• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Samiti i Diasporës pa Diasporë, Bashkim apo “PERÇARJE”…?

November 6, 2016 by dgreca

*Si bashkëthemeluese e TV “Alba Life” dhe e shkollës Shqipe “Alba Life” ….s’ka të drejtë askush të më përfaqësoje, sepse si anëtarë të Diasporës nuk kemi zgjedhur asnjë përfaqësues të shkollës shqipe, ndryshe quhet private dhe një rrugë jo e ndershme./

*…. “Working together is success”, përndryshe, samiti i Diasporës bëhet pa Diasporë…/

Nga Keze Kozeta Zylo/2-shkolla-kozeta-300x137

Bashkimi është një nga fjalët më kuptimplote dhe më të rëndësishme për Kombin tim, por në se nuk e zbatojmë në praktikë kjo fjalë kaq e rëndësishme dhe kaq e bukur shëmtohet sepse zëvendësohet me “PERÇARJE”…Bashikimi i Kombit bëhet kur mblidhen pozitë, opozitë dhe Diasporë së bashku. Ndonëse pozita dhe opozita I ka “përfaqësuesit” e vet në Parlament, Diaspora akoma nuk i ka përfaqësuesit e saj për këtë samit.

Konkretisht jemi tek samiti i Diasporës i propozuar nga k/ministri Edi Rama, por në bazë të informacioneve publike që kam të botuara në gazeta lexoj se opozita, presidenti dhe shumë të tjerë nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për këtë samit, pra aktiviteti me togfjalëshin e madh “samiti i Diasporës” kryhet i njëanshëm…që i shkon jo samitit.

Këtu në Diasporë në Amerikë meqënse jetoj mjaft aktivisht prej gati 20 vjetësh dhe e njoh mirë punën që bëhet pasi i kam pasqyruar shumë aktivitete të rëndësishme dhe kam qenë e ftuar si media “Alba Life” TV, asnjëherë nuk jemi mbledhur për të diskutuar rreth samitit, dakordësisë për këtë samit dhe nëse ndodh dakordësia që për mua ngelet utopike, ëndërr, kush duhet të na përfaqësojë?…

A nuk do të ishte mirë që njerëz që punojnë fort për Kombin, të integruar në Amerikë, politikanë shqiptarë në Amerikë që janë fare të paktë, kryetarë shoqatash, dhe ambasadorja në Washington dhe në UN të takoheshim dhe te diskutonim rreth Samitit të Diasporës?

Kryeministri dhe këshilltarët e tij rreth Samitit në se “ka” të cilët të krijojnë përshtypjen se punojnë si celula ilegale s’duhet të kërkonin vetëm aplikimin në online, pa program, pa asgjë, bosh, duhet të sillnin programin e detajuar, çështjet që do të diskutonin dhe në fund në se binim dakord të dilnin përfaqësuesit në një konferencë shtypi për ta bëre publike në të gjithë Diasporën. Si mund të shkohet pa program, të marresh rrugën, të harxhosh dollarët lumë dhe të vihesh në rresht si delet? Konkretisht si bashkëthemeluese e TV “Alba Life” dhe e shkollës Shqipe “Alba Life” me një program tejet serioz dhe me plot profesionalizëm s’ka të drejtë askush të më përfaqësoje, sepse si anëtarë të Diasporës nuk kemi zgjedhur asnjë përfaqësues të shkollës shqipe, ndryshe quhet private dhe një rrugë jo e ndershme.  Duhet të bëhej votimi që të zgjidheshin përfaqësuesit e Diasporës, po kjo do të ndodhte në se kishte një strategji, në se kishte një vullnet të mirë për të arritur ndershmërisht atje ku të çon demokracia e vërtetë. Si mund të marrin guximin ata që e organizojnë këtë samit që në fakt akoma s’kanë deklaruar emrat e tyre, por veprojnë në ilegalitet, dhe të thonë publikisht përfaqësuesit e Diasporës, kur asnjë nuk është zgjidhur nga Diaspora që të më përfaqësojë?  Ç’mjerim! Të jetosh në Amerikë dhe të të hajë përsëri miku, shoku, servili, djalli, dreqi me të bir, është më se përçarje është më se tronditëse…

Vetëm së bashku ëshë suksesi, vetëm së bashku ëshë BASHKIMI!

“Working together is success”, përndryshe, samiti i Diasporës bëhet pa Diasporë…

5 Nëntor, 2016

Staten Island, New York

Filed Under: Opinion Tagged With: apo “PERÇARJE”…?, bashkim, Keze Kozeta Zylo, Samiti i Diasporës pa Diasporë

Ipeshkvi i Kosovës: Shqiptarët në diasporë, bashkim rreth vlerave kombëtare

July 11, 2016 by dgreca

-Ministri Murati vazhdon takimet me komunitetet fetare/

PRISHTINË, 11 Korrik 2016- Gazeta DIELLI/Në vazhdën e takimeve që ministri kosovar i Diasporws, Valon Murati po realizon në kuadër të fushatës së regjistrimit “Ti je pjesë e atdheut” dhe takimit me komunitetet fetare të Kosovës, sot u takua me Ipeshkvin e Kosovës, imzot Dodë Gjergji.Në këtë takim me imzot dom Gjergjin, ashtu si edhe me myftiun Naim Tërnava më herët, u diskutuan dy çështje: procesi i regjistrimit dhe funksionimi i shkollës shqipe në diasporë.Ministri Murati në bashkëbisedim me imzot Dodë Gjergjin shtroi nevojën që mesazhi i regjistrimit të bashkatdhetarëve gjatë qëndrimit në atdhe të përcillet edhe përmes Ipeshkvisë së Kosovës dhe mekanizmave të saj; t’u qartësohet se regjistrimi është interes kombëtar, është në të mirën e tyre, në mënyrë që të krijohen politika më të mira shtetërore për diasporën.Po ashtu,  u diskutua  që t’u bëhet thirrje bashkatdhetarëve që sa më shumë t’i dërgojnë fëmijët në shkollat shqipe, sepse përmes saj ruhet edhe identiteti kombëtar e kulturor.Ministri Murati e njoftoi ipeshkvin  Gjergji edhe për aktivitetet që Ministria e Diasporës do t’i bëjë këtë verë për bashkatdhetarët, për punën që po bëhet për hartimin e një kurrikule të përbashkët Kosovë-Shqipëri për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë etj.

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji,  e njoftoi ministrin Murati për misionet që i kanë në Evropë, për rolin e rëndësinë e tyre, por edhe për kontributin që japin për mësimin e gjuhës shqipe. Ai theksoi se si në Kosovë, ashtu edhe në vendet ku i kanë misionet, përmes priftërinjve  do të shpërndahet informacioni -porosia  për regjistrim të bashkatdhetarëve, por edhe për  vijimin e fëmijëve të diasporës në shkollën shqipe.

Ipeshkvi i Kosovës theksoi se shqiptarët në diasporë duhet të lidhen kulturalisht me njëri-tjetrin, të mos ndahen fetarisht, por të bashkohen  rreth vlerave kombëtare e traditave, përmes aktiviteteve kulturore e shkollës shqipe. Në fund të takimit,  ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, tha se misionet e tyre do të jenë në dispozicion për bashkëpunim me MeD-në dhe  do ta kenë përkrahjen e tyre./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: bashkim, Ipeshkvi i Kosovës, Ministri Murati, ne diaspore, rreth vlerave kombëtare, shqiptaret

Urat kanë lindur nga nevoja për ti bashkuar brigjet

July 23, 2015 by dgreca

Shkruan: Gëzim Llojdia/
1.Si në të gjithë botën,urat kanë një mision të veçantë dhe kanë lindur nga nevoja për ti bashkuar brigjet. Një urë është ndërtuar me një strukturë të tillë për të kapërcyer vështirësitë fizike të tilla si uji, luginë, apo rrugë, për qëllimin e ofrimit mbi pengesë. Ka shumë dizajnë të ndryshme që të gjitha shërbejnë për qëllime unike dhe të aplikojnë për situata të ndryshme. Etimologjia e fjalës urë: Urat e para u bënë nga vetë natyra – aq thjeshtë sa një regjistër të rënë nëpër një lumë apo gurë të hedhur në lumë. Urat e para të bëra nga njerëzit, përfshin drurët e prerë dhe përfundimisht gurë, duke përdorur një mbështetje të thjeshtë dhe aranzhim traverse.
Në gjuhën poetike kam përdorur për urat simbole :Urat.Qelqore . Hënore.Diellore. Qelqore-ura mbi supe mbajnë copëra vargjesh. Hënore-ura,që mbajnë copëra diamantesh në kujtesë. Diellore-ura,që mbajnë copëra fatesh në pjesë.
2.Të bëhemi më realist dhe të sjellim në kujtesë se në trojet tona, urat kanë qenë nevojë për të lidhur brigjet .Ne kemi një terren të thyer ndërsa strehët tona janë ndërtuar ndër kodra ,male si strehë karakolli,ku poshtë rridhte lumi valë-valë.Këto ndërtime të fshehura shpesh poshtë rrapeve shekullorë,shelgjishteve humbën ose u nxorën jashtë përdorimit me ndërtimet e urave me beton dhe hekur.Bëhet më interesant fakti se shumica e urave kanë edhe emërtim të tyre disa të veçanta. Si Ura e frengut,ura e Belasë e Slapit etj. Në të tri urat kam shkuar shpesh. Pranë urës së e Belasë vite më parë gjendej një banesë dhe banori i saj ishte i vetmi njeri që kishte parë ,disa lloje regjimi si dhe në kohën kooperativës , ishte i vetmi banor i republikës që nuk kishte tufëzuar bagëtitë e imta. Nga lindi emri bela,Slap,freng etj është e kuptueshme fjala por ato kërkojnë ende një studim më të thelluar.
A jemi në gjendje, që këto ndërtime ti rikthejmë në kujtesë duke i evidentuar, mirëmbajtur ?Qarku i Vlorës shprehen në rrjete sociale, specialist të DRKK Vlorë,ka një reliev kodrinor-malor, te pasur me ujera rrjedhëse, lumenj e përrenj.
Për bashkimin e dy krahinave, e fshatrave me njëra – tjetrën dhe e lagjeve brenda fshatrave, banoreve te një krahine u është dashur qe nder shekuj te ndërtojnë vepra arti siç, ura, etj. Në këtë territor sot numërohen me qindra ura te mëdha dhe te vogla qe u takojnë periudhave te ndryshme historike nga antikiteti deri ne mesjetën e vone. Ato dallohen për vlera monumentale, estetike dhe funksionale. Me iniciativën e drejtuesit të DRKK Vlorë Agim Haxhiraj dhe historianit Novruz Barjami, po kryhen pastrime dhe evidentime si dhe mirëmbajtje për ato objekte, ura që janë të shpallura monumente kulture, por edhe për ato ura që ruajnë vlera ndërtimore, për t’i shpallur monumente kulture.Disa nga urat e evidentuara janë :Ura e Drashovicës,Ura e Slapit-Kufiri midis Drashovicës dhe Mavrovës shek. XVII-XVIII,Ura e Belasë Mavrovë shekullit XIX,Ura e Bratit,Brataj shek XV dhe Ura e Frëngut –Gjormë Ura e Frengut, Gjorm shek. XVI
3.Ura e Drashovicës aktualisht lidh dy brigjet e lumit Shushicë. Ura e sotme është e derdhur me beton. E gjithë struktura e saj. Ura e Drashovicës është kufiri ku fillon të shtrihet krahina e Labërisë. Rrapet e Drashovicës , monumenteve te natyrës shqiptare.
Poshtë urës vërshon herë i qetuar e herë tërbuar lumi Shushicë. Shushica derdhet në det pasi ka përshkrua rreth 72 km në luginën e Shushicës,burimet e saj nxjerrin ujë në Shurr të Kuçit 500l/s dhe rreth 300l/s në Buronja,sipas studiuesve Buronjat e Kuçe shkarkojnë ujërat nëntokësore që grumbullohen në masivin karstik të Kurveleshit të Sipërm, i cili gjendet rreth 600 m më lartë se vendi. Në këtë kufi natyror duhej të vendosej një pllakë dëftonjëse si kufi tregues ku fillon një krahinë e madhe. Te këmbët e urës së Drashovicës. Te fasada e saj përkarshi monumentit Drashovicë 1920-43. Një varg gati i thjeshtë dhe i gjetur .Dhe ky vargëzim shkronjash të tregojnë se këtu fillon kufiri i krahinës. Lexojmë përveçse kulmin :Labëri. Nga ky kulm burojnë shumë cilësi, që mbartë më vete krahina e madhe jugore.
….Pjesë nga folklori: Atje to Hani ne gryke / te ura në Drashovice, / Qëllon topi Italisë / Ka nijet që ta vithisë /Komision’ e Shqipërisë,/ 0 moj Shqipëri e bardhe/ Bota ta kane sevdanë / Italia me Junanë / Të keqen ta kane marrë/ Se ke trima kordhëtarë / Barutin me grusht e hane
Koci Petriti poet:Unë i shoh gjithë urat/Nga urë Bushtricës,/Ja, urë e Qabesë/Ja, e Drashovicës….
P. Barjamaj rapsod: O Drashovica me derte…/ O e gurta Drashovicë!,/ Faqe historisë i mbete,/Historisë se Shqipërisë. / Ke qene pëllëmbë e gëzhoja,me tym baroti mbuluar, Si ti, thonë,ka qenur Troja,/ Që në themele rrënuar…/ Për ty flet lumi me valë.. / Për ty fletë gjithë Labëria,Ura e Drashovicës. Në një fotografi të vjetër vrojtohen varrezat e ushtarëve italian të cilat janë varreza tipike katolike me kryqin e madh dhe gurët e qemerit ,nga kjo fotografi shënohet Shushica qartësisht duket e turbulluar dhe ujëshumë. Ura e Drashovicës lidh dy brigje sot është një urë me disa parmakë të rrëzuar me rreth 8 këmbë, që mbajnë përmbi supe një masiv beton. Rreth 30 m përkarshi urës është monumenti Drashovicë 20-43 projektuar nga P.Hazbiu edhe ky është një masiv me një hark dhe një shtatore bronzi ku paraqiten dy figura kryesore të luftërave, që në emërtimin popullor janë quajtur: epope 20-43. Këtu ose më tej duhet të kishte një pllakë që të tregonte se kur udhëtari vë këmbën aty, ka shkelur ndërkaq në krahinën më të madhe në jug të vendit.
Në kufirin midis fshatrave Drashovicë dhe Mavrovë gjenden dy ura të cilët kanë periudhë kohore nga shekujt e shkuar. Ura e Slapit që mendohet e shek.XVIII ,ura përbëhet nga harku kryesor e ndërtuar me gurë dhe me një teknikë të shkëlqyer inxhinjerike. Ura e Slapit gjendet e pozicionuar perëndim- jug përmbi përroin me të njëjtin emër .Ky përrua në stinën e dimrit është mjaftë problematik për shkarkimin e ujrave për shkak të bllokimit nga furia e lumit Shushicë. Ura ka qenë funksionale deri në vitet ’60. Nga ujëra e tepërta të përroit të Slapit, ura shpesh bëhej njësh ngase grykëderdhja e lumit të Shushicës,nuk tërhiqte ujin e përroit .Ura është e amortizuar në pjesën e sipërme në gjysmën e radhës së parë të gurëve në pjesën perëndimore të sa,j është rrëzuar me kalimin e kohës. Gurët e harkut dhe pjesa tjetër janë në gjendje funksionale. Pranë urës ndodhen edhe kolonat e një tjetër ure ,ajo e trenit ndërtuar nga italianët,që vinte në shfrytëzim linjën hekurudhore Kotë-Vlorë,për qëllime ushtarake.
Ura e Belasë, është një urë lidhëse me përruan e Slapit, që derdhet nga liqeni i Petës si dhe ujërat e shumta të kodrinave me kodrat e fshatit Mavrove, mendohet të jetë ndërtuar në shek .XIX .Ura ka një hark të madh është ruajtur mjaftë mirë duke i rezistuar kohës dhe faktorëve të ambientit. Ura është funksionale për kalimin e banorëve drejt një prej lagjeve të fshatit.Mavrova është emri i sotëm qytetit Olimpia .Gjurmët e para të kalasë hasen në lagjen e emërtuar “Cakallovaj” dhe vazhdojnë përgjatë kopshteve private. Sipërfaqja brenda mureve rrethuese të kalasë së Mavrovës arrin në rreth 13 ha.
Urat, që janë të ndërtuar përmbi përrenj të fshatit Mavrovë kanë nga një hark të ndërtuar nga mjeshtër të përpunimit të gurit ,element i të cilit gjendet aty pranë në kavat gurit. Ato kanë bazament të fuqishëm dhe një strukturë të fortë,rezistencë karshi faktorëve të ambientit përfshi edhe ujërat, që janë armiku i tyre.
Duke qenë një qytet me kohë lindje para Krishtit në luginën e lumit, urat mund të kenë moshë më të hershme si dhe mund të kenë ekzistuar të tjera, ura monumentale të gdhendura në gurë dhe me një mjeshtri të veçantë ndërtimi.
Ura e frëngut në Gjormë. Nga gërmimet arkeologjike, shkruan intelektuali K.Kapaj është vërtetuar se janë të asaj periudhe disa vepra kulti, disa kështjella dhe urat me harqe guri mbi përrenj dhe lumenj si Ura e Frengut në Gjorm, në Brataj etj.
Ura e Frëngut është një urë e ngritur përmbi buzët e dy shkëmbinjve .Gryerja nga ujit ka formuar një përrua të thatë më tepër në verë .Ura ka dy frëngji,njëra në formë dritareje .Ka dëmtime në pjesën e sipërme.
4.Ura e Bratit është një objekt monument kulture dhe në mbrojte nga shteti .Ura e Bratit gjendet edhe sot e kësaj dite në funksionim të plotë në fshatin Brataj, në fshatin me këtë emër buzë lumit Shushicë i cili përzihet më lartë me ujërat e tjëtër lumi rreth 40 km nga qyteti i Vlorës. Paraqet interes ndërtimi i saj me harqe dhe sidomos fortësia e materialit përbërës të urës. Është një ndër monumentet e veçanta ku krahas rolit prej 6 shekujsh jetë është në funksionim .
Ura e Bratit mbanë Nr 31 në listën e propozuar për tu shpallur monument kulture në vitin 1948. 31. Ura e Bratajt, në fshatin Brataj. Ky objekt që i ka shërbyer banorëve të kësaj zone për shumë shekujsh është vlerësuara si objekt mbi të cilën do të vepronte mburoja monument kulture mbrohet nga shteti. Vendimi i Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës, në mbështetje të nenit 3 të dekretit nr. 586, datë 17.3.1948 Mbi mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe të sendeve natyrale të rrallë si dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.130, datë 9.4.1995, në bazë të të cilit Universiteti Shtetëror i Tiranës autorizohet që të aprovojë në lista të posaçme monumentet e kulturës që vihen në mbrojtjen e shtetit dhe duke marrë parasysh vlerën historike, shkencore dhe artistike të monumenteve .
Përshkrim. Brati,katundi në luginë të Shushicës. Nga dhjetori në mars,agimet janë të ngopur me shi. Nga kreshtat e vargmaleve,shirat zbresin në tokë me rrebesh. Vesa, lot pikon nën dritë të hënës. Dielli i praruar lind në lindje,ndonëse gjelbërimi zë fill në mërmërima pranverore. Kreshta përmbi fshat është e populluar nga gurët. Poshtë këmbëve të tij, në rrugën e zallit ecën herë e qetë,herë e fryrë,Shushica që bashkohet me përruan e Brate.
Ura e Bratit është ura me dy harqe. Hapësira e madhe është pjesa ku kalon edhe lumi ndërsa pjesët e tjera janë dritare kur fryhen ujërat në stinën e dimrit ,ujerat shkarkohen dhe nga kjo pjese. Ura e Bratit qëndron aty prej më shumë se 6 shekujsh. Një profil të plotë të urës së Brate shqiptarët e kanë parë tek filmat ” Nëntori i dytë” dhe filmi :”Udha e shkronjave”.Ura e Brate në stinën e dimrit pasqyron edhe fortësinë e saj .Shushica është lumi që ka 76 km gjatësi ndërsa kokën e ka në shurr të Kuçe. Bashkimi i lumenjve quhet vendi ku përzihen lumenjtë.Kjo urë daton në shekullin e XV-XVI dhe ndodhet në afërsi të fshatit Brataj. Prej mese 5 shekuj ajo është funksionale. Si urë kalimi ajo lidh dy anët e lumit Shushicë, rrugën e vjetër të Karvaneve me atë të Rrëzës. Ajo është e lartë mbi 9 metra dhe e gjatë afërsisht 30 m. Ajo lidh fshatin Brataj me fushën e Brate dhe Smokthinën. Për të shkuar në këtë objekt kulture që i ka shërbyer zonës për shekujsh udhëtimi zgjatet në luginë të lumit . Në qendër të fshatit Brataj rruga zbret drejt lumit. Ura gjendet përmbi ujërat e Shushicës dhe sot shërben për kalimin në pjesën e përtejme të Smokthinës, një krahinë kjo në luginë. Ura e Bratit është një ure e tipit venecian ka një lartësi nga lartësia normale e ujit e ndërtuar ne një mënyrë te tillë, qe te përballoj dhe vërshimet e lumit këndet dhe mbështetja e bëjnë që të përballojë dallgët e mëdha të lumit te cilët ne shume raste kalon mbi të .Është shpallur monument kulture . Kjo ure ka shërbyer për te lidhur qytezën me pjesën tjetër të krahinës. Rreth dy km mbi Urën e Bratit pra mbi kryqëzimin e lumenjve, ndodhet Ura e Bogdanit .Legjenda e urës se Bratit shkruar nga Bledar Muçaj:”Ustallarët janë ne pune,/behet ura përmbi lume./Qe te rroje sa me shume,/duhet bere kurban një burrë./As kafshe, as nuse , kurban/veç një burrë urën e mban./Do ja leme fatit ne dore/kush me pare themel do shore./Do ja leme ne dore fatit,/hijen e burrit te Bratit /Kur hija te prek themele,/kurban ure do te ngele./Kush i pari do kaloje /kush i pari kureshtar,/kur hija te prek themelin ,/do te jete nen gurë te pare./Kështu u muros një burrë/qe ura mos shembej kurrë,/Mbi tre harqe u mbështet/Dhe ngeli aty për jete./Atje te ura ne lume , /Bashke me ujin qe bën zhurme/Si ne vere dhe ne furtune/”e mban mbi shpatull një burrë..

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: bashkim, brigjet, Gezim Llojdia, Urat

BASHKIMI

July 29, 2013 by dgreca

– Përsiatje -/

Nga Pëllumb Kulla/

    Fjalën “bashkim” ne e përdorim shumë. Një ditë më lindi dyshimi se unë e përdor atë pa ia ditur kuptimin. Befas u kujtova se  këtë fjalë e kisha përdorur gjithë jetën. Dhe po gjithë jetën, nuk ia kisha ditur kuptimin e plotë. Në disa raste e kisha përdorur në shkrimet që botoja dhe në shumicën e herëve në kuvende, ku isha duartrokitur si njeri i gjerë, burrë i urtë e patriot i klasit të parë!Ditën që fillova të dyshoj se, megjithqë ishte fjalë shqipe, unë si shqiptar i thekur, i njohur me letrat e me gjuhën, prapëseprapë nuk ia dija kuptimin, vendosa të përpiqem që t’ia shkoqis domethënien e gjerë “bashkimit” dhe mendova se çfarë duhet bërë që të vihet në jetë ai.

     Pas një periudhe të gjatë përpjekjesh e një vargu meditimesh, vura re se “bashkimi” nuk ishte fare gjë e lehtë. Është, dakord, një fjalë e bukur, festive, e ngrohtë, plot emocion, por gati e parealizueshme.

     Bashkim – do të thotë të jetosh afër, të vëllazërohesh me një njeri a një grup njerëzish,  me të cilët deri tani nuk ke qënë bashkë, nuk i ke dashur fare dhe, në të shumtat e rasteve, i ke urryer. Nuk është e lehtë.

     Bashkim – na i thënkëshin pranimit të gabimeve, fajeve, mëkateve që ke bërë ndaj një tjetri. Nuk qënka kollaj.

     Bashkim – do të thotë të falësh. Të falësh në thellësi të shpirtit dëmin që të kanë shkaktuar, gjakun që të kanë derdhur, shnderimet, vjedhjen që të kanë bërë. Të falësh mëkatarët që, të penduar thellësisht, të dalin përpara me kokë ulur e me lotë në sy. Nuk është fare e lehtë  të falësh dhe zor të gjesh mëkatarë e sidomos të penduar! E sidomos në Shqipëri!

     Bashkim, – do të thotë të shikosh prapa dhe përpara, të ndahesh nga ca grupime e të bësh një afrim tjetër të arsyeshëm, të urtë dhe më afër llojit tënd.

     Bashkimi – është rasti, kur pas faljes së sinqertë je i zoti edhe të kapërdish.

     Bashkim, – është një mënyrë të jetuari në harmoni me një njeri a me një grup njerëzish, që shndërrohet në një nevojë të jetuari, kundër një grupi tjetër, kundër shtetesh të tjera e kundër aleancash armiqësore, që nuk të duan as ty dhe as ata, me të cilët u bashkove dhe sidomos nuk duan t’ju shohin bashkë. E vështirë kjo gjë sidomos aty ku duhet më shumë, në viset shqiptare.

     Bashkim, – do të thotë që, pas kësaj, të punosh ca më shumë se ai tjetri, njeriu me të cilin u  bashkove. Do të thotë të luftosh ca më shumë se ai, të shpenzosh më shumë se ai dhe, në rast nevoje, të japësh jetën para se ta japë ai. A jemi ne të tillë?

     Një njeri fal hasmin për gjakun e vëllait, babait a djalit të vetëm, paraqitet në kuvend, i shtrëngon dorën atij që i ka përvëluar shpirtin, përqafet me të dhe, në prani të njëqind burrave të përlotur që duartrokasin, zotohet që të ndërpresë urrejtjet dhe pusitë. Keni takuar njerëz të tillë? Shumë pak. Ju janë dukur të bukur? Të mahnitshëm, pasi kanë ngritur peshë një mal të tërë dhe ne s’kemi qënë veç soditës të mrekullisë.

     Pra “bashkimi”, vëllezër, është një punë e vështirë. Gazetat e shkruajnë, se nuk dijnë ç’të thonë tjetër, politikanët e thonë për t’u dukur, shkrimtarët e shkruajnë për abetaret e librat e këndimit dhe palët kundërshtare në gjirin e një kombi e tellallosin për t’ua lënë kundërshtarëve doçin në derë, me demek “ne kemi bërë thirrje më shumë se ju”.

     Dhe jo njëherë janë parë shqiptarë, që bashkim i thonë gabimisht ujdive për të përfituar, njerëz që urrejnë bashkatdhetarët më shumë se të huajt, njerëz që pasi janë prishur  nisin ta urrejnë shokun e bashkëpuntorin më shumë se atë, që dikur e luftonin së bashku. Ka shqiptarë që në furrën e urrejtjes gatuajnë më shumë mëri të helmët për shqiptarë të tjerë se sa për pushtuesin, qoftë ky italian, grek, gjerman apo serb. Mjaft që të pranohet kjo e nuk është zor të rreshtohen këtu emra ballistësh, komunistësh, legalistësh, socialistësh, demokratësh, disidentësh, reformatorësh, kolaboracionistësh. Nuk është zor të gjesh emra brenda kufijve të Shqipërisë dhe viseve të saj përtej.

      I zorshëm mbetet vetëm ai, BASHKIMI, që ne e përmendim, e shkruajmë dhe e lexojmë çdo ditë. Më kot…      

    Ju lutem e ju përgjërohem, miqtë e mi, mos e përdorni, mos e lodhni, a ndofta mos e ndotni më këtë element vendimtar për jetën e një kombi. Të punojmë që të piqet, ta shohim të mundur, ta shohim të afërt, që të vërsulemi për realizimin e tij.(Dielli-arkiv)

Filed Under: Komente Tagged With: bashkim, pellumb Kulla, persiatje

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT