• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori: Çfarë ka ndodhur më 30 tetor?

October 30, 2013 by dgreca

1961 – “për shkak të shkeljeve të porosive të Leninit, trupi i Stalinit vendoset në një varr të thjeshtë”/

Nga Astrit LULUSHI*/

1885 – Lindi Ezra Weston Loomis Pound – poet amerikan, kritik i lëvizjes moderniste; kërkonte kthim në vlerat klasike në saktësi, qartësi, ekonomi të gjuhës. Punimet më të njohura të tij përfshijnë “Ripostes” dhe “Cantos” të pa përfunduara. Ezra Pound ishte amerikan i mërguar; në Londër e Paris në fillim të shekullit të 20-të, ku punoi si redaktor i disa revistave letrare amerikane dhe ndihmoi për të zbuluar e popullarizuart shkrimtarë si TS Eliot, James Joyce, Robert Frost, Ernest Hemingway; “Ezra mbron miqtë kur sulmohen; rri zgjuar gjithë natën me ta kur pretendojnë se janë duke vdekur; heq nga kokat e tyre idenë për të vrarë veten; merr përsipër shpenzimet spitalore; nxit botuesit për të marrë librat e tyre”, ka shkruar Hemingway për Ezrën. I revoltuar nga vrasjet e shumta në Luftën e Parë Boterore, midis dy luftrave Ezra Pound, hebre, përqafon fashizmin e Benito Musolinit dhe shpreh mbështetje për Adolf Hitlerin; ai bëhet folës radioje me pagesë nga qeveria fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore për qindra transmetime kundër Shteteve të Bashkuara. Më 1945, Ezra arrestohet për tradhti nga forcat amerikane në Itali; u mbajt në paraburgim në një fushim ushtarak amerikan në Pisa, ku 25 ditë i kaloi jashtë në natyrë në një kafaz të ngushtë, me shufra hekuri. Kjo i shkaktoi një krizë nervore; mjeku e shpall të paaftë mendërisht për të dalë në gjyq dhe dërgohet në spitalin psikiatrik St Elizabeths në Uashington, DC, ku mbahet për 13 vjet si pacient dhe i burgosur. Në paraburgim në Pisa, Ezra shkroi pjesën e Cantos, e njohur si “Pisan Cantos”, për të cilat, më 1949, Biblioteka e Kongresit e nderoi me Çmimin Bollingen, duke shkaktuar polemika të shumta. Ezra doli nga spitali në vitin 1958 dhe u kthye në Itali, ku jetoi deri sa vdiq më 1972. Pikëpamjet politike bënë që puna e Ezras të mbetej në hije. Ernest Hemingway,  megjithatë shkroi se “vepra më e mirë e tij – Cantos – do të qëndrojë për aq kohë sa ekziston letërsia”.
Nga Ezra Pound
– “Imoralitet”
(shqipërim)

“Këndo për dashuri e plogështi,
Çdo gjë tjetër është pa vlerë
Në shumë vende kam qenë
Mes njerëzve s’pashë gjë tjetër.
Do t’ pranoja më mirë ëmbëlsi
Lulesh zije të vyshkura.
Sesa të bëj punë të mëdha
që njerëzit të më dallonin.”

1938 – Orson Welles transmeton në radio pjesën e dramatizuar Lufta e Botëve, nga libri H. G. Wellsit, duke shkaktuar një valë paniku mes audiencës, e cila mendoi se pjesa që luhej ishte emision lajmesh ku spikeri thoshte se planeti po sulmohet nga jashtëtokësorët.

1953 – Lufta e Ftohtë: Presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower miraton zyrtarisht dokumentin tepër sekret të Këshillit të Sigurisë Kombëtare , ku urdhërohet që arsenali amerikan i armëve bërthamore duhet të ruhet dhe të zgjerohet për t’iu kundërvënë kërcënimit komunist .

1961 – Sovjeti suprem i Bashkimit Sovjetik vendosi se për shkak të “shkeljeve të porosive të Leninit”, trupi i Joseph Stalinit të hiqet nga vendi i  nderit brenda mauzoleut të Leninit dhe të vendoset në një varr të thjeshtë pranë murit të Kremlinit.

1993 -Vdiq në Londër Peter Kemp – ushtar, shkrimtar dhe gazetar. Kemp u arsimua në Cambridge. Si konservator e monarkist i alarmuar nga përhapja e komunizmit dhe në vitet 1930 ndërpret studimet e shkon në Spanjë, ku u bashkua me forcat nacionaliste spanjolle. Gjate luftës se dytë botërore, Kemp merr pjesë në operacionet speciale britanike ne Shqiperi e Kosovë. Më 1956, ai u ndodh në Hungari dhe raportoi si gazetar mbi revolucionin hungarez dhe shtypjen që i bënë tanket sovjetike; Kemp ndihmoi shumë studentë hungarezë për të ikur në Austri, duke i shpëtuar ata nga vdekja e sigurt. Peter Kemp ishte i pranishëm në Kongon Belge gjatë trazirave që çuan në pavarësinë e Zairese; ai mbuloi revolucionet në Amerikën Qendrore dhe Jugore si korrespondent i jashtëm për revista a gazeta britanike. Libri i tij i parë ‘Mine was Trouble’ përshkruan përvojat në Luftën Civile të Spanjës. Libri tjetër, ‘No Colours or Crest’ tregon përvojat gjatë kohës së luftës së dytë botërore kryesisht në Shqipëri, Më 1990, 3 vjet para se të vdiste, Peter Kemp Kemp përfundoi edhe autobiografinë me titull  ‘The Thorns of Memory’.

Mendim i ditës
“Letërsia është lajm që mbetet lajm”.
Ezra Pound

(Kortezi:VOA)

Filed Under: Histori Tagged With: 30 shtator, Astrit Lulushi, cfaree ka ndodhe, Histori

Histori: Çfarë ka ndodhur më 29 tetor?

October 29, 2013 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi*/

1863-Gjatëmbëdhjetë shtete dhe mbretëri evropiane formojnë Kryqin e Kuq Ndërkombëtar. Deri në mes të shekullit të 19-të, nuk kishte asnjë sistem të organizuar për kujdesin e viktimave të luftës ose të plagosurve në fushë-betejë. Në qershor 1859, biznesmeni zviceran Henry Dunant udhëtoi për në Itali, në atë kohë e pushtuar nga Franca. Kur mbërriti në qytetin Solferino, ai pa nga afër pasojat e një beteje franko – austriake, ku në një ditë të vetme, rreth 40-mijë ushtarë në të dy anët u vranë ose u plagosën dhe trupat ishin lënë në fushë pa asnjë kujdes a ndihmë. Henry Dunant braktisi plotësisht qëllimin origjinal të udhëtimit të tij dhe për disa ditë iu përkushtua organizimit të trajtimit dhe kujdesit për të plagosurit. Kur u kthye në shtëpinë e tij në Gjenevë, ai vendosi të shkruajë një libër “Kujtesë e Solferinos” dhe u dërgoi kopje të librit figurave kryesore politike dhe ushtarake në të gjithë Evropën. Dhe këshu u përhap idea e krijimit të Kryqit të Kuq ndërkombëtar, që u themelua këtë ditë 150 vjet më parë.

1888 – Nënshkruhet Konventa e Konstandinopojës, e cila lejon kalimin e lirë detar përmes Kanalit të Suezit në kohe lufte e paqe.

1921 – Fillon Gjyqi i dytë i Sakos dhe Vanzetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ferdinando Nicola Sacco dhe Bartolomeo Vanzeti ishin italiano-amerikanë – anarkistë – të cilët ishin dënuar me vdekje për vrasjen e dy përsonave gjatë grabitjes me armë të një fabrike këpucësh në South Braintree, Massachusetts, në vitin 1920. Një gjyq në vitin 1921 rezultoi se Sako e Vanzeti ishin fajtorë, pavarësisht nga të dhënat balistike jo të qarta dhe nga pohimet e dëshmitarëve të shumtë se ditën e grabitjes, Sako dhe Vanzeti ishin parë në vend tjetër. Ky vendim u apelua, por pa sukses. Ndërkohë çështja tërhoqi vëmendjen në mbarë botën.dhe protesta kundër vendimit shpërthyen në thuajse çdo kryeqytet të botës perëndimore. Shkrimtarë, artistë, intelektualë e akademikë bënë thirrje e dërguan letra e telegrame  rigjykimin e tyre; Kishat i fillonin shërbimet me lutje për faljen e Sakos dhe Vanzetit. Në përgjigje, guvernatori i shetit Massachusetts, Alvani Fuller emëroi një komision tre-anëtarësh për të hetuar rastin. Pas disas javësh rishqyrtimi të çështjes, komisioni mbështeti vendimin e mëparëshëm dhe Sako dhe Vanzeti u ekzekutuan në karrige elektrike më 23 gusht 1927. Që nga ajo kohë, mendimi i përgjithshëm është se Sako e Vanceti u dënuan kryesisht për shkak të bindjeve të tyre politike anarkiste dhe u ekzekutuan padrejtësisht . Në vitin 1977, guvernatori i shtetit Masaçusets Michael Dukakis lëshoi një dekret që Sako dhe Vanzeti ishin dënuar padrejtësisht dhe se “çdo njollë duhet të shlyhet përgjithmonë nga emrat e tyre”. Dhe çështja se kush i vrau dy rojet e fabrikës gjatë grabitjes me armë me 1920, ka mbetur zyrtarisht e pazgjidhur.

1996 – Britania dhe Shqiperia bien dakord që Tirana t’i paguajë Londrës 2 milionë dollarë dmmshpërblime për incidentin në Kanalin e Korfuzi, 1946; dhe Britania t’i japë Shqiperisë 18 milione dollarë (vlera e arit te bllokuar).

Mendim i ditës
“Shkenca kurrë nuk zgjidh një problem pa krijuar dhjetë të tjerë.”
George Bernard Shaw *(Kortezi: VOA)

 

Filed Under: Histori Tagged With: 29 tetor, Astrit Lulushi, cfare ndodhi

Histori: Çfarë ka ndodhur më 25 tetor?

October 25, 2013 by dgreca

Punimet e Pablo Pikasos janë ekspozuar prej dekadash në shumë vende nëpër botë, por kurrë në Shqipëri para vitit 2010/

Nga Astrit LULUSHI/

1400 – Geoffrey Chaucer vdiq në Londër në moshën 57 vjeçare; i njohur si Ati i letërsisë angleze; poeti më i madh i anglishtes së mesjetës; i pari i varrosur në Këndin e Poetëve në Westminster Abbey. Sa ishte gjallë, Chauser fitoi famë si; shkrimtar, alkimist, filozof, astronom; ishte edhe nëpunës civil, shërbyes publik, burokrat, oborrtar, diplomat. Ndër veprat e tij të shumta, më e njohura është Përralla të Kanterbërit (Canterbury Tales). Chaucer është figurë e rëndësishme në zhvillimin e legjitimitetit të anglishtes, kur gjuhët mbizotëruese letrare në Angli ishin frëngjisht e latinisht. Fjalët e para anglisht të provuara në perdorim vijnë nga Chauceri (pasi ai është i pari që i ka lënë me shkrim) – Ato  janë rreth dy mijë fjalë; kjo nuk do të thotë se Chauseri ishte i parI që i futi ato në anglisht; por se për herë të parë janë gjetur në dorëshkrimet e tij; nisur nga kjo, shkencëtarët filologë nxjerrin se disa prej këtyre fjalëve kanë qenë në të folurën e përditëshme në shekullin e 14-të (sidomos në Londër), por edhe në pjesë të tjera të Evropës. Shumë nga fjalët në dorëshkrimet e Chaucerit të shekullit të 14-të, përdoren edhe sot: accident, agree, border, box, desk, digestion, dishonest, examination, finally, flute, funeral, galaxy, horizon, observe, session,  superstitious, theatre, universe, vacation, vulgar, etj, janë disa prej tyre.

1881 – Lindi Pablo Pikaso, piktor dhe skulptor spanjoll (vd.1973). Pikaso, Henri Matisse dhe Marcel Duchamp konsiderohen si tre artistët të cilët me mënyrat e tyre orgjinale në artet plastike në dekadat e para të shekullit të 20-të, janë përgjegjës për zhvillime të rëndësishme në pikturë, skulpturë dhe artin e qeramikës. Pikaso ishte jashtëzakonisht pjellor në artin e tij. Numri i përgjithshëm i veprave që ai ka prodhuar arrijnë në rreth 50-mijë. Punimet e Pablo Pikasos janë ekspozuar prej kohësh në shumë vende nëpër botë, por kurrë në Shqipëri, para vitit 2010, kur pikturat e tij u bënë pjesë e një ekspozite në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Koleksioni prej 71 veprash, (me vlerë prej 26 milionë dollarësh), përveç Pikasos, kishte punime në kanvas nga artistë të tillë si; Paul Klee, Renee Magritte, Marc Chagall, Piet Mondrian, Francis Bacon, Anthony van Dyck, dhe Guido Reni, Andy Warhol etj. Këto piktura, pronë e koleksionistit Italian Francesko Martani, u ekspozuan në Shqipëri, më 2010, në kuadër të veprimtarive kulturore gjatë muajit të miqësisë italo – shqiptare.

1971 -Kombet e Bashkuara anëtarësojnë Republikën Popullore të Kinës dhe përjashtojnë Republikën e Kinës (Taivanin). Rezoluta e paraqitur nga Shqipëria, u mbështet nga shumica e vendeve komuniste, përfshi Bashkimin Sovjetik dhe vende të paangazhuara si India, së bashku me disa vende të Evropës Perëndimore, përfshi Britaninë dhe Francën, më vonë edhe Shtetet e Bashkuara.

2004 – Fidel Kastro, shpall se duke filluar nga 8 nëntori, në Kubë do të ndaloheshin transaksionet me dollarë – në dyqane do të pranoheshin vetëm pesot kubaneze. Kjo masë, tha presidenti kuban, është në përgjigje të politikave të ashpra amerikane ndaj këtij ishullit, dhe nuk do të prekë monedhat e tjera të huaja si euron, dollarin kanadez dhe sterlinën angleze.

Mendim  ditës

“Fajtori mendon se gjithçka që flitet ka të bëjë me të.”

Geoffrey Chaucer

 

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ka ndodhe, Histori, me 25 tetor, Pablo Picasso

Histori: Çfarë ka ndodhur më 23 tetor?

October 23, 2013 by dgreca

Me 23 tetor 1871 – Lindi në Fishtë, Dajç, Lezhë, Shqipëri (në atë kohë Perandori Osmane), Gjergj Fishta; studioi për filozofi e teologji; prift i shuguruar katolik edhe poet i madh; në vitin 1902, merr drejtimin e gjimnazit françeskan në Shkodër; vepra i tij madhore (1937) Lahuta e Malcis prej 17-mijë vargjesh – quajtur ndryshe edhe Iliada Shqiptare./

Nga Astrit LULUSHI/

42 pes – Lufta civile romake: Trupat e Mark Antonit dhe Oktavianit mposhtin ushtrinë e Brutit. Bruti kryen vetëvrasje. Por cili ishte shkaku i luftës?  Dy vjet më parë (44 pes), Qezari ishte vrarë pabesisht nga një grup senatorësh ku bënte pjesë edhe miku i tij, Markus Brutus. Oktaviani, djali i birësuar i Qezarit, i cili ndodhej për studime në Apolloni të Ilirisë, sapo mori vesh lajmin u nis për në Romë dhe u vu në ndjekje të vrasësve. Sipas historisë, Qezari fillimisht u rezistoi sulmuesve, por kur pa Brutin mes tyre, iu dorëzua fatit, duke thënë “Et tu, Brute?” – “Edhe ti, Brut?”; fjalë që vazhdojnë të jenë subjekt debatesh mes dijetarëve dhe historianëve.”Et tu, Brute?” është frazë latine që arriti në kohët tona ndoshta falë Uilliam Shekspirit i cili e përdori atë në tragjedinë Jul Qezari (1599). Shprehja pason traditën e historianit romak Suetoni, i cili thotë se “Et tu , Brute?” është kalk e një greqishtjeje “Kai su, teknon?”- “Edhe ti, biri im?” dhe merret si tregues se Bruti ishte djal jashtë-martese i Qezarit. Ndërsa, Plutarku thotë se Qezari nuk foli fare por kur pa Brutin mes komplotistëve, mbuloi kokën me pelerinën e vet dhe e la t’a godiste. Kohët e fundit janë shtuar argumententet se “Et tu, Brute?”, mund të interpretohet si mallkim apo kërcënim; atëhere mallkimimet në greqisht mes romakëve ishin bërë proverbiale, dhe Qezari mund të ketë thënë: “Edhe ti, biri im, do ta provosh shijen e fuqisë” ose “Edhe ti Brut? Në ferr shkofsh!”.
Një pjesë nga tragjedia “Jul Qezari” e Shekspirit
-nga fjalimi i Mark Antonit –
(shqipëroi Fan Noli)

“Ne qe me te vërtetë Bruti që goditi;
Se Bruti, e dini, ishte éngjelli i Qesarit.
Ti, Zot, ti vet’ e di me Q’ mall e desh Qesari.
Kjo ishte gpojtja m’ e pashpirtme nga të gjitha.
Kur pa Qesari q’e goditi dhe ai,
Mosmirenjohja, me’ e fortë se q’do krahe
Tradhetori, e mundi dhe ia theu zcmren.
Ahere si pështolli faqen nënë toga
Mun rrëzë monumeulit të Pompejit,
…
Oh po! tani po qani, edhe ju vjen keq;
Dhe lotët që po derthni rjedhin drejt nga zemra.
Si? Qani, vllezër, se i patë vetëm togën
Qesarit të plagosur? Shihni atë vetë
Q’e kanë bërë shoshë thikë tradhetorësh.”
1812 – Gjenerali francez Claude François de Malet, arratiset nga burgu dhe organizon një komplot për të përmbysur perandorin Napoleon Bonaparte, duke përhapur lajmin se perandori vdiq gjatë fushatës në Rusi dhe e shpalli veten komandant të garnizonit të Parisit. Lajmi u besua nga të gjithë, por kur një polic e pa Maletin duke bërë betimin para Senatit, ai e njohu dhe bërtit “është Malet, i arratisuri!”. Pas kësaj, ai u kap, u çarmatos dhe u dërgua përsëri në burg.
1821 – Demetrio Camarda (Dhimitër Kamarda) lindi në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) – Si gjuhëtar, poet dhe mbledhës e botues i folklorit shqiptar,  Kamarda eci në udhën e hapur nga dijetari i madh arbërësh para tij, Jeronim De Rada. Kamarda kishte njohuri shkencore edhe në fushën e gjuhësisë indo-evropiane dhe doli me idenë se shqipja lidhej me greqishten e vjetër, duke iu kundërvënë tezës së vërtetuar nga Franz Bopp se shqipja ishte degë e veçantë në familjen Indoevropiane. Vepra kryesore e Kamadrës, Provë e Gramatikës Krahasuese mbi Shqipen, vlersohet si i pari punim shkencor në fushën e studimit krahasues historik të shqipes. Kamarda njihet edhe për kontributin në përhapjen e alfabetit të përgjithshem shqip në vitin 1869. Ai vdiq ne Livorno të Italisë me 1882.
1871 – Lindi në Fishtë, Dajç, Lezhë, Shqipëri (në atë kohë Perandori Osmane), Gjergj Fishta; studioi për filozofi e teologji; prift i shuguruar katolik edhe poet i madh; në vitin 1902, merr drejtimin e gjimnazit françeskan në Shkodër; vepra i tij madhore (1937) Lahuta e Malcis prej 17-mijë vargjesh – quajtur ndryshe edhe Iliada Shqiptare. At Gjergj Fishta ishte kryetar i komisionit në Kongresin  e Manastirit më 1908, që miratoi alfabetin. Ishte përkthyes i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, pastaj, sekretar i delegacionit. Në fund të vitit 1920, Shkodra e zgjodhi deputet të saj në parlamentin shqiptar. Pas vendosjes së regjimit të Zogut, Fishta u vetë-mërgua në Itali në vitin 1925 /1926, para se  se të rifillonte punën si mësues, poet dhe shkrimtar në Shkodër; vdiq më 30 dhjetor 1940. Fishta ishte redaktor i revistës “Hylli i Dritës” (1913 ) dhe gazetës “Posta e Shypnisë” gazetë (1916-1917). At Gjergj Fisha ishte gjithashtu shqiptari i parë kandidat për çmimin Nobel për letërsi. Ja disa vargje nga një prej poezive të tij:

“Shqypnia”

Edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!
…..
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
…….
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.”
1874 – Lind në në Janjevë  afër Prizrenit etnografi, folkloristi, shkrimtari, ndoshta arkeologu i pare shqiptar, Mëhill Kostandin Gjeçi-Kryeziu, i njohur si Shtjefën Gjeçovi. Ai u arsimua nga françeskanët në Bosnjë (nën kontrollin e Austro-Hungarisë ) shërbeu në vitet 1905 – 1920 mes fiseve malësore (kryesisht Mirditë) si famullitar, mësues dhe mbledhës folklori. Gazeta Albania e Faik Konices u bë platforma e shkrimeve te tij. Gjeçovi u vra nga serbet në vitin 1929, në fshatin Zym afër  Gjakovës, ndërsa shërbente si prift dhe mësues i shqipes në atë famulli. Shtatore sot ai ka  në Zym dhe një shtëpi muze në fshatin e lindjes. Më 1929, mbreti Zog protestoi ashpër pranë qeverisë së Beogradit kundër vrasjes se tij. Gjeçovi mblodhi dhe shkroi Kanunin e Lekë Dukagjinit, një sërë ligjesh zakonore shqiptare të trasheguara gojarisht ndër shekuj. Ato u botuan pas vdekjes, në vitin 1933. Një botim shqip – anglisht nga Shtëpia Botuese Gjonlekaj, Nju Jork ne vitet 1980, tërhoqi vemendjen e studiuesve të huaj të cilëve për here të pare u binte në dorë një botim anglisht i këtij kanuni.
1892 – Vdiq Abdyl Frashëri, 53 vjeç, një prej ideologëve te parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai ishte me i madhi në moshë mes 3 vëllezërve Frashëri, Naimit e Samiut. Abdyl Frashëri njihet si nismëtar dhe udhëheqës i Lidhjes së Prizrenit (1878) – konsiderohet gjithashtu si i pari që hodhi idenë e një autonomie (përfshirjen e trojeve shqiptare në një vilajet të vetem) – pas shtypjes së Lidhjes (1881),  dënohet me vdekje nga gjykata osmane; dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm; qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj; për arsye shëndetësore u lirua me kusht që të hiqte dorë nga veprimtaria politike.
1911 – Përdorimi i parë i avionëve në luftë: Një piloti italian niset nga Libia për të vëzhguar vijat e frontit të ushtrisë turke gjatë Luftës turko- italiane.
1912 – Lufta e Parë Ballkanike :Fillon beteja e Kumanovës midis forcave serbe dhe ushtrisë osmane. Kjo betejë ishte vendimtare për rezultatin e luftës në rajon. Pas 3 ditësh, trupat osmane u thyen keq, lanë qytetin dhe u detyruan të tërhiqeshin edhe nga Shkupi, ndërsa forcat serbe u nisën për të marë Manastirin.
1946 – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mblidhet për herë të parë, në një auditorium në Queens të qytetit Nju Jork.
1956 – Mijëra Hungarezë ngrenë krye kundër qeverisë dhe kontrollit sovjetik. Ky zhvillim (i njohur si Revolucion hungarez, në perëndim; dhe Kundër-Revolucion, në lindje, u shtyp në 4 nëntor).
Mendim i ditës
“Disa gjëra janë aq serioze, sa që është mirë të qeshësh me to”.
Niels Bohr

(Kortezi-VOA)

Filed Under: Histori Tagged With: 23 tetor, Astrit Lulushi, cfare ndodhi, Fishta, Histori

Histori: Çfarë ka ndodhur më 22 tetor?

October 22, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

1867 – Franz Bopp, filolog gjerman dhe albanolog, vdiq në Berlin në moshën 76 vjeçare. Si profesor i gramatikës krahasuese sanskrite në Universitetin e Berlinit, në vitin 1854, Bopp vërtetoi teorinë e herëshme se shqipja i përket familjes se gjuheve indoevropiane – dhe paraqiti të gjitha faktet shkencore në dispozicion në mbështetje të kësaj teze. Pas këtij demonstrimi të Boppit, asnjë filolog deri me sot nuk ka mundur të sfidojë vendin e shqipes në këtë familje, ku bëjnë pjesë thuajse të gjitha gjuhet evropiane, me përjashtim të hungarishtes, turqishtes dhe finlandishtes. Pas zgjidhjes së kesaj çështjeje, në vazhdën e arsyetimit, Bopp iu përqas një tjetër problemi: Çfarë vendi zë shqipja brenda familjes indoevropiane? Pas shqyrtimit të thellë dhe krahasimeve të shumta, ai arriti në përfundimin se shqipja nuk ka lidhje me asnjë nga gjuhët indo-evropiane, por qëndron degë mëvete si greqishtja, persishtja, armenishtja dhe lituanishtja. Që nga viti 1860, kur Bopp doli me këtë përcaktim, studimet mbi shqipen – që tërhoqën linguistë nga më të shquarit e shekullit XIX, XX – u përqëndruan dhe vazhdojnë të përqendrohen në çeshtjen edhe më të vështirë; Cila është prejardhja e shqipes? Dhe për këtë ekzistojnë shumë  ide a supozime, por vetëm dy teza janë pjesë e diskutimit; A është shqipja pasardhëse e Ilirishtes apo trakishtes? Që nga vleresimet e Norbert Joklit, i cili aty nga vitet e fundit te jetes se tij në fillim të viteve1940 filloi të prirej drejt përfundimit se gjuha shqipe është njësoj e lidhur si me ilirishten edhe trakishten, debati vazhdon. Por, “më e argumentuar nga ana historike dhe gjuhësore është teza sipas së cilës Shqiptarët janë pasardhës të Ilireve dhe shqipja pasardhesë e ilirishtes”. (FESH)

1922 – Lindi në Shkodër, Marije Shllaku. Studio filozofi në universitetin e Romës, dhe zotëronte shume gjuhëve të huaja si italisht,latinisht, frëngjisht, gjermanisht, dhe greqishten e vjetër. Për një kohë, në vitet 1940 ajo punoi si sekretare e Xhafer Devës. Më 24 nëntor 1946, në moshen 23 vjeçare, Marije Shllaku u pushkatua me vendim të një gjykate në Prizren nën akuzat për bashkepunim me legjendarin Shaban Polluzha në përpjekjet me armë për një Shqiperi me shqiptarët të gjithë bashkë. Studiuesi shqiptaro amerikan Tom Mrijaj ka shkruar një monografi për Marije Shllakun, emrin e së cilës mbajnë sot disa rrugë e shkolla në Kosovë e Shqipëri.

1946 – Katër anije luftarake britanike dalin nga Porti i Korfuzit, kalojnë nëpër kanal dhe ndeshin në mina; 44 marinarë britanikë u vranë, mbi 40 të tjerë u plagosën dhe dy anije u dëmtuan (njëra përtej riparmit). Britania e çoi çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, duke e akuzuar Tiranën zyrtare se minat në ujërat e Kanalit të Korfuzit ishin vendosur nga Shqipëria; ose Shqipëria kishte dijeni se kush i vendosi dhe nuk tregoi; apo rojet bregdetare shqiptare duhet t’i kenë parë anijet që kishin vendosur minat dhe për mos-ndërhyrje për t’i ndalur mbajnë përgjegjësi penale. Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Hagës arriti në përfundimin se Shqipëria ishte fajtore për incidentin dhe duhej t’i paguante Britanisë dëmet e shkaktuara. Qeveria shqiptare nuk e pranoi vendimin dhe qeveria britanike kërkoi bllokimin e arit të gjetur në Gjermani mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, i cili do tu shpërndahej proporcionalisht shteteve që Gjermania u kishte grabitur thesaret e bankave kombëtare. Për dekada çështja mbeti ngërç dhe sasia e arit të caktuar për t’iu kthyer Shqipërisë, e bllokuar.  Në vitin 1990, ndërsa Shqipëria po përpiqej të dilte nga izolimi 45 vjeçar, bisedimet mbi zgjidhjen e këtij problemi filluan mes diplomatëve amerikanë e britanikë dhe atyre shqiptarë, edhe pse të dyja palkët nuk kishin marrëdhënie diplomatike.(Albania, New York University Press, M. Vickers, J. Pettifer). Në maj të vitit 1992, delegacionet britanike dhe shqiptare u takuan në Romë ku firmosën një memorandum mirëkuptimi dhe për çështjen u arrit një kompromis mbi kthimin e arit dhe çështjen e dëmshpërbilimeve.

1964 – Jean-Paul Sartre nderohet me Çmimin Nobel në letërsi, “për punën e tij plot ide të mbushur me frymën e lirisë në kërkim të së vërtetës, duke ushtruar ndikim shumë të gjerë në epokën tonë”. Shumë njerëz u çuditën, kur Sartri e refuzoi çmimin, duke thënë se ai gjithmonë i ka mohuar nderimet zyrtare dhe se “një shkrimtar nuk duhet t’a lejojë veten që të shndërrohet në institucion”. Sartri (1905 – 1980) ishte filozof, dramaturg, novelist, skenarist, aktivist politik, biograf, dhe kritik arti. Në vitin 1946, fotografi i njohur shqiptaro-amerikan, Gjon Mili hapi një ekspozitë me fotografitë e tij në Paris. Zhan Pol Sartri, në rolin e kritikut e vizitoi ekspozitën dhe shkroi: “Para se t’a takoja Milin, kisha njohur vetëm fotografë që të nxjerrin në fotografi nisur nga një lloj zemërimi, si ai që vret. Mili nuk fyen; ai pëlqen çdo gjë: të ngrënët, të pirët, vallzimin. Harlemin e njeh më mirë se çdo i bardhë, Nju Jorkun, më mirë se kushdo tjetër. Ai është njeri i qeshur. Të vret – më keq akoma – kërkon të robërojë…, të mban në kurth të gjallë, në fotografinë e tij, dhe ti vazhdon të luftosh me veten, si peshku në rrjetë. Mili është njeri i kurtheve. Ai është plot marifete që të ç’armatosin; çdo fotografi e tij është provë, përpjekje. Për Milin, mënyrat për të fotografuar janë të shumta sa edhe njerëzit. Nëse të ka zgjedhur për të përfshirë në koleksonin e vet, ai jo vetëm që do të ngulë me thumb në tabelën e specieve të tij, të gjitha si të gjalla, por do të vëzhgojë a shqyrtojë për të njohur thellë e më thellë.Thuhet se banorët primitivë të deteve të Jugut nuk pranojnë të fotografohen, sepse besojnë se mund të bëhen përgjithmonë robër të fotografit. Për të kuptuar urtësinë e tyre ju duhet vetëm të shikoni disa nga portretet e Gjon Milit.”
(marrë nga “Photographs & Recollections” by Gjon Mili, 1980)

1972 – Lufta e Vietnamit: Në Saigon, Henry Kissinger dhe presidenti i Vietnamit të Jugut, Nguyen Van Thieu takohen për të diskutuar një propozim për armëpushim që ishte hartuar midis amerikanëve dhe vietnamezo-veriorëve gjatë bisedimeve në Paris. Në fakt, projekt-amerrëveshja ishte përgatitur nga vetë Henry Kissinger, këshilltari kryesor për politikë të jashtme të Presidentit Richard Nixon, në bisedime sekrete në Paris me homologun vietnamezo-verior Le Duc Tho. Edhe pse veprimtaritë e shumta diplomatike krijuan spekulime rreth një fundi të mundshëm të Luftës së Vietnamit,  luftimet në terren vazhdonin me ashpërsi.

1997 – Vdiq arqipeshkvi i Shkodrës, Frano Ilia. Lindi në Juban, pranë Shkodrës më 1918; u shugurua meshtar më 1943; shërbeu në Tiranë, Shkodër, Milot e rrethina. Kur Shqipëria komuniste u shpall ateiste më1967, Frano Ilia u arrestua; më 1968 u dënua me vdekje; dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. 25 vjet pas këtij dënimi, do të shugurohej ipeshkëv nga vetë Papa Gjon Pali II. (shkoder.net). Dom Frano Ilia, ishte edhe etnograf. Më 1993, ai botoi librin me materiale të grumbulluara me ndërprerje e prej dekadash lidhur me të drejtën zakonore në krahinën e Kurbinit, dhe zonat për rreth të Shqipërisë mesme. Libri e quajti “Kanuni i Skënderbeut” sepse heroi kombëtar bëri disa ligje kanunore të veçanta në krahinat e veta apo nën ndikimin e tij, që përbënin Arbërinë, prandaj disa thonë se Kanuni i Skënderbeut mund të quhet edhe Kanuni i Arbërit.

2002 – Nëna mbretereshë e shqiptarëve, Geraldina vdiq në Tiranë nga një semundje në mushkeri dhe pas 3 goditjeve në zemër. Ajo ishte konteshë hungareze, para se të bëhej princeshë me 1937, kur u fejua me mbretin Zog; dhe mbretereshë nga prilli 1938, kur ata u martuan. Në dasmën e çiftit mbretëror morrën pjesë ose dërguan urime a dhurata shumë diplomatë dhe personalitete të larta të kohës, si Musolini e Hitleri – ky i fundit i dërgoi çiftit mbretëror automobil, model sport Mercedes-Benz. Por Geraldina, ose siç e quanin, “Trendafili i bardhë i Hungarise”, mbretëroi më pak se një vit – në prill 1939, së bashku me mbretin dhe djalin dy-ditësh, ikën. Mbreteria e saj ishte pushtuar nga Italia. Kështu i shkoi jeta, shpërngulje nga vendi në vend, pranë mbretit Zog, mes shqiptarëve të oborrit mbreteror. Kur mbreti Zog vdiq në Hauts-de-Seine, Francë, në vitin 1961, djali i tyre, Princi i Kurorës Leka, u shpall Mbreti Leka I nga qeveria monarkiste në mërgim dhe Geraldina filloi të quhej Nëna Mbretëreshë. Në qershor 2002, ajo u kthye nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, pas shfuqizimit të ligji që i kishte ndaluar prej dekadash hyrjen në vend. Nëna Mbretëreshë Geraldinë vdiq pesë muaj më vonë, në moshën 87 vjeçare, në Tiranë, ku u varros me nderime të larta shtetërore.

Mendim i ditës
“Një betejë është e humbur kur mendon se e ke humbur”.
Zhan Pol Sartri

(Kortezi:VOA)

Filed Under: Histori Tagged With: 22 tetori, Astrit Lulushi, Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT