• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i shtetit, Yee vizitë në Kosovë

March 28, 2017 by dgreca

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee vizitë dyditore në Kosovë/0-2

-Takime me udhëheqësit kosovarë, përfaqësues të minoriteteve dhe përfaqësues tjerë politikë/0-3

PRISHTINË, 28 Mars 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Zëvendës-ndihmës Sekretari i shtetit, përgjegjës për çështjet europiane dhe euroaziatike, Hoyt Brian Yee, në vizitën sot dhe nesër në Kosovë zhvillon një sërë takimesh me udhëheqësit kosovarë, përfaqësues të minoriteteve dhe përfaqësues tjerë politikë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i shtetit, Yee, diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe për raportet e shkëlqyera midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë të konsoliduara në një miqësi dhe marrëdhënie specifike në shumë sfera.

Hoyt Yee e siguroi kryetarin Veseli për mbështetje të fuqishme të SHBA-së për Kosovën në rrugën e integrimeve euro-atlantike, duke shprehur mbështetjen e parezervë amerikane për Kosovën. Por, në të njëjtën kohë, duke kërkuar që politikat e zhvillimit ekonomik, rritjes së transparencës, qeverisjes së mirë, si dhe luftës kundër korrupsionit, të jenë prioritete të angazhimit të institucioneve të Kosovës.

Në këtë takim, Yee dhe kryeparlamentari Veseli, diskutuan edhe për përgjegjësitë që ka Kosova si shtet i pavarur dhe sovran, në raport me qytetarët e saj, por edhe në raport me fqinjët.

Kryetari i Kuvendit e falënderoi zyrtarin e lartë amerikan për mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke e konsideruar atë vendimtare për shumë procese të cilat e kanë përcjellë vendin tonë në kohë të ndryshme.

Veseli e njohu Yee për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për përkushtimin e institucioneve të vendit për të çuar përpara procesin e integrimit evropian, ndërsa në rrafshin e brendshëm, për t’i dhënë hov të ri zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Sipas axhendës së dërguar nga Ambasada e SHBA në Kosovë, Yee sot takon edhe zëvendëskryeministrin Branimir Stojanovic dhe udhëheqësin e grupit parlamentar “Srpska Lista” Slavko Simic, e më pas  ministren për Dialog Edita Tahiri.Nesër, zëvendës-ndihmës Sekretari i shtetit Hoyt Brian Yee, takon edhe ministrin e FSK Haki Demolli dhe komandantin. gjeneralin Rrahman Rama.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, vizite ne Kosove, zv/ndihmes sekretari Yee

Përkujtohet Masakra në Krushë të Madhe e para 18 viteve

March 27, 2017 by dgreca

IMG_8878-Pranvera në Kosovë, stinë e dhembjes, nderimeve e përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët/IMG_8874

NGA BEHLUL JASHARI/
IMG_8854
PRISHTINË, 26 Mars 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në fshatin Krushë të Madhe të komunës së Rahovecit u mbajt sot tubim përkujtimor për më shumë se 240 martirë të vrarë dhe të masakruar para 18 viteve, në 25,26 e 27 mars 1999, nga forcat serbe.
Presidenti i Kosovës, HashimThaçi në një postim në ‘facebook’ ka shkruar se, një ndër krimet më të mëdha të shtetit të Serbisë kundër popullatës civile shqiptare ndodhi më 25, 26 dhe 27 mars 1999 në Krushë të Madhe të Rahovecit. 
“Edhe në këtë përvjetor shpreh dhembjen për familjet që pësuan rëndë nga ushtrimi i dhunës shtetërore serbe në vitet 1998 -1999. Njëkohësisht inkurajoj sërish organet e drejtësisë që sa më parë të hetojnë këto vrasje dhe masakra kudo në Kosovë”, shprehet presidenti i Kosovës.
Ndërsa kryeministri Isa Mustafa shkruan se, qytetarët e Kosovës nuk do t’i harrojnë kurrë të gjithë të rënët, sakrifica e të cilëve na mundësoi të jemi të lirë.
“Bota demokratike, ashtu siç i bombardoi forcat serbe 18 vjet më parë, duhet ta detyrojë shtetin serb, që të dënojë të gjithë kryesit e krimeve, të zbardh fatin e të pagjeturve dhe të kërkojë falje për krimet e panumërta në Kosovë”, thekson kreu i qeverisë së Kosovës.
Në tubimin përkujtimor të organizuar nga këshilli i fshatit, kryesuesi i Komisionit qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, tha se ka kanë kërkuar që bashkësia ndërkombëtare atë që ndodhi në Krushë të Madhe ta njeh si gjenocid.
Pranvera në Kosovë është stinë e dhembjes, e nderimeve e përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrnjtën lari e pavarësi
Është stina kur përkutohet se, në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Në Izbicë, fshat tjetër i krahinës së Drenicës në Kosovë, përkujtohen 147 civilë shqiptarë të pushkatuar në masakrën e 28 marsit 1999, nga forcat serbe, të cilat në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve i kishin nxjerrë nga varret dhe i kishin dërguar e groposur nëpër varreza masive në Serbi.
Ndër masakrat në Kosovë që do përkujtohen në këtë pranverë është edhe ajo në  fshatin Mejë të Gjakovës, e 27 prillit 1999, kur forcat serbe kanë rrembyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë. Asnjëri nga të ndalurit në rrethimin e hekurt nuk kishte arritur të dilte i gjallë.
Në Kosovë ndodhi edhe masakra serbe në burgun e Dubravës, e datës 22 maj 1999, ku u vranë 114 shqiptarë të burgosur. Forcat kriminale serbe bënë masakra në gjithë Kosovën, edhe në Reçak, në Likoshan dhe Çirez, Obri, Poklek,  Suharekë, Kralan, Goden,  Rogovë,  Celinë, Lubeniq, Makoc, Kotlinë, Fushë Kosovë, Gjakovë, Rahovec, Studime, Kaçandoll, Bajgorë, Shipol, Çabër…
 Në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan nga Kosova mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë,  e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur, ndërsa ende nuk dihet për fatin e mëse 1600 të zhdukurve ende të pagjetur. 

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Krushe, Perkujtohet masakra

EKSPOZITA E ARTISTIT BLERIM LUZHA, SPEKTËR ARTISTIK PLOT NGJYRA E FLORË PRANVERORE

March 25, 2017 by dgreca

2 Luzha Blerim

Ekspozitë retrospektive e Blerim Luzhës në Galerinë Kombëtare të Kosovës/

5 Vizitore2-“Puhi freskuese mes petalesh” në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë – ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës, në 80 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë artistike të tij, është hapur mbrëmë në një ceremoni me shumë pjesëmarrës/

1 Ekspozita Belrim Luzha

-Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI-organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA, Behlul Jashari, ishte ndër të ftuarit në ekspozitë, nga e cila raportoi/

3 Vizitore

-Media e Kosovës:  Ekspozita e artistit Blerim Luzha, spektër artistik plot ngjyra e florë pranverore/

4 IntervistePRISHTINË, 25 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ “Puhi freskuese mes petalesh”, ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës, në 80 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë artistike të tij, është hapur mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

“Blerim Luzha ka krijuar kopsht me ngjyra e me forma të ndryshme. Gjithçka ngjan sikur në Kopshtet e Samiramidas në Babiloni”, u shpreh kuratori Shyqri Nimani në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, ku theksoi “punën rreth gjashtë dekada art e bukuri”.

Shyqri Nimani për Blerim Luzhën ka shkruar: “Rëndësi parësore për të ka zhvillimi i perceptimeve të ndryshme të përdorimit të ngjyrës, yrnekut, trajtës dhe vijës, herë me kompozicione multiplikative, herë me trajtime asimetrike e herë-herë edhe me shfryrje të lira shpirtërore. Në këtë mënyrë autori përcakton filozofinë e konceptimit të krijimtarisë vetanake sipas parimit ‘simbiozë e traditës dhe e kontemporanes me vlera të mirëfillta’. Kështu, gjatë frymëzimeve nga flora natyrore krijohet një vargan me glosar të gjatë të luleve nga më të bukurat dhe nga më të llojllojshmet…:

“I urojmë ditëlindjen artistit, ndërsa e falënderojmë për rreth 17 vite sa ka punuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës”, tha drejtoresha e Galerisë, Arta Agani, duke shtuar se disa nga veprat në ekspozitë janë të para shumë vitesh, “por çuditërisht janë bashkëkohore”.Artisti me studime e specializim edhe në Paris, Luzha nuk ka folur për veprën e vet, derisa pjesëmarrësit e shumë në hapje të ekspozitës, të cilët i falënderoi, shihnin në muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës edhe “dizajnimet me një spektër të frymëzuar piktural që ka aromën e florës së lulëzuar pranverore”.Ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës “Puhi freskuese mes petalesh” do jetë e hapur për një muaj, deri në 24 prill 2017.

Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI- organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA ishte ndër të ftuarit në ekspozitë, për të cilën ka raportuar edhe për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë.

Media kosovare vlerëson ekspozitën, KultPlus ka shkruar:

EKSPOZITA E ARTISTIT BLERIM LUZHA, SPEKTËR ARTISTIK PLOT NGJYRA E FLORË PRANVERORE

Galeria Kombëtare gjithandej ishte mbushur me piktura të artistit, me kompozicione multiplikative ku vërehej një asocim i ardhjes së pranverës. Spektri i veçantë i pëlhurave erdhi me ngjyra të ndryshme, me larushi dedikimesh unike dhe me një simbiozë mes të mirëfilltës, traditës dhe asaj të resë, bashkëkohores, kontemporanes.

Arbër Selmani

Çka panë sytë e tij nëpër Paris, në Beograd e në qytete tjera ku qëndroi për vizita studimore, kjo duke u ndërlidhur edhe me kontaktet e tij me piktorin Ibrahim Kodra, dashuria për natyrën por edhe ajo për artin si diçka që nuk ka fund, sollën lule e petale në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Frymëzimi nga flora i doli në lule: në lulekëmborë, në luleshpatë, zogparajse, në orkide e në tulipanë, në luledielli e jasemin, jo më pak krizantemë. Blerim Luzha erdhi i tëri i kompletuar dhe me sekuencën e krijimtarisë së tij në ekspozitën retrospektive, sonte në kryeqytet.

Ekspozita retrospektive e artistit u hap në praninë e artdashësve të Luzhës. Arta Agani nga Galeria Kombëtare e Kosovës tregoi për ekspozitën e cila sjellë në retrospektivë punën e artistit.

“Së pari i urojmë ditëlindjen artistit, ndërsa e falënderojmë për rreth 17 vite sa ka punuar në Galerinë Kombëtare si kurator i koleksionit. Veprat që po i shihni sonte kanë elemente nga art nouveau e deri te op-arti, me teknike të jashtëzakonshme dhe dizajn të veçantë. Disa prej tyre janë punuar para shumë vitesh por çuditërisht janë bashkëkohore”, tregoi Arta Agani në hapjen e ekspozitës.

Galeria Kombëtare gjithandej ishte mbushur me piktura të artistit, me kompozicione multiplikative ku vërehej një asocim i ardhjes së pranverës. Spektri i veçantë i pëlhurave erdhi me ngjyra të ndryshme, me larushi dedikimesh unike dhe me një simbiozë mes të mirëfilltës, traditës dhe asaj të resë, bashkëkohores, kontemporanes.

Shyqri Nimani, kuratori i ekspozitës, derisa foli mbi jetën e artistit tregoi se ai i përket plejadës së shkollarëve që u larguan për studim në Akademitë e mëdha të Beogradit, Parisit, Ljublanës e Beogradit por u kthyen për të kontribuuar në vendin e tyre, shkruan KultPlus.

“Dhe e vërteta është se u kthyen në këtë vend, pasi specializuan në vende të ndryshme. Për Luzhën, është interesant se ai pati afinitet me Francën, artin e këtij shteti dhe e vizitoi shpesh Muzeun e Luvrit atje. E kjo ekspozitë që është hapur sonte, në fakt është koincidencë që po mbahet pikërisht në Javën e Frankofonisë në Kosovë” tregoi mes tjerash Nimani, në fjalën e hapjes së ekspozitës “Puhi freskuese mes petalesh”.

Kuratori Nimani pohoi në hapjen e ekspozitës së artisti Blerim Luzha, me punën e tij që kapë rreth gjashtë dekada art e bukuri, ka krijuar një floriadë të madhe, me trajtat, elemente, e me ngjyrat që ka përdorur.
“Ai ka krijuar kopsht me ngjyra e me forma të ndryshme. Për ata që janë sonte këtu ose edhe ata që do të kenë rastin ta vizitojnë studion e artistit, gjithçka ngjan sikur në Kopshtet e Samiramidas në Babiloni” thotë mes tjerash kuratori Shyqri Nimani.
Vetë artisti duke përshëndetur familjen dhe bashkëpunëtorët, sidomos bashkëshorten e tij, nuk ka dashur të flasë mbi veprën e tij, por vetëm është falënderuar për të pranishmit që e çmojnë dhe kësisoj e vlerësojnë karrierën e tij, një pjesë e mirë e së cilës erdhi e shpalosur në muret e Galerisë Kombëtare, nga e premtja e 24 marsit.

Blerim Luzha është ndër krijuesit e rrallë shqiptarë që tërë karrierën e tij ia ka kushtuar fushës së tekstileve. Krijimet e tij në Cikli i dezenëve shquhen për imagjinatën e pasur të stilizimeve të motiveve florale me kolorit gamash të ngrohta e të freskëta dhe me struktura atraktive.

Luzha ka punuar në projektet për pëlhura dekorative, për pëlhura të veçanta, të mëndafshit, të pambukut dhe për veshje solemne. Dy vite përfundon specializim në Paris ndërsa udhëtimet e tij studimore janë realizuar në Gjermani, Francë, Çeki, Belgjikë e në shtete tjera.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, E ARTISTIT BLERIM LUZHA, E FLORË PRANVERORE, Ekspozita, SPEKTËR ARTISTIK PLOT NGJYRA

24 MARSI- DITA E AGUT TË LIRISË SË KOSOVËS

March 24, 2017 by dgreca

NATO-Kosove-Behlul-Jashari-1Foto Gazeta DIELLI: Kartela e gazetarit Behlul Jashari dhënë nga NATO-KFOR për të hyrë në Kosovë në 12 qershor 1999 me kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe planetare, paqeruajtëse-shpëtimtare/

1 Bill Klinton Rugova

DITA E AGUT TË LIRISË SË KOSOVËS/

1 NATO-hyrja ne Kosove-Sot u mbushën 18 vjet nga ndërhyrja e NATO-s, forcës më të madhe planetare, shpëtimtare për Kosovën/

2 NATO-Kosove-12Qershor1999--Lajmi që raportova nga Prishtina, përkundër ndërprerjes së linjave, në orën e nisjes së ngjarjes historike të mbrëmjes së 24 marsit 1999/

-“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s/

2 Beluli Rugova-Në  vitin 2005, në mesazhin e fundit të urimit për 24 marsin – Ditën e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s për mbrojtjen e Kosovës, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova theksonte: “Dita e fillimit të fushatës apo sulmeve ajrore, pra 24 marsi i vitit 1999, ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e agut të lirisë për të gjithë ne. Kurse në historinë botërore ka hyrë si ditë për mbrojtjen e një populli dhe për shpëtimin e tij nga e keqja”/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

NATO-Kosove-aviaciniPRISHTINË, 24 Mars 2017/  Pikërisht para 18 viteve 24 marsi 1999 ishte Dita kur ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit, i hapi shteg lirisë së Kosovës. Është kjo edhe një ditë e mirënjohjes e falënderimit të përjetshëm për botën demokratike që nuk lejoi spastrimin etnik dhe zhbërjen e  shumicës shqiptare të Kosovës.

Ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Francë, që kishte nisur në  6 shkurt 1999 kishte përfunduar, nga mesi i marsit, me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar. Edhe derisa bisedohej në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.

NATO-Kosove-aviacioni-1

Ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike po bëheshin të pamundura.Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain, Demë Jashari, në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë- Zvicër raportoja me telefon derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vellai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës, Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë dhe Radio Televizionit Shqiptar-Radio Tiranës, nga të cilat lajmin e morën e transmetuan edhe shumë media botërore.

Në atë mbrëmje të 24 marsit 1999 raportoja nga Prishtina se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të Aleancës Veriatlantike mbi pozicionet e forcave serbe.

Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.

Pasi e raportoja këtë, shtoja se “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.

Raportoja edhe se “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.

Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve, lajmin që shkoi edhe për botën, të dhënë nga banesa në Prishtinë, e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.

Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur në gjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet ku ishin.

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Mëngjesi i 25 marsit 1999 sillte lajme të reja se forcat serbe gjatë natës  kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e SHBA-ve në Prishtinë.

Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta.  Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje të kryeqytetit, për t’i pasur banorët  shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.

Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve, lajmet e fundit që dhash nga Kosova drejt Tiranës ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe  gjatë natës të shqiptarëve në Mitrovicë, kryesisht veprimtarëve e intelektualëve, ndër të cilët ishte edhe poeti Latif Berisha.

U këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimeve dhe nisi kërkimi i ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet.

Raportimet dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 5 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë ishte arritur  Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…

Edhe në atë ditë e orë  historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës nga kolona e tankeve të para të NATO-s  që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit.

Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri në 17 Shkurtin histotik  2008 të shpalljes së Pavarësisë së njohur deri sot nga 114 shtete të botës.

Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaronte: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton kishte theksuar se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.

Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Klinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

Në  vitin 2005, në mesazhin e fundit të urimit për 24 marsin – Ditën e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s për mbrojtjen e Kosovës, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova theksonte: “Dita e fillimit të fushatës apo sulmeve ajrore, pra 24 marsi i vitit 1999, ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e agut të lirisë për të gjithë ne. Kurse në historinë botërore ka hyrë si ditë për mbrojtjen e një populli dhe për shpëtimin e tij nga e keqja”.

Thaci-JacksonNë 20 shtator 2016, komandanti i parë i forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjenerali Sir Michael David Jackson, është dekoruar me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.Gjeneralit Sir Jackson kjo medalje i është ndarë për kontributin e tij në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë gjatë mandatit të tij si komandant i KFOR-it në Kosovë. “Roli i gjeneralit Sir Jackson ka qenë i pazëvendësueshëm, i jashtëzakonshëm, historik për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajon”, tha presidenti Thaçi.“Kemi punuar në kohë sfidash bashkërisht, në procesin e kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre, në tranzicionin demokratik që e kemi kaluar, në përkushtimet e përbashkëta në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, vijoi  presidenti i Kosovës.Nga ana tjetër, gjenerali Sir Michael David Jackson, është shprehur mirënjohës për dekoratën dhe mikpritjen që i është bërë në Kosovë.

“U ktheva në Kosovë shtatëmbëdhjetë vite që kur kisha ardhur këtu për herë të parë, kur, më duhet të them, kisha ardhur pa pasaportë. Është e mrekullueshme për të parë se sa shumë progres keni arritur që nga ajo kohë”, tha gjenerali Sir Michael David Jackson.

Gjithashtu, gjenerali Sir Jackson ka kujtuar edhe ditët e rënda të pasluftës së vitit 1999. “Edhe pse ato ditë të rënda shënuan fillimin e këtij progresi, atëbotë kishte një atmosferë dhe gjendje shumë të rëndë, kurse sot gjërat kanë ndryshuar shumë”, tha komandanti i KFOR-it i përfundimit të luftës në Kosovë. Presidenti Thaçi u shpreh se, populli i Kosovës dhe mbarë bota e dinë se gjenerali Jackson është një nga njerëzit që ka jetësuar Marrëveshjen e Kumanovës për futjen e trupave të NATO-s në Kosovë.

7 Lajmi

 

Filed Under: Featured Tagged With: 24 Marsi, Behlul Jashari, DITA E AGUT, TË LIRISË SË KOSOVËS

Kosova në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

March 22, 2017 by dgreca

-Nënkryetarët e Kuvendit te Kosoves Haliti e Petrovic marrin pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sarajevë/

1 Haliti e PopovicSarajevë, 22 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Në Sarajevë ka filluar punimet Asambleja Parlamentare e NATO-s, në të cilat po merr pjesë edhe një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.Njoftimi i dërguar thekson se, delegacionin nga Kosova po e kryeson Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit dhe nënkryetari tjetër, Slobodan Petrovic.Për tri ditë sa do të zgjas mbledhja e 94-të “Rose-Roth” e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, do të analizohet situata politike dhe e sigurisë në rajon dhe në vendet që po kalojnë kriza të mëdha, për sa i përket sigurisë, luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, sigurisë në Evropë, shtensionimit të marrëdhënieve dhe uljes së tensionit nacionalist në mes vendeve e kombeve të shteteve të Ballkanit.Në këtë mbledhje fillimisht kanë folur kryetari i Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës dhe nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Sverre Myrli.Në mbledhje po marrin pjesë edhe përfaqësuesit e shteteve të Lindjes së Mesme, të Afrikës, si dhe të rajonit. Arsyeja e mbajtjes së kësaj mbledhjeje në këtë përbërje është ndërlidhja e ngjarjeve të fundit.Delegacioni i Kosovës gjatë kësaj mbledhjeje do të angazhohet që ta promovojë idenë e paqes, lirisë, integrimit të rajonit në BE, promovimin e dëshirës dhe gatishmërisë për të vazhduar dialogun në mes të popujve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti me Serbinë.Po ashtu janë planifikuar edhe takime me delegacionet e vendeve të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Delegacioni i Kuvendit të Kosovës me përfaqësuesit e NATO- s do të bisedojë edhe lidhur me rrugët që duhet ndjekur për të realizuar objektivin e Kosovës, për ta themeluar ushtrinë dhe për të qenë anëtare e barabartë me vendet tjera në këtë organizatë./b.j/

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Asamblea e NATO-S, Behlul Jashari, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 137
  • 138
  • 139
  • 140
  • 141
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT