• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Baronesha Ashton dekorohet me Medaljen Presidenciale

January 17, 2017 by dgreca

 

Serbia-Kosovo Dialogue
– Baronesha Catherine Ashton në Kosovë: Dialogu, mënyra më e mirë e normalizimit të relacioneve ndërmjet shteteve në rajon/

-Duke çmuar përkushtimin e Kosovës në rrugën euroatlantike, baronesha Ashton, sot në Prishtinë në takim me kryeministrin Isa Mustafa, theksoi edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut si mënyra më e mirë e normalizimit të relacioneve ndërmjet shteteve në rajon dhe më gjerë/

-Serbia ka intensifikuar provokimet dhe qasjen agresive ndaj Kosovës, tha sot ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në takim me ish-Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, baroneshën Catherine Ashton, ku foli për situatën aktuale dhe marrëdhëniet e acaruara me Serbinë, ndërsa theksoi se Kosova do ta mbrojë sovranitetin e saj/

PRISHTINË, 17 Janar 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Catherine Ashton, e cila ka ndërmjetësuar dialogun Prishtinë-Beograd në Beuksel, vlerësoi të arriturat në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Duke çmuar përkushtimin e Kosovës në rrugën euroatlantike, baronesha Ashton, sot në Prishtinë në takim me kryeministrin Isa Mustafa, theksoi edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut si mënyra më e mirë e normalizimit të relacioneve ndërmjet shteteve në rajon dhe më gjerë.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa ka shprehur mirënjohjen e qeverisë dhe të qytetarëve për kontributin që Baronesha Ashton ka dhënë për Kosovën gjatë mandatit të saj si përfaqësuese e lartë e BE-së.Duke vlerësuar përkushtimin e Baroneshës Ashton gjatë procesit evropian të dialogut të zhvilluar në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Mustafa, e njoftoi edhe për zhvillimet e fundit në këtë proces.

“Republika e Kosovës është e vendosur për fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet në rajon. Përkundër zvarritjeve dhe provokimeve të shkaktuara nga pala serbe, Kosova edhe gjatë procesit të dialogut në Bruksel, po dëshmon se është model rajonal dhe më gjerë i përkushtimit për dialog, për paqe dhe stabilitet”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, foli për zhvillimet e fundit, duke e njoftuar për punën që po bëhet në fuqizimin e shtetësisë, subjektivitetit ndërkombëtar, zhvillimin ekonomik dhe integrimet euroatlantike.Gjatë takimit, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohje edhe për përkrahjen e madhe të Mbretërisë së Bashkuar, duke theksuar besimin e plotë se Londra do të vazhdojë mbështetjen për shtetin e Kosovës, e cila tashmë është konfirmuar edhe nga Sekretari Boris Johnson.

HOXHAJ: SERBIA KA INTENSIFIKUAR PROVOKIMET DHE QASJEN AGRESIVE NDAJ KOSOVËS

Serbia ka intensifikuar provokimet dhe qasjen agresive ndaj Kosovës, tha sot ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në takim me ish-Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, baroneshën Catherine Ashton, ku foli për situatën aktuale dhe marrëdhëniet e acaruara me Serbinë, ndërsa theksoi se Kosova do ta mbrojë sovranitetin e saj.

“Serbia ka nisur gamë të gjerë dhe intensive të provokimeve dhe një politikë agresive kundër Kosovës. Një sjellje e tillë është kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për paqen në tërë rajonin. Por, pavarësisht se çfarë kërcënime do të vijnë nga Serbia, Kosova do t’u përgjigjet duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, deklaroi Hoxhaj. Ministri i Jashtëm kosovar e falënderoi Baroneshën Ashton për kontributin e saj për Kosovën në procesin e integrimit evropian, ndërsa konfirmoi se Kosova është e palëkundur në orientimin e saj perëndimor.

BARONESHA CATHERINE ASHTON DEKOROHET ME MEDALJEN PRESIDENCIALE TË MERITAVE

Ish-Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton,  sot në Prishtinë, dekorohet me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e saj në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim pasdite baroneshën Ashton, me ç’rast zhvillohet edhe ceremonia e dekorimit. Baronesha Catherine Ashton në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në të cilin janë zhvilluar 30 raunde kryeministrore, duke nisur nga 19 tetori 2012,  është pasuar nga  Federica Mogherini.

Në 19 prill 2013 është nënshkruar në Bruksel Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.

Në Bruksel, 23 takimet kryeministrore Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.Para një viti, në 27 janar 2016, është zhvilluar raundi i fundit, i 30-të, i bisedimeve Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash, të cilat kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

Tahiri AshtonMinistrja Edita Tahiri priti Baroneshën Ashton dhe Gjeneralin Jackson/

Prishtinë, 17 janar 2017-Ministrja Edita Tahiri ka pritur sot në një takim dreke ish-përfaqësuesen e Lartë të BE-së Baroneshën Catherine Ashton dhe ish-Gjeneralin e parë të KFOR-it në Kosovë, Sir Mike Jackson. Ministrja Tahiri i falënderoi të dy këto personalitete për kontributin e tyre dhe të Britanisë së Madhe në të gjitha fazat e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, duke filluar me çlirimin në vitin 1999 e deri në konkretizimin e procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.Në këtë takim u evokuan kujtime të bashkëpunimit nga koha e hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe roli historik i Gjeneralit Jackson në vendosjen e trupave të KFOR-it në Kosovë, si një moment shumë i rëndësishëm në largimin e përhershëm të forcave serbe nga Kosova dhe ndaljen e gjenocidit serb mbi shqiptarët.

Po ashtu u fol për rolin udhëheqës të znj. Ashton në dialogun e Brukselit për paqe, fqinjësi të mirë dhe integrime euroatlantike, proces ky që ka sjellë për herë të parë marrëveshje të nënshkruara në mes të dy shteteve dhe i cili ka mundësuar që Kosova të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në duke e nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe pasuar nga avancimi i raportit integrues me NATO-n.Ministrja Tahiri me këtë rast tha se dy personalitetet kanë zënë vend të dinjitetshëm në historinë e re të Kosovës dhe kombit shqiptar.Ministrja Edita Tahiri tha se Kosova do të mbetet e përkushtuar për vizionin euroatlantik të Kosovës, dhe po punojmë fuqishëm për ndërtimin e shtetit demokratik, të integruar në BE, NATO dhe OKB. Kosova po dëshmohet si faktor paqeje e stabiliteti në rajon dhe qëndron fuqishëm me aleancën amerikane dhe perëndimore në të gjitha sfidat globale të sigurisë, tha ajo, duke shtuar se Kosova përherë do të jetë e vendosur në anën e drejtë duke e fuqizuar edhe më tej partneritetin strategjik me SHBA-të, Britaninë e Madhe, BE-në dhe NATO-n.

Filed Under: Featured Tagged With: baronesha Ashton, dekorata, Edita Tahiri, Gjenerali Jackson, Thaci

BRUKSELI NJOFTON ARRITJEN E MARREVESHJES

April 19, 2013 by dgreca

Ashton: Marrëveshja ka inicialet e të dy kryeministrave/Serbët në veri nuk do ta pranojnë marrëveshjen, kërkojnë referendum/

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se negociatat kanë përfunduar, tekstit i janë vënë inicialet nga të dy kryeministrat.
“Dua t’i uroj të dy për vendosmërinë dhe guximin që kanë pasur gjatë këtyre muajve. është e rëndësishme që ajo që po shohimt ani është një hap më larg nga e kaluara dhe për të dy një hap më afër Evropës”, u ka thënë Ashton gazetarëve në Bruksel.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ende nuk dihen hollësitë e marrëveshjes së arritur.
Lajmi i është konfirmuar fillimisht Radios Evropa e Lirë nga Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Serbët në veri nuk do ta pranojnë marrëveshjen, kërkojnë referendum

Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, kanë porositur se nuk do të pranojnë dhe zbatojnë marrëveshjen e paralajmëruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në takimin që kanë mbajtur të premten në Zveçan, ata kanë theksuar se “nuk i pranojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe se janë të vendosur të mbeten në përbërjen e Serbisë”.
E ashtuquajtura kryetare e Kuvendit paralel të veriut të Mitrovicës, Ksenija Bozhoviq, ka theksuar se përfaqësuesit serbë të katër komunave në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovica e veriut, kanë sjell përfundimet se askush nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje, që, sipas tyre e cenojnë territorin e Serbisë.
“Populli serb dhe qytetarët e Republikës së Serbisë janë bartësit e vetëm të sovranitetit dhe askush nuk ka të drejtë që në kundërshtim me vullnetin e tyre, të nënshkruajë marrëveshje dhe akte të tjera për vendosjen e pushtetin e shtetit të papranuar, Republikës së Kosovës, në një pjesë të territorit të Serbisë”, ka thënë Bozhoviq.
Ajo, gjithashtu, ka theksuar se përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës kanë ardhur në përfundim se duhet të kërkojnë mbajtjen e një referendumi në Serbi për të parë vullnetin e popullit atje nëse duan të heqin dorë nga Kosova.
“Në referendum, njerëzit do të sqarohen se a janë për ruajtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë, apo për të pranuar kushtet për të marrë datën për fillimin e bisedimeve për hyrje në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Bozhoviq.
Kërstimir Pantiq, zëvendës i shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka theksuar se serbët e veriut nuk do të lejojnë që, qoftë nga Qeveria e Beogradit, qoftë nga ajo e Kosovës ose edhe nga bashkësia ndërkombëtare, t’ju imponohet çfarëdo qoftë që nuk është në përputhje me vullnetin e tyre. Ai e ka porositur me tone kërcënuese kryeministrin serb, Ivica Daçiq, se serbët e veriut nuk do të marrin pjesë në zbatimin e marrëveshjeve të Beogradit me Prishtinën.
“Le ta marrë Daçiqi këtë marrëveshje nga Brukseli dhe le të vijë këtu që ta zbatojë së bashku me Hashim Thaçin”, ka thënë Pantiq.
Porosi të ngjashme për autoritetet e Beogradit ka dërguar edhe lideri tjetër i serbëve të veriut të Mitrovicës, Radenko Nedeljkoviq, i cili ka kërkuar nga delegacioni serb në Brukseli që të tërhiqet nga dialogu.
“Kthehuni prapa dhe dëgjojeni zërin e popullit. Pavarësisht se çfarë do të bëni. ky popull nuk do ta pranojë. Ne nuk i duam institucionet e Kosovës dhe nuk e duam shtetin e Kosovës”, është shprehur Nedeljkoviq.
Ndryshe, përfaqësuesit e serbëve kanë marrë vendim që të fillojnë me mbledhjen e nënshkrimeve për të iniciuar mbajtjen e referendumit në Serbii, përmes të cilit qytetarët e atjeshëm do të sqaroheshin se a janë, siç thuhet, për ruajtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë, apo për të pranuar kushtet, siç i kanë quajtur ata, të imponuara për të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim e Serbisë në Bashkimin Evropian.(Kortezi:Bekim Bislimi)


 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: baronesha Ashton, Kosove-Serbi, u arrit marreveshja

ÇFARE NDODHI NE TAKIMIN E SE ENJTES TE 17 JANARIT, THAÇI-DAÇIÇ?

January 17, 2013 by dgreca

Gjatë ditës së enjte, 17 Janar, në Bruksel filloi raundi i katërt i dialogut në nivel të lartë politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, me takimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq.
Edhe kësaj radhe takimi zhvillohet në ndërtesën e shërbimit të jashtëm diplomatik të BE-së, saktësisht në zyrën e baroneshës Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së për politikë të jashtme për siguri, e cila edhe është ndërmjetësuese në këtë dialog.
Sot në selinë e BE-së në Bruksel kanë konfirmuar edhe një herë se çështja e veriut do të jetë njëra ndër temat kryesore të këtij raundi të dialogut.
Të pyetur në lidhje me platformën apo rezolutën që ka Serbia për Kosovën, zyrtarët e BE-së kanë përsëritur që nuk dëshirojnë komentojnë.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Catherine Ashtonit, ka thënë se për Bashkimin Evropian me rëndësi është të merren konkluzat e ministrave të BE-së nga dhjetori, të cilat, sipas saj, shpjegojnë se kah duhet të shkojë zgjidhja për veriun e Kosovës.
Sot gjatë ditës, kryeministri Thaçi së pari u takua në një takim bilateral me baroneshën Ashton, pastaj përfaqësuesja e lartë pati takim të veçantë edhe me kryeministrin e Serbisë, në mënyrë që të pasohet me darkën e punës.
Përpos veriut të Kosovës, temat e diskutimeve thuhet të jenë edhe zbatimi i deritashëm i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, më saktësisht zgjidhja për mënyrën e mbledhjes të të ardhurave nga dogana, pastaj edhe Telekomi dhe energjia.
Ditëve të kaluara ka pasur takime në nivel të grupeve punuese, kështu që nuk përjashtohet mundësia, siç thonë në BE, që të arrihet marrëveshje edhe në këto drejtime.
Sa i përket Bashkimit Evropian, zyrtarët e BE-së përsërisin se presin që të dyja palët, si Prishtina, po ashtu edhe Beogradi, të vazhdojnë të jenë të përkushtuar në dialog, dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe serioze, që të shfrytëzohen muajt në vijim, për të arritur përparim të mëtejmë në këtë dialog.

BISEDIMET: Thaçi e Daçiq kthehen kah tema qendrore – veriu

Takimi i sotem ndërmjet kryeministrave të Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, nën ndërmjetësimin e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, pritet të hapë për diskutim çështjet që kanë të bëjnë me komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe ku autoritetet kosovare nuk kanë arritur të shtrijnë pushtetin e tyre.
Hapja për diskutim e kësaj teme, në Prishtinë po shihet në mënyra të ndryshme.
Përderisa analistët politikë rikujtojnë deklaratat e tyre të kamotshme se bisedimet Prishtinë – Beograd do të mund të përfundojnë me një marrëveshje për autonominë e komunave veriore të banuara më shumicë serbe, përfaqësuesit e partive politike, në anën tjetër, presin që kryeministri Hashim Thaçi t’u përmbahet qëndrimeve se nuk do të diskutojë me autoritetet serbe për rregullimin e brendshëm të Kosovës.
Megjithatë, analisti dhe publicisti Halil Matoshi mendon se procesi i negociatave po dëshmohet se është i karakterit të pastër politik që mund të përmbyllet me autonominë e veriut.
Pavarësisht disa vijave të kuqe që ka prezantuar të hënën kryeministri Hashim Thaçi, Matoshi thotë se agjendën e bisedimeve e përcakton Bashkimi Evropian.
“Agjendën e këtyre negociatave e përcakton Brukseli. Tashmë ka një konsensus edhe në vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, por edhe të SHBA-së, se ndarja e Kosovës nuk vjen në shprehje, se territori i Kosovës do të mbetet unik dhe i pandashëm dhe se pavarësia e Kosovës do të mbetet e pakthyeshme, ndërkaq solucioni do të jetë një autonomi, e cila praktikisht mund të justifikohet me Pakon e presidentit Ahtisaari”, vlerëson Matoshi.
Para takimit të radhës me homologun e tij, Ivica Daçiq, kryeministri Hashim Thaçi ka takuar përfaqësuesit e partive politike, të cilët i ka informuar me pozicionin e palës kosovare në këto bisedime.
Në qëndrimet e prezantuara nga kryeministri Hashim Thaçi thuhet se Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të bisedojë me Serbinë për statusin dhe pavarësinë e Kosovës, tërësinë territoriale dhe organizimin e saj të brendshëm.
Ndërkaq, temat, për të cilat Qeveria e Kosovës është e interesuar të bisedohet, janë largimi i strukturave të sigurisë së Serbisë nga veriu i Kosovës, krijimin e rrethanave për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në komunat e veriore deri te krijimi i komunës së re të Mitrovicës Veriore dhe rrethanave për organizimin e regjistrimit të popullsisë dhe të pronës në këtë pjesë të Kosovës.
Duke iu referuar temave të takimit të 17 janarit në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se Qeveria dhe kryeministri Thaçi mund të bisedojnë me Beogradin vetëm për shuarjen strukturave paralele serbe dhe shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri, por jo edhe për ndonjë lloj statusi special për këtë pjesë.

                       

Ismet Beqiri

“Ajo çka kushtimisht mund të flitet dhe nuk mund të injorohet është fakti se në veri të Kosovës ekzistojnë struktura ilegale e kriminale, banda serbe, dhe se çështja është se si ato të shpërbëhen dhe presioni do të duhej të bëhej mbi Beogradin. Por, asgjë më tepër kësaj nuk mund të bisedohet, sepse është e qartë se ne nuk do të pranojmë dhe do të ishte kundër interesave të vendit. Një mandat të tillë nuk e ka as zoti Thaçi”, thotë Beqiri.
Subjekti politik që kundërshton nga fillimi bisedimet me Serbinë, Lëvizja Vetëvendosje, ka ndërmarrë një nismë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit para se takimi Thaçi – Daçiq të mbahet këtë të enjte.
Megjithatë, Vetëvendosje nuk ka gjetur mbështetjen e nevojshme nga ana e partive tjera parlamentare.
Visar Ymeri, deputet i Vetëvendosjes, kishte sqaruar se kjo nismë kishte si qëllim nxjerrjen e një mocioni në Kuvend për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, pasi që ato tash, sipas tij, edhe praktikisht po prekin në rregullimin e brendshëm të Kosovës.
“Konsiderojmë që është e domosdoshme që Kuvendi të diskutojë para se të vazhdojë dialogu, pra për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme, e cila do të duhej të mbahej më së largu të enjten”, kishte thënë Ymeri.
Sidoqoftë, nga Brukseli është rikonfirmuar edhe një herë, përmes zëdhënëses së baroneshës Ashton, Maja Kociançiq, se çështjet që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës, do të jenë tema qendrore të dialogut.
Në Bruksel, të martën janë takuar grupet punuese në kuadër të dialogut teknik, derisa të enjten më 17 janar, do të zhvillohet takimi i planifikuar ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq nën ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton-(Kortezi: ZIJADIN GASHI)

 

Mbahet sot takimi i radhës, Thaçi – Daçiq

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq do të takohen sot në Bruksel në bisedimet që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian. Që të dy kryministrat presin që të fokusohen në çështjen e pjesës veriore të Kosovës.
Në deklarimet e dy kryeministrave para këtij takimi është folur për veriun, por edhe për anëtarsimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri Thaçi ka thënë se pas përfundimit të këtij raundi të bisedimeve, Kosova do të arrijë të fitojë ulësen e saj në OKB.
Me anë të një komunikate të lëshuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, Thaçi ka bërë të ditur se pjesë e këtyre diskutimeve nuk do jenë çështjet që kanë të bëjnë me statusin, pavarësinë dhe tërësinë territoriale. Ai gjithashtu ka thënë se diskutimet do të jenë vetëm në bazë të dokumentit të Ahtisaar-it.
Ndërsa, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se Kosova duhet që të ofrojë diçka në shkëmbim të ulëses në OKB. Por, kundër kësaj ideje ka qenë presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq. Ai ka hedhur poshtë mundësinë që Kosova të jetë anëtare e OKB-së, duke e quajtur këtë vetëm si një iluzion.
Në takimin që mbahet sot në mes të dy kryeministrave, pritet të diskutohet për mënyrën e legalizimit të strukturave paralele serbe në veri dhe të gjendet një mënyrë që të njëjtat t’i binden organeve shtetërore të Kosovës.(

 

Thaçi: Në fund të bisedimeve, Kosova merr ulësen në OKB

 

 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar sot kabinetin qeveritar në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel me homologun serb, Ivica Daçiq.
Thaçi ka përsëritur qëndrimin e tij se në takimin që do të ndërmjetësohet si zakonisht nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, ai do t’i përmbahet agjendës e cila do të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe Planin e presidentit Marti Ahtisaari.
Në asnjë mënyrë, sipas tij, pala kosovare nuk do të pranojë që në tavolinën e bisedimeve të shtrohen çështjet që prekin në sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.
Ndërkaq duke iu referuar tashmë temës qendrore të dialogut, asaj për gjendjen në veri të Kosovës, Thaçi tha se synimi i palës kosovare është shuarja e strukturave paralele atje dhe vendosja e institucioneve demokratike që do të punojnë në kuadër të sistemit kushtetues e juridik të Kosovës.
“Në asnjë mënyrë nuk do të bisedoj për statusin politik. Ai është zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Pastaj për tërësinë territoriale që është e njohur e pranuar ndërkombëtarisht, për organizimin e brendshëm të Kosovës që është kodifikuar edhe me Propozimin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”.
“Ne synojmë që brenda një periudhe të shkurtër kohore të arrijmë largimin e të gjitha strukturave të sigurisë së Serbisë nga veriu i Kosovës. Pastaj transformimin e strukturave ekzistuese në veri në fushën e arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale në struktura të qytetarëve të veriut të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa kryeministri serb Ivica Daçiq është cituar të ketë thënë se Qeveria e Serbisë mund të bisedojë me palën kosovare edhe në lidhje me ulësen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, por si kundërshpërblim kishte kërkuar që edhe Kosova të jepte diçka.
Thaçi nuk ka komentuar këtë deklaratë, por ka shprehur bindjen e tij se në fund të procesit të bisedimeve palët do të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do t’i siguronte Kosovës edhe ulësen e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Kosova me të drejtë pret që kjo marrëveshje e cila mund të arrihet në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duhet patjetër që t’i mundësojë Kosovës anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë. Prandaj është e domosdoshme që Kosovës t’i sigurohet anëtarësimi në OKB, t’i hapet rrugë sa më e shpejtë për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian”, është shprehur Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha po ashtu se bisedimet me Serbinë duhet të sjellin si rezultat shuarjen dhe largimin e strukturave ilegale serbe nga veriu të cilat i ka financuar shteti serb.

Ndërkaq nuk i ka mohuar të drejtën Serbisë që të investojë në komunat me shumicë serbe në Kosovë në fusha të caktuara si arsim, kulturë e shëndetësi, por ka kërkuar që fondet të jenë transparente dhe të menaxhohen nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës.

Kryeministrat Thaçi e Daçiq, pritet që nesër nën ndërmjetësimin e baroneshës Ashton të mbajnë takimin e katërt me radhë në Bruksel.

Risi e këtij takimi është paralajmërimi i Brukselit që të hapet për diskutim edhe tema e zhvillimeve në veri të Kosovës ku Prishtina zyrtare nuk ka qasje për shkak të pranisë dhe ndikimit të fuqishëm të strukturave paralele serbe të mbështetura nga Beogradi zyrtar.

Daçiq: Mund të flasim edhe për një karrige në OKB

 

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka porositur sot se Serbia mund të flasë edhe për një karrige për Kosovën në Kombet e Bashkuara, por në atë rast, sipas tij, edhe Prishtina duhet të ofrojë diçka.

“Ne mund të merremi vesh për çkado. Nuk po ikim nga kjo, nuk është kontestuese. Ne kërkojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, por që ajo të arrihet, duhet edhe të jepet diçka”, ka thënë kryeministri serb, duke folur para gazetarëve në Beograd.

“Çfarë mendojnë ata, që ne të japim çdo gjë?”, është pyetur ai.

Mjetet serbe të informimit citojnë edhe deklaratën e tij se “rezolutën e Serbisë për Kosovën ia ka dorëzuar përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton“, e cila ndërmjetëson bisedimet Kosovë – Serbi, dhe se Hashim Thaçi, “nuk mund të vendosë se për çfarë do të flitet në takimin e ardhshëm”.

Deklaratën e kryeministrit të Kosovës, se rezoluta serbe do të jetë e papranueshme në tavolinën e bisedimeve, Daçiq e ka quajtur “për konsum të brendshëm”.

Sipas tij, edhe vetë baronesha Ashton, ka thënë se “do të nisin bisedimet mbi paralelizmat institucional dhe mbi veçantinë e serbëve dhe se nisur nga kjo, do të bisedohet edhe për rezolutën, edhe për platformën”.

“Kur them veçantinë e serbëve, mendoj se për të gjithë është e qartë se kjo nënkupton gjetjen e një zgjidhjeje, e cila nisur edhe nga deklaratat e mëhershme të zyrtarëve evropiane nënkupton një rajon të posaçëm”, ka thënë Daçiq, duke nënvizuar se të gjitha këto tema, “do të jenë të pashmangshme në takimin e rradhës”.

Takimi do të mbahet më 17 janar në Bruksel, ndërmjet kryeministrave të të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: baronesha Ashton, Takimi Thaci Dacin

BARONESHA ASHTON E PASKA ZGJIDHJEN PER VERIUN E KOSOVES!

January 5, 2013 by dgreca

BE po synon ta zgjidhë çështjen e Veriut duke ua ofruar komunave veriore mundësinë e anëtarësimit në mekanizma europianë, që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale dhe rajonale. Burime të Express bëjnë të ditur se propozimi i Brukselit do t’u prezantohet palëve gjatë muajit janar, kur do të takohen Thaçi dhe Dacic./

Nga Faton Ismajli*/

Bashkimi Europian ka paralajmëruar bisedime për Veriun gjatë takimit të Kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, që pritet të mbahet më 17 janar në Bruksel.Burime të Express bëjnë të ditur se Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Catherine Ashton, mund ta hedhë në tryezë një propozim me të cilin synohet të gjendet një zgjidhje për situatën në pjesën veriore.Merret vesh se Brukseli ka në propozim këtë çështje që është hartuar nga një diplomat europian, që është i angazhuar direkt në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Sipas këtij propozimi, komunave veriore u ofrohet anëtarësim në mekanizma specifikë europianë që promovojnë bashkëpunimin komunal dhe rajonal e në të cilat kryesisht anëtarësohen asociacionet e komunave.

Siç dihet një mekanizëm i tillë është Këshilli i Komunave dhe Rajoneve Europiane, që është organizata më e madhe e qeverive lokale dhe rajonale në Europë.

Po ashtu një mekanizëm që ka të bëjë me qeverisje lokale është edhe Komiteti i Regjioneve, që është trup i BE’së.

Burime të gazetës po ashtu theksojnë se propozimi nuk tejkalon Pakon e Ahtisaarit, e cila lejon bashkëpunimin direkt të komunave me shumicë serbe me Serbinë.

“Komunat kanë të drejtë për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar në fushat e

kompetencave të tyre vetjake dhe të zgjeruara”, thuhet në një nga provizionet e pakos së Ahtisaarit.

Sipas planit 11 pikësh, me të cilin synohet të zgjidhjet çështja e Veriut, Kosova dhe Serbia do të kenë mundësi të interpretojnë marrëveshjen si fitore sipas interesit të tyre.

“Kjo marrëveshje do të interpretohet nga Serbia se Veriu mori statusin special, ndërsa në Kosovë do të thuhet se zgjidhja është në kuadër të praktikave më të mira të BE’së”, ka thënë një diplomat i BE’së i akredituar në Prishtinë.

Në plan parashihet edhe shuarja e strukturave paralele serbe, mbrojtja e veçantë e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe si dhe ruajtja e lidhjes së veçantë mes serbëve me shtetin e Serbisë.

Po ashtu bëhet e ditur se europianët janë duke e diskutuar edhe çështjen e mbikëqyrjes së këtij plani.

Express ka pyetur Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Ashton, për të gjitha këto çështje, por nga ajo nuk ka pasur një përgjigje specifike.

“Ju mund ta gjeni qëndrimin e BE’së për këto çështje në konkluzionet e Këshillit, të miratuara më 11 dhjetor të vitit të kaluar”, thuhet në përgjigjen e Kocijancic.

Në konkluzionet e BE’së i kërkohet Kosovës një plan për Veriun, ndërsa Serbisë bashkëpunimin në arritjen e një marrëveshjeje për këtë çështje.

Ndryshe, në Kosovë vazhdimisht është mohuar mundësia që të flitet për Veriun, ndërsa zyrtarët serbë kanë thënë se temë e bisedimeve mes dy vendeve do të jenë edhe çështjet e brendshme të Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se edhe ai do të paraqes vizionin e tij për Veriun.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka thënë kohë më parë se për serbët në Veri do të ketë një zgjidhje të veçantë nga pjesët tjera të Kosovës si një zgjidhje e përkohshme.

“Është kristalizuar se duhet shikuar që të zgjidhet çështja e paralelizmit të institucioneve dhe që serbët në Veri të jenë diçka e veçantë në krahasim me pjesët tjera në Kosovë dhe ne duhet të jemi të gatshëm për negociata në këtë temë. Për të gjitha që do të flasim këto ditë, është një pikëpamje se si e gjithë kjo mund të funksionojë në kushtet kur ajo është një zgjidhje e përkohshme”, ka thënë Dacic.

Kohë më parë Serbia kishte përgatitur një platformë për Veriun me të cilën parashihej një autonomi për Veriun e me të cilën Beogradi ndërhynte në rendin kushtetues të Kosovës.

Pala kosovare dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e kishin hedhur poshtë një plan të tillë.(*Express-Titulli i Diellit)

 

Filed Under: Opinion, Rajon Tagged With: baronesha Ashton, Faton Ismajli, veriu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT