• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FEJZO LEPENICA – VEPRIMTAR PATRIOT, PUBLICIST ANTISHOVEN

August 26, 2016 by dgreca

Portret* – bazuar në librin e Enver Memisha, me të njëjtin titull/

Nga IDAJET JAHAJ/

1.Libri i Enver Memishaj dhe befasia/

Në prill të vitit 2015 doli libri i Enver Memishaj “Fejzo Lepenica”. Autori, paraprakisht, na kishte bërë një ekspoze për personazhin e këtij libri. Ai kishte qenë luftëtar i 1920-tës, veprimtar i luftës për demokraci në vitet 1920-24, nëpunës në xhandarmërinë e kohës,etj. Por ajo që e bënte të veçantë  këtë personazh ishte veprimtaria e tij tej kufirit tonë shtetëror, në Janinë. Ai  jetoi atje për një kohë prej afro 12 vjetësh, me ndërprerje të pakta.Ishte i arsimuar në një kolegj  arbëresh në Itali dhe dinte disa gjuhë të huaja. Kishte prirje gazetarie dhe në vitet 1926-1932  , në Janinë, shkroi shumë artikuj në gazetat shqiptare të kohës, ku denonconte shtypjen dhe genocidin që i bënte shteti grek popullsisë çame në trojet e saj . Pas vitit 1932 ai i rralloi këto shkrime, pasi, nga torturat e shumta që i bënë grekët, u sëmur dhe vdiq pas disa vjetësh .

Ai ishte një aspirues dhe luftëtar i së drejtës njerëzore e kombëtare ,  tek bashkëkombasit e tij në Çamëri. Po ashtu ai u përndoq edhe nga organet e shtetit të  këtushëm ( amë), sepse e urrente shtypjen monarkiste.

Duke na kallzuar këto të dhëna, autori i librit, Enveri, i cili është  edhe një pasardhës në trungun e fisit të Fejzos,  na shkaktoi  habinë  : se si një Lumas ( nga Lumi i Vlorës) shkëlqeu  si  luftëtar në epopenë e Njëzetës e të Demokracisë më pas, por sidomos në fushën e  publicistikës, atje, tej kufirit, brenda territorit grek, duke mbrojtur me guxim të drejtat e çamëve, të cilat nëpërkëmbeshin nga ai shtet .

Historia e krahinës së Lumit të Vlorës është shumë e pasur me heronj e patriotë, me veprimtarë të pushkës , të mendjes e të penës , kundër çdo pushtuesi, nëpër kohë e shekuj, por sidomos  kundër shovenëve të jugut, të cilët kanë synuar vazhdimisht të marrin trojet tona e të genocidojnë popullsinë shqiptare në atë vend. Kështu janë dalluar, midis luftëtarëve të shumtë, figura të shquara  antishovene si : Shako Xhakë Tërbaçi e Selam Hasan Velça,  në mesin e shekullit të kaluar, kundër hordhive greke në Mecovë, Kallabakë , më vonë në Lëkurës të Sarandës e në shumë pika të kufirit tonë jugor. Është shquar  (nga kjo krahinë) sidomos  kuçioti Myslym Gjoleka, biri i të famshmit Zenel Gjoleka,  si një luftëtar me armë e me veprimtari  organizuese kundër aneksionimeve shovene në gjysmën e dytë të shek të 19-të…

Kundër atij shovinizmi  ngriti penën edhe djaloshi  nga Lepenica e Lumit të Vlorës.  Ai e mprehu publicistikën e tij atje, në Janinën – dikur shqiptare e tashmë në arealin grek… Dha tablo të jetës së mjerë të çamëve, me arsenal shifrash e faktesh, me rubrika të hollësishme të dhënash , të trajtimit çnjerëzor që u bënte shteti grek këtyre banorëve autoktonë. Publicistika e tij kumboi  si pushkë, jehona e së cilës merr aktualitet edhe sot, kur mekanizma të fshehta  e të hapura të shtetit grek tentojnë jo vetëm mohimin e çështjes çame, por edhe penetrimin e thellë në arteriet e shtetit e të shoqërisë sonë, për ekspansion…për “Vorio-Epirin “- sipas tyre, duke patur në pararojë Fanarin famëkeq të Athinës si dhe fenerin e Janullatosit në krye të Kishës sonë Ortodokse, në Tiranë.Fakti i zbulimit të këtij veprimtari, nga historiani Enver Lepenica, na befasoi. E morëm librin, të botuar ,dhe e lexuam me një frymë, duke u kënaqur nga informacioni i gjerë i tij. Dhe kështu , u njohëm me publicistin patriot, antishovenin-Fejzo Lepenica,- puna, lufta dhe pena e të cilit i shtohet një vazhde të ndritur të qiellit të atdhetarisë sonë.

  1. Jeta dhe veprimtaria e Fejzo Lepenicës

Lindi në Lepenicë, në vitin 1902. Quhej  Fejzo Tafil Memishaj, por mori mbiemrin “ Lepenica”, larg vendlindjes së tij,   në Gjirokatër e Janinë,  për  ta evidentuar më mirë . Ishte nipi i ushtarakut të shquar  -Ahmet Lepenica,- i cili planizoi sulmet në luftën e vitit 1920. Fejzua mbeti  jetim që kur ishte tre vjeç, i vdiq nëna.  Më vonë pati një vëlla (me babë), Zijain.

Jetoi 35 vjet. Vdiq në Janinë, në vitin 1937. Atje u martua dhe la pas dy vajza.  Shkollën fillore e mbaroi në Drashovicë, në vitet 1908-1910. Plotoren e kreu  në Vlorë, në shkollën e parë, në lagjen  “Muradie”. Në vitet 1915-18 ndoqi një shkollë në kolegjin e arbëreshëve- Shën Mitër Korona, në Itali.  Atje përvetësoi italishten. Greqishten do ta mësonte më vonë, kur punoi në zonat e Gjirokastrës e në Janinë.

   Në luftën për çlirim e demokraci 1920-1924

Sapo erdhi nga Italia, në vendlindje, u aktivizua në shoqëritë patriotike, që vepronin në Vlorë e në Lumin e Vlorës. Në shtator 1918 u aktivizua në shoqërinë “Lidhja e Djelmoshave”, me udhëheqës Halim Xhelon, Jani Mingën, Kristo Karbunarën…Më pas në shoqërinë “Opinga” të Zaçe Xhelos në Mesaplik.    Gjatë vitit 1919 punoi në avokaturën e Agja Libohovës, në Gjirokastër.Gjithashtu në shoqëritë “Shtizat e Qytetërimit’ dhe “ Mbrojta Shkollore” në Brataj. U njoh e lidhi miqësi me patriotë si  me : Ali Çakërrin, Ibrahim Shytin, Avdul Kuçin, Ibrahim Abdullahun, etj. Me Halim Xhelon pati lidhje të ngushta për shumë kohë. Nga librari i madh Ibrahim Shyti merrte vazhdimisht libra, të cilat i lexonte me etje.

Mori pjesë në demonstratën antiitaliane në Vlorë, në vitin 1919. Në këtë kohë xhaxhai i tij, Ahmet Lepenica, ishte shquar si ushtarak, në forcimin e organeve të xhandarmërisë në Jug. Ai e merrrte kurdoherë me vete Fejzon, duke e kalitur si punonjës e veprimtar të ri, të palodhur.

Pas Kongresit të Lushnjës, më 21 janar 1920, Fejzua  e ndihmoi shumë Ahmetin për kuvendin e krerëve të Vlorës, i cili u bë në vendlindjen e tyre, në vendin e quajtur “Krivovë” të Lepenicës. Ai kuvend u bë në datat 23-27 shkurt 1920 dhe u drejtua nga  kryeministri Sulejman Delvina.  Ishte një nga kuvendet e mëdha të Labërisë, për vendimin dhe nisjen e Luftës së Vlorës.  Emrin e  dashur “Krivovë” Fejzua do ta përdorte si  pseudonim në shkrimet e tij të mëvonëshme.

Në Luftën e Vlorës- 1920

Fejzo  u aktivizua për lajmërimet në fshatrat e Lumit të Vlorës për Mbledhjen e Mesaplikut,  në Kuvendin e Baçallasë- 29 maj  të atij viti, etj. Në sulmin mbi garnizonet ushtarake italiane, Fejzua u zgjodh zv. komandant i çetës së Gjorm-Lepenicës. Ishte vetëm 18 vjeç. U plagos në Llogora. Pas atij sulmi, ku u vra komandanti Sheme Jazo, Fezon e caktuan  komandant çete. E drejtoi çetën me zotësi në luftimet në Bestrovë, Panaja e Nartë, si edhe në sulmet në lagjet e qytetit të Vlorës, deri në çlirimin e tij, më 3 shtator 1920.

   Pas vitit 1920

Në Vlorë u organizua xhandarmëria  Kombëtare. Për merita lufte djaloshin Fejzo e graduan n/officer në këto organe. Gjatë luftës e më pas ai u lidh edhe më shumë me patriotët e njohur si : Halim Xhelo, Muço Delo, Mihal Peço, At Shtjefën Gjeçovi, etj. Kudo shoqëronte Ahmet Lepenicën , i cili organizonte e kontrollonte detyrat e rendit në organet e xhandarmërisë. Fejzua u emërua komandant  njësie në këto forca.

Veproi në aktivitetet e Federatës “Atdheu”, e cila kryesohej nga Avni Rustemi.

Në qershor të vitit 1921 , me njësinë e tij, ai u inkuadrua në batalionin e xhandarmërisë që marshoi  në Himarë, për ta kthyer atë  krahinë brenda shtetit amë. Edhe më vonë, bashkë me Ahmetin, shkoi në Kuvendin e madh zakonor të Kuçit –më 28 nëntor 1924.

 Në Dibër

Nga fundi i vitit 1921, Fejzua, bashkë me Ahmet Lepenicën, komanduan forcat e xhandarmërisë së Jugut për të çliruar zonat e Matit  e të Dibrës nga okupacioni serb. Me njësinë e tij ai luftoi në fshatin Buall e Qafë-Murrëz. Në ato luftime ranë edhe tre dëshmorë  nga Vlora : Nuro Tërbaçi, Nuredin Cekaj e Shefit Kropishti.

   Në gjindarmërinë e Gjirokastrës

Në shkurt  të vitit 1922 xhaxhai i Fejzos, Ahmeti,  u emërua Qarkomandant i gjindarmërisë së Gjirokastrës. Ai e mori Fejzon adjutant të tij dhe më pas e emëroi në detyra të ndryshme. Pak muaj Fajzua punoi në protokollin e qarkut deri në fund të vitit 1922. Në v. 1923  erdhi në Vlorë, ku ndoqi një kurs profesional xhandarmërie.Në prill të këtij viti u caktua në grupin e ushtarakëve shqiptarë që do të ishin pranë gjeneral Telinit (italian), për piketimin e kufirit tonë shtetëror në Jug, në bazë të vendimit të Fuqive të Mëdha. Aty provoi peripeci e pengesa të shumta dhe pa me sytë e tij dhelpëritë deri edhe krimet nga ana e grekërve, të cilët donin si e si ta  shtynin kufirin brenda territorit tonë. Grekët vranë  gjeneral Telinin, i cili ishte i predispozuar ndaj shqiptarëve.

Fejzua, bashkë me Ahmetin e një sërë patriotësh shqiptarë, bënë çmos , duke kërkuar vazhdimisht pranë komisioneve të Fuqive të Mëdha  dënimin e vrasësve të Telinit.

Në qershor 1923 u emërua  komandant poste xhandarmërie në Çajup. Ishte 21 vjeç.

Kishte inteligjencë e pjekuri  për detyrat që i ngarkoheshin. Shkruan në gazetën “Zëri i Gjirokastrës” për pronat e fshatarëve, për padrejtësitë  që bëheshin dhe u  jepte rrugëzgjidhje problemeve. Që aty, pranë kufirit,  ndjeu dhe pa  djallëzitë e grekërve, të cilët akuzonin e shpifnin  ndaj drejtuesve shqiptarë në vijën e kufirit.

Në dhjetor 1923 Fejzua mbrojti  ligjësinë e zgjedhjeve të vendit tonë.  U gradua nëntoger.  Përkrahu vijën demokratike të Nolit.

 Në revolucionin e  vitit 1924  

Në mars të vitit 1924 shkoi në Vlorë  ku ndoqi një kurs tjetër kualifikimi  xhandarmërie. Më 1 maj të atij viti mori pjesë në varrimin e Avni Rustemit, të cilin e vranë agjentët e Ahmet Zogut. Në marshimin për përmbysjen e monarkut Zog, Fejzua komandonte një njësi xhandarmërie të Vlorës. Në përbërje të batalionit që drejtohej nga Halim Xheloja, ai,  me njësinë e tij luftoi  në Berat e në shkallën e Tujanit, drejt Tiranës.

Gjatë periudhës së vendosjes së regjimit demokratik,  punoi oficer në drejtorinë e rekrutimeve  në Elbasan e Vlorë.

Pas dështimit të revolucionit, Fejzua u përndoq nga forcat e monarkut Zog. Për të shpëtuar, ai tentoi të kalojë kufirin  për në Janinë, por  e kapën dhe e burgosën në kalanë e Gjitokastrës. Pas një muaji , i ndihmuar nga patriotët e Libohovës e të Gjirokastrës, u arratis nga burgu, kaloi kufirin dhe shkoi në Janinë. Por atje, i informuar nga policia shqiptare, u  arrestua nga policia greke dhe u internua në ishullin e Qefalonisë, për një periudhë prej 6  muajsh. Doli nga burgu, qëndroi pak kohë në Janinë, ku u njoh me një vajzë shqiptare. Më pas, në tetor 1925 , erdhi ne atdhe, në vendlindje, sepse  qeveria e  e Zogut e kishte falur. Nuk e pranoi ofertën për të punuar në xhandarmëri.

Shkoi në Janinë.  Ishte i papajtueshëm më politikën greke ndaj shqiptarëve atje. Në tetor 1926  e arrestuan dhe pas pak ditësh e nisën për në Shqipëri. Nga fundi i këtij viti kaloi sërish në Janinë. Atje u martua me  vajzën që kishte njohur, dhe , krahas punës për mbajtjen e familjes, iu përkushtua  edhe publicistikës, për demaskimin e politikës greke , që diskriminonte  popullsinë  çame.

   Veprimtaria publicistike  në Janinë (1926-1932)

Aty u lidh me rethet patriotike shqiptare dhe shkroi herë pas here artikuj në gazetat shqiptare brenda dhe jashtë vendit.  U lidh me patriotët çamë si : Musa  e Ahmet Demi, Haki Musai, etj. Shkonte nëpër fshatrat  e qytetet  çame, mblidhte të dhëna e fakte për artikujt.

Gjatë vitit 1931, qëndroi në shtëpinë e tij  në Janinë, i survejuar nga organet lokale greke. U lidh me Halim Xhelon, Hysni  Lepenicën, Qazim Kokoshin, Seid Qemalin, Myqerem Hamzarain, Murat Miftarin, Gani  Abazin, etj. Pati korespondenca letrash me ta.  Në  shkurt të atij viti grekët e arrestuan, e burgosën në ishullin Zaqinthos, për disa muaj.  I bënë tortura të shumta, bile duke e helmuar edhe me  me narkozë të fortë .  Në shtator të atij viti (1931) erdhi  në vendlindje, në Lepenicë, ku qëndroi për afro një vit. Ndërtoi  një shtëpi  të re dykatëshe në pronat e tij.

Në gusht të vitit 1932, me shumë patriotë të tjerë , u përfshi  në Grupin e Fshehtë të Vlorës, për përmbysjen e qeverisë së  mbretit Zog.  Grupi u zbulua, por Fejzua, në gjyqin që iu bë, u mbrojt me vendosmëri e zgjuarsi  dhe  nuk e dënuan. Në prill të vitit 1933 shkoi në Janinë , pranë familjes së tij. Pas disa kohësh  i rralloi artikujt , sepse u sëmur. Grekët i kishin injektuar bacil tuberkulozi në gjak.

Vdiq në vitin 1937.

Figura e luftëtarit dhe publicistit

Veprimtaria e Fejzo Lepenicës  kap dy periudha kohore : E para : 1918-1926- ku spikatin : veprimtaria në shoqëritë patriotike të viteve 1918-20; pjesëmarrja në luftën çlirimtare të Vlorës, në vitin 1920; puna si  ushtarak në xhandarmërinë e Vlorës e të Gjirokastrës dhe pjesëmarrja në revolucionin e vitit 1924…

E dyta : Vitet 1926-1937 – në Janinë, ku  kaloi afro 12 vjet. Atje krijoi familje dhe u muar me veprimtarinë publicistike në  gazeta të ndryshme.

Pra , 20 vjet punë e luftë  të pandërprerë në shërbime patriotike, ku u dallua si një veprimtar, luftëtar i pushkës e i penës, për idealet kombëtare. Ishte luftëtar i vendosur për përparim, çlirim e  demokraci e kundër monarkisë, brenda vendit,  si dhe i papajtueshëm me politikën  shovene greke . U persekutua nga të dy qeveritë, nga kjo- e shtetit amë, dhe ajo e huaj- greke. E arrestuan, e brugosën, e torturuan, e bastisën shumë herë , në disa vite. Ai tregoi heroizëm qëndrese, por më së fundi, shëndeti  i  tij ra nga persekutimet e shumta që i bënë, sidomos shovenët  matanë kufirit.

Shkëlqeu  me artikujt e tij (jo të paktë) që bëri në Janinë, duke shkruar , me shifra dhe fakte , për gjendjen e mjeruar të çamëve, të cilët lëngonin  nga  persekutimi.  U bë një avokat i talentuar i tyre; shkroi në gazetën  shqiptare në Rumani, por sidomos në gazetat brenda vendit. Pati  letërkëmbim me Musa Demin, patriotin e shquar çam; me Halim Xhelon,  Mitat Frashërin , Azis Çamin, Karagjozajt e Gjirokastrës,etj. Një pjesë e kësaj korrespondece ende nuk është gjetur. Në artikujt  duket inteligjencia e tij, intuita e hollë e kapjes së problemeve çame, nuhatja politike, vendosmëria  në kërkesat që i parashtron opinionit të gjerë,deri në organet ndërkombëtare, erudicioni  i tij. Bëhet kështu një perkursor i rëndësishëm i  çështjes  kombëtare lidhur me Çamërinë. Kritikoi  ashpër  qeverinë e  Tiranës , e cila nuk reagonte ndaj masakrave greke në Çamëri.

Në shkrimet e tij kumbon shpirti atdhetar. Penelatat përshkruese marrin herë-herë forcë të shndritshme…Nëpërmjet artikujve të tij ai  dha një pjesë të historisë së Çmërisë. Spikat për kulturën, argumentin, faktologjinë  dhe erudicionin e shkrimeve.

Shkëlqeu si një qytetar  i së drejtës kombëtare e ndërkombëtare , me aktakuzën që i bëri shtypjes shovene  ndaj çamëve. Janë gjetur  25 shkrime të tij, por mendohet se mund të ketë edhe të tjera.

Pseudonimi “Krivova”, me të cilin i nënshkroi artikujt, flet për nostalgjinë e tij për vendlindjen e dashur si edhe për fshehjen nga përndjekjet e shovenëve. Ky emër do të shkundte pluhurin e harresës nëpër shekull.

   Pasfjalë : Një yll atdhetarie

Harresa e historiografisë komuniste (gjysma e dytë e shekullit XX) nuk ishte gjë tjetër, veçse një shërbim i verbër ndaj shovinizmave  të jashtëm, që rrezikonin ( e rrezikojnë ) vendin tonë. Fejzo mbeti një martir i pavdekshëm i  luftës për liri e demokraci si dhe për mbrojtjen e bashkëkombasve tanë tej kufirit.  Pati një jetë të shkurtër, por intensive, ndiçoi si një meteor në qiellin e atdhetarisë sonë…

   4.Penelata nga publicistika e Fejzo Lepenicës

Ai shkroi artikuj në gazetën “Demokratia” e Gjirokastrës, ”Vullneti i Popullit”, ”Besa”, ”Gazeta e Korçës”, ”Shqipëria e Re” e Kostancës, në Rumani, etj.

Iu përkushtua informacionit të ngjeshur,  me të dhëna e fakte nga gjëndja e  çamëve. Janë gjetur rreth 60-70 faqe të artikujve të tij të botuar. Shkrimet kanë forcë stilistike, frymë polemike; janë të copëzuara në sytha të shkurtër, për lehtësi  asimilimi. Arsenali  i tij gjuhësor është përgjithësisht i pastër, në leksik e sintaksë. Shprehje e erudicionit të tij janë edhe përdorimi  i fjalëve të përparuara të kohës si: antitudë, difikultete, konservacione, shovene, vitale, semplice, mitologjike,etj.  Ka edhe ndonjë fjalë të leksikut të hershëm, por ato tingëllojnë  më tepër për kolorit kohor. Informacioni i tij vlerësohet lart nga redaksitë e gazetave.

Këtu po japim disa nga penelatat shkrimore të tij :

  1. Nga letërkëmbimet
  2. I shkruan një miku nga Janina : “ Më duhet të informohen thellësisht …Çamëria ka sot rreth 40 000 banorë.  Shteti grek i çan, i thellon dallimet myslimanë-helenë. Ai vjedh katundarët shqiptarë. Tatojnë rëndë çamët myslimanë, i detyrojnë të punojnë argatë te greku !…

…Shkollat shqipe i quajnë krim, njëlloj si sulltanët e Turqisë. 24 katundet e Filatit u shpronësuan.

…Tradita shovene vazhdon në të gjitha qeveritë greke. Në fshatrat çame si Kardhiqia e Dragomia gjen fëmijë të therur rrugëve, të cilët bëlbëzojnë : “bukë, bukë ”!

…Shteti ynë  s’hap gojë.

Çamëve myslimanë shteti grek u shet edhe varret ! Fanatizmi fetar i grekëve  është shumë i qelbur, nuk ndryshon. E barazojnë fenë me kombin.  Në katundet Voshtimë e Konicë familjet shqiptare kanë dalë në shpellat e natyrës.

…Tashmë në Çamëri nuk gjallon më frymë shqiptari…

Qeveria shqiptare bën gjumë letargjik .   Rrezikohet të humbasë kështu një gjymtyrë e madhe e kombit tonë-Çamëria martire…

  1. Nga artikujt e botuar

1927.Në gazetën “Telegraf” : Çamët janë dënuar me vdekje nga grekët. Ata po shtypen. Grekët u kërkojnë qira të larta  për shtëpitë e pronat e tyre.

Pse qeveria jonë (në Shqipëri) të  mos kërkojë shkëmbimin e popullsisë shqiptare në Greqi me popullsinë greke në Shqipëri ?

…Çamëria është pjesë vitale e kombit tonë.

…1928. I shtypin vetëm se janë shqiptarë. Pronarët shqiptarë i  flakin në rrugë. Foshnjat vdesin rrugës me fjalën : “ Bukë!” dhe i shtrojnë krahët dheut të ftohtë…Autoritetet lokale greke tallen me kufomat e tyre, fërkojnë duart e thonë me skërmitje : “Plotësuam një detyrë patriotike “ !

…Gjendja e çamëve është e tmerrshme. Jeta e një çami  i kushton grekut sa jeta e një zezaku-një të bardhi  në Amerikë. Veprimtaria  e shtetit grek është një turp i shekullit të sotëm. Të mjerët çamë ! Përdoren nga greku në vend të kuajve !

…Si venë sot punët në Çamëri, nuk do shkojë shumë kohë e popullsia aty do të shfaroset plotësisht. Përpara këtij genocidi qeveria shqiptare fle gjumë …Ç’bën shoqëria e Kombeve , si Institut i Paqes e Drejtësisë Ndërkombëtare ? Na duket se edhe ajo po shkel parimet e saj !

…Shurt 1930 : Një gazetë shqiptare e vlerëson artikullin e Fejzos si “Letër ndriçonjëse nga Çamëria”. Artikulli i Fejzos vazhdon : “Grekët duan të realizojnë dënimin me vdekje të Shqipërisë.”

Gazeta shqiptare e Rumanisë e vlerëson Fejzon si “trumpetar shqiptar në Çamëri”.

…Arsimi?-Fjalë e thatë ! Asnjë shkollë shqipe…nën maskën e qytetërimit grek! Asnjë deputet çam në parlamentin grek ! Çamëria-shesh shfrytëzimi  për grekët . Asaj i merren taksa të larta, ushtarë…Çamëria bën jetë fatale. Lëvizja brenda shtetit amë-shqiptar-indiferencë letargjike.Kjo përbën një krim kundrejt kombit tonë. Çështjen çame grekët e dërguan në arkivat e harresës. Grabitje e stërmadhe shtetërore ndaj popullsisë shqiptare.

…Një profesor grek në Paramithi paraqitet si bishti i rjepur i një dhelpre… me mashtrimet e tij. Qeveria i nis vetë banditët e saj kundër shqiptarëve. Nga thellësia e shpirtrave të dëshpëruar çamë del rënkimi agonik i vdekjes…I vdekjes së një pjese të popullit shqiptar.

Kjo gjendje na thërret të vrapojmë në ndihmë të tyre.

  1. Hajdutëri shtetërore në Filat : bastisin familjet e mëdha çame –Denatë e Sykatë…Shteti grek nxjerr ligje vdekjeje për shqiptarët.

1931 . Çamët po shuhen. Ja ç’ bëri Venizellosi . Po ç’ bën Tirana ? Çamët e mjerë po i shkulin çdo ditë !…

  1. Sërish për monografinë e Enver Memishaj “Fejzo Lepenica…”

…Libri u botua në vitin 2015, në një shtypshkronjë të Vlorës. Ka 255 faqe.Është një monografi voluminoze dhe e hollësishme.

Enveri, një pasardhës i sotëm i gjenezës së Fejzo Lepenicës, e ka punuar me dashuri të madhe librin.Po me këtë paion ka punuar ai edhe monografitë e tjera voluminoze si atë të Hysni Lepenicës, të Ahmet Lepenicës, të figuravë të shquara te epopesë së Njëzetës, etj.

Me plot gojën mund të themi se ky autor i ka pasqyruar me sukses të plotë këto figura madhore të historisë së popullit tonë. Fakti që dy prej tyre-Hysniu dhe Fejzua, janë në trungun e fisit të tij,  i ka dhënë  autorit  më shumë shpirt e vullnet krijues në pasqyrimin e këtyre figurave.

…Të tre këta : Ahmeti, Hysniu dhe Fejzua, ishin figura pothuajse krejt të panjohura më parë. Dhe s’ kishte si të ndodhte ndryshe : regjimit komunist as i shkonte në mendje të lejonte njeri të merrej me këto figura  të rëndësishme, pasi “ ishin nga Lepenica”, të cilën, si shumë fshatra të tjerë, ai regjim i kishte eklipsuar plotësisht.

Për këto vepra të Enver Memishait , ndodhi si me skulpturat e lashta të antikitetit : i nxorri nga dheu i harresës e i mohimit, dhe ato, falë punës së tij, ndriçojnë tashmë si statuja të bardha kombëtare plot dritë…

Bukur e shprehu poeti i spikatur vlonjat, Nertesi Asllani, punën e Enverit për Fejzo Lepenicën : “ Pena e tij ( e Enverit) derdhi lot për martirin, derdhi gjak e dhembje, derte e brenga,britma e nderime…Ai flet shekullit me një oqean faktesh për martirë të tillë…”

Ndërsa recensionuesja e librit  për Fejzon, prof. dr. Kaliopi Naska, midis një analize të hollësishme, jep edhe këtë definicion : “ Enveri në këtë vepër voluminoze ndriçoi jetën dhe veprën e një ylli të patriotizmit shqiptar,- të Fejzo lepenicës, i cili iu kushtua çështjes sonë kombëtare edhe atje tej kufirit ,deri në ditët e fundit të jetës. Pena e Fejzos u bë armë e madhe në vitet 30-të të shekullit XX”.

Të tria këto figura që nxorri në dritë  Enveri- mbajnë mbiemrin “Lepenica”. Libri për fejzon i kapërcen dukshëm kufijt e një monografie. Ajo jep kuadrin e gjerë kohor ku u zhvillua veprimtaria patriotike e Fejzos. Kështu libri ka edhe vlerën e një arkivi të madh për referime nga brezat e rinj të studjuesve. Me një serial të pafund të dhënash e referimesh ai ndriçon kontekstet historike. Pasioni i hulumtuesit shkëlqen. Krenaria ndrit.

Ligjërata spjeguese e Enverit  është e pasur dhe e pastër gjuhësisht. Ka përshkrime emocionuese, gjithherë në funksion të ndriçimit të personazhit të monografisë. Pasazhet e gjera të spjegimeve e hulumtimeve të japin imazhin e një romani.

Libri është i tipit akademik. Forca e argumentit shndrit. Copëzimet në kapituj janë funksionalë.

Të tilla monografi, si këto të Enver Memishait, janë kontribute të çmuara në historiografinë e sotme, dhe me vlera shumë të mëdha për brezat e ardhshëm.

Kështu , Enveri është evidentuar e realizuar si një historian-monografi i talentuar e  i shquar në këtë fushë. Për të tillë studiues skrupulozë ka nevojë në çdo kohë çështja jonë kombëtare.

  1. Dhe lira e këngës

Dhe lira e këngës flet vetë. Me melodinë e saj, me kumbimin e saj. Lira popullore labe nuk le trim a veprimtar pa përmendur, por, siç u tha më lart, vepra e Fejzo Lepenicës nuk ishte e njohur. Kur kjo lirë njihet me veprën atdhetare, ajo gjëmon, me tone madhore, me timbër elegjiak, me krenari kolektive.  Sepse substanca atdhetare është hemoglobina dhe klorofila e saj. Heroizmi është aureola e saj. Për Fejzon , tashmë vonë , kanë shkruar  disa poetë popullorë si N.Asllani, T. Lelo e ndonjë tjetër. Veçanërisht vargjet e Nertesi Asllanit shndritin nga një metaforizëm melankolik :

…Vjen një zë që nga Janina,

Një zë i bukur bilbili;

Udhëton trimi mbi trima,

Patriot Fejzo Tafili.

Fejzo Tafil Lepenica

e kaloi jetën e tij

nëpër dallga e sakrifica,

E merrte vdekjen në sy.

…Vjen një zë që nga Janina,

Trupi tretet, shpirti rron;

Nëpër flakë e vetëtima

Fezo Tafili gjëmon…

Vlorë, më 20.8.2016

*NE FOTO: FEJZO LEPENICA 

Filed Under: ESSE Tagged With: FEJZO LEPENICA, Idajet Jahaj, patriot, publicist

TË LINDËSH DHE TË VDESËSH PËR KOMBIN

October 23, 2015 by dgreca

Fejzo Lepenica, si personifikim i atdhetarizmit. Heroi i luftës së Vlorës dhe patrioti i çështjes çame/
Nga Hyqmet Zane/
Njeri prej atyre burrave që lindën, jetuan dhe vdiqën për Shqipërinë, është Fejzo Lepenica. Nuk e kam thënë unë si gazetar, por është vepra dhe puna që bëri ky njeri gjatë gjithë jetës së tij në gjysmën e parë të shekullit të 20-të deri sa një ditë mbylli sytë duke mbetur në kujtesën e brezave si ai, i lartësuar për çka bëri. Një telefonatë e një miku, më dha një mesazh të madh nga takimi me të se më ndriçoi një nga ato momente jetësore të një atdhetari që u duhet mësuar vepra dhe kontributi për kombin. Që të kuptosh se cili është ky njeri që hyri në historinë tonë kombëtare me vlera të padiskutueshme, mjaft t’i hedhësh një sy një shënimi të profesoreshës së nderuar Kaliopi Naska, që ka shkruar “botimi i studiuesit dhe i publicistit të apasionuar dhe të përkushtuar Enver Memishaj kushtuar veprimtarisë patriotike të Fejzo Lepenicës, me prurjet që sjell, i shërben historisë dhe i hap horizont studiuesve e historianëve për thellimin dhe studimin e mëtejshëm të figurave të tilla, që kanë dhënë për Shqipërinë duke sjellë përmes tyre fakte të reja historike për ngjarje të nxehta siç ishte ajo në mbrojtje të popullsisë çame”.
Në librin përmbledhës “Fejzo Lepenica jetoi dhe vdiq për Shqipërinë” të publicistit Enver Memisha, gjeta ato vlera pikante që do të duhej të manifestonte çdo shqiptar atdhetar që në kohë të vështira lenë gjurmë në kujtesën historike, sepse të thelluarit në hallet e popullit, sidomos popullsisë çame në zgjedhën greke, por edhe pasqyrimi i disa të vërtetave që kanë vlera akademike dhe jetësore njëkohësisht, janë këto që bëjnë edhe njerëz të nderuar si Gaz Demi dhe Dr. Bujar Leskaj që të shënohen në kujtesën e njerëzve që i vlerësojnë dhe i sponsorizojnë këto vepra duke i këndvështruar si lapidare që janë kujtesë e madhe në historiografinë tonë mbarëkombëtare.
Që nga thënia e vetë Fejzo Lepenicës; “Me shpresë se ato që do të shkruaj unë nuk do të venë kot”, kupton misionin e një njeriu që i ka vënë vetes një detyrë të rëndësishme që të lerë pas një dokumentim të vyer dhe që janë mesazhet e mëdha të një kohe të trazuar kur kombi shqiptar hallakatej nga presionet greke dhe serbe dhe që formimi i vetëdijes kishte nevojë për të thënurit hapur të atyre që ndodhnin në skenat dhe prapaskenat e jetës dhe diplomacisë antishqiptare. Ja se si shprehet ky burrë i madh Fejzo Lepenica që na vijnë përmes kujtesës që i bën i nderuari Enver Memisha. “Foshnjat e pafajshme vdesin rrugëve nga uria dhe mbarojnë me këtë fjalë në gojë “bukë, mungesa e së cilës i dërgon t’i shtrojnë krahët dheut të ftohtë. Autoritet greke tallen me kufomat e tyre dhe duke fërkuar duart, thonë me gas: “plotësuam një detyrë patriotike”? … “. Ndoshta për këto pamje rrëqethëse të shkruara nga Lepenica, por edhe nga ato që vetë i pa me sytë e tij skulptori i popullit Odise Paskali, bën që ai ta gdhendte në mermer veprën “I urituri” që personifikonte vuajtjet e komunitetit çam në vitet ‘20, që janë dëshmi e asaj se çfarë kanë bërë grekët zyrtarisht dhe jozyrtarisht meshqiptarët.
E dimë se zëri ynë do të mbetet pa efekt, nuk do të gjej përgjigje dhe se të gjitha apelet e shtypit kombëtar kanë mbetur si të tundurat monotone të një ore, por koha tepër e vlefshme nuk blihet dot më, po kaloi. Shpirtrat s’ngjallen po vdiqën dhe kështu Çamëria shqiptare shuhet, zhduket, të paktën për shqiptarët. Dua të mos i shtrohemi gjumit të shkaktuar nga buka me egjër se na dëmton keqazi trupin”. (gazeta “Demokratika”, Gjirokastër, nr. 151, datë 14. 04. 1928, f. 1).
Janë të bëra, pa janë edhe të thëna që na vijnë si plotësim i atyre dëshmive që nuk janë thënë nëpër televizionet e shtetit tonë ose janë thënë si çalë-çalë sa për t’i lënë në muzgun e ftohtë të harresës. Si një njohës i thellë i realitetit dhe një hulumtues i vëmendshëm i së vërtetave që di të shohë syri një atdhetari të përkushtuar, Fejzo Lepenica na jep një lekison të vyer që do të quaja edhe një shuplakë në distancë që ai i jep politikës së sotme dhe diplomacisë shqitpare që me ose pa dashje kërkon të heshtë për këto që ai i qëmton me aq dyurim e vërtetësi kohore.
Ai shkruante se “Në Shqipëri është lënë në pakujdesi fati i çamërve. Janë lënë në mëshirën e Greqisë, të asaj që kërkon të na mburret se mban të ndezur pishën e qytetërimit me të cilën I vuri zjarrin Shqipërisë Jugore … Një indiferencë letargjike është një krim kundrejt kombit që rrezikon të humbas gjysmën e trupit të tij si Çamërinë”. (Gazeta “Demokratika”, Gjirokastër, nr. 267, datë 13. 09. 1930, f. 2 +4)
Duke shfrytëzuar çdo mundësi mediatike që rezervonte koha në vitet ’30, me përkushtimin e një atdhetari Fejzo Lepenica gjente hapësira për të shprehur të gjitha përjetimet tij të atyre viteve me një informacion që duket sa i vërtetë, aq edhe i spikatur si një shërbim i vyer për kohën, siç edhe flasin shënimet e tij në gazetat e ndryshme që nga Shqipëria e Re, Ora, Demokratia, Shqiptari I Lirë, Besa, Liria, kur shkruante se “Rënkimi agonik që del nga thellësia e shpirtrave të dëshpëruara të shqiptarëve të Çamërisë, të cilët po luftojnë me thonjtë e tyre në buzën e varrit gati të hyjnë brenda, na thërret të vrapojmë në ndihmë të tyre. (gazeta “Demokratia”, Gjirokastër, nr. 175, datë 18. 11. 1930, f. 1)
Me ironinë e spikatur që kishte ai godiste edhe ata që ishin profesorë të së ligës në pasqyrimin e realitetit kur thoshte se “Nën syzat filozofike profesori i Paramithisë na pasqyrohet si bishti i rrjepur i një dhelpre plakë, që ëkrkon të luaj akoma sot lodrën e banketit që i bëri lejlekut. (Gazeta “Demokratia”, nr. 174, datë 07. 11. 1930, f. 4) Nuk është as i pari dhe as i fundit Fejzo Lepenica kur shkruan këto realitete që kanë ndodhur ditën për diell dhe në netët me hënë nga bandat e andartëve të frymëzuara dhe të udhëhequra nga filozofia shoviniste të Athinës zyrtare. Para këtyre fakteve diplomatë dhe ministra, kryeministra dhe zyrtarë, të qeverive të njëpasnjëshme greke, kërkojnë ti mohojnë këto të vërteta, a thua se të gjithë paskan gënjyer për atë çka ka ndodhur në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Ato që shkruan me shqetësimin e tij prej shqiptari Fejzo Lepenica dhe që na i sjell në vëmendje studiuesi Enver Memisha janë një kambanë që duhet të verë në lëvizje, jo thjesht shoqatën Çamëria apo PDIU, por politikën, diplomacinë, akademikët dhe vetë shtetin për ti thënë ndal asaj tendence për të mohuar dhe harruar të vërtetat e atyre çfarë janë ndodhur dhe që e kanë emrin genocid, si krim njerëzor të një shteti kundër një popullate që për fatin e keq ende vazhdon të mos ndëshkohet.Këto që pohojmë sot pas më shumë se 80 vjetësh si një dhimbje e madhe që pret të ndërkombëtarizohet me shqetësimin e një komuniteti të gjallë në Shqipëri, Fejzo Lepenica i ka thënë aq qartë dhe saktë jo se ishte një banor i Çamërisë, por ai jetonte e shikonte, digjonte dhe prekte me dorë vuajtjet, siç edhe i shkruan i nderuari atdhetar në një prej gazetave të asaj kohe: “Si venë punët sot në Çamëri, s’ka më dyshim se popullata e saj shqiptare është e dënuar për shfarosje dhe kjo gjë është kryer sistematikisht gjer tani dhe përpara këtij genocidi qeveria shqiptare fle gjumë” (Gazeta “Telegraf, Tiranë, Nr. 54, datë 17. 08. 1927, f. 3)
Me ndjesinë e referimit të personaliteteve që na sjellin mesazhet e vyera të shekujve, i referohem unë siç duhet t’i referohen të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë çështje që duhet të jetë një kauz e përhershme, Frang Bardhi që në vitin 1635 këshillonte Në errësirë edhe pak dritë vlen e premton shumë”. Këtë bëri edhe Fejzo Lepenica dhe këtë kërkojmë ne të gjithë kur i sjellim në vëmendje mediatike.
Botuar në gazetën “Koha Jonë”, Tiranë, dt. 18.10.2015, f. 17

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: DHE TË VDESËSH, FEJZO LEPENICA, Hyqmet Zane, per kombin, TË LINDËSH

TË NJOHIM ATDHETARIN FEJZO LEPENICA

September 13, 2015 by dgreca

Sapo ka dalë në qarkullim vepra e 15 e studjuesit të njohur Enver Memishaj “Fejzo Lepenica, jetoi dhe vdiq për Shqipërinë”/

Nga Flori Sllatina/

Fejzo Lepenica është në radhën e shumë autorëve atdhetarë, të njohur dhe të pa njohur, me në krye Mid`hat Frashërin e Musa Demin, që pasqyruan në shtypin e kohës shkeljen haptazi të të drejtave të njeriut në Çamëri; ata denoncuan dhunën, terrorin, krimin, internimet dhe burgosjet e vazhdueshme të popullsisë martire të Çamërisë me qëllim që ta zbraznin për interesa të Greqisë tokën shqiptare ku jetonte kjo popullsi.

Fejzo Lepenica, që në vitin 1925, kur sapo kishte mbritur në Janinë si emgirant, u lidh me qarqet patriotike të Çamërisë për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë çame. Aktiviteti i tij përkon me periudhën historike kur në verën e vitit 1926 u rrëzua kryeministri grek me origjinë shqiptare, i cili ishte treguar dashamirës me popullsinë çame dhe qeverinë shqiptare të Tiranës. Në fuqi erdhi gjenerali Kondili, në këtë situatë të re Greqia nisi një kryqëzatë tjetër, një genocid, për të detyruar shqiptarët e Çamërisë të largohen nga trojet e tyre autoktone për në Turqi.                            Në këto rrethana historike hyn në historinë e Çamërisë Fejzo Lepenica në mbrojtjen e të drejtave të çamërve, denoncimin me forcë të akteve të dhunës ndaj popullsisë civile. Patriotët e Çamërisë nuk u mposhtën. Ata filluan rezistencën ndërmjet të tjerave me artikuj në gazeta dhe peticione.

Ndër ata që shkruanin dhe botonin artikujt e tyre hyn edhe Fejzo Lepenica.Me shkrimet e tij ai bëhet autor i pjesës më të rëndësishme të historisë së Çamërisë. Artikujt e tij përshkrohen fund e krye nga dashuria dhe përkushtimi atdhetar për mbrojtjen e interesave të popullit shqiptar, sidomos atij të Çamërisë që vuan nën shtypjen, dhunën dhe terrorin e Greqisë.                                                                                                                            Artikujt shprehin kulturën e tij të gjerë për kohën. Në tërësi ai ka shkruar mbi bazën e fakteve të pakundërshtueshme duke iu dhënë artikujve një  përmbajtje prej dijetari.                                                                                               *        *       *                                                                                                                                                    Po shkëpusim nga libri dhe po botojmë më poshtë, një artikull të tij, të vitit 1928, të nënshkruar me pseudonimin e tij: Krivova.

                                                 GARDHIQI DHE DHRAGOMIA

Prevezë, prill 1928. Shqiptarët e Çamërisë heqin me heshtje në zverkun e tyre gjithë paudhësitë greke dhe padrejtesitë e këtyre. Me heshtje, them jo se s’ndihen, por se nuk iu dëgjohet zëri, s’bën asnjë efekt në veshët dhe në zemrat e atyre që kanë për barrë mbrojtjen.

Ankimet e çamërve mbeten zëra të thatë që s’gjejnë përgjigjet e dëshiruara, ato të cilat u janë mohuar me kohë: mbrojtjen e shqiptarëve të lirë.

Një nga më të parat armë që shkaktojnë mjerimin e tyre është grabitja e pasurive: ajo që sjell sëmundjen më të vështirë: urinë. Pasuritë e çamërve kanë shkuar nën zotnimin e refugjatëve me urdhëra të qeverisë.

Kjo është gjendja përgjithësisht në Çamëri, por këtu do kufizohemi të tregojmë vetëm atë të katundeve Gardhiq e Dhragomi.

Pas luftës turko-greke të Azisë së Vogël, lindi shkëmbimi i popullsive ndërmjet dy shteteve në fjalë.

Grekërit, duke përfituar nga ky rast, ngulën këmbë të përzinin dhe çamërit shqiptarë. E para masë që mori qeveria greke qe sekuestrimi i pasurive të patundura, si shtëpi, toka, ullinj etj., të banuesve të katundeve Gardhiq e Dhragomi, në të cilat pasuri u vendosën refugjatet. Fëmijët [Familjet] shqiptarë, pronarët e vërtetë të pasurive, u përplasën në rrugë, në mëshirën e fatit.

Per t’i zbuar nga vatrat e tyre për në Turqinë e huaj, kundër çamërve autoritetet greke, në bashkëpunim me të arratisurit kriminelë, përdoruan mjetet edhe mënyrat më barbare.

Në pranverën e 1926 Lidhja e Kombeve vendosi njohjen e tyre si shqiptarë dhe për konseguencë, të përjashtuar nga shkëmbimi.

U përjashtuan nga shkëmbimi, por jo nga fati në të cilin i ka shtirë Greqia e njerëzuar (siç) qysh në vitin 1923, në të cilin vazhdojnë akoma.

Foshnjat e pafajshme vdesin rrugëve nga uria dhe mbarojnë me këtë fjalë në gojë “buke”, mungesa e së cilës i dërgon t’i shtrojnë krahët dheut të ftohtë. Autoritetet greke tallen me kufomat e tyre dhe duke fërkuar duart, thonë me gaz: “plotësuam një detyrë patriotike”!

Ankohen në Lidhjen e Kombevet dhe z. Colban-i u përgjigjet: “E mora letrën tuaj, pritni të falat….”!

Është sistemi monoton i Seksionit të Minoriteteve pranë Lidhjes së Kombeve, që ka për barrë të mbrojë të drejtat e pakicave?! Po, për fat të keq!

Në kohën kur Kryqi i Kuq Shqiptar vrapon t’u ndihmojë me bukë për të mbajtur shpirtin, Qeveria greke refuzon të lejojë një ndihmë të tillë njerëzore, jo për gjë tjetër, por për të vetmen arsye, që mos t’i dalin në shesh të palarat!

Është detyrë e Kryqit të Kuq Shqiptar që me menyrë të tij, t’ia njoftojë gjendjen e Çamërisë, veçanërisht të katundeve më fatkeqe, qendrës ndërkombëtare, që ta hetojë vetë nga afër për të konstatuar të vërtetën. Aq më tepër është detyra e qeverisë shqiptare dhe e gjithë popullit shqiptar që vëllezerit e tyrë çamër, të mos i lënë të bëhen viktimat e barbarizmës greke.

E dimë se zëri ynë do të mbetet pa efekt, nuk do të gjejë përgjigje dhe se të gjitha apelet e shtypit kombëtar kanë mbetur si të tundurat monotone të një ore, por koha tepër e vlefshme nuk blihet dot më, po kaloi. Shpirtrat s’ngjallen po vdiqën dhe kështu Çamëria shqiptare shuhet, zhduket të pakën për shqiptarët. Duhet të mos i shtrohemi gjumit të shkaktuar nga buka me egjër se na dëmton keqazi trupin!

KRIVOVA

Gazeta “Demokratia”, Gjirokastër, nr.151, dt. 14. 4.1928, f. 1.

Filed Under: Histori Tagged With: ATDHETARIN, Enver Lepenica, FEJZO LEPENICA, Flori Sllatina, TË NJOHIM

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT