Nga Astrit LULUSHI-Të majtët në Shqipëri janë gjenetikisht të lidhur me bindjet e tyre; të papërgjegjshëm të pandreqshëm; aq sa deklarojnë se janë të majtë sepse zemra është në krahun e majtë. Sipas arsyetimit të tyre, të gjithë njerëzit duhet të jenë të majtë dhe i gjithë vendi duhet të qeveriset vetëm nga partia e tyre; 30 vjet pas dështimit, mendjen e kanë të fiksuar në propagandë, dhe veset i shesin për virtyte.Nostalgjia e tyre duket se është maskë për zemërimin e panjohur, atëherë kur ishin të vetëdijshëm për të mos njohur mundimet e jashtëzakonshme dhe nuk vlerësonin sesa rëndë punonin të tjerët për të mbijetuar dhe për t’u ruajtur nga tmerret e luftës së klasave me viktima të shumëfishta gjatë rrugës. Shpesh kanë tendencë të shohin larg prapa – dhe të mohojmë mjerimin e plotë, zhgënjimin dhe tragjedinë shoqëruar me versionin e idealizuar, romantizues servirur nëpërmjet kalemxhinjëve të ulur në sofër me djallin.Ashtu siç është shkruar historia – nga fitimtarët – kështu edhe kujtimet e asaj periudhe të sëmurë psiqikisht duhen shkruar nga ata që i mbijetuan gjendjes së frikës. Prandaj dëshira/ ambicia për të shkruar për atë kohë bëhet nxitëse për të përcaktuar historinë e jetës së atyre që vetë nuk mund ta përcaktojnë. Mësimi krijon kohën për të shkruar, kur, dhe si të shkruash.Asnjëherë nuk duhet menduar se duhet pasur ndonjë dhuratë e veçantë për shkrime a poezi; në fillim të gjitha u ngjajnë kumtesave. Sidoqoftë, del të jetë një shans më i mirë sesa ëndrra tjetër (kthimi në një parti, në një gjithçka). Leximi i gjerë është përgatitja më e mirë; kur mëson të lexosh, mëson të tjerët të shkruajnë.Një mënyrë për të menduar është të mendosh për të gjithë ata që kanë linja faji; dhe një shtresë gjeologjike faji të mos hapet kurrë të shkatërrojë të tjerët. Ne të gjithë kemi linja gabimesh emocionale, disa prej të cilave vijnë përmes gjeneve, dhe disa përmes përvojave tona; ndonjëherë ato luhaten e zhvendosen dhe shkaktojnë një trazim përbrenda që e bëjnë jetën më të vështirë, sidomos në një vend ku cilësitë parësore konsiderohen të jenë dhuna, arroganca, vulgariteti, korrupsioni, mendjemadhësia e lakmia, dhe ku maxhoranca (bolshevizmi) mendon se mund t’i mashtrojë përsëri të gjithë nëse reklamimi është i duhur.
Botë e trashëgimi
Nga Astrit LULUSHI- Njeriu i uritur gërmon në fushën e plehrave për të gjerur diçka me vlerë për ta këmbyer pastaj me diçka tjetër për të mbijetuar. Një historian a arkeolog bën të njëjtën gjë duke gërmuar edhe ai për të siguruar mbijetesën e kombit të vet, duke nxjerrë ato që të tjerët i kanë hedhur pasi i kane shtrudhur, ose që janë mbuluar nga koha. Shumë gjëra zbulohen dhe po aq të tjera harrohen; sapo zbulohen, mbulohen me pluhur e dikush tjetër e rizbulon. Hedhurinat e njërit, janë thesar i tjetrit. Kështu bota hynë në procesin e kompleksitetit. Njeriu mbetet gjithmonë në kërkim të identitetit, ushqimit për të shuar urinë, ose për të gjetur trashëgiminë e tij. Një vend i ri nuk ka asgjë të vjetër, sepse e kaluara është ajo që mbetet nga konsumimi i sotëm, dhe 100 vjet me kohën tonë, janë sa një minutë në historinë e Botës. Marrim për shembull Napoleon Bonopartin, arbëresh me prejardhje, themi ne (kemi ndonjë shtatore për t’a nderuar?), por francez i përkushtuar vdiq, thotë bota. Dhe është Franca që e nderon.Në 1805, Napoleoni përdori lumin Seine si bazë për adresat e rrugëve të Parisit, një sistem që është ende sot. Numrat fillojnë në pikën më të afërt me lumin dhe rriten ndërsa largohen – numrat çift në të djathtë, numra tek në të majtë. Për rrugët paralel me lumin, numrat bëhen më të lartë ndërsa ndjekin rrjedhën perëndimore. Pavarësisht nëse janë të vetëdijshëm për të apo jo, parizianët ende përdorin lumin si udhëzues në qytet. Seina është busulla e tyre. Ata e dinë se ku shkojnë ose nuk shkojnë, falë Seines. Nëse ndjekin lumin, nuk humbasin kurrë.Pas tërheqjes nga Rusia, Napoleoni fitoi një nga betejat e tij të fundit në 1814 aty ku lumi Yonne derdhet në Seine. Një statujë bronzi e Napoleonit mbi kalë qëndron në pikën ku dy lumenjtë takohen, dhe janë gdhendur këto fjalë: “Mos u shqetësoni, miqtë e mi. Plumbi që do të më vrasë nuk është derdhur ende”.Britanikët e pushtuan Parisin disa javë më vonë, dhe Napoleoni u detyrua të nënshkruajë Traktatin e Fontainebleau, duke i dhënë fund sundimit si perandor i Francës.Me humbjen në Waterloo në 1815 pas një kthimi të shkurtër në pushtet, Napoleoni u tërhoq në Chateau de Malmaison, vendbanimi i tij i fundit në Francë, afër Seines, para mërgimit në ishullin e Shën Helenës, në Atlantikun Jugor. Gjashtë vjet më vonë, ndërsa ishte duke vdekur, ai shtoi një paragraf në testamentin e tij duke thënë se donte të varrosej pranë lumit Seine. Britanikët ia mohuan kërkesën, dhe Napoleoni u varros më shumë se 5 mijē km larg, në ishillin Shën Helenë. Erërat politike ndryshuan dhe në vitin 1840, dhe eshtrat e Napoleonit u dërguan në Paris përgjatë Seines. Trupi i tij u vendos për homazhe në një sarkofag të kuq në Les Invalides, ku janë gdhendur këto fjalë: “Dëshiroj që trupi im të pushojë në brigjet e Seine midis popullit të Francës, të cilin e desha aq shumë.” (15 gusht 1769 – 5 maj 1821)
Të shkruarit
Nga Astrit Lulushi-Të shkruash është lehtë, do të thotë dikush, mjafton një laps dhe një copë letër, ose vetëm një iPad. Por, jo!…Deri këtu ke bërë gjysmën e rrugës. Më tej, nëse ke pasion, mënyra do të ndjekë.
Rruga për në ferr është e shtruar me ndajfolje, thotë autori Stephen King. Ato janë si luleradhiqe që duken të bukura dhe të veçanta. Nëse shihni një dhe nuk arrini ta shkulni, 5 të tjera do të gjeni të nesërmen…15 të pasnesërmen dhe pas kësaj …vendi është plotësisht i mbuluar me përvojë të keqe me luleradhiqe; derisa sa t’i dalloni për barëra të këqija, që janë në të vërtetë, është shumë vonë.
A janë ndajfoljet që shtrojnë rrugën e ferrit? Jo domosdoshmërisht, por janë modifikuese, kështu që nëse zgjidhni fjalë me më shumë fuqi nuk do të keni nevojë për ndajfolje për t’u shprehur. Për të fituar zërin tënd, harro që ta dëgjosh atë, thotë poeti Allen Ginsberg.
Disa shkrimtarë janë të shtyrë më shumë nga nevoja për të shkruar, sesa nga ndonjë pretendim për famë. Nëse vërtet e doni shkrimin, do ta bëni edhe nëse dikush do ta lexojë ose jo. Sigurisht, botimi do të ishte akoma më mirë.
Asnjë fjalë kot. Kjo ka qenë një pikë kryesore e mendimit letrar gjatë gjithë gjithë krijimtarisë së Hunter S. Thompson, themelues i zhanrit “Gonzo’ (çmenduri). Stili i tij i të shkruarit ishte shumë i përmbledhur; shkrimi dhe autori bëhet një; çdo fjalë (jo vetëm e shkruar) duhet të ketë peshën e vet. Përndryshe, fshijeni.
Ne jemi të gjithë nxënës në një zanat ku askush nuk bëhet mjeshtër, thoshte Ernest Hemingway. Nëse edhe Hemingway pranon se nuk e zotëron aftësinë e të shkruarit, atëherë cili është qëllimi? Vazhdoni të mësoni. Vazhdoni të kërkoni. Kurrë nuk do të dini gjithçka që duhet të dini për të shkruarit, por kjo është arsyeja pse është magjike.
Çdo sekret i shpirtit të një shkrimtari, çdo përvojë e jetës së tij, çdo cilësi e mendjes së tij, është e shkruar në veprat e tij, thotë Virginia Woolf; dhe duhet të futni pak autobiografi në gjithçka që shkruani. Kjo është ajo që e bën punën tuaj unike dhe të vlefshme.
Për shkrimtarin e lindur, asgjë nuk është aq shëruese sa kur gjen fjalën e duhur, thotë Catherine Drinker Brown, e njohur për biografitë e saj. Dhe asgjë nuk është aq qetësuese sa të gjesh rrjedhën tënde dhe të shkruash prozë pothuajse të përsosur.
Nuk ka agoni më të madhe sesa të bartësh pa leje një histori brenda teje, shkruan poetja Maya Angelou. Shkrimi është terapi, dhe Angelou do ta dinte këtë më mirë se pothuajse kushdo. Kjo fjali është marrë nga autobiografia e saj –
“Unë e di pse Zogu këndon;
Flet për tregimet e fuqishme.
Mos kini frikë të derdhni emocionet tuaj në letër.”
Ne të gjithë jemi kuriozë për atë që mund të na dëmtojë, thotë Frederico Garcia Lorca. Shkruani për atë që ju frikëson. Thjesht mund të ndihmojë dikë tjetër. Dhe nëse tingëllon si shkrim, unë e rishkruaj, thotë Elmore Leonard. Tregimi është ritëm e këngë që rrjedh. Jo aq lirshëm sa një këngë, por më pak i shpenguar sesa një libër shkollor. Diku diku aty gjendet individualiteti ynë. Ne nuk do t’i themi mësuesit për disa rregulla që hedhim nga dritarja.
Botë iluzion
NGA ASTRIT LULUSHI-Ishte Botë e bukur atëkohë – thonë nostalgjikët – botë që nuk e kanë njohur, sepse flinin nën dafina a mbuloheshin me lavditë e prindërve – ata janë të vetëdijshëm me dhimbje (e vetmja dhimbje) për distancën e tyre prej saj dhe për shpresën e shpresës për ta dëshiruar përsëri. Por shumë të tjerë nuk janë aq të sigurt se do t’a donin edhe një herë atë botë tejet të lodhshme. Vështirë se do të dëshironin të zhyteshin në pasiguritë e jetës së periudhës nënkomunizëm. Në një ekonomi të pamjaftueshme, uria ishte e pashmangshme. Në një politikë vëllavrasëse, lufta e klasave ishte e pandalshme. Në mungesë të njohurive të vërteta shkencore nuk kishte mbrojtje ndaj viruseve e ideve të reja, përveçse me mjete drastike (policë e izolim).Si në kohën e mesjetës, ku luftërat ishin operacione të vogla – ushtri të vogla, armë të thjeshta – fushat e betejave ishin vende të tëra dhe rrënimi ishte mjaft mizor. Njerëzit nuk mund të mos dridhen nga ashpërsia e sistemit policor të asaj kohe, siç dridhen gjithashtu nga faji dhe terrori i futur në psikikë në emër të një ideje të zbritur nga malet; është thjesht iluzion i krijuar nga poetë romantikë e shkrimtarë të komunizmit të gjysmës së dytë së shekullit XX, që mendonin se mund të merrnin të mirën e një bote dhe të linin jashtë të këqijat e saj.
KUVEND
Nga Astrit Lulushi/
Majtas dhe djathtas sjellin në mendje më shumë spektrin politik sesa drejtimet e rrugëve. Politika ka hyrë në çdo qelizë tonën, është bërë pjesë e saj. Nuk dihet se kur, por koha është kapur dhe si çdo gjë që zotëron, njeriu e vë atë në shërbim të vetes.
Por, si hyri politika mes nesh? Për të na bashkuar, tha, por na përçau. Pse liberalët quhen të majtë dhe konservatorët, të djathtë?
Historitë e origjinës gjithmonë janë tërheqëse, por me kohën e shpërdorur ato edhe ndryshojnë, psh., liberali i djeshëm është konservatori i sotëm. Përsëri dyshoni?
Historia e së majtës dhe të djathtës në politikë rezulton të jetë e veçantë, ku e majta u referohet njerëzve dhe partive që kanë pikëpamje liberale. Kjo në përgjithësi do të thotë se ata mbështesin reforma progresive, që veçanërisht kërkojnë barazi më të madhe shoqërore dhe ekonomike. E majta përdoret edhe për njerëz me pikëpamje më ekstreme, siç është komunizmi dhe socializmi-ështē barazia ideale që këta synojnë, por është provuar e pamundur, utopike.
Fjala e djathtë, në të kundërt, i referohet njerëzve ose grupeve që kanë pikëpamje konservatore. Kjo zakonisht do të thotë se ata janë të predispozuar për të ruajtur kushtet dhe institucionet ekzistuese, ose duan të rivendosin ato tradicionale. E djathta ekstreme shpesh përdoret për pikëpamjet nacionaliste, përfshirë fashizmin dhe disa ideologji shtypëse, që në fakt e kanë origjinën më shumë në të majtën, e cila armë të fortë ka propagandën për të ndryshuar çdo ngjyrë.
Origjina e të majtës dhe të djathtës politike lidhet me udhëdrejtimet fizike. Majtas dhe djathtas tregojnë pozicionet ku përfaqësuesit u ulën fillimisht në Asamblenë Kombëtare Franceze të vitit 1789, parlament i formuar pas Revolucionit Francez. Në krahun e djathtë të kryetarit të këtij kuvendi, u ul fisnikëria dhe udhëheqësit më të lartë fetarë. Në të majtë zunë vend përfaqësuesit e thjeshtë dhe klerikët më pak të fuqishëm. Ana e djathtë mbronte aristokracinë; ana e majtë ishte pro shtresës së mesme. Përfaqësuesit e moderuar u ulën në qendër. Ata ishin konstitucionalistët. Të pavarurit zunë vend në qendër të këtij spektri. Normalisht, Kryetari nuk duhej t’i përkiste asnjërës anë.
Më 1946, në Shqipëri, Kuvendi u shkëput nga kjo traditë parlamentare. Gjithë vendi “votoi” majtas. Kjo traditë me një spektër të majtë vazhdon. Sikur të paktën t’u kishte ngjarë kuvendeve të kohërave kur nuk kishte ende shtet dhe anë – sot ngjarjet në parlamentin “tonë” nuk do të shiheshin si shfaqje për të qeshur nga ata që s’revoltohen.
- « Previous Page
- 1
- …
- 49
- 50
- 51
- 52
- 53
- …
- 102
- Next Page »