Ne Foto: Atjon V. Zhiti/
Mbase një befasi për miqtë e Atjon Zhitit, për lexuesit e tij që janë shtuar, duke kaluar dhe të 16 000 vetët në rrjetin elektronik, duke zbulua kështu atë që dinte të jepte mirësi të sinqertë, ide rinore, shpresë si vetë brezi i tij i ri, që ëndërronte ashtu si për veten edhe për vendin. Shkrimi KULLA EME NUK ASHT E VETME, i gjetur në “dorëshkrimet” e pakta të Atjon Zhitit, pra në “një cep” të kompjuterit të tij, mes “letrave” të shumta që shkëmbente gjithandej. Është më i veçanti, i ngjan një legjende dhe një metafore bashkëkohore njëkohësisht, ese dhe tregim, monolog dhe përsiatje, çast dhe kohësí dhe ka trillin e gjuhës, është shkruar në gegërisht dhe zbulojmë se donte ta nxirrte në gazetën e lektronike që porsa kishte themeluar vetë “Mesi Radikal¨, ku gjithçka e kishte bëre gati me zellin e një të riu, kishte bërë apel, kërkonte shkrime të pabotuara dhe besonte në pergjigjet. Për parabolën e tij në gegërisht, që të ndjehej më e besueshme, autori kishte zgjedhur si emër letrar Dardan Shkreli, ku kishte shtuar se ai “është duke përfunduar doktoraturën në ‘Near East University’ në Qipro për semiotikën interpretative.” Një dëshirë sigurisht, një ndjellje për ndokënd që ndërrmerrte këtë hap. Dardaninë Atjoni e donte, kishte vajtuar atje e kishte shok e miq, jo vetëm moshatarë studentë, por dhe poetin Ali Podrimja e gazetarin Smajl Smaka e shkrimtarin profesor Agim Vinca, etj, apo ish Presidentin Fatmir Sejdiu, kështu i dukej. Atjonin e tërhiqte gegërishtja, por që ta përdorte si duhej, i duhej vepra e Martin Camaj, pervetësimi i saj, kështu i thoshte të atit, se “ai është fare fare prane letrarishtes”, duke e parë si pasuri, jo vetëm gjuhësore, etj, etj.
Por mbërriti 20 dhjetori, Atjoni kishte ardhur në Tiranë për pushimet e fundvitit nga Milanoja, ku studionte për filozofi, viti II. Pas një feste, që zgjati përtej mesnatës, teksa dolën nëpër Tiranë në grupe, djem e vajza bashkë dhe erdhi çasti të ndaheshin, Atjonin së fundmi e merr në motorin e vet një bashkëmoshatar, S.M. 19 vjeç dhe ai. Ku do të shkonin? Thanë se u nisën për në Durrës për të parë agimin mbi det. Motori e tejkalon shqetësueshëm shpejtësinë e 150 km/në orë, saktësojnë ekspertët më pas dhe perplaset me njërin nga blloqet e mëdha të betonit, të nxjerrë skiç në mesin e autostradës që po riparohej dhe sinjalistika ishte pa ndiçimin e duhur a mungonte fare dhe fati zi, ai që e ngiste motorin humbet drejtpeshimin, (ishte rrëzuar dhe herë të tjera, thonë ata që e njohin) dhe ndodhi rënia tragjike. Atjoni bie në terrin e gjithmonte. Na vrasin shokët, do të kishte në titull të nesërmen njëra nga gazetat e shumta, që e dhanë lajmin e kobshëm… E tani shpirti i Atjonit në qiell, mbase na sheh, ç’bëjmë e ç’themi e sa të drejtë jemi e sa të përgjegjshëm për fajet, qofshin dhe pa dashje… e mbase mirëpret dhe botimin e parabolës “Kulla ime nuk asht e vetme”, ku mbart dhe nga ëndrra e tij dhe e kolektivitetit, pavarësisht se është shkruar në Milano, aty nga korriku 2014. Dashuria moderne e Atjonit për vendin shkon dhe më në thellësi të kohërave, ku nisin rrënjët e traditave, atje ku doli dhe Kanuni madhështor dhe egërshan, origjinal dhe zotërues. Ndërkaq autori kërkon që vendi ynë të jetë sa më europian, por po aq dhe vetvete, në identitet me virtytet e rralla e të lashta. Kjo ese e veçantë, letraro-historike i shpalos këto dëshira, sado pak, por nuk dimë nëse autori do të donte ta rimerrte ndër duar për të shtuar a hequr siç ndodh me këdo që shkruan. Janë duart tona që e marrin tani dhe në nderim të tij e të ëndrrës dhe dashurisë së tij, si një vazhdim i bisedës me të, me gjithë të rinjtë e brezit të tij, që duan dhe meritojnë një jetë më të bukur, në një vend me rrugë normale pa terr dhe pengesa, pa absurdin tragjik, që të rendin drejt agimit, atje ku Atjoni po i pret…
Përgatiti: V.
..kur besimi ynë në qiell u trondit…, na u shtua besimi në njerëz…
PRANONI NGA NE KËTO FJALË…/
Nga Eda e Visar Zhiti/
Duam t’u shprehim mirënjohjen tonë të gjithë atyre që na u gjendën në dhëmbjen e madhe që na ra befas, kur shtëpia jonë u mbush me dritën e qirinjve të vdekjes.
Djali ynë Atjon Zhiti ndërroi jetë para ca ditësh në një aksident rrugor pas një feste me shokë dhe shoqe. Shpejtësia e madhe si e dëshirave të tij, pengesat e rrugës si një mallkim i kobshëm e çuan në tragjedi, duke i ndërprerë pa mëshirë gjithçka që sapo kishte nisur…
Përmes pikëllimit të thellë e hutimit mortor i falenderojmë mediat elektronike dhe ato të shkruara që jo vetëm e dhanë lajmin e zi duke shpërndanë imazhe të studentit 19 vjeçar të filozofisë Atjon Zhiti, por në shumicë botuan shkrimin e fundit të tij, të cilin e priste, por nuk e pa dot. Po kështu botuan dhe artikuj të veçantë që i kushtoheshin atij, njëri e shihte si trishtim në të gjithë Shqipërinë, tjetri ulërimë oqeanike, se ndodhej buzë oqeanit kur mori kumtin, ndërsa një prift zbulonte një mision të shenjtë te Atjoni ynë, etj, etj.
Së pari ne u dëshirojmë çdo të mirë të gjithë atyre që na thanë fjalë ngushëlluese apo u përlotën bashkë me ne apo heshtën, që nga fqinjët tanë të mirë e deri tek të njohurit e largët e të pa njohurit, nga kudo, nga miqtë nga Shqipëria e Kosova, nga Italia, ku djali ynë studionte në Milano, në Universitetin “Sacro Cuore”, nga Anglia e Greqia, Zvicra, Franca, Austria, SHBA-ja, Belgjika, Austria, Izraeli, etj, mirënjohje të gjithë atyre që kaluan pragun e derës tonë për të trembur mortjen, shokët dhe shoqet e shumtë të Atjonit, që sillnin forcë jete, pedagogë, shkrimtarë, bashkëvuajtës, deputetë, klerikë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ambasadorë, ish ministra, ish Presidentë të Shqipërisë dhe të Kosovës, ku djali ynë shkonte me dëshirë, etj, etj, deri edhe alpinistët që iu ngjitën Himalajeve, pamë qiellin afër Zotin, na thanë, nuk dihen misteret e tij, kurse ne tani na mjafton një copëz tokë sa një varr dhe humnera e saj… Do të donim t’i kujtonim një për një, me emra, do të donim t’i falenderonim për gjithçka, edhe për duartrokitjet me të cilat u përcuall Biri ynë, kuartetin e harqeve, i premtuar për datëlindjen e tij të 20-të, për karafilat e kuq që hodhën mbi arkmort studentë e bashkëmoshatarë, për tufat me lule e kurorat që na erdhën nga kudo, nga ministra e deri dhe nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës. Dhe ata që s’mundën të vijnë dot i kuptojmë… Humbja që pësuam ne është e madhe dhe e gjithmontë, e pa qetësueshme kurrë, mbase vetëm kur të jemi pranë birit tonë, por do deshëm të thoshim tani se, kur besimi ynë në qiell u trondit së tepërmi, na u shtua besimi në njerëz…
Shoqet dhe shokët e Atjonit i falenderojmë veçanërisht për gëzimet që kanë kaluar ata së bashku, për aventurat e pafajshme rinore, që e duan aq shumë, gjithmonë në kohë të tashme, për ato që thonë dhe shkruajnë për Atjonin e tyre, për takimet ku ai vazhdiumisht është…
Shokët dhe shoqet e Atjonit, një pjesë të cilëve kanë ardhur për pushimet e fundvitit nga universitete të ndryshme të botës, na thonë se Atjoni kishte një ëndërr dhe një përkushtim në arritjen e saj, ne e dimë cila është, shtojnë ata dhe buzëqeshin, është dhe jona, e dëshmojnë dhe ato pakëz shkrime që na la e arriti të botojë, e shpalosin dhe veprimtaritë e tij të porsanisura në Parlamentin Rinor Europian, si p.sh., në Riga, Barcelonë, etj, si dhe takimi i fundit për të të cilin po punonte, do ta kryenin në Shqipëri, në Korçë, i binduar se do të tregonte diçka të vyer nga vendi.
Ah, ne vetëm deshëm të përuleshim me nderim para dhëmbjes e mirësisë së të gjithëve atyre që na u gjendën, secili siç mundëte, në hatanë tonë dhe deshëm të thoshim diçka që e dinë të gjithë, por jo gjithmonë ndjehet, për fat të keq dhe harrohet, që nuk ka pasuri më të shtrenjtë e më të shenjtë se jeta dhe jeta e gjithsecilit është po aq dhe e të tjerëve që ka përreth dhe e duan, është lidhur dhëmbshëm, tmerrshëm, ulëritshëm dhe atë, jetën tënde, duhet ta ruash po aq shumë dhe për të tjerët, të rinjtë sidomos të ruhen nga gropat që ne kemi lënë rrugës, të mos i shndërrojnë në varre, se ky është fatkobi, apokalipsi… Ndërkohë po e mbyllim, me sytë plot lotë, duke i dëshiruar kujtdo të mirën që do të donte vetë e që vlen për të gjithë, vite të rinj të begatë atdheut, me besimin se ëndrra e Atjonit dhe e të rinjve për një jetë më të bukur është gjithandej, ata po kulturohen për t’i bërë të vërteta vizionet dhe idetë, të cilat janë më të mira se sa tonat dhe do të dijnë t’i përmbushin më mirë se sa ne.
Amen!
Eda e Visar Zhiti
Tiranë, 29 dhjetor 2014
… Ne kishim në mes dy perëndi
Visarit dhe Edës…/
Nga Ilir LEVONJA/Florida/
Zoti u ruajt mendt e kokës Visar dhe Eda! Çfarë të them tjetër?! Edhe këto nuk po di si i them! Le që nuk janë fjalët e mia. Do ta them në fund se të kujt janë! Por duke ditur ashtin tënd Visar, zemrën, natyrën, për hatër të asaj dashurie shokësh, a miqësie burrash…, unë e di që ti sonte nuk e pranon as këtë ngushëllim. Ti nuk je egoist. Këto orë të mbrapshta ti nuk ke hallin e vetes. Ashtu siç janë në përgjithësi prindërit. Po kështu edhe Eda. Jemi ne të tjerët. Baballarët apo prindërit me nga një fëmijë. Ne, ”jashtë” gjëmës tënde.
Sot më shumë se kurrë kam urryer cilësimet djali i vetëm. I poetit, deputetit, ministrit. Fati tij i mbrapsht. Vuajtjet që nuk iu ndanë etj.
Sot më shumë se kurrë kam urryer fjalët dheu, lëndina, amëshim, paqe, u prehtë. Të gjithë llojet e ngushëllimeve që kemi. Jo për faj të ekzistencës së tyre, por për inat të fatit të mbrapsht. Rriskut tënd. Pafuqishmërisë time për të kthyer kohën.
Sot më shumë se kurrë kam urryer edhe besimin në gjërat e bukura të prindit. Madje jam lëshuar. Kam folur me vete se si, apo qysh mund ta ndajmë këtë dhimbje.? Kam ndërruar vendet me tim bir. Ka qënë ai që më ka marrë prej dore.
Sot kam urryer diskutimet alla shqiptare, në raport me jetën, jetën e këtueshme dhe të përtejme. Dokrrat e pakujdesisë, deri tek elementët e sigurisë me vendime qeverie.
Kam parë për orë të tëra portretin e Atjonit. Vetëm 19, flokëzi, kaçurrel. I bukur.
U kujtova se dikur, kur ti dhe unë diskutonim për Mario Lucin, na iku pa u ndjerë dhe mblidhte bar në lulishten e madhe. Ndaj kam qeshur, ndërsa kam lotuar.
Gjithmonë kam kërkuar të di pse ka qënë e madhe miqësia jonë. Ne kishim në mes dy perëndi. A të kujtohet, kur më thoshe eja pa droje se ime më të do shumë. Edhe e imja, sekretarja ime siç e quaja unë. Ngrente telefonin dhe përgjigjej, po tani. Të vi menjëherë. Dhe më jepte urdhër. Shko se të pret Visari. Pastaj shtonte, sepse më pëlqen ky njëri. Mua sot mu kujtuan këto perëndesha. Mbaj mend se në një vaki, e kisha tmerrësisht të vështirë. Nuk dija se çfarë të thosha. Qe një rast i dhimbshëm. Një rast, të më falësh për krahasimin miku im, si ky i yti. Çfarë të thosha… ajo më këshilloi, i thuaj të ruajt Zoti mendt e kokës. Sepse është gjëm veç për prindërit.
NGUSHELLIME EDA DHE VISAR ZHITI PER HUMBJEN E DJALIT
Kur ktheheshim njerezit nga varrimi i nënës se shkrimtarit Visar Zhiti, dikush tha: iku si nënë e vuajtur, por e lumtur. Vuajti burgun e te birit, por provoi krenarine qe i biri u be minister.
Por sot, te gjitha fjalet kane marre arratine dhe nuk gjendet dot as edhe nje germe per te ngushelluar Edën dhe Visarin.
Pamvaresisht hatermbetjeve, qejfmbetjeve, zemra me dhimbjen per humbjen jane jashte kontrollit te çdo lloj kujtese, e mbartin vetem nje pyetje- O Zot, nuk u ngope qe e bere te vuaje si djale Visarin kur ishte i ri, por kerkon prova prej tij edhe si at?!
Me i bukuri i djemve, dy metra djale, plot endrra, deshira dhe mall, me te fshehta te rinjsh dhe bukuri ende te paperfunduar, iku, u shemb nga nje send pa jete, nga nje motorr i parendesishem qe, ne sekonde, transformoi tre jete- Atjonin e la pergjithmone 20 vjeç, Eden dhe Visarin filloi t’i zbardhe, t’i kerruse, t’i mbushe me te pamunduren, te paimagjinueshmen- dhimbje, nga ato dhimbje, ku, asnje prej miqve te ngushte, shokeve, te njohurve dhe te panjohurve nuk te heq dot asnje grame. Asnje fjale e te gjithe neve nuk e ngushellon dot Eden e Visarin, por, nese, ne qeli, i shkoi vetem ndonje shok i rralle, tani, te pakten, t’i jemi prane.
I qofte dheu i lehte Atjon Zhitit!
Lotët pushtojne tere qenien time…..Mbahu Visar! Meso te durosh edhe kete gjëmë! Eda, nuk ka ngushellim, derisa t’i shkosh pranë djalit me te bukur qe qielli e deshi sot aq deshperimisht, sa e mori!
Dhembshurisht, Miranda e Maksi HAXHIA
***
Federata VATRA che Gazeta Dielli i shprehin ngushellimet me te thella Eda dhe Visar Zhitit per humbjen e djalit te tyre te dashur, Atjon Zhiti. Ne keto caste te veshtira, Zoti u dhashte force e qendrese. I perjetshme kujtimi i Atjonit. Shpirti ne Paqe!