Shkruan: Arben LLALLA*/
Këto ditë po flitet nga partitë politike shqiptare për sjelljen e Ligjit për të drejtat e ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politik në Maqedoni. Pas 24 viteve të pluralizmit të brishtë Maqedonia ndoshta është i vetmi shtet ish-komunist që nuk i ka shpërblyer ish-të burgosurit politik, në veçanti ata me kombësi shqiptare të cilët janë rreth 25.000. I gjithë procesi për të shpërblyer këtë kategori ka ngecur në vend pa filluar fare, kjo jo vetëm për faj të drejtuesve të shtetit që i përkasin etnisë sllave, por edhe të vetë të ish-të burgosurve politik shqiptar të cilët prej 20 vitesh i gjejmë në postet më të larta të Republikës së Maqedonisë. Prej kaq vitesh ish-të burgosur dhe të dëmtuarit politik shqiptar ankohen se asgjë gjë nuk është bërë për kompenzimin e viteve të burgut që kanë kryer. Por janë vetëm këta të ish-burgosur politik që dikur sistemi komunist i ish-Jugosllavisë dhe i Maqedonisë të pas viteve 1990 i burgosi si separatist dhe irredentistë janë asimiluar dhe janë ulur në njëjtën tryezë me dhunuesit, përdhunuesit dhe dëmtuesit e tyre duke u kujdesur për zhvillimin dhe forcimin e asaj që u dënuan dikur.
Sot, janë me qindra ish-të burgosur politik që drejtojnë postet më të larta të Republikës së Maqedonisë duke filluar nga ministra, deputet, drejtor ministrish, inspektor të policisë dhe të zbulimit dhe kundërzbulimit sllavë. Janë vetë këta shqiptar që u dënuan për aktivitetet e tyre kombëtare të 1968, 1981, e me radhë e deri tek lufta e 2001, që sot persekutojnë njeri-tjetrin, duke u nxjerrë pengesa ish-shokëve të tyre të një ideali. Kjo kategori po i shërben me zell të madh atyre që i gjykuan dhe i dënuan për të drejtat e njeriut, për gjuhën dhe flamurin shqiptar. Të duket qesharake kur shikon se një pjesë ish-të burgosurve politik janë dënuar përse kanë dashur gjuhën, arsimin dhe flamurin shqiptar dhe kanë votuar këto vitet e fundit me aq zell ligjet për mos përdorim e gjuhës dhe flamurit shqiptar ashtu siç i takon në të vërtetë. (Siç duket separatistët dhe irredentistët e dikurshëm u asimiluan, u integruan në atë që ata e luftonin dhe e kundërshtonin me aq forcë dhe krenari).
Prandaj mendoj që statusi i ish-të burgosurit dhe të dëmtuarit politik në Maqedoni asnjëherë nuk do të rregullohet me Ligj për vitet e burgut që kanë kryer në kohën e diktaturës komuniste në ish-Jugosllave, por edhe në Republikën e Maqedonisë të pas viteve 1990, sepse ata u dënuan për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe bashkëngjitjen e tokave shqiptare që ndodheshin në atë Federatë me Shqipërinë. Më duket e jashtë logjikës që sot shteti sllavë të vlerësojë në të holla vitet e burgut të tyre. Nëse vërtetë do të ekzistonte dëshira e shtetit të Maqedonisë për t’i shpërblyer vitet e burgut dhe rehabilitimin me Ligj të kësaj kategoria, kjo gjë do të ishte bërë me kohë sepse po kalojnë shumë vite dhe një pjesë e mirë ish-të burgosur politik kanë vdekur dhe askush më nuk ua kujton as emrin atyre dhe jo më ti vlerësojë. Çdo gjë për fat të keq po harrohet, aktivitet e këtyre të burgosur politik po ç’vlerësohen nga vetë ish-të burgosurit politik që gjenden prej shumë vitesh në institucionet më të larta të Republikës së Maqedoni. Një pjesë e mirë të ish-të burgosurve janë asimiluar në kuptimin e plotë të fjalës për aktivitetet e tyre kombëtar të dikurshëm sepse ata po punojnë, jetojnë dhe po hanë në një tryezë me dhunuesit, përdhunuesit dhe gjykatësit e dikurshëm. Askush nuk mund të mohojë se sot s’ka asnjë ish-të burgosur politik ministër, deputet apo drejtues i lartë i ndonjë institucioni shtetëror në Maqedoni, por siç duket këta që gjenden në këto pozicione nuk janë burgosur për çështje kombëtare, por për diçka tjetër sepse do kishin bërë përpjekje të mëdha për të sjellë atë Ligj të shumëpritur në radhë të parë për të dëmshpërblyer vetveten e tyre.
E di që shumë ish-të burgosur politik do të preken për këto që kam shkruar, por e vërteta dhembë, më mirë të thuhet ashtu siç është se sa ta fshehim, të shtiremi sikur s’ka ndodhur asgjë nga këto sa kam thënë më lart. Prandaj është e udhës që në fillim të pastrojmë oborrin tonë të shtëpisë nga plehrat se sa ti kërkojmë fajet tek fqinji.
*Vërej: Ky shkrim është një homazh për ata ish-të burgosur politik që punuan një jetë të tërë për bashkimin kombëtar.