Sapo ka dalë në qarkullim vepra e 15 e studjuesit të njohur Enver Memishaj “Fejzo Lepenica, jetoi dhe vdiq për Shqipërinë”/
Nga Flori Sllatina/
Fejzo Lepenica është në radhën e shumë autorëve atdhetarë, të njohur dhe të pa njohur, me në krye Mid`hat Frashërin e Musa Demin, që pasqyruan në shtypin e kohës shkeljen haptazi të të drejtave të njeriut në Çamëri; ata denoncuan dhunën, terrorin, krimin, internimet dhe burgosjet e vazhdueshme të popullsisë martire të Çamërisë me qëllim që ta zbraznin për interesa të Greqisë tokën shqiptare ku jetonte kjo popullsi.
Fejzo Lepenica, që në vitin 1925, kur sapo kishte mbritur në Janinë si emgirant, u lidh me qarqet patriotike të Çamërisë për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë çame. Aktiviteti i tij përkon me periudhën historike kur në verën e vitit 1926 u rrëzua kryeministri grek me origjinë shqiptare, i cili ishte treguar dashamirës me popullsinë çame dhe qeverinë shqiptare të Tiranës. Në fuqi erdhi gjenerali Kondili, në këtë situatë të re Greqia nisi një kryqëzatë tjetër, një genocid, për të detyruar shqiptarët e Çamërisë të largohen nga trojet e tyre autoktone për në Turqi. Në këto rrethana historike hyn në historinë e Çamërisë Fejzo Lepenica në mbrojtjen e të drejtave të çamërve, denoncimin me forcë të akteve të dhunës ndaj popullsisë civile. Patriotët e Çamërisë nuk u mposhtën. Ata filluan rezistencën ndërmjet të tjerave me artikuj në gazeta dhe peticione.
Ndër ata që shkruanin dhe botonin artikujt e tyre hyn edhe Fejzo Lepenica.Me shkrimet e tij ai bëhet autor i pjesës më të rëndësishme të historisë së Çamërisë. Artikujt e tij përshkrohen fund e krye nga dashuria dhe përkushtimi atdhetar për mbrojtjen e interesave të popullit shqiptar, sidomos atij të Çamërisë që vuan nën shtypjen, dhunën dhe terrorin e Greqisë. Artikujt shprehin kulturën e tij të gjerë për kohën. Në tërësi ai ka shkruar mbi bazën e fakteve të pakundërshtueshme duke iu dhënë artikujve një përmbajtje prej dijetari. * * * Po shkëpusim nga libri dhe po botojmë më poshtë, një artikull të tij, të vitit 1928, të nënshkruar me pseudonimin e tij: Krivova.
GARDHIQI DHE DHRAGOMIA
Prevezë, prill 1928. Shqiptarët e Çamërisë heqin me heshtje në zverkun e tyre gjithë paudhësitë greke dhe padrejtesitë e këtyre. Me heshtje, them jo se s’ndihen, por se nuk iu dëgjohet zëri, s’bën asnjë efekt në veshët dhe në zemrat e atyre që kanë për barrë mbrojtjen.
Ankimet e çamërve mbeten zëra të thatë që s’gjejnë përgjigjet e dëshiruara, ato të cilat u janë mohuar me kohë: mbrojtjen e shqiptarëve të lirë.
Një nga më të parat armë që shkaktojnë mjerimin e tyre është grabitja e pasurive: ajo që sjell sëmundjen më të vështirë: urinë. Pasuritë e çamërve kanë shkuar nën zotnimin e refugjatëve me urdhëra të qeverisë.
Kjo është gjendja përgjithësisht në Çamëri, por këtu do kufizohemi të tregojmë vetëm atë të katundeve Gardhiq e Dhragomi.
Pas luftës turko-greke të Azisë së Vogël, lindi shkëmbimi i popullsive ndërmjet dy shteteve në fjalë.
Grekërit, duke përfituar nga ky rast, ngulën këmbë të përzinin dhe çamërit shqiptarë. E para masë që mori qeveria greke qe sekuestrimi i pasurive të patundura, si shtëpi, toka, ullinj etj., të banuesve të katundeve Gardhiq e Dhragomi, në të cilat pasuri u vendosën refugjatet. Fëmijët [Familjet] shqiptarë, pronarët e vërtetë të pasurive, u përplasën në rrugë, në mëshirën e fatit.
Per t’i zbuar nga vatrat e tyre për në Turqinë e huaj, kundër çamërve autoritetet greke, në bashkëpunim me të arratisurit kriminelë, përdoruan mjetet edhe mënyrat më barbare.
Në pranverën e 1926 Lidhja e Kombeve vendosi njohjen e tyre si shqiptarë dhe për konseguencë, të përjashtuar nga shkëmbimi.
U përjashtuan nga shkëmbimi, por jo nga fati në të cilin i ka shtirë Greqia e njerëzuar (siç) qysh në vitin 1923, në të cilin vazhdojnë akoma.
Foshnjat e pafajshme vdesin rrugëve nga uria dhe mbarojnë me këtë fjalë në gojë “buke”, mungesa e së cilës i dërgon t’i shtrojnë krahët dheut të ftohtë. Autoritetet greke tallen me kufomat e tyre dhe duke fërkuar duart, thonë me gaz: “plotësuam një detyrë patriotike”!
Ankohen në Lidhjen e Kombevet dhe z. Colban-i u përgjigjet: “E mora letrën tuaj, pritni të falat….”!
Është sistemi monoton i Seksionit të Minoriteteve pranë Lidhjes së Kombeve, që ka për barrë të mbrojë të drejtat e pakicave?! Po, për fat të keq!
Në kohën kur Kryqi i Kuq Shqiptar vrapon t’u ndihmojë me bukë për të mbajtur shpirtin, Qeveria greke refuzon të lejojë një ndihmë të tillë njerëzore, jo për gjë tjetër, por për të vetmen arsye, që mos t’i dalin në shesh të palarat!
Është detyrë e Kryqit të Kuq Shqiptar që me menyrë të tij, t’ia njoftojë gjendjen e Çamërisë, veçanërisht të katundeve më fatkeqe, qendrës ndërkombëtare, që ta hetojë vetë nga afër për të konstatuar të vërtetën. Aq më tepër është detyra e qeverisë shqiptare dhe e gjithë popullit shqiptar që vëllezerit e tyrë çamër, të mos i lënë të bëhen viktimat e barbarizmës greke.
E dimë se zëri ynë do të mbetet pa efekt, nuk do të gjejë përgjigje dhe se të gjitha apelet e shtypit kombëtar kanë mbetur si të tundurat monotone të një ore, por koha tepër e vlefshme nuk blihet dot më, po kaloi. Shpirtrat s’ngjallen po vdiqën dhe kështu Çamëria shqiptare shuhet, zhduket të pakën për shqiptarët. Duhet të mos i shtrohemi gjumit të shkaktuar nga buka me egjër se na dëmton keqazi trupin!
KRIVOVA
Gazeta “Demokratia”, Gjirokastër, nr.151, dt. 14. 4.1928, f. 1.