Fejzo Lepenica, si personifikim i atdhetarizmit. Heroi i luftës së Vlorës dhe patrioti i çështjes çame/
Nga Hyqmet Zane/
Njeri prej atyre burrave që lindën, jetuan dhe vdiqën për Shqipërinë, është Fejzo Lepenica. Nuk e kam thënë unë si gazetar, por është vepra dhe puna që bëri ky njeri gjatë gjithë jetës së tij në gjysmën e parë të shekullit të 20-të deri sa një ditë mbylli sytë duke mbetur në kujtesën e brezave si ai, i lartësuar për çka bëri. Një telefonatë e një miku, më dha një mesazh të madh nga takimi me të se më ndriçoi një nga ato momente jetësore të një atdhetari që u duhet mësuar vepra dhe kontributi për kombin. Që të kuptosh se cili është ky njeri që hyri në historinë tonë kombëtare me vlera të padiskutueshme, mjaft t’i hedhësh një sy një shënimi të profesoreshës së nderuar Kaliopi Naska, që ka shkruar “botimi i studiuesit dhe i publicistit të apasionuar dhe të përkushtuar Enver Memishaj kushtuar veprimtarisë patriotike të Fejzo Lepenicës, me prurjet që sjell, i shërben historisë dhe i hap horizont studiuesve e historianëve për thellimin dhe studimin e mëtejshëm të figurave të tilla, që kanë dhënë për Shqipërinë duke sjellë përmes tyre fakte të reja historike për ngjarje të nxehta siç ishte ajo në mbrojtje të popullsisë çame”.
Në librin përmbledhës “Fejzo Lepenica jetoi dhe vdiq për Shqipërinë” të publicistit Enver Memisha, gjeta ato vlera pikante që do të duhej të manifestonte çdo shqiptar atdhetar që në kohë të vështira lenë gjurmë në kujtesën historike, sepse të thelluarit në hallet e popullit, sidomos popullsisë çame në zgjedhën greke, por edhe pasqyrimi i disa të vërtetave që kanë vlera akademike dhe jetësore njëkohësisht, janë këto që bëjnë edhe njerëz të nderuar si Gaz Demi dhe Dr. Bujar Leskaj që të shënohen në kujtesën e njerëzve që i vlerësojnë dhe i sponsorizojnë këto vepra duke i këndvështruar si lapidare që janë kujtesë e madhe në historiografinë tonë mbarëkombëtare.
Që nga thënia e vetë Fejzo Lepenicës; “Me shpresë se ato që do të shkruaj unë nuk do të venë kot”, kupton misionin e një njeriu që i ka vënë vetes një detyrë të rëndësishme që të lerë pas një dokumentim të vyer dhe që janë mesazhet e mëdha të një kohe të trazuar kur kombi shqiptar hallakatej nga presionet greke dhe serbe dhe që formimi i vetëdijes kishte nevojë për të thënurit hapur të atyre që ndodhnin në skenat dhe prapaskenat e jetës dhe diplomacisë antishqiptare. Ja se si shprehet ky burrë i madh Fejzo Lepenica që na vijnë përmes kujtesës që i bën i nderuari Enver Memisha. “Foshnjat e pafajshme vdesin rrugëve nga uria dhe mbarojnë me këtë fjalë në gojë “bukë, mungesa e së cilës i dërgon t’i shtrojnë krahët dheut të ftohtë. Autoritet greke tallen me kufomat e tyre dhe duke fërkuar duart, thonë me gas: “plotësuam një detyrë patriotike”? … “. Ndoshta për këto pamje rrëqethëse të shkruara nga Lepenica, por edhe nga ato që vetë i pa me sytë e tij skulptori i popullit Odise Paskali, bën që ai ta gdhendte në mermer veprën “I urituri” që personifikonte vuajtjet e komunitetit çam në vitet ‘20, që janë dëshmi e asaj se çfarë kanë bërë grekët zyrtarisht dhe jozyrtarisht meshqiptarët.
E dimë se zëri ynë do të mbetet pa efekt, nuk do të gjej përgjigje dhe se të gjitha apelet e shtypit kombëtar kanë mbetur si të tundurat monotone të një ore, por koha tepër e vlefshme nuk blihet dot më, po kaloi. Shpirtrat s’ngjallen po vdiqën dhe kështu Çamëria shqiptare shuhet, zhduket, të paktën për shqiptarët. Dua të mos i shtrohemi gjumit të shkaktuar nga buka me egjër se na dëmton keqazi trupin”. (gazeta “Demokratika”, Gjirokastër, nr. 151, datë 14. 04. 1928, f. 1).
Janë të bëra, pa janë edhe të thëna që na vijnë si plotësim i atyre dëshmive që nuk janë thënë nëpër televizionet e shtetit tonë ose janë thënë si çalë-çalë sa për t’i lënë në muzgun e ftohtë të harresës. Si një njohës i thellë i realitetit dhe një hulumtues i vëmendshëm i së vërtetave që di të shohë syri një atdhetari të përkushtuar, Fejzo Lepenica na jep një lekison të vyer që do të quaja edhe një shuplakë në distancë që ai i jep politikës së sotme dhe diplomacisë shqitpare që me ose pa dashje kërkon të heshtë për këto që ai i qëmton me aq dyurim e vërtetësi kohore.
Ai shkruante se “Në Shqipëri është lënë në pakujdesi fati i çamërve. Janë lënë në mëshirën e Greqisë, të asaj që kërkon të na mburret se mban të ndezur pishën e qytetërimit me të cilën I vuri zjarrin Shqipërisë Jugore … Një indiferencë letargjike është një krim kundrejt kombit që rrezikon të humbas gjysmën e trupit të tij si Çamërinë”. (Gazeta “Demokratika”, Gjirokastër, nr. 267, datë 13. 09. 1930, f. 2 +4)
Duke shfrytëzuar çdo mundësi mediatike që rezervonte koha në vitet ’30, me përkushtimin e një atdhetari Fejzo Lepenica gjente hapësira për të shprehur të gjitha përjetimet tij të atyre viteve me një informacion që duket sa i vërtetë, aq edhe i spikatur si një shërbim i vyer për kohën, siç edhe flasin shënimet e tij në gazetat e ndryshme që nga Shqipëria e Re, Ora, Demokratia, Shqiptari I Lirë, Besa, Liria, kur shkruante se “Rënkimi agonik që del nga thellësia e shpirtrave të dëshpëruara të shqiptarëve të Çamërisë, të cilët po luftojnë me thonjtë e tyre në buzën e varrit gati të hyjnë brenda, na thërret të vrapojmë në ndihmë të tyre. (gazeta “Demokratia”, Gjirokastër, nr. 175, datë 18. 11. 1930, f. 1)
Me ironinë e spikatur që kishte ai godiste edhe ata që ishin profesorë të së ligës në pasqyrimin e realitetit kur thoshte se “Nën syzat filozofike profesori i Paramithisë na pasqyrohet si bishti i rrjepur i një dhelpre plakë, që ëkrkon të luaj akoma sot lodrën e banketit që i bëri lejlekut. (Gazeta “Demokratia”, nr. 174, datë 07. 11. 1930, f. 4) Nuk është as i pari dhe as i fundit Fejzo Lepenica kur shkruan këto realitete që kanë ndodhur ditën për diell dhe në netët me hënë nga bandat e andartëve të frymëzuara dhe të udhëhequra nga filozofia shoviniste të Athinës zyrtare. Para këtyre fakteve diplomatë dhe ministra, kryeministra dhe zyrtarë, të qeverive të njëpasnjëshme greke, kërkojnë ti mohojnë këto të vërteta, a thua se të gjithë paskan gënjyer për atë çka ka ndodhur në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Ato që shkruan me shqetësimin e tij prej shqiptari Fejzo Lepenica dhe që na i sjell në vëmendje studiuesi Enver Memisha janë një kambanë që duhet të verë në lëvizje, jo thjesht shoqatën Çamëria apo PDIU, por politikën, diplomacinë, akademikët dhe vetë shtetin për ti thënë ndal asaj tendence për të mohuar dhe harruar të vërtetat e atyre çfarë janë ndodhur dhe që e kanë emrin genocid, si krim njerëzor të një shteti kundër një popullate që për fatin e keq ende vazhdon të mos ndëshkohet.Këto që pohojmë sot pas më shumë se 80 vjetësh si një dhimbje e madhe që pret të ndërkombëtarizohet me shqetësimin e një komuniteti të gjallë në Shqipëri, Fejzo Lepenica i ka thënë aq qartë dhe saktë jo se ishte një banor i Çamërisë, por ai jetonte e shikonte, digjonte dhe prekte me dorë vuajtjet, siç edhe i shkruan i nderuari atdhetar në një prej gazetave të asaj kohe: “Si venë punët sot në Çamëri, s’ka më dyshim se popullata e saj shqiptare është e dënuar për shfarosje dhe kjo gjë është kryer sistematikisht gjer tani dhe përpara këtij genocidi qeveria shqiptare fle gjumë” (Gazeta “Telegraf, Tiranë, Nr. 54, datë 17. 08. 1927, f. 3)
Me ndjesinë e referimit të personaliteteve që na sjellin mesazhet e vyera të shekujve, i referohem unë siç duhet t’i referohen të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë çështje që duhet të jetë një kauz e përhershme, Frang Bardhi që në vitin 1635 këshillonte Në errësirë edhe pak dritë vlen e premton shumë”. Këtë bëri edhe Fejzo Lepenica dhe këtë kërkojmë ne të gjithë kur i sjellim në vëmendje mediatike.
Botuar në gazetën “Koha Jonë”, Tiranë, dt. 18.10.2015, f. 17