• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti: Aushvici, Mathauzeni, Dahau, Treblinka nuk kishin asgjë më shumë se sa Spaçi

December 6, 2015 by dgreca

* Presidenti Nishani në ish-burgun famëkeq të Spaçit: Të ngremë zërin bashkërisht e bërtasim deri në kupë të qiellit për Drejtësi!/

*Kreu i Shtetit nderoime Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Xhelal Koprenckën (pas vdekjes) ,Pal Gjet Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën, Hajri Pashajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”,si dhe Mersin Vlashit(pas vdekjes)/

Spaç, Mirditë- 6 dhjetor 2015/

Në vigjilje të 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vizitoi sot ish-burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Mirditë, Ndrec Deda si dhe nga ish-të burgosur e të përndjekur të shumtë politikë.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në mes rrënojave të ish-burgut të Spaçit, Kreu i Shtetit çmoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Xhelal Koprenckën (pas vdekjes) me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për qëndrimin heroik dhe të papërkulur kundër diktaturës komuniste, duke u flijuar, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë”; Pal Gjet Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën, Hajri Pashajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Si protagonist i një revolte me rëndësi historike, dëshmor i qëndresës heroike kundër diktaturës ç’njerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.” si dhe Mersin Vlashit(pas vdekjes): “Si protagonist i një revolte me rëndësi historike, artist krijues i flamurit pa yllin komunist, që udhëhoqi kryengritjen heroike kundër diktaturës çnjerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.”

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kreu i Shtetit nuk i fshehu emocionet shumë të forta dhe trishtimin që vinte prej rrënojave dëshmitare të një historie të dhimbshme, duke e cilësuar këtë ceremoni si më e vështira në jetën tij, qoftë atë institucionale, qoftë edhe si qytetar i këtij vendi.

“Nuk jam këtu për të folur mbi historinë e këtij burgu famëkeq, as për të përshkruar kalvaret që shumë prej jush i kanë provuar mbi kurriz, i kanë përjetuar, dhe fatmirësisht, falë durimit, forcës dhe pamposhtmërisë suaj, shoqëruar nganjëherë edhe me vullnetin e mirë të Zotit, u keni mbijetuar. Nuk do të përmend as shifra dhe as statistika, sepse do të na nevojiteshin ditë, javë, muaj dhe ndoshta vite të rendisnim një nga një mizoritë e panumërta, tmerret dhe vuajtjet çnjerëzore të shkaktuara nga veglat shtazarake e të pashpirt të diktaturës komuniste. Ky burg-kamp sot është thjesht një vend ogurzi, një rrënojë që qëndron gati e hepuar mes malesh hijerëndë e kreshtathinjur, por që në ajrin dhe atmosferën tij sillen e përsillen histori të tmerrshme jetësh dhe fatesh njerëzore, madje edhe shpirtra të parehatuar, sepse varret e tyre ende nuk janë zbuluar.

Aushvici, Mathauzeni, Dahau, Treblinka nuk kishin asgjë më shumë se sa ky kamp / burg / ferr e skëterrë. Ndoshta kanë pasur shumë më pak, sepse të paktën në hyrje të kampit të Aushvicit lartësohej parulla paralajmëruese dhe cinike njëkohësisht: ‘Puna të bën të lirë kurse këtu jeta e privuar nga liria, puna e stërmundimshme në galeritë e thella të nëntokës dhe normat mbinjerëzore t’i rëndonin jo vetëm këmbët dhe krahët dhe shpirtin, por të fundosnin e madje të varrosnin nganjëherë edhe çdo lloj shprese e dëshire për të vazhduar të përpiqeshe të jetoje. Ata që kanë gërmuar nëpër galeritë e errëta, ata që kanë shtyrë me stërmundim vagonët e rëndë të mbushur me bakër, ata që janë lidhur me kavo çeliku në dimër pas shtyllave kur nuk plotësonin dot sasinë ditore gjithnjë e në rritje të mineralit, e dinë shumë mirë se po të mos bëje punën, po të mos kapje normën, po të të shpëtonte padashur qoftë edhe një psherëtimë e lehtë nga skutat e thella të shpirtit – ishe i mbaruar, ishe i kryqëzuar, ishe i harruar edhe nga vetë Zoti, ishe për një moment, dhe më pas nuk ishe më, madje as varri nuk të gjendej dot.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Më tej, Kreu i Shtetit e cilësoi burgun e Spaçit, si ferrin e vërtetë mbi tokë dhe Shqipërinë, një burg i errët, ku shumë rrallë depërtonin rreze drite e shprese: “Të burgosurit e Spaçit asnjëherë nuk ishin vetëm: jashtë kampit nëpër qytete, fshatra, majë malesh, në luginë e rrëzë kodrinave ishte një popull i tërë që vuante e përpëlitej fizikisht, shpirtërisht e mendërisht, njësoj si ata, por kurrsesi aq shumë, aq rëndë e aq dhimbshëm sa ata. Sa ju!”

“Të përndjekurit shqiptarë pësuan dënime dhe vuajtje të padrejta, por më e keqja është që edhe sot, në prag të 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist, atyre ende nuk u është kërkuar ndjesë, paçka se disa prej jush janë gati, të prirë dhe vullnetmirë për të falur. Vuajtjet tuaja për fat të keq u shkaktuan nga shqiptarë. Ndjesa ndaj jush pritet dhe duhet të vijë, po nga shqiptarë. Falja, pajtimi dhe bashkimi do jetë një vepër shpirtmadhe e shqiptarëve. Ndaj jush u kryen krime, dhe jo “gabime” siç është pretenduar dhe vazhdon ende të dëgjohet aty-këtu ndonjë lloj shfajësimi foshnjarak dhe mashtrues. Vendprehjet ende të pagjetura dhe shpirtrat akoma të paqetë të viktimave të pafajshme vazhdojnë të klithin duke u prishur gjumin e trazuar xhelatëve të diktaturës, disa prej të cilëve ende u kemi dhënë një mundësi dhe shans për të larë ndërgjegjen e tyre të zezë. Ne të gjithë sot nga ky vend, nga Spaçi dikur aq i mallkuar, duhet të ngremë zërin bashkërisht e bërtasim deri në kupë të qiellit për: Drejtësi! Gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve! Hapjen e dosjeve! Pastrimin njëherë e përgjithmonë të shoqërisë dhe sidomos të politikës sonë, nga kriminelët e dikurshëm dhe veglat e tyre! Dënimin, ligjërisht dhe sidomos moralisht, të kriminelëve gjakatarë, shkaktarë të gjithë këtyre vuajtjeve të parrëfyeshme dhe jo rilindjen e ringjalljen e simboleve aq të urryera të diktatorit! Vënien në vend të dinjitetit tuaj të nëpërkëmbur! Respektimin dhe integrimin moral, shoqëror, kulturor dhe ekonomik të familjeve, bijve, nipave dhe mbesave të të përndjekurve padrejtësisht shqiptarë! Mbi të gjitha, ndjesën dhe përgjunjen e shkaktarëve të dhunës, shtypjes, torturës fizike dhe psikologjike, vrasjeve, burgosjeve, përdhunimeve. Asgjë nuk harrohet! Por ata që pendohen e që kërkojnë falje sinqerisht, edhe mund të përqafohen! Por siç është ajo shprehja jonë e urtë dhe e vjetër e popullit: ‘I ra gurit, u thye. I ra njeriut, e mbajti dhe e duroi’, edhe ata që patën fatin e zi sterrë të vuanin e ta përjetonin këtë ferr mbi tokë, nuk u dorëzuan. Shqiponjat nuk jetojnë dot në kafaz!’ – tha me tej Presidenti Nishani në fjalën e tij.

“Më 21 maj 1973 burrat trima dhe sypatrembur të Spaçit i treguan dhe i provuan diktaturës se ajo edhe mund t’u burgoste trupat, por jo shpirtin dhe mendjen! Ata ishin me dhjetëra heronj, të cilët me aktet e tyre të trimërisë dhe rezistencës, me vetëmohimin shembullor, kurajën e paepur dhe disidencës së patjetërsueshme, duke zënë vend përjetësisht në panteonin e kujtesës sonë historike kombëtare, u shndërruan në në simbole të përjetshme. Sot jemi mbledhur këtu për të nderuar dhe për t’u përulur me respekt ndaj vuajtjeve, heroizmit dhe altruizmit të tyre që shpërthyen të parët prangat e mendjes duke tronditur themelet e të ashtuquajturit ‘pushtet popullor dhe diktaturë e proletariatit’, por që në fakt u përpoq të skllavëronte e të izolonte një popull të tërë. Me këtë rast, në vigjilje të 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit, në cilësinë e Kreut të Shtetit shqiptarë dhe në emër të mbarë qytetarëve të këtij vendi kam nderin, privilegjin dhe detyrimin institucional të vlerësoj jetën dhe veprën e Pal Gjet Zefit, Dervish Bejkos, Skënder Dajës, Hajri Pashajt dhe Mersin Vlashit – krijuesit artist të flamurit të revoltës së Spaçit ku shqipja dykrenore fluturonte e lirë, pa zgjedhën e yllit të imponuar komunist mbi krye. Gjithashtu nderoj dhe përulem me respekt para jetës së shumëvuajtur dhe sakrificave të panumërta të Xhelal Koprencës. Këta heronj i përkasin atij grupi atdhetarësh të prangosur, që iu kundërvu diktaturës së egër komuniste me veprat, me jetën dhe sakrificat e tyre në kërkim të lirisë e demokracisë, duke mbetur të gjallë në kujtesën historike të Shqipërisë, për hir të së cilës ata u burgosën, luftuan, u përpoqën dhe u rebeluan në emër të idealeve më të shenjta të lirisë, përparimit dhe demokracisë dhe vlerave të saj. Ky vlerësim dhe nderim i lartë shtetëror, paçka se fatkeqësisht po u bëhet pas vdekjes, fatmirësisht është një tregues domethënës që vënia në vend e drejtësisë vërtet vonon, por kurrë nuk mënon.” – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Nishani u shpreh se: “Shqipëria e shekullit të njëzet e një ua ka borxh të paktën këtë lartësim këtyre antikomunistëve kryelartë, me shpirt liridashës e demokrat, të cilët për asnjë çast dhe në asnjë rrethanë nuk u gjunjëzuan dhe s’iu përulën as diktaturës dhe as veglave e shërbëtorëve të saj duke sakrifikuar edhe jetën për këtë lir dhe demokraci që jetojmë sot! Shqipëria e sotme është krejt ndryshe nga ç’ishte 25 vite më parë: një vend i lirë, edhe në saje të këtyre martirëve të demokracisë, anëtare e denjë me merita të plota e NATO-s dhe jo më e ish-Paktit të vdekur e të dalë boje të Varshavës, një vend kandidat për në Bashkimin Evropian.

Po brezat e rinj duhet të mësojnë mirë historinë, të dëgjojnë përvojat e hidhura, të shohin e të përpiqen të përfytyrojnë ferrin e dikurshëm komunist, në mënyrë që e kaluara e hidhur të mos përsëritet më. Ne së bashku do të jemi përsëri këtu në majin e ardhshëm, në majin e revoltës së Spaçit për të kujtuar dhe mbajtur gjallë jo vetëm atë akt, por edhe dhunën e ushtruar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, e mbi të gjitha rezistencën e të gjithë atyre që u dergjën galerive dhe birucave të Spaçit. Ne së bashku do të vazhdojmë pa u lodhur deri në realizimin që së paku Spaçi të kthehet në një muze kombëtar të kujtesës. Ne të gjithë së bashku do të vazhdojmë rrugën deri në realizimin që Spaçi të bëhet një vend pelegrinazhi në kurrikulat shkollore të nxënësve tanë për ta vizituar në mënyrë të organizuar çdo vit. Që e keqja jo vetëm të mos harrohet, por të mos përsëritet më kurrë. Kurrë më, sepse siç e ka thënë edhe Bertold Brehti: ‘Mitra që e polli, ende nuk është shterpëzuar’. I përjetshëm qoftë kujtimi i këtyre martirëve shqiptarë dhe i gjithë atyre që vuajtën dhe u flijuan për një jetë në liri e me dinjitet për një Shqipëri të përparuar, për një komb krenar dhe me ballin lart! Nderim përjetë!”

Filed Under: Reportazh Tagged With: Aushvici, Mathauzeni, presidenti Nishani, Spaci

Aushvici para Gjykatës

December 20, 2013 by dgreca

Në dhjetor 1963 nisi në Frankfurt “Procesi i Aushvicit”. Të mbijetuarit takojnë ish-munduesin. Shtypi raporton. Për herë të parë në Gjermani diskutohet për krimet e Holokaustit.

Dhjetor 1963. Ekonomia lulëzon, njerëzit kanë para që të blejnë dhurata Krishtlindjeje për familjet e tyre. Vështrimi është drejtuar përpara, lufta ka kaluar që prej 18 vjetësh. Për ato që kanë ndodhur, për veprat që kanë kryer nën regjimin nacionalsocialist njerëzit me të cilët sot jeton derë më derë – për këtë nuk flet askush. Ndryshe është puna me Fritz Bauerin. Prokurori i Përgjithshëm i Hessenit dhe një ekip kryesisht juristësh të rinjsh kanë gjetur dëshmitarë nga e gjithë bota, të cilët i kanë bindur të vijnë në Frankfurt mbi Main, për të deponuar për atë që u kanë bërë gjermanët.

Më 20 dhjetor 1963 fillon i ashtuquajturi “Proces i Aushvicit në Frankfurt” dhe kjo para së gjithash i dedikohet Fritz Bauerit. Baueri ka ardhur më 1949 nga emigrimi në Suedi dhe shpejt bëri emër, pasi arriti që t’i rehabilitojë luftëtarët e rezistencës të 20 korrikut 1944. Ai kundërshton vendimet e gjyqeve naziste, me argumentin se regjimi nazist “nuk ka qenë shtet i së drejtës, por shtet i padrejtësive”. Ai është njeriu që së fundi, prej vitit 1963 sjell para një gjykate gjermane procesin e parë dhe më të madh gjyqësor kundër krimeve të Holokaustit.

Gjykata si klasë mësimi

Më shumë se 360 dëshmitarë deponojnë para Gjykatës së Frankfurtit dhe përhapin në këtë mënyrë “para publikut tmerrin, që do të jetë i lidhur gjithmonë me emrin Aushvic”, kështu shprehet kryegjykatësi Hans Hofmeyer. 211 nga dëshmitarët janë të mbijetuar të këtij kampi më të madh të përqendrimit dhe të asgjësimit.

Prokurori Fritz Bauer është i interesuar që t’u mësojë gjermanëve qëndrimin e përgjegjshëm për vetveten. Ron Steinke që ka shkruar një biografi për prokurorin tregon se njëherë e pyetën se cili është për të thelbi i procesit të Aushvicit, “Ti duhet të thuash jo”, u përgjigj ai edhe përballë urdhërdhënësve, kur urdhëri është krim kundër njerëzimit. Baueri mori si model Gjyqet e Nyrnbergut, ku prej vjeshtës 1945 janë në bankën e të akuzuarve përfaqësues të regjimit nacionalsocialist. Edhe në procesin e Aushvicit, të akuzuarit i zgjedhin të tillë, që përfaqësojnë sistemin kriminel të kampit.

Të akuzuarit thonë se nuk dinin gjë

Në Frankfurt, në bankën e të akuzuarve janë 22 vetë. Robert Mulka, ish-adjutanti i komandantit të kampit, Rudolf Höß është i akuzuari kryesor. Krahas tij janë mjekë, farmacistë dhe mbikqyrës. Por Mulka vendos, si shumica e të akuzuarve që të heshtë dhe të mohojë gjithçka. Për masakrimin e miliona vetëve në dhomat e gazit në Aushvic-Birkenau, ai thotë se nuk ka ditur gjë. Në ditën e 79-të të gjykimit, dëshmitari dhe ish-i burgosuri Josef Glück e përmbledh kështu dëshpërimin e tij për qendrimin e të akuzuarve. “Më duhet t’ju them se unë mësova gjithçka që pas ditës së dytë të qendrimit atje. Por jo vetëm unë. Ky djalë i vogël, ju lutem, ishte 16 vjeç. Ai quhet Andreas Rapoport. “Me zë të dredhur atij i kujtohet ky i ri në Aushvic.’Ai më thirri: “Xhaxha, unë e di që do të më duhet të vdes. Thuaji nënës sime se kam menduar për të deri në momentin më të fundit.’ Ju lutem, ky djalë i vogël, ai e ka ditur se çfarë ndodh atje. Kurse zotërinjtë jo.” Edhe pas këtyre deklaratave tronditëse, tek të akuzuarit nuk vërehet ndryshim qendrimi.

Për herë të parë flitet për Holokaustin

Por ky proces shkakton diçka në shoqërinë gjermane. Sepse për herë të parë që prej fundit të luftës, me fillimin e procesit në Gjermani flitet hapur për krimet e nacionalsocializmit. 20.000 vetë vijnë për ta parë procesin. Para së gjithash nxënës dhe studentë duan të dijnë se çfarë ka bërë brezi i prindërve, që nuk flet me ta për të kaluarën.

Më 19.8.1965 – pas 20 muajsh negociatash – për “Çështjen Mulka dhe të tjerët” lexohen vendimet. Të akuzuarin kryesor e akuzojnë për “ndihmë në kolektiv për vrasje në kolektiv” vetëm me 14 muaj punë të detyruar. Vetëm gjashtë vetëve qe e mundur t’ju vërtetohej se kishin vrarë.

Edhe sot, gati 70 vjet pas Luftës së Dytë Botërore bëhen hetime kundër krimeve naziste. Sepse vrasja nuk zhvlerësohet asnjëherë si krim, megjithë kalimin e kohës.(Kortezi: J. Hofmann / A. Dodi DW)

Filed Under: Histori Tagged With: Aushvici, para Gjykates

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT