », për ta zbërthyer në elemente përbërëse, ndonëse është vetëm një segment i përkthyer, por me probleme gjuhësore (f. 65-69). Edhe këtu duhen kapërcyer konkluzionet e mëparshme të autorëve të tjerë, të cilët kërkojnë vlerësim për çka është e drejtë dhe duhen përqasur me pjesë që nuk mund të pranohen ! Por herë- herë, arsyetime të tilla çojnë në fluturime pindarike (në devijime nga argumenti kryesor) dhe kështu, për të vendosur Heroin Kristofor në zanafillën e ndërmarrjes së tij jetike – për të shpjeguar barrën e rëndë që do të merrte në kurriz Kristofori, duke u përfshirë në mekanizmin gjigant botëror të shumëzimit të Biblës (f.56) – autori duhet të shtjellojë temën legjendare dhe historike për « Faqe të Krishterimit në Shqipëri », një fill i vështirë për t’u zhdrivilluar, një proces ku gjen jo aq të vërteta sa shtrembërime e pasaktësi, thënie e kundërthënie, në planin intelektual vendës, por edhe nga vetë historianët e huaj. Këtu na vjen shpjegimi më i bindshëm që, kur dy kishat e mëdha (ajo Lindore dhe Përendimore) iu shmangën fushës që kultivon kulturë, nëpërmjet përkthimit të Biblës, atë e zunë protestantët, të cilët ditën ta lëronin me mjeshtërinë e përvojës botërore, edhe duke iu mbështetur konceptimit kulturor të punës. Kësaj radhe, të vërtetat që shpall autori i Kristoforit, i kërkon dhe i vë mbi bazën e shtjellimeve që ka bërë dhjetë vite më parë, te Përkthimi i V.Meksit dhe redaktimi i G.Gjirokastritit. Asnjë ngjarje nuk ngjet pa pasur lidhje shkaku a pasoje me një tjetër, qoftë edhe për rastësi. Kështu ndodhi kur, në fillim të shek.XIX filologu slloven Jernej Bartolomeu Kopitari hodhi idenë që Dhjata e Re të përkthehej edhe në gjuhën shqip, krahas serbishtes, bullgarishtes e vllahishtes. Edhe në këtë segment të paraqitjes, duhej vënë dorë në mjaft prej gjërave të thëna e të shkruara nëpër librat tanë të historisë së gjuhës së shkruar: nga hulumtues të ndryshëm, deri tek gjuhëtari K.Ashta në vëll. VII të veprës madhore Leksiku historik i gjuhës shqipe ! Në këtë pikë, ndeshim shpjegimin pse autori paska të drejtë të flasë për aventurën e një libri shqip, pasi përkthimi në shqip i librave të Biblës nuk ishte nismë e vetmuar e shqiptarëve të shkolluar, por ai zu fill e përparoi në rrethanat europiane, të krijuara nga iluminizmi, romantizmi dhe ndikimi i Revolucionti Francez, etj.
Veprimtaria e Shoqërisë Biblike në Shqipëri, jo vetëm lidhej me Kritoforin, por zë fill me emrin e tij, vazhdoi sa ishte ai në krye të përkthimeve dhe shpërndarjes së librave dhe mbyllet përfundimisht, kur ai u (e) largua (larguan) prej kësaj detyre që e kreu si asnjë tjetër deri atëherë. E kjo ndodhte, sipas vështrimit të të huajve kur në Shqipëri nuk kishte shkolla, ku të mësohej gjuha shqipe ! Drejtuesit biblistë e quanin mrekulli të Zotit zbulimin e këtij shqiptari, i cili ishte jo vetëm i aftë e bënte shqipërime të shkëlqyera, por punonte aq shpejt, sa ata u entuziasmuan prej tij bash në atë periudhë, kur, për herë të parë në historinë e shqipes së shkruar, lindi problemi i paraqitjes së të njëjtit tekst në dy variante të ndryshme ! Ishte koha që në shekullin XIX, shqipja e shkruar kalonte në një fazë ndryshimesh intensive. Amerikani C.Hamlini shkruante për Kristoforin se përkthyesi, një shqiptar besimtar dhe i arsimuar mirë, duket se është rritur nga vetë providenca hyjnore në një mënyrë të veçantë pikërisht për këtë punë. (f.107).
**
Ashtu si nuk mund të ndahet çështja e shqipes në përkthimet e Kristoforit, as ndriçimi e ravijëzimi i figurës së tij, në libër, nuk mund të ndahen nga puna e sakrifica, zelli e dëshiri i autorit tonë, jo si kërshëri, por detyrë kulturore dhe peng i disa viteve, kur përshkruan udhëtimet dhe kërkimet e tij në Maltë e Tunizi – në muranat e lashta të Kartagjenës (Kreu IX), më vonë në Stamboll, së bashku me Dr. Hosafflook-un ; siç do të veprojë më vonë, në Manastir e Shkup, në kërkim të veprimtarisë së atdhetarit të madh, Gjergj Qirjazi…..apo si në Vjenë, nëpër gjurmët e një shkolle shqipe në kryeqytetin e Perandorisë Absburge….Pas dokumeteve që gjen, prof.Xh.Lloshi takon shumë të vërteta për jetën e Kristoforit : se përkthyesi ynë i shquar i Biblës, nuk ka studiuar gjuhësi e teologji në Londër, siç janë thurur legjenda, por ka ndjekur mësime kualifikimi teologjik në Maltë; se një mbledhje e rilindësve në Stamboll nuk ishte bërë kurrë; për veprimtarë të asaj kohe, të cilët gjendeshin në qytete europiane, ndërkohë që është shkruar për ta se jetonin në Stamboll ; kështu, autori shtron teza e kundërteza për ardhjen e krishterimit të parë ndër shqiptarë, myslimanizimin e popullatës në prag dhe gjatë pushtimit osman, merr e shkruan për çështje të Reformacionit dhe Kundëreformës, Koncilet e Kishës Romane, Bizantin dhe udhën e Shën Palit, brenda apo jashtë Ilirisë, duke sjellë mendime të reja edhe për autorësinë e letrave të tij, përkthimet e Biblës në popujt ballkanikë dhe ata europianë, luterizmin e kalvinizmin dhe Sinodet fetare. Me rëndësi historike të gjuhës së shkruar janë edhe përpjekjet për alfabetizimin unik të shqipes, përpjekje që lindën pikërisht kur duheshin shtypur librat e Biblës. Kjo kërkesë vjen në libër si pozita më e vështirë e rilindësit tonë të madh dhe vetë Tomsonit : me cilin alfabet do të shtypeshin librat e përkthyer, kur ende shqipja nuk kishte një abece të unifikuar ! Ky ishte një nga udhëkryqet më të mëdha e të vështira të Konstandinit tonë. Kryesore për librin e prof.Xh.Lloshit është edhe e vërteta e panjohur deri më sot se Kristofori i përfundoi përkthimet e para me nismën e vet, pasi i ishte çelur një rreze shprese nga misionarët amerikanë më 1957. Këta e kishin braktisur shpejt idenë e parë, kurse për shqiptarin tonë ajo ishte kthyer në mision të jetës. Pesë vjet pasi Kristofori i kishte nisur përkthimet, Shoqëria Biblike e pa të nevojshme të bënte një hap të ri për shqipen, – shkruan autori. (f. 153)
Sa ka për të folur e shkruar për Kristoforin e dëshmojnë edhe letërkëmbimet e këtij rilindësi, jo vetëm me atdhetarë të kohës së tij, si me Vreton, Mitkon, Naçon, por, në mënyrë të veçantë me drejtuesit e SHB : anglezë, skocezë, apo amerikanë, të cilët, aq sa e deshen për punën e pastër linguistike, të sigurtë e të shpejtë, si asnjë tjetër, po aq dyshonin tek personi i tij, sidomos në vështrimin e besimtarit e fetarit, dhe e ndiqnin nëpër vizitat e tij në krahinat ku shkonte, për librat e përkthyer, veçmas – për mbledhjen e fjalës e shprehjes shqipe. Korrespondenca e Kristoforit me Laundzin, Hahnin, Tomsonin, nuk përmbante vetëm punë përkthimi, por letrat e tyre pasqyrojnë në masë të mirë edhe gjendjen sociale e kulturore të popujve ballkanikë, mënyrën e jetesës, arsimin dhe shkollat nën perandorinë osmane, shkollat e huaja ; mbi të gjitha : konkluzioni që arrin autori i librit se qëllimi i gjithë veprimtarisë së Kristoforit mund të përmblidhet me këto dy fjalë : t’i bënte shqiptarët komb me libra !
Me shqetësimin e një gjujhëtari shkencëtar, prof.Xh.Lloshi vihet të shkruajë Kreun XXII, që e ka titulluar me maximën latine Eppur si muove, e cila pohon dhe mohon njëherësh në një çast historik, kur në mes laun jeta e njeriut ! Ata që e kanë ngritur në qiell për kontributin e shquar në përkthimet e SHB, e ndanë punën ta hetonin ; ishte apo nuk ishte besimtar ! Si në Gjyqin e mbramë, nisën t’i numërojnë të mirat dhe fajet që e rëndonin, sepse Kristofori herë-herë e kapërcente detyrën për të shitur vetëm libra dhe, sepse gjatë shitjeve, nuk merrte përsipër të ishte edhe misionar ungjilli ! Po vërtetohej ideja e Shën Thomait- Laundzit – se njeriu i Providencës (sipas tyre), nuk paskësh ide të përcaktuar teologjike ! Prandaj dhe Tomsoni vendosi ta hetonte beniaminin e tij dhe vetë ai e gjykoi dhe u bind se, si shqiptar – shkruan autori ynë – Kristofori edhe ka besuar, edhe nuk ka besuar !(f. 331- 346). Këtu lexuesi do të shohë dhe të prekë së afërmi udhëkryqet e mëdha të jetës së Konstandin Kristoforidhit, deri sa ndërroi jetë.
Meritat e hartimit dhe përmbajtjes së këtij libri, duhen njohur në 4 drejtime :
- Në risitë dhe ridimensionet që sjell autori për veprimin gjuhësor të Kristoforit ;
- Në informacionet e shumta për kohën dhe rrethanat shqiptare kur jetoi ky rilindës ;
- Në të dhënat e hollësishme për gjithë veprat origjinale dhe përkthimet e Kristoforit,
- Në ndërhyrjet dhe gjykimet nga pozitat e dokumentit që bën ai për devijime, mungesa e pasaktësi, që janë bërë në historinë e mendimit tonë akademik për Kristoforin e shquar.
I bindur se ka prapë për të zbuluar e për të sjellë të dhëna të panjohura rreth figurës madhore të gjuhës e kulturës sonë, që lidhen me emrin e K.Kristoforit shqiptar, presim prej gjuhëtarit tonë, shpesh herë sfidues, t’u drejtohet tashmë veprave origjinale të këtij albanologu të parë të shqipes.
Ndërsa lexuesit i ftoj të ndjekin ngjarjet e kohës dhe veprimtarinë e Kristoforit deri në Kreun XXXIV e më pas, në mbyllje, Kronologjinë e jetës së Heroit të tij të dashur !
***