–Modelja, aktorja, gazetarja, regjisorja dhe autorja e librit “BESA PO” kushtuar Mbretëreshës TEUTA, shpreson se Historia e Mbretëreshës Ilire do të frymëzojë gratë anembanë Botës-/
Të Enjten pasdite, 21 Shkurt 2019, Selinë e Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës”VATRA” e vizitoi një artiste e njohur, Hana NOKA. Ajo është një modele e njohur ndërkombëtarisht,aktore,regjisore, shkrimtare dhe ndjehet mirë tek kujton rrënjët e saj shqiptare. E flet bukur gjuhën shqipe edhe pse ka jetuar nëpër botë. Synimi i saj është që të bëjë të njohur me veprën e saj Kombin Shqiptar.Hana e ka filluar karrierën në modelim në moshë fare të re, por edhe pse e zënë me modelimin që në vegjëli, ajo kurrë nuk e la mënjanë arsimimin e saj. Hana u diplomua në Griffith College- Dublin në Irlandë me diplomë BA (Hons) në Gazetari dhe Media Vizuale. Më pas ajo erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si një admiruse e grave të forta në histori, Hanën e tërhoqën dhe e inspiruan historitë e grave të lashta Ilire. Brenda saj nisi shtysa për të treguar historinë e udhëheqëses së madhe , Mbretëreshës trime, Teuta, që sundonte Ilirinë, që përfshinte kombet e sotëm të Ballkanit, që nga viti 231 Para Krishtit e deri në 227 Para Krishtit.
Hana shpreson se se Historia e Mbretëreshës Ilire do të frymëzojë gratë anembanë Botës ashtu sic e ka frymëzuar atë vetë.
Hana jeton në Los Anxhelos dhe flet disa gjuhë, duke përfshirë gjuhën shqipe, anglishten, kroatisht dhe turqisht.
Artistja e njohur u prit në Vatër nga editori i Diellit , Dalip Greca dhe nga z. Marko Kepi, President i Rrënjëve Shqiptare(Albanian Roots) dhe Këshilltar i Kryetarit të Vatrës z. Mishto.
Artistja vizitoi mjediset e Vatrës, u njoh me materiale arkivore e fotografike. Editori i tregoi pikat kulmore të Historisë së Vatrës dhe të Gazetës”DIELLI” që këtë vit celebron 110 vjetorin e publikimit në SHBA. Ajo dhuroi me autograf për bibliotekën e Vatrës librin e saj në gjuhën angleze””BESA PO”.
Ju mund ta porositni librin në Amazon dhe për më shumë të dhëna mund të shkoni në adresën:www.besapo.com