• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Asociacioni mund t’i tensionojë raportet Kosovë- SHBA

June 19, 2021 by dgreca

Nga Shkelqim Hysenaj/

Replika e kryeministrit Albin Kurti, në kërkesën e ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas opozitës, mund të ndikojë në dëmtimin e raporteve me SHBA-në. 

Të mërkurën më 16 qershor, ambasadori Philip Kosnett tha se “Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”. 

Duke iu referuar kundërshtimit të qeverisë që të çojë përpara formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ambasadori Kosnett tha se “vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”.Por, pas deklaratës së ambasadorit Kosnett, vet kryeministri Kurti tha se nuk mund të ketë asociacion njëetnik. Uashingtoni mbetet mbështetësi më i madh politik dhe financiar i shtetit të Kosovës.

Por, raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, filluan të luhaten në fund të vitit 2018, por në veçanti u tendosën në fillim të vitit 2020, kur asokohe qeveria “Kurti I”, kishte refuzuar që të largonte tarifën doganore prej 100 për qind, për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja. 

Dështimi për të larguar taksën, bëri që senatori amerikan, David Perdue, të kërkonte që SHBA-ja të rishqyrtonte praninë e saj ushtarake në Kosovë. 

Donald Trump Junior, djali i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kishte mbështetur këtë deklaratë në Twitter, duke theksuar se “është koha që t’i kthejmë trupat në shtëpi”. 

Mirëpo, tendosja më e madhe raporteve në mes të Kosovës dhe SHBA-së gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, ishte acarimi i raporteve në mes të kryeministrit Albin Kurti si dhe emisarit special për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell. 

SHBA e patën pezulluar Kosovën nga programi për ndihmë ekonomike. “Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit” të njohur si MCC. 

Pak javë më vonë, kishte rënë qeveria Kurti dhe udhëheqjen e shtetit e mori Avdullah Hoti i LDK-së. 

Një ndër vendimet e para të qeverisë Hoti, ishte largimi i tarifës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Pas këtij veprimi, MCC-ja zhbllokoi programin e ndihmës për Kosovën.

Opozita kërkon bashkëpunim dhe jo konflikt me partnerët

Partitë opozitare në Kosovë, thonë se mund të ketë një acarim të ri të raporteve në mes të Kosovës dhe administrarës së presidentit amerikan, Joe Biden, në rast se qeveria në Prishtinë, nuk merr parasysh rekomandimet që mund t’i japë Ambasada Amerikane apo zyrtarët e lartë amerikanë. 

Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se qeveria dhe kryeministri Kurti, nuk duhet që të mbajë qëndrime ekstreme, porse duhet t’i bashkërendoj veprimet me SHBA-në. 

“Për mua, është gabim që t’i kundërvihemi politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më mirë do të ishte që të thuhet se ne i bashkërendisim qëndrimet me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se jemi të gatshëm ta diskutojmë çështjen”, tha Haliti. 

Sipas Halitit, gabimi më i madh që do të mund të bëjë kryeministri Kurti, është që të deklarohet kundër qëndrimeve të SHBA-së.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë se pavarësisht agjendave politike, qeveria duhet t’i ruajë raportet me partnerët strategjikë, sidomos me SHBA-në. 

Gashi thotë se krahas ruajtjes së raporteve me partnerët, qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, duhet që të ruaj edhe interesin shtetëror të Kosovës. 

“Kryeministri e ka për detyrë që të ruajë raportet me partnerët strategjikë dhe po ashtu të garantojë dhe të ruajë interesin shtetëror të Kosovës, duke garantuar ruajtjen e Kushtetutës dhe tërësisë territoriale të vendit. Është detyrë e kryeministrit që t’í bëjë këto balancime dhe ne presim që ai t’i bëjë”, tha Gashi.

Gashi thotë se çdo dështim në arritjen e këtij qëllimi, do të shkaktojë dëme të parikuperueshme për vendin. 

Për qasje antiamerikane, kryeministri Kurti akuzohet nga AAK-ja. Deputeti i këtij subjekti politik, Pal Lekaj, thotë se kryeministri Kurti në shumë raste ka vepruar në kundërshtim më qëndrimin dhe këshillën amerikane. 

“E shoh një distancim të qeverisë Kurti nga politika amerikane, por ne nuk kemi asnjë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit dhe vlerësimit për SHBA-në, për politikat që i kanë zhvilluar në raport me Kosovën dhe e pa rezervë”, thotë Lekaj. 

Lekaj thotë se qeveria duhet që të insistojë në intensifikimin e raporteve me SHBA-në, si dhe të kërkojë përfshirje më të madhe në dialog. 

Abazi: Qeveria po e mbron kushtetutën 

Përkundër këtyre që thotë opozita, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, thotë se qëndrimi i qeverisë së Kosovës kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk mund të ndikojë në tendosjen e raporteve në mes të Kosovës dhe SHBA-së. 

Ai thotë se qeveria e Kosovës në këtë rast, po e mbron kushtetutën e vendit, njejtë siç do ta mbronte edhe SHBA kushtetutën e saj. 

“Asociacioni është i papranueshëm, sidomos kur bëhet fjalë për organizim në vija etnike, sepse është në kundërshtim të plotë të parimeve që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë paraqitur para Kosovës, në momentin e zgjidhjes së statusit final si shtet shumetnik dhe pa barriera e kufizime të të drejtave të secilit komunitet”, thotë Abazi. 

E vetmja formë për themelimin e këtij asociacioni, sipas Abazit, është përkitazi me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke përjashtuar çdo kompetencë ekzekutive.

Mushkolaj: Deklaratat e Kurtit për konsum politik

Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se përgjigja e kryeministrit Kurti në raport me deklaratat e ambasadorit Kosnett, janë më shumë për konsum të brendshëm sesa për të dërguar mesazh që iu dërgohet ndërkombëtarëve në këtë rast. 

“Zotëri Kurti nuk mund të thotë po, do të themelohet asociacioni, ndërkohë që e kishte kauzë kryesore kundërshtimin e këtij asociacioni. Deklarata e ambasadorit amerikan, natyrisht është një qëndrim i SHBA-së, të cilin Kosova duhet ta respektojë jo se e thotë SHBA, por për shkak se krijimi i asociacionit është obligim ndërkombëtar që Kosova e ka marrë”, thotë Mushkolaj. 

Parimet e përgjithshme për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u nënshkruan më 25 gusht 2015 në kuadër të dialogut të Brukselit. 

Që nga ajo kohë, kjo marrëveshje nuk gjeti zbatim pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nxori vendim se shumica e pikave të marrëveshjes binin ndesh me kushtetutën. 

Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare, kanë insistuar vazhdimisht në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, porse, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar sërish se marrëveshja nuk mund të zbatohet pasi është kundërkushtetuese.*(Radio Evropa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Asociacioni i Komunave, Tensionet

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës

September 18, 2020 by dgreca

-Në Kuvend, një nga çështjet e debatit ishte marrëveshja për  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën kryeministri Hoti ka siguruar se nuk do rihapet dhe se zbatimi i saj do të bëhet vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës/

-Kosova ka gjithësej 38 komuna, nga 10 komunat me shumicë serbe  5  janë të reja sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së/

-Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj./

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

PRISHTINË, 18 Shtator 2020/ Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ishte në axhendën e seacës plenare të Kuvendit Kosovar, me shumë debat që u zhvillua dje deri në orët e mbrëmjes dhe do vijojë edhe sot edhe me një draft-rezolutë së paralajmëruar.

“Republika e Kosovës, e 17 Shkurtit 2008, është projekt i patjetërsueshëm, i mbrojtur nga Kushtetuta”, ka theksuar Kryeministri Hoti.

Një nga çështjet e debatit ishte marrëveshja për  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën Kryeministri ka siguruar se nuk do rihapet dhe se zbatimi i saj do të bëhet vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës Kryeministri Hoti mes tjerash tha:

“Lidhur me temën e asociacionit, qëndrimi i jonë është se kjo temë nuk hapet në dialog, pasi ka një marrëveshje të arritur për këtë më 2013, që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Përtej kësaj, ekziston marrëveshja e parimeve për asociacionin dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.

Për të gjitha temat që diskutohen në Bruksel, vlen parimi se ‘Asgjë nuk dakordohemi derisa nuk dakordohemi për të gjitha’.

Pra, asgjë nuk nënshkruhet derisa të dakordohet marrëveshja e plotë, përfundimtare, ligjërisht e obligueshme, që përfshinë njohjen reciproke.

Marrëveshja përfundimtare do të jetë marrëveshje e parimeve për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve pas njohjes reciproke.

Kjo marrëveshje nuk do të ofrojë zgjidhje kreative të çështjeve të hapura në mes të vendeve. Por, do të ofrojë zgjidhje sistematike, bazuar në konventat ndërkombëtare.

Marrëveshja nuk do të ofroje zgjidhje të përkohshme apo afatgjate, por zgjidhje të përhershme.

Ndryshe nuk do të ketë marrëveshje.”

Koordinatori Shtetëror i Kosovës në dialogun me Serbinë, Skender Hyseni pas takimit dje në Bruksel me delegacionin e Serbisë, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, deklaroi se nuk është diskutuar fare për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe delegacioni Kosovar ka refuzuar përpjekjen serbe për ta hapur këtë temë

“Natyrisht se delegacioni serb bëri përpjekje që ta hapë këtë temë, por ne e refuzuam kategorikisht”, ka theksuar Hyseni.

Para më shumë se shtatë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia  – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. Marrëveshja 15 pikëshe, në 6 pikat e para  ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në tekstin e Marrëveshjes, nën një, përcaktohej: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, nga krerët e atëhershëm të dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në raundin e 28-të të dialogut në nivel kryeministrash.

Në marrëveshje, që në fillim përcaktohet:

“Korniza ligjore

1) Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës.

2) Në bazë të Marrëveshjes së Parë, e cila njeh karakterin e tij të veçantë, Qeveria e Kosovës do të aprovojë një dekret drejtpërdrejtë të aplikueshëm, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Bashkësia/Asociacioni do të jetë entitet legal i definuar nga statuti i tij, që do të përbëhet së paku nga elementet e mëposhtme:

3) Statuti do të aprovohet nga kuvendi themelues të përbëra nga anëtarët e votuar të kuvendeve të komunave pjesëmarrëse. “

Mes tjerash, në marrëveshje, te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.

Ndërsa, te “Buxheti dhe përkrahja”  theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.   

Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.

Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.

Kosova ka gjithësej 38 komuna. Nga 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë  5  janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.

Numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas një regjistri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës për zgjedhjet lokale 2017, ishte: Mitrovicë e Veriut – 21.797,  Leposaviç – 17.747,  Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.

Filed Under: Analiza Tagged With: Asociacioni i Komunave, Behlul Jashari

A po e nxit Beogradi shpalljen e Asociacionit apo autonomisë serbe në veri Kosovës?

January 16, 2017 by dgreca

Në ditën e shtetësisë së Serbisë, më 15 shkurt, Beogradi ka paralajmëruar se do t’i inkurajojë përfaqësuesit serb të Kosovës, që të shpallin njëanshëm themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.Akti i shpalljes, do të bëhej në Mitrovicën veriore, atje ku Beogradi provoi të instalojë edhe një linjë ilegale hekurudhore që do të lidhte Serbinë me këtë pjesë të Kosovës, pa lejen dhe aprovimin e institucioneve të Kosovës.

Treni që tentoi të hynte në Mitrovicën veriore, nga Beogradi.

Treni që tentoi të hynte në Mitrovicën veriore, nga Beogradi.

Këto veprime të Beogradit, në Prishtinë po shihen jo vetëm si provokime dhe shkelje të marrëveshjeve të Brukselit, por edhe si sinjal se pjesa veriore, e nxitur nga Beogradi, mund të ndërmarr hapa të njëanshëm për më shumë autonomi dhe thellimin e distancës në raport me institucionet qendrore në Prishtinë.

Duke iu referuar aktit të paralajmëruar të shpalljes së njënashme të Asociacionit, analisti politik, Imer Mushkolaj vlerëson se caktimi i datës 15 shkurt, nuk është i rastësishëm.

Ai përmend edhe zhvillime të ngjashme në Bosnjë e Hercegovinë ku serbët e atjeshëm, kanë ndërmarrë kohët e fundit vendime në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit, duke provuar që të përafrohen sa më shumë me Serbinë.

Hapa përafërsisht të ngjashëm, ai thotë se po provojnë të ndërmarrin edhe serbët e Kosovës, sidomos ata në veri.

“Themelimi i njëanshëm i Asociacionit dhe jo themelimi i tij nga institucionet e Kosovës do të nënkuptonte që autonomia për serbët e Kosovës po realizohet dhe pastaj, fatkeqësisht, do të mund të presim edhe hapa tjerë që do të çonin në një ndarje faktike të kësaj pjese nga pjesa tjetër e Kosovës, respektivisht funksionim të pavarur të kësaj pjese në të gjitha segmentet”, tha Mushkolaj, për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, analisti dhe publicisti, Belul Beqaj, mendon se serbët e Kosovës në bashkëpunim me Beogradin patjetër që do të ndërmarrin veprime të njëanshme, sidomos në veri, pasi që qëllimi i Qeverisë së Serbisë, sipas tij, nuk është normalizimi i raporteve, por tensionimi sa më madh e gjendjes në Kosovë.

“Mund ta shpallin në mënyrë të njëanshme, sepse qëllimi është që të bëhet një shkas për konflikt. Ne tërë kohën po flasim se si po shkon procesi drejt konfliktit dhe jo drejt normalizimit”. 

“Prandaj, nëse e kemi kuptuar drejt procesin ai po tregon se orientimi nuk është për të zgjidhur problemet por për të shkaktuar aq elemente të rrezikimit të situatës e cila do të ngrit tendosjen në raportet e ndërsjella pavarësisht se çfarë qëllime ka bashkësia ndërkombëtare”, tha Beqaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, në Qeverinë e Kosovës, paralajmërimet e Beogradit për ndërmarrjen e hapave të njëanshëm për shpalljen e Asociacionit pa mbështetjen e Prishtinës zyrtare, shihen si tendenca për rikthimin e institucioneve paralele.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj i tha Radios Evropa e Lirë se vet qëllimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka qenë shuarja dhe jo formimi i organeve të reja paralele.

“Çfarëdo veprimi i njëanshëm do të konsiderohet vetëm një organizim paralel. Ne kemi struktura paralele ende dhe qëllimi kryesor i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë dhe është që të shuhen strukturat paralele. Pra, Asociacioni mund të themelohet vetëm me dekret të Qeverisë së Kosovës sipas marrëveshjes së Brukselit”, theksoi Gecaj.

Ndërkaq, analisti Ilir Ibrahimi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se Serbia ka hyrë në një proces dialogu me Kosovën për normalizim të raporteve dhe se ndërmarrja e veprimeve të njëanshme, do të kundërshtohej nga Brukseli dhe Uashingtoni.

“Marrja e një hapi në Beograd për të themeluar një institucion brenda Kosovës nuk do të pranohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ky do të ishte një hap që do ta acaronte tutje Serbinë me Bashkimin Evropian. Ky besoj që është më tepër një lloj provokimi i Serbisë, sesa ndonjë gjë tjetër”, tha Ibrahimi.

Shuarja e organeve paralele që Serbia i ka ngritur në Kosovë dhe integrimi i serbëve në jetën institucionale në Kosovë, ishin ndër temat e para të ngritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Por, kohët e fundit, autoritetet në Prishtinë thonë se Beogradi ka ndërruar tërësisht kursin politik, duke u përpjekur që t’i minojë të arriturat në këtë dialog dhe të kthej sërish politikën e organizimit paralel, institucional të serbëve brenda territorit të Kosovës.

Para se eventualisht, në Mitrovicën veriore, të shpallet njëanshëm Asociacioni serb, atje është ngritur dhe një muri, që për autoritetet në Prishtinë u kuptua muri ndarës mes jugut dhe veriut të Mitrovicës si dhe janë paralajmëruar zbatime të disa projekteve, pa miratimin dhe konsultimin me institucionet qendrore në Prishtinë.(Kortezi:Zijadin Gashi-RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: Asociacioni i Komunave, Beogradi, ne veri

KOSOVA DO DËMTOHEJ NGA ÇDO ASIMETRI PUSHTETESH

July 5, 2015 by dgreca

Mustafa: Asociacioni i Komunave, ndër temat më të vështira/
PRISHTINË, 5 Korrik/.-Çdo asimetri pushtetesh do të jetë e dëmshme për Kosovën, thekson kryeministri kosovar Isa Mustafa lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që është një nga temat e doalogut me Serbinë në Bruksel.
“Normalizimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve me Serbinë është faktor i rëndësishëm jo vetëm i të ardhmes evropiane të Kosovës por edhe i përqendrimit në zhvillimin e saj ekonomik dhe social”, shprehet sot kryeministri Mustafa, ndërsa shton se, “akoma mbeten shumë çështje të cilat duhet të dialogohen”.
“Jemi në proces të nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, të përmbylljes së plotësimit të kushteve për liberalizim të vizave dhe kemi nevojë për tërheqje të investimeve të jashtme dhe kapitalit të jashtëm për zhvillim ekonomik. Të gjitha këto dhe shumë procese tjera kushtëzohen me stabilitetin e brendshëm dhe me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thekson kryeministri kosovar.
Ai vijon se, “Asociacioni i Komunave po vërtetohet se është ndër temat më të vështira. Delegacioni i Kosovës u tregua korrekt dhe konstruktiv, për të gjetur zgjidhje brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të vendit tonë. Në anën tjetër pala serbe ishte insistuese që asociacioni të kryejë disa punë të pushtetit qendror dhe atij lokal, kurse njerëzit që kryejnë këto punë të kenë cilësinë e punonjësve shtetërorë”.
“Çdo zgjidhje e cila, pa marrë parasysh formën, do të krijonte në realitet asimetri pushtetesh jo vetëm që do të jetë e dëmshme për Kosovën por edhe për miqtë tanë që na kanë ndihmuar në ndërtimin demokratik dhe institucional, sepse do të prodhohej një sistem jofunksional dhe joperspektiv, i cili do të na shtyj që me dekada të merremi me vetveten”, shkruan Mustafa.
“Ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhjen më të mirë e cila ndihmon në integrimin e serbëve dhe u krijon atyre hapësirë zhvillimore dhe perspektivë jete, sikurse edhe të gjithë qytetarëve të tjerë të vendit tonë. Jemi të gatshëm që të shpenzojmë edhe shumë kohë e energji për zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme, e cila do të krijoj stabilitet për vendin tonë, stabilitet regjional dhe perspektivë evropiane. Zgjidhjet e tilla nuk janë ideale, ato janë të rënda sidomos për ata që negociojnë dhe duhet të marrin vendime, por këto zgjidhje e lehtësojnë jetën tone”, përfundon kryeministri i Kosovës në një postim sot në ‘Facebook’./B.Jashari/

Filed Under: Kronike Tagged With: Asociacioni i Komunave, Mustafa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT