• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Flet autori i tablosë “Kiss”, vlerësuar me “Medalja e Krijimtarisë” në Louver

October 26, 2017 by dgreca

thumbnailBisedë me artistin G.Kola të tablosë “Kiss” që u vlerësua nga juria ndërkombëtare në Louver –2-3

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/5

Artet dhe kultura janë në vijën e parë sepse kanë në epiqendër dashurinë, respektin dhe ndjenjat e thella të tolorancës, pajtimit dhe solidarizimit pikërisht  këto vlera për të cilat Nënë Tereza punoi gjithë jetën e saj me përkushtim të madh…   

4-2 Fondacioni Ndërkombëtar Artistik këto ditë në Louvër ka vlerësuar tablotë tuaja artistike, si dhe të artistit të të ndjerit Atjon Zhitit, na flisni më konkretisht ju lutem për tablotë dhe si ishte e organizuar ekspozita?

-Më 20 tetor 2017 në Muzeun e Louvrit ne Paris u hap ekspozita e Arteve Contemporane me pjesëmarrjen e artistëve nga shumë vende të botës. Unë marr pjesë në këtë ekspozitë për të katërtën herë i ftuar nga Fondacioni Artcom Expo Internacional qe mbështet dhe promovon artistë në vende te ndryshme të botës.  Meqënse ky fondacion administron zyrtarisht një pjesë të krijimtarisë sime artistike disponoj të drejtën e promovimit edhe të botimeve që bëhen dhe kanë lidhje me punën time.

Në këtë edicion prezantova albumin me vizatime dhe piktura të piktorit të ri Atjon Zhiti pasi unë jam pjesë e këtij albumi në kapitullin e fundit me 6 punime.  Për koinçidencë në të njëjtën ditë isha i ftuar nga Hypatie Festival (art dhe shkencë që mbështetet nga UNESCO) në Itali ku sipas programit mundësuam komunikim virtual me presidenten e këtij festivali Dr.Tonia Losco.

1-3

-Cila tablo nga punimet tuaja artistike mori vlerësim?

Ne ishim lajmëruar më parë nga bordi drejtues i Fondacionit që tabloja “The Kiss” do të jetë në listën e vlerësimeve pas shqyrtimit nga ana e jurisë ndërkombëtare.

Cfare ju frymëzoi më shumë për këtë tablo që dhe u vleresua nga juria?

“Medalja e Krijimtarisë” që iu dha kësaj tabloje i përket Familjes time si dhe të gjithë miqve tanë që mbështesin dhe stimulojnë vijimin e vështirë të rrugës së mundimshme të artit. Natyrisht që jemi shumë mirënjohës nga kritikët dhe juritë, por kjo nuk do të thotë që një stimulim ndikon në vijimin e procesit të krijimtarisë artistike, por në një farë mënyre jep efekt në aspektin komercial. Tabloja “The Kiss” ose “Puthja ” në shqip për të cilën  kemi nevojë të gjithë edhe pse aty ku ka injorancë bëjnë sikur kanë turp nga kjo është e trajtuar me teknikë të përzier në pëlhurë linit të papërgatitur me solucione kimike.  Përveçse sensit erotik kam dashur të përcjell edhe te përgjithshmen e artit joshës të puthjes që në fakt shumë herë e kam interpretuar në mënyra të ndryshme.Për këtë temë esenciale mund të flitet shumë gjatë por mesazhi im është i qartë se pikërisht dashuria është ajo që bashkon njerëzit,që lind jetë të reja që asnjëherë nuk tepron,që vetëm nëpërmjet saj, dashurisë, bota është më e bukur.

Po albumi “Opera Atjon” çfarë tablosh artistike pasqyron?

Sikurse thashë më lart unë në aktivitete ku jam i ftuar kam te drejtën e promovimit te botimeve që lidhen me punën time.  Kështu në Louver pata nderin e prezantimit të artit që krijoj gjatë jetës shumë të shkurtër artisti brilant Atjon Zhiti me buzëqeshje ëngjëllore sikurse me pëlqen ta konsideroj. Esetë,vizatimet dhe pikturat e tij që përmblidhen estetikisht shkëlqyer ne këtë Album lanë një emocion te veçantë tek presidenti i Fondacionit Hans Salbu dhe zonja e Tije Baronesha Jiselda Salbu administratore e Fondacionit të cilët vendosën dhënien “Medalje Kujtimi” për artistin Atjon Zhiti.

Kur e keni filluar bashkëpunimin me Fondacionin Ndërkombëtar dhe çfarë planesh keni në të ardhmen?

Kam qenë i ekspozuar në Louver ne vitin 2013 nëpërmjet një galerie te njohur italiane kur na u ofrua kërkesa për bashkëpunim nga Fondacioni dhe që e pranuam me shumë kënaqësi.

Ne kemi një sërë ekspozimesh,promovime ku edhe do të vazhdojë të botohet puna ime ne disa vende në Europë, Amerikë, Dubai dhe Taipei etj.  Ekspozimi dhe aktiviteti im vazhdon paralelisht edhe me galeri e fondacione të tjera.

Si artist emigrant cilat janë disa nga vështirësitë tuaja për të ushtruar profesionin ku jetoni në krahasim me artistët që jetojnë në Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur?

Nëse do të shohim vështirësitë dhe momentet e dëshpërimit janë aq të shumta dhe të ndryshme saqë zhgënjimi të çon në tërheqje.  Duhet nje insistim dhe këmbëngulje e madhe te cilën unë e kam te garantuar nëpërmjet mbështetjes së madhe të familjes time, bashkëshortes Vjollca, dy fëmijët tanë Iliriana e Sebastian që ndikojnë terësisht në vijimin e artit dhe pikturës sime.

Në lehtësimin e këtijë vijimi favorizon ndihma dhe solidarizimi i disa njerëzve që janë shumë pranë nesh, që kontribojnë me pasion dhe dashuri për të përçuar më tej te bukurën në realitet dhe art.  Gjatë kësaje periudhe 27-vjeçare të ikur rrugëve të botës nuk pushojmë së menduari me nostalgji për Shqipërinë.  Sigurisht me keqardhje të madhe për zollomahinë dhe tymtajen që i ka krijuar vendit tonë politika e korruptuar shqiptare.  Në këtë imazh të bërë pis nga politika e pandershme klane dhe struktura kriminale që si metastaza gjenden në të gjitha instancat duke përfshirë edhe mediat krijojnë vakum te madh sidomos në arte e kulture si pjesa më delikate e shoqerisë që duhej t’i paraprijë zhvillimit dhe prosperitetit të gjithanshëm. Gjithësesi vendi ynë dëshmon përherë se do të ringjallet pasi ka prodhimtari arti e kulture që merret parasysh ne hapsirën ndërkombëtare.

Si po ndihmojnë artistët që janë shpërndarë dhimbshëm nëpër botë për imazhin e Shqipërisë?

Vitet 90-të krijuan hemorragjinë e madhe intelektuale-artistike ne vendin tonë dhe kështu dominoi nje alalum i jashtëzakonshëm i klaneve qe bie ndesh me avancimin dhe zhvillimin sigurisht në kundërshtim me aspiratat e popullit liridashës dhe artdashës shqiptar me vlera të mëdha dhe te jashtëzakonshme që trashëgojmë po edhe që transmetojmë në raport me vendet e tjera të zhvilluara.  Në këtë sens janë në vijën e parë artet dhe kultura si përçues të dritës dhe prosperitetit, emancipimit kulturor dhe shpirtëror duke pasur në epiqendër dashurinë, respektin dhe ndjenjat e thella të tolorancës, pajtimit dhe solidarizimit pikërisht  këta vlera për të cilat Nënë Tereza punoi gjithë jetën e saj me përkushtim të madh.

Faleminderit z.Kola dhe shumë urime!

Ju faleminderit për intervistën zn.Zylo si dhe për misionin kulturor që vazhdoni me insistim në favor të ngritjes së moralit dhe dinjitetit shqiptar në botë.

Fund tetori, 2017

Manhattan, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Atjon Zhiti, George Kola, tabloid "Kiss"

A JEMI GATI PËR ATË QË DUAM?

December 20, 2016 by dgreca

– në vend të një traktati/

Visar & Atjon

Shënim i Diellit: I dashur lexues i Diellit/: Sot (dhe nesër) është dy vjetori i ikjes në Qiell i Atjon Visar e Eda Zhiti.Në kujtim të Atjonit dhe të gjithë atyre që e deshën dhe e duan, Gazeta “Dielli” ka përzgjedhur  një ese, e para ese e shkruar prej Atjonit, marrë nga libri “Për atë që dua(m)”. Lexojeni…dhe kujtojeni se çfarë kumti na la pas…I përjetshëm Kujtimi i Atjonit!

***

1 atjon zhiti

Nga Atjon Zhiti/

A është vërtet vëndi im i gatshëm për atë çka aspiron dhe a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjesisë së ambicies dhe të veprimit të duhur apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?Një përgjigje e njëanshme nuk do të duhej, sepse o do ishte disfatiste ose optimiste në mënyrë trashanike, se ashtu siç ka faktore pozitivë ka dhe negativë. Unë kam një si kumt, të marrë herët. Po e tregoj si.

Kur isha fëmijë,

një ditë vere do te më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe papritshmerisht na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetem të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim. Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme m’u shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i permbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paralirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara. Po a jemi gati për atë që duam?

Faktorët

pozitivë i njohin e i kemi dëgjuar shumë herë, si pozita gjeografike, pasuria natyrore, klima, fakti qe jemi popull i ri e energjik dhe që ka plot hapësira për investime etj, etj. Por përsëri më lind një pyetje tjetër që a jemi ne ata, të cilët kanë krijuar këtë pozitivitet apo thjesht është nje dhuratë, të cilën o e kemi shfrytëzuar shumë pak ose e kemi shfrytezuar keqazi? Ndërsa faktorët negativë kërkojnë një listim më të gjatë, por do të zgjedh për t’i diskutuar e që me duken më të dhembshmit, sipas meje. Jemi një popull që na duhet më shumë kujtesë dhe si rrjedhojë edhe më shumë ndërgjegje që vjen prej saj, që të jemi më të ndërgjegjësuar mbi atë çka na ndodh rreth e rrotull e ky nuk është një proces i jashtem, të cilin ne duhet ta kërkojmë tek e nga te tjerët gjithmonë, por është një udhëtim i brendshëm. Mua më duket e habitshme si populli im është i gatshëm për të pranuar ofendime, shtypje e padrejtësi. Vendi ynë që nga rënia e perandorisë romake perëndimore, e cila ndërtoi teatro, anfiteatro, rrugë, tempuj e shkolla ku kanë studiuar “ars militaris” emra si Cezari e Augusti, vazhdon deri më sot të jetë prehë e depredimeve të barbarëve, prehë e nepotizmit, prehë e korrupsionit, prehë e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, është dhe prehë e një demokracie fiktive, shpesh të munguar. Por ajo çka do të ishte më e dhimbshme, do të ishte nëse shqiptari nuk do të bënte asgjë për të ndryshuar. Duket sikur premtimi i pambajtur e abuzimi i vazhdimtë ndër vite ndaj vetes dhe vendit, i pozitës janë kthyer në rutinë dhe ajo çka është fatale është fakti se si mirësia e integriteti intelektual të duken si risi. Sot globalizimi na ka kthyer në një “mega-qytet”, dhe ne hidhmërisht duhet të kuptojmë se jemi një rrethinë e erret e saj, që ka plot mundësi përmirësemi, që ka bërë hapa përpara e nuk është më geto, por është ende rrethinë e largët, gjithsesi.

Gjatë viteve të fundit, po t’i hidhet një sy qendrës e rrethinës botërore, shohim se si ka tentativa të vazhdimta për përmiresim, e cila është gjë tipike e egoizmit pozitiv të njeriut, ndërkaq shohim lidera që arrestohen, psh kryeministri në Kroaci për korrupsion, në Gjermaninë-lider të Europës ministra dorëhiqen nga politika për skandale që u kanë ndodhur me diplomat, etj, etj, ndërsa ne bëjmë sikur jemi shumë engjellorë për të reaguar denjësisht mbi imazhe, video, shantazhe, kriminalitet e vjedhje, jo vetëm në bankën e Shqipërisë tonë dhe mekatarët gjithashtu janë tepër naivë për të ditur se ç’bënin e ç’bëjnë e jo më për të pranuar fajet e tyre.

Shohim qeveri diktatoriale në vendet e magrebit që rrëzohen, shohim një popull të tërë të ngrihet që të mos eci me ritmet e korrupsionit e padrejtesive në Kiev, në kryeqytetin e një vendi ish satelit të ish “URSS”, ku problemet e vuajtjet janë disi të ngjashme me tonat. Duket sikur në atdheun tonë rregullat e natyrës dhe ato primordiale të njeriut nuk funksionojnë si kudo, sepse ne si qenie njerëzore jemi të aftë të prodhojmë histori dhe ky është një proces shumë i rëndesishëm në evoluimin e vetë njeriut dhe të prodhosh histori, do të thotë të kesh kujtesë. Ne kujtesën kolektive e kemi të mangët, të dëmtuar keqazi, në disa fraksione mungon totalisht dhe nuk kemi bërë më të rëndësishmet për ta rikuperuar dhe nuk bejmë atë që duhet për të tashmen. Një mungesë e tille sjell pengesa të tjera dhe ngadalëson procesin tonë evolutiv si popull. Shqipërise, e po flas për atë realen, nuk duhet t’i mjaftojnë kryengritja e Skënderbeut e dalim tek Lidhja e Prizrenit, te Ismail Qemali e zbresim te dhjetori i ’90-s dhe pavarësia e Dardanisë. Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë. E ardhmja është e sigurtë, po po, është e sigurtë që do vijë, ajo nuk vonon, por duhet t’i shtrëngojmë më fort frerët e fatit në duart tona me përvojën e asaj çka kemi mësuar këto njëmijë vitet e fundit. Po, fati është i shkruar e nuk ndryshohet, besojnë, por manipulohet. Dhe së fundmi kam një pyetje torturuese. Filozofi antik Plotini thoshte se që të duash të mirën, do të thotë ta njohesh të mirën (intelektualizmi etik). Po ne a e njohim?

Marrë nga libri “Për atë që dua(m)”

atjon V Zhiti

Filed Under: Featured Tagged With: A JEMI GATI, Atjon Zhiti, PËR ATË, QË DUAM?

NGJYRA BEFASUESE NGA ATJONI: FËMIJA I RRITUR, I RRITURI FËMIJË…

December 19, 2015 by dgreca

– Ekspozitë me piktura në Universitetin “Polis”/
Në Universitetin “Polis”, në sallën MAD Center, u hap një ekspozitë me piktura të Atjon V. Zhitit, punime spontane të fëminisë së tij dhe të adoleshencës, nën kujdesin e kritikut të artit, studiuesit të njohur Profesor Gëzim Qendro.
Ishin mbledhur njerëz të shumtë, studentë, miq të Atjonit nga Tirana dhe nga universitete të ndryshme të Europës, dashamirës të artit, shkrimtarë, botues, gazetarë, edhe nga Kosova, edhe nga SHBA-ja, ku nën meloditë e një kuarteti harqesh admironin dhe diskutonin për çudinë e ngjyrave të Atjonin, gjithë freski e befasira, ku fantazia përzihej me gjendje estetike, që përftohen nga një art i çiltër, të një si fillimi pa mbarim, edhe pse fati tragjik e ndërpreu jetën e autorit një vit më parë.
Mirseardhjen gjithë të pranishmëve ua dha njëri nga themeluesit e këtij universiteti, z. Besnik Aliaj, i cili ndër të tjera tha se ndjeheshin të gëzuar për një ekspozitë të tillë, së pari Atjon Zhiti e meritonte, ai na përcjell një botë të veten, sa rinore, po aq dhe të arrirë.
Kurse kuratori i ekspozitës, Prof. Gëzim Qendro, shtjelloi se për të ishte vërtet një zbulim kjo pjesë tjetër e talentete që shpalos Atjoni. Pas botimit të një libri me ese filozofike, “Per atë që dua(m)”, ky student,në çantën e të cilit si rrallëkush gjeje libra të shquar të emndimit, klasikë e modernë, na zbraz ngjyra, pas të cilave fshihen ndjesi dhe ide apo thjesht një emocion, që e tejkalojnë moshën, ose janë të pa moshë. Ekspozita nuk është thjeshtë një grumbull pikturash, por etapa të një ecjeje e preokupime të mënçura rinore, arritje plot domethënieje. Edhe studiuesi e shkrimtari Uran Butka, i cili merret dhe me ngjyrat, shtoi se e çmonte këtë ekspozitë, gjithë trille e ngrohtësi.
Në një stendë të veçantë ishin vendosur dhe disa libra, që në ballina kishin vizatime të Atjon Zhiti, kurse sipër tyre në një korrnizë të madhe ishte vendosur një ese, e gjitha si një poezi, që pikëzonte gjetjet dhe arritjet, vlerat artistike në pikturën e Atjon Zhiti, që kritiku e titullonte “Kutia me xixëllonja”.
Ndër të tjera aty lexojmë:
1- “Një kuti me xixëllonja. E lënë nxitimthi në ikje e sipër atë praggjëme që pikëlloi shumëkënd. E mbetur diku, gjysmë e përmbysur mbi barin e kopshtit të magjepsur të fantazisë së tij. Dhuratë për këdo. Nga Atjoni.
2- Demiurg I plotfuqishëm që me pak prekje dhe lëvizje krijon një univers që nuk ekzistonte më parë. Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar…
3- Është pa vend të rrëmosh në këtë rast për strategji të mirëfillta artistike pasi pikturat e një fëmije e kanë vlerën pikërisht në drejtpërdrejtshmërinë e pikturimit, freskinë e gjurmëve të imagjinatës së harlisur dhe në çlirimin e plotë nga pesha e traditës. Është çarja e guximshme e koracës së botës së dukjeve, përpjekje për të kaluar me natyrshmërinë e fëmijës në botën numenale përmes ndjenjës…
4- Si të gjithë pinjollët e racës së krijuesve Atjoni nuk doli kurrë nga kopshti i magjepsur i fantazisë së tij. Si fëmijë i çuditi të rriturit me sigurinë dhe fjalët e pjekura, si i rritur i habiti me spontaneitetin dhe pastërtinë e fëmijës. Ai kopsht ishte bota e tij të cilën s’mund t’ia merrte apo përdhoste askush, ishte profilaksi shpirtërore dhe strategji mbrojtjeje nga çmendina jashtë tij ku shkelet pa mëshirë çdo gjë me vlerë…
Këto janë vetëm xixëllonjat që arritëm të mbledhim. Dhuratë për këdo. Nga Atjoni.
Ekspozita u mirëprit nga të gjithë dhe do të jetë e hapur edhe dy javë të tjera. Aty do të zbuloni më shumë nga Atjoni, por dhe nga vetja. E gjithë është ndjenjë, janë ngjyrat e saj, pa të cilën nuk jeton as mendimi, por as dhe bëmat. Ne jemi ajo që bëjmë.

Nga i Dërguari Ynë

Filed Under: Kulture Tagged With: - Ekspozitë me piktura në Universitetin “Polis”, Atjon Zhiti

EUTROFIZIMI POLITIK DHE PËRAFRIMI I LEGJENDËS…

May 22, 2015 by dgreca

-dy parabola të bashkuara në një/
nga Atjon ZHITI/
Shumë shpesh në mediat vendase dëgjojme “personazhet publikë” të flasin për të ashtuquajturën periudhë tranzicioni. Në kushtet që ndodhemi duhet të ketë një debat të hapur e konstruktiv e jo një justifikim ose tinguj për të mbushur fjalimet shterpe politike.Kjo gjendje e brishtë konsiston në kalimin nga një status i të qenit në një tjetër, në një lak kohor relativisht të shkurtër ose të gjatë që tejkalohet.
Në rastin tonë është kalimi nga një regjim diktatorial në një republikë demokratike, ku në të ka patur dhe një minifaze tjetër tranzicioni nga republikë presidenciale në atë parlamentare, totalisht e paparashikuar, në limitet e absurditetit dhe simbol mosfunksionimi.
Tranzicioni në demokraci është një periudhë kohore e dyzuar dhe e paqartë, ku janë braktisur disa karakteristika të aseteve të mëparshëm, por njëkohësisht nuk janë krijuar të reja.
Kjo periudhë ka disa faza zhvillimi që kalojnë nëpërmjet konfuzionit institucional, dizinteresit institucional, hipokrizisë institucionale, të cilat përmbajnë një respekt të rremë nga ana e shtetarëve ndaj institucioneve , të cilët sjellin dhe shtetasit në gjurmët e tyre.
Gjithçka deri tani është e ditur, por jo e mirëkuptuar.
Kisha marr trenin Tiranë-Durrës për arsyen e thjeshtë se gjithmonë më kishin tërhequr muzeumet dhe kurrë s’kisha parë një repert industrial në një muze ambulant.
Në një pikë të “udhëtimit” dhe nuk di se ku, pashë një moçal, i cili me tërhoqi e më bëri kurioz. Doja të dija se si qe krijuar dhe me pak kërkim mësova se procesi i krijimit të tyre quhet eutrofizimi i ujrave, ku pellgjet me ujra të embël, liqenet, kur nuk kanë më fluksin e një lumi ose rrëkeje, pasurohen me nitrat e fosfat, të cilat janë ushqyese per alga dhe mikrovegjetacione që konsumojnë gjithë oksigjenin duke ja mohuar gjithë krijesave të tjera dhe në fund dhe vetë vetes, derisa ekosistemi kthehet në moçal e kurth vdekjeprures. Gjithsesi.
Para fillimit të konsolidimit real të demokracisë, funksionimit të mekanizmave shteterore, mendoj se ka një fazë tjetër e të ndërmjetme, që do ta quaja eutrofizim politik dhe ndodhemi pikerisht në të. Moçali ose moçalishtja e politikës.
Ky është një moment shumë delikat e jo si entitet në vetvete. Aty duket fillimi i një pasurimi me substanca të ndryshme, që në të vërtetë përthithen nga pak, nga ana tjetër shkaktohet vdekje e ata pak harrojnë se shuhen bashkë me atë çka krijuan.
Politika duket sikur ka mbërritur një periudhë stabiliteti dhe simptomat e tumorit kurohen si të një migrene, pasi nuk është realisht e stabilizuar e bashkë me të dhe vendi, por vetëm shtresa e “politikëbërsave”. Po të vërejmë rreth e rrotull, jo me shumë vëmendje, shohim se ka vetëm një rotacion mbiemrash e jo ndërrime metodash pune e idealesh, të paktën sa për të respektuar denominacionin partiak.
Duhet të pranoj ama se çdokush ka ardhur me ide të ndryshme mbi “ç’do bej”, por duhet të pranohet nga ne të gjithë se këto kanë lindur nga intuita të paplota dhe si të tilla janë të pamjaftueshme. Pamja ndryshon, por konsistenca mbetet e njëjta e kjo gjë kuptohet thjesht duke i hedhur një sy realitetit. A jemi në njohje të faktit se nuk janë shtetarët ata që i japin fund periudhës së tranzicionit, por janë shtetasit? Shtetari pa shtetasin është një hiç.
Kush nuk ështe gati të vuajë, vuajtje le të presi. Imoral, por me principe. Njeriu gjen stabilitet in the perennial movement,waiting and doing his future. (Anglisht në original: në lëvizjen shumëvjeçare, duke pritur dhe duke bërë të ardhmen e tij).
Fatkeqësisht e fatmirësisht ne nuk kemi fuqinë për të dëmtuar memorien tonë e atë të përbashkët, mundet vetëm t’i mbështjellim midis ndjenjave, por kurrë t’i ndryshojmë ato.
Il potere della memoria sorge nella mia coscienza e risveglia le lezioni della vita profondamente radicate nel mio essere. Per l’energia di questo nome il mio modo di ricordare migliora: si valorizzano le memorie che mi rendono piu consaevole.
(Italisht në original: Fuqia e kujtesës buron në ndërgjegjen time dhe rizgjon mësimet e jetës të rrënjosur thellë në qenien time. Në sajë të kësaj energjie, mënyra ime për të kujtuar përmirësohet: të vlerësojmë kujtimet që më bëjnë më të vetëdijshëm.

KAPËRCIM I BEFTË ME VDEKJEN QË KA DHE S’KA LIDHJE ME TRANZICIONIN

Tre vëllezër një ditë, në të perënduarin e diellit. po endeshin në një rrugë tejet të vështirë. Mbas një kohe të shkurtër ose të gjatë ata ndeshen me një lumë, që thuhej se vinte nga një kënetë dhe prandja qe berë shumë i rrezikshëm për t’u kapërcyer aty. Duke qenë të zhdërvjellët e praktikë ndaj pengesave, ata fillojnë të ndërtojnë tranzit një urë. Para se të kalonin për matanë, panë se kalimi ishte e zënë nga një figurë e errët: ishte Vdekja.Zakonisht udhëtarët mbyteshin aty më parë dhe Vdekja ndihej e tallur nga ura e re, por Vdekja ishte dinake: u hoq sikur po i përgëzohej shkathtësisë së vëllezërve dhe tha se meritonin një dhuratë a çmim për aftësitë që kishin treguar.
Vëllai i parë kërkoi fuqi të pa imagjinueshme, kështu Vdekja nga shelgu më i afërt bëri një unazë.I dyti kishte dëshirë ta çmitizonte Vdekjen dhe vendosi t’i kërkojë fuqinë për të rithirrur të dashurit e tij nga varri, kështu Vdekja nxori një gur nga lumi dhe ia ofroi.
Vdekja ju drejtua vëllait të tretë, një burrë i imët e i përulur. Ai i kërkoi diçka, e cila të mund ta lejonte të ikte nga ai vend, sa më larg kënetës, p.sh, të mos dukej. Kështu Vdekja me ngurrim i dha mantelin e vet të padukshmërisë.
Vëllai i parë se ku vajti, jo aq shumë larg, por erdhi rrotull shumë, gjersa vendi iu bë si i panjohur, ku vrau një armik të vjetër. I shastisur nga fuqia, mburrej me pamposhtursinë e tij, po një natë ia vodhën unazën dhe e vranë, sipas parimeve pa parim të pranzicionit. Kështu Vdekja e mori vëllain e parë.
I dyti u kthye në shtëpi, nxori gurin, e rrotulloi tri herë në dorë.Për lumturinë e tij, ajo që kishte dashur aq shumë, por që nuk jetonte,befas u shfaq. Shumë shpejt ajo u bë e ftohtë dhe e trishtë, sepse ai nuk ishte pjesë e botës se përteme, por i vdekatares, me hallet e rëndomta. I çmendur prej dëshirës se tij, ai u vetëvra, po sipas parimeve pa parim të për t’iu bashkuar asaj. Kështu Vdekja e thirri dhe vëllain e dytë.
Për sa i përket vëllait të tretë, Vdekja e kërkoi për shumë vite me rradhë, përtej vendit ku kishte qenë këneta, tej, ku fillonte Europa a më tej, por nuk qe në gjendje ta gjente. Vetëm kur kishte mbërritur një moshë të madhe, ai vetë, më i riu dikur, hoqi mantelin për t’ia dhuruar të birit, thirri Vdekjen, e përshëndeti si të ishte një mikeshë e vjetër dhe e ftoi i lumtur. Erdhi koha të rri me ty, se kam qenë me veten, domethënë me të mitë. deri më tani. Po ku? Kudo, afër dhe larg teje.
Gjithçka duket se është në tranzicion, po tranzicioni s’dihet a është në gjithçka… (Milano, shtator 2014)

Filed Under: ESSE Tagged With: Atjon Zhiti, EUTROFIZIMI POLITIK DHE PËRAFRIMI I LEGJENDËS

ATJON ZHITI: AKT EVOLUCIONI: PO I LARGOHET A PO I AFROHET VETES NJERIU?

April 21, 2015 by dgreca

Një nga shkrimet e pakta që na la Atjon V. Zhiti, studenti i filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano.Sërisht spikat mendimi rinor, i veshur me ndjenjë, pasioni për t’u endur në kohë, nga lashtësitë deri në çastin kur shkruan, shqetësimi i “individit për individin” dhe universin që e rrethon, e gjitha me origjinalitet dhe freski plot dritë.Me dashuri, në nderim dhe përkujtim të ëndrrës së Atjonit, teksa po e vazhdon në qiell…/
AKT EVOLUCIONI: PO I LARGOHET A PO I AFROHET VETES NJERIU?
– ese nga Atjon ZHITI -/
Konflikti i individit me botën sociale, ku ai jeton, në vetvete është një akt evolucioni që fillon nga teo-gjeneza deri në fundin e pafundmë të kohërave. Individi gjithnjë është munduar të përshtatet me botën, të përkufizohet, pra të humbë liri natyrale të vetes dhe të përshtasë botën, pra të shtojë liri sociale të intelektit të vetes.
Ky është një udhëtim, që:Duhet ditur nga vjen dhe më shumë duhet ditur se ku shkon…
Aristoteli e konsideronte indidvidin një kafshë politike, i destinuar jetës humanitare, ndërsa romakët në kundëpozicion me “homologët” e tyre, me Ciceronin, kishin konceptin e “individium” & “dividium”/ i vecantë, i veçuar, i ndarë, kurse Seneka supozonte që individ mund të quhet çfardo lloj objekti, sendi, gjallësí, entitet që është i pa ndashëm dhe i pa kuptimtë në mos-bashkimin e tij.
Me kalimin e kohës, me zhvillimet bashkë me njeriun, empiristët në fakt mendonin se individi ishte një “tabula rasa”, ku përpunohej si argjili nga eksperienca & edukata që merr, fati kolektiv, do të shtoja unë.
Hegeli theksonte faktin se individi në të vërtetë është një qenie me ndërgjegje e moral të lartë që tejkalon barrierat e kënaqësive të vogla.
Ekzistencializmi me Kierkegardin & Nietzsche e konsideronin individin dhe njeriun një qenie pa-Zot, e cila e kishte krijuar atë në sajë të interesit vetjak dhe individi në të vërtetë duhej të plotësonte dëshirat e tij tokësore me pasion, epsh, etj.
Si të thuash të qenit zot pa Zot.
Gjithë këto ide e mendime për individin (kupto: njeriun) parashtrojnë konfliktin gjithmonë-ekzistues midis individit dhe botës sociale ku ai jeton, pra ku është dhe tjetri, dhe të tjerë, njerëzit – me ata që kanë qenë, që sjellin krahas harresës edhe përvojën e përgjithshme dhe me ata që do të vijnë, që kërkojnë përgjegjësitë e të tanishmes e na bëjnë të krijojmë ëndrrën e së ardhmes, që meqënëse duket sikur bota nuk është e përshtshme për njeriun, por njeriu duhet t’i pështatet asaj, duhet të punojmë me jetën. Dhe jo vetëm.
Individi,pra njeriu arsyeton pa ekziston dhe ky kushtëzim i jetesës dhe i mbijetesës që na qenka në bazë të mendimit, automatikisht sjell konfikt midis individit, sepse gjithsecili mendon ndryshe, ashtu si tjetri, por si vetja më shumë, sipas asaj që intereson, aq sa është arritur të thuhet se njeriu mendon me stomak (Hegel).Konflikti nuk do të shuhet kurrë & nëqoftëse do të shuhej do të sillte shkatërrimin e njerëzimit, por duhet shtuar, si të thuash armët, mjetet, pëveç stomakut, të futet truri dhe zemra, intelekti dhe shpirti.
Njeriu është një qenie që me botëkuptimin e tij është i aftë të prodhojë histori dhe prodhimi i histories është një pjesë shumë e rëndësishme e ermeneutikës së tij. Ky “konflikt” është një indeks zhvillimi dhe evolucioni, sepse nëqoftëse ne vërejmë, gjithmonë problemet & shqetësimet bënë që njeriu të arsyetojë e të mendojë për to, për të gjetur rrugëzgjidhje, gjetja e saj ka rëndësi jetike dhe mosgjetja ka dyfish rëndësi për të tashmen e njeriut, sepse bën që të jetojë dhe bashkëjetojë me problemin & shqetësimin, pra me projektet, jo vetëm të tij, por më gjerë, deri dhe të gjithë njerëzimit dhe si rrjedhojë kalohet në prodhimet e konflikteve shpirtërore, që kanë si qëllim dhe lëndë përkryerjen, përsosjen.
Pra, çdo konflikt transformohet në shpirtëror, duke u bërë, siç kanë qenë përherë, motor zhvillimi për njeriun.
Njeriu duhet të mësojë që nuk janë objektet që kushtëzojnë shqisat, por janë shqisat që kushtëzojnë. Mosbota humane bashkë me atë humane pëzihen dhe socializohen dhe… Dhe?
Shqisat e njeriut, sufiçente në krahasim me të tjera qënie e dukuri dhe insufiçente në krahasim me po ato qenie e dukuri e të tjera që nuk i dimë, por nuk do të thotë që s’do t’i dimë, përbëjnë një thelb jetësie, mundësi dijesh, një konflikt të saj, pra të vetes dhe të vetëve, të jetës sociale, ku jemi ne mes të tjerëve, tjetri tek uni, gjithmonë mes njerëzimit dhe gjërave dhe dukurive e imazheve të tyre, që kohët modern i kanë shndërruar në objekte, po aq të forta, në mos më shumë se origjinalet e tyre, që sa më kundër të bëhen, aq më vështirë për indvidin dhe sa më kundër të jetë individi ndaj tyre, aq më i vështirë vetë-organizimi, i përkryer dhe ende me mistere në lëndën, materien, në mikrobotën ashtu si në makrobotën.
Me mister kuptoj atë që ne ende nuk e dimë.
Po i largohet a po i afrohet vetes njeriu?
Do bëjmë shkencë apo do na bëjë shkenca?
Konflikti nuk mbaron, do bashkëjetojmë me të, gjetja e ekuilibrave që të kujton akrobatin që ecën mbi tel në lartësi me atë stekën ndër duar e ne ngremë kryet e shohim me ankth, do të bjerë apo jo? Në fakt jemi ne që ecim brenda vetes, ne telin e jetës sociale. Të ulim kokën dhe të shohim brenda vetes, është njëlloj me ngritjen e kokës. Ta tregojmë sa të zotë jemi. Në fakt ne bëjmë vetvetet, për veten dhe tjetrin, që jeta sociale të jetë sa më pak tëhuazuese. Që konflikti të mos jetë torture, por vuajtje intelektuale, mundësisht gëzim. Lumturia është detyrë, por të mos ndjehet si e tillë…

Filed Under: ESSE Tagged With: A PO I AFROHET VETES, AKT EVOLUCIONI:, Atjon Zhiti, njeriu, PO I LARGOHET

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT