• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHPREHJA “ARMIK I POPULLIT” – SI HISTORI DHE PARALAJMERIM

March 8, 2017 by dgreca

Nga Sami Repishti/ Ridgefield, CT. USA.- Me 27 shkurt 2017, gazeta prestigjoze amerikane The New York Times, botoi dy artikuj që ironikisht ndërlidheshin, dhe që për mue ishte nji kombinim i dobishëm i trajtimit të nji subjekti themelor: Shqipëria dhe krimi komunist në Shqipëri.

48 Repishti

I pari: “Albania Slow to Act…” nga Matthew Brunwasser, tregon plogështinë e shoqënisë civile shqiptare, dhe mospërfilljen 26 vjeçare të problemit të zbulimit, dokumentimit dhe dënimit të krimeve komuniste në Shqipëri (1944-1991), dhe sidomos problemin thellësisht njerëzor të evidentimit të varrezave të qytetarëve shqiptarë të zhdukun pa lanë gjurmë (në gjuhën e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, këto viktima cilësohen si “enforced disappearances” (afërsisht:”zhdukje që kërkojnë drejtësi”)

Artikulli  raporton se”…nga vendet e Europës Lindore, Shqipëria ka pasë rregjimin ma të ashpër, dhe ma të izoluem. Enver Hoxha, nji stalinist kambëngulës, krijoi nji aparat shtypës që mbijetoi edhe mbas vdekjes së tij (1985), deri në shkërmosjen e atij rregjimi (1991)”. Ai vazhdon: “Edhe në nji zonë ku drejtësia për krimet komuniste çalon shumë, Shqipëria dallohet si njeni nga vendet që akoma nuk ka qenë në gjendje me ndertue nji institucion që të lehtësojë kërkimet e qytetarëve në dosjet sekrete, ashtu si u ba në Rumani dhe Gjermaninë Lindore”. Autori i referohet Ligjit të vitit 2015 (që u përkrah edhe nga Kryeministri) e që shpresohej se do të jepte nji zgjidhje, dhe do të pakësonte spekulimet rreth zyrtarëve të sotshëm që kanë përfitue nga lidhjet me rregjimin e kaluem komunist. “Megjithate- shkruen ai- nuk pritet nji rezultat i madh sepse rreth 70 përqind (ndoshta 90 përqind) dosjet janë zhdukë misteriozisht nga zyrtarë që vepruen me mbrojtë veten”, si dhe për arsye se nuk ka akoma nji metodë procedimi (ligjor) kundër ish bashkëpunëtorëve të “Sigurimit të Shtetit”, organizatë kriminele, “arma e mprehtë e Partisë” (PKSH/PPSH). “Kaq e ngadaltë ashte puna në sektorin publik sa që edhe sot, dy vjet mbas aprovimit të Ligjit nga Parlamenti për krijimin e “Komisionit” puna nuk ka fillue…”

(Nji parenthezë: Në vitin 1948, nji oficer i ish Sigurimit të Shtetit në Shkodër, Gjovalin Mazrreku, i prekun nga terrori i ushtruem kundër popullsisë katolike në përgjithësi dhe kundër klerit katolik shqiptar në veçanti, u revoltue, u arrestue dhe u dënue me 15 vjet burgim. Gjatë bisedave konfidenciale, ai më tregoi se ka dy lloje dosjesh: njena, përmban materiale që implikojnë “autoritetin”; në se ndryshon gjendja politike në vend, ata shkatërrohen plotësisht, kështu që ju nuk keni dokumentacion për denimin tonë. Dosja e dytë përmban material nga “informatorët”, shumica e të cilëve janë nga familjarët e të persekutuemëve; ata dosje do t’i gjeni të paprekuna, dhe do të kuptoni sa randë janë komprometue të afërmit tuej. Kështu ju do të ziheni njeni me tjetrin e nuk do të keni kohë të mirreni me ne…!”

Fatkeqsisht, kjo u vertetue mbas vitit 1991. Djallëzia nuk njeh kufij!

Detyra e zbulimit të varrezave të viktimave të zhdukuna pa gjurmë (në Shqipëri) ashtë akoma ma e vështirë se në vendet tjera të Europës Lindore, sepse Shqipëria nuk ka kalue nepër procesin e “de-stalinizimit” si vendet tjera ish-komuniste” deklaron Henrikas Mickevicius, lituanez, anëtar i grupit të OKB-së për zbulimin e të zhdukunëve që kërkojnë drejtësi. “Edhe dekada mbas mbylljes së gulagëve stalinistë” shton ai,”…Shqipëria vazhdoi me fushatat e torturës, burgosjes, e vrasjeve deri në vitin 1991”.

Ish i persekutuemi dhe aktivisti Fatos Lubonja mendon se Qeveria në se dëshiron “pajtimin” (reconciliation) mund të deklarojë “amnistinë për dëshmitarët”, raporton shkrimi i gazetës The New York Times, “ose edhe të fajtorëve të dhunës politike, në shkëmbim të gjetjes së varrezave të viktimave”. Ai akuzon të dy palët kryesore (PS dhe PD) si të komprometueme gjatë rregjimit komunist. “Në vend që të zbulohet e verteta, ata përdorin (dosjet) si armë per shantazhe me sulmue kundërshtarët si “bashkëpunëtorë” (me rregjimin komunist)…..Këtu kemi nji përleshje në mes të dy grupeve banditësh që përdorin çdo mjet njeni kundër tjetrit”, shton ai.

Koncepti i “pajtimit” ashtë, natyrisht, fisnik në vetëvete. Suksesi në pajtimin që pati Afrika Jugore me Komisionin “E Verteta dhe Pajtimi” (Truth and Reconciliation) -imitue ma vonë edhe nga shumë vende tjera- nxori në shesh krimet e shumëta e të shumëllojëshme, dhe dënoi disa kriminelë, aktet e të cilëve prekën thellë ndergjegjen  dhe sensin moral të popullsisë jug-afrikane. Ai “komision” sherbeu edhe si “catharsis” për viktimën!

Por kjo rrugë pajtimi u nis nga nji bazë e fortë: krimineli gjeti guximin e nevojshëm me denoncue krimin e kryem, dhe përuljen e duhun me kërkue faljen. Ky akt moral i naltë, krijoi atmosferen e përshtatëshme për viktimën me falë fajtorin, e me dënue publikisht fajin.

Fatkeqsisht, kjo nuk ngjau në Shqipëri! Si mund të falet faji e fajtori kur nuk kerkohet falja e fajit dhe e fajtorit nga vetë “fajtori’?

Fajtori shqiptar, i  dehun nga arroganca e pushtetit absolut 45 vjeçar, nuk arriti  as të pranojë ekzistencën e nji rregjimi kriminel komunist, dhe përjetoi periudhën e sundimit të kuq vetëm si “lavdia e luftës nacional-çlirimtare”. Fakti që kjo “lavdi” u përdor me vendosë diktaturën ma të tmerrëshme në historinë e vendit tonë nuk shqetësoi ndërgjegjet e tyne të  vrame nga krimi i kryem.

Megjithate, kjo ngjau në Shqipëri me nji formë edhe ma fisnike: përbuzëjen e hakmarrjes nga ish të persekutuemët e viktimët e komunizmit. Në Shqipëri, ky gjest sublim do te mbetet si nji nga faqet ma të ndrituna të qytetnimit shqiptar, dhe si model suprem për brezënitë e ardhme. Unë jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj ish të persekutuemëve, vëllazën e motra në vuejtje, për këte qendrim moral dhe politikisht pozitiv, që në vitin 1991, përbuzën hakmarrjen si qendrim anti-njerëzor, dhe përqafuen ndryshimin e gjendjes me mjete paqësore.

Çuditërisht, nji qendrim i këtill –që unë quej madhështor!- ngjet në nji vend ku koncepti i “hakmarrjes” ashtë i ngulun thellë në psiken e në traditën tonë popullore, dhe në nji vend ku që nga viti 1944-45, hymja e brigadave partizane në qytetet e fshatet e vendit tonë të martirizuem nga pushtimi fashist e nazist shoqënohej me “bataljonet e hakmarrjes”, që banë kërdinë në popullsinë e pafajshme që nga Konispoli deri në Kukës dhe Kelmend….!

Nji shembull. Në nandor 1946, sollën në qelinë time të burgut, nji prift plak, Dom Ndoc Suma. I tronditun, prifti jetonte kujtimin e skenës makabre të ditës që posa kishte përjetue, dhe dënimin me 20 vjet burgim.

E përshëndeta. Ma vonë e pyeta: “Uratë pse të kanë arrestue?” Ai më shikoi me thjeshtësinë e nji fëmije, e me za që dridhej më tha; “Pasha Krishtin nuk e di pse më kanë dënue! Shokun tem (prift) e pushkatuen!” Arrestue në mëngjez, gjykue në drekë, dhe pushkatim të menjiherëshem.…pa arsye, pa faj! Sot, 71 vjet ma vonë, kujtimi i tij më mundon. Ai ashtë tashti në jetën e amshueme, por çiltërtia e tregimit të tij dhe tronditja nga ajo që kishte dëshmue atë ditë kanë qenë aq të forta sa që u ngulën për jetë në mendjen time. Ashtu si nuk mund te harroj mijëra e mijëra Dom Ndocë të tjerë…!

*****

Artikulli i dytë: “Enemy of the people- an expression with a venomous past…” nga Andrew Higgins dhe Julia Hirshfield-Davis trajton nji subjekt që “…ka tronditë jetën politike të SHBA-së”. Nji shprehje jo-amerikane u përdorue nga Presidenti Trump në cilësimin e tij të shtypit dhe mediave informative amerikane. Ai i quejti këto mjete informimi e hetimi për të vertetën si “armiq të popullit”, shprehje me konotacion shumë negativ dhe historikisht e lidhun me terrorin revolucionar të lëvizjeve të majta europiane, që nga Revolucioni francez i vitit 1789 deri në fund të diktaturës komuniste leniniste-staliniste të ish Bashkimit Sovjetik dhe “kampit të madh socialist”.

“Armiku i popullit” shkruejnë autorët, “ashtë nji shprehje toksike edhe për nji veteran komunist të egërsuem nga “lufta e klasave” në ish Bashkimin Sovjetik,” manifestimi ma elokuent i egërsisë anti-njerëzore që u institucionalizue nga rregjimet komuniste në shumë vende të botës. Ashtë fjala për Nikita S. Krushçev, personaliteti që kërkoi heqjen e shprehjes “armik i popullit” nga përdorimi, sepse “…eliminon mundësinë e çdo lloj konflikti ideologjik” (Me nji ‘armik të popullit’ nuk diskutohet; ai/ajo likuidohet  fizikisht!)

Shprehja “armik i popullit” ka hy në përdorim në mënyrë të veçantë me qellim të eliminimit fizik të individëve të këtillë” shkruejnë ata; “zakonisht, në vendet ish-komuniste ajo u zbatue kundër atyne që kundërshtuen udhëheqsin suprem, J.V.Stalin.” (Shqiptarët e njohin shumë mirë këte praktikë kriminele) Ashtë nji titull i dhanun në përgjithësi nga nji qeveri despotike, e jo nga vende demokratike, siç janë Shtetet e Bashkueme. Kur Presidenti Trump akuzon shtypin amerikan si “armik të popullit”, qindëra miljonë qytetarë amerikanë tronditen. “ A ka mundësi që nji udhëheqës politik, i zgjedhun lirisht në nji vend demokratik, të përdorë këte “titull” mbas vdekjes së Stalinit, në nji kohë kur edhe në ish-Bashkimin Sovjetik ai konsiderohet i ngarkuem me nji kuptim vdekje-prumës?” pyesin autorët.

Pa dyshim, Presidenti Trump nuk ka dijeni për origjinen e kuptimin e marrun historikisht të shprehjes “armik i popullit”, aq ma pak për evoluimin politik të saj. Shprehja “anmik i populit” spjegojnë autorët, “ ka hy në fjalorin politik për të parën herë në vitin 1789, me Revolucionin Francez. Ajo u përdorue pa dallim si slogan kundër të gjithë atyne që kundërshtuen revolucionin. Por me rritjen e rezistencës kundër terrorit të Revolucionit, shprehja mori nji kuptim frikësues, dhe nji status”legal” me adoptimin, në vitin 1794, të ligjit që krijoi Gjykatën Revolucionare” –gijotinën-“ për dënimin e anmiqve të popullit, dhe kodifikoi fajet që dënohen me vdekje. Në mes tyne “fajtorët që përhapin lajme falso e  që synojnë ndasi e hutim në popullsi”. (Shqip: agjitacion dhe propaganda). (Kushtetuta e RSP e Shqipërisë e vitit 1976 përmban ma shumë se 70 nene që parashikojnë dënimin me vdekje!)

Afërsisht 90 vjet ma vonë, në vitin 1882, botohet në Oslo, Norvegji, drama “Armiku i Popullit” nga autori Henrik Ibsen. Ashtë historia e nji mjeku idealist dhe guximtar që denoncon të keqen publikisht. Asht fjala për ujin e kontaminuem të banjave publike. Mjeku sulmohet nga autoritetet lokale dhe nga spekulatorët dhe ma në fund dënohet si anmik i populllit. Drama e Ibsen-it u ba subjekt frymëzimi për brezënitë e ardhme edhe në vendin tonë në dekadat ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem.

Ashtë me të vertetë tragjike që Revolucioni i Tetorit, 1917, transformoi këte “shprehje” në nji slogan që derdhi lumej gjaku qeniesh fisnike, të pafajshme dhe të pa mbrojtje. Jo pa arsye thuhet  se humanizmi marksist u vra pa mëshirë nga Lenini dhe Stalini….!

Vetë Lenini shkruente në gazetën Pravda se terrori ‘jakobin’ kundër anmiqve të popullit ishte “instruktiv” dhe se “duhej ringjallë me qellim pastrimi të popullit nga mbeturinat e zgjedhës së çifligarëve dhe kapitalistëve si klasë”. (Në Shqipëri, kjo formë terrori ‘jakobin’ u glorifikue me emnimin “Rruga Komuna e Parisit”, shembull   ekstrem i terrorit të kuq, në mes të Tiranës!) Akoma ma keq: ky vlerësim i Leninit u lexue si “udhëzim” për zhdukjen e klasave “reaksionare” – pronarë tokësh, tregëtarë, ‘kulakë’, intelektualë perëndimorë, e anëtarë familjesh të njohuna, me rezultate katastrofale për shoqëninë shqiptare.

Mbas vdekjes së Leninit (1924), J.V.Stalini perfeksionoi aparatin shtypës shtetnor me formacione të reja të policisë politike, sekrete dhe publike, si “armë e mpreftë e Partisë” legjone të indoktrinueme pa mend dhe pa zemër që sakrifikuen jetët e ma shumë se njizetë miljonë qytetarëve rusë dhe jo-rusë –që i shikonte si rivalë- në altarin e çmendurisë së ndertimit të “njeriut të ri” nji monster me fytyrë njeriu, i çoroditun dhe anti-njerëzor-. (Në Kinë besohet që revolucioni i Maos ka kushtue rreth 70 miljonë viktima)

Në esencë, shprehja “armik i popullit’ ishte nji cilësim që u ba sinonim me “dënimin me vdekje”. Nënkuptohet si: “ju, jeni ma pak se nji qenie njerëzore, jeni nji krymb i panevojshëm, dhe damtues i shoqënisë! Ky ishte kuptimi që i jepte secili që jetonte në nji vend komunist, ose të gjithë ata që dinin diçka mbi Bashkimin Sovjetik, “ spjegon Prof. M. Orenstein.

Sot,  nji shprehje e këtill ka humbë peshën e vet kercënuese, sepse nuk kercënon përsëri. Në Shqipëri nuk mendon kush që skuadrat e ekzekutimeve të ish Sigurimit të Shtetit kriminel do të rreshtohen përsëri me ekzekutue individë e grupe “armiq të popullit”; nga kjo pikëpamje, shprehja “armik i popullit” vetëm se sjellë kujtimet e frikës së kalueme, dhe për brezënitë e ardhme vetëm nji buzëqeshje të hidhët dhe tallëse…ashtu si në të vertetë e meriton. Prof. W. Taubman, biografi i N.S.Krushçev-it e quen shprehjen “armik i popullit” si prezenca e vazhdueshme e frikës dhe kercënimit që “….asnjeri nuk dëshiron përsëritjen….Unë nuk e kam ndigjue në Rusi, vetëm kur kemi folë për histori, ose kur jemi tallë….” thotë ai.

Prof. Nina Krushçeva, mbesa e N.S.Krushçev-it që jep mësime në nji universitet të New York-ut tregon”…gjyshi im sigurisht përdoronte slogane sovjetike, por ai nuk pranoi me ba denoncime gjithëpërfshirëse  të segmentëve të tana të popullsisë sovjetike…”

Duket qartë që Presidenti Trump nuk ka lexue as Leninin, as Stalinin, as Maon; por, formulat që fyejnë, përçmojnë, denoncojnë, vejnë vulën e keqe, krijojnë anmiq, dhe japin emna të këqij janë përherë po ato, në kohë dhe në hapësinë…!

Edhe sot! Edhe në Shqipëri! Ashtë nji paralajmërim që nuk duhet harrue! Ashtë nji praktikë që nuk duhet pranue! Sepse, rrjedhimet e kësaj “shprehje” i kemi përjetue tragjikisht edhe në vendin tonë të shumëvuejtun!

Filed Under: Opinion Tagged With: – SI HISTORI, ARMIK I POPULLIT, DHE PARALAJMERIM, Sami repishti, SHPREHJA

U VRANË NË NJË DITË: NJERI SHPALLET DËSHMOR, TJETRI ARMIK I POPULLIT

January 15, 2015 by dgreca

*Për ata që mohuan dhe harruan/
*Një shembull tipik i falsifikimit të historisë/
Nga Enver Lepenica/
Dy vëllezër, Fejzi Hysen Micolli (1919-1945), dhe Hydajet Hysen Micolli (1921-1943), kishin lindër në një familje të varfër, patriotike të Bolenës së Vlorës dhe u edukuan me ndjenja atdhetare. Të dy vëllezërit, u ikaudruan në çetën ”Plakë” të Vlorës që me krijimin e sajë më 4 dhjetor 1942 dhe morën pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi çeta. Të dy vëllezërit, kishin një adhurim, për komandantin e çetës trimin sypatrembur Neki Ymerin dhe komisarin e sajë atë gjuhë bilbilin dhe trimin Qazim Çakërrin.
Në fillim të vitit 1943, të dy vëllezërit u pranuan në radhët e Partisë Komuniste. Me zhvillimet e më vonëshme të luftës Fejziu, që njihej me psudonimin “Vullneti”, u inkaudrua në radhët e Brigadës së Parë që me krijimin e sajë më 15 gusht 1943, ndërsa pas trasferimit të Qazim Çakërrit në një zonë tjetër, vëllai tij Xhemil Çakërri u emërua komisar i çetës dhe Hydajet Micolli nënkomandant i çetës.
Të dy vëllezërit Micolli, Fejziu dhe Hydajeti, ishin djem të thjeshtë, trima dhe besnikë të udhëheqësit tyre komunist Sadik Premtes.
***
Në pranverën e vitit 1943, në krahinën e Vlorës lindi ngjarja që në histori ka hyrë me emërtimin: Fraksioni i Vlorës. Kontraditat ndërmjet shumicës së komunistëve të Vlorës erdhën sepse: Udhëheqësit e Grupit Komunist të “Të Rinjëve”, Anastas Lula dhe Sadik Premtaj që në themelimin e Partisë Komuniste kishin ngritur çështjen e Kosovës, fakt që e provon Prof. Kristo Frashëri, dhe që nuk mund ta pranonin dy serbo-malazest Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.
Nga ana tjetër Hysni Kapua dhe pasuesit e tij pa shkollë, në Vlorë, e ndienin inferioritetin, nga Sadik Premtaj dhe pasuesit e tij, kështu që kishte lindur vetvetiu cmira dhe zilija primitive ndaj tyre.
Së fundi është fakti se kishin dallime per shtresat shoqërore, Sadik Premtja dhe pasuesit e tij nuk nxirrnin në plan të parë luftën e klasave.
Këto kontradita sollën armiqësinë e grupeve dhe në qershor të vitit 1942, Anastas Lula dhe Sadik Premtaj u përjashtuan nga partia. Anastas Lula u dërgua partizan i thjeshtë në Skrapar, nën mbikqyrjen e Ramis Aranitasit, kurse Sadik Premtaj u dërgua në Vlorë, nën mbikqyrjen e shokut Hysni Kapo, që sipas Enver Hoxhës të shlyenin “gabimet e tyre”.
Në Konferencën e Pare të Partise Komuniste Shqiptare, më 17 mars 1943, që u mbajt në Labinot, u vendos që të bëhej luftë e vendosur për shkatërrimin e fraksionit të Anastas Lulës dhe Sadik Premtes. Pra ishte vendosur de fakto pushkatimi i Anastas Lulës dhe Sadik Premtes. (‘“Dokumente kryesore të PPSH”, Vëllimi i Parë, Tiranë, 1971, f. 118) “Konferenca kishte dhënë porosinë që, Sadik Premtja, për shkak të veprimtarisë së tij përçarëse e fraksioniste të demaskohej, të arrestohej e të dënohej si tradhëtar”
( “Historia e Luftës Antifashiste…” Vëll. 2, Tiranë 1986, f. 174-175)
Fakt që e pranon edhe komunisti Hysni Kapo kur thotë se në Labinot Miladini dhe Dushani ngarkuan Mehmetin për të vrarë Xhepin, Sadik Premten.
Për të ekzekutuar vendimin me vdekje të Sadik Premtes u ngarkuan Mehmet Shehut dhe Hysni Kapo, që hartuan këtë plan kriminal: Hysni Kapua duhet të arrestonte, në Tragjas, Pali Terovën, përgjegjësin e Partisë për krahinën e Dukatit dhe ta detyronte atë ti shkruante Sadik Premtes që të vinte në takim në malin e Tragjasit, dhe kështu do të ekzekutoheshin të dy. Mehmet Shehu do ti kërkonte Neki Ymerit, komandantit të çetës “Plakë”, të shkonte më gjithë çetë në Mallakastër dhe atje do ta arrestonte, atë, bashk me Xhemil Çakërrin, komisarin e çetës.
Sadik Premtja sapo mori letrën e Pali Terovës u nis nga Gjormi për në vendin e takimit në mal të Tragjasit. Nga Tragjasi u nis Abas Fejzua, besnik i Sadikut, më pas gjeneral dhe që vdiq në burgun e Burrelit. Ai takoi në rrugë Sadik Premten dhe i tha: “Ktheu se je në pritë. Pali është arrestuar” Kështu, Sadiku arriti t`i shpëtoi edhe kësaj prite të pa besë të Hysni Kapos. Pali Terovën e donte, e besonte dhe repsektonte gjith krahina e Dukatit, prandaj u ngritën në protestë kundër Hysni Kapos dhe e shpëtuan atë. Nga ana e tij, Memet Shehu më 7 maj 1943, me anën e një letre i kërkonte Neki Ymerit të nisej urgjent në Mallakastër, sepse pritej operacioni fashist. Sadik Premtaj i kërkoi Nekiut të mos shkonte, sepse do ta vrisnin, por ai nuk u bind dhe u nis. Në Mallakastër arritën më 8 maj 1943, në shtëpinë e Bilbil Klosit. Atje, pabesisht komandanti i çetës “Plakë”, patrioti dhe trimi sypatrembur, Neki Ymeri dhe patrioti dhe trimi tjetër komisari çetës Xhemil Çakërri u arrestuan, sekret, nga një njësit që kryesohej nga Idris Seiti dhe Vllas Arapi, besnikë të Mehmet Shehut.
Më 9 maj 1943, ndërsa këta mbaheshin të arrestuar në mullirin e Kutës në Mallakastër, Hydajet Micolli, sapo mori vesh këtë fakt tronditës, duke u qëndruar besnik shokëve të tij, pa pyetur për rrezikun, me disa luftëtarë të çetës, sulmoi mullirin për të liruar komandantin dhe komisarin.
Kështu që filloi përpjekja me armë ndërmjet Njësitit prej katër vetave që mbante të lidhur
Neki Imerin dhe Xhemil Çakërrin dhe një pjesë të çetës “Plakë”, të kryesuar tashmë nga Hydajet Micolli.
Në këto rrethana të vështira Njësiti në zbatim të urdhërit të prerë të Mehmet Shehut, që arrestimi Neki Imerit dhe Xhemil Çakërrit nuk duhej të merrej vesh nga askush dhe nuk duhet të binin të gjallë në dorën e askujt, Njësitu vrau brenda mullirit Xhemil Çakërrin dhe jashtë tek dera e mullirit Hydajet Micollin, i cili kishte sulmuar me trimëri derën e mullirit dhe ishte gati të hynte brenda për të shpëtuar shokët e tij.
Kjo vrasje solli pasoja të rënda për zhvillimin e luftës në Qarkun e Vlorës dhe më gjerë, pasi përçau populin, përçarje që vazhdoi deri sa u përmbys sistemi diktatoril komunist.

Pas 37 vjetëve, Hydajet Micolli, shpallet dëshmor i Atdheut, ndërsa Xhemil Çakërri, “armik i popullit”
Në janar të vitit 1945, Fejziu Micolli, u bë komandant batalioni në Brigadën e Parë. Batalioni tij ndërsa sulmonte forcat civile antikomuniste të Preng Calit në malet e Kelmendit, u vra në rrethana të pa sqaruara, tek ura e Tamarës, më 15 janar të vitit 1945 dhe u shpall dëshmor dhe Hero i Popullit.
Të dy luftëtarët komunist, Hydajet Micolli, vëllai i Fejziut dhe Xhemil Çakërri, u shpallën armiq të Partisë dhe të popullit, si fraksionist, kontributi tyre në luftë u harrua nga shokët e tyre dhe nuk u zu më në gojë.
Pas 37 vjetëve, falë miqve dhe dashamirësve, Hydajeti, me vendim të Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Rrethit të Vlorës nr.118, datë 7.7.1980, u shpall dëshmor i Atdheut.
Për turpin e komunistëve vlonjatë, për ta shpallur dëshmor ata e raportuan këtë vrasje të pa besë, nga vetë ata, se gjoja ai ishte vrarë nga reaksioni i Xhepit!
(Dervish Mejdani ”Dëshmorët … e Vlorës”, Geer, Tiranë 2002, f. 21, 340)
Ndërsa Hydajeti u shpall dëshmor, vetëm pas 37 vjetëve, shoku i tij, Xhemil Çakërri mbeti armik i Partisë dhe i Popullit!!!, sjellje tipike e falsifikimit të historisë nga komunistët vlonjatë.

Barbaria dhe egërsia e komunistëve vlonjatë mbi familjen patriotike Çakërri
Nuk mjaftoi vetëm kjo, por familja e vëllezërve Çakërri, Qazimit dhe Xhemilit, komunistët, mbajtën një qëndrim, armiqësor, të egër, çnjerzor, me atentate për të vrarë Qazimin, me vuajtje dhe persekucion barbar dhe të pa meritur, pikërisht nga shokët e tyre komunistë, të urdhëruar nga Hysni Kapua.
Familja e këtyre djemëve trima dhe patriotë nën drejtimin e babait tyre patriot Azem Murat Çakërrit, nga Tragjasi, është e sakrifikuar për lirinë e vendit të tyre, ndofta si pak familje të tjera në Vlorë.
E gjith kjo familje u lidh që në fillim me Lëvizjen Antifashiste.
Të dy vëllezërit Qazimi dhe Xhemili kishën mbaruar tregëtaren e Vlorës. Qazimi kishte bërë edhe dy vjet shkollë ushtarake.
Motra e madhe Salia u martua me Yzeir Alimerkon, që kishte marrë doktoraturë në Itali për arkeologji. Yzeiri që në fillim u ndodh në vijën e parë të luftës për liri në radhët e Ballit Kombëtar, për këtë aktivitet atdhetar ai u pushkatua nga gjermanët.
Në vitin 1942, motra tjetër Sulltana si antifashiste e luftëtare, u arrestua dhe u burgos nga fashistët
Qazimi, Xhemili dhe Sulltana u inkuadruan në çetën “Plakë” të Vlorës, që me krijimin e sajë më 4 dhjetor 1942. Qazimi, i njohur me pseudonimin Difi, u zgjodh komisar i çetës, dhe pas trasferimit të tij, komisar u zgjodh vëllai tij Xhemil Çakërri, i njohur me psudonimin Milo.
Sulltana ishte zgjedhur përgjegjëse e gruas për Qarkorin e Vlorës. Të tre Qazimi, Xhemili dhe Sulltana ish anëtarë të Grupit Komunist të “Të Rinjëve”, u bindën se vija politike që ndiqte Qarkori i Vlorës me Dushan Mugoshën, Liri Gegën dhe Hysni Kapon nuk ishte e drejtë, ishte terroriste dhe e kundërshtuan atë në krah të Sadik Premtes.
Xhemili u vra nga komunistët, në Kut të Mallakstrës, Yzeir Alimerko u pushkatua nga Gjermanët, në Bubullimë të Lushnjës, Sulltana me Qazimin ndiqeshin këmba këmbës, për t`u vrarë, nga shokët e tyre komunist.
Pas vrasjes së Xhemil Çakërrit, Hysni Kapua urdhëroi Fejzo Gjomemën nga Tragjasi, të ngarkonte njerës për të vrarë Qazim Çakërrin, vëllan e Xhemilit. Fejzua, ishte anëtar i Grupit Komunist të ”Të Rinjëve”… mendonte se vrasja e Qazim Çakërrit do të sillte trazira, brenda dhe jashtë fshatit të tyre, Tragjasit. Fejzua nuk e bëri vrasjen, prandaj atë e vranë tradhëtisht pas shpine, me dorën kriminale të L. B. më 15 shtator 1943, pasi kishte përfunduar Lufta e Drashovicës. ( Shih për më shumë ”Neki Hamiti ”Kujtime”, Triptik, Vlorë 2006, f. 68)
Qazim Çakërrit iu bënë pesë atentate, vetëm në atentatin e pestë në Tiranë komunistët arritën ta plagosin. Nako Spiro i shkruan Enver Hoxhës, me hidhërim: “Dhe një gjë që duhesh në fillim, por ishja duke shkruar, kur mora vesh se Qazim Çakërri u plagos rëndë. Kishte 4-5 ditë që e ruanim. Mbas dite afër shtëpisë tënde, në rrugë, mundet te shkolla kur qe me tre vetë tue shkue e qëlluan, por çe do që s`ka vdekur ala”. (AQSH, F. 14, Data e dokumentit 14.10.1943, D. 26/1, Lista ¼)
Qazimi, ky trim dhe patriot, shpëtoi nga plumbat e shokëve të tij komunist dhe u arratis së bashku me të motrën Sulltanën, në Amerikë ku edhe e mbylli jetën e tij, larg Atdheut për të cilin kishte luftuar dhe sakrifikuar aq shumë. Shtëpinë e tyre në Skelë të Vlorës e dogjën fashistët italianë, kështu që familja u detyrua të trafserohej në vendlindje, në Tragjas, por edhe atje fashistët ua bënë shkrumb e hi shtëpinë. Në çlirimin e vendit, Azemit dhe Qeribasë, prindërve të luftëtarëve të lirisë, nuk u mbeti gjë tjetër, veç hirit të shtëpive të djegura.
Ata, në moshën e pleqërisë, të helmuar nga vrasja e djalit dhe e dhëndërrit, si dhe nga djali tjetër dhe vajza të arratisur u kthyen në Vlorë, në një gjendje të mjeruar, pa bukë, pa shtëpi, të persekutuar dhe të përbuzuar, u detyruan të strehohen në bodrumet plot lagështi të një shtëpie të vjetër. Në këto kushte Azemi u bë turbekuloz, por atë babanë e luftëtarëve të lirisë, nuk pranuan ta shtronin as në spital sepse i thoshin: je babai i armiqve të popullit!?
Ai dhe e shoqia vdiqën të harruar, në mjerim të plotë. Varret e Azemit dhe të Qeribasë, varri Yzeir Alimerkos, varri Xhemil Çakërrit humbën përgjithmonë.
Shembulli kësaj familje patriote, tregon një shembull tipik të falsifikimit të historisë dhe njëkohësisht fytyrën çnjerzore të komunistëve të Vlorës.
Një padrejtësi që pret të koregjohet.

Filed Under: Histori Tagged With: ARMIK I POPULLIT, Enver Lepenica, SHPALLET DËSHMOR, TJETRI, U VRANË NË NJË DITË: NJERI

Artikujt e fundit

  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË
  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT