Nga Bahri BEQIRI/
Dekada me radhë Unioni Evropian (Bashkimi Evropian) ka qenë i preokupuar në gjetjen e rrugës së drejtë sa i përket integrimit të mëtutjeshëm. Mirëpo, sot mendohet rreth shpërbërjes. Deri te ky diskutim erdhi me rastin e trajtimit të krizës financiare në Greqi, por edhe më shumë me rastin e ballafaqimit me numrin e madh të refugjatëve, e cila në raste të caktuara çoi deri tek rifillimi i kontrolleve kufitare.
Mbretëria e Bashkuar këtë vit do të votojë për mbetjen e saj në Union. Ky zhvillim krijon pasiguri në rrjedhën e mëtejshme të Unionit. Një vështrim i thellë në politikën e përbashkët tregtare dhe në tregun e brendshëm, e cila është shtyllë kryesore e integrimit evropian, tregon se të gjitha shtetet anëtare do të humbasin shumë në rast të shpërbërjes së BE-së.
Në rast të shpërbërjes së BE-së janë të mundshme shkallë të ndryshme të një eskalimi, përgjatë të cilave do të përmbyseshin hapat e suksesshëm të integrimit. Pas shpërbërjes së pjesshme ose në të ardhmen edhe të vazhdueshme të zonës Shengen, disa shtete, siç është Mbretëria e Bashkuar mund ta përjashtonin veten nga tregu i përbashkët. Edhe brenda vetë BE-së, mund të shuheshin katër liritë themelore (liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit). Përfundimisht, nëse do të ndodhte një gjë e tillë, madje edhe zona e tregtisë së lirë e Evropës dhe politika e përbashkët komerciale mund të viheshin në pikëpyetje.
Çka nëse shpërbëhet zona Shengen?
Marrëveshja e Shengenit u fuqizua në vitin 1995 dhe kishte për qëllim realizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve në tregun e përbashkët evropian (me ç‘rast Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe Qiproja nuk ishin të përfshira, kurse Bullgaria, Rumania dhe Kroacia ishin të përfshira vetëm pjesërisht). Kjo u plotësua me masa të bashkëpunimit në mes të policisë e të drejtësisë dhe rregullave të përbashkëta të azilit, nëpërmjet të cilës do të formohej një zonë e përbashkët e sigurisë dhe e drejtësisë. Marrëveshja parashikon një pezullim të përkohshëm, siç praktikohet tani pjesërisht në lidhje me çështjen e refugjatëve. Pezullimi i përhershëm mund të ndodhë nëse BE-ja nuk arrin të gjejë zgjidhje të përbashkët për problemin e refugjatëve. Edhe rikthimi i kontrollit të kufijve është i kushtueshëm. Sipas disa hulumtimeve që janë bërë nga ana e disa institucioneve gjermane, llogaritet një barrë shtesë financiare e Gjermanisë, e cila do të arrijë deri në 235 miliardë euro për periudhën kohore 2016-2025. Një rezultat i ngjashëm, po ashtu, del edhe duke e vlerësuar koston, varësisht nga shkalla e kontrollit, prej 17 deri 132 euro në vit për kokë banori në këtë vend. Edhe qytetarët dhe kompanitë do të kenë disavantazhe financiare, si: turizmi ndërkufitar (dhe ai i blerjes) do të ulet, nëse merret parasysh koha e pritjes nëpër kufij. Për më tepër kjo e pengon shkëmbimin social dhe kulturor, i cili lulëzon veçanërisht në rajonet kufitare. Në periudha afatmesme dhe afatgjata do të bie edhe numri i udhëtarëve, të cilët udhëtojnë për arsye profesionale. Rrjedhimisht, tregjet evropiane të punës do të pësojnë sërish ndryshime të mëdha. Tek kompanitë do të ndikojë koha e pritjes në kufi për të kryer obligimet doganore.
Hulumtimet e lartpërmendura, mbështeten në burimet, sipas të cilave në këtë mënyrë do të ngritet kostoja e vlerës së mallrave në lartësi prej 1.4% deri në 3%. Duke marrë parasysh se importet do të jenë 3% më të shtrenjta, mund të llogaritet se performanca ekonomike në BE nga viti 2016 deri në vitin 2025 do të tkurret në masë të madhe. Në rast të rikthimit të vizave në zonën Shengen, për kompanitë do të jetë veçanërisht problematike, sepse do të ketë më pak vizita të kompanive të huaja, që vijnë me qëllim të investimeve dhe blerjeve të pritshme. Pasojat nga kontrolli i kufijve do t’i ndiejnë edhe shtetet e treta, siç janë SHBA dhe Kina, të cilat tregtojnë ose investojnë në Evropë.
Dalja individuale e anëtarëve nga politika tregtare dhe tregu i brendshëm
BE-ja njeh opsione të ndryshme për të rregulluar mbrojtjen e kufijve dhe tregun e përbashkët në raport me vendet e treta. Për tregun e brendshëm, para së gjithash, është i rëndësishëm trajtimi i normave të prodhimit dhe marketingut. Edhe në mes shteteve anëtare të BE-së, këto janë zhvilluar në mënyra të ndryshme për një periudhë të gjatë kohore. Rezultati i tregut të përbashkët nuk është aspak harmonizim i plotë i standardeve në të gjithë BE-në, por më shumë një njohje reciproke, edhe në raport me vendet e treta.
Parimi i njohjes reciproke bazohet në vendimin e mëhershëm të Gjykatës Europiane për Drejtësi të vitit 1979. Rasti, i cili shikuar nga perspektiva e sotme duket mjaft i çuditshëm, kishte të bënte me kontestin mbi Cassis de Dijon, një pije (liker) alkoolike me më pak se 25% alkool. Kjo mund të tregtohej në Gjermani vetëm pas vendimit të Gjykatës, pasi që autorizimi për marketing ishte i vlefshëm në të gjithë tregun e brendshëm. Për aspekte të tilla të tregut të brendshëm ekzistojnë forma të ndryshme të marrëveshjeve për tarifa të jashtme doganore.
Në rast se shtetet anëtare individualisht dalin nga BE-ja atëherë mund të zhvillohen negociata me ta për një riorganizim të marrëdhënieve. Në raste të rralla mund të orientoheshin në modelet ekzistuese si në vijim:
“Modeli Norvegjez”: Zonë e lirë tregtare me treg të brendshëm. Në kuadër të Zonës Ekonomike Evropiane, tregtia në mes shteteve si Norvegjia, Lishtenshtajni dhe Islanda si pjesë të Organizatës për Tregti të Lirë në Evropë dhe BE, u liruan në masë të madhe nga doganimi, por detyrimet doganore në raport me shtetet e tjera mbeten individuale. Një zonë e lirë tregtare, si e tillë, kërkon kontrolle komplekse dhe të shtrenjta të treguesit të origjinës në mënyrë që të parandalohen importet e vendeve të treta, që mund të qarkullonin përmes shtetit anëtar me më pak mbrojtje të jashtme dhe pastaj të përfitojnë nga zona e lirë doganore evropiane. Të përjashtuara reciprokisht nga tregtia e lirë në kuadër të Zonës Ekonomike Evropiane, janë produktet e ndjeshme bujqësore dhe të peshkimit. Shtetet e Organizatës për Tregti të Lirë, duhet t’i plotësojnë të gjitha standardet relevante të prodhimeve, në mënyrë që të importohen në BE, por rregullat e Unionit janë më pak në përputhje me shtetet e tjera anëtare. Në këtë mënyrë, Norvegjia brenda një viti ngarkohet me rreth 300 nga mesatarisht 1000 rregulla të reja të BE-së. Shtetet e Organizatës për Tregti të Lirë e kanë statusin e vëzhguesit në organizata të rëndësishme, siç është Autoriteti Publik Evropian për Sigurinë e Ushqimit, por nuk e kanë të drejtën e bashkëvendosjes për ruajtjen e standardeve.
“Modeli Zviceran”: E definuar si zonë e lirë tregtare me treg të brendshëm. Zvicra është anëtare e Organizatës për Tregti të Lirë Evropiane, por jo edhe e Zonës Ekonomike Evropiane. Ajo formon një zonë të lirë tregtare me BE-në, që do të thotë se të dy partnerët i mbajnë doganat e tyre. Vendi merr një pjesë të madhe të tregut të brendshëm për produktet që janë të përcaktuara edhe me marrëveshjet sektoriale. Lëvizja e lirë e njerëzve ka qenë shpesh objekt i mosmarrëveshjeve, por Marrëveshja e vitit 2002 mbetet në fuqi edhe pas miratimit të iniciativës popullore ››Kundër Emigracionit Masiv‹‹ nga ana e popullsisë zvicerane në vitin 2014.
“Modeli fqinjësor”: Përpjekje për një Bashkim Doganor. Një bashkim doganor shkon përtej një zone të lirë tregtare nëse tarifa e jashtme doganore do të përcaktohej bashkërisht. Kështu, një shtet e humb fushëveprimin për një politikë të saj doganore. Në vitin 1995, me Turqinë u arrit marrëveshja për Bashkim Doganor, e cila do të jetësohej me ndihmën e periudhave kalimtare. U përjashtuan prodhimet bujqësore. Përmes kësaj janë hequr shumë tarifa doganore në mes të Turqisë dhe BE-së dhe është kërkuar që bashkërisht të vendosin mbi tarifat e jashtme të BE-së. Duhet të krijohen bashkësi doganore edhe me shtete të tjera të Mesdheut, të cilat deri më tani kanë dështuar qysh në fillim për arsye të detyrimeve të ndryshme të shteteve të Mesdheut. Nuk është paraparë treg i përbashkët me vendosje të përbashkët të standardeve, por standardet e BE-së, në kuptimin e detyrimeve që dalin rreth importit duhet respektuar.
“Modeli i shteteve të treta”: Tregu i brendshëm kombëtar doganor. Shtetet të cilat janë larguar (në rast se largohen) nga BE-ja mund t’i mbajnë doganat e tyre ose të negociojnë me BE-në e mbetur hartimin e marrëdhënieve të tyre në të ardhmen. Edhe në politikat e nacionalizuara të tregtisë së jashtme mund të definohen edhe më tutje bashkërisht aspekte të tregut të bashkuar, siç janë harmonizimi ose njohja reciproke e standardeve teknike në raport me shtetet e treta. Edhe para negociatave për një marrëveshje transatlantike të tregtisë së lirë një model i tillë është praktikuar edhe me SHBA-në, për disa sektorë dhe për disa standarde të veçanta si p.sh.: në lidhje me telekomunikacionin dhe sigurinë në aviacionin civil.
Shpërbërja e tregut të brendshëm dhe e zonës së lirë tregtare. Në një hap të tillë të ardhshëm (nëse ndodhë) të gjitha shtetet anëtare të BE-së, do ta nacionalizonin politikën e tyre tregtare dhe do t’i anulonin katër liritë themelore. Kjo do të kishte efekt të konsiderueshëm në tregti, investime dhe në mirëqenie në të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Besohet se tregu i bashkuar ka gjeneruar në mënyrë të vazhdueshme bruto-produktin e brendshëm për rreth 2–3%. Sipas vlerësimeve, eksportet e shteteve të Unionit janë rreth 8% më të larta në krahasim me kohën jashtë integrimit evropian. Para së gjithash janë krijuar zinxhirë të vlerave ndërkufitare, të cilat do të shkatërroheshin në rast të shpërbërjes së tregut të brendshëm. Standardet e caktuara bashkërisht do të ishin në fuqi edhe më tutje, por shtetet anëtare do t’i krijonin ato vet në të ardhmen. Nëse vendosen dogana në mes të shteteve evropiane, atëherë BE-ja nuk do të jetë më zonë e lirë tregtare.
Rasti ekstrem: Shpërbërja e Bashkimit Doganor dhe e politikave të përbashkëta tregtare. Shpërbërja e tërësishme e Bashkimit Doganor dhe e politikave të përbashkëta tregtare do të ishte hapi i fundit i shpërbërjes. Secili shtet anëtar i BE-së, atëherë do të vendoste tarifat e veta doganore dhe do të negocionte marrëveshje tregtare me shtete të treta. Shtetet e Unionit nuk do t’i kontrollonin vetëm kufijtë kombëtarë, por edhe administratën kombëtare doganore dhe do të themelonin administratën për politika tregtare. Sa u përket marrëveshjeve ekzistuese, do të duhej që shtetet anëtare veç e veç të ri-negociojnë. Edhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare do të duhej të vendosej mbi një bazë të re. Shpërbërja do të ngritë shumë pyetje, të cilat do të duhej të qartësoheshin. Për këtë kemi shumë pak shembuj, dhe këta kryesisht shembuj me ndikim negativ.
Cilat do të ishin efektet e pezullimit? Me pezullimin e përkohshëm të Marrëveshjes së Shengenit do të rriteshin disavantazhet për qytetarët e BE-së si dhe për kompanitë e zhvilluara. Si rrjedhojë e saj, do të prekej një fushë e integrimit evropian e cila nga shumica është vlerësuar si një arritje pozitive. Por, kjo do të ndikonte negativisht edhe nga jashtë – tek politikanët, turistët ose investitorët potencialë. Kjo lloj politike do të ngjallte përshtypjen se Evropa nuk do të mund t’i mbajë në kontroll problemet e saj dhe se kërcënohet të shkatërrohet politikisht dhe ekonomikisht. Për një kohë të shkurtër, shpërbërja e tregut të bashkuar do të shkaktonte vetëm pasoja. Do të shpartalloheshin zinxhirët evropianë të vlerave ndërkufitare. Në periudhë afatmesme dhe afatgjatë do të dëmtonte konkurrencën e produkteve evropiane në tregun botëror. Ky ndikim do të ishte edhe më i rëndë për aq sa tregjet përmes krijimit të hapave të tjerë nacionalë hartojnë standarde teknike ose standarde të ndryshme shëndetësore. Kjo është e rëndësisë së veçantë meqenëse në rajone të tjera të botës, siç është Azia, tashmë ekzistojnë zona të reja të integrimit. BE-ja, tashmë një zone e madhe ekonomike dhe e integruar fuqishëm globalisht, në mënyrë dramatike do të humbiste në atraktivitet.
Deri më tani shtetet e huaja kanë investuar 14% më shumë brenda tregut të bashkuar në krahasim me shtetet që nuk janë pjesë e BE-së. Interesi i investitorëve evropianë dhe atyre të huaj në tregje të vogla do të zhdukej, për arsye të politikave të shumëfishta doganore brenda BE-së. Gjërat do të përkeqësoheshin edhe më shumë meqenëse efekti do të ndjehej menjëherë, kur shihet se tani investitorët kanë vetëm dyshime për hapa të mundshëm të mëtutjeshëm drejt shpërbërjes evropiane, siç është aktualisht rasti me Mbretërinë e Bashkuar.
Edhe pse shtetet e vogla anëtare mund të përfaqësonin më mirë vetë pozicionet e tyre, ndikimi i tyre në rezultat do të ishte i kufizuar. Përveç kësaj, kjo dobësi do të prekte ndoshta edhe sferën politike, duke pasur parasysh se tregtia e jashtme është prijëse e integrimeve evropiane. Nëse kjo do të binte poshtë, atëherë do të luhatej edhe besueshmëria dhe forca e sferave të tjera. Meqenëse politika e paqëndrueshme e BE-së, është e lidhur me integrimin e tregtisë, ajo gjithashtu është e kërcënuar.
Një shpërbërje e mundshme e BE-së, përmes pezullimit të përkohshëm të Marrëveshjes Shengen do të ishte shumë irracionale. Në atmosferën e tanishme, ku është e pranishme armiqësia evropiane dhe nacionalizimi, konsekuencat e mundshme, mund të paraqiten në mënyrë të gabueshme për qytetarët e BE-së. Këta të fundit duhet të kenë parasysh dhe të jenë të informuar se sa shumë është e rrezikshme kjo për të gjithë.