Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee vizitë dyditore në Kosovë/
-Takime me udhëheqësit kosovarë, përfaqësues të minoriteteve dhe përfaqësues tjerë politikë/
PRISHTINË, 28 Mars 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Zëvendës-ndihmës Sekretari i shtetit, përgjegjës për çështjet europiane dhe euroaziatike, Hoyt Brian Yee, në vizitën sot dhe nesër në Kosovë zhvillon një sërë takimesh me udhëheqësit kosovarë, përfaqësues të minoriteteve dhe përfaqësues tjerë politikë.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i shtetit, Yee, diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe për raportet e shkëlqyera midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë të konsoliduara në një miqësi dhe marrëdhënie specifike në shumë sfera.
Hoyt Yee e siguroi kryetarin Veseli për mbështetje të fuqishme të SHBA-së për Kosovën në rrugën e integrimeve euro-atlantike, duke shprehur mbështetjen e parezervë amerikane për Kosovën. Por, në të njëjtën kohë, duke kërkuar që politikat e zhvillimit ekonomik, rritjes së transparencës, qeverisjes së mirë, si dhe luftës kundër korrupsionit, të jenë prioritete të angazhimit të institucioneve të Kosovës.
Në këtë takim, Yee dhe kryeparlamentari Veseli, diskutuan edhe për përgjegjësitë që ka Kosova si shtet i pavarur dhe sovran, në raport me qytetarët e saj, por edhe në raport me fqinjët.
Kryetari i Kuvendit e falënderoi zyrtarin e lartë amerikan për mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke e konsideruar atë vendimtare për shumë procese të cilat e kanë përcjellë vendin tonë në kohë të ndryshme.
Veseli e njohu Yee për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për përkushtimin e institucioneve të vendit për të çuar përpara procesin e integrimit evropian, ndërsa në rrafshin e brendshëm, për t’i dhënë hov të ri zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
Sipas axhendës së dërguar nga Ambasada e SHBA në Kosovë, Yee sot takon edhe zëvendëskryeministrin Branimir Stojanovic dhe udhëheqësin e grupit parlamentar “Srpska Lista” Slavko Simic, e më pas ministren për Dialog Edita Tahiri.Nesër, zëvendës-ndihmës Sekretari i shtetit Hoyt Brian Yee, takon edhe ministrin e FSK Haki Demolli dhe komandantin. gjeneralin Rrahman Rama.