*Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete, nuk duhet të bëjnë vetëm marrëveshje me njëra-tjetrën duke u konfirmuar si të ndara, por duhet të krijojnë institucione të përbashkëta./
*Integrimi në BE nuk realizohet thjesht duke e pasur qëllim atë, por si pasojë e zhvillimit dhe emancipimit të brendshëm të shtetit dhe shoqërisë./
NGA ALBIN KURTI*/
Integrimi është integrim i pjesës te tërësia, i asaj që tashmë konsiderohet pjesë sepse do të bëhet pjesë e tërësisë, te tërësia e përbërë prej pjesëve e së cilës do t’i shtohet edhe një tjetër e tillë. Pra, ne që duam të integrohemi përkufizohemi si pjesë ndërkaq BE-ja përcaktohet si tërësi. Pas aktit të integrimit sigurisht që nuk ndryshon vetëm pjesa por edhe tërësia.
Etimologjia e fjalës integrim tregon origjinën prej latinishtes që do të thotë ripërtërirje apo restaurim. Pra, integrimi nënkupton një dezintegrim paraprak dhe, më tutje, ai dezintegrim nënkupton dikur të qenit i integruar, pra një integrim më të hershëm sesa kyintegrimi ekzistues që tash e dëshirojmë. Të duash të përfshihesh do të thotë të jesh i përjashtuar. Dëshira për t’u përfshirë e maskon përjashtimin aktual.
Shtetet normale e kanë ca si siklet integrimin në BE sepse atje duhet deleguar ca sovranitet (anipse ky është akt sovran). Jo edhe Kosova:ajo ka nevojë t’i konfirmohet sovraniteti, qoftë kjo edhe përmes zvogëlimit të tij (duke qenë se delegimi është akt sovran).
Qeveria e Kosovës kërkon integrim në BE, kërkon t’i mundësohet ta delegojë sovranitetin që nuk e ka. Pra, ajo njëherë duhet ta ketë sovranitetin. Kërkesa për sovranitet duhet t’i paraprijë asaj për integrim në BE.
Komisioni evropian mund ta pengojë bashkimin e kompanive, koorporatave, nëse beson që kjo mund të shpie te konkurrenca jolojale por edhe kujdeset që vendet e BE-së të mos e dëmtojnë konkurrencën përmes subvencioneve të tepruara të industrive të tyre. Qeveria e Kosovës ka më pak kompetenca për Kosovën sesa që Komisioni Evropian ka për BE-në. BE-ja nuk është shtet, por është më shtet se Kosova. Pra, do të diskutojmë për integrimet evropiane dhe bashkimin kombëtar, në kushtet kur Kosova është më shumë shtet i pavarur në dokumentet e saj zyrtare, sesa në realitetin e qytetarëve të saj.
Integrimi në BE nuk realizohet thjesht duke e pasur qëllim atë, por si pasojë e zhvillimit dhe emancipimit të brendshëm të shtetit dhe shoqërisë. Jo duke dalë nga vetja por duke u bërë vetja, duke u ribërë vetja. Gjermanët, italianët e francezët nuk janë evropianë duke mos qenë gjermanë, italianë apo francezë, por pikërisht pse janë gjermanë, italianë e francezë. Kësisoj, në kontekstin tonë, është e pamundur që ne të bëhemi evropianë duke mos qenë shqiptarë. Në fakt e vetmja mënyre se si mund të jemi evropianë, në kuptimin e qytetarit evropian, është pikërisht duke qenë shqiptarë.
Në vitin e kaluar janë bërë 300 vjet nga Traktatit të Utrecht-it, i cili ia dha Gjibraltarin Britanisë. Bashkë me Spanjën edhe Britania e Madhe sot është anëtare BE-së, mirëpo Gjibraltari vazhdon të jetë pjesë e Britanisë së Madhe. Shtetet kur hyjnë në BE i konfirmojnë dhe i forcojnë kufijtë e tyre, nuk i relativizojnë ata siç ekziston bindja e përgjithshme. Kufiri midis Francës dhe Gjermanisë në BE, është kufi pothuajse inekzistent për francezët dhe gjermanët si individë, ndërkaq për Francën dhe Gjermaninë si shtete kurrë nuk ka qenë kufi më i fuqishëm. Prandaj të gjitha shtetet që hyjnë në BE nuk i dobësojnë kufijtë, përkundrazi i konfirmojnë dhe i forcojnë kufijtë, por atje kufijtë bëhen pothuajse të paqenë për qytetarët, e jo për shtetet.
Ne realisht nuk e shohim shumë Bashkimin Evropian në vetveten e tij, por përgjithësisht në misionet që i dërgon tek ne. Për shkak se jemi shumë larg BE-së, përkatësisht përfshirjes, anëtarësimit, integrimit në të. Ne i shohim vetëm sytë e BE-së që na shohin neve. Ne, eventualisht, mund t’ia kthejmë shikimin BE-së, mirëpo si është BE-ja atje nuk e shohim dot meqë se paku edhe 5 vjet nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE, e kjo do të thotë që mbase edhe shumë më tepër sesa kaq.
Në anën tjetër, ka në BE politikanë e diplomatë, që konsiderojnë që mbase nuk është gjendja e keqe e tillë siç është, për shkak se BE mund të ketë interes të na mbajë jashtë, sepse edhe kësisoj po na kontrollon pothuajse plotësisht. Ne kemi obligimet dhe detyrimet e BE-së por jo edhe benefitet kështu siç është tash. BE-ja t’i jep benefitet për hir të detyrimeve mirëpo kjo gjë s’vlen për neve në Kosovë.
Kosova dhe Shqipëria, në aspektin gjeopolitik që u përmend më herët në fjalën hyrëse të organizatorit, kanë shumë arsye që të mos ia lehtësojnë Serbisë rrugën drejt BE-së. T’i ndihmosh Serbisë përderisa ajo s’ka kërkuar falje e s’na njeh si shtet i pavarur, si Republikë parlamentare, do të thotë t’ia njohësh Serbisë aspiratat hegjemoniste për Kosovën, dhe t’ia falësh krimet e panumërta nga e kaluara.
Fakti që shqiptarët janë komb i fuqishëm, por me shtete të dobëta, kurse serbët janë komb më i dobët se ne, por me shtet të fuqishëm, është një mënyrë tjetër për të thënë që konflikti në Ballkan është midis shqiptarëve si komb dhe Serbisë si shtet, pra jo thjesht konflikt etnik dhe as shqiptaro-serb.
Avancimi i Serbisë – njëherë duke marrë statusin e vendit kandidat e më pas edhe duke i nisur negociatat për anëtarësim të plotë në BE – në integrimet evropiane po e normalizon Serbinë, po bën që Serbia të duket shtet normal i ardhshëm evropian. Ajo po e fshin të kaluarën e saj kriminale kësisoj. Po fshihet arkiva. Po fshihet kujtesa. Aktualiteti dinamik progresiv i saj po e pasivizon të kaluarën, po e lë shumë prapa atë. Qeveria e Kosovës fatkeqësisht është bërë argat aq i mirë i kësaj.
Nëse Serbia hyn në BE para Shqipërisë dhe Kosovës, atëherë do ta shohim se si ajo që i bën Greqia Maqedonisë është asgjë krahasuar me atë që do t’i bëjë Serbia Kosovës dhe Shqipërisë. Pra, Serbia është një shtet që kundrejt shqiptarëve do ta mbyllë derën e anëtarësimit në BE-së, po hyri para nesh atje.
Ndërkohë që Kosova e Shqipëria, njësoj sikurse edhe Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Serbia, nuk do të hyjnë në këtë dekadë në BE, dhe kur të përfundojë kjo dekadë duhet ta shohim se ku ndodhet BE-ja që të mund të flasim se çka do të bëhet në dekadën e tretë të këtij shekulli, besoj që Kosova e Shqipëria do duhej të integrohen me njëra-tjetrën dhe gjithashtu të ndihmojnë për integrim në bashkim të gjithë shqiptarët në Ballkan.
Një ndër kriteret për integrim në BE është edhe kapaciteti për t’u përballur me presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut brenda BE-së. Kjo tregon se duhet forcuar vetë ne e që s’bëhet ndryshe përveç përmes prodhimit vendës. Shqipëria e Kosova janë shumë komplementare me njëra-tjetrën: Shqipëria me klimë mesdhetare, Kosova me kontinentale; Shqipëria me det, male e ujëra, Kosova me fusha e minerale. Prandaj, natyrën e kemi komplementare dhe neve na e përcakton edhe interesi jonë i zhvillimit ekonomik para së gjithash si prodhim që të integrohemi drejt bashkimit.
Po them të integrohemi drejt bashkimit meqë ka një tendencë të disa politikanëve në trojet shqiptare që ta paraqesin integrimin ndërkombëtar midis Kosovës dhe Shqipërisë, si zëvendësim për bashkimin. Pra, “s’ka nevojë të bashkohen Kosova me Shqipërinë, por hajt se po i integrojmë abetaret, transmetuesit elektroenergjetik”, e kështu me radhë. Po bëjnë gjithfarë integrimesh vetëm që të mos ketë bashkim. Unë i përkas atij orientimit që i sheh integrimet si hapa drejt bashkimit e kurrsesi si zëvendësim për bashkimin.
Në BE hyjmë më parë të bashkuar me Shqipërinë, si Kosovë, sesa të ndarë. Jemi të vegjël dhe jointeresantë vetëm si Kosovë. Pra, nuk përfshihesh në BE për shkak të dashurisë, por për shkak se ndanë vlera e qëllime. Në këtë kuptim, kur Kosova bashkohet me Shqipërinë, ne do të bëhemi një shtet shumë më atraktiv për BE-në, sesa siç jemi sot kështu të ndarë. Po u bashkua Kosova me Shqipërinë, atëherë edhe me territor edhe me popullsi jemi përafërsisht sa Danimarka.
E di se në muajt e vitet e fundit janë shtuar ankesat ndaj nacionalizmit shqiptar. Por, nacionalizmi i shqiptarëve si popull nuk është vetëm reagim ndaj nacionalizmave të fqinjëve, por edhe reagim ndaj mungesës së nacionalizmit shqiptar në sistemin shtetëror dhe institucionet e tij. Andaj, shfaqja e dukja e nacionalizmit shqiptar është disi e sforcuar. Kur Republika e Shqipërisë dhe e Kosovës të jenë më nacionaliste, shqiptarët do të duken më pak nacionalistë. Shqiptarët duken më shumë nacionalistë sesa që janë, për shkak se shtetet nuk i kanë nacionaliste siç zakonisht ndodhë në vendet e BE-së dhe jo vetëm aty. Pra, deficienca nacionaliste e sistemeve dhe institucioneve tona shtetërore, bën që nacionalizmi në popull të jetë më i theksuar. Mbase francezët, gjermanët dhe të tjerët në BE duken më pak nacionalistë, për shkak se një pjesë të madhe të nacionalizmit atyre ua kryen shteti, dhe ata nuk kanë nevojë si popull e si qytetarë të jenë nacionalistë, sepse institucionet e shtetit i kanë të tilla. Ne, duke mos i pasur institucionet e shtetit nacionaliste, patriotike, atëherë patriotizmi dhe nacionalizmi i popullit del disi më i sforcuar dhe më i dukshëm sesa që është tek të tjerët.
Kemi dëgjuar edhe politikanë të cilët thonë se ka kaluar koha e patriotizmit. Thua se patriotizmi është sikur fakulteti që e merr një diplomë dhe përfundojnë studimet. Patriotizmi duhet të ekzistojë sa të jetë jeta e njeriut, dhe disi jo vetëm kaq. Njerëzit edhe kur vdesin ua mbulojnë kufomën a arkivolin me flamur kombëtar. Pra, nuk kalon a tretet patriotizmi as pas vdekjes se lëre më gjatë jetës. E për përshtypjen time, ata që thonë se ka kaluar koha e patriotizmit nga radhët e politikanëve, në fakt, disi duan të na thonë se tash ka ardhur koha e hajnisë. Pra, duan të na thonë se ka kaluar koha e patriotizmit dhe interesit të përgjithshëm, e tash ka ardhur koha e hajnisë dhe e interesit personal.
Dikur bashkimi kombëtar cilësohej në Kosovë si synim optimal kurse pavarësia kompromis, mandej pavarësia synim optimal kurse protektorati ndërkombëtar kompromis. Sot, Kushtetuta e Ahtisaarit është bërë tavan që po zbret, është bërë qëllim maksimal, ndërsa po optimalizohet ndarja e brendshme e Kosovës. Përderisa ne shqiptarët i presim tepër gjatë integrimet ndërkombëtare, nuk duhet të harrojmë se kemi bërë e po bëjmë tepër shumë koncesione kombëtare.
Kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dihet se është Serbia. Dhe, mandej, miq ndërkombëtarë të saj dhe ndërkombëtarë të tjerë që disi i frikësohen kësaj. Por, është edhe elita provincialiste kosovare: njerëzit që duan të duken të mëdhenj në një vend sa më të vogël. Them kështu, sepse shumica e kundërshtarëve të bashkimit kombëtar të shqiptarëve vijnë nga koniukturat udhëheqëse shqiptare politike, gazetareske, publicistike, e kështu me radhë, e jo nga populli shqiptar apo nga të huajt.
Disa prej tyre thonë se nuk lejon Kushtetuta e Kosovës bashkimin. E vërtetë: neni 1.3 e ndalon bashkimin e Kosovës me një shtet tjetër. Dhe, po, do të mund të pajtoheshim e të themi që nga kjo pikëpamje juridiko-kushtetuese dhe formaliste bashkimi kombëtar mbase nuk është legal. Por, ai gjithsesi është legjitim. Mirëpo, pikërisht këso çështjesh që janë legjitime e nuk janë legale e bëjnë politikën avantgardë. Prandaj, në këtë aspekt, kemi nevojë më shumë se kurrë për politikanë kombëtarë për bashkim kombëtar, të cilët ia japin këtë substancë politikës në kuptimin e politikbërjes.
Politikanët qeveritarë kosovarë përgjithësisht mendojnë lokalisht dhe nuk veprojnë kombtarisht. Politikanët shqiptarë, në përgjithësi, i lavdërojnë personalitetet e shquara kombëtare përgjatë historisë, porse në të njëjtën kohë nuk dëshirojnë ta vazhdojnë rrugën e tyre. Ama populli është për bashkim. Për integrimin dhe bashkimin e shqiptarëve, dëshira e popullit në të gjitha anët e të gjithë kufijve që na ndajnë është shumë më e madhe sesa angazhimi i politikanëve. Unë besoj që liderët nuk duhet t’i prijnë popullit por duhet ta ndjekin popullin. Dhe, bëhet bashkimi kombëtar. Nëse liderët duhet të prijnë për çështje të tjera, atëherë më mirë është t’iu thuhet se për çështjen e bashkimit kombëtar mos prini, por ndiqeni popullin. Dhe, referendumet do ta tregonin të vërtetën e vullnetit dhe të interesit të popullit, e këtë gjë e kanë treguar edhe sondazhe të ndryshme.
Ka edhe aso që thonë se bashkimin kombëtar duhet ta realizojnë me punë pa fjalë. Pra, ta realizojmë heshturazi. Ta bëjmë bashkimin kombëtar pa e përmendur atë. Mirëpo, profesor Feraj e ka një tezë shumë interesante, ku thotë se bashkimin kombëtar nuk mund ta realizojmë tinëz. Bashkimi kombëtar është tepër i madh për ta realizuar tinëz. Nuk mund ta bëjmë fshehurazi. Dhe, madje rrezikojmë si kauzë ta kriminalizojmë, për shkak se tinëz veprojnë kriminelët. Është e drejtë, vullnet, interes dhe nevojë e jona bashkimi i shqiptarëve, dhe nuk kemi nevojë ta bëjmë këtë tinëz. Mbase e ka edhe një efekt tjetër negativ që nëse provojmë ta bëjmë tinëz, siç edhe ndoshta është parë ndonjëherë, atëherë krejt çfarë ndodh është që përfundojmë me tepër shumë vetëcensurë. Ke aq shumë shqiptarë që e duan bashkimin kombëtar por ja që nuk e thonë. Mandej, bërja e bashkimit kombëtar pa e thënë shndërrohet si një pretekst për të mos e thënë, e në fund edhe për të mos e bërë.
Luftimi i identitetit kombëtar shqiptar bëhet nganjëherë duke e zbehur kujtesën tonë, nganjëherë duke e rrudhur përfytyrimin për veten tonë. E, kur dështojnë të dyja këto, zakonisht përmenden dallimet e brendshme midis shqiptarëve. T’i pranosh dallimet ndërmjet popullit në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Luginë të Preshevës, në dimensionet kombëtare, do të thotë ta përbrendësosh dallimin në mes të sundimeve në të cilat ndodheshin shqiptarët në këto vise përgjatë shekullit XX. Këto janë dallime midis sundimeve, e jo midis shqiptarëve. Nëse ia mveshë shqiptarëve dallimin midis sundimeve, kjo do të thotë t’i përbrendësosh ato sundime. Sundimet e ndryshme mbi popullin e kombin tonë, dhe përvojat e ndryshme në anët e kufijve të imponuar me dhunë, nuk janë edhe identitete të ndryshme. Aq më pak identitete të ndryshme kombëtare. Besoj që të gjithë pajtohemi në këtë aspekt se më të mëdha janë dallimet midis fshatit dhe qytetit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, sesa midis shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Merreni cilëndo komunë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, dhe gjeni dallimet fshat-qytet, ju dalin dallimet më të mëdha sesa ato të shqiptarëve që jetojnë në këto shtete të ndryshme.
Shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës duhet të vihen në shërbim të faktorizimit të kombit shqiptar kudo që ai është. Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete, nuk duhet të bëjnë vetëm marrëveshje me njëra-tjetrën duke u konfirmuar si të ndara, por duhet të krijojnë institucione të përbashkëta.
BE-ja e ka kryesisht valutën e përbashkët, e ka tërësisht tregun e përbashkët, dhe e ka bankën qendrore unike, porse këto u treguan të pamjaftueshme dhe bashkimi politik në BE po shfaqet i domosdoshëm. Nuk mund të jetë ndryshe as me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë: integrimet në aspekte të ndryshme duhet kurorëzuar patjetër me bashkimin politik.
Bashkimi kombëtar do të kontribuonte në çlirimin social të shqiptarëve. Bashkimi kombëtar do të rriste resurset natyrore e lëndët e para, fuqinë punëtore, madhësinë e tregut, kapacitetet zhvillimore, administrative, menaxhuese e intelektuale.
Bashkimin kombëtar të shqiptarëve nuk do ta bëjnë të pasurit që duan të pasurohen edhe më shumë, sepse kjo po ndodh edhe tash kur jemi të ndarë sepse shqiptarët e pasur përgjithësisht janë tregtarë e jo prodhues. Por, motorë të bashkimit të shqiptarëve do të jenë të varfrit dhe klasa e mesme. Të varfrit si masa popullore, klasa e mesme si një klasë nga e cila përgjithësisht burojnë intelektualët.
Në BE ndodh bashkimi ndërkombëtar (midis shteteve) dhe jo bashkimi kombëtar (i shqiptarëve). Bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk e kundërshton Bashkimin Evropian por as nuk mund të zëvendësohet prej tij. Në njërën anë nuk mund të thuhet se nuk duam të bashkohemi në Evropë sepse e duam bashkimin kombëtar: mund ta bëjmë bashkimin kombëtar dhe të anëtarësohemi në BE. Dhe, në anën tjetër, nuk mund të thuhet se nuk do të bashkohemi si shqiptarë, sepse do të bashkohemi në Evropë: në Evropë bashkohemi me Holandën, Gjermaninë, Francën, Danimarkën, Italinë, etj., ndërkaq ne shqiptarët nuk mund ta kemi bashkimin kombëtar të zëvendësueshëm me BE-më.
Të gjitha viset e Ballkanit perëndimor kanë interes që të inkuadrohen në BE, aq më tepër që ka mungesë të politikave socialdemokrate, që i karakterizon barazia, solidaritet, shteti aktiv në ekonominë prodhuese e kështu me radhë. Por, mbase për dallim prej shteteve të tjera, Shqipëria nuk ka ndonjë motiv që të hyjë në BE për shkaqe të sigurisë. Shqipëria është shteti më i sigurt në Evropë sepse rrethohet me shqiptarë!
Shpesh ju ka rastisur që të shihni, ose në media ose në debate institucionale, mbi atë grumbullin e pyetjeve që iu bëhen njerëzve që duan bashkim e integrim: A je ti për bashkim kombëtar? A je ti për integrim në BE? Po për integrim në NATO? A je për? Nuk na e lejojnë të drejtën për bashkim me Shqipërinë dhe as për integrim në BE e NATO, na kanë bllokuar në paradigmën e stabilitetit që përkthehet në stagnim ekonomik dhe mjerim social për ne, dhe tash na pyesin për dëshirat që kushedi kur do të plotësohen. Na pyesin për dëshirat në kushtet kur na e mohojnë vullnetin. Pse do duhej të përgjigjeshim ne a jemi për integrim a për bashkim, ndërkohë që askund nuk është e drejta për to? Por, kjo është beteja politike ku ofensiva është shumë e rëndësishme. Rezultatin eventual të së drejtës së mohuar e interpretojnë si dëshirë tonën përmes pyetjeve së tyre. Prandaj, ne duhet të flasim shumë më tepër me gjuhën e vullnetit dhe të drejtës sonë, e të interesit tonë, më parë e më shumë sesa me gjuhën e përgjigjeve ndaj pyetjeve që nuk janë të sinqerta.
Përfundimisht, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë si hap i parë dhe më i rëndësishmi i bashkimit kombëtar, nuk është çështje luksi por nevojë ekzistenciale për kombin tonë. Nuk është se mund ta zgjedhim ose jo. Ai po na zgjedhë neve, ashtu që ne të mund të zgjedhim më pastaj. Duke e pasur vullnetin dhe dëshirën, pa të drejtën për bashkim, megjithatë pashmangshëm bashkimi po bëhet nevojë e jona. Jam i bindur që bashkimi i shqiptarëve është e ardhmja e tyre. Ne të ardhmen e kemi të përbashkët sepse do të jemi bashkë. Ne edhe të kaluarën e kemi të përbashkët sepse gjithmonë ishim bashkë, në të mirat e në të këqijat. Ne jemi të ndarë vetëm në të tashmen tonë, e cila po shkon me shpejtësi.
* E dergoi per DIELLIN zyra e Albin Kurtit.Ky eshte fjalimi i Albin Kurtit në ligjëratën “Integrimi brendashqiptar përballë integrimit në BE” në Shkollën për Lidership të Qendrës për Zhvillim dhe Demokraci në Shkup, mbajtur më 11 prill 2015
Paranoja e Serbisë karshi “bashkimit kombëtar Kosovë – Shqipëri”
Nga Arton Konushevci/
Ideja e bashkimit kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë është më shumë paranojë e Serbisë dhe reagimet që vijnë nga Beogradi zyrtar janë më shumë në funksion të ikjes nga problemet reale të këtij shteti.
Në këtë formë mendojnë të paktën njohësit e zhvillimeve në Kosovë dhe në Serbi.
Reagimet me zemërim të zyrtarëve serbë kanë pasuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, “për bashkimin kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me mjete të shekullit 21 dhe në funksion të BE-së”, në një intervistë dhënë një televizioni vendor në Kosovë.
Analisti Ismail Hasani, në Prishtinë, thotë se reagimet nga Serbia vijnë e bëhen më të ashpra, pasi që tani “është kuptuar tashmë se shqiptarët janë faktor në Ballkan”.
Ai i cilëson këto reagime si të natyrshme, deri diku, “për faktin se Serbia në një mënyrë është ndërgjegjësuar se entiteti shqiptar në Ballkan është faktor që nuk guxon të injorohet”.
“Do të thotë, tani shqiptarët në Ballkan, me potencialet që kanë, me resurset që kanë, me të arriturat që kanë shënuar, është e nevojshme për secilin shtet në ketë rast për Serbinë, të merren në konsideratë. Për fat të keq, Serbia si fqinje grindavece, këtë reagim e bën në mënyrë të ashpër, në mënyrë të vrazhdë, pa diplomaci dhe pa sens të maturisë. Dhe konsideron se ‘ja rreziku po vjen’, do të thotë, nëse ndodhë bashkimi i shqiptarëve atëherë, rrotullohet i tërë globi”, tha Hasani.
Ai tha se Serbia nuk ka frikë vetëm nga bashkimi kombëtar, por si shtet “vuan edhe nga një paranojë e pashpjegueshme, mbase si pasojë nga lufta”.
“Shteti serb, është bukur i ç’akorduar në kuptimin edhe të ndërtimit të klasës politike; krijimit të një bilanci shoqëror. Do të thotë, problemet e brendshme të shtetit serb, në përpjekje për t’i zhvendour, gjendet në një situatë që reagohet ndaj një fqinji, i cili gjoja se paska deklaruar diçka, e për të cilën edhe vetë serbët janë të vetëdijshëm se ato procese tani për tani nuk mund të ndodhin, me gjithë faktin se shqiptarët e duan këtë proces – procesin e bashkimit”.
“Por, ai nuk mund të ndodhë për shkak të konstalacioneve gjeostrategjike”, u shpreh zoti Hasani.
Edhe Dushan Janjiq, analist i çështjeve politike në Beograd, tha për Radion Evropa e Lirë se reagimet e ashpra nga Serbia ndodhin për disa arsye, kur përmendet bashkimi kombëtar i Kosovës dhe Shqipërisë.
“ Arsyeja e parë është Kosova dhe ka marrë formë gjatë viteve të 90’ta, në kohën e konfrontimit, në kohën e politikës së Millosheviqit në Kosovë. Ishte ajo një politikë e paditurisë, një politikë e eliminimit të çdo ekzistence autonome të shqiptarëve të Kosovës, teritoriale apo politike, madje edhe mohimit të ekzistencës së tyre. Pra, kjo ishte një politikë e dështuar e apart’heidit, e cila përfundimisht u shndërrua në krijimin e një shteti të ri shqiptar, në aspektin etnik”, tha Janjiq.
Duke komentuar edhe qëllimet programore të partisë së kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, [viti 2013], e në të cilin thuhet që “në të ardhmen të krijohen kushtet edhe për formimin e një shteti të përbashket të popullit serb në Serbi dhe Republikës Serbe [në Bosnjë]”, Janjiq thotë se njerëzit shpesh ngurrojnë ta thonë atë që vërtet mendojnë, ndërsa sulmojnë të tjerët kur e kërkojnë të njejtën gjë.
“Ideja, që edhe Serbia duhet të kompensohet, sepse po e humb Kosovën, është gjithnjë e gjallë, dhe atëherë Edi Rama shihet si një arsye e mirë për të porositur Evropën dhe të tjerët, atë që në fakt e ka thënë vetë Rama – ‘nëse ju nuk e ndiqni interesin tonë, atëherë ne shkojmë drejt një rruge tjetër’. Pra, ‘nëse shqiptarët nuk e ndjekin atë interes, pse po na e kundërshtoni politikën e Dodikut’“, tha Janjiq.
Kryeministri serb Vuçiq, i ka premtuar kryeministrit shqiptar Rama, se Kosova dhe Shqipëria, “nuk do të bashkohen kurrë, siç është thënë, në formën klasike”.
“U lutem liderëve shqiptarë që të ndalen së provokuari jostabilitetin në rajon”, ka thënë Vuçiq, në rrjetin social Twitter, të martën, më 7 prill.
Ndryshe, Bashkimi Evropian vlerëson se Ballkani Perëndimor ka perspektivë të qartë evropiane, të përcaktuar nga ana e Bashkimit Evropian, në nivelin më të lartë.
Këtë vlerësim e ka dhënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për “bashkim kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me mjetet e shekullit 21 dhe në funksion të BE-së”.
“Të gjithë partnerët në rajon, kanë konfirmuar vetë zotimin në përmbushjen e këtij synimi dhe ambicien e tyre për të përmbushur kriteret e nevojshme, duke respektuar në tërësi parimet dhe standardet e BE-së”.
“Ata janë duke përparuar, secili me ritmin e tyre, në këtë rrugë dhe presim nga ta t’i vazhdojnë përpjekjet e nevojshme për të arritur përparimin e mëtejmë. Në këto zotime gjithashtu përfshihet bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore; çfarëdo deklaratash provokative në këtë kuadër, janë të papranueshme”, ka thënë zonja Kocijançiq, në një përgjigje me shkrim.(Europa e Lire)
Rama dhe Mustafa: Bashkimi kombëtar në rrugën drejt BE-së
Kryeministri Edi Rama ka takuar paraditen e sotme homologun e tij kosovar Isa Mustafa.
Kjo është vizita e parë e kryeministrit Mustafa në Shqipëri që prej kohës që ai u zgjodh kryeministri i Kosovës.
Në një konferencë të përbashkët me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, Mustafa bëri me dije se mbledhja e radhës e përbashkët mes dy qeverive do të mbahet më 23 mars, ku pritet të firmosen marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve, duke shtuar se këto marrëdhënie do të intensifikohen në fusha të tjera për të arritur objektivin e përbashkët, integrimin evropian.
“Marrëdhëniet mes nesh janë të shkëlqyera. Mbledhja e dytë e përbashkët mes dy qeverive do të mbahet në Tiranë më 23 mars. Atëherë do i japim një raport të hollësishëm publikut për sa kemi bërë deri tani në lidhje me marrëveshjet dhe projektet e përbashkëta”, tha Rama.
Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës shprehu mirënjohjen për kontributin që Shqipëria ka dhënë ndaj populli dhe qeverisë së Kosovës në ndërtimin e shtetit të ri si dhe përkrahjen për njohjen e Kosovës nga vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende dhe përkrahjen në anëtarësimin e misioneve shumëkombëshe.
“Jemi mirënjohës për çdo gjë që kemi bërë së bashku dhe për mbështetjen e qeverisë dhe popullit shqiptar në të gjitha fazat e shtetndërtimit tonë. Kemi arritur rezultate shumë të mira në projektet e përbashkëta në arsim dhe kulturë dhe tani duhet punuar në projekte ekonomike”, tha Mustafa.
Kryeministri Mustafa, veç takimit me homologun Rama, do të pritet edhe nga Presidenti Bujar Nishani, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha.
SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMI KOMBËTAR
SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË NUK MUND TË REALIZOHEJ PA BASHKIMIN KOMBËTAR DHE UNITETIN TERRITORIAL
TË POPULLIT SHQIPTAR/
Shkruan: Mr.Isuf B.Bajrami/
Rruga e popullit shqiptarë drejt bashkimit kombëtar dhe formimit të një shteti të pavarur pati pa dyshim veçoritë e veta,në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës,të kushtëzuara nga rrethanat historike,ekonomiko-shoqëror dhe nga ato politike,të brendshme e të jashtme. Megjithatë,shoqëria shqiptare në fillimin e shek.XIX,krahas ndryshimeve,kishte mjaft gjëra të përbashkëta me shtetet ballkanike fqinje dhe arriti të krijonte,ndonëse me vështirësi e ritme të ngadalshme,që ishin karakteristike për vendet nën sundimin osman,të gjitha premisat,të cilat çuan në formimin e kombit shqiptar dhe në lindjen e lëvizjes për çlirimin dhe bashkimin kombëtar.
E trajtuar si një domosdoshmëri objektive, nga realizimi i së cilës do të varej suksesi i luftës për çlirimin nga sundimi osman e për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut,ideja e unitetit politik dhe luftarak të popullit shqiptar u përpunua nga iluministët tanë të shquar gjatë gjithë Rilindjes,u vu në qendër të kësaj epoke dhe u bë pjesë e pandarë e platformës politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Mendimet e para për bashkimin e gjithë shqiptarëve pa dallim feje a krahine u dhanë nga pionierët e Rilindjes sonë, Naum Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Zef Jubani, Jeronim De Rada, Thimi Mitko,etj. Ato u pasuruan më tej në zjarrin e kryengritjeve popullore që mbushën epokën e Rilindjes, e sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881),u pasqyruan në mënyrë më të plotë dhe konsekuente në një literaturë të tërë politike dhe artistike,në dhjetëra memorandume e protesta që iu dërguan Portës së Lartë e Fuqive të Mëdha gjatë gjithë Rilindjes deri në Shpalljen e Pavarësisë e në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar.
Çështjen e bashkimit kombëtar rilindësit e shtronin jo vetëm me pasionin e zjarrtë të atdhetarit,por edhe si dijetarë të shquar. Konceptet e tyre për kombin shqiptar dhe për rolin e unitetit kombëtar,të mbështetura në argumente historike, etnike,gjuhësore,gjeografike dhe ekonomike,ishin të drejta dhe i përgjigjeshin realitetit shqiptar,të cilin ata e njihnin aq mirë. Evokimi i epokës së Skënderbeut shërbente si shembull i shkëlqyer i forcave që u jepte shqiptarëve bashkimi përpara armiqve. Pashko Vasa shkruante më 1879 se suksesi i qëndresës,që shqiptarët u bënë pushtuesve osmanë në shek.XV,i kishte rrënjët në bashkimin e tyre rreth një ideje patriotike,”se pikërisht në atë kohë u lidh bashkimi shqiptar i kryesuar nga Skënderbeu”(P.W.:La veritesur l’Albanie et les Albanais.Paris,1879,fq.40-41.).Naim Frashri u përcillte shqiptarëve “amanetin”e Skënderbeut me vargjet “…po të ini të bashkuar, /është e bërë Shqipëria”. (N.H.Frashëri;Historia e Skënderbeut,Tiranë,1953, fq.341.).
Si dëshmi të unitetit të shqiptarëve rilindësit përdorën gjuhën e përbashkët shqipe,e cila përbën tiparin më thelbësor të kombit,pikën qendrore që bashkonte gjithë shqiptarët pa dallim krahine,feje e klase shoqërore. Thimi Mitko i konsideronte shqiptarët vëllezër e të bashkuar,sepse flisnin të njëjtën gjuhë,gjuhën e bukur shqipe,sepse kishin të njëjtin atdhe ,Shqipërinë. Po këtë ide mbronin Samiu dhe Rilindësit e të tjerë kur shkruanin se pa gjuhë shqipe nuk mund të ketë shqiptarë dhe Shqipëri,se nga ruajtja dhe lëvrimi i saj varet jo vetëm bashkimi i shqiptarëve,por edhe jeta shuarja e kombit shqiptar. Mbi gjuhën e përbashkët shqipe,të cilën e vlerësonte si “provën më të madhe e më të plotë të afrimit:,kërkonte të hidhte themelet e bashkimit të shqiptarëve edhe Jani Vreto (“Bashkimi”,Shkodër,nr.6 e 6 shkurtit 1910). Gjuhën shqipe, vendosjen e një alfabeti të njëjtë,që nisin me miratimin e alfabetit të Stambollit më 1879 e u krye me vendimet e Kongresit të Manastirit të 1908-ës,lëvrimin e gjuhës në literaturë dhe përhapjen e shkollave amtare,rilindësit nuk i shikonin thjeshtë si çështje kulturore,por edhe në rrafshin politik,si mjet të fuqishme propagandistike e veprime patriotike që do të ndihmonin për unitetin e kombit shqiptar.
Përvoja e luftës shekullore të popullit shqiptar dhe ajo e epokës së rilindjes tregoi se uniteti kombëtar nuk mund të arrihej pa një organizim të shëndoshë. Nevoja e organizimit u bë edhe më e ngutshme për shkak të gjendjes së rëndë dhe tepër të rrezikshme që u krijuan për Shqipërinë me shpërthimin e luftës Ruso-Turke të 1877-1878-ës dhe me nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit dhe atij të Berlinit më 1878, të cilat parashikonin copëtimin e trojeve shqiptare midis monarkive ballkanike,synonin të zhduknin nga harta e Ballkanit kombin shqiptar. Në këto rrethana,kur ekzistonin edhe premisat e brendshme për vendosjen e një uniteti politik e luftarak të popullit shqiptar,me përpjekjet e atdhetarëve rilindës, të kryesuar nga Ymer Prizreni,Abdyl Frashëri,Sylejman Vokshi, Zija Prishtina, Pashko Vasa, etj.,u themelua,më 10 qershor të vitit 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Lindi kështu ajo Organizatë Politike -Ushtarake mbarëshqiptare, e cila kreu detyrën historike që shtronte koha,krijoi një bashkim të vërtetë të popullit shqiptar,të mbështetur në luftën e përbashkët të të gjitha forcave patriotike të vendit për çlirimin kombëtarë të shqiptarëve dhe ruajtjen e tërësisë së trojeve të tyre. Bashkimi në Lidhje i të gjithë shqiptarëve ,gegë e toskë,myslimanë e të krishterë,përforcohej edhe me një strukturë të qartë organizative. Komiteti Qendror me në krye Ymer Prizrenin,që e kishte selinë në Prizren,nëpërmjet një rrjeti të tërë degësh e komitetesh,të krijuara në qytetet e ndryshme të vendit,mbante lidhje me të gjitha viset e Shqipërisë,bashkërendonte veprimtarinë e popullit shqiptar drejt një qëllimi të vetëm.
Kombi shqiptar, ashtu si edhe bashkimi e kompaktësia me të cilën veproi në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881),nuk mund të lindnin papritur e as të krijoheshin artificialisht. Ato i kishin rrënjët në ndërgjegjen e përbashkët kombëtare të popullit, të formuar prej kohësh në valët e kryengritjeve kundërosmane, ndërgjegje që në vitet e Krizës Lindore të 1875-1881,” në çastet kur rrezikohej ekzistenca e Shqipërisë” (S.Pollo-S.Pulaha; Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, Tiranë, 1978, dok. 40, 34.), shpërtheu si vullkan që vlonte prej shekujsh e nxori në sipërfaqe lavën e zjarrtë. Ky shpërthim i revoltës së një kombi unik,të cilit po i mohoheshin vetëqenia dhe të drejtat politike, i ishte nxjerrë në ankand pasuria më e çmuar, trualli amtar, ndihet i fuqishëm në protestat e shumta që,në emër të atdheut, tanimë të bashkuar nga ideja kombëtare,në emër të interesave të mbarë Shqipërisë (Po aty,d ok.63,65.), iu dërguan,në të njëjtën kohë,Kongresit të Berlinit e Portës së Lartë nga qendra të ndryshme të vendit. Kjo shihej gjithashtu në krismat e armëve të popullit kryengritës,i cili mbrohej me forca të përbashkëta kundër sunduesve osmanë dhe pushtuesve të rijnë ballkanas. Lufta e forcave të Lidhjes për mbrojtjen e Plavës,të Gucisë,Hoitit,Grudës dhe Ulqinit,si edhe gjithë veprimtaria e saj diplomatike për paprekshmërinë e kufijve të Veriut e të Jugut,që zgjati 3 vjet të tëra ( 1878-1881),u shndërrua në një çështje të përgjithshme kombëtare. Pikërisht pse ideja e unitetit u përgjigjej interesave më të larta të atdheut dhe përfaqësonte aspiratat e masave më të gjera,sepse përfaqësonte armën më të fuqishme e më të sigurt që populli shqiptar mund t’u kundërvinte armiqve,shpërthyen ato akte të mëdha solidariteti dhe ai heroizëm masiv që deri atëherë nuk kishte njohur Shqipëria.
Atdhetarët rilindës,duke kundërshtuar vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) për copëtimin e trojeve amtare midis monarkive ballkanike,luftuan njëherazi për afirmimin kombëtar të shqiptarëve në Evropë. Për këtë,ata vunë përballë opinionit Evropian provën më të fuqishme,unitetin e shqiptarëve, argumentuan me të dhëna bindëse se populli shqiptar përbën një komb krejt të veçantë e të bashkuar,”një komb të njësuar për nga raca (nënkupto:nga origjina),gjuha,traditat,historia dhe për nga gjithë elementët që përbëjnë identitetin kombëtar”, “komb që ka vullnetin e tij të përbashkët”(Akte të Rilindjes…, dok.12,42.). Këtë ide ua shprehu Abdyl Frashëri përfaqësuesve të qeverisë Franceze në Paris,në Pranverën e vitit 1879,kur theksoi se “para lakmive të egra të fqinjëve të tyre dhe rreziqeve që u kërcënohen,shqiptarët janë të gjithë me një betim solemn që me përpjekje të përbashkët të ruajnë …atdheun, kombësinë dhe gjuhën e tyre” (Po aty,dok.43.).
Fakti që shqiptarët ishin një komb i bashkuar,që kërkonte të respektohej edhe ndaj këtij parimi i kombësisë,e gjejmë edhe në mendimet e atyre personaliteteve evropiane që e njihnin mirë edhe nga afër gjendjen në Shqipëri. Po përmendi relacionin e kryekonsullit Austriak në Shkodër Lipih (Lippich), dërguar Vjenës më 3 prill 1881 në të cilin e quante “krejt të gabuar e në kundërshtim të vërtetën”pretendimin e italianit Sonino,që kishte shpallur se shqiptarët “janë një grumbull fisesh të palidhura me njëri-tjetrin”.Në ç’radhë e vë Soninoja popullsinë e Shkodrës, të Lezhës, Tiranës, Ulqinit, Gjakovës, Pejës, Tetovës, Dibrës, Elbasanit, Kavajës e qyteteve të tjera? Edhe këta kanë të njëjtën kombësi. Jo vetëm Sininoja,por askush tjetër s’do të mund të mohojë kombësinë e shqiptarëve”(Xh.Belegu;Lidhja e Prizrenit e veprimet e saj 1878-1881, Tiranë,1939, fq.88.) ,shkruante Lipih në relacionin e tij.
Mendimi për unitetin kombëtar të popullit shqiptar u përpunua më tej në veprimtarinë krijuese të rilindësve,që vepruan në fundin të shek,XIX,e në fillimin e shek XX,e sidomos të ideologut të shquar Sami Frashëri, i cili i dha atij një kuptim më të gjerë e më të plotë. Përgjithësimi i përvojës së veprimtarisë trevjeçare të Lidhjes së Prizrenit për bashkimin e vendit e çoi atë në përfundimin se “Shqipëria duhet të jetë një dhe i pandarë”,se “të gjithë shqiptarët duan të quhen vëllezër dhe djemtë e një mëmëdheut të dashur” (Arkivi Qendror i RPS të Shqipërisë(tani AQSH), Fondi 51,dos.4.S. Frashëri i shkruan De Radës, më 20 shkurt 1881.).
Në karakterin politik “Shqipëria ç’ka qenë,ç’është dhe ç’do të bëhet?”(1899) Samiu e trajton bashkimin kombëtar të shqiptarëve si mendimtar revolucionar, me bindjen se ai mund të arrihej vetëm me anë të organizimit dhe të luftës politike dhe të armatosur. Shqiptarët, theksonte ai,s’kanë nevojë të bëjnë gjë tjetër veçse “të bashkohen të gjithë sa janë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre nga Turqia dhe Europa. Turqia…do t’u japë ato që kërkojnë me hir a me pahir”. Në qoftë se shqiptarët do të arrinin të vendosnin një lidhje të fortë e do të bashkoheshin të gjithë si një njeri i vetëm,arsyetonte Samiu,atëherë nuk do të gjendej forcë që të guxonte t’u kundërvihej Shqipërisë dhe shqiptarëve” (S.Frashëri;Shqipëria ç’ka qenë,ç’është e ç’do të bëhet?Bukuresht,1899, Tiranë,1962,fq.66.).
Ideja e bashkimit të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë,gegë e toskë,zotëron në vendimet dhe veprimtarinë e lidhjes së Pejës (1899-1900)e sidomos në thirrjen “Rruga e shpëtimit është në besa-besë!” që përbën aktin e saj kryesor programatik. Duke ecur ne rrugën e çelur nga Lidhja e Prizrenit ,atdhetarët rilindës luftuan që “bashkimi i krijuar nga Lidhja e Pejës të përfshinte gjithë shqiptarët,gegë e toskë,myslimanë e të krishterë”,të ngrihej mbi ndasitë fetare e krahinore, për tu provuar armiqve se shqiptarët janë një komb unik,zotë të atdheut të vet dhe të aftë për të qeverisur atë.”Ajo që do ta shpëtojë kombin e atdheut tonë,-theksohej në këtë thirrje,-është bashkimi,një Besëlidhje e përgjithshme,një Besa-Besë” (AQSH.Fondi 12,dos.1. Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën.).
Të bashkuar e në një front unik në shkallë kombëtare dolën shqiptarët përball sunduesve osman gjatë kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912. Dëshmi e unitetit dhe e bashkërendimit të veprimit të tyre ishte si angazhim pothuajse i të gjitha viseve të Shqipërisë në luftën e armatosur popullore që u zhvillua në një kohë,në prill-gusht 1912,në mbar vendin,ashtu edhe kërkesat e njëjta programatike,që u shprehën në vendimet e Kuvendit të Përgjithshëm Shqiptar të Junikut të maj të vitit 1912 dhe në ato të memorandumit të Sinjës, (Berat) të 23 korrikut 1912 që doli nga mbledhja e përfaqësuesve të Shqipërisë së Jugut. Atdhetarët rilindës,me të drejtë,shihnin në to “bashkimin e vullnetin e tërë shqiptarëve”,pa dallim feja e krahina,për ta futur vendin në rrugën e qytetërimit.” Ne,-thuhej në një nga thirrjet që kryengritësit u drejtonin shteteve evropiane, shkojmë drejt luftës dhe vdekjes për këtë ideal të shenjtë,pa dallim feje;një fe shumë e lartë,që i kaloi të gjitha,na vëllazëron,na frymëzon,na nxit,na udhëheq:ringjallja e atdheut tonë,bashkimi dhe liria(Akte të Rilindjes…,dok.154.).
Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar nuk mund të kuptohej pa unitetin territorial, një nga komponentët më të domosdoshëm për ekzistencën e kombit, pa themelin mbi të cilën shqiptarët do të ngrinin shtetin e pavarur dhe do ti siguronin kombit të tyre një zhvillim të plotë dhe unik. Ky bashkim do të arrihej duke kapërcyer ndarjen e trojeve shqiptare në katër vilajetet,të vendosura nga Porta e Lartë,si dhe dallimet krahinore midis Gegërisë e Toskërisë e trevave të tjera më të vogla,të trashëguara nga thellësitë e shekujve e që mbaheshin gjallë nga pushtuesit dhe nga pashallarët e bajraktarët vendas për të penguar unitetin politik të shqiptarëve,për t’i copëtuar e për t’i nënshtruar ata. Në këtë ndarje administrative rilindësit shikonin vazhdimin e parimit të lashtë të pushtuesve “përçaj e sundo!”,të cilit, sikurse shprehej Pashko Vasa,”tanimë i ka kaluar koha,sepse rryma e shek.XIX i shtyn popujt drejt bashkim it”(P.Wasa,vep e përmendur,fq.96.).
Lufta për njësimin e tokave shqiptare u ndërthur në mendimin politik të rilindësve me përpunimin e një koncepti të drejtë mbi këto territore. Në argumentimin e përkatësisë kombëtare të trojeve shqiptare ata mbështeteshin në radhë të parë në të dhënat etnike,në faktin që shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë në këto toka dhe banonin atje në mënyrë kompakte. Abdyl Frashëri, ndonëse mbronte me argumente të gjithanshme historike, etnike, gjuhësore, ekonomike dhe ushtarako-strategjike tërësinë e Shqipërisë, e vinte theksin në gjuhën shqipe ,që ishte tipari i përbashkët dhe një nga më kryesorët e kombit. “Gjuha e banorëve të Shqipërisë, shkruante Abdyli, është shqipja,dhe banorët e saj janë shqiptarë qysh prej kohëve të lashta” (“Basiret”,Istambull,nr.2416,7/19 prill 1878.). Ky koncept i rilindësve për Shqipërinë, si atdheu i përbashkët i shqiptarëve,i një popullsie që fliste të njëjtën g juhë, pavarësisht nga dallimet fetare e ndarja administrative në katër vilajete, ishte një koncept i drejtë,shkencor, i cili qe vënë në themel të formimit të shteteve kombëtare në Ballkan e në tërë Evropën. Këtë parim mbronte edhe F.Engelsi, kur shkruante se “kufijtë e vërtetë natyrorë janë ata që përcaktohen nga gjuha dhe simpatia e përbashkët” (K.Marks-F.Engels veprat,vëll.13,1959, fq.281).
Për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, si dhe për historiografinë tonë të sotme, janë krejtësisht të huaja synimet që u atribuohen nga disa studiues të sotëm të tipit të Dimitrije Bogdanoviçit,i cili,duke i dhënë tezës mbi origjinën ilire të shqiptarëve një interpretim krejt të falsifikuar e subjektiv,përpiqet të bindë opinionin publik se, sipas kësaj teze,konsiderohen si shqiptare të gjitha territoret e banuara dikur nga ilirët,ku në shek.XIX jetonin popuj të tjerë. Ai shikon në pikëpamjen për origjinën ilire të shqiptarëve përpjekjen, e imagjinuar prej tij, për ta kthyer Ballkanin,madje edhe Evropën,shumë shekuj prapa,në periudhën e dyndjeve të fiseve sllave, në shek VI.(D.Bogdanovic’,Knjiga o Kosovu, Beograd, 1985,fq.16).
Si dijetarë, rilindësit i referoheshin edhe historisë,sillnin të dhënat për të drejtat historike të shqiptarëve mbi trojet amtare, për të mbrojtur paprekshmërinë e tyre, por duke u shtrirë këto të drejta vetëm në ato territore, në të cilat banonin në shek,XIX,si pasardhës të ilirëve,si një popull autokton e jo i vendosur si rrjedhojë e “dyndjeve të mëvonshme të fiseve shqiptare dhe e shpërnguljes së popullsive sllave”,sikurse pohohet në historiografinë e vjetër dhe të sotme jugosllave. Jo për shkak të ndonjë ekskluziviteti kombëtar,por për hir të kushteve,në të cilat i vendosi historia ,shqiptarët, sikurse shprehej edhe Abdyl Frashëri,nuk kishin ushqyer asnjëherë aspiratat pushtuese ndaj popujve të tjerë. (“Basiret”, Istambull, nr. 2416,7/19 prill 1878).
Ndonëse ishin të ndërgjegjshëm që e ardhmja e Shqipërisë garantohej me formimin e një shteti të pavarur, përballë rrezikut të copëtimit,”të zhdukjes së ekzistencës kombëtare dhe politike të vendit” (A.Frashëri,Letër nga Janina, “Basiret”, Istambull, nr.2416,7/19 prill 1878), i cili u qëndronte mbi krye shqiptarëve si “shpata e Damokleut”, atdhetarët rilindë veçuan si një detyrë tepër të ngutshme dhe imperativë bashkimin e viseve shqiptare,kërkuan nga Porta e Lartë “që vendi i quajtur Shqipëri të bashkohej në një tërësi dhe të formonte një vilajet të vetëm” (Akte të Rilindjes…,dok.52).
Ata e shikonin këtë si një kërkesë minimale,të përkohshme,si një qëndrim taktik të imponuar nga politika e Portës së Lartë dhe e Fuqive të Mëdha që kundërshtonin autonominë e Shqipërisë. Në këtë çështje ushtroi ndikimin e vet edhe bindja e udhëheqësve të lëvizjes sonë kombëtare për ta përdorur bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet, si një shkallëz,si një fazë transitore, për të kaluar më pas në shpalljen e tij si një njësi shtetërore autonome shqiptare. Pikërisht pse çonte në rrjedhime të tilla, bashkimin e viseve shqiptare në një vilajet të vetëm e gjejmë edhe në mendimin politik e në veprimtarinë praktike të mendimtarëve të tillë me pikëpamje radikale,si Pashko Vasa,Abdyl Frashëri, Sami Frashëri,si edhe në vetë aktet e Rilindjes. Abdyl Frashëri, që njihet si luftëtar më i vendosur për autonominë, madje edhe për shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane,në memorandumin që i dërgoi sulltanit,më 13 tetor 1880, kur siç,shprehej si, “Flotat e Gjashtë Fuqive të Mëdha, si zhgaba shqyese, sulmuan një qytet të vogël si Ulqini”, u detyruan të kufizohej me një masë të tillë shumë të ngutshme,të domosdoshme dhe nga më të rëndësishmet, siç, ishte “bashkimi i Shqipërisë; në një vilajet të vetëm,me emrin “vilajeti i Shqipërisë;”.Udhëheqësi i lëvizjes kombëtare e vlerësonte këtë si një nga mjetet që do t’u priste rrugën lakmive të shteteve fqinje”,lakmi që nxiteshin edhe nga “ndarja e Shqipërisë në katër vilajetet”, ku,krahas shqiptarëve, që përbënin shumicën e popullsisë së tyre,kishte edhe pakica sllave e greke, si “një masë që do të mbronte e do të siguronte tërësinë e Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane”.
Në kushtet e atëhershme tepër të ndërlikuara ndërkombëtare,Abdyli e quante aq kritike gjendjen e Shqipërisë dhe aq real rrezikun që kërcënonte tërësinë e trojeve të saj e vetëqenien e shqiptarëve si komb,sa që u detyrua në këtë memorandum t’u bënte lëshime koncepteve të veta radikale për zgjidhjen e çështjes shqiptare. “Le të mos i jepet Shqipërisë asnjë privilegj ose formë administrative e veçantë,-i shkruante Abdyli sulltanit, – Le të administrohet ajo sipas ligjeve,me të cilat administrohen vilajetet e tjera perandorake. Mjafton që të katër vilajetet të bashkohen në një vilajet të vetëm “(Promemoria e A.Frashërit, parashtruar Sulltanit me 13 tetor 1880. Bashbakanllik Arshivi, Istanbull,Yildiz Esas Evraki, Kisim 14,Evrak nr.2239.). Këtë kërkesë Abdyli ia paraqiti sulltanit si një aspiratë të mbarë popullit shqiptar.
Ideja e bashkimit të viseve shqiptare në një vilajet të vetëm përshkon memorandumet dhe peticionet që iu dërguan Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë në fund të shek.XIX dhe në fillim të shek.XX.deri në shpalljen e Pavarësisë . Ajo paraqitet në dy forma :së pari ,si kërkesë e veçantë,që u shtrua sidomos në periudhat e ndërhyrjeve më të ashpra të Fuqive të Mëdha dhe të monarkive ballkanike, dhe së dyti,si pjesë e platformës autonomiste të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në memorandumet e peticionet e shumta,e sidomos në ato të kryengritjeve të mëdha të viteve 1910-1912. Në të dyja rastet bashkimi i viseve shqiptare do t’i nënshtrohej, sikurse Sami Frashëri, “qëllimit kryesor të shqiptarëve: ruajtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë,të gjuhës dhe të kombësisë shqiptare dhe formimit të një shteti autonom kombëtar” (S.Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë,…,fq.59.).
Ekzistencën e shqiptarëve si një komb i vetëm dhe të drejtën e tyre për të pasur shtetin e vet të pavarur nuk mund t’i vinte në pikëpyetje ndarja e tyre në tri besime fetare në atë mysliman, të cilit i përkiste shumica e popullsisë,në atë katolikë e në ortodoks. Megjithatë, në kushtet e atëhershme,kur Porta e Lartë dhe Patrikana greke e Stambollit u mohonin shqiptarëve kombësinë,vinin shenjën e barazimit midis fesë dhe kombësisë,duke i quajtur shqiptarët myslimanë – turq, katolikët-latinë dhe ortodoksët-grekë,besimet e ndryshme ushtronin ndikim negativ në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Në rrethana të tilla,bashkimi kombëtar i popullit shqiptar dhe organizimi i tij në një shtet të pavarur nuk mund të arriheshin pa atë luftë të vendosur që atdhetarët rilindës zhvilluan kundër reaksionit klerikal kundër të të tri besimeve, e cila i dha Rilindjes Shqiptare një tipar të veçantë,e bëri të dallohet nga lëvizjet kombëtare të shteteve fqinje. Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, ku borgjezia,për shkak se popullsia i përkiste të njëjtit besim fetar,e përdori kishën si armë ideologjike në luftën për çlirimin kombëtar dhe më pas për të përmbushur lakmitë e saj pushtuese, në Shqipëri kleri ishte një faktor negativ, siç shprehej F.Noli, “një vegël politike”në duart e të huajve, që punonte për t’i përçarë e për t’i asimiluar shqiptarët,dhe frenonte kështu bashkimin e tyre kombëtar. Ishte meritë e veçantë e rilindësve,që e vlerësuan drejt këtë rol reaksionar të klerit,që kuptuan se për të arritur bashkimin e shqiptarëve aq të nevojshëm për çlirimin e tyre kombëtar,duhet të kapërceheshin ndasitë fetare dhe të shkëputeshin masat nga ndikimi përçarës i klerikëve të të tri besimeve. Te bashkimi pa dallim feje dhe krahine,ata shihnin bazën e vetme të luftës për çlirimin e Shqipërisë.
Një luftë e tillë nuk mund të zhvillohej nga pozitat e ateizmit,sepse pjesa më e madhe e rilindësve ishin vetë besimtarë dhe në kushtet e prapambetjes ekonomike e kulturore të vendit,kur feja kishte lëshuar rrënjë në ndërgjegjen e njerëzve, populli ynë,sikurse theksonin me të drejtë atdhetarët më të përparuar, nuk kishte arritur deri në atë shkallë sa të mërzitej feja dhe t’i shporrte priftërinjtë e hoxhallarët jashtë vendit(“Shqipëria”,Magaga(Egjipt),nr4-5 maj 1907, për ortodoksët).Megjithatë,me qëndresën kundër reaksionit klerikal,iluministët e vendosën Rilindjen Kombëtare Shqiptare në një platformë më të përparuar,në parimin e kombësisë,të shqiptarisë si feja e shqiptarit”, që përshkon një literaturë të tërë politike dhe artistike të Rilindje sonë,ishte afetare, një nocion politik që synonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. (St.Pollo;Mbi disa tipare dalluese themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,në Studime Historike,Tiranë,1970,nr.3,fq.121.).
Ideologjisë reaksionare të pan-islamizmit,panortodosizmit,etj,.që kishte gjetur mbështetje edhe në disa qarqe çifligare e borgjeze turkomane e grekomanë dhe që identifikonte fenë me kombësinë,rilindësit u kundërvunë racionalizmit të tyre,konceptin mbi kombin shqiptar si një kategori e veçantë, që ishte një dhe i pandarë, megjithëse u takonte tri besimeve fetare. “Shqiptari është shqiptar para se të jetë mysliman e i krishterë” (S.Frashëri; Shqipëria.. fq.39.) – shkruante Sami Frashëri. Mendimtarët rilindës i mbaheshin pikëpamjes se kombësia dhe feja nuk janë e njëjta gjë,se ato përfaqësojnë dy kategori të ndryshme shoqërore dhe nuk mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën. Ata luftuan kundër propagandës halifatiste të sulltanëve osmanë dhe asaj panheleniste të Patrikanës greke,që ngrinin “besimin fetar në parim kombësie dhe zëvendësonin racën ( kupto kombësinë) me dogmë,ritin me atdhe,që ishte krejt e papranueshme”.Nuk janë as myslimanizmi,as krishterimi,-arsyetonin rilindësit, – ata që formojnë popujt,kombet,por gjuha,doket,zakonet e karakteristikat e tjera që i dallojnë kombësitë nga njëra-tjetra. (P.Wasa,vep.e përmendur, fq.56.Shih edhe ; “I foni tes Alvanias”, 13 tetor 1879 dhe 19 janar 1880). Pas propagandës panheleniste që identifikonte krishterimin me helenizmin dhe i quante grekë shqiptarët ortodoksë,sepse kishin besim të përbashkët me ta, rilindësit shihnin rivendikimet e qarqeve të caktuara politike ndaj popullsisë shqiptare dhe trojeve të tyre. Këto ishin pikëpamje përparimtare dhe mbeten gjithnjë të freskëta,shërbejnë si dëshmi për të kundërshtuar si koncepte antishqiptare të atyre “studiuesve” të huaj,të cilët ndarjen e shqiptarëve në tri fe e interpretonin si ndarje “në tri grupe”,për çdo njërën nga të cilat feja na paska qenë “një flamur kombëtar”,ashtu edhe shtrembërimet që propaganda,duke ringjallur konceptet mesjetare halifatiste dhe patriarkiste, i bënë në ditët tona gjendjes së sotme të kombit shqiptar.
Përpjekjeve të jashtëzakonshme të rilindësve u kushtohet ai bashkim politik i popullit shqiptar,pa dallim feja e krahine,që u realizua në vitet e Lidhjes së Prizrenit ( 1878-1881) dhe u ruajt gjatë gjithë Rilindjes. Vendimet e Lidhjes dhe gjithë veprimtaria e saj,vinte në dukje Sami Frashëri më 1878,”ishin frymëzuar nga patriotizmi, atdhedashuria…dhe mbështeteshin në parimin e kombësisë dhe jo në fanatizmin fetar”. (“Terxhumani Shark”,17/19 qershor 1878,nr.81, fq.3). Ky bashkim i shqiptarëve i të tri besimeve ishte rrënjosur thellë në ndërgjegjen e kombit shqiptar,ishte një e vërtetë e pohuar edhe në dokumentacionin e huaj bashkëkohës. Në relacionet që funksionarët e administratës osmane në Shqipëri i dërgonin Portës së Lartë prandaj se midis myslimanëve shqiptarë,që përbënin shumicën e popullsisë, dhe të krishterëve ekzistonte një bashkim me tradita të lashta e që i ka qëndruar kohës,se ky unitet do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Këtë bashkim të shqiptarëve të të tri besimeve funksionarët osmanë ua atribuonin devotshmërisë kombëtare dhe patriotizmit të shqiptarëve,të cilët,siç theksonin ata,ishin aq të fortë, sa që ndryshimet në fe nuk mund t’i dobësonin aspak. (K.Prifti;Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881,Tiranë, 1978,dok.40.).
Është i njohur kontributi që dha në luftën kundër reaksionit klerikal për bashkimin kombëtar të popullit shqiptar një brez i tërë atdhetarësh, në fundin e shek.XIX dhe në fillimin e shek XX,i përbërë nga Jani Vreto,Shahin Kolonja, Fan Noli, Aleksandër Drenova, Çajupi, Aleksandër Xhuvani, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, Petro Nini Luarasi,Bajram e Çerçiz Topulli,Dervish Hima,Mihal Grameno, etj. të cilët,duke ecur në hullinë e hapur nga Lidhja e Prizrenit dhe themeluesit e saj, demaskuan në shumë artikuj, botuar në shtypin patriotik të kohës, veprimtarinë përçarëse të klerit të të tri besimeve. Në pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre, lufta kundër ndasive fetare,të mbjella nga kleri,zinte një vend po aq të rëndësishëm sa edhe qëndresa kundër sunduesve osmane dhe armiqve të tjerë të jashtëm. Klerin ata e shihnin si një armik po aq të rrezikshëm sa edhe Perandorinë Osmane. (“Kombi”,Boston,nr.58,25 tetor 1907).
Lufta e gjithanshme e rilindësve për demaskimin e reaksionit klerikal ishte një faktor i rëndësishëm politik në lëvizjen kombëtare,që dha frytet e tij për forcimin e unitetin të popullit shqiptar. Ndonëse i shkaktuan pengesa Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sunduesit osmanë dhe fuqitë e tjera të huaja, përballë forcës së bashkimit të shqiptarëve, nuk arritën t’i përçajnë e t’i hedhin ata në luftë me njëri-tjetrin. Sikurse vinte në dukje me kënaqësi Pashko Vasa, ndërmjet shqiptarëve mysliman dhe atyre të krishterë nuk ka pasur kurrë “hasmëri të rrënjosur as edhe armiqësi shekullore”, se “ndryshimet fetare s’kanë qenë shkak për t’i shtypur në përçarje” (P.Wasa, vep e cituar, fq.91.). Është një e vërtetë e provuar historikisht, që nuk i ka shpëtuar vështrimit të Sami Frashërit,se shqiptarët “nuk kanë njohur ato grindje,luftëra fetare, masakra të mëdha e të tmerrshme që kanë ndodhur”jo vetëm në v endet e Lindjes,por edhe “në vendet e qytetëruara të Evropës” (S.Frashëri; Shqipëria ..,fq.45-46.).
Mungesa e një fanatizmi të tillë fetar,që Jani Vreto në Apologjinë e vet ua atribuonte shqiptarëve të të gjitha besimeve e sidomos atyre myslimanë (J.Vreto, Vepra të zgjedhura,Tiranë, 1973,fq.225),zotërimi tek ata i ndjenjës kombëtare mbi atë fetare,përbënin për rilindësit, dhe jo vetëm për ta,por edhe për gjithë lëvizjen që u zhvillua edhe më pas,për bashkimin e të gjitha forcave të kombit shqiptar në luftën për çlirimin kombëtar dhe mbrojtjen e pavarësisë së vendit.
Shpallja e Pavarësisë dhe formimi i shtetit kombëtar me 28 nëntor 1912 përbën një ngjarje të shënuar që do të mbetet e paharruar në historinë e kombit tonë, jo vetëm për nga rrjedhimi që pati për të ardhmen,por edhe për forcën e bashkimit politik të shqiptarëve përballë pushtuesve të rijnë e tepër të rrezikshëm ballkanas. Ajo ishte vepër e mbar popullit shqiptar dhe e qindra atdhetarëve që vepronin në gjirin e tij. “Në emër të të gjithë popullit,mysliman e të krishterë,në emër të të gjithë Shqipërisë dhe kombit shqiptar,shpalli Pavarësinë, më 25-28 nëntor 1912,nën grykën e pushkëve dhe të topave të ushtrive pushtuese” (Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj. Tiranë, 1963.dok.3,6-9,11,13).
Vetë Kuvendi i Vlorës,që shpalli pavarësinë dhe formoi Qeverinë e Përkohshme si nga përbërja e tij ashtu edhe nga vendimet që mori,kishte një karakter mbarëshqiptar,shprehu aspiratat shekullore të të gjithë kombit për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar. Pjesëmarrja në të e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë,duke përfshirë edhe ato që ishin pushtuar nga ushtritë serbe,malazeze e greke,i dha këtij Kuvendi karakterin e një Asambleje Kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi dëshmi e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për të formuar një shtet unik,në të cilin të përfshiheshin të gjitha viset e banuara prej tyre. Këtë vendosmëri shqiptarët e Kosovës,të Shkupit e Dibrës dhe të viseve të tjera,të udhëhequr nga një bërthamë unike ushtarako-politike të përbërë nga Hasan Prishtina,Isa Boletini,Bajram Curri, Idriz Seferi, Sali Gjuka, Ramadan Zaskoci, Isuf Xhelili, etj.,e shprehën jo vetëm me delegatët që dërguan në Kuvendin e Vlorës, por edhe me qëndresën e pashembullt që u bënë kudo,ushtrive serbomalazeze, të cilat u dyndën në trojet shqiptare. Këto nuk ishin beteja thjesht lokale, për mbrojtjen e qyteteve të Kosovës, por një qëndresë që bëhej për ruajtjen e tërësisë së gjithë truallit shqiptar ose, siç shpreheshin atdhetarët në deklaratën dërguar Fuqive të Mëdha në tetor 1912, për t’i dalë zot tërësisë tokësore të Shqipërisë”,”për t’i parë trojet shqiptare të bashkuara,me një formë të qeverisuri e sundimi politik”(Akte të Rilindjes…,dok.169).
E parë nga pikëpamja e kontributit që dha në bashkimin kombëtar të popullit shqiptar, qeveria e Ismail Qemajlit zë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit tonë. Me krijimin e saj dhe të vetë shtetit kombëtar,shqiptarët siguruan atë qendër udhëheqëse që u kishte munguar prej rreth pesë shekujsh,e cila,siç shprehej shtypi patriotik, “do të bashkonte nën flamurin e Shqipërisë gjithë popullin shqiptar” (A.Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914,Tiranë,1978,fq.126 – 127, “Liri e Shqipërisë”, Sofje, 22.07. 1913). Ndonëse nuk pati jetë të gjatë,Qeveria e Vlorës dhe forcat patriotike që u grumbulluan rreth saj,zhvilluan një veprimtari të dendur,dolën të bashkuara si brenda vendit,ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar,kundrejt lakmive pushtuese të monarkive fqinje dhe vendimeve të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve që u mbajt në Londër më 1912-1913. Qeveria e Përkohshme i kundërshtoi vendimet e Konferencës së Londrës,sepse ato binin ndesh me aspiratat e ligjshme të shqiptarëve,të cilët,siç theksohej në deklaratat e kësaj Qeverie, si”grupimi etnik më kompakt dhe më homogjen në Gadishullin Ballkanik”, kishte të drejtë të formonin shtetin e tyre të bashkuar,sepse ato vendime nuk merrnin parasysh parimin e kombësisë,por e zëvendësonin atë me” të drejtën e luftës e të pushtuesit”.
Në viset e pushtuara nga ushtritë serbe protesta kundër vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës u shoqërua me kryengritjen kundër zgjedhës serbo-malazeze që shpërtheu në Dibër në shtator të vitit 1913,u shtri gjatë muajit tetor në Ohër, Srugë, Tetovë, në Malësinë e Gjakovës, në Prizren e në vise të tjera të Kosovës. Në thirrjet drejtuar Fuqive të Mëdha,më 15 tetor 1913, kryengritësit dibranë e kosovarë ngritën zërin kundër krimeve të ushtrisë serbo-malazeze,që mbyti në gjak fshatrat shqiptare,i ktheu ato në krematoriume, ku u dogjën për së gjalli qindra gra e fëmijë,dhe kërkoi nga Evropa si mjet shpëtimi “t’u jepte të drejtën të rronin të lirë në atdheun e tyre të njëshëm” (Qeveria e Përkohshme e Vlorës…,dok.322,shih edhe D.Tucoviç, Serbia dhe Shqipëria, Prishtinë,1968,fq.82-84).Kryengritja e shtatorit të vitit 1913 ishte shkëndija e parë e asaj lëvizjeje masive që do të zhvillohej,në vitet 1 918-1925, në Kosovë e në viset e tjera të aneksuara nga Jugosllavia,nën drejtimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.
Lufta e popullit tonë për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe për bashkimin kombëtar nuk ka cenuar kurrë ndonjëherë të drejtat e popujve të tjerë të Ballkanit. I.Qemali dhe atdhetarët shqiptarë i quanin bashkatdhetarët e tyre nga sundimi i Perandorisë Osmane dhe për të siguruar bashkimin e plotë kombëtar. Por ata nuk mund të pranonin që kjo luftë të bëhej në dëm të shqiptarëve, duke penguar bashkimin e tyre kombëtar dhe duke gjymtuar rëndë trojet e popullsinë e tyre,duke masakruar e shpërngulur nga vatrat amtare qindra mijëra shqiptarë.”Zgjidhje” të tilla të çështjes kombëtare në Ballkan, të cilat mbrohen e përligjen edhe nga historiografia e sotme e vendeve fqinje, u imponuan, nga “interesat e borgjezisë” dhe interesat”dinastike”të monarkive ballkanase,si edhe nga borgjezia reaksionare,imperialiste e Evropës që “nxit shovinizmin dhe armiqësinë kombëtare”,midis popujve.
Ishte Serbia dhe monarkitë e tjera ballkanike fqinje që pa u kënaqur me cungimin e rëndë që u bënë trojeve shqiptare në Konferencën e Londrës,më 1913, u orvatën me forca ushtarake e mjete diplomatike të likuidonin qysh në embrion shtetin e pavarur shqiptar. Në sintezë të politikës së Serbisë dhe të Jugosllavisë që u krijuan më pas,e cila i përshtatet edhe qëndrimit të monarkive të tjera ballkanike,ka dhënë funksionari i Ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë , Ivan Vukotiçi,në raportin,dërguar qeverisë së tij në vitin 1939. “Ne,-shkruante ky, – asnjëherë nuk kemi pasur simpati për ta (kupto: për shqiptarët )… Në kombinacionet tona politike dhe diplomatike,si edhe në politikën tonë diplomatike,si edhe në politikën tonë Ballkanike,ne vazhdimisht kemi synuar të luftojmë të gjitha kërkesat shqiptare për krijimin e shtetit të pavarur,thjeshtë për arsye se ky shtet mund të themelohej vetëm kundër nesh dhe kundër synimeve tona kombëtare”(B.Krizman,Studim i Dr.Ivo Andriçit mbi Shqipërinë në vitin 1939 në”Qasopis za Sovremenu Povijest”, Zagreb,Godina IX,1977,nr.2(24)).
Rreziku i copëtimit përfundimtar i kombit tonë,i zhdukjes së shtetit të pavarur shqiptar,që u shfaq me gjithë forcën gjatë Luftës së Parë Botërore,e sidomos në punimet e Konferencës së Paqes të Parisit ,të viteve 1919-1920,mund të kërcënohej vetëm në qoftë se shqiptarët do të dalin para saj si një popull i bashkuar e kompakt me qeverinë e tyre,e cila do ta përfaqësonte zyrtarisht shtetin shqiptar .Marrëveshja që arritën në këtë Konferencë, më 13-14 janar 1920, përfaqësuesit e Anglisë, të Francës e të Italisë për copëtimin e Shqipërisë, midis Italisë, Greqisë dhe të Jugosllavisë,sipas klauzolave të Traktit të Londrës të 26 prillit të vitit 1915, shkaktoi një shqetësim të madh e të ligjshëm në mbar popullin shqiptar, i dha një shtysë të re e të fuqishme forcave të ndryshme shoqërore të vendit e të afroheshin me njëra-tjetrën,të forconim unitetin politik dhe të thërrisnin në janar të vitit 1920 Kongresin e Lushjës. Ky ishte një kuvend mbarëshqiptar,siç thuhet në dokumentet e tij, fryt i “përfundimit të një marrëveshje të përgjithshme e të gjitha viseve të Shqipërisë”, që mori përsipër detyrën e “forcimit të bashkimit e vëllazërimit ndërmjet shqiptarëve,për tu siguruar vetëqeverimin e plotë të Shqipërisë dhe unitetin e gjithë shqiptarëve” (M.Çami;”Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar (përmbledhje dokumentesh) ,Tiranë,1976,vëllimi II-të dok.1). Ajo që karakterizoi Kongresin e Lushnjës dhe Qeverinë Kombëtare e Sulejman Delvinës,ishte bashkimi rreth saj i të gjitha forcave patriotike të popullit dhe i trojeve shqiptare.”Asnjëherë në historinë e vet,-deklaronte në atë ditë Aqif Pashë Elbasani,-kimbi shqiptar nuk ka qenë i bashkuar si është sot,me një dëshirë të patundur që të ketë qeverinë e vet,pas formulës ” Shqipëria për shqiptarët “(Po aty,vëllimi II-të dok.89 ).
Në një kohë me përpjekjet që bëri në rrafsh ndërkombëtar,pranë Konferencë së Paqes së Parisit,kundër traktativave për copëtimin e Shqipërisë midis tri shteteve fqinje dhe për pavarësinë e plotë të vendit,qeveria e re,e vendosi në Tiranë në shkurt të vitit 1920,vazhdoi me konsekuencë veprën e nisur nga Ismail Qemali; bashkoi njëra pas tjetrës viset e ndryshme të atdheut .Por u desh të çlirohej edhe Vlora me krahinën përreth, që kishte mbetur ende nën pushtimin Italian,të derdhej gjaku i qindra luftëtarëve të tjerë që të kryhej vepra e bashkimit kombëtar. Lufta për çlirimin e Vlorës ka hyrë në historinë e Shqipërisë si një epope e lavdishme, në të cilën u shfaq me tërë madhështinë e saj forca e unitetit të popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë dhe të pavarësisë së atdheut. Shtypi shqiptar shkruante në ato ditë” Lufta e Vlorës është një çështje e përbashkët e lidhur me jetën e Shqipërisë; (“Populli”,Shkodër,17.07.1919, “Drita”, Gjirokastër, 16.06.1920 dhe 31.07. 1920).
Në betejat e përgjakshme e të pabarabarta që u zhvilluan në qershor-korrik të vitit 1920 kundër një ushtrie të shumtë në numër e të armatosura deri në dhëmb, në Drashovicë, në Kotë, në Kaninë, në Gjormë, Llogara, Tepelenë e brenda në Vlorë, bashkë me fshatarët e qytetarët e këtyre viseve që përbënin bërthamën kryesore të forcave shqiptare,ishte përfshirë një komb i tërë,i gjithë Shqipëria, mijëra vullnetar nga të gjitha anët e vendit,jo vetëm nga krahinat e afërta të Beratit e Gjirokastrës,por edhe nga Tirana, Elbasani, Korça, Peqini, Kavaja, Shijaku, Kruja, Mati, Dibra, Gramshi,etj.(Lufta e popullit shqiptar…, vëllimi II-të,dok.323). Ishin kompaktësi, uniteti i veprimit, guximi, patriotizmi i zjarrtë, që populli shqiptar shfaqi në luftën e armatosur të Vlorës, ata faktorë që bënë të pavlefshëm Traktatin famëkeq të Londrës të 26 prillit 1915,si dhe projektet antishqiptare të Konferencës së Paqes,ata faktorë që ruajtën shtetin e pavarur shqiptar në kufijtë e vitit 1913.
Ndonëse i takojnë një periudhe disi të largët,këto projekte të atdhetarëve shqiptar për bashkimin kombëtar,mbajnë gjithnjë një theks aktual. Me jehonën që rrezatuan në periudhat pasardhëse,me gjurmët e pashlyeshme që lanë në mendimin politik dhe në veprimtarinë praktike të lëvizjes demokratike e asaj revolucionare të mëvonshme,ato përbëjnë një trashëgimi të vyer,e cila,kaloi brez pas brezi si një mësim e testament i madh,që historia e kaluar i la së tashmes e të së ardhmes të popullit tonë.
Vendi i Lekës 26 Nëntor 2014
Bashkimi kombëtar e bën rishkrimin e historisë
(Njohja e së kaluarës është shkolla e së ardhmes)/
Shkruan: Prof. dr. Nusret Pllana-Universiteti ‘Hasan Prishtina’-Prishtinë /
Në këtë qytet të lashtë, sa vetë historia dhe jeta e shqiptarëve, para 570 vjetesh, kryetrimi ynë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mblodhi princërit shqiptarë në Kuvendin e madh të Lezhës së asaj kohe, më 2 mars të vitit 1444. Që nga ajo kohë, sa duket, historia është tallur me të gjallët e këtij populli, në të gjitha periudhat kohore pas vdekjes së Skënderbeut. Por një mësim i madh i kësaj historie asnjëherë nuk është harruar, duke ju kujtuar dhe rikujtuar shqiptarëve, se pa ato vendimet themelore që kishte marrë Kuvendi i Lezhës, as nuk mund të mbrohej populli, as nuk mund të bëhej bashkimi kombëtar, as nuk do të mund të krijohet një treg i përbashkët shqiptar.
Prandaj që të rishkruhet historia e shqiptarëve, e popullit shqiptar dhe e kombit shqiptar, si dy përkufizime historikisht të ndara, doemos është e nevojshme të sqarohen të gjitha ecejaket e jetës historike të këtij populli, në mënyrë që të dëshmohet se edhe sot e gjithë ditën ka nevojë për një bashkim, ashtu siç ishte konceptuar në Kuvendin e Lezhës, tashti me përmasën e kombit e jo të Principatave, për një ushtri shqiptare, që ta përballojë dhe ta largojë armikun nga tokat e tij, ende të pushtuara, tashti si gjeografi kombëtare, e jo si gjeografi e Principatave mesjetare, si dhe të sigurojë mjete, pra të ketë një arkë të përbashkët për të përballuar shpenzimet e mëdha të luftës, tashti si një luftë për bashkimin kombëtar, e jo si luftë e Principatave shqiptare, që luftonin kundër Perandorisë Osmane. Pra, përmasa kohore, historisë sonë ia ka imponuar edhe përkufizimet, të cilat deshën apo nuk deshën shqiptarët, një ditë do të realizohen.
Hyrje
Kësisoj, prandaj, ndoshta askujt nga ne të gjallët e sotëm, por as baballarëve tanë, pra shqiptarët kudo që janë, kurrë nuk ka mundur t’u shkojë ndërmend se tri vendimet kryesore të Kuvendit të Lezhës, edhe sot janë aktuale, sepse nuk janë realizuar gjatë historisë.
Në historinë tonë të lashtë, ashtu siç e kanë thënë edhe studiues të huaj edhe studiues shqiptarë, thuajse asnjëherë nuk kanë pushuar luftërat, qofshin nëpër krahina të veçanta shqiptare, qofshin në tërë hapësirën e gjeografisë shqiptare. Mirëpo, asnjëherë nuk është bërë një vështrim kritik, dua të them edhe një lexim kritik i historisë sonë, në mënyrë që të shihen edhe mundësitë, edhe rrethanat kohore, edhe mangësitë, por edhe dështimet tona.
Ndonjëherë, aty–këtu, kur ndonjë i huaj, kryesisht dashakeqës për historinë e popullit tonë, thotë edhe ndonjë të vërtetë për dobësitë tona, na vjen inat, gjë që do të thotë se ende nuk jemi ne gjendje të përballemi me realitetin e fakteve historike. Mirëpo, po ashtu dihet fakti se ndoshta një pjesë e madhe e atyre fakteve ende nuk janë zbuluar dhe ende nuk janë publikuar, në mënyrë që të krijojmë një mendim objektiv për rrjedhën e shekujve të historisë në jetën e popullit shqiptar, por edhe në jetën e formimit të kombit shqiptar.
Historia e luftërave dhe e ekzistencës së popullit shqiptar
Kur Sami Frashëri, bashkë me rilindës të tjerë, po hartonte programin e madh kombëtar, “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, i cili ende, as pas Luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është realizuar plotësisht, kishte parasysh po ato kërkesa themelore që kishte vendosur Kuvendi i Lezhës dhe që i kishte zbatuar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Një nga rilindësit e tjerë, ndër më të veçuarit, ishte edhe ideologu i bashkimit shqiptar, Vaso Pashë Shkodrani, i cili duke njohur mirë gjendjen e shqiptarëve të shekullit nëntëmbëdhjetë, shkruante:
‘Çonju, shqyptar, prej gjumit çonju,
Të gjith si vllazën n’nji besë shtërngonju,
E mos shikjoni kish’ e xhamija,
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!’
Pra, katër shekuj më vonë nga vendime të mëdha të Kuvendit të Lezhës, Rilindja jonë kombëtare po kërkonte realizimin e vendimeve të mëdha të Kuvendit të Lezhës, e që ishte krijimi i bashkimit të popullit në luftë kundër pushtuesit, në mënyrë që të çlirohej hapësira e pushtuar e gjeografisë shqiptare.
Rilindësit tanë, sa thonë shënimet historike, publicistike dhe historiko-letrare, e dinin mirë historinë e popullit të tyre, siç i dinin mirë të gjitha luftërat që ishin zhvilluar kundër të huajve. Mirëpo, po ashtu i dinin mirë edhe përçarjet e të gjithë krerëve të këtyre përpjekjeve, ose i dinin, siç thuhet me gjuhën e gazetave të sotme, edhe skenat edhe prapaskenat e luftërave të tyre. Prandaj, e dinin mirë se po nuk u realizua kërkesa themelore e Kuvendin të Lezhës, nuk do të kishte fitore të përmasës kombëtare, siç nuk kishte pasur gjatë gjithë kësaj periudhe historike.
Pra, çështja kryesore që ishte biseduar në Kuvend, ishte bashkimi i vendit në luftë kundër pushtuesit.
Nga ajo kohë e këndej, nuk e di kur ka ndodhur një bashkim i tillë në tokat e gjeografisë shqiptare, përveç në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Këtë bashkim të popullit nuk arritën ta bëjnë as Pashallëqet e Mëdha të Janinës dhe të Bushatlinjëve të Shkodrës, edhe për faktin se nuk arritën ta bashkojnë popullin në luftë kundër pushtuesit.
Këtë nuk e thotë dhe nuk mund ta thotë as historia jonë. Pastaj, varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve, sidomos në luftërat ballkanike, sidomos në Luftën e Parë Botërore, edhe më tutje, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar jo vetëm u përgjysmua, edhe si komb i organizuar, por ju përgjysmua gjeografia e atdheut të tij.
Nëse Principatat e Mesjetës shqiptare, ato që i kishte bashkuar Kuvendi i Lezhës, i cili ishte mbajtur vetëm disa muaj pas kthimit të Skënderbeut në Krujën e tij, kishin arritur të krijonin bashkimin e popullit, kishin arritur të krijonin një ushtri që i kishte përballuar për 25 vjet sulmet gjenocidiale të Perandorisë më të madhe të kohës, nëse kishte arritur të krijonte një arkë të përbashkët, a mund ta thonë periudhat e mëvonshme historike se nuk kanë pasur ku të mësojnë që të bëhen bashkë dhe të luftojnë për lirinë e vendit.
Prandaj, edhe historia jonë, edhe ne si lexues të saj më shumë merremi duke folur për vuajtjet, humbjet, përgjakjet, copëtimet e gjeografisë kombëtare, pushtimet shekullore, e asimilimet aq tragjike, sa ndonjëherë harrohet se njerëzit e atij vendi që është i pushtuar e kanë obligim jetësor dhe qytetarë që të bëhen bashkë e të luftojnë kundër robërisë.
Historia e shqiptarëve dhe historia e ushtrisë shqiptare
Dikush thotë se Ushtria Shqiptare është krijuar me vendimin e Kuvendit të Vlorës, më 1912, kur është shpallur Pavarësia e Shqipërisë. Kështu thotë edhe historia e Ushtrisë Shqiptare. Historikisht dihet se pavarësia ishte shpallur për tërë gjeografinë kombëtare shqiptare. Por që nga ajo kohë, më shumë se gjysma e tokave shqiptare nuk kanë pasur ushtri të veten.
Kush e pruri datën e themelimit të ushtrisë shqiptare në fillim të shekullit nëntëmbëdhjetë, kur ajo ishte bërë në fillim të shekullit pesëmbëdhjetë.
Ideologu i Programit tonë Kombëtar, që nuk është realizuar ende në jetën historike të shqiptarëve, Sami Frashëri, në veprën e tij madhore, “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet’, jep numra të saktë jo vetëm për formimin, por edhe për mënyrën e organizimit të ushtrisë shqiptare, duke përcaktuar numrin e ushtarëve në varësi me hapësirën e gjeografisë kombëtare.
Çështja tjetër ishte krijimi i një ushtrie shqiptare me të gjitha repartet e saj, ashtu siç ishin të organizuara ushtritë më të përparuara të shekullit nëntëmbëdhjetë. Sa di unë, deri sot askush nuk është marrë me këtë çështje në Programin e Rilindjes sonë Kombëtare, të cilin e kishte hartuar Sami Frashëri dhe, i cili, ende nuk është realizuar në jetën e shqiptarëve.
Historia jonë, nuk e thotë saktë se ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, a ishte ushtri e gjithë popullit, apo kishte vetëm pjesëmarrjen e krahinave në të, diçka e ngjashme me pjesëmarrjen e Principatave shqiptare në kohën e Skënderbeut.
Historia e Kuvendit të Lezhës dhe tregu i përbashkët shqiptar
Në vazhdim do të prekë një çështje, që po bëhet për çdo ditë e më shumë aktuale. Prandaj, dua të ndalem te vendimi i tretë i rëndësishëm i Kuvendit të Lezhës. Kjo çështje e tretë, ishte vendimi për krijimin e një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Dhe kjo luftë, siç e thotë edhe historia jonë, edhe ajo botërore, ka zgjatur 25 vjet.
Këtu nuk dua qëllimisht të merrem me faktin se a ka pasur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një arkë të përbashkët, as me faktin se sa kanë dhënë shqiptarët, kudo që janë, për luftën e tyre çlirimtare. Ndoshta, sepse distanca historike ende është e vogël për madhështinë e këtyre ngjarjeve.
Në historinë e popullit tonë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, filluan ato që quhen përcaktime ideologjike, ato që quhen faktorë ndikues krahinash, ato që quhen mos përzierje në punët e brendshme të vendeve fqinje, edhe pse gjeografia kombëtare ishte e copëtuar, po nga këta fqinjë dhe me vendime të Evropës së kohës, edhe pse gjysma e popullit shqiptar ishte i robëruar, edhe pse ky popull mund të jepte e të merrte me këdo tjetër, edhe me kinezët, por vetëm me pjesën tjetër të popullit shqiptar, që kishte krijuar një shtet të vetin, shtetin që edhe sot historia i thotë Shqipëri londineze, pra me këtë popull të këtij shteti, edhe pse edhe ai ishte shqiptar, nuk mund të jepte dhe të merrte pjesa e mbetur nën okupim e popullit shqiptar, pra nuk u lejohej një treg i përbashkët.
Për çudi të zotit, edhe në fillim të shekullit njëzet e një, po kjo Evropë harton një Rezolutë për Kosovën, ku që në fjalinë e parë i ndalohet të bashkohet me vendet fqinje. Doemos se është e kuptueshme. Bëhet fjalë se Kosova e ka të ndaluar të bashkohet me pjesën tjetër të gjeografisë së saj kombëtare, me Shqipërinë. Për fat të popujve të robëruar, luftërat çlirimtare përherë i kanë nëpërkëmbur dhe i kanë bërë të pavlefshme rezolutat e ndryshme në të gjitha kohërat kur janë hartuar ato.
Përfundim
Shqiptarëve nuk u duhet rishkrimi i historisë, kur dihet se ajo shkruhet në pesë a më shumë pjesë, të pushtuar nga pesë a më shumë popuj të ndryshëm, edhe me miratimin xhentëlmen të Evropës, që sot i plasi zemra të bëhet demokratike dhe e bashkuar.
Po, pra, shqiptarëve aktualisht nuk u duhet rishkrimi i historisë në këto kushte dhe në këto rrethana historike që jemi si popull dhe si komb. Nuk u duhet, sepse nuk besoj se ka diku një komb modern në Evropën e sotme që ende është i ndarë, gjeografia kombëtare e të cilit ende është e copëtuar dhe e pushtuar.
Më tutje, nuk u duhet, sepse edhe ajo puna më e vogël, siç është marrëdhëniet e përbashkëta tregtare, fjala vjen, edhe 15 vjet pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk po realizohet në asnjë mënyrë. Shqiptarët andej e këndej kufirti të Shqipërisë londineze, bëjnë më shumë tregti me armikun e tyre historik, se sa në mes dy vendeve të tyre, fatkeqësisht ende të ndara me kufij politikë.
Shqiptarët, pra, jo vetëm nuk kanë një treg të përbashkët, por e dënojnë njëri-tjetrin me lloj-lloj taksash doganore, në doganat që na i kanë caktuar të huajt, qofshin ata edhe miqtë tanë të përhershëm, apo të përkohshëm.
Prishtinë-Lezhë,
Më 7. 11. 2014
Burimet
1. Kristo Frashëri, Skënderbeu i shpërfytyruar, Tiranë, 2009
2. Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i fundit, Tiranë, 2012
3. Sami Frashlri, Shqipëria çka qenë,ç’është dhe çdo të bëhet, Bukuresht, 1899
4. Vaso Pashë Shkodrani, O moj Shqypni, Prishtinë, 1982