Nga Eugjen Merlika/
Ka lajme të cilat shpesh njeriu nguron t’i besojë. Kjo ndodh më tepër kur, objekt i tyre, është humbja e një njeriu të dashur, të cilin e ke takuar së fundi, madje para pak orësh, e je ndarë me të normalisht, pa të shkuar as nëpërmënd se ai mund të ishte takimi i fundit. Mund të filozofosh gjatë mbi brishtësinë dhe papashikueshmërinë e fundit të jetës njerëzore, për të qetësuar shpirtin e plagosur nga një humbje e pranueshme me vështirësi, por diçka mbetet që të sëmbon në shpirt në lidhje me bisedën që, papritmas, bëhet e fundit në jetën e një njeriu.
Më ndodh kështu tani, që marr penën për t’i bërë nderimin e fundit, nëpërmjet këtyre fjalëve të thjeshta që dalin nga thellësia e zemrës, një shoqeje të ngushtë të nënës sime, një bije të një familjeje mike të hershme të të parëve të mi, një gruaje fisnike, të njohur kur isha fëmijë në një kamp vdekjeje, në Tepelenë, një pasardhëseje krenare të një shtëpie të njohur të Shqipërisë së hershme të burrërisë e traditave të bukura, një princeshe të Mirditës, Bardhe Gjomarkaj, që u përcoll më 20 mars në banesën e fundit nga një shumicë e madhe familjarësh, bashkëvuajtësish dhe qytetarësh të Shkodrës.
Ajo u nda nga gjiri i familjes në datën 19 mars, kurse un u ndava prej saj në portën e jashtëme të shtëpisë së saj më 9 mars, mbas vizitës pothuajse të zakonshme, kur kthehem për pak ditë në Shqipëri, në shtëpinë e Gjomarkajve në Shkodër. Ishte një urim për një ritakim të shpejtë, një përqafim, si atëherë kur isha fëmijë, me ngrohtësinë e një nëne. Sepse ajo më kujtonte nënën e më fliste shpesh për të. Kishin kaluar bashkë vitet e tmerrshme të Tepelenës. Çdo ditë së bashku, në rrjeshtat mizorë të skllaveve, që do të ngarkonin drutë mbi shpina, për t’i sjellë në kamp apo për t’i çuar tek familjet e oficerëve në Tepelenë. Çdo ditë nën peshën e druve të diktaturës, për vite me rradhë në moshën më të bukur të jetës, në çerek shekullin e saj të parë, në moshën e ëndrrave femërore për dashurinë, për familjen.
Për Bardhën dhe shoqet e saj ëndrrat ishin kyçur thellë në një sirtar të fshehtë, ndërsa jeta kërkonte prej tyre përballimin e kalvarit, mundin e tij. Kërkonte edhe një gjë tjetër, dinjitetin njerëzor në nivelet më të larta. Ky ishte dhe misioni më i vështirë që mori përsipër Bardha, sikurse motra Marta, si shoqet e vuajtjeve Elena, Hyrija, Xhina, Suzana, Cuba, Kunia, Rukija e shumë të tjera vajza e gra të familjeve fisnike shqiptare në kampet e internimeve të diktaturës. Shumica e tyre sot prehen në botën e së vërtetës, të qeta se me sjelljen e tyre, me qëndresën ndaj dhunës dhe provokimeve të saj, ruajtën dinjitetin dhe nderin e familjeve të tyre, që ishin familjet e shquara të shoqërisë patriarkale shqiptare. Ato gra meritojnë dafinat e lavdisë, jo vetëm të prindërve e bijve të tyre, por të gjithë shqiptarëve, sepse ato përfaqësuan gruan shqiptare në traditën e saj më heroike, më fisnike, më të bukur, më frymëzuese për brezat dhe historinë.
Bardha ishte bija më e vogël e Kapidan Gjonit të Mirditës. E gjithë jeta e saj është një vazhdimësi përndjekjesh që nga mosha e re e deri në frymën e fundit të regjimit. Përballoi me kurajë qytetare e me trimëri malësore ndarjen nga babai e vëllai Ndoi që u larguan nga atdheu, humbjen e vëllezërve martirë të lirisë, Markut e Aleksandrit, burra të ndritur të rënë në ballin e betejës antikomuniste, internimet, fatkeqësitë familjare si sëmundjen e gjatë të kunatës shejtneshë, Martës, mori përsipër rritjen dhe edukimin e mbesave të reja e nipit të vogël, punën e rëndë në kantieret dhe fushat e Shqipërisë, burgun në moshë jo më të re, burgun e burrit e, më pas, edhe humbjen e tij. Një grua fisnike e trimëreshë që nuk u thye asnjëherë, një grua e zgjuar që i zinte vënd fjala edhe në kuvende burrash, një grua e ëmbël që përballoi me stoiçizëm dhe mungesën e fëmijëve.
Ndryshimet e viteve të pas komunizmit do t’i sillnin dhe familjes së princërve të Mirditës kënaqësitë e saj. Ajo u kthye në shtëpinë e saj në Shkodër edhe se e gjeti atë pothuajse të shkatërruar plotësisht, por i dha mundësi të fuste kokën në strehën stërgjyshore. N’atë shtëpi u martua dhe Gjoni, nipi që përbënte shpresën e vetme të gjithë familjes së cunguar nga vdekjet dhe mërgimet. Gjoni, që arriti të zgjidhet deputet i Mirditës në Parlamentin shqiptar më 1996, qe dhe motivi i gëzimit të vërtetë të axhës Dedë e hallave Marta e Bardha.
Por fati mizor nuk deshi që ajo dritë e ndezur e shpresës, mbas një gjysëm shekulli errësire, të vazhdonte të ndriçonte fytyrat e lodhura. Gjoni u nda prej njerëzve të tij para kohe dhe ky qe grushti më i rëndë që pësoi familja, në të dhe Bardha. Atë hidhërim nuk arriti t’a përtypë e vitet e fundit qenë vite dhimbjeje të lehtësuar vetëm nga prania e bashkëshortes së Gjonit, që u bë për ata pleq të lodhur e të nderuar, fëmija e ëndërruar gjithmonë në truallin e shtëpisë.
Tashmë shpirti i bardhë i princeshës Bardha ka arritur parajsën. Besoj se ferrin dhe purgatorin i kaloi në jetën e saj 88 vjeçare në tokën shqiptare.
Ne na la buzëqeshjene saj të hijshme e kujtimet e shumë çasteve të vështira, të përballuara me zgjuarsinë dhe ëmbëlsinë e një princeshe, por edhe me fuqinë e vendosmërinë e një malësoreje.
Lamtumirë o bijë e denjë dhe e dashur e Shqipërisë fisnike, të qoftë i lehtë dheu i saj !
Mars 2013