Nga Astrit Lulushi/
Njeriu ka shumë nevoja ose nevojë pêr shumë gjëra, që nëse do të ndaheshin, mirëqenia do të arrihej më lehtë dhe përqëndrimi do të ishte më i saktë drejt objektivit.Ka nevoja të natyrshme, që lindin me njeriun, dhe kur nuk përmbushen, prodhojnë dhimbje – siç janë ushqimi dhe veshja, nevoja të cilat lehtë mund të plotësohen.Ka pastaj nevoja të cilat, megjithëse të natyrshme, nuk janë të domosdoshme, siç është kënaqësia e disa prej shqisave. Këto janë nevojat më të vështira për tu përmbushur.Por ka nevoja që nuk janë as natyrore dhe as të domosdoshme, nevoja të luksit dhe lakmisë, dukjes dhe shkëlqimit, të cilat kurrë nuk përfundojnë, këto janë shumë të vështira për t’u kënaqur.Eshtë e vështirë, nëse jo e pamundur, të përcaktosh kufijtë e dëshirës për pasuri – sepse nuk ka pasuri që mund t’a kënaqë njeriun – sasia është gjithmonë relative, është e pamundur të ruhet proporcioni midis asaj që dëshiron dhe asaj që merr; sepse matja e lumturisë vetëm me atë që merr është aq e kotë sa të provosh të shprehësh një thysë me numërues, por pa emërues.Një njeri nuk e ndjen humbjen e gjërave me të cilat nuk ndeshet kurrë, ai është po aq i lumtur pa to; ndërsa një tjetër, i cili mund të ketë njëqind herë më shumë, ndihet i mjerë sepse nuk arrin të marrë një gjë që dëshiron. Çdo njeri që ka një horizont të vetin pret të arrijë aq sa mendon se është e mundur. Nëse një objekt duket brenda horizontit të tij, ai me besim mund të konsideronte marrjen e tij, dhe është i lumtur; por nëse i dalin vështirësi përpara, ai dëshpërohet. Ajo që qëndron përtej horizontit nuk ka asnjë efekt mbi të – -pra, pronat e mëdha të të pasurve nuk i ngacmojnë të varfërit, dhe anasjelltas, njeriu i pasur nuk ngushëllohet nga pasuria për mosrealizimin e shpresave të tij. Pasuria është si uji i detit; sa më shumë të pish më i etur bëhesh; e njëjta gjë është e vërtetë për famën.Humbja e një gjëje me vlerë shënon edhe fundin e pikëllimit, sepse sa më shpejt që fati zvogëlon shumën e pasurisë menjëherë zvogëlon edhe shumën e kërkesave; kur vjen fatkeqësia, njeriu ul sasinë e pretendimeve sepse është pikërisht ajo që është më e dhimbshme; pas kësaj, dhimbja bëhet gjithnjë e më e pakët dhe nuk ndjehet më; si një plagë e vjetër që mbyllet. Në të kundërt, kur një fat i mirë na bie, pretendimet tona rriten, dhe në këtë ndjenjë ekspansioni, qëndron kënaqësia. Por kjo nuk zgjat më shumë se vetë procesi, dhe kur zgjerimi është i plotë, kënaqësia merr fund; kërkesat tashmë janë përmbushur, dhe rrjedhimisht njeriu bëhet indiferent ndaj sasisë së pasurisë që i kënaq ato. Ka një fragment tek Odyssey që ilustron këtë të vërtetë:“…mendimet e njeriut janë si dita e dhënë nga perëndia; pakënaqësia buron nga një përpjekje e vazhdueshme për të rritur sasinë e kërkesave tona, kur ne jemi të pafuqishëm për të rritur sasinë që do t’i kënaqë ato”.Njeriu ka shumë nevoja, tek ato bazohet e gjithë ekzistenca e tij, prandaj nuk është për t’u habitur që pasuria zë vendin kryesor, por jo se është nderi më i madh se çdo gjë tjetër në botë – ashtu si diçka që nuk sjell fitim, nuk bën që përfitimi të jetë i vetmi qëllim për jetë më të mirë. Njeriu që ka lindur në pozitë pasurie, e shikon pasurinë si diçka pa të cilën nuk mund të jetojë më shumë se sa mund të jetojë pa ajër; Por njeriu që ka lindur në një pozitë të dobët e shikon atë si të natyrëshme dhe nëse në ndonjë rast bëhet i pasur, e konsideron pasurinë si një tepricë, si diçka që duhet të shijohet ose tretet, sepse, nëse e humbet, ai mund të fillojë ashtu si dhe më parë, me një ankth më pak; ose, siç thotë Shekspiri;“Nëse jeni mbret, ku është kurora juaj? – Kurora ime është në zemrën time, jo mbi kokën time; Kurora ime quhet përmbajtje, të cilës mbretërit rrallë i gëzohen.”
Ilirë e pasardhës
Shkruan: Astrit Lulushi/
Shqiptarët besojnë se janë pasardhësit e ilirëve, ose të paktën janë të vetmit sot që kanë ruajtur aspekte të shumta të kulturës antike ilire. Kjo tezë lindi gjatë mesit të shekullit XIX dhe mbrohet me pasion prej tyre. Disa mund t’a konsiderojnë këtë edhe si nacionalizëm bazuar në histori, ku një kulturë moderne përpiqet të lidhet me një kulturë nga e kaluara për t’i dhënë vetes një ndikim më të madh në aspekt shoqëror.Pjesa më e rëndësishme e provave është gjuha. Vetëm disa emra dhe fjalë të izoluara të fjalorit nga gjuha e lashtë ilire kanë mbijetuar deri në ditët e sotme. Disa pyesin nëse ndonjë gjurmë e kësaj gjuhe të vjetër mund të gjendet akoma në gjuhët moderne, siç është shqipja.Lidhja midis gjuhëve ilirishte dhe shqipe mbetet e përgjithēshme, kjo edhe për faktin se studimet rreth saj nga vendasit kanë ngecur, por edhe sepse tregohen mospërfillës ndaj vulgarizimit të shqipes, veçanërisht nga zyrtarë e politikanë të cilët tregojnë me këtë se nuk dinë as gjuhë e as politikë. Shqiptarët, sot të shquar për kundërshtim ndaj ndryshimeve, në të kaluarën kanë qenë të gatshëm për ndryshim të emrit, fesë e zakoneve të tyre, dhe kur ua do rasti thonë se pushtuesit i detyruan. A mos vallë asnjë popull në botë nuk ka qenë i pushtuar ndonjëherë?E vërteta mund të jetë se banorët u zhvendosën ose ikën dhe pushtuesi e mbushi vendin me të tjerë të bindur, u dha toka, ofiqe e çifliqe, u dha pushtet, dhe askush nuk mbeti i papërlyer për të treguar se si ndodhi. Ata që kishin ikur, trashëgimtarët e vërtetë, gjithnjë me mendje tek atdheu, dërgonin ide për rilindje, të cilat nuk pērfilleshin e përçmoheshin brenda vendit. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në planet që ka sa patriotë aq edhe tradhëtarë dhe statusi i tyre ndryshon në varësi të regjimit. Edhe një naiv mund t’a kuptojë se kjo është e njëjta politikë, ku sunduesi edhe pse ikën, lë pas njerëz të tij, për të treguar se pa atë vendi nuk bëhet.Gjuha shqipe, siç njihet sot, u dokumentua për herë të parë vetëm në shekullin XIV – XV, dhe që nga ajo kohë (duke u bërë edhe emër i kombit), ka pësuar ndryshime. Shqipja pa dyshim që ka fjalë të huazuara nga gjuhë të tjera, por ka edhe fjalë bumerang, që i ka hedhur dhe pastaj i janë kthyer si huazime. Disa emra personalë mund të pasqyrojnë një origjinë ilire. Për shembull, emri Bardyllis, një nga më të famshmit e mbretërve ilirë, është ruajtur në emrin modern shqiptar Bardhyl, ‘yll i bardhë’ – a është kjo dëshmi se shqipja është pasardhëse e vërtetë e ilirishtes, apo shqiptarët thjesht përvetësuan një emër të huaj? Një lule a dy nuk sjellin pranverë.Një tjetër pikë konflikti është gjenetika. Kritikët e idesë se shqiptarët janë ilirë shprehen se shqiptarët nuk kanë lidhje gjenetike me ilirët. Në fund të fundit, ilirët jetuan dy mijë vjet më parë, dhe midis asaj kohe dhe tani, shumë kultura të tjera u zhvendosën në zonë: grekë, romakë, gotë, gjermanë, hunë, sllavë, turq, etj. Pa dyshim, pastërtia e një grupi gjenesh 100 përqind ilire është kompromentuar në mënyrë thelbësore nga prania e kaq shumë njerëzve që migruan në zonë gjatë njëzet shekujve. Dhe nëse do të merrej një mostër ADN-je shqipe do të tregonte një përzierje me greqishte, latinishte, sllavishte, turqishte etj. Është e vështirë të shprehet një mendim për një temë kaq të diskutueshme, prandaj mendohet se kjo polemikë ekziston më shumë për arsye politike. Provat gjenetike kanë treguar se gjetja e një gjeni të pastër ilir është e pamundur, po ashtu edhe provat gjuhësore janë skicuese. Pra, pretendimet e kulturave moderne për një lidhje ilire janë të pasigurta, siç janë edhe provat me anë legjendash.Pavarësisht sa u tha, të gjitha të dhënat sugjerojnë se ilirët erdhën nga Anatolia, migruan në Evropën Jugore gjatë epokës së hershme të bronzit (3000 pes), pastaj u kthyen në Anatolia, ku krijuan Trojën, dhe erdhën përsëri në Europë si trojanë të mundur a refugjatë lufte.Para kësaj një kulturë para-indo-evropiane duhet të ketë ekzistuar. Cilët ishin këta njerëz që kishin jetuar në atë që do të bëhej Iliria? Për fat të keq, nuk dihet as se si e quanin veten ose tokën në të cilën jetuan pasi ata nuk lanë asnjë shkrim, gjuha e tyre nuk njihet. Dëshmia e vetme për një kulturë të veçantë që ekzistonte në këtë zonë para Ilirëve vjen nga arkeologjia, dhe të dhënat sugjerojnë se ajo ishte pellazge.
Mite të origjinës
Nga Astrit Lulushi/Mitet e origjinës janë histori të krijimit. Çdo popull e ka një të tillë. Ilirët kanë tre mite se nga kanë ardhur, por fatkeqësisht asnjë nuk është shkruar nga vetë ata. Të dhënat e vetme për origjinën e tyre vijnë nga kultura të tjera. Përveç rrëfimit të Homerit që i lidh Ilirët me Trojanët, aktualisht ekzistojnë vetëm dy histori që shpjegojnë se nga kanë ardhur ilirët, dhe të dyja bazohen në referenca mitologjike.Historia e parë vjen nga historiani grek Pseudo-Apollodorus, i cili në librin e tij me përmbledhje mitesh dhe legjendash të ndryshme, thotë se krijimi i Ilirisë ndodhi për shkak të heroit mitik Kadmus, një princ fenikas, rreth vitit 2.000 pes. Në tregimin e Pseudo- Apollodorus, perëndia Zeus rrëmbeu motrën e Kadmusit, Europën, dhe Kadmusi u nis për ta gjetur, duke marrë me vete edhe gruan e tij Harmonian. Ishte Kadmusi që prezantoi alfabetin te grekët (alfabeti grek bazohet disi në alfabetin fenikas), dhe gjithashtu themeloi qytetin e Tebës. Kadmus dhe gruaja e tij u larguan nga Teba, duke vazhduar kërkimin për Europën dhe hynë në tokën e një populli të njohur si Enkeleas, të cilët ishin në luftë me Ilirët (në këtë përrallë ilirët ekzistonin). Një prej perëndive përmes një orakulli u tha enkeleansve se do t’i mposhtin ilirët nëse bënin Kadmusin dhe Harmonian udhëheqësit e tyre. Encheleansit iu bindën orakullit dhe Ilirët u mundën. Kadmusi u bë mbret edhe i ilirëve, dhe kur u bë me djalë, ia vuri emrin Illyrius, për të përkujtuar fitoren e tij. Sidoqoftë, legjenda përfundon në tragjedi, sepse Zeusi i ktheu Harmonian dhe Illyrius në gjarpërinj dhe i dëboi nga bota e të gjallëve.Miti i dytë mbi origjinën e Ilirëve vjen nga historiani romak Appianus i Aleksandrisë, i cili jetoi në Egjiptin e kontrolluar nga Romakët nga viti 95 deri në 165. Sipas Appianit, rajoni u emërua pas Ilirit, i cili ishte djali i Polifemit, ciklop nga Odyssey. Për më tepër, ai shprehet se Polyphemi dhe gruaja e tij kishin tre djem të quajtur Celtus, Galus dhe Illyrius, dhe se Keltët Britanikë, Keltët Galë dhe Ilirët kanë prejardhje nga këta tre djem. Appiani shprehet më tej se Iliri kishte shumë fëmijë, të cilët krijuan fiset e ndryshme ilire. Appiani komenton se midis shumë tregimeve që ai ka dëgjuar në lidhje me origjinën e ilirëve, kjo duket më e besueshme. Kjo thënie lë të kuptohet se në të kaluarën kishte shumë histori që kishin të bënin me mënyrën sesi u shfaqën ilirët, dhe me përjashtim të përrallave legjendare të Pseudo-Apollodorit dhe Appianit, të gjitha fatkeqësisht kanë humbur.Siç u tha më herët në legjendën e Pseudo-Apollodorit, Zeusi e ktheu Ilirin në gjarpër. Duke konsideruar këtë si një lloj sugjerimi, gjuhëtarët modernë janë përpjekur të lidhin fjalën “Iliria” me gjarpërinjtë dhe për çudi, ata kanë dalë me disa gjetje interesante. Gjarpërinjtë ishin mjaft të spikatur në fenë ilire, dhe gjuha e ilire ishte pjesë e familjes indoevropiane. Mitografi gjerman Otto Gruppe, ishte i mendimit se fjala “Iliri” duket e ngjashme me fjalën greke ‘illo’, që do të thotë “lëvizje rrëshqitëse’, si ‘ngjalë’. Gjuhëtari slloven Karel Ostir zbuloi se Hitejtë e lashtë, të cilët flisnin një gjuhë shumë arkaike indoevropiane, e quanin një gjarpër të madh mitik Ilurjanka. Sipas historisë së Betejës së Kadeshit, midis Egjiptianëve dhe Hitejve në 1286 pes, një fis ilir i quajtur Dardan luftoi në anën e Hitejve, gjë që shton më tej peshën e idesë se Ilirët dhe Hitejtë e Anadollit antik ishin disi të lidhur. Sidoqoftë, jo të gjithë studiuesit janë të bindur se emri “Ilir” mund të shpjegohet me gjarpërinjtë. Julius Porkorny thoshte se emri “Ilir” vjen nga lumi Iller, i cili është një degë e Danubit; pra, ilirët ishin “njerëzit e Illerit”. Një tjetër hipotezë vjen nga studimi i gjuhës shqipe. Arkeologu kroat Ćiro Truhelka sugjeroi se emri mund të jetë i lidhur me fjalën shqipe ‘ilir’, që do të thotë ‘i lirë’; kështu Iliria do të thoshtë “tokë e njerëzve të lirë”. Pikërisht atëherë kur doli kjo ide, rreth vitit 1950, zuri fill në Shqipëri edhe përdorimi i emrit të përveçëm ‘Ilir’.Por ka të tjerë që besojnë se fjala Ilir nuk ka lidhje me asnjë gjuhë indo-evropiane dhe se mund të jetë një isogloss para-ilir apo fjalë pellazge.
Mbi Ilirët
Nga Astrit LULUSHI/
Një popull paraardhës duhet të ketë lënë pasardhës, por sot është shpërndarë e përhapur aq shumë sa vështirë të mblidhen e dallohen – – edhe emri nuk i gjendet. Shembulli më i mirë janë Ilirët – Cilët ishin? Çfarë bënë? Ku janë? Zanafilla e tyre është mitologjike. Por a nuk janë kështu të gjitha të dhënat rreth popujve të tjerë?Në Iliada, Homeri jep disa informacione mitologjike gjenealogjike që lidhin Trojanët me Ilirët. Sipas tij, Enea mburrej me prindërit e tij, duke thënë se ai është pasardhës i vetë Zeusit. Homeri thotë se Dardani, themeluesi legjendar i fisit Dardan, ishte djalë i Zeusit, dhe ishte Dardani ai që themeloi qytetin e Dardanisë. Djali i Dardanit nga ana e tij lindi një djalë që u quajt Tros, pas të cilit u emëruan venbanimet e Trojës. Tros lindi një djalë me emrin Ilus, pas të cilit u emërua kryeqyteti i trojanëve. Bazuar në këtë emër, poema e Homerit mbi luftën e Trojës u quajt Iliada.Autorë të tjerë si Virgili, Apollodorus, Diodorus Siculus dhe Dionysius i Halicarnassus japin detaje shtesë; se Dardani ishte fëmija i Zeusit dhe Elektrës, e bija e Atlasit. Virgili thotë se Dardani kishte ardhur nga Italia, ndërsa Apollodori thotë se ai erdhi nga ishulli i Samothrakës, dhe Dionysius thotë se erdhi nga Arcadia. Pavarësisht nga origjina e saktë, në dokumentet antike thuhet se Dardani erdhi nga diku në perëndim dhe zbarkoi në mbretërinë anatoliane në veri-lindje të Teucria. Kur Dardani mbërriti, ai fillimisht u mirëprit nga mbreti Teucer, i cili e lejoi të martohej me vajzën e tij, dhe të krijonte një vendbanim në malin Ida. Ky vendbanim u quajt Dardania. Pasi sundoi mbi qytetin e tij të vogël vetëm për një kohë të shkurtër, Dardani dhe ndjekjësit e tij shpejt morën nën kontroll tërë mbretërinë e Teucrias dhe e quajtën atë Dardani. Dardani bëri luftë kundër fqinjëve dhe pushtoi tokat e tyre. Ai pati shumë fëmijë, mes tyre një djalë të quajtur Erichthoni (ka mundësi të jetë i lidhur me një “shkundje” etimologji të tjera folklorike përfshijnë “grindje” + chthon, “tokë ), djali i të cilit u quajt Tros, i cili mori nën kontroll mbretërinë e Dardanisë dhe i vuri emrin Troad pas vetes, ndërsa kryeqytetin teucrian e quajti “Trojë”. Djali i Tros u quajt Ilus, emri i të cilit frymëzoi emrin alternativ të Trojës, Ilios. Kështu pra sipas gjenealogjisë mitike që jep Homeri, paraardhësit e ilirëve zunë fill në Europë, migruan në Anadoll, u shndërruan në Trojanë, dhe më pas migruan përsëri në Evropë pas rënies së Trojës për ta rilindur atë.
Europa trojane
Nga Astrit Lulushi/
Flitet sot rreth të kaluarës, por në të shkuarën e shkuarës jo të gjithë mendojnë. Me imagjinatë ajo mund të vizitohet, dhe në një farë mënyre njeriu kupton se e kaluara tepër e largët jo vetëm që nuk është shuar, por në fakt është baza të asaj që sot quhet histori e dokumentuar.
Edhe pse të shkruarit në përgjithësi nuk ekzistonte, kujtesa e asaj që kishte ndodhur, u shpërnda brez pas brezi me përralla e këngë rapsodësh endacakë që përzienin çudira e trillime me faktet e kohës së tyre.
Pastaj, kur koha mori formë, e kaluara e afërt dhe e largët u përballën të hutuara; këngët u mbushën me gjigantë përrallorë e heronj legjendarë dhe u përfshinë në përpjekjet e të gjithë kombeve për të bërë historitë e veta. Nga ky akumulim i ngadaltë i loreve tradicionale dolën legjenda aq interesante sa që u përfshinë në trashëgimitë më të çmuara të popujve, pavarësisht sa të vërteta të ishin. Shumë nga këto histori ishin tepër të lashta edhe për vetë Homerin dhe Hesiodin, të cilët u dhanë atyre një formë gjithëpërfshirëse. Këta autorë u kthyen thellë në kohën primitive të folklorit dhe në vendet e largëta – Egjipt, Babiloni, Kretë, Palestinë dhe gjetkë – duke i sjellë legjendat në kohën e tyre të ngarkuara me përvojë së distiluar.
Bota klasike u edukua me Homerin, bashkëkohësit e Aristotelit kaluan Hellespontin – tani Dardenelet – gjatë rrugës për të luftuar persianët. Aleksandri e pa fushën e Luftës së Trojës si tokë të shenjtë, dhe hodhi valle lakuriq rreth varrit të Akilit – siç bëri romaku Karakalla, i cili e përsëriti këtë shfaqje dhe e imagjinoi veten se ishte Akili. Edhe Jul Cezari, kur kaloi nëpër fushat e Trojës antike, bëri homazhe para rrënojave të saj dhe iu fal perëndive. Shekuj më vonë, Kostandini mendoi të ndërtonte kryeqytetin e ri të Perandorisë lindore Romake në vendin ku dikur shtrihej Troja, por pastaj vendosi të zgjedhë qytetin e fortifikuar të Bizantit si kryeqytet dhe i vuri emrin e tij.
Qysh në kohërat e lashta romake, trojanët e mundur të epikës së Homerit u rimodeluan në heronj të virtytshëm, lavdia e të cilëve mbijetoi nga rënia e kështjellës së tyre. Vetë Homeri thotë se fuqia e Eneas, anëtar i familjes mbretërore trojane, “do të mbretërojë mes trojanëve, dhe fëmijëve të fëmijëve të tij”. Virgjili e bëri Enean heroin e epikës së tij, Eneida, shkruar për të festuar lavdinë e Romës perandorake, duke rrëfyer sesi Enea kishte shpëtuar nga katastrofa që ndodhi në Trojë dhe lundroi në Itali, për t’u bërë themeluesi i popullit romak. Pesë shekuj pas Eneidës së Virgjilit, kur madhështia romake po venitej, shtetasi romak Cassiodorus përgatiti një pemë gjeneologjike të familjes trojane për klientin e tij të ri, Theodorikun e madh, mbreti i Ostrogotëve. Në vitet që pasuan, mbretërit norman të Anglisë gjurmuan prejardhjen e tyre trojane dhe e lidhën atë me mbretin Arthur dhe britanikët.
Nga koha e Homerit, epikat e tij janë treguar dhe rrëfyer në variante të shumta, duke u dhënë theks të freskët dhe kuptime të reja. Për një kohë, gjatë ditëve të errëta që pasuan rënien e botës klasike, ata u lanë pas dore, por kurrë nuk u harruan plotësisht. Tregimtarët dhe artistët e Mesjetës së mëvonshme dhe Rilindjes, i ringjallën ato dhe i kaluan, duke i ri-forcuar, në botën moderne.
Troja mbeti një qytet i gjallë, por jo më pak i vërtetë sepse duhej të imagjinohej.
- « Previous Page
- 1
- …
- 56
- 57
- 58
- 59
- 60
- …
- 102
- Next Page »