• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALARM!

May 12, 2015 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/
Të nderuar drejtues të medieve në gjuhën shqipe,
Po bëhen tri ditë që kur udhëheqësi i regjimit diktatorial të Maqedonisë, Nikolla Gruevski deklaroi se në mesin e të vrarëve janë edhe 14 përfaqësues të grupit të armatosur shqiptar asnjë informatë për identitetin e tyre nuk është dhënë.
Duke parë se fatkeqësisht historia po na përsëritet, sidomos po përsëritet varianti tragjik i saj, e shoh të udhës të alarmoj për një çështje që mbetet në heshtje që disa ditë: kush janë 14 shqiptarët e shpallur të vrarë në Lagjen e Trimave në Kumanovë?
A u ekzekutuan civilë shqiptarë dhe a po përgatitet opinioni që civilët të shpallen si pjesëtarë të grupit të armatosur? Pse nuk publikohen emrat e tyre? Çka fshihet prapa kësaj strategjie?
Përderisa gjithnjë e më tepër flitet se vrasjet në rastit «Monstra» janë të një logjike të njëjtë me vrasjet e organizuara nga Shërbimi Sekret Serb në Kafenenë «Panda» në Pejë me të drejtë nge shqetësimin tim se a mund të kemi një përsëritje në Lagjen e Trimave në Kumanovë si në rastin e vrasjeve të civilëve shqiptarë në fshatin Reçak. Edhe për rastin e civilëve të fshatit Reçak propaganda e dirigjuar nga shërbimi sekret shtetëror propagandonte se kishte vrarë ushtarë të UÇK-së.
Krimi kundër njerëzimit që ndodhi në Reçak i dha mobilizoi institucionet me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare që t’i jepet fund dhunës dhe diskriminimit të shqiptarëve në Kosovë. A kemi të bëjmë me një krim kundër njerëzimit edhe në Kumanovë mbetet të shihet.
Mendoj se një pjesë të përgjigjes për atë që ka ndodhur në Lagjen e Trimave në Kumanovë mund ta keni më 13 maj 2015.

Atyre që harrojnë të kaluarën dhe u intereson ta dinë peshën simbolike të 13 majit po u sugjeroj artikullin e botuar para 5 vjetësh: «Ujku, qimen e ndërron por zanatin nuk e harron!»
Aneks:
Ujku, qimen e ndërron por zanatin nuk e harron!
“Aksioni i armëve” i Rankoviqit dhe “Aksioni i armëve” i Jankullovskës janë produkte të të njëjtës kuzhinë antishqiptare!
I
Analistët dhe historianët e dhunës së diktaturave komuniste, një vend të rëndësishëm i kushtojnë themelimit të shërbimit sekret rus ÇEKA-s (në rusisht ЧК, IPA- Komisioni i jashtëzakonshëm pan rus për shtypjen e kundërrevolucionit dhe sabotazhës).
Ky aparat represiv në duart e komunistëve shkaktoi një tmerr të pa parë në historinë e njerëzimit. Jepen shifra rreth dhjetëra milion të vrarë dhe të torturuar.
I diskredituar për krimet monstruoze të ushtruara që nga themelimi i këtij shërbimi më 20 dhjetor 1917 dhe me qëllim të fshehjes së gjurmëve me 13 mars 1954 ky shërbim emërtohet KGB.
Emërtimi i ri i shërbimit të vjetër sekret, që do të mbetet në fuqi deri në shpartallimin e BRSS-së më 6 nëntor 1991, do të ruaj në tërësi mënyrën dhe mjetet e dhunës kundër kundërshtarëve real apo të imagjinuar të sistemit.
As ndarja e këtij shërbimi në shumë sektorë të ri pas kësaj date nuk do të ndryshojë format e institucionalizuara të dhunës kundër kundërshtarëve.
II
Duke pasur si model ÇEKA-n ruse, Partia Komuniste Jugosllave themeloi, me 13 maj 1944, shërbimin sekret OZNA (Odseka za Zaštitu Naroda – sektori për mbrojtjen e popullit). Që nga themelimi i tij e deri në vitin 1966 krimineli famëkeq Aleksandar Rankoviq do të jetë udhëheqës i këtij shërbimi.
13 maji do të shënojë datën e themelimit të këtij aparati dhune që për një kohë të shkurtër do të mbjellë zi tek të gjithë popujt që jetonin në shtetin jugosllav, e në veçanti te populli shqiptar.
Që nga shtatori i vitit 1944 e deri në fund të këtij vitit 1945, nën akuzat e „anti- komunizmit ekstrem“ u ekzekutuan me dhjeta mijë shqiptarë. Zyrtarisht vetëm në Kosovë u ekzekutuan pa gjyq 17400 shqiptarë.
Për të dëshmuar mirënjohjen e tyre për krijimin e Republikës Socialiste të Maqedonisë në kuadër të Federatës, pjesa maqedonase e OZNA-s ekzekutoi mbi 700 shqiptarë në Kumanovë, 1400 në Shkup, 1200 në Kampin e Monopolit në Tetovë, 800 në Kampin e Gostivarit, 320 në fshatin Zajaz…Mbi 8500 shqiptarë u mobilizuan për Frontin e Sremit, nga ku nuk u kthyen as 1%.
Krijimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ndarja e OZNA-s në UDB (Drejtoria e Sigurisë Shtetërore) dhe KOS (Shërbimi i Kundërzbulimit) nuk mund të fshihte krimet e instalimit të komunizmit.
Në këtë shkrim nuk do të përmend të gjitha krimet e mëvonshme të periudhës së INFORMBYRO-së. Por do të kufizohem vetëm në një vendim që më duket se riaktualizohet në formën e vet në Maqedoni.
Më 18 shkurt 1953 Jugosllavia ripërtëriu Marrëveshjen e vitit 1938 me Turqinë për shpërnguljen e shqiptarëve.
Tito ngarkoi Aleksandar Rankoviqin që të krijojë Shtabin Operativ për zbatimin me përpikëri të këtij operacioni. Në krye të këtij Shtabi Operativ ishte kryexhandari Rankoviq. Pas tij vinin: 2. Kërste Cërvenkovski, 3. Sfetislav Stefanoviq, 4. Millan Bartosh, 5. Leo Grishkovski, 6. Vojkan Llukiq, 7. Marko Vuçkoviq, 8. Pavle Joviçeviq, 9. Petar Stamboliq, 10. Sllobodan Peneziq-Kërçun, 11. Gjoko Pajkoviq, 12. Gojko Medenica, 13. Çedo Mijoviq, 14. Sërba Saviq dhe 15. Dushan Mugosha.
Për të përshpejtuar procesin e shpërnguljes, më 12 prill 1956, ministri i Brendshëm Jugosllav, Aleksandar Rankoviq, në një intervistë dhënë gazetës BORBA (Lufta) shpalli publikisht rrezikun që i kanosej sigurisë së shtetit nga ekzistimi i armëve ilegale në Kosovë.
Kjo datë do të shënojë fillimin e asaj që në memorien tonë kolektive mbetet si “tragjedia e Aksionit të Armëve”.
Nën akuzën e “kontrabandistëve të armëve dhe kriminelëve që destabilizojnë vendin” brenda një muaj, deri më 12 maj 1956, me dhjetëra mijë familje shqiptare u bastisën, me mijëra shqiptarë u arrestuan dhe u torturuan barbarisht…
Dita e përvjetorit të OZNA-s, 13 maji i vitit 1956, u shënua me rezultate të mëdha. Para medieve të kontrolluara nga Partia Komuniste Jugosllave dhe para Korit Diplomatik në Beograd u ekspozuan “armët e konfiskuara”!
Brenda vitit 1956 nga terrori shtetëror 106 vetë u vranë dhe mbi 10 mijë të tjerë mbetën me pasoja të përjetshme.
Ky terror shtetërorë kundër shqiptarëve shkaktoi një klimë të pasigurisë që pati për efekt shpërnguljet masive drejt Turqisë.
Mbështetur në hulumtimin sistematik të dy shërbimeve konzulare (sektorit të pasaportave) jugosllave dhe turke, dëshmohet se në periudhën 1953-1966 prej Jugosllavisë në Turqi janë shpërngulur 415.371 shqiptarë…
Viti – Numri i të shpërngulurve
1953: 19.300
1954: 17 500
1955: 51.000
1956: 54.000
1957: 57.710
1958: 41.300
1959: 32.000
1960: 27.980
1961: 31.600
1962: 15.910
1963: 25.720
1964: 21.530
1965: 19.821
Në viti 1966, kur nga ky aparat represiv u rrezikua edhe vetë kreu i shtetit dhe partisë, Tito shkarkoi Aleksandar Rankoviqin dhe dënoi dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve.
Përpos shkarkimit nga funksionet shtetërore dhe dënimit deklarativ përmes konkluzioneve të Plenumit të Brijoneve asnjë pasojë nuk patën organizatorët dhe ekzekutorët e këtij terrori shtetëror antishqiptar.
As Aleksandar Rankoviqi, as Kërse Cërvenkovski e as kriminelët tjerë nuk pësuan asnjë përgjegjësi penale për krimet antishqiptare. Ata vazhduan dhe sot e kësaj dite vazhdojnë përmes pasardhësve të tyre të aplikojnë të njëjtat metoda të dhunës dhe terrorit. Si në Serbi ashtu edhe në Maqedoni!
III
Transformimet e sistemeve politike në këtë pjesë të Ballkanit dhe imponimi i ndryshimit të emrave të shërbimeve sekrete nuk ndryshoi asgjë në natyrën antishqiptare të funksionimit të tyre. Vrasje, burgosje, procese të montuara gjyqësore, diskriminim ekonomik, politik, social dhe kulturor të shqiptarëve….
Dhuna dhe terrori shtetëror në Maqedoni ka marrë përmasa dramatike, sidomos pas ardhjes së VMRO-së në pushtet në vitin 2006.
Për katër vite të diktaturës së VMRO-së me dhjetëra mijë shqiptarë janë keqtrajtuar nga policia politike maqedonase; me qindra të tjerë janë burgosur dhe me dhjetëra janë vrarë.
Diskriminimi ekonomik, politik dhe social i shqiptarëve dhe dhuna e terrori shtetëror permanent krijuan klimën e pasigurisë totale për një perspektivë të shqiptarëve në trojet e veta etnike. Si rezultat i kombinimit të këtyre formave të dhunës dhe diskriminimit që nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit për heqjen vizave Shengen mesatarisht 2000 banorë shqiptarë në ditë largohen në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Zvicrës.
Mediatizimi kombëtar dhe ndërkombëtar i këtij fenomeni dhe sidomos vendimi për të kthyer disa mijë shqiptarë nga shtetet e perëndimit irrituan qarqet antishqiptare të Shkupit.
Rrezikimi i planit shtetëror të Maqedonisë për ndryshimin e strukturës së popullsisë i hodhi në ofensivë pasardhësit e Aleksandar Rankoviqit dhe Kërste Cërvenkovskit.
Bastisje, dhunë, procese të montuara gjyqësore… (brenda dy muajsh 7 dënime me burg të përjetshëm për 7 ish ushtarë të ish UÇK-së!)
Më 12 prill 2010, në përvjetorin e Deklaratës famëkeqe të Ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë dhe themeluesit të shërbimeve sekrete jugosllave Aleksandar Rankoviq për “Aksionin e armëve” pasardhësja e Kërste Cërvenkovskit, Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska e shënoi këtë ngjarje në mënyrën e vet.
Për të qenë “në modë” ajo në vend të Gazetës BORBA (Lufta) i dha një intervistë Radio Evropës së Lirë, dhe shpalli publikisht se “së shpejti Qeveria do t’i propozojë Parlamentit të marrë vendim për organizimin e ndonjë aksioni për mbledhjen e armëve ilegale”.
Nga kjo datë filluan përgatitjet e krijimit në opinion të “psikozës së luftës”, të “trafiqeve me armë”, të “kriminalitetit të organizuar”…
Zyrtarisht brenda një muaji, si në kohën e Rankoviqit, “u konfiskuan sasi të mëdha armësh” “ u “shpartalluan grupe kriminelësh”, ”u arrestuan njerëz që synojnë destabilizimin e vendit”, … dhe më 12 Maj, një ditë para kremtimit të datës së themelimit të OZNA-s, “ u vranë katër trafikant armësh”…
Emri i veprimtarit të shquar të Çështjes kombëtare shqiptare, Kryetarit të Alternativës Kombëtare, u mbajt i fshehur për t’u bërë publik me 13 maj! Trofe për përvjetorin e OZNA-s!
Ekspozimi i “armëve të konfiskuar” u bë si në kohën e Rankoviqit, me dallimin e vogël se nuk u ftua Kori Diplomatik. Korit Diplomatik iu servuan këto trofe përmes medieve!
Ekzekutimi i katër veprimtarëve të shquar në vigjilje të këtij përvjetori dëshmon fjalën e urtë popullore shqiptare se “Ujku, qimen e ndërron por zanatin nuk e harron!”
As etiketimet kriminale për të fshehur gjurmët e ekzekutimit terrorist të katër shqiptarëve, as ekspozimi pompoz i “arëve të konfiskuar” nuk mund të fsheh faktin se shqiptarët në Maqedoni përballen me një regjim terrorist!
“Aksioni i armëve” i Rankoviqit i shpallur me 12 prill 1956 në Gazetën Borba (Lufta) dhe “Aksioni i armëve” i Jankullovskës, i shpallur më 12 prill 2010 në Radio Evropa Lirë janë produkte të të njëjtës kuzhinë antishqiptare! Produkte të regjimeve terroriste që synojnë krijimin e klimës së pasigurisë me qëllim të nxitjes së shpërnguljes dhe ndryshimit të strukturës së popullsisë!
Këtij regjimi, si të gjitha regjimeve terroriste, do t’i vijë fundi! Sa më shpejtë që partitë politike shqiptare ta kuptojnë domosdoshmërinë e bashkërenditjes së veprimtarisë politike aq më afër do të jetë fundi i këtij regjimi! Sa më shpejtë që të kuptojnë institucionet demokratike në botë për domosdoshmërinë e intervenimit energjik kundër mbeturinave të logjikës totalitare në Maqedoni aq më të vogla do të jenë pasojat!

Filed Under: Analiza Tagged With: Alarm, Bardhyl Mahmuti

Shtetrrethimi i Lagjes së Trimave në Kumanovë është krim lufte

May 10, 2015 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/
Jam duke përcjellë me shqetësim të madh indiferencën ndërkombëtare përballë shtetrrethimit të Lagjes së Trimave në Kumanovë nga forcat policore dhe ushtarake të diktaturës VMRO-BDI. Askush nuk e di se çka ka ndodhur dhe çka është duke ndodhur me civilët shqiptarë në këtë lagje, askush nuk e di se sa civilë janë të vrarë dhe kush janë ata. Situata është tejet dramatike dhe mund të fshehë tragjedi të mëdha njerëzore.
Mbajtja në shtetrrethim të mbi 20 mijë shqiptarëve dhe imponimi që të qëndrojnë në territorin ku përdoren të gjitha mjetet e luftës tokësore dhe ajrore është një krim i rëndë lufte. Prandaj, sensibilizimi ndërkombëtar i kësaj çështje është në interes të uljes së tensioneve të konstruktura nga ky regjim diktatorial.
Ftoj institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës që të ushtrojnë ndikimin e tyre te institucionet relevante ndërkombëtare që të ndërhyjnë energjikisht për heqjen e shtetrrethimit dhe hedhjen dritë mbi atë që ka ndodhur me civilët shqiptarë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bardhyl Mahmuti, shtetrrethim

Spastrimi etnik i Kosovës dhe “dita e eksodit kosovar”

April 16, 2015 by dgreca

Nga Bardhyl MAHMUTI/
Aktivitetet që organizohen në Kukës për të përkujtuar përvjetorin kur të dëbuarit dhe ata që i shpëtuan gjenocidit serb erdhën edhe në këtë qyte të Shqipërisë janë aktivitete që duhet të rikujtojnë bujarinë kuksiane dhe të tërë Shqipërisë, mbi supet e së cilës ra një pjesë e madhe e barrës së kësaj politike.
Duke shikuar qasjen që disa media ia bëjnë këtij përkujtimi del në pah një gabim i rëndë ku dëbim drejtë Shqipërisë shihet si “dita e eksodit kosovar”.
Në veprën time «Mashtrimi i madh» kam nxjerrë ndriçuar se qarqet intelektuale të profileve të ndryshme por të këndvështrimit ideologjik të «antiamekrikanizmit» rreshtohen përkrah propagandës së Millosheviqit se gjoja “në Kosovë nuk ka pasur as katastrofë humanitare e as dëbime të shqiptarëve. Të dyja u provokuan nga bombardimet e NATO-s”. («Mashtrimi i madh» f. 210)
Po sjell për lexuesin një pjesë të librit tim që të shohë një pjesë të debateve për atë se kur ka filluar eksodi i shqiptarëve të Kosovës dhe çka fshihet prapa këtij debati.
“…
Në Kapitullin e titulluar «Shokët e Fischer-it, ose: si të trillo¬het një arsye për luftë» , Elsässer-i thekson se “për të justifikuar bombardimet, Qeveria Gjermane u përpoq ta paraqesë dëbimin sistematik të shqiptarëve si qëllim të përcaktuar që moti nga Beogradi (…) Në mbështetje të kësaj teze, prezantimi i ngjarjeve u falsifikua. Kështu, në një dokument të shpërndarë nga Fische-i, më 31 mars 1999, mund të lexojmë edhe këtë: “Pas fillimit të luftimeve në mars të vitit 1998, një strategji që kishte për qëllim shpërnguljen, politikë e tokës së djegur u zbatua nga forcat serbe. Jo vetëm UÇK-së, por, edhe popullatës civile duhej t’i bëhej e pamundshme qëndrimi në shtëpitë dhe fshatrat e tyre.”
Edhe në kapitullin V të veprës së vet, Jürgen Elsässer-i i kthehet kësaj teme. Madje ai e “huazon” titullin e kapitullit nga filmi amerikan «Wag the Dog» (Trazim qeni). Që të kuptohet aluzioni i Elsässer-it, po përmend shkurtimisht se skenari i këtij filmi vë në qendër të kritikës manipulimet e njerëzve që kanë influencë në pushtetin politik. Konkretisht, për të lënë në heshtje një skandal seksual të presidentit amerikan, “njerëzit me influencë” montuan një luftë kundër Shqipërisë! Në analogji me luftën e NATO-s kundër Serbisë, autori në nëntitullin e këtij kapitulli, të titulluar «Si e shpikën Fischer-i dhe Scharping-u fushatën serbe të dëbimit: operacionin ‘Patkoi’» , konstaton se plani i spastrimit etnik të Kosovës ishte trillim i njerëzve me influencë politike në shtetin gjerman e jo strategji e regjimit të Beogradit.
Argumenti kryesor i autorit për të përgënjeshtruar vërte¬tësinë e këtij plani është “falsifikimi i emrit të këtij plani: «potkova» është fjalë kroate ose bullgare për patkoin, ndërsa në serbisht thuhet «potkovica».”
Në të njëjtat pozicione, si të Serge Halimi-t, Dominique Vidal-it, Jürgen Elsässer-it, qëndrojnë edhe historianët e orien¬timit të djathtë politik: Bernard Lugan-i , Dominique Venner-i dhe Philippe Conrad-i. Sado që këtyre tre gazetarëve nuk u pëlqen të citohen përkrah historianëve që njihen si “shkencëtarë” që i thurin lavdi aparteidit të Afrikës Jugore, qëndrimi kundër “dominimit amerikan të Evropës” dhe revolta kundër “dezin-formatave, që janë lëshuar në media” , i bashkon në një front të përbashkët. I vetmi “dallim” qëndron në terminologjinë e stigma¬tizimit. Jürgen Elsässer-i përdor “trazimin e qenit”, shprehjen idiomatike angleze, për të treguar strategjinë e politikanëve, që për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale shkojnë deri te sajimi i motiveve për të filluar një luftë; Serge Halimi i cilëson si “qen të rinj rojtarë” gazetarët, botuesit e ndryshëm, ekspertët e mediave, që janë vënë “në shërbim të kësaj propagande”, ndërsa Bernard Lugan-i i quan “qen Pavllovi të shtypit” . Me një fjalë, punë qensh!
Stigmatizimi i atyre që mendojnë ndryshe nga Jürgen Elsässer-i, Serge Halimi dhe Bernard Lugan-i, si “qen”, nuk është as “formë staliniste” e njollosjes së kundërshtarëve e as “imbecile”. Ajo është në përputhje të plotë me “edukatën politike” që sheh manipulim në çdo veprim të amerikanëve!
Përkundrazi, nëse e cilësoj si punë zagarësh “gjuetinë” e atyre që nuk janë “politikisht korrektë” në përputhje me “edukatën politike” (ideologjinë antiamerikane), atëherë rrezikoj të cilësohem si “stalinist, imbecil…”
Edhe filozofi dhe publicisti francez, Regis Debray-ja, mendon se plani serb për pastrimin etnik të Kosovës nuk ka ekzistuar dhe se shpërngulja e shqiptarëve është provokuar nga bombardimet e NATO-s.
Në funksion të “vërtetimit” të pohimeve se para bombar¬dimeve të NATO-s situata në Kosovë nuk ishte alarmante dhe nuk kishte rrezik për katastrofë humanitare, Regis Debray-ja “njoftoi” presidentin francez dhe lexuesit e letrës së tij publike se para këtyre bombardimeve “luftimet midis UÇK-së dhe të forcave serbe kishin provokuar ikjen e civilëve.”
“Më thanë se shumica e tyre ishin familjet e luftëtarëve. Sipas korrespondentit të AFP-së numri i tyre ishte i kufizuar. Njerëzit strehoheshin në shtëpitë e fqinjëve”, konstaton ky i fundit. “Askush nuk vdiste nga uria, nuk vritej në rrugë, nuk iknin drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë. Faktikisht nuk kishte nevojë për kampe refu¬gjatësh në kufi. Sulmi i NATO-s provokoi katastrofën humanitare, si një top bore që rrokulliset.”
Ndryshe nga Regis Debray-ja, gazetari gjerman, Jürgen Elsässer-i nuk e mohon se gjendja në Kosovë ishte përkeqësuar në krahasim me vjeshtën e vitit 1998. Mirëpo, fillimisht ky gazetar sjell shifra për të ilustruar pohimet se autoritetet gjermane kishin gënjyer. Konkretisht, në raportin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë flitej për një përkeqësim të situatës në krahasim me vjeshtën e përparshme. Në mbështetje të kësaj silleshin shifrat e Komisariatit të Lartë për Refugjatë se numri i përgjithshëm i refugjatëve nga Kosova ishte rreth 400 mijë dhe kjo shifër, në krahasim me vjeshtën e vitit 1998, përbënte një rritje të numrit për 100 mijë refugjat tjerë .
Sipas Jürgen Elsässer-it “ky numër është i shpikur. Më 23 tetor 1998, Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë numëroi 285500 refugjatë, ndërsa më 18 mars 1999 numri i tyre ishte 333 300 refugjatë. Në të dy rastet duhet të shtohen 100 mijë kosovarë shqiptarë në Evropën Perëndimore, prej të cilëve vetëm 2.5% kishin fituar të drejtën e refugjatëve politikë në Gjermani. Pra Komisariati i Lartë për Refugjatë sillte rreth 50 mijë refugjatë më shumë se në muajin tetor, ndërsa ministria gjermane 100 mijë.” Pra, ky gazetar e “vërtetoi” se “Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë kishte gënjyer!” Megjithatë, për Elsässer-i, kjo gënjeshtër është “më e vogël” se një “gënjeshtër” tjetër që “zbuloi” ky gazetar. “Gënjeshtra kryesore e Qeverisë Federale nuk qën¬dronte te zmadhimi i krizës në Kosovë, sepse ishte e padisku¬tueshme se situata ishte përkeqësuar”, vazhdon ai. “Gënjeshtra kryesore qëndron që me vetëdije të plotë është fshehur se ky përkeqësim nuk ndodhi për shkak të aksioneve të forcave të sigurisë serbe, por, për shkak të akteve terroriste të UÇK-së, prej të cilave vuajtën edhe popullsia serbe, edhe ajo shqiptare.”
Me qëllim që lexuesi të shohë manipulimin e këtij autori me shifrat e mësipërme, po sjell në tërësi paragrafin e Rezolutës 1199, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit në vjeshtën e vitit 1998.
“Thellësisht të shqetësuar për shkak të luftimeve të ashpra që u zhvilluan në Kosovë dhe në veçanti të brengosur me përdorimin e tepërt dhe pa dallim të forcës nga ana e njësive të sigurisë serbe dhe të Armatës Jugosllave, që shkaktoi viktima të shumta civile dhe sipas vlerësimeve të Sekretarit të Përgjithshëm mbi 230000 persona janë zhvendosur dhe kanë qenë të shtrënguar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre.”
Pa marrë parasysh se shifrat që posedonin organizatat për të drejtat e njeriut evidentonin një numër shumë më të lartë të atyre që ishin detyruar t’i linin shtëpitë e tyre ose të cilëve u ishin rrënuar shtëpitë, mumri që figuron në Rezolutën e KS-së (230 mijë persona të zhvendosur) do të jetë statistika që do ta citojnë më së shumti burimet zyrtare.
Mirëpo, në vend që të zbatoheshin kërkesat e përcaktuara në këtë rezolutë, situata përkeqësohej nga dita në ditë. Kështu, para fillimit të bombardimeve të NATO-s Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë publikoi shifrën prej 333.300 persona të zhven¬dosur. Pra, nga vjeshta e vitit 1998 e deri më 18 mars 1999 numri ishte shtuar me 103.330 persona të zhvendosur. Manipulimi me statistika, ku njerëzit shtohen dhe zbriten në operacione mate¬matike me qëllim që të banalizohet “shtimi i krimeve” dhe “zbritja e jetëve të njerëzve të pafajshëm” është karakteristikë e këtyre gazetarëve dhe e analistëve, me “edukim të veçantë politik”.
Zbritja e “numrave” dhe e “shifrave” të publikuara më 23 tetor 1998 (e jo më 23 shtator!) nga “numrat” dhe nga “shifrat” e 18 marsit 1999, bëhet me të vetmin qëllim që të arrihet të përgë¬njeshtrohet pohimi se situata në Kosovë para bombardimeve të NATO-s ishte alarmante. Me këtë formë të manipulimit me “operacionin matematik” Jürgen Elsässer-i erdhi te “numri” 50 mijë të shpërngulur dhe e shpalli me mburrje se “zbuloi gënjeshtrën” e Ministrisë së Punëve të Jashtme Gjermane!
Edhe pse Milošević-i deklaron se “në Kosovë kishte më pak se një milion shqiptarë, sepse qindra mijëra shqiptarë kishin shkuar në vendet e huaja” , Jürgen Elsässer-i publikon shifra shumë më të vogla se shifrat zyrtare të regjimit të Beogradit. Ai përpiqet t’i fshehë edhe ato të dhëna që nuk mund t’i fshihnin as strukturat e pushtetit në Serbi!
Të dhënat për zhvendosjen e popullsisë civile ishin publikuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe nga Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë shumë kohë para se Regis Debray-ja të ftohej të vizitonte Serbinë. Nuk mund të besohet se ky filozof nuk ishte në dijeni të këtyre shifrave, kur pohoi publikisht se atij i kanë “thënë se shumica e të ikurve ishin familjet e luftëtarëve shqiptarë dhe sipas korrespondentit të AFP-së numri i tyre ishte i kufizuar!”
Minimizimi i përmasave të zhvendosjes së popullsisë shqip¬tare nxjerr në shesh se deri në cilën masë ai ishte i “paanshëm” në atë që mundohej ta shpërndante si të “vërtetë” për luftën në Kosovë!
Zhvendosja e 333.300 personave dhe e “100.000 kosovarëve shqiptarë në Evropën Perëndimore, që kishin kërkuar azil” që përmend Jürgen Elsässer-i, në sytë e dikujt mund të duket numër i kufizuar! Përmasat e kësaj zhvendosjeje të popullsisë civile, sado të “kufizuara” t’i duken dikujt, sado që ishin më të vogla se shifrat që kishte Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, dëshmojnë për kontekstin alarmues që ndikoi në vendimin për ndërhyrje ushtarake të NATO-s.
Që të kuptohen përmasat reale të 433.300 personave, që u detyruan të iknin nga shtëpitë e tyre, lexuesit i duhet ta shohë këtë shifër në kontekstin e Kosovës: Kjo shifër paraqiste çerekun e popullsisë së përgjithshme të saj!
Sikur një gjë e tillë të ndodhte me popullsitë civile të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë dhe të SHBA-vë, ky proporcion do të manifestohej me 15 milionë britanikë, me 17 milionë francezë, me 20 milionë gjermanë dhe me 80 milionë amerikanë të zhvendosur nga shtëpitë e veta! Vetëm duke i ima¬gjinuar këto përmasa tragjike, lexuesit e letrës së Regis Debray-së, të veprës së Serge Halimi-t, të «Humanizmit të ri ushtarak…” të Noam Chomsky-t, (Noam Chomski) të “Kronikës së manipu¬limit…” të Jürgen Elsässer-it do t’i kuptojnë manipulimet e filo¬zofëve, të polito¬lo¬gëve, të sociologëve, linguistëve dhe të gazetarëve si këta të lart¬përmendurit, që përpiqeshin t’i minimizonin përmasat e kata¬stro¬fës humanitare me të cilën ballafaqohej populli shqiptar i Kosovës.”
(«Mashtrimi i madh» f.215-221)

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, eksodit kosovar”, Spastrimi etnik i Kosovës dhe “dita e

Deklaratat pa prova dhe pa dëshmitarë janë etiketime propagandistike!

July 31, 2014 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/
Konferenca për shtyp e ambasadorit amerikan Clint Williamson-it, kryeprokuror i Forcës Hetimore Speciale të ngarkuar nga Bashkimi Evropian për të hetuar vërtetësinë e Raportit të senatorit zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Marty-t, imponon të rikujtojmë disa fakte:
Pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ish prokurorja e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, publikoi librin me kujtimet e veta lidhur me veprimtarinë e saj në kuadër të kësaj gjykate.
Nga tërë materiali që përmban libri i Carla Del Pontes i titulluar “Gjahu: unë dhe kriminelët e luftës” qarqe të caktuara politike dhe mediatike veçuan dyshimet për pretendimet se gjoja “pjesëtarë të UÇK-së kishin ushtruar trafikimin e organeve të të burgosurve serbë”.
Askush nuk e përmendi faktin se edhe vetë Carla Del Ponte kishte pohuar se në mungesë provave hetimet për pohimet e tilla u braktisën.
Fatkeqësisht, për tre vite rresht (2008, 2009 dhe 2010) propaganda për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore” nuk u hoq nga arsenali propagandistik që kishte për synim dëmtimin e imazhit të Kosovës.
Edhe pse nuk kishte asnjë provë për propagandën e tillë, edhe pse ishin ndërprerë hetimet nga vetë Carla Del Ponte, qarqe të caktuara që ishin shprehur kundër pavarësisë së Kosovës përgatitën propozimin për hapjen e hetimeve lidhur me këtë çështje dhe ngarkuan senatorin zviceran, Dick Marty-n, për të përpiluar një raport për Këshillin e Evropës.
Dick Marty, i njohur si kundërshtar i zjarrtë i intervenimit të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999 dhe kundërshtar i hapur i pavarësisë së Kosovës, dorëzoi raportin e mbushur plot e përplot me gënjeshtra.
Miratimi i këtij raporti nga ana e Asamblesë së Përgjithshme e Këshillit të Evropës në vitin 2011 pati efekte shkatërruese për imazhin e vendit tonë.
Për më shumë se gjashtë vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës janë publikuar me dhjetëra milion artikuj dhe libra, të mbështetur ekskluzivisht në librin e Carla Del Pontes dhe të Raportit DEKLARATË
Deklaratat pa prova dhe pa dëshmitarë janë etiketime propagandistike!

Konferenca për shtyp e ambasadorit amerikan Clint Williamson-it, kryeprokuror i Forcës Hetimore Speciale të ngarkuar nga Bashkimi Evropian për të hetuar vërtetësinë e Raportit të senatorit zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Marty-t, imponon të rikujtojmë disa fakte:
Pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ish prokurorja e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, publikoi librin me kujtimet e veta lidhur me veprimtarinë e saj në kuadër të kësaj gjykate.
Nga tërë materiali që përmban libri i Carla Del Pontes i titulluar “Gjahu:unë dhe kriminelët e luftës” qarqe të caktuara politike dhe mediatike veçuan dyshimet për pretendimet se gjoja “pjesëtarë të UÇK-së kishin ushtruar trafikimin e organeve të të burgosurve serbë”.
Askush nuk e përmendi faktin se edhe vetë Carla Del Ponte kishte pohuar se në mungesë provave hetimet për pohimet e tilla u braktisë.
Fatkeqësisht, për tre vite rresht (2008, 2009 dhe 2010) propaganda për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore” nuk u hoq nga arsenali propagandistik që kishte për synim dëmtimin e imazhit të Kosovës.
Edhe pse nuk kishte asnjë provë për propagandën e tillë, edhe pse ishin ndërprerë hetimet nga vetë Carla Del Ponte, qarqe të caktuara që ishin shprehur kundër pavarësisë së Kosovës përgatitën propozimin për hapjen e hetimeve lidhur me këtë çështje dhe ngarkuan senatorin zviceran, Dick Marty-n, për të përpiluar një raport për Këshillin e Evropës.
Dick Marty, i njohur si kundërshtar i zjarrtë i intervenimit të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999 dhe kundërshtar i hapur i pavarësisë së Kosovës dorëzoi raportin e mbushur plot e përplot me gënjeshtra.
Miratimi i këtij raporti nga ana e Asamblesë së Përgjithshme e Këshillit të Evropës në vitin 2011 pati efekte shkatërruese për imazhin e vendit tonë.
Për më shumë se gjashtë vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës janë publikuar me dhjetëra milion artikuj dhe libra, të mbështetur ekskluzivisht në librin e Carla Del Pontes dhe të raportit të Dick Marty-t.
Fatkeqësisht, gjatë gjithë kësaj periudhe kur imazhi i Kosovës përbaltej në mënyrën më skandaloze të mundshme, institucionet shtetërore të Kosovës nuk ndërmorën asgjë për të kryer obligimet e veta.
Tani, kur priteshin rezultatet e Forcës Hetimore Speciale të ngarkuara nga Bashkimi Evropian për të hetuar vërtetësinë e raportit të Dick Marty-t, deklarata e Kryeprokurorit Williamson është skandaloze.
Në konferencën për shtyp, Kryeprokurori Williamson sqaroi se në punën që ai drejtoi për tri vite rresht një ndihmë të madhe i kishin dhënë autoritetet e BE-së, të SHBA-ve, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, Presidentja e Kosovës, Qeveria e Malit të Zi dhe sidomos Serbia.
Përkundër ndihmës së madhe që ka pasur nga të katër anët e botës Kryeprokurori Williamson deklaroi se “hetimet janë zhvilluar për ngjarjet që kanë ndodhur para 15 viteve dhe se për këto ngjarje ekzistojnë shumë pak prova ose nuk ka aspak prova (…) Dëshmitarët ose kanë vdekur ose janë drobitur deri në atë shkallë sa nuk janë në gjendje të japin dëshmi (…) ndërsa për pjesën sensacionale të trafikimit të organeve njerëzore ende nuk i kemi siguruar provat, por, do të vazhdojmë t’i kërkojmë (…)”.
Përkundër asaj se Clint Williamson-i pohon vet se gjatë hetimeve trevjeçare nuk i siguruan as provat dhe as dëshmitarët që do të konfirmonin pretendimet për krimet e kryera nga ana e UÇK-së ai nuk ngurron të pohojë se “zyrtarë të lartë të UÇK-së kanë kryer persekutime kundër popullsisë serbe, rome dhe pakicave tjera në Kosovë si dhe kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës që u etiketuan si bashkëpunëtorë të serbëve.”
Zoti Williamson, si edhe të gjithë ata që merren seriozisht me tema delikate si kjo, e dinë fare mirë se kualifikimet e tilla pa pasur aspak prova e as dëshmitarë nuk janë asgjë tjetër pos etiketime propagandistike!
Pohimet e Kryeprokurorit Williamson se nuk kanë siguruar prova për trafikimin e organeve njerëzore, pohim i njëjtë si pohimi i para gjashtë vitesh e gjysmë i prokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë, Carla Del Pontes, dhe pohimi në të njëjtën kohë se “praktika e tillë është aplikuar ndaj një numri të vogël të njerëzve, të cilëve u janë nxjerrë dhe trafikuar organet”, përbën një shembull skandaloz të mungesës së seriozitetit dhe profesionalizmit të atij që ka marrë detyrën e kryeprokurorit në hetimet për të ndriçuar këto akuza.
Përfundimi i shërbimit të Clint Williamson-it si Kryeprokuror i Forcës Hetimore Speciale më 23 gusht të këtij viti nuk e zvogëlon dëmin që pohimet e tija të pabazuara i shkaktojnë imazhit të Kosovës.
Është momenti i fundit që të mobilizohen të gjitha energjitë kombëtare për të ndriçuar tërësisht këto akuza që cenojnë imazhin e Kosovës dhe të luftës së saj çlirimtare!Vetëm ndriçimi i plotë i motiveve të vërteta mbi të cilat bazohen këto akuza do të heqë njollën e zezë që na është ngjitur në këtë periudhë shumë të rëndësishme të ndërtimit të shtetit ligjor të Kosovës.

Bardhyl Mahmuti
Prishtinë, 31 korrik 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Deklaratat pa prova, dhe pa dëshmitarë, janë etiketime, propagandistike!

Pretendimi i Dick Marty per Trbunalin, diktat politik mbi Drejtesine

April 4, 2014 by dgreca

Krijimi eventual i Tribunalit mbi bazën e pretendimeve të Dick Marty-t do të simbolizonte diktatin ideologjik të politikës mbi drejtësinë!/

Nga Bardhyl Mahmuti/

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Drejtori për çështjen e Evropës qendrore dhe juglindore në departamentin amerikan të shtetit, Jonathan Moore deklaroi se “pretendimet në raportin e Dick Marty-t janë unike dhe janë të veçanta dhe ato nuk aplikohen për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë konfliktit dhe për këtë arsyeje ato duhet të zhvillohen jashtë Kosovës.”

Që në fillim të reagimit tim dëshiroj të vë theksin se pretendimet e Dick Marty-t, të mbështetura mbi gënjeshtra, nuk janë unike as për nga përmbajtja e shpifjeve e as për nga personi që i shpërndan. Strategjia e stigmatizimit të UÇK-së,e përpiluar në Shtabin Strategjek të Millosheviqit, është objekt i një analize që do të botohet si vepër e veçantë në muajt e ardhshëm. Në vazhdim po sjell disa fragmente që do t’i mundësojnë lexuesit të shohë implikimin e politikanit të Partisë Radikale Demokratike zvicerane, Dick Marty-t si implikim në përputhje me pikëpamjet e tija ideologjike të “anti imperializmit amerikan”.

Intervenimi ushtarak i NATO-s për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit dhe pastrimit etnik të Kosovës mobilizoi të gjitha qarqet antiamerikane dhe anti imperialiste në Evropë dhe më gjërë. Në këtë kontekst, Dick Marty, së bashku me 19 deputet të parlamentit zviceran, më 21 prill 1999 i rekomanduan Këshillit Federal të Zvicrës “masat që synonin t’i jepnin fund luftës në Kosovë.”

Në këto rekomandime kërkohej nga institucioni më i lartë qeverisës i vendit të tyre që të bëjë çdo gjë që është e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim në mes palëve,  të vendosej një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatitej terreni për një zgjidhje politike.”

Politikani që asnjë herë nuk e kishte ngritur zëri për të kërkuar ndërprerjen e fushatës ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, e cila fushatë pati për pasojë mijëra të vrarë dhe qindra mijëra shqiptarë të dëbuar, e çori gurmazin duke kërkuar që të ndërpriten bombardimet kundër caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe!

Demokrati radikal zviceran, Dick Marty, i cili në asnjë rast nuk përmend se Misioni Verifikues i OSBE-së në Kosovë ishte një mision i pjesëtarëve të paarmatosur që duhej të mbikëqyrnin, ndër të tjera, edhe respektimin e armëpushimit të realizuar me 13 tetor 1998 e që dështoi për shkak të vazhdimit të politikës luftënxitëse të regjimit të Beogradit, rekomandon në mënyrë “radikale” armëpushim dhe vendosje të “trupave neutrale” për t’u kujdesur për respektimin e një armëpushimi të propozuar prej tij!

Nëse e kemi parasysh se shumica e shteteve të demokracive perëndimore ishin të angazhuara në operacionet e NATO-s, atëherë mbetet e paqartë se me forcat e cilit vend do të konstituoheshin “trupat neutralë” të Dick Marty-t! Forcat ruse, bjelloruse, kineze, indiane apo të ndonjë vendi tjetër që dënonte sulmet e NATO-s? Nëse një gjë e tillë lehet e paqartë nga Dick Marty, ai është tepër i qartë se në “trupat neutrale” nuk mund të ishin forcat e shteteve që kishin sulmuar Serbinë, sidomos nuk mund të ishin amerikanët! Dick Marty është i mendimit se “ushtritë e komanduara nga NATO-ja bombarduan Serbinë dhe se ky ishte një agresion ilegal, pa miratimin e OKB-së.”  Rekomandimi “për përgatitjen e terrenit për një zgjidhje politike” nuk dallon për asgjë nga rekomandimet e regjimit të Millosheviqit për të “ndërprerë agresionin dhe për të gjetur një zgjidhje politike.”

Në mënyrë të njëjtë si propaganda zyrtare e Beogradit edhe rekomandimi i deponuar nga Dick Marty la në heshtje të plotë angazhimet diplomatike të shteteve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve për të përmbyllur konfliktin me një zgjidhje politike. Nuk u përmendën asnjëherë propozimet e Grupit të Kontaktit, as Konferenca në Rambouillet dhe Paris dhe as dështimi i tyre për shkak të strategjisë së Millosheviqit që të provokohej lufta.

Pozicioni i Dick Marty-t ishte i qartë! Në të njëjtën shkallë sa edhe “neutraliteti” i tij!

Për të denoncuar “agresionin ilegal kundër Serbisë, pa miratimin e OKB-së”, Dick Marty është tepër i zëshëm! Por, kur ai i rekomandon Këshillit federal të Zvicrës që të bëjë çdo gjë që është e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim në mes palëve,  të vendoset një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatit terrenin për një zgjidhje politike”, Dick Marty  as që përmend OKB-në. Sipas kësaj logjike, anashkalimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndërprerë bombardimet kundër regjimit të Millosheviqit nuk është ilegal!

Shumë më shumë se “pro-serbizmi” i Dick Marty-t  është “anti-amerikanizmi” i tij dhe i shumë autorëve tjerë që i bën të rreshtohen përkrah propagandës zyrtare të regjimit të Millosheviqit.

Po i njëjti Dick Marty, disa vite më vonë, përmes Raportit paraprak të miratuar nga Këshilli i Evropës në janar të vitit 2006, ai u angazhua të jetë “unik” në pretendimet e tija se CIA kishte pasur “burgjet sekrete” në disa shtete të Evropës. Ky raportues i Këshillit të Evropës “hulumtonte” herë në Rumani, herë në Poloni dhe herë në vendet tjera të Evropës për të “gjetur prova që do të dëshmonin se amerikanët kishin shkaktuar krime të rënda në luftën kundër terrorizmit në «Guantanamot e Evropës» ”. Raporti i tij final i qershorit të vitit 2006 e shtyri Këshillin e Evropës të publikojë raportin më 8 qershor 2007 dhe të zhvillojë hetime lidhur me thëniet e Dick Marty-t.

Ai nuk ndalet me kaq. Akuza të veçanta do t’i adresojë kundër Kosovës që, sipas tij, “strehon bazën më të madhe amerikane në botë”. Në intervistën e 12 marsit 2008, për «Réseau Voltaire» të titulluar «Pavarësia e Kosovës nuk është vendosur në Prishtinë» Dick Marty del hapur kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër shteteve të cilat e njohin këtë pavarësi. Sipas tij, “Presidenti serb, Tadiqi, sado e rëndë që ishte për te, në prezencë të përfaqësuesve të 47 shteteve të Këshillit të Evropës, ai deklaroi se ishte i gatshëm të pranonte një autonominë të zgjeruar për Kosovës. Nuk e shfrytëzuam këtë rast!”

Dick Marty e sheh pavarësinë e Kosovës si komplot të amerikanëve “për të mbajtur bazën e tyre më të madhe në botë”. Ajo që është më e keqe, sipas tij, lidhet me faktin “UÇK-në e kanë prezantuar si të ishte e organizatë e virgjër dhe bamirëse”. Për këtë arsye, ai u angazhua intensivisht që “që të gjejë provat për të dëshmuar se UÇK-ja është organizatë kriminale, që provokoi luftën, që vrau civilë të pafajshëm dhe i mundësoi imperialistëve amerikan të ndërtojnë bazën më të madhe të tyre në botë!”.

Drejtori për çështjen e Evropës qendrore dhe juglindore në departamentin amerikan të shtetit, Jonathan Moore, e di më mirë se shumë kush që prezenca amerikane në Kosovë nuk paraqet asnjë rrezik imperialist për Evropën, ashtu siç pretendojnë “në mënyrë unike” Dick Marty dhe antiimperialistët tjerë të orientimit politik të djathtë apo të majtë.

Raporti i Dick Martyt i titulluar “Trajtimi jonjerëzor i personave dhe trafikimi kundërligjor i organeve njerëzore në Kosovë” nuk ka asgjë unike. Përkundrazi, janë akuza të dëgjuar sa e sa herë në nga goja e atyre që në çdo intervenim të amerikanëve, qoftë edhe në rastet kur qëllimi ishte humanitar, nuk shohin asgjë tjetër pos “komploti” për të dominuar botën!

Për këtë arsye, krijimi eventual i Tribunalit të veçantë mbi bazën e gënjeshtrave të frymëzuara nga pikëpamjet ideologjike të Dick Martyt  do të ishte një diktat ideologjik i politikës mbi drejtësinë.

4 prill 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, per Trbunalin, Pretendimi i Dick Marty

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT