Lufta e parë e madhe për liri zhvillohet në sferën e mendimit. Historia e njeriut të civilizuar është historia e konfliktit të pandërprerë midis lirisë dhe tiranisë. Çdo fitore për lirinë është hap i ri drejt progresit. Kështu, përparimi mund të matet nga sasia e lirisë së fituar. Jo, si je? por, sa liri ke? – kjo duhet të jetë pyetja e parë që duhet t’i bëhet sot njeriut. Autoriteti nuk ka besim tek liria. Ai mendon se njerëzit kanë nevojë për kontroll, madje të fortë. Liria beson se njeriu rritet më mirë ndërsa fiton gjithnjë e më shumë liri. Liria e mendimit nxit njohuritë e për të njohur të shkuarën, jetuar të sotmen e planifikuar të ardhmen. Kush mund ta bëjë këtë më mirë sesa njeriu që mendon i lirë? Tirania proteston, dhe hap zyra për të menduar për njerëzit. Fama (personaliteti, karakteri) krijuar me punën e tjetrit është famë e vjedhur, i ngjan njeriut të keq që gjithmonë është në përndjekje e përgojim të njeriut të urtë. Forca e të keqes është e fuqishme, sepse të këqinjtë janë të shumtë. Kjo e bën mirësinë të jetojë si peshku në thellësi. Mundësia e ndëshkimit nëse del në sipërfaqe është e rrezikshme. Kështu edhe njerëzit shtyhen të keq-interpretojnë e keq-zbatojnë edhe ligjet më të mira.
“VETING”
‘Vet’ është tkurrje figurative e veterinarit, që filloi të përdorej në mesin e shekullit të 17-të. Veterinerët ato kohëra, por edhe sot, trajtonin edhe njerëz. Forma e fjalës, që do të thotë “trajtim i një kafshe”, erdhi disa dekada më vonë. Sipas fjalorit anglisht të Oxfordit, përdorimi më i hershëm i fjalës ‘vetting’ i përket vitit 1891 – dhe përdorej kryesisht në kontekst të kalërimit. (Ai e verifikoi kalin para garës”, ose “duhet ta verifikosh atë kalë para se të garojë”, etj.) Në fillim të viteve 1900, ‘vetting’ filloi të përdorej si sinonim për “vlerësim”, veçanërisht në kontekstin e kërkimit të gabimeve. Një personazh i Rudyard Kipling thotë për një batalion ushtarësh – Kjo është turma jonë … Ata janë verifikuar (vetted), dhe tani po i shpërndajnë nëpër postet e tyre. Përmes dekadave të fillimit të shekullit të 20-të, fjala ‘vetting’ ishte kryesisht një britanizëm dhe u bë mjaft e përhapur gjatë viteve 1930, veçanërisht për të treguar ekzaminimin e kandidatëve për pozita ushtarake, si dhe inspektimin e dorëshkrimeve ose fjalimeve para se të bëheshin publike. Gjatë dy dekadave të ardhshme, shprehja ‘vetting’ kaloi Atlantikun, duke mbërritur në Amerikë. Revista Time në Nju Jork e përdori fjalën ‘vetting’ për ‘verifikim’ për herë të parë në vitin 1945, por vetëm në kontekstin e një citimi nga libri “The Anatomy of Courage”. Pastaj po kjo revistë më 1959 e përdori fjalën ‘vetting’ në një artikull mbi zgjedhjen e një drejtori të ri për Filarmoninë e Los Anxhelosit,
‘Vetting’ shfaqet edhe një herë në vitet 1960, dhe pastaj disa herë në vitet 1980. Gazetari William Safire fillimisht u përpoq t’i bëjë një ‘vetting’ kolonës së tij “On Language” në vitin 1980. Në përgjigje të një ankese të një lexuesi se revista “Newsweek” e kishte përdorur fjalën ‘vetting’ dy herë brenda dy javësh, Safire vuri në dukje se disa fjalorë e kanë atë dhe se britanizmi është në modë në përdorim në Amerikë sot. Ai i kushtoi një kolonë të dytë kësaj fjale në vitin 1993, duke thënë se shprehja është e saktë për përdorim në anglishten e Amerikës. Që nga ajo kohë, gazeta New York Times filloi ta përdorte shprehjen më shpesh, veçanërisht në lidhje me të emëruarit e presidentit të atëhershëm Bill Klinton për poste publike, të cilëve u duhej të kalonin në një proces ‘vetting’ a verifikimi.
Me dashje ose jo, Shqipëria sot është përfshirë nga një ‘vetting’. Pas gati 30 vjetësh vëzhgimi e ndihma, Perëndimi më në fund vendosi se me sistemin e korruptuar juridik, vendi nuk del dot nga bataku ku ka rrënë. Kërkesa është e hapur; duhen njerëz të përshtatshëm, të përkushtuar për të bërë më shumë se po bëjnë tani, dhe të vjedhin aspak. Duhen njerëz që ta kuptojnë drejtësinë ashtu siç është, e drejtë, sepse nëse nuk janë shumë të mëdhenj për vendin që zënë, ata janë shumë të vegjël për ‘të, dhe duhet të ikin.
Ide e rrezikshme
-Shumë shqiptarë sot mbështesin komunizmin, preferojnë socializmin ndaj kapitalizmit, anojnë mjatas dhe kanë një pikëpamje pozitive a nostalgji për kohën e Enverit… /
Nga Astrit Lulushi/ Washington/
Njeriu kur lind çlirohet, por ndërsa ai rritet, kjo liri pak nga pak i merret, dhe vjen një ditë kur e gjen veten skllav, të nështruar, të shtypur, pa kurrfarë nisme. Në një vend ku gënjeshtra, vjedhja, mashtrimi, krimi, bëhet jo vetëm kategori morale, por shtyllë ku shteti mbështetet, shpejt lind një tirani e ushtruar gjoja për të mirën e viktimave të saj. Kjo lloj tiranie është edhe më shtypëse; ata që e mundojnë njeriun për të mirën e tij, e mundojnë atë pa fund. Më shumë dëm dhe mjerim sjellin ata që përpiqen të shtypin një të keqe, sesa ata që synojnë të bëjnë keq. Komunizmi ka shkatërruar ekonomi, ka skllavëruar popuj dhe ka vrarë më shumë se njëqind milionë burra dhe gra. Çfarë tjetër i duhet njeriut ta urrejë atë më tepër? Shumë shqiptarë sot mbështesin komunizmin, preferojnë socializmin ndaj kapitalizmit, anojnë mjatas dhe kanë një pikëpamje pozitive a nostalgji për kohën e Enverit. Ata kanë votuar për ish komunistë të PPSH-së, partia që shtypi, dhunoi e nxirrosi Shqipërinë për 50 vjet; pasojat e këtij sundimi ndihen. Komunizmi është ideja më e rrezikshme në historinë botërore, duke prodhuar varfëri të tmerrshme, shtypje dhe vrasje kudo që është përhapur. Dhe nuk është çudi – sepse komunizmi mohon moralin dhe natyrën njerëzore, por gjithmonë thotë se herën e dytë do të jetë ndryshe. Dhe ka nga ata që e besojnë këtë…
Liri e rregulluar
Nga Astrit Lulushi/
Njeriu nuk plaket. Plakja duhet të jetë nocion i krijuar nga njerëz të këqinj që marrin pushtet e prona, duke përndjekur të tjerët, për të fshehur dobësitë e veta. Jeta është plot trazira, dhe vetëm fundi është bilanci i saj. George Orwell ka thënë se 50 vjeç njeriu merr pamjen që meriton. Ai vdiq 46 vjeç. Njeriu është bërë për të vepruar dhe për të nxituar. Gjithmonë i pakënaqur. Leonardo da Vinçi ishte tepër modest, duke thënë: Vdes i trishtuar; kam fyer Perëndinë dhe njerëzimin, sepse puna ime nuk ka arritur cilësinë që duhet të ketë. Qetësia nuk është e dëshirueshme në asnjë situatë, veçanërisht kur njeriu ndjehet i shtypur. Duke qenë nga natyra i lirë, i barabartë dhe i pavarur, askush nuk mund të nxirret nga prona e tij apo t’i nënshtrohet pushtetit politik të një tjetri pa pëlqimin e vet. Kjo i bën njerëzit të bashkohen në komunitete për një jetesën të sigurt në gëzim të sigurt të pronave të tyre, pa humbur individualitetin. Gardhi i mirë bën fqinj të mirë. Suksesi mund të shpjegohet kryesisht me një fjalë që është karakteri. Jo karakter të përkohshëm, por të durueshëm, të qëndrueshëm, të ndershëm, dhe në të cilën e tërë Zemra është e vendosur. Karakteri është më i lartë se intelekti. Një shpirt i madh do të jetë i fortë për të jetuar dhe për të menduar. Njeriu sigurisht, nuk mohon se ka disa njerëz superiorë, por ai mohon se kushdo ka të drejtë të vendosë se kush janë këta njerëz. Rregullat që bazohen në forcë dhe frikë, minojnë bazën morale të marrëdhënieve. Në një ekonomi të kontrolluar, bëhet më e lehtë për të marrë ryshfet nga një inspektor ndërtimi se sa për të përmbushur standardet e ndërtimit. Biznesmeni do të duhet të kalojë disa vite për të krijuar reputacionin e tij para se të fitojë një pozicion besimi të mjaftueshëm për të nxitur investitorët për të dhënë fonde. Prandaj, mbrojtja e konsumatorit me rregullore është iluzore. Integriteti nuk ka nevojë për rregulla. Njeriu gjithmonë ka jetuar një botë si e tashmja, ku asgjë nuk është e lidhur sëbashku, megjithë rregullat e shumta, ku virtyti është pa madhështi, dhe madhështia pa nder; ku dashuria e rendit është me prirje për shtypje dhe ndjenjat e lirisë me një shije të hidhur për ligjin; ku drita e hedhur nga ndërgjegjja për veprimet njerëzore është e zbehtë dhe ku asgjë nuk duket më e ndaluar apo e lejuar, e ndershme apo e turpshme, e rreme apo e vërtetë.
Tërheqja nga e keqja
Nga Astrit Lulushi/
Qëndrimi i parë i vizitorit në Shqipëri shkakton përzierje ndjenjash, dhe nëse vendos të qëndrojë, atij i duhet të humbasë individualitetin. Më parë ishte një njeri i vetëm, tani është një “parti”. Pyetjet që i bëhen janë: “A je socialist apo demokrat, i majtë a i djathtë?” Kjo i shkakton atij hutim; e djathta dhe e majta në Shqipëri, e formuar dhe e përbërë kryesisht nga ish-komunistë, ndryshon rrënjësisht nga koncepti perëndimor. Ky është ndryshimi i thellë që pëson në këto rrethana. Ai ndjehet si një nga bullonat e shumtë të hedhur tej të një mekanizmi të një makinerie të madhe pavlerë. Ndjenjat e tij për vendin zhgënjehen, dhe mendon: “Kjo nuk është duke ndodhur, jo këtu. Dikur një vend i varfër, i izoluar, i shtypur dhe i ngritë nga ndenja e frikës, sot është i çorganizuar, lënë në mëshirën e fatit, me shpatën varur mbi kokë, a në gojën e ujkut. Njerëzit gjithmonë presin, duke u gënjyer nga një qeveri në tjetër, se shumë shpejt do të shohin ndryshimin.” Rregullat këtu duken gjysmë të çuditshme, të forta e të pafalshme, nëse nuk paguan nëndorë një polic, prokuror e gjykatësi. Njerëzit kanë kulturë, por shumë janë pa edukatë. Blerësi gjithmonë kërkon në mënyrë të vrazhdë dhe tregtari ia kthen në të njejtën mënyrë; të dy janë të rënduar, njëri nga çmimet e larta, tjetri nga taksat. Pavarësia dhe indiferenca e njerëzve dallohet fuqishëm nga sasia e parave. Ka nga ata që kanë shumë, dhe të tjerë të papunë e që rropaten për të fituar diçka. Konkurrenca është shumë e përhapur. Njeriu jeton me shpejtësi, fshihet për të shpërthyer diku tjetër. S’ka dyshim se ky tension largon shumë shqetësime, ndërsa vetëm kur dëgjon se dikush hidhet nga “kulla” e tjetri godet me sopatë dikë tjetër, ndërsa të varfërit hanë veten, si të thuash. Shqetësimi duket se nuk ka shans. Ata që janë mbushur e dhjamur këto vite, duke shkelur mbi të tjerët, japin garanci për sjellje të mirë, ndërsa tërhiqen vazhdimisht drejt së keqes nga forca e grykësisë, që gati sa nuk i mbyt.
- « Previous Page
- 1
- …
- 77
- 78
- 79
- 80
- 81
- …
- 102
- Next Page »