• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, Këshill Organizativ për festimet e 9 vjetorit të Pavarësisë

February 8, 2017 by dgreca

Qeveria-Kosove-8shkurt2017-1Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës sot në mbledhje/Qeveria-Kosove-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-8shkurt2017

-Qeveria e Kosovës, për punën e Këshillit Organizativ për shënimin e nëntë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndau sot 70 mijë euro/

-Qeveria miraton tre marrëveshje financiare në vlerë prej 158 milionë, janë negociuar paraprakisht me qeveritë e Austrisë, Francës dhe Hungarisë/

-Kryeministri Isa Mustafa, e ka njoftuar kabinetin qeveritar për marrëveshjen që është arritur për rrënimin e murit në pjesën veriore të Mitrovicës dhe planin për ndërtimin e sheshit atje: Komuna e Mitrovicës së veriut  ka zbatuar me përpikëri marrëveshjen/

PRISHTINË, 8 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kosova përgatitet për festimet e 9 vjetorit të Pavarësisë, të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, qeveria në mbledhjen e sotme vendosi për themelimin  e Këshillit Organizativ,  i cili do të ketë këtë përbërje:

-Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryesues;

-Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar;

-Ministria e Punëve të Jashtme, anëtar;

-Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar;

-Zyra e Kryeministrit, anëtar;

Po ashtu janë ftuar që të dërgojnë nga një përfaqësues në Këshill edhe:

-Zyra e Presidentit, anëtar;

-Kuvendi i Republikës së Kosovës, anëtar;

-Komuna e Prishtinës, anëtar;

-Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, anëtar;

-Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, anëtar; dhe përfaqësues të OJQ-ve.

Për punën e Këshillit Organizativ për shënimin e nëntë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 70 mijë euro.Ndërsa, që në fillimin e sesionit pranveror, në mbledhjen e parë të këtij viti të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare është vendosur që ditën e përvjetorit të pavarësisë në 17 shkurt 2017 të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Kosovës.Shpallja e pavarësisë para 9 viteve është pasuar me miratimin nga Kuvendi në  9 prill 2008 të Kushtetutës së Republikës, e cila në nenin 1 përcakton se “Kosova është ështet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Kushtetuta ka hyrë në fuqi në 15 qershor 2008, dhe në këtë një zhvillim shumë i rëndësishëm ishte dekretimi i 41 ligjeve të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së.Një nga këto ligje është është ai për festat zyrtare në Republikën e Kosovës të miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, sipas të cilit Dita e Pavarësisë 17 Shkurti, po edhe Dita e Kushtetutës 9 Prilli, janë festa shtetërore.Republika e Kosovës deri tash është njohur nga 113 shtete anëtare të OKB-së dhe është anëtarësuar në mbi 50 organizata ndërkombëtare, prej atyre politike, të sigurisë, ekonomike etj.

QEVERIA MIRATON TRE MARRËVESHJE FINANCIARE NË VLERË PREJ 158 MILIONË

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, miratoi  3 marrëveshje financiare në vlerë prej 158 milionë euro, të cilat janë negociuar paraprakisht me qeveritë e Austrisë, Francës dhe Hungarisë. Poashtu, qeveriia miratoi Garancinë Shtetërore me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës në vlerë prej 24 milionë euro.Ministri i Financave Avdullah Hoti në prezantimin e këtyre marrëveshjeve para kabinetit qeveritar, në lidhje me Projektligjin për Marrëveshjen Financiare me qeverinë e Austrisë, bëri të ditur se kjo i mundëson qeverisë së Kosovës marrje të huasë nga qeveria austriake në vlerë deri në 30 milionë euro për investime në projekte të ndryshme kapitale.Lidhur me Projektligjin për Ratifikimin e Protokollit Financiar në mes të qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Francës dhe Marrëveshjen për Hua për zbatimin e këtij Protokolli ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit të Qeverisë Franceze –NATIXIS, ministri Hoti bëri të ditur se, në 5 korrik të vitit të kaluar është nënshkruar Protokolli Financiar për bashkëpunim ndërshtetëror.“Në këtë marrëveshje është parashikuar nënshkrimi i marrëveshjes për Hua për financimin e Projektit të trajtimit të ujërave të zeza në komunën e Prishtinës, Fushë-Kosovës dhe Obiliqit. Në 19 janar 2017 kemi nënshkruar edhe Marrëveshjen për Hua me ç’rast i kemi kompletuar Marrëveshjet e nevojshme për fillimin e përgatitjeve për realizim të projektit.  Kjo Marrëveshje ka një vlerë totale 66 milionë euro, normë efektive të interesit vjetorë 0.036%, grejs periudhë 5 vite, si dhe një periudhë të kthimit 25 vite” , tha ministri.Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe qeverisë Hungareze për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar, sipas ministrit Hoti, është një Kornizë për bashkëpunim financiar në mes të dy shteteve për financimin e projekteve në sektorët e ujërave/ujërave të zeza si dhe infrastrukturës.Sipas tij, marrëveshja me qeverinë e Hungarisë ka një vlerë totale 62 milionë euro, normë efektive të interesit vjetorë 0.00%, grejs periudhë 1.5 vite, si dhe një periudhë të kthimit 17 vite. Ndërsa, sa i përket miratimit të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës (FSDK) ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ministri Hoti bëri të ditur se,  janë zhvilluar negociatat me BERZH dhe se vlera financiare e kësaj marrëveshje është  24 milionë euro.

KRYEMINISTRI ISA MUSTAFA: KOMUNA E MITROVICËS SË VERIUT  KA ZBATUAR ME PËRPIKËRI MARRËVESHJEN

Në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës,kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar kabinetin qeveritar për marrëveshjen që është arritur për rrënimin e murit në pjesën veriore të Mitrovicës dhe planin për ndërtimin e sheshit atje.“Kemi pas takime intensive me përfaqësuesit e Komunës së Veriut, kryetarin e Komunës dhe përfaqësues tjerë të komunitetit serb. Nga ana e deputetëve dhe ministrave që janë tek ne, kemi pas poashtu një përkushtim të madh dhe të drejtë, mjaft parimor dhe ligjor të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Kanë punuar shumë edhe ministri Ferati, edhe zëvendësministri Gecaj në këtë fushë. Është arritur një marrëveshje, e cila konsideroj se është shumë e mirë. Është një marrëveshje ligjore, është zgjidhë një problem në mënyrën më të mirë, në saj të mirëkuptimit. Edhe veprimin e mënjanimit të atij muri e ka bërë vetë Komuna dhe organet komunale. Ministria e Mjedisit dhe ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal gjatë gjithë periudhës i kanë marrë të gjitha masat ligjore dhe i kanë respektuar këto procedura në përpikëri, prej vërejtjeve që i ka dhënë Inspeksioni i Ministrisë së Mjedisit deri në momentin e fundit kur është hartuar dhe nënshkruar marrëveshja. Komuna e Mitrovicës së Veriut poashtu ka zbatuar me përpikëri marrëveshjen që kemi lidh, sikurse edhe dy ministritë tona të cilat kanë punuar edhe ditën e shtunë që të kryejnë të gjitha veprimet që janë kërkuar nga këto ministri dhe tani kam informatën që kemi kërkesë nga Komuna e Veriut që të bashkëpunojnë ngushtë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në procesin e mbikëqyrjes së këtyre punimeve, në mënyrë që çdo gjë të bëhet, që është një shembull shumë i mirë”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, falënderoj kryeministrin dhe tërë ekipin e tij që gjatë tërë periudhës së bisedimeve, në negociata, kemi kryer punën e bisedimeve. “Këtë po e them me theks të veçantë, sepse ne gjithçka që kemi bërë ka qenë edhe legjislative edhe në ambientet e brendshme të institucioneve tona, dhe esenciale është që ne kemi biseduar me pushtetin lokal dhe përfaqësuesit, e përfaqësuesit qendror të komunitetit serb. Që nga faza e implementimit, gjegjësisht të fillimit të ndërtimit, pas marrjes së informacioneve kronologjike, ne kemi kryer të gjithë hapat e ndërprerjes në fillim të punimeve. Të them të drejtën edhe ndërprerja e punimeve është rasti i parë, i veçantë ose unik, që ata fillojnë me zbatuar vendimin dhe procesverbalet tona, pastaj orvatjet tjera për të modeluar janë ndërprerë përsëri nga inspektorët tanë. Kemi filluar procedurat juridike, por paralelisht kësaj asnjëherë nuk e kemi ndërprerë komunikimin në nivel zyrtar me përfaqësuesit e pushtetit lokal të komunës së Mitrovicës së Veriut. Kanë filluar bisedimet pas ngritjes së atij tensioni dhe me ndihmën edhe të partnerëve, që dua t’i falënderoj këtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadorin Delaëie, përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian, znj. Apostolova, ekipet e tyre dhe përfaqësuesit e dy institucioneve tona, zëvendësministrin dhe ekipin e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me kabinetin e kryeministrit. Këto kanë qenë palët që kanë biseduar gjatë tërë kohës, normal me grupet e ekspertëve, profesionistë nga Instituti i Planifikimit Hapësinor dhe ekspertë tjerë që kanë qenë pjesë e logjistikës gjatë fazës së bisedimeve për projekte, dhe detaje tjera teknike dhe urbanistike.   Ajo që për mua është tepër e rëndësishme është që ne kemi zbatuar ligjin në përpikëri, kemi kryer detyra kushtetuese, kemi realizuar dhe arrit që edhe pjesa e asamblistëve të komunës së Mitrovicës së Veriut, të pajtohen plotësisht me këtë marrëveshje, për herë të parë kemi një dakordim të të gjitha partive politike, pa marrë parasysh nga çfarë krahu vijnë, e aprovojnë këtë projekt, dhe për herë të parë kemi një projekt në komunën e Mitrovicës së Veriut që i kalon të gjitha procedurat legale juridike nga niveli lokal deri në nivel qendror, dhe retroaktivisht, kërkesën dhe përgjigjet tona. Pra, marrëveshja është plotësisht legale, është arrit mes palëve të institucioneve tona, sepse këtu ka tendenca dhe implikime, dhe është bërë gjithmonë në ambientet zyrtare të Republikës së Kosovës. Ndihmesë të madhe kanë dhënë të gjitha ata që u thanë më herët, por që e veçanta tjetër është që, pas arritjes së kësaj marrëveshje, ka filluar implementimi dhe kemi realizim pothuajse qind për qind deri në këtë moment, të asaj që është arritur dhe të asaj që është planifikuar.

Çka parasheh marrëveshja? Marrëveshja parasheh në rend të parë largimin e murit, rrënimin e tij, i cili është realizuar brenda afatit të paraparë. Marrëveshja ka paraparë pastaj dizajnimin e planit të sheshit, i cili është plan që është negociuar gjatë, për çdo detaje të tij, edhe juridike, edhe teknike, edhe hapësinore, konform legjislacionit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe pushtetit lokal të komunës së Mitrovicës së Veriut.Pas hartimit të këtij plani, pas debatimit dhe zgjidhjeve urbanistike për gjithë qasjen në shesh, është arrit që plani të plotësoj komponentët e lëvizjes së lirë, me të gjitha elementet tjera përbërëse, siç janë, shtegu për çiklizëm, shtegu për këmbësor, shtegu për siguri, shtegu për lëvizje të lirë, të të gjithë kësaj pjese territoriale.E veçantë tjetër e projektit është që lidhet me projektin që Bashkimi Evropian është duke e zbatuar në Urën e Ibrit, një projekt i mëhershëm. Pra, i ka të gjitha komponentët urbanistike dhe planifikuese që korrespondon me pjesën tjetër të jugut dhe me pjesën e projektit të Urës së Ibrit.Ky projekt është harmonizuar dhe ka përafërsisht në 90 për qind të projektit, të njëjtat standarde dhe kritere teknike dhe urbanistike, me ato që janë hartuar dhe janë sot në zbatueshmëri edhe në projekte e Bashkimin Evropian por edhe në të gjitha qytetet tona.Pozicioni gjeografik dhe situata që ka qenë atje, ka krijuar një kërkesë teknike që në një pjesë të rreth rrotullimit që lidhet me pjesën qendrore të sheshit, ka qenë kërkesë edhe shkencore edhe teknike, edhe politike ndoshta, me pas një lloj ndarje, pengese, që mos me pas qasje direkte në rreth rrotullim, që është kërkesë legjitime, sepse në asnjë vend nuk ka qasje në rreth rrotullim këmbësori,  por i ka në dy krahët në rreth rrotullim, shtigjet e këmbësorëve dhe shtigjet tjera përcjellëse. Pra, në këtë pjesë, që së fundi është bërë debat jo është mur jo s’është mur, nuk ka mur, në atë shesh nuk ka mure, ka vazo lulesh me dy nivele, me një lartësi i pari 40 centimetra, dhe i dyti maksimum 70 centimetra, ku do të jenë të hapura në mes, të mbushura me dhe për lule, dhe asnjë lloj muri, asnjë lloj simbolike, asnjë lloj kriteri tjetër nuk ka. Ky komponent është i domosdoshëm dhe shkon me gjithë pjesën tjetër përbërëse. Në të dy krahët e rrethit ka qasje për këmbësor dhe ka qasje për automjete. Në krahun e djathtë kemi 9 metra portë hyrëse në shesh me pengesa hidraulike, që janë arsyetuar dhe pajtuar të dy palët që emergjencat, siguria, rastet e veçanta të zjarrfikëse, mund të depërtojnë në shesh pa asnjë lloj problemi, pa asnjë lloj pengese, por njëkohësisht kjo pjesë përdoret edhe për lëvizjen e lirë të këmbësorëve, sepse pengesat janë 1 metër e 20 larg njëra-tjetrës, dhe këso raste kemi edhe në sheshin “Nëna Terezë”  në Prishtinë , kemi edhe në sheshet e Bashkimit Evropian, si sheshi i Berlinit që është kështu i bllokuar, dhe shumë sheshe tjera. Në pjesën tjetër të majtë të rreth rrotullimit, që lidhet me pjesën veriore, kemi një rrugë të re, që është pjesë e këtyre shesheve dhe këtyre projekteve, ku ka qasje edhe këmbësori edhe automjetet, për t’u lidh me pjesën qendrore, Lagjen e Spitaleve, lartë, e kështu me radhë.

Në të dy krahët të gjitha shtigjet lidhin Lagjen e Boshnjakëve me Kroin e Vitakut, dhe kemi një kompozicion infrastrukturor që edhe komunikon edhe krijon hapësirë për lëvizje të lirë me të gjitha pjesët e qytetit, edhe në veri edhe në jug.

Unë jam i bindur se kjo është një zgjidhje e mirë dhe e arritshme, dhe tash çka mund të them është që deri në këtë fazë, edhe sot, Marrëveshja po realizohet në përpikëri, dhe dje ka filluar projekti i implementimit të sheshit. Shërbimet tona profesionale të kadastrit, gjeodetët tanë, dhe trupat inspektuese të Ministrisë, në bashkëpunim të ngushtë me kryetarin e komunës së Mitrovicës së Veriut, kanë vendosur shenjat, kuotat, apo reperët e projektit, në bashkëpunim të plotë, pa asnjë lloj problemi, pa asnjë lloj eksesi, dhe po fillon ndërtimi i sheshit nën mbikëqyrjen ligjore, dhe profesionale të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Është rasti i parë kur në mënyrë ligjore, legale dhe të qetë po realizohet një projekt në pjesën veriore, dhe po integrohet qyteti hap pas hapi me metodat dhe praktikat më të mira civilizuese. Edhe njëherë ju falënderoj të gjithë ata që kanë ndihmuar, dhe ju garantoj që nuk kemi nevojë për asnjë lloj shqetësimi që do të ketë mure tjera, që do të ketë ndarje tjera, që do të ketë pengesa tjera në lëvizje. Gjithçka është transparente. Ne tashmë e kemi publikuar komplet Marrëveshjen në uebsajtin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kush dëshiron e ka aty, por jemi të hapur edhe për biseda, pyetje e përgjigje, për detaje të caktuara. Faleminderit edhe njëherë”, tha ministri Shala.Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, tha se kanë qenë bisedime shumë konstruktive. “Falënderoj kryetarin e Komunës së Mitrovicës Veriore, z. Rakiq, që vërtetë ka qenë i vështirë në negociata, por mjaftë konstruktiv dhe tani kemi arrit, që një proces, i cili është nis në mënyrë joligjore, është kthyer komplet në kornizat ligjore të Republikës së Kosovës”, tha zëvendësministri Gecaj, duke falënderuar të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë proces.Kryeministri Mustafa, tha se nga fillimi deri në fund kanë pas një koordinim të plotë edhe me Presidentin e vendit edhe me kryetarin e Parlamentit dhe të gjitha informatat, bashkërenditjet, koordinimet janë bërë në nivel të plotë dhe se të gjitha institucionet e vendit kanë qenë të kyçura duke nxjerrë një rezultat shumë të mirë. “Në të gjitha bisedat, pa marrë parasysh a i kemi zhvilluar ditën a natën, të shtunave, të dielave, ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Delaëie, ambasadorja e BE-së, znj. Apostolova, ka pas edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian që janë marrë drejtpërdrejt më këtë çështje që kanë qenë së bashku me ne. Prandaj, është një praktikë shumë e mirë që ne të gjitha problemet edhe çështje mund t’i zgjidhim më mënyra të tilla dhe është një mirëbesim edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Keshill Organizativ, Koosve, per pavaresine

Alpinistët Kosovarë drejt majës së Everestit

February 7, 2017 by dgreca

-Presidenti Thaçi ua dorëzon alpinistëve flamurin e Kosovës për ta ngritur në majën e Everestit/01

PRISHTINË, 7 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI/  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një grup të alpinistëve kosovarë, të cilët në muajt e ardhshëm do të ngjitën në majën e Everestit.

02

Presidenti Thaçi ka theksuar se përmes sukseseve në shumë disiplina sportive, kosovarët janë duke forcuar identitetin shtetëror dhe duke e promovuar Kosovën në botë.“Jam i vetëdijshëm për rreziqet që paraqet kjo ekspeditë dhe do t’iu mbështesim në çdo hap”, ka shtuar presidenti Thaçi.Nga ana tjetër, udhëheqësi i grupit të alpinistëve, Nazmi Hasanramaj, ka thënë se kjo ekspeditë i kushtohet shtetit të Kosovës dhe për porosi ka paqen dhe promovimin e shtetësisë.“Qëllimi final është ngritja e flamurit të Kosovës në Everest, që sot na dhuruat”, ka shtuar ai.Grupi i përbërë nga Nazmi Hasanramnaj, Qëndrim Sopi, Arineta Mula dhe Haki Hasanramaj janë duke i vazhduar përgatitjet për ngjitjen e vargmaleve më të larta në botë, të cilat janë mbi 8800 metra të larta.“Tash e tri vjet jemi duke u përgatitur. Përgatitjet psikofizike jemi duke i vazhduar intensivisht, ndërsa profesionalisht dhe shpirtërisht jemi përgatitur për të gjitha sfidat, rreziqet dhe sakrificat e mundshme që mund të na presin atje”, ka thënë Hasanramaj.Presidenti Thaçi e ka vlerësuar lart guximin e alpinistëve për këtë iniciativë dhe rrugëtim përplot sakrificë.“Pushtimi i majave të Everestit dhe ngritja e flamurit të Kosovës nga ju, do të jetë një lajm i jashtëzakonshëm për republikën tonë”, është shprehur presidenti Thaçi./b.j/

Filed Under: Sport Tagged With: Alpinistët Kosovarë, Behlul Jashari, drejt majës së Everestit

Kosovë-Mitrovica pa mur ndarje, rrënohet ngrehina ilegale në veri

February 5, 2017 by dgreca

-Në mesditën e 5 shkurtit 2017 nisën punët në rrënimin e murit ilegal afër urës në veri të Mitrovicës, të ngritur nga serbët lokalë/1 Muri

–Media serbe: Në vend të murit në Mitrovicë së shpejti konstruksioni i ri/!2 Muri

-“Gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e Zyrës së BE-së si dhe të Ambasadës së SHBA-ve, ne, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, jemi pajtuar që të zgjidhim çështjen e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore”, bëhej e ditur në komunikatën e përbashkët, të dërguar nga qeveria dje në orën 02:00 pas mesnate/3 shembet

-Media serbe: Në vend të murit në Mitrovicë së shpejti konstruksioni i ri/PRISHTINË, 5 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Mitrovicën e Veriut sot në mesditë sapo nisën punët për largimin e murit të ngritur afër urës kryesore të qytetit në dhjetorin e vitit të kaluar nga serbët lokalë, e të kundërshtuar, si ilegal dhe ndarës të qytetit, nga autoritetet e Kosovës në Prishtinë. Punimet zhvillohen nën masa të shtuara të sigurisë të Policisë së Kosovës. Veprimet e para të rrethimit të zones së punimeve për rrënimin e murit janë kryer që mbrëmë.

Ndërsa, dje është mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, ku është prezantuar e miratuar edhe një marrëveshje lidhur me murin që ishte arritur mes Ministrisë së Ambientit e Planifikimit Hapësinor të Kosovës dhe autoriteteve lokale, të njoftuar dy orë pas mesnate.

Pas arritjes së marrëveshjes, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, është shprehur se, “Kosova është e pandashme dhe më s’do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë”.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka theksuar se, “Mitrovica do të jetë qytet i bashkuar dhe i lirë në lëvizje dhe qendër e emancipimit qytetar në Republikën e Kosovës”.

Një deklarim i qeverisë së Kosovës pritet në një konferencë shtypi të paralajmëruar për sot pasdite.

“Gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e Zyrës së BE-së si dhe të Ambasadës së SHBA-ve, ne, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, jemi pajtuar që të zgjidhim çështjen e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore”, bëhej e ditur në komunikatën e përbashkët, të dërguar nga qeveria dje në orën 02:00 pas mesnate.

“Së bashku, ne kemi arritur një zgjidhje, e cila do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një ambient të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës”, thuhej  në komunikatë.

“Gjatë ditëve në vijim, ne do të njoftojmë publikun me planin e rishikuar për zonën e këmbësorëve, e cila buron nga marrëveshja në kuadër të dialogut të BE-së, që ka të bëjë me projektin e BE-së për urën”, thekson komunikata.

 

“Ne jemi të vetëdijshëm që çështja ka shkaktuar paqartësi në periudhën paraprake, por jemi kënaqur që të gjithë ne kemi pasur një qasje konstruktive në mënyrë që të përmbyllim këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme”, përfundon komunikata e përbashkët.

Në 29 dhjetor 2016 Kuvendi i Kosovës ka miratuar  një rezolutë të harmonizuar nga subjekte të maxhorancës e opozitës, ku kërkohej rrënimi brenda muajit janar të vitit 2017 i murit ilegal të ngritur në dhjetor 2016 nga serbët në veri të qytetit të Mitrovicës, afër urës mbi lumin Ibër.

 

 

MEDIA SERBE: NË VEND TË MURIT NË MITROVICË SË SHPEJTI KONSTRUKSIONI I RI

 

Në Mitrovicën Veriore ka nisur sot largimi i murit, i cili “sipas planit të rregullimit do zëvendësohet me konstuksion të ri”. Kështu raporton media serbe e Beogradit, që në minutat e para të fillimit të punimeve të rrënimit të murit ilegal me një eskavator, sot në mesditë. “Në vend të murit në Mitrovicë së shpejti konstruksioni i ri”, është titull i raportimit të medias serbe.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Mitrovice, muri, serbet

NATO në Kosovë, garanton paqen dhe sigurinë

February 3, 2017 by dgreca

1 Ecen Mustafa Stolenberg

 -Kosova e vlerëson lartë rolin e NATO-s dhe po ashtu aspiron për t’u bërë anëtare e saj/

1 Ok Thaci Stolenberg

-Kosova e gatshme t’i avancojë marrëdhëniet me NATO-n/

Operational briefing at KFOR headquarters

-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në Prishtinë takoi autoritetet e Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa, ministrin e FSK-së, Haki Demolli…/

Korrespondenti-i Gazetes-DIELLI-Behlul-Jashari-ne-konfernce-per-shtyp-te Jens-Stoltenberg-NATO_Isa-Mustafa-Kosove-3shkurt2017-Prishtine

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1 Konf Shtypi

PRISHTINË, 3 Shkurt 2017/ KFOR-i do të vazhdojë misionin e vet në Kosovë për të siguruar një mjedis të qetë e paqësor, tha sot në Prishtinë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke theksuar se stabiliteti në rajon është shumë i rëndësishëm.“NATO është në Kosovë. NATO e ka këtu forcën e vet, KFOR-in, që garanton paqen dhe sigurinë në këtë rajon, si pjesë e angazhimit për ruajtjen e paqes në Evropë”, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi bashkë me kryeministrin Isa Mustafa, ndërsa më parë kishte takuar presidentin Hashim Thaçi.Kryeministri Mustafa the se, Kosova e vlerëson lartë rolin e NATO-s dhe po ashtu aspiron për t’u bërë anëtare e saj. “Të gjitha subjektet politike në Kosovë pa marrë parasysh të pozitës apo opozitës, janë deklaruar që Republika e Kosovës është plotësisht e angazhuar për integrimet evropiane dhe ato euroatlantike”, theksoi kryeministri Mustafa.

4 Stolenberg Mustafa

FJALA A PLOTË E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS ISA MUSTAFA NË KONFERENCËN PËR SHTYP PAS TAKIMIT ME SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM TË NATO-S, JENS STOLTENBERG:

Kjo vizitë e lartë e sekretarit të NATO-s në Kosovë, është një nder i madh për Kosovën dhe për institucionet e Republikës së Kosovës.Dëshiroj ta falënderoj për hapat që i ka ndërmarrë NATO-ja për rritjen e bashkëpunimit me Kosovën dhe për interesin e përbashkët që ne të shkojmë përpara me një bashkëpunim të veçantë ashtu siç është përcaktuar në NATO.

Ne me 5 dhjetor të vitit të kaluar, kemi marrë përgjigje në letrën time nga ju z. Sekretar, për bashkëpunim në fusha të rëndësishme për ne, dhe mua më vjen veçanërisht mirë që Kosova do të mund të përfitojë nga bashkëpunimi praktik me NATO-n, nga programet specifike të mbrojtjes së rrjeteve informatike, nga edukimi, trajnimi dhe logjistika, nga programi i ndërtimit të integritetit, nga pjesëmarrja në aktivitetet e NATO-s, shkenca për paqe dhe siguri dhe nga përfshirja e FSK-së në ushtrimet e caktuara.Kosova e vlerëson lartë rolin e NATO-s dhe po ashtu aspiron për t’u bërë anëtare e saj. Të gjitha subjektet politike në Kosovë pa marrë parasysh të pozitës apo opozitës, janë deklaruar që Republika e Kosovës është plotësisht e angazhuar për integrimet evropiane dhe ato euroatlantike dhe unë mendoj se ky është një qëndrim i përbashkët i të gjithë neve në Kosovë dhe i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ne e vlerësojmë lartë rolin e KFOR-it dhe e shohim se është në interes të paqes dhe stabilitetit qëndrimi i mëtejmë i KFOR-it në Kosovë, dhe vlerësojmë se prania e KFOR-it është element shumë i rëndësishëm i ndjenjës së sigurisë, sidomos të komuniteteve, por edhe kontribut i paqes në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.Qeveria e Republikës së Kosovës është thellë e përkushtuar që të gjitha çështjet t’i zgjidhë përmes procesit të dialogut.Dialogu me Serbinë është orientim strategjik i politikave tona për normalizimin e marrëdhënieve me këtë shtet, mirëpo përkundër kësaj qasje, ne kohëve të fundit kemi pasur disa provokime sistematike, për të cilat jemi marrë vesh në Bruksel që t’i kapërcejmë me paqe dhe mirëkuptim dhe që të ndërtojmë një mjedis, në të cilin do të mbizotërojë paqja në këtë pjesë të rajonit.Unë vlerësoj se procesi i dialogut të deritashëm ka dhënë rezultate pozitive dhe ajo mbetet e vetmja alternativë në të ardhmen. Jemi të përkushtuar të punojmë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Jemi të interesuar që t’i integrojmë të gjitha serbët në institucionet e Republikës së Kosovës dhe po ashtu ju garantoj se popullata serbe është plotësisht e sigurt në Kosovë dhe askush nuk ka nevojë të shqetësohet për atë, pavarësisht motiveve për të cilat mund të shfaqin këto shqetësime.Ne po bëjmë përpjekje që gjithashtu me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të krijojmë marrëdhënie të mira bazuar në interes të përbashkët.Ne i gëzohemi procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe këtë e shohim gjithashtu si kontribut të paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet që me Malin e Zi ta kapërcejmë çështjen e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit dhe konsiderojmë se kjo është çështje e jona, sepse ne me Malin e Zi kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme.Po punojmë edhe në fusha të tjera. E njoftova Sekretarin e NATO-s, edhe në fushën e ekonomisë për rezultatet që i kemi arritur në vitet e kaluara dhe për rritjen ekonomike prej mbi 4 për qind që kemi arritur gjatë këtyre dy viteve, për uljen e përgjithshme të papunësisë, për investimet e jashtme direkte, për rolin që ka Marrëveshja për Stabilizim Asocim në integrimet tona evropiane dhe po ashtu për punën që po bëjmë në reformat evropiane.Shpreha po ashtu nevojën që të kemi një mbështetje, ashtu siç e kemi pasur edhe deri më tani, edhe sa i përket transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës, sepse FSK-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet. Po ashtu e njoftova Sekretarin e Përgjithshëm se ne kemi biseduar me pjesëtarët e popullatës jo shumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë këtyre dy viteve të kaluara, mirëpo ky proces po mbahet peng për shkak se nuk kemi përkrahjen e deputetëve serb, jo për shkak të vullnetit të tyre, por konsideroj për shkak të ndikimit të drejtpërdrejt të Serbisë, prandaj edhe transformimi i FSK-së ka mbetur problem i këtij pengu.Ne kemi bërë punë mjaft të rëndësishme edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe po japim prioritet të veçantë kësaj lufte. Është arritur një efikasitet më i lartë i gjyqësorit dhe prokurorisë në këtë fushë, dhe po ashtu kemi të arritura më të mira edhe tek shërbyesit civil.Kemi evidentuar po ashtu arritje të mira edhe në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, kemi ndal tërësisht fluksin e shkuarjes dhe të bashkimit të njerëzve tanë në fronte të jashtme, dhe po ashtu kemi arrit një bashkëpunim shumë të mirë me komunitetet fetare, me shoqërinë civile, me shkollat, me bizneset, por edhe me komunitetet tjera, në mënyrë që bashkërisht të punojmë në këtë fushë.Prandaj, z. Sekretar, unë dëshiroj që të vlerësoj lartë dhe të mirëpres vazhdimin e qëndrimit të KFOR-it në Kosovë si mision tepër i rëndësishëm për ne, të vlerësoj lartë krijimin e bazës shumë të rëndësishme të bashkëpunimit në fushën me interes të përbashkët, që është vërtetuar edhe me letrën tuaj, të shpreh vazhdimin e përkushtimit tonë për avancimin e marrëdhënieve me NATO-n në rrafshin politik dhe në rrafshin praktik, të shpreh përkushtimin e vendit tonë për paqe, për stabilitet, dhe marrëdhënie të mira me fqinjët dhe për zgjidhjen dhe normalizimin e problemeve me Serbinë përmes procesit të dialogut, se Kosova në suaza të mundësive të saj do të jetë një aleat i fuqishëm i juaji në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, dhe se jemi fuqimisht të interesuar të transformojmë Forcat e Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, si forcë e cila  do të jetë mbështetëse aktive e paqes dhe stabilitetit, dhe se është në interes të Republikës së Kosovës pjesëmarrja jonë në operacionet e mbështetjes së paqes, të preferuara nën ombrellën e NATO-s.

1 Thaci

PRESIDENTI THAÇI PRITI SEKRETARIN STOLTENBERG: KOSOVA E GATSHME T’I AVANCOJË MARRËDHËNIET ME NATO-N

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka pritur Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin ka biseduar për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.Në takim me sekretarin Stoltenberg, presidenti Thaçi ka vlerësuar lart punën e KFOR-it në Kosovë, duke thënë se me përkushtimin e tyre kanë arritur që të jenë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë.“Kosova e vlerëson shumë rolin tuaj dhe gatishmërinë e shprehur për të krijuar një bazë për rritjen e bashkëpunimit tonë. Shteti ynë mbetet i përkushtuar për avancimin e marrëdhënieve me NATO-n, si në rrafshin politik, ashtu edhe praktik”, u shpreh presidenti Thaçi.“Aspirata e vetme e Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi dhe sekretari Stoltenberg kanë biseduar edhe për angazhimin e autoriteteve kosovare në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, por edhe për dialogun me Serbinë dhe raportet fqinjësore me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

170203a-015

MINISTRI I FSK, HAKI DEMOLLI ZHVILLOI TAKIM ME SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM TË NATOS, JANS STOLTENBERG

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama zhvilluan një takim të përbashkët me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jans Stoltenberg.Në takim, u bisedua për situatën e sigurisë në vendin tonë, hapat që duhet ndërmarrë lidhur me ruajtjen e paqes dhe sigurisë si dhe stabilitetit të Kosovës, si dhe zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës.Nga ana e tij, ministri Demolli e njoftoj Sekretarin e NATO-s, Jans Stoltenberg, mbi zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, avancimin e saj në drejtim të krijimit të përmbushjes së misionit të saj në mbështetje të institucioneve dhe qytetarëve të vendit si dhe në krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për përfshirjen e komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë, për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.Gjithashtu, ministri Haki Demolli duke shprehur mirënjohje për angazhimin e NATO-s për paqe në Kosovë përmes trupave të KFOR-it tha se aktualisht Republika e Kosovës është duke u përpjekur seriozisht që të zhvillojë dhe konsolidojë mekanizmat e saj të sigurisë për të ardhmen, gjithnjë bazuar në konsensus politik të brendshëm dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar.Nga ana e tij, Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Stoltenberg deklaroi një mbështetje të pa rezervë për FSK-në përmes Ekipit Këshillues ndërlidhës të NATO-s (EKNN), misionin dhe kapacitetet, duke shprehur konsideratë të lartë për profesionalizmin dhe angazhimin e saj të treguar deri më tani.Gjatë vizitës, Sekretari i Përgjithshëm te NATO-s, Jens Stoltenberg ka takuar edhe  komandantin e KFOR-it, Gjeneral Majorin, Giovanni Fungo, trupat e KFOR-it si dhe përfaqësues evropianë në Kosovë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, garanton, Gazeta Dielli, NATO në Kosovë, paqen dhe sigurinë

Kryeministri i Shqipërisë në Kosovë, diskutime edhe për sfidat e përbashkëta

February 2, 2017 by dgreca

-Kryeministri Rama theksoi “domosdoshmërinë për një fund ashtu siç e kërkon e drejta dhe siç e meriton Kosova të një procesi tërësisht të tepërt për Ramush Haradinajn”/

1 rama Kosove

-Kryeministri Mustafa priti në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama/

2 Rama AAK

-AAK: Qyfyret e Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk kanë të ndalur/

3 rama Ahmeti

PRISHTINË, 2 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama,  në vizitën sot në Kosovë takoi në mesditë zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lideri i së cilës Ramush Haradinaj ndodhet në Francë i ndaluar me një fletarrest të Serbisë.Kryeministri shqiptar pas takimit theksoi “domosdoshmërinë për një fund ashtu siç e kërkon e drejta dhe siç e meriton Kosova të një procesi tërësisht të tepërt për Ramush Haradinajn”.“Kemi diskutuar më gjerë edhe për situatënnë tërësi e për sfidat e përbashkëta”, tha Rama në konferencën për shtyp.Në vazhdim të vizitës, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama e priti në takim kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.Gjatë vizitës, edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa priti në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, sot pasdite.

KRYEMINISTRI MUSTAFA PRITI NË TAKIM KRYEMINISTRIN E SHQIPËRISË, EDI RAMA

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, bën të ditur njoftimi dërguar nga zyra e shtypit e qeverisë kosovare.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramiz Kelmendi, u bisedua për forcimin e mëtejmë të  bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve si dhe për proceset zhvillimore në Kosovë, Shqipëri dhe rajon.
Kryeministri Mustafa, pasi e njoftoi kryeministrin Rama për progresin në Kosovë, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zgjerimin e shkëmbimeve dhe të raporteve ndërmjet dy shteteve.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit bilateral me Kosovën.
Gjatë takimit, u bisedua edhe për proceset integruese euroatlantike dhe për angazhimin e dy vendeve në këtë rrugë.

AAK: QYFYRET E KRYEMINISTRIT TË SERBISË, ALEKSANDËR VUÇIÇ, NUK KANË TË NDALUR

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dërgoi sot këtë deklaratë:Qyfyret e Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk kanë të ndalur. Le që ai dhe Qeveria e tij, sajojnë e trillojnë akuza kundër figurave qëndrore politike në Kosovë, në kohën kur i bëjnë 100 marifete për të asgjësuar dëshmitë e krimeve të politikanëve serbë kundër shqiptarëve, por i japin të drejt vetës që të bëjnë shpifjet më ordinere për Kosovën dhe për AAK-në, si parti politike.Ia kujtojmë Kryeministrit të Serbisë se AAK-ja është parti politike e regjistruar në Kosovë e jo në Serbi dhe nëse ajo është parti nacionaliste apo jo, e vlerëson elektorati i Kosovës dhe jo ai e njerëzit e tij. Kosova poashtu është shtet i pavarur dhe nuk e ka ndërmend ta pyes Aleksandër Vuçiçin se kur dhe si do ta pres kryeministrin e një shteti sovran, siç është edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.Vuçiç është mirë t’i hetojë 110 zyrtarët serbë se si i asgjësuan dëshmitë për krime lufte në Kosovë, e të mos merret me AAK-në e me Kosovën, sepse shpija ka zot.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kryeminsitri rama, vizite ne Prishtine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 145
  • 146
  • 147
  • 148
  • 149
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT