• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Demokracia, në mungesë të liberalizmit, nuk është veçse tirani

December 14, 2023 by s p

Artan Nati/

Diplomati amerikan Richard Holbrooke kishte një shqetësim në prag të zgjedhjeve të shtatorit 1996 në Bosnje, të cilat kishin për qëllim të rivendosnin jetën civile dhe demokracinë në atë vend të shkatërruar. “Supozoni se zgjedhjet u shpallën të lira dhe të ndershme, dhe të zgjedhurit janë racistë, fashistë, separatistë, të cilët janë publikisht kundër paqes dhe riintegrimit.” Kjo ishte dilema që shqetësonte diplomatin amerikan.” Në të vërtetë, jo vetëm në ish-Jugosllavi, por gjithnjë e më shumë në mbarë botën. Regjimet e zgjedhura në mënyrë demokratike, shpesh ato që janë rizgjedhur ose riafirmuar përmes referendumeve, po injorojnë në mënyrë rutinore kufizimet kushtetuese për pushtetin e tyre dhe po privojnë qytetarët e tyre nga të drejtat dhe liritë themelore. Shembulli më tipik është vendi ynë, ku pas vitit 91, zgjedhjet kanë qenë deri diku të rregullta ose të aprovuara nga komuniteti ndërkombëtar, por pas kësaj fituesit kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë drejtuar vendin në mënyrë autokratike.

Të gjithë e duan demokracinë. Pyete një amerikan nëse ka një formë më të mirë qeverisjeje dhe ata do të fyhen. Po kështu do të ndodhi me një qytetar që i përket civilizimit perëndimor. Edhe ne në Shqipëri besojmë në demokraci ose më saktë besonim në fillimet e saj në vitet e pasdiktaturës, apo jo?

Arsyeja pse kombet demokratike kanë liri personale, të drejta pronësie dhe sundim të ligjit nuk është se ato janë demokraci.

Liberalizmi kushtetues, siç quhet forma e saktë e demokracisë në perëndim, ka çuar në demokraci, por demokracia duket se nuk sjell liberalizëm kushtetues. Ndryshe nga vendet që i përkasin civilizimit perëndimor, Shqipëria është demokraci por jo liberal kushtetuese.

Tensioni midis liberalizmit kushtetues dhe demokracisë përqendrohet në shtrirjen e autoritetit qeveritar në gjithë jetën e vendit. Liberalizmi kushtetues ka të bëjë me kufizimin e pushtetit, demokracia me akumulimin dhe përdorimin e tij. Për këtë arsye, shumë liberalë të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë panë në demokraci një forcë që mund të minonte lirinë. Politologu francez Tocqueville paralajmëroi në shekullin e 19-të për “tiraninë e shumicës”, duke shkruar: “Vetë thelbi i qeverisjes demokratike qëndron në sovranitetin absolut të shumicës”.

Tendenca që një qeveri demokratike të besojë se ka sovranitet absolut (domethënë pushtet) mund të rezultojë në centralizimin e autoritetit, shpesh me mjete jokushtetuese dhe me rezultate të zymta. Gjatë dekadave të fundit, qeveritë e zgjedhura që pretendojnë se përfaqësojnë popullin kanë shkelur vazhdimisht fuqitë dhe të drejtat e elementëve të tjerë në shoqëri, një uzurpim që është edhe horizontal (edhe degët e tjera të qeverisë kombëtare) dhe vertikal (edhe autoritetet rajonale dhe lokale si dhe bizneset private dhe grupet e tjera joqeveritare). Ka qenë e vështirë të njihet ky problem, sepse për gati një shekull në Perëndim, demokracia ka nënkuptuar demokraci liberale — një sistem politik i dalluar jo vetëm nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe nga shteti i së drejtës, një ndarje e pushteteve dhe mbrojtjen e lirive themelore të fjalës, tubimit, fesë dhe pronës. Në fakt, kjo paketë e fundit lirish, ajo që mund të quhet liberalizëm kushtetues, është teorikisht e ndryshme dhe historikisht e dallueshme nga demokracia. Siç ka theksuar politologu Philippe Schmitter, “Liberalizmi, qoftë si koncept i lirisë politike, qoftë si doktrinë për politikën ekonomike, mund të ketë përkuar me ngritjen e demokracisë. Por ai kurrë nuk ka qenë i lidhur në mënyrë të pandryshueshme apo të qartë me praktikën e saj. Anglia, shembulli tipik i demokracisë liberale, e filloi me “Magna Carta” në 1215, një dokument historik në historinë kushtetuese britanike. Zhvillimi i lirive civile u avancua në shekujt 17 dhe 18 si pasojë e revolucionit të lavdishëm dhe kulmoi me Ligjin e të Drejtave në 1689. Ndikimi i menjëhershëm i Ligjit anglez të të drejtave ishte një kushtetutë më e drejtë e ndarjes së pushteteve qeveritare. Ligji anglez i të drejtave i mundësoi Parlamentit të funksiononte në mënyrë autonome. Krijimi i sistemeve demokratike më gjithëpërfshirëse ndodhi gradualisht, i ndikuar nga faktorë të tillë si idealet iluministe, lëvizjet sociale për të drejtat civile dhe të drejtën e votës së grave dhe evolucioni i filozofive politike. Kombinimi i parimeve kushtetuese, mbrojtja e të drejtave individuale dhe shtrirja e praktikave demokratike përfaqëson një trajektore komplekse historike që është shpalosur ndër shekuj. Për njerëzit në Perëndim, demokracia do të thotë “demokracia liberale”: një sistem politik i dalluar jo vetëm nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe nga shteti i së drejtës, një ndarje e pushteteve dhe mbrojtja e lirive themelore të fjalës, tubimit, fesë, dhe pronës. Por kjo paketë lirish, ajo që mund të quhet “liberalizëm kushtetues” – nuk ka të bëjë në thelb me demokracinë dhe të dyja nuk kanë shkuar gjithmonë bashkë, madje edhe në Perëndim. Në fund të fundit, Adolf Hitleri u bë kancelar i Gjermanisë përmes zgjedhjeve të lira demokratike, por në një Gjermani demokratike me një sfond liberal demokratik aspak të konsoliduar. Demokracia Gjermane e asaj kohe më shumë i ngjante demokracisë Shqiptare sot dhe nuk kishte asgjë të përbashkët me liberal demokracitë moderne. Gjithashtu edhe liderat e Shqiperisë të pas vitit 91 ashtu si edhe në Gjermaninë dhe Italinë e atyre viteve, për të marrë pushtet dhe nga frika se mos e humbnin atë, u kthyen brenda natës nga komunistë në socialistë apo demokratë, përqafuan populizmin dhe premtuan se do te sillnin parajsën në vend si dhe nuk u ndalën nga asnjë lloj manipulimi, vjedhje apo krimi.

Ndërkohë që Europa perëndimore po konsolidonte liberalizmin kushtetues nga poshtë lart duke prodhuar demokracinë liberale, Shqipëria dhe vendet e ballkanit menduan të sfidonin historinë dhe natyrën njerëzore dhe të kopjonin liberal demokracinë nga lart poshtë, duke aplikuar fillimisht demokracinë, proçes i cili degjeneroi në autokraci shtetërore e partiake. Në vitin 91 Shqipëria dhe Shqipërët u gjendën si anija pa busull në mes të detit dhe liderët që premtuan se kishin busullën,mashtruan me çekun e bardhë duke fshehur kushtet e liberal- demokracisë të vëna nga perëndimi. Çoroditjes popullore për demokracinë iu shtua edhe kriptokomunizmi i liderëve (hajdutëve) tanë

Ideja është se “demokracia” pa garancitë e liberalizmit kushtetues është edhe tiranike dhe jokoherente, është sistemi më i keq që mund të imagjinohet. Këtë po e përjetojmë në Shqipëri me tiraninë qeverisëse dhe partiake si edhe vjedhjen masive të mashtruesve ordinerë të quajtur politikanë në bashkëpunim me oligarkët.

Ne në Shqipëri nëpërmjet zgjedhjeve marrim pushtetin nga duart e individëve dhe e lëmë pushtetin në duart e gangsterave dhe hajduteve. Mungesa e shoqërisë civile dhe kolaboracionizmi e servilizmi i të gjithë spektrit politik në Shqipëri, me rrënjë të thella në komunizëm e feudalizëm dhe aspak në kapitalizëm, prodhoi sistemin e korruptuar demokratik por aspak liberal kushtetues.

Thomas Hobbes shkruante se: “Besëlidhjet, pa shpatën, nuk janë veçse fjalë”. Ekuivalenti modern mund të jetë ky: “Demokracia, pa Ligjin e të Drejtave, nuk është veçse tirani”.I vetmi mekanizëm që mund të vëri në lëvizje sistemin e korruptuar ekzekutiv dhe legjislativ është sistemi i drejtësisë i financuar nga perëndimi, si shpata e Demokleut që zbatimi i ligjit të mos mbetet në letër.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: artan nati

Kontributi historik dhe puna e Vatrës sot meritojnë respekt

December 12, 2023 by s p

Artan Nati/

Federata Vatra është krenari identitare dhe vlerë kombëtare. Vatra është aseti më i çmuar i mërgatës shqiptare të Amerikës. 

Njeriu mund të ketë cilëndo fe që ka gjetur prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tinë, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtari”,thoshte Fan Noli, krijuesi i Federatës PanShqiptare Vatra. Ne mësojmë për identitetin tonë dhe identitetin e të tjerëve përmes ndërveprimeve me familjen, bashkëmoshatarët, organizatat, institucionet, mediat dhe lidhje të tjera që krijojmë në jetën tonë të përditshme. E vetmja lumturi e vërtetë qëndron në njohjen e asaj se kush jemi dhe njohja e vetvetes është fillimi i gjithë mençurisë. Pikërisht këtë kishin kuptuar krijuesit e Vatrës kur në 28 prill 1912 themeluan dhe mblodhën gjithë shqiptarët e disa shoqatave të ndryshme shqiptare në një të vetme dhe nëpërmjet gazetës “Dielli” i dhanë krenari dhe dinjitet gjithë shqiptarëve, duke e shndërruar Vatrën praktikisht në qeveri në mërgim. 

Vatra mbajti një kongres për mbledhjen e fondeve më 29 dhjetor 1918, të udhëhequr nga Anastas Pandele, me synimin për të mbështetur delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes. Emigrantët shqiptarë në mbarë SHBA-në mblodhën një shumë prej 150.000 dollarësh, pjesa më e madhe e të cilave iu dërgua delegatëve të Vatrës në Paris.

Vatra do të ndërtonte themelet e Kishës së re Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila do të lulëzonte pavarësinë nga Kisha e Kostandinopojës dhe do të zmbrapste ndikimin e mëtejshëm grek ndaj popullsisë ortodokse shqiptare. Anëtarët kryesorë si Fan Noli dhe Faik Konica, do të përfshiheshin në politikë dhe administrim të shtetit të sapokrijuar shqiptar, me Fan Nolin që drejtonte Revolucionin e pasuksesshëm të Qershorit. Noli do të rifillonte detyrën pas kthimit në SHBA. 

Kuptohet ne sot jetojmë në një realitet të ri dhe sfidat dhe prioritetet për Vatrën janë të ndryshme, por në thelb të njëjta. E vërteta është se më shumë shqiptarë jetojnë jashtë kufijve dhe një botë e globalizuar e bën të mundur për të menduar, jetuar dhe vepruar si transnacionale për të cilët brenda dhe jashtë vendit vendndodhjet nuk janë më fikse dhe të pandryshueshme. Besoj se ne jemi tërësisht të margjinalizuar dhe besoj se qeveritë në pushtet i tremben diasporës sepse e kanë më të vështirë të na manipulojnë si pasojë e pavarësisë ekonomike dhe njohja e dy realiteteve na e bën më të lehtë të kuptojmë situatën në vend. Mendoj se e drejta e votës si edhe përfaqësimi ynë atje jo vetëm është nevojshme por edhe domosdoshmëri për përparimin e vendit. Ashtu si dikur Vatra mbështeti çështjen shqiptare dhe u bë faktori kryesor për lobimin e çështjes shqiptare në perëndim si politikisht edhe financiarisht edhe sot më tepër se kurrë Vatra, me lidhjet dhe kontaktet e vazhdueshme me qeverinë amerikane si dhe përfaqësimin më dinjitoz të diasporës, mund t’i japi zë dhe përfaqësoj denjësisht çështjen shqiptare, për t’i shërbyer denjësisht vendit tonë. Vatra tentoi të propozonte për president një figurë të nderuar dhe intelektual e patriot siç është Dr.Dritan Demiraj. Nuk ka asnjë mision të vetëm të Vatrës pasi mund të ndryshojë në varësi të komunitetit ose kontekstit specifik. Megjithatë, komunitetet e diasporës shpesh ndajnë qëllime dhe ideale të përbashkëta. Pikërisht bashkërendimi i veprimtarive tona do të bëjë mbledhjen e të gjitha rrëkeve në një lum për të realizuar idealet tona patriotike e kulturore. Dega jonë në Çikago, m.gj.s relativisht e re ka bërë një një punë të shkëlqyer duke bashkërenduar veprimtarinë e saj me shoqata të tjera shqiptare, duke bërë të mundur ndihmën me mjete mësimore të shkollave shqipe të xhamisë dhe kishës si dhe duke kontribuar edhe me mësues që janë edhe në kryesinë e Vatrës. Gjithashtu dega jonë ka bashkëpunuar me shoqatën e grave si dhe katedrën albanologjike të DePaul University  për promovimin e librave të shkrimtarëve shqiptarë me banim në USA, si dhe organizuar veprimtari sportive e krijuar kontakte me politikanë të shtetit të Illinois. Ruajtja e kulturës dhe identitetit është një nga prioritetet tona kryesore dhe rezultatet janë të dukshme, por bashkërendimi i veprimeve do të ndihmonte së tepërmi.

Mbështetja e komunitetit: Komuniteteti shqiptar shpesh angazhohet në rrjetet e mbështetjes reciproke, duke ofruar ndihmë dhe burime për anëtarët e tjerë të komunitetit. Shpresoj të kemi mundësi për mbështetje financiare, por kurrë nuk ka munguar  rrjetëzimi dhe mbështetja sociale për të ndihmuar individët të lundrojnë në sfidat në mjediset e tyre të reja.

Ndërgjegjësimi dhe diskutimi i problemeve ekonomike e politike në Shqipëri si edhe atyre në Amerikë është një nga temat kryesore që dëgjohen në bisedat tona. Diskutime të tilla të organizuara nga Vatra kanë shumë interes kombëtar. Kjo mund të përfshijë rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet politike, abuzimet e të drejtave të njeriut ose shqetësime të tjera që prekin komunitetin e tonë. Dega e Vatrës në Çikago kishte një takim të tillë me temë “Sistemi politik dhe zgjedhor Amerikan” dhe interesimi ishte i madh. Së shpejti kemi një takim tjetër me një të  ftuar special mbi çështjet e tensioneve në Kosovë dhe më gjerë.

Komuniteti ynë shpesh përballet me sfida unike dhe iniciativat mbështetëse të komunitetit mund të përfshijnë shkëmbimin e burimeve të informacionit dhe përvojave për të ndihmuar anëtarët të orientohen në çështje të tilla si imigrimi, punësimi dhe arsimi.

Ndërtimi i rrjeteve dhe nxitja e bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të komunitetit të tonë mund të jetë një aspekt thelbësor i mbështetjes së komunitetit. Kjo mundëson ndarjen e ideve, burimeve dhe zgjidhjeve për sfidat e përbashkëta. 

Të mos harrojmë se prania jonë këtu nuk është vetëm lëvizje fizike; por është një odise kulturore dhe një rrëfim i përbashkët që i kapërcen kufijtë dhe i lidh njerëzit së bashku. Misioni ynë si anëtarë të Vatrës është të jemi një katalizator për ndryshime pozitive, duke nxitur mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe një vizion të përbashkët për një Shqipëri dhe botë më të mirë.

Le të mos harrojmë se ne nuk e zgjodhëm vendin tonë, por është vendi jonë që na zgjodhi ne. Shqipëria është në ritmin e rrahjeve të zemrave tona,në jehonën e historisë sonë dhe shtratin e identitetit tonë. Rroftë Vatra, rroftë kombi shqiptar.

Filed Under: Mergata Tagged With: artan nati

PËR NJË MENTALITET TË RI DHE PERËNDIMOR NË POLITIKËN SHQIPTARE

September 27, 2023 by s p

Artan Nati/

A mundet një levizje sociale nga e majta ose e djathta radikale të depërtojë në establishmentin e vjetër politik dhe të zgjidhet në nivel kombëtar? Dy partitë politike dominuese në Shqipëri nuk bien dakord për shumë gjëra, por ka një gjë për të cilën bien dakord: Sistemi duhet të krijohet për t’i ndihmuar ata të ruajnë pushtetin e tyre. Nga votimet e para në të kaluarën deri te kufizimi i iniciativave të votimit të marra nga qytetarët, socialistët dhe demokratët kanë bërë çmos për të ndërtuar një sistem që ia heq pushtetin popullit dhe e mban atë në duart e partive. Një valë e re e partive anti-establishment ka tronditur politikën evropiane. Një grup i larmishëm i njerëzve dhe grupimeve nga e majta, e djathta dhe pa qëndrim fiks ideologjik po sulmojnë rrjedhën kryesore të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë. Nga kjo tendencë europiane nuk bën përjashtim as vendi ynë. Zhvillimet e fundit në vend tregojnë qartë se shumë lëvizje sociale populiste të krahut të majtë e të djathtë po transformohen në lëvizje politike ose më saktë kanë formë amorfe midis lëvizjes sociale dhe asaj politike. Mund të përmëndim këtu lëvizjen e drejtuar nga Arlind Qorri, e apo asaj të drejtuar nga Adriatik Llapaj dhe lëvizja konservatore e inicuar nga Evi Kokalari. Kujtojmë se më parë kishim edhe lëvizjen sociale të drejtuar nga Erjon Veliaj që më vonë iu bashkangjit Partisë socialist. Në këtë realitet pa alternativë serioze në vendin tonë, ku për më tepër ligji nuk bëhet më nga partitë politike dhe aq më pak nga opozita, duket sikur e vetmja forcë që vendos në vend janë oligarkët. Parë nga jashtë vendi ka sistem shumëpartiak, por në fakt kemi një sistem oligarkik, në të cilin oligarkët vendosin të ndërrojnë e financojnë ato formacione politike dhe individë që kanë më shumë besueshmëri dhe i shërbejnë atyre më mirë. Në këto kushte është normale të shfaqen këto lëvizje sociale me tendenca politike ashtu siç u shfaqën dhe u forcuan forma të ndryshme të populizmit në të gjithë Evropën pas krizës së fuqishme financiare pas vitiit 2010 . Vitet e fundit, Evropa ka parë rritjen e forcave politike ideologjikisht të ndryshme që e cilësojnë veten më shumë si lëvizje sesa si parti. Në Itali, “Lëvizja Pesë Yjet” përfundoi e para në zgjedhjet parlamentare të marsit 2018.” Podemos” është vendosur si një nga aktorët kryesorë politikë të Spanjës. Sebastian Kurz fitoi zgjedhjet në Austri të tetorit 2017 dhe u bë kancelar. Edhe Partia Laburiste e Mbretërisë së Bashkuar tani thekson cilësitë e saj të ngjashme me lëvizjen. Më i suksesshmi ka qenë En Marche i presidentit francez Emmanuel Macron, i cili erdhi në pushtet vetëm një vit pas fillimit të tij. Por krijimi i Macron-it, që kur u riemërua La République En Marche (LREM), është një lloj i ri hibrid parti-lëvizje; ajo u themelua pa mbështetjen institucionale të një partie apo lëvizjeje të mëparshme proteste, apo apelin e një personazhi të njohur publik. Gjithashtu në Greqi  Syriza u krijua si “parti e krizës” që arriti të shfrytëzonte pakënaqësinë dhe varfërinë të krijuar nga kriza financiare dhe euro. Gjithashtu në SH.B.A në vitin 2016 një udhëheqës populist, Donald Trump, fitoi zgjedhjet presidenciale . Në situata të tilla ku nuk ka alternativa, mbetet shumë pak vend për politikën dhe kapaciteti i partive egzistuese për të kapur dhe drejtuar konfliktin politik zvogëlohet. Në rastin e Spanjës dhe Greqisë, kjo nuk u shfaq vetëm në populizmin e majtë, por edhe në nacionalizmin e ekstremit të djathtë. Podemos dhe Syriza ishin “partitë e krizës” që arritën të shfrytëzonin pakënaqësinë, por edhe partia e ekstremit të djathtë nëGreqi, Agimi i Artë”, arriti të marrë mbështetje të madhe popullore. “Shqipëria Bëhet”,lëvizja më e re qytetare në Shqipëi , po e artikulon debatinin e saj duke pretenduar se përfaqëson ‘popullin’ dhe është kundër ‘elitës’ dhe po krijon strategjinë e saj elektorale dhe politike të bazuar mbi këtë antagonizëm. Në këtë proces, kjo lëvizje dëshiron të arrijë të përfaqësojë grupet shoqërore që  preken më rëndë nga kriza në vend (të rinjtë e papunë, pensionistët , nëpunësit civilë, fermerët) duke nënkuptuar ‘popullin’ si pikën e identifikimit për të gjitha këto grupe dhe krijuar kështu një identitet kolektiv që nënkupton shumicën e njerëzve si tërësinë e ‘ njerëzve’. Në këtë aspekt duhet thënë se nuk qëndron larg edhe “Lëvizja Bashkë” e drejtuar nga Arlind Qorri . Gjithashtu në spektrin e djathtë “Lëvizja Konservatore” e Evi Kokalarit ka dalë si një alternativë ndaj kaosit ekzistues në kampin e djathtë me pretendimin e përfaqësimit të vlerave konservative nën shembullin e konservatorizmit Amerikan të përfaqëara nga ish presidenti Amerikan Donald Trump. Një gjë kanë të përbashkët këto lëvizje të reja social – politike se programet e tyre duket të jenë vetëm premtime dhe qëllime të mira. Prezantimi i programit të tyre lexohet si një listë e gjatë dëshirash. Programet kërkojnë gjithashtu taksa të reja për të pasurit dhe mbi transaksionet financiare. Ato premtojnë pensione dhe paga më të larta, si dhe një rritje të shpenzimeve për kujdesin shëndetësor, arsimin dhe shërbime të tjera sociale, megjithatë, pa elaboruar se si do të paguhen ato plane.Le të shpresojmë që këo lëvizje të reja social politike do të ndryshojnë bizantizmin politik në Shqipëri dhe të mos përfundojnë si shtojca politike të partive të mëdha, siç përfundoi lëvizja “Mjaft” e Veliajt, apo si Syriza në Greqi dhe lëvizja Podemos në Spanjë. Një gjë është e qartë se është momenti që të shkëputemi tërësisht nga tranzicioni i gjatë kërkohet mentalitet i ri dhe perëndimor në politikën e vendit .

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: artan nati

KËRKESA E SINQERTË PËR FALJE SI URË DREJT CIVILIZIMIT PERËNDIMOR

September 21, 2023 by s p

Artan Nati/

Kërkimi i faljes dhe dhënia e faljes janë pjesë përbërëse e çdo zgjidhjeje afatgjatë të një konflikti të vështirë. Pa to, është e pamundur të arrihet pajtimi dhe paqja e qëndrueshme. Shtypësit që kryen shkelje të të drejtave të njeriut dhe mizori të tjera duhet të marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre dhe të kërkojnë falje. Një falje duhet të jetë e sinqertë dhe të pasqyrojë keqardhjen e vërtetë për veprimet e kaluara. Një kërkim falje mund të jetë ende i rëndësishëm nëse bëhet nga dikush që është pasardhës i asaj klase që ka kryer krimet apo abuzimet, diçka që Presidenti William Clinton e kuptoi kur kërkoi falje për skllavërinë, edhe pse ajo kishte marrë fund pothuajse një shekull para se ai të lindte.

Shoqëria jonë nuk e ka kaluar një proçes të tillë prandaj dhe kemi disa probleme serioze që reflektohen edhe në politikë e në jetën tonë të përditëshme dhe sa më shpejt t’i evidentojmë dhe të përpiqemi të zgjidhim këtë nyje gordiane të politikës dhe kulturës shqiptare, më i shpejtë do të jetë integrimi ynë kulturor e politik me Europën e bashkuar.

Debati më i madh që konstatohet tek ne ështe se: A duhet të kërkojnë të falur (apologji) përfaqësuesit apo pasardhësit e regjimit komunist dhe pastaj të bashkëpunojmë me ta, apo të persekutuarit mund të falin persekutonjësit e tyre dhe të bashkëpunojmë për interesin e vendit dhe integrimin e tij. Besoj se çështja nuk është kaq e thjeshtë sa duket dhe eksperienca botërore mund të na vijë në ndihmë.

Duke pranuar gabimin, ju i jepni vlefshmëri dhimbjes së një individi ose tragjedisë së një popullsie të tërë. Në skenën globale, krerët e shteteve dhe institucionet fetare si Kisha Katolike shpesh kanë kërkuar falje publike. Ndonjëherë, duket sikur i nënshtrohesh një debati global gjithnjë në rritje që kërkonte njohjen e së kaluarës, dhe ndonjëherë dukej si një gjest nxitës i momentit. “Përballë humnerës së historisë gjermane dhe barrës së miliona njerëzve që ishin vrarë, unë bëra atë që ne njerëzit bëjmë kur fjalët na mungojnë”, kështu shprehej Brandt në kujtimet e tij. Ai u ul në gjunjë si një mëkatar, duke iu referuar traditës së krishterë. Ai u lut që gjermanët të faleshin. Willy Brandt, një socialdemokrat që kishte qenë pjesë e rezistencës kundër nazistëve, po lutej për falje për popullin e tij. Por a ishte i planifikuar gjesti? “Jo, nuk ishte,” këmbënguli Brandt. Ndihmësit e mi të afërt ishin jo më pak të befasuar se sa gazetarët dhe fotografët që qëndronin pranë meje. Edhe qeveria polake u befasua. Deri në atë moment konsideroheshin gjithmonë si “gjermanët e këqij”. Ata shiheshin si “revanshistë dhe luftënxitës” dhe pastaj papritmas ishte një kancelar gjerman, i cili u gjunjëzua duke sinjalizuar një hapje ndaj faljes.

Dhe në këtë mënyrë , politika e Brandt ishte një moment historik në rrugën e vështirë të pajtimit midis Lindjes dhe Perëndimit në Luftën e Ftohtë. Ishte, pikënisja e zhvillimeve që fillimisht çuan në revolucionet paqësore në Poloni dhe Gjermaninë Lindore, më pas në ribashkimin e Gjermanisë dhe më në fund në një partneritet të vërtetë: “Partneriteti midis Gjermanisë dhe Polonisë në një Evropë të bashkuar”.

Kur gabojmë me dikë që njohim, qoftë edhe pa dashje, në përgjithësi pritet të kërkojmë falje. Personi që lëndojmë ndjen të drejtën për te falur dhe shprehjen e keqardhjes . Ne, nga ana tjetër, përpiqemi të përmirësojmë situatën duke thënë: “Më fal” dhe ndoshta duke bërë dëmshpërblim.

Por kur ne veprojmë si udhëheqës, rrethanat janë të ndryshme. Udhëheqësit janë përgjegjës jo vetëm për sjelljen e tyre, por edhe për atë të ndjekësve të tyre, të cilët mund të jenë në qindra, mijëra apo edhe miliona. Pyetja e parë, pra, është, kush është saktësisht pala fajtore? Shkalla e dëmtimit është gjithashtu një problem. Kur një udhëheqës ndihet i detyruar të kërkojë falje (apologji), veçanërisht për një shkelje në të cilën janë përfshirë ndjekësit, dëmi i shkaktuar ka të ngjarë të jetë serioz, i përhapur dhe i qëndrueshëm.Meqenëse udhëheqësit flasin për vete, si dhe për ndjekësit e tyre, faljet e tyre kanë implikime të gjera. Akti i kërkimit të faljes kryhet jo thjesht në nivel individi por edhe në nivel institucioni. Nuk është vetëm personale, por edhe politike. Është një performancë në të cilën çdo shprehje ka rëndësi dhe çdo fjalë bëhet pjesë e të dhënave publike. A duhet të falin ish të persekutuarit politik ish persekutonjësit e tyre dhe pasardhësit e tyre? “Falja (e fajtorit) është mbi të gjitha një zgjedhje personale, një vendim i zemrës për të shkuar kundër instinktit natyror për ta kthyer të keqen me të keqe.” thoshte Papa Gjon Pali II. Mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë se falja nuk e shfajëson persekutonjësin. Falja e çliron viktimën. Duke thënë të gjitha këto mendoj se po kthehemi përsëri në pyetjen fillestare. Mendoj se kërkesa për falje duhet të bëhet më parë nga pasardhësit e atij brezi që kreu krime dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit tonë duhet të kërkojnë falje publike ashtu si edhe Bill Clinton dhe të ulen në gjunjë si kancelari gjerman përpara gjithë shtresës së persekutuarëve. Gjithashtu është domosdoshmëri që të konkretizohen me ndërtimin e disa muzeve si burgu i Spaçit si dhe realizimin e filmave dhe dokumentarëve për përjetësimin e këtyre ngjarjeve sepse siç thotë filozofi George Santayana “Ata që nuk e kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë”.

Filed Under: Sociale Tagged With: artan nati

MALLKIMI I LIDERËVE HEROIKË

September 6, 2023 by s p

Artan Nati/

Libri “Jeta e Galileos” i Berthold Brecht-it, ka një shkëmbim midis astronomit të madh dhe një studenti të tij. Nxënësi, Andrea, thotë: ‘I palumtur vendi pa heronj!’ Mësuesi shpejt përgjigjet: ‘Jo. I pakënaqur vendi që ka nevojë për ta”. A po bëhet Shqipëria tani një nga vendet e pakënaqur të Galileos? Historianët kanë debatuar prej kohësh se sa ndryshim mund të sjellë lidershipi në politikë. Në shekullin e 19-të pati një debat të famshëm mbi idetë e kundërta të udhëheqjes heroike të përshkruara nga Thomas Carlyle dhe Leo Tolstoy. Carlyle, në librin e tij “Mbi heronjtë, adhurimi i heroit dhe heroizmi në histori” (1840), argumenton se heroi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndërsa në “Lufta dhe Paqja” (1869), Tolstoi mohon që udhëheqja heroike nuk është fare e mundur. Tolstoi argumentoi se historia formon dhe përcakton liderët, ndërsa Carlyle mendonte se ishte anasjelltas. Në epilogun e tij te “Lufta dhe Paqja”,Tolstoi shkruante për heronjtë se: “Individët shpesh besojnë se po veprojnë me vullnetin e tyre të lirë dhe po bëjnë zgjedhje të pavarura. Megjithatë, në një kontekst historik këto veprime nuk janë vërtet të lira, por përkundrazi janë pjesë e një modeli më të madh historik ose “shkaku i historisë” që ka qenë i paracaktuar”. Ky qëndrim i Tolstoit ishte shumë larg pikëpamjes së Carlyle se “historia është biografia e njerëzve të mëdhenj”. Teoria e lidershipit të Njeriut të Madh të Carlyle ra shpejt në disfavor. Të qenit i vetëdijshëm për pashmangshmërinë absolute të një fenomeni të caktuar mund të rrisë energjinë e një njeriu që e simpatizon atë dhe që e konsideron veten si një nga forcat që e kanë krijuar atë. Çdo njeri me talent që shfaqet në të vërtetë, d.m.th., çdo njeri i talentuar që bëhet forcë shoqërore, është produkt i marrëdhënieve shoqërore. Duke qenë se është kështu, është e qartë pse njerëzit e talentuar, siç thamë, mund të ndryshojnë vetëm veçori individuale të ngjarjeve, por jo prirjen e tyre të përgjithshme; ato janë vetë produkt i kësaj prirjeje; po të mos ishte për këtë prirje, ata kurrë nuk do të kishin kaluar pragun që ndan potencialin nga realja. Me fjalë të tjera, forcat sociale janë përcaktuese, por udhëheqësit individualë kanë një rol jetik në kapjen dhe drejtimin e tyre drejt rezultateve specifike. Një nga njerëzit e mëdhenj të shekullit të 19-të, “Kancelari i Hekurt” që bashkoi Gjermaninë, Bismarku, i tha vetë Rajhstagut në 1869: “Ne as nuk mund ta injorojmë historinë e së kaluarës dhe as të krijojmë të ardhmen. Ndikimi im në ngjarjet nga të cilat kam përfituar zakonisht ështtë i ekzagjeruar; Ne nuk mund të bëjmë histori: [në vend të kësaj] duhet të presim derisa të bëhet”. E megjithatë, unë besoj se individët bëjnë një ndryshim. Në vend të kësaj, unë do të argumentoja se edhe në demokracitë moderne të shekullit të 20-të dhe të 21-të të ndërtuara mbi kushtetuta liberale, të rrethuara nga kontrollet dhe balancat institucionale, një opozitë e fuqishme politike dhe një shtyp i lirë, janë shfaqur liderë individualë që rezultuan të ishin më të mëdhenj se sistemet që i prodhuan ata. Personaliteti i jashtëzakonshëm i Churchill-it e përjetësoi atë si buldog britanik me zemër luani që qëndronte sfidues në këmbët e mureve të qytetërimit perëndimor. Gënjeshtra impulsive dhe shpesh vulgare të Trump-it u tregoi amerikanëve se sa të brishta ishin shtyllat e republikës që ata kishin ngritur. Gjithashtu Margaret Thatcher bëri reforma të mëdha e të paimagjinueshme në Mbretërinë e Bashkuar, duke shkatërruar sistemin dominues të sindikatave që kishte mbytur rritjen ekonomike britanike dhe duke hapur kështu rrugën për iniciativën e lire. E njëta gjë mund të thuhet për Ronald Regan në USA,që bëri të mundur të shkatërrojë këtë “konglomerat të egoizmit, servilizmit politik dhe verbërisë morale” siç e quante Thaçer.
Individë të tillë mund të jenë më të mëdhenj se ideologjitë dhe sistemet në të cilat operojnë shumë në Shqipëri e përshëndetën Edi Ramën si një figurë kaq transformuese. Ai ndërtoi mbi mesazhin klasik të partisë socialiste një kult personaliteti që çoi në konceptin e “Edi Ramës”. Rama kënaqej duke e portretizuar veten si hero,duke zotëruar të gjitha përgjigjet, i gatshëm për të prerë nyjen gordiane të problemeve të pazgjidhshme të kombit. Çdo fushatë zgjedhore, lokale apo e përgjithëshme, u ndërtua rreth personalitetit të lartë të liderit të saj. Nuk ishte një parti apo një ideologji që fitoi zgjedhjet, ishte një individ.
Nuk ka dyshim se dështimi spektakolar i Ramës në të gjitha frontet si, emigracioni masiv dhe largimi i intelektualëve, rrogat më të ulëta në rajon,korrupsioni masiv, kapja e shtetit nga oligarkët, kriminalizimi i jetës së vendit dhe shumë të tjera – konfirmon përsëri kufijtë e asaj që mund të arrijë lidershipi i pandërprerë individual. Ndërsa neveria popullore rritet ndaj trajtimit të krizës aktuale në vend, është e qartë se lidershipi individual i Ramës nuk mjafton për të shpëtuar Shqipërinë. Me zgjedhjet në prag, mbështetësit e Ramës strehohen në teorinë “Nuk ka alternativë”. Por kjo ofron ngushëllim të pakët. Historianët ushtarakë shpesh citojnë Marshallin gjerman Rommel i njohur gjithashtu si “Dhelpra e Shkretëtirës”, si një shembull të një gjenerali të madh, i cili u mposht nga armiq shumë më inferiorë se ai. Kundërshtarët e tij gëzonin avantazhe që kishin më shumë rëndësi sesa cilësitë e lidershipit të Rommel-it, si fuqia organizative, burimet e duhura dhe një kauzë që njerëzit mund të mblidheshin rreth e qark. Rama është me fat që dy vetitë e para nuk janë ende në dispozicion të kundërshtarëve të tij. Por pasi të jenë, nuk do të mjaftojë vetëm udhëheqja më e madhe se sistemi për ta shpëtuar atë, ose për të fundosur Shqipërinë. Ndoshta në atë pikë, Shqipëria nuk do të jetë më vendi i pakënaqur i frikës së Galileos.

Filed Under: Mergata Tagged With: artan nati

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT