• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Memorandumi i intelektualëve shqiptar mbi gjendjen në IRJM

April 19, 2018 by dgreca

1 arsimNisur nga kriza e thellë, e tejzgjatur politike, ekonomike, sociale, kulturore e shqiptarëve në IRJM, humbja e besimit dhe indinjata e shqiptarëve ndaj përfaqësueseve të zgjedhur në pushtet, të cilët të zhytur në korrupsion, kriminalitet, të kapur nga pala sllavomaqedonase, pjesëmarrjen në pushtetin e IRJM e shfrytëzojnë për mbulimin e korrupsionit dhe kriminanlitetit të tyre;
Nisur nga shkelja,nëpërkëmbja e vazhdueshme e të drejtave kolektive të shqiptarëve në IRJM në të gjitha fushat;
Nisur nga përjashtimi i shqiptarëve nga çdo vendimmarrje për çështje të rëndësishme për të ardhmen e IRJM siç janë aktualisht dhe bisedimet për emrin,
Ne, një grup i intelektualëve shqiptarë  e shohim si të domosdoshëm artikulimin e shqetësimeve tona nëpërmjet këtij:

M E M O R A N D U M I*

Pika 1-

E konsiderojmë si të domosdoshme ndryshimin e Kushtetutës, rregullimit shtetëror unitar të IRJM, pasi vjen në kundërshtim me realitetin multietnik të vendit dhe ndeshet me normat ndërkombëtare për shtetet multietnike, duke  e konsideruar kushtetutën ekzistuese si jo detyruese dhe jo obliguese për shqiptarët për vetë faktin se përcakton IRJM si “shtet kombëtar i sllavomaqedonasve“ ku jetojnë edhe bashkësitë e tjera etnike, në mesin e të cilëve janë dhe shqiptarët. E konsiderojmë si të pavlerë çdo lloj Referendumi të mundshëm të organizuar në kushtet e  rregullimit shtetëror unitar të IRJM. Ne, angazhohemi për një referendum ku shqiptarët do të jenë vendimmarrës. E konsiderojmë ndryshimin e kushtetutës dhe rregullimit shtetëror nga ai unitar në federativ apo konfederativ si të vetmen garanci për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve si: përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, i simboleve kombëtare, ndarja e drejtë e buxhetit, arsimi i mirëfilltë, jetë kulturore të denjë,  shtrirja e administratës në shërbim të çdo qytetari shqiptar. E denoncojmë si të pavlerë, abuzues, të rrezikshëm çdo lloj integrimi të shqiptarëve në pushtet pa u bërë ndryshimet e sipërpërmendura.
Pika 2-

E konsiderojmë të domosdoshëm ndryshimin e emrit të IRJM dhe ndërprerjen e çdo lloj keqpërdorimi të mëtutjeshëm nga cilido popull apo shtet të emërtimit “Maqedoni” dhe maqedonasve antikë. Shqiptarët do të kontestojnë çdo lloj zgjidhje për emrin e ri të IRJM pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë dhe transparente të faktorit shqiptar, zgjidhje që nuk do ta pasqyronte realitetin etnik dhe historik të këtij territori. Gjykojmë se injorimi i të drejtave të shqiptarëve për të marrë pjesë në zgjidhjen e çështjes së emrit është shkelje flagrante e të drejtave të shqiptarëve. Çdo propozimi për emrin nga ana e përfaqësuesve shqiptarë në pushtet duhet t’i paraprijë një diskutimi publik. Çfarëdo emri që miratohet, ai, duhet të përkthehet në  gjuhën dhe alfabetin shqip. Konsiderojmë se emri i vendit nuk duhet të ketë shtojca: gjeografike dhe sllave. Emri i ardhshëm i IRJM të mos identifikohet me emrin e një etnie. Identiteti etnocentrik i shtetit për shqiptarët ka karakter okupues. Të mos barazohet identiteti shtetëror me identitetin kombëtar të sllavomaqedonasve. Shqiptarëve nuk u pengon identiteti i sllavomaqeonasve, por i pengon identifikimi i emrit të shtetit me emrin e etnisë.

Pika3

Theksojmë domosdoshmërinë e integrimin e shqiptarëve si komb si prioritar, para çdo lloj integrimi tjetër, përfshirë dhe atë të integrimit në BE. Askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë shqiptarëve të drejtën për integrimin e tyre si komb, duke u imponuar integrime të tjera si zëvendësim për këtë, përfshirë këtu edhe BE. Vetë BE është një bashkim i vullnetshëm i shteteve kombe, nga e cila këto shtete kombe mund të largohen kur të duan, gjë që tregon se BE nuk është garanci për integrimin e shqiptarëve dhe eliminimin e kufijve mes tyre. Asgjë nuk justifikon copëzimin kulturor, arsimor, ekonomik të kombit, gjë që krijon vakuum i cili me lehtësi plotësohet nga ndikime të huaja, të rrezikshme për identitetin e shqiptarëve në IRJM.

Pika 4

Refuzojmë fuqimisht që interesi i shqiptarëve të mbetet peng i paqes dhe stabilitetit të rajonit. Të qenit faktor i rëndësishëm për rajonin duhet përkthyer në mundësi për avancim në pozitat negociuese, e jo si dobësi.
Pika 5

Përcaktimi i interesave të shqiptarëve, vendosja e objektivave, thurja e strategjive nuk mund të jetë ekskluzivitet i një njeriu ose i një grushti politikanësh të zgjedhur një herë në katër vite, në rrethana të diskutueshme. Ky proces duhet të jetë transparent dhe nxjerr në pah rolin e pazëvendësueshëm të grupimeve jopolitike, shoqërisë civile, diasporës, ekspertëve etj. Prandaj inkurajojmë përfshirjen dhe angazhimin e tyre në proceset aktuale politike, të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve në IRJM e më gjerë.
Pika 6

Denoncojmë fuqishëm dhe njëkohësisht i bëjmë thirrje kryeministrit sllavomaqedon që të ndërpresë menjëherë keqpërdorimin e dosjeve kriminale për eksponentët e klasës politike shqiptare të përfshirë në afera korrupsioni dhe kriminaliteti,  të cilat i shfrytëzon aktualisht për të kontrolluar forcat politike që përfaqësojnë shqiptarët, dhe ato t’i publikojë para opinionit dhe t’ia dorëzojë sistemit të drejtësisë. Vazhdimi i korrupsionit, kriminalitetit, vrasjeve jo vetëm se nxjerrin në dritën e vërtetë klasën politike shqiptare në pushtet dhe jashtë tij, por edhe qasjen dhe qëllimet reale ndaj shqiptarëve të vetë kryeministri sllavomaqedon.
Pika 7

Për ndjesinë ndaj gjuhës së tyre që kanë kombet europiane mjafton të sjellim këtë fakt relevant: Konfederata zvicerane në aspektin e politikave linguistike është një “aparat i çuditshëm: shtatë milionë ba¬no¬rë flasin 4 gjuhë të ndryshme, me status të barabartë zyrtar: gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe retoromanisht. Madje, dhe për emërtimin e vendit përdoret latinishtja Confoederatio Helvetica, në mënyrë që t’i iket favorizimit të njërës prej katër gjuhëve zyrtare të Zvicrës. Nga kjo zgjidhje linguistike, Zvicra e vogël asgjë nuk humbet ngaqë nuk ka një gjuhë zyrtare të vetme. E, nga ana tjetër, në Maqedoninë po ashtu të vogël, me 2.2 milionë banorë, ku së paku 1/3 e popullatës janë shqiptarë, ka një ligj vetëm për përdorimin e gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit, por nuk ka një ligj që edhe gjuhës shqipe t’i krijonte një status të tillë të barabartë.
Me këtë Memorandum, ne grupi i intelektualëve shqiptarë, shprehim vendosmërinë tonë për të insistuar në denoncimin në vazhdimësi të çdo lloj politike në dëm të shqiptarëve si dhe kërkesën e llogarisë nga përgjegjësit për këtë politikë. Njëkohësisht shprehim gatishmërinë tonë për angazhimin e pakursyer me të gjitha burimet njerëzore dhe intelektuale për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare në IRJM.

  • E dergio per Diellin Arsim Sinani. Per ta firmosur Peticionin shkoni ne facebook Arsm Sinani- Faqe Zyrtare

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsim Sinani, Gjendja ne IRJM, Memorandumi i intelektualeve Shqiptare

BALLKANI I TRAZUAR DHE SHQIPTARËT

May 6, 2017 by dgreca

1 arsim-sinaniShkruan: Arsim SINANI, Tetovë/

Zgjedhjet presidenciale në SHBA sollën ndryshim në qeverisjen e deritanishme në vendin me më së shumti ndikim në botë. Ardhja e Trump-it ishte befasia e radhës, që demokracia amerikane po e përjeton. Bota e priti me skepticizëm ardhjen e Trump-it si president i ri i Amerikës, por në esencë demokracia dhe institucionet amerikane treguan edhe njëherë se sa i fortë është sistemi amerikan i qeverisjes. Në të vërtetë, ardhja e Trump-it dëshmoi se do të kemi përforcim të pozicioneve amerikane edhe për një arsye më shumë, pasi që u shikua me shumë dyshim ardhja e tij si president i vendit. Ndërkaq institucionet, si Senati, Kongresi e shërbimet inteligjente, dëshmuan një lidership të fuqishëm, duke treguar se mbi të gjitha Amerika do t’i ruajë vlerat e saja demokratike. Disa skeptikë, në mesin e të cilëve hyjnë rusët, sllavët dhe aleatët e tyre tradicionalë, menduan se do ta shfrytëzojnë tranzicionin e administratës amerikane dhe deshën t’i bëjnë një spin e befasi administratës së re amerikane, duke menduar se Amerika do ta ndryshojë kursin e saj në raport me ta. Në të vërtetë, deri më tani Trump-i tregoi se vendi i tij do të vazhdojë të jetë lider edhe në raport me ne dhe Ballkanin. Vizitat e fundit, që i kishin liderët e Ballkanit në Lutjet e mëngjesit në Uashington, nxorën në pah se pozicioni amerikan mbetet i palëkundur. Në fakt, Trump-i po i mban në stres të madh rusët dhe aleatët e tyre, pasi që me veprimet e fundit në Siri u tregoi se çfarë d.m.th. lidershipi amerikan. Një ditë më parë presidenti amerikan Trump ia dha dorën homologut të tij kinez, ndërsa të nesërmen – pas atyre skenave të dhimbshme në Siri – administrata e re, me sulmet ajrore, i dha një goditje të fortë Asadit. Realisht, goditja ishte edhe për politikën dhe lojërat ruse, që pësuan një të çarë të madhe, pasi që nuk e dinë se si do vazhdojë më tutje Trump-i i paparashikueshëm, por mjaft i vendosur. Realisht, goditja në Siri ishte një sinjal i një fitoreje morale të Trump-it përballë Putinit dhe politikës meskine ruse.

Po ndalem edhe pak në ndikimin rus në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor. Europa, realisht, do të ketë vështirësi në zgjedhjet që do mbahen, pasi që Rusia do të insistojë që të influencojë me instrumentet e veta për të ndihmuar liderë që i konvenojnë asaj që të vijë në shprehje. E kam thënë edhe në një intervistë timen më parë se Europa lipset të jetë e vëmendshme, pasi që Rusisë i duhet një lidership i dobët dhe konflktuoz, që t’i realizojë synimet e saj dhe për ta bërë diversionin e duhur brenda BE-së nëpërmjet lidhjeve tradicionale nga e kaluara dhe nga ish aleatët që sot janë brenda në BE e që kanë dhënë shenja se mund t’i bien thikë pas shpine Europës. Franca është në një sfidë të këtillë, si edhe Gjermania dhe atje dhe gjetkë është jetike që të fitojnë forcat demokratike që e mbajnë anijen e Europës në ujëra të qeta dhe të sigurta, sepse kjo e paqton botën dhe ia heq ëndrrat ekspansioniste Rusisë cariste të Putinit.

 Rusia luajti me Serbinë me trenin e Vuçiqit

 Në raport me Ballkanin perëndimor Rusia luajti një lojë interesante me trenin e Vuçiqit, e cila me bekimin e Patrikanës ruse dhe mentorit ideologjik, Vlladimir Putin, e bekuan në detyrën e e presidentit serb. Në fakt, Vuçiqi luan në kartën e të moderuarit me Europën, ndërsa luan edhe me ndjenjat ruse, duke dashur ta shfrytëzojë këtë që është tipike për politikën ruse. Serbia edhe dje, edhe sot, edhe nesër, pa e pastruar terrenin e saj me të kaluarën dhe me krimet që i ka bërë në ish Jugosllavi, që filluan në Bosnjë dhe përfunduan në Kosovë, nuk është aleat i besueshëm për Perëndimin. Por, ajo që lipset të kuptohet është se Perëndimi do të jetë më mirë të investojë në shtete dhe forca të cilat gjenetikisht janë me të sesa të investojë në një Serbi e cila nuk është çliruar nga makthi i saj dhe sheh ëndrra me sy hapur. Vuçiqi, realisht, e ka shfrytëzuar me elegancë Europën dhe fondet i merr me shumë kujdes, që – për mendimin tim – është një gabim strategjik, sepse me paratë e Europës ai po e ndërton imazhin e tij si një car serb i rajonit. Europa është mirë ta kuptojë se Serbia asnjëherë nuk heq dorë nga Rusia për një të ardhme evropiane. këtë e ka dëshmuar në kontinuitet, qoftë haptazi ose fshehurazi.

Trekëndëshi Tiranë-Shkup-Prishtinë ta forcojë demokracinë

Por, le t’u kthehemi pak shqiptarëve në këto konstelacione në raport me Perëndimin (BE) dhe SHBA-të. Shqiptarët, tradicionalisht, e kanë ruajtur pozicionin e tyre në brigjet e Detit Adriatik dhe Jon, si edhe idenë e europianzmit, por deri më sot jo se e kanë marrë atë që e kanë dashur dhe nuk e kanë realizuar synimin e tyre – anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian. Kjo edhe për faktin se brenda BE-së ka shtete që në vazhdimësi e kanë penguar aderimin e Shqipërisë. Në një matje që e kam bërë për nevojat e mia me studentët në auditorë në Kosovë dhe Shqipëri, mbetet i lartë admirimi i të rinjve që të jenë pjesë e Europës, por nuk kemi pasur një ndjenjë të njëjtë kthyese nga BE-ja. Por, strategjikisht, BE-ja lipset ta ndryshojë kursin e saj dhe, në aleancat që po bëhen nëpër botë, do të ishte mirë që shqiptarët t’i mbajë afër vetes, për shkak se në raport me sllavët vetëm shqiptarët mund ta balancojnë dhe ta mbajnë Ballkanin të qetë dhe pa konflikte. Por, pa një Shqipëri të fortë dhe një Kosovë e cila do të hapëronte drejt Perëndimit, do të jetë vështirë që të vendoset një paqe e qëndrueshme në Ballkanin perëndimor, sepse Serbia në trajektoren nga Republika Sërbska, Mitrovica, FYROM e deri në Luginën e Preshevës, e përdor shpesh efektin domino për ta mbajtur situatën të tendosur dhe konfliktuoze. Edhe në rastin e FYROM-it shqiptarët me këmbëngulje e kanë mbajtur kursin e tyre pro Perëndimit. Edhe me rastin e Malit të Zi shqiptarët i ndihmuan malazezët që të shpëtojnë nga tutela serbe, që flet më së miri se shqiptarët kanë treguar dashamirësi me Perëndimin. Por, kjo lipset të kuptohet nga Perëndimi dhe aleanca me shqiptarët të forcohet me projekte dhe investime kapitale. Shpresoj që kjo mos të kuptohet si romantike, por si një vlerë që shqiptarët e ndjejnë se janë europianë të regjur. Por, edhe lidershipi shqiptar ka nevojë, si ai në pozitë ashtu edhe ai në opozitë – në linjën Tiranë-Shkup-Prishtinë, që ta forcojë demokracinë, t’i forcojë institucionet, ta luftojë korrupsionin, të jetë i vëmendshëm për rolin e tyre në këtë proces gjeostragjik për veten dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ata duhet t’i lënë inatet në shtëpi dhe të luftojnë fuqishëm në institucione që ta zhvillojnë mirëqenien dhe të ardhmen e qytetarëve.

Pozicionim i qartë i shqiptarëve në linjën SHBA-BE-Turqi bashkë me Britaninë

 Në planin global po rikonfigurohen forcat dhe kjo është më se e qartë, pasi që kemi një Gjermani të fortë, një Turqi të fortë, një Amerikë që po rikthehet dhe një Rusi, që po ashtu po e shtrin influencën e saj. Rikompozimi i Ballkanit perëndimor varet nga këta faktorë se si ata e duan Ballkanin dhe si do t’i shtrijnë influencat e tyre dhe çka  duan në lojërat e mëdha gjeopolitike. Por, roli I shqiptarëve në këtë rikompozim do jetë i qartë në linjën: SHBA-BE-Turqi bashkë me Britaninë e Madhe si faktorë te të cilët shqiptarët i shohin aleatët e tyre në politikën e madhe dhe, në këtë vijë, shqiptarët pikësëpari do të luajnë duke i përforcuar pozicionet e tyre. Edhe në aspektin rajonal shqiptarët mbeten qartë me idenë e europianizimit të Ballkanit, por me një faktor shqiptar në të, duke e ruajtur miqësinë me sllovenët, kroatët, bullgarët, malazezët dhe boshnjakët.

Se sa do kuptohen shqiptarët në rajon, kjo mbetet të shihet. Dëshira e shqiptarëve mbetet e njëjtë – ne jemi në anije me aleatët tanë, të cilët nuk është keq të investojnë më shumë në demokracinë dhe në zhvillim tonë, sepse as dje, as nesër, ne nuk ndryshojmë qëndrime dhe mbetemi këmbëngulës në pozicionet tona me Perëndimin, si në brigjet e detit Adriatik e detit Jon. Ballkanin e trazuar e qetësojnë vetëm detarët e mirë, që dinë të lundrojnë mirë në ujërat e deteve, dhe që dinë t’i ndalojnë stuhitë që vijnë nga popuj grabitqarë

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsim Sinani, Ballkani, I TRAZUAR DHE SHQIPTARËT

Arsim Sinani: Gruevski e humbi shansin për të bërë diçka për shqiptarët

December 9, 2016 by dgreca

Diplomaticus/ Arsim Sinani: Gruevski e humbi shansin për të bërë diçka për shqiptarët. Problemi, jo vetëm te maqedonasit./1-arsim-sinani

Mendimi politik Maqedonas e shikon si pengesë gjuhën shqipe. Ka një problem për ta njohur gjuhën shqipe. Gruevski e humbi shansin e mirë për të korrigjuar veten duke qenë se njihet si një ultranacionalist. Duhet ta kishte pranuar gjuhën shqipe, ashtu siç ka pranuar të qeverisë me Ali Ahmetin deri tani deklaron analisti shqiptar nga Maqedonia Arsim Sinani gjatë një interviste për emisionin Diplomaticus. Sipas Sinanit, problemi nuk qëndron vetëm te Maqedonasit, por edhe te Shqiptarët.  “Establishmenti politik shqiptar nuk ka qene i interesuar për ta zgjidhur të gjithë problemin e gjuhës shqipe. Problemi i shqiptarëve është se akomodohen lehtë në pushtet dhe i harrojnë premtimet elektorale. Uroj që të mos e harrojnë këtë premtim elektoral sepse është një nismë e mirë që Maqedonia të ndryshojë”. Sipas Sinanit të gjitha partite shqiptare, si ajo BDI që është në pushtet, apo edhe ajo që rri në hije në pushtet siç është PDSH nuk kanë qenë të interesuar. “Opozita shqiptare e ka hapur këtë si problematikë, por Zaevi kapi një moment të mirë. Kapi një moment të një krize, që përmes shqiptarëve ai të vijë në pushtet. Unë e përgezoj nëse ai do të arrijë që gjuhën shqipe ta bëjë gjuhë zyrtare ndërsa mendoj se Gruevski humbi një shans të madh që të bëjë diçka për shqiptarët. Ne mendojmë se Gruevski nuk ka bërë gjë për shqiptarët. Ai ka qenë pengesë për zhvillimin e Shqiptarëve dhe pengesë edhe për partitë me të cilat ka bashkëpunuar. Megjithatë nuk mundet një Maqedoni e cila pretendon që të jetë Europiane të mos ua njohë gjuhën një populli që shkon deri në 40 përqind. Mendoj se politikanet shqiptarë do të duhet të jenë të vëmendshëm dhe një nga kushtet që duhet t’ia vendosin maqedonasve në qeverisjen e ardhshme është që padiskutim gjuha shqipe në të gjitha nivelet të bëhet gjuhë zyrtare.

Sipas analistit Sinani deklarata e liderit të opozites maqedonase për zyrtarizmin e gjuhës shqipe në të gjithë vendin është  interesante deri në momentin që nuk do të behet si Gruevski nëse vjen në pushtet. “Pas këtyre zgjedhjeve, faktori politik shqiptar në Maqedoni do të dalë më i fortë nga këto zgjedhje. Ne kemi nevojë për një opozitë shqiptare  të konsoliduar në Maqedoni. Deri më sot PDSH nuk e ka luajtur rolin e opozitës dhe kjo ka qenë pengesë. Mendoj se pas këtyre zgjedhjeve do të kemi një konsolidim të votës së pakënaqur shqiptare” deklaroi analisti Arsim Sinani për gazetarin Erion Kaçorri në News 24.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arsim Sinani, e humbi shansin, Gruevski, per shqiptaret, për të bërë diçka

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT