• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova mbështetet nga Malta në proceset integruese drejt BE-së

March 28, 2016 by dgreca

-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në vizitë shtetërore në Maltë. Presidentja Marie Louise Coleiro Preca shprehu mbështetjen e plotë të Maltës ndaj proceseve integruese të Kosovës, duke e përfshirë atë të liberalizimit të vizave dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Malta do të marrë presidencën e EU-së vitin e ardhshëm.

 PRISHTINË, 27 Mars 2016-B.Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, sot filloi vizitën shtetërore dy ditore në Maltë. Në delegacion me Presidenten Jahjaga, janë edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, zonja Hikmete Bajrami, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu dhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zherka. Njoftimi i dërguar sonte thekson se, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u prit nga presidentja e Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, në pallatin presidencial në Valletta. Presidentja Jahjaga pati takim bilateral me presidenten Marie Louise Coleiro Preca, ku diskutuan për fusha të bashkëpunimit ne mes të dyja vendeve.

 Presidentja Marie Louise Coleiro Preca theksoi se Malta dhe Kosova mund të kenë bashkëpunim në ekonomi, bujqësi dhe shërbime. Ajo tha se pas vizitës së saj në Kosovë dhe vizitës së Presidentes Jahjaga në Maltë janë intensifikuar marrëdhëniet në mes të të dyja vendeve.

 Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka shumë për të ofruar në fushën e bujqësisë dhe shërbimeve dhe është e kënaqur që nesër edhe zyrtarisht dy odat ekonomike, ajo e Kosovës dhe e Maltës, do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi, i cili do të ndihmojë bizneset e të dyja vendeve për aktivitete të shtuara afariste.

 Presidentja Jahjaga kërkoi ndihmën e Maltës në proceset e integrimit Evropian, për të cilat Kosova është e përkushtuar, e veçanërisht pasi që Malta do të marrë presidencën e EU-së vitin e ardhshëm.

 Presidentja Marie Louise Coleiro Preca shprehu mbështetjen e plotë të Maltës ndaj proceseve integruese të Kosovës, duke e përfshirë atë të liberalizimit të vizave dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

 Presidentja Jahjaga, gjithashtu pati takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës, George Vella

 Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohje për ndihmën e politikës së jashtme të Maltës, në iniciativat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga kërkoi ndihmën e mëtutjeshme të Maltës, në procesin e njohjeve.

 Ministri i Punëve të Jashtme, George Vella, theksoi se Kosova ka mbështetje të plotë të Maltës në politikë të jashtme. Ai tha se Malta do ta përkrah Kosovën në njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Organizatën Botërore të Tregtisë, përfundon njoftimi i dërguar.

Media e Maltës, të cilës i referohet edhe ajo kosovare, ka raportuar se, Presidentja e Maltës, Marie-Louise Caleiro Preca ka pritur presidenten Jahjaga në pallatin San Anton, për një takim kokë më kokë dhe se atje do të inaugurohet edhe monumenti për Nënë Terezën.

Në 16 shkurt të këtij viti, Presidentja e Republikës së Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, ishte për vizitë shtetërore në  Kosovë dhe u prit me ceremoni zyrtare në Sheshin Ibrahim Rugova, ku të dy presidentet parakaluan para Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kosova mbështetet nga Malta në proceset integruese drejt BE-së

-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në vizitë shtetërore në Maltë. Presidentja Marie Louise Coleiro Preca shprehu mbështetjen e plotë të Maltës ndaj proceseve integruese të Kosovës, duke e përfshirë atë të liberalizimit të vizave dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Malta do të marrë presidencën e BE-së vitin e ardhshëm. Odat ekonomike të Kosovës dhe të Maltës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

 PRISHTINË, 28 Mars 2016-B.Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, po zhvillon një vizitë shtetërore dy ditore në Maltë, ku  u prit nga presidentja Marie Louise Coleiro Preca, në pallatin presidencial në Valletta.

 Presidentja Jahjaga pati takim bilateral me presidenten Marie Louise Coleiro Preca, ku diskutuan për fusha të bashkëpunimit ne mes të dyja vendeve.

 Presidentja Marie Louise Coleiro Preca theksoi se Malta dhe Kosova mund të kenë bashkëpunim në ekonomi, bujqësi dhe shërbime. Ajo tha se pas vizitës së saj në Kosovë dhe vizitës së Presidentes Jahjaga në Maltë janë intensifikuar marrëdhëniet në mes të të dyja vendeve.

 Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka shumë për të ofruar në fushën e bujqësisë dhe shërbimeve dhe është e kënaqur që sot edhe zyrtarisht dy odat ekonomike, ajo e Kosovës dhe e Maltës, nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi, i cili do të ndihmojë bizneset e të dyja vendeve për aktivitete të shtuara afariste.

 Presidentja Jahjaga kërkoi ndihmën e Maltës në proceset e integrimit Evropian, për të cilat Kosova është e përkushtuar, e veçanërisht pasi që Malta do të marrë presidencën e BE-së, vitin e ardhshëm.

 Presidentja Marie Louise Coleiro Preca, shprehu mbështetjen e plotë të Maltës ndaj proceseve integruese të Kosovës, duke e përfshirë atë të liberalizimit të vizave dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

 Presidentja Jahjaga, gjithashtu pati takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës, George Vella. Ajo shprehu mirënjohje për ndihmën e politikës së jashtme të Maltës në iniciativat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe kërkoi ndihmën e mëtutjeshme në procesin e njohjeve.

 Ministri i Punëve të Jashtme, George Vella, theksoi se Kosova ka mbështetje të plotë të Maltës në politikë të jashtme. Ai tha se Malta do ta përkrah Kosovën në njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

 Në delegacion me Presidenten Jahjaga, janë edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu dhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zherka.

Media e Maltës, të cilës i referohet ajo kosovare, ka raportuar se, Presidentja e Maltës, Marie-Louise Caleiro Preca ka pritur presidenten Jahjaga në pallatin San Anton, për një takim kokë më kokë dhe se atje do të inaugurohet edhe monumenti për Nënë Terezën.

Në 16 shkurt të këtij viti, Presidentja e Republikës së Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, ishte për vizitë shtetërore në  Kosovë.

KOSOVË-MALTË, ODAT EKONOMIKE MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI/

Odat ekonomike të Kosovës dhe të Maltës nënshkruan sot në Valletta marrëveshje bashkëpunimi.

Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga dhe Presidentja e Republikës së Maltës Marie Louise Coleiro Preca morën pjesë në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliut dhe kryetarit të Odës Ekonomike, ndërrmarjeve dhe industrisë të Maltës Anton Borg.

 “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është hapi i parë i zhvillimit të mardhënieve në mes të të dyja vendeve në fushën e ekonomisë. Ky memorandum do t’i mundësojë bizneseve të Kosovës dhe Maltës që të shtojnë aktivitetet afariste dhe të zgjerojnë tregjet e tyre”, thekson njoftimi i sapodërguar.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, drejt BE-së, Kosova mbështetet nga Malta, në proceset integruese

Kosova 17 vjet nga ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, Dita që i hapi shteg lirisë

March 24, 2016 by dgreca

Foto: Lajmi i parë i mbrëmjes së 24 marsit 1999 për goditjet e para të aviacionit të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s për Kosovën, i dërguar me lidhje satelitore nga Prishtina në Tiranë përmes Zvicrës. Demë Jashari nga Zvicëra-Lozana mundësoi raportimet, lidhjet me vëllain – gazetarin, korrespondentin në Kosovë

   -Lajmet që raportova nga Prishtina, përkundër ndërprerjes së linjave, në orët e nisjes së ngjarjes historike të mbrëmjes së 24 marsit 1999/

-Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve./

-“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s./

-Në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton…/

NGA KORRESPONDENTI NË KOSOVË I GAZETËS DIELLI, BEHLUL JASHARI

PRISHTINË, 24 Mars 2016/ Sot u bënë 17 vjet nga 24 marsi 1999 – Dita kur ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit, i hapi shteg lirisë së Kosovës. Është kjo edhe një ditë e mirënjohjes e falënderimit të përjetshëm për botën demokratike që nuk lejoi spastrimin etnik dhe zhbërjen e  shumicës shqiptare të Kosovës.

Ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Francë, që kishte nisur në  6 shkurt 1999 kishte përfunduar, nga mesi i marsit, me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar. Edhe derisa bisedohej në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.

Ndërkohë, për shkak të rreziqeve,  shumica e reporterëve të mediave ndërkombëtare bashkë me misionin vëzhgues të OSBE-së ishin larguar nga Kosova para fillimit të ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike.

 Në 24 mars 1999, ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare – ATSH-në lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike ishin bërë të pamundura.

Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain, Demë Jashari, në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë- Zvicër raportoja me telefon derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vellai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës…Në mbrëmjen e 24 marsit 1999 raportoja nga Prishtina se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të Aleancës Veriatlantike mbi pozicionet e forcave serbe.Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.Pasi e raportoja këtë, shtoja se “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.

Raportoja edhe se “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.

Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve, lajmin që dhash edhe për Radio Tiranën, me të cilën pastaj u lidha edhe drejtpërdrejtë në raportime. Lajmet për ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë shkonin për gjithë kombin shqiptar edhe për botën, të raportuara nga Prishtina, nga lagjeja Ulpiana, nga banesa ime e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.

Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur në gjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet ku ishin.

PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA NË UASHINGTON, NË TAKIM ME PRESIDENTIN AMERIKAN BILL CLINTON: DUHET TË NA NDIHMOSH

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaronte: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton kishte theksuar se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.

Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Klinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

MËNGJESI PAS NATËS SË PARË TË GODITJEVE TË NATO-s MBI CAQET E FORCAVE SERBE NË KOSOVË

Mëngjesi i 25 marsit 1999 sillte lajme të reja se forcat kriminale serbe gjatë natës  kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, në Prishtinë kishin rrëmbyr në shtëpi avokatin e veprimtarin e njohur për të drejtat e liritë njerëzore, Bajram Kelmendi, me dy bijtë e tij, të cilët i ekzekutuan. Forcat serbe kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e SHBA-ve në Prishtinë.

Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta.  Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje të ndryshme, për t’i pasur banorët  shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.

Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve të NATO-s, lajmet e fundit që dhash nga Kosova ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe  gjatë natës të shqiptarëve në Mitrovicë, kryesisht veprimtarëve e intelektualëve, ndër të cilët ishte edhe poeti Latif Berisha.

Atë mëngjes u këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimit dhe nisi kërkimi i ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet.

MË SHUMË SE 12 MIJË ARRINTE NUMRI I SHQIPTARËVE TË VRARË E MASAKRUAR, AFËR NJË MILION U DËBUAN NGA KOSOVA

Raportimet dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 5 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

Më 31 mars 1999, forcat policore serbe hyjnë forcërisht në Rezidencën e Presidentit Rugova në Velani – Prishtinë, duke mbajtur atë dhe familjen e tij në arrest shtëpiak deri në 5 maj…

Në 5 maj 1999, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash të Qeverisë italiane dhe të Selisë të Shenjtë, Presidenti Rugova së bashku me familjen largohet për në Itali.
Me t’u vendosur në Itali, Papa Gjon Pali II e pret në audiencë Presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së bashku me familjen. Nga Italia, Presidenti Rugova nis aktivitetin e tij intensiv diplomatik për çështjen e Kosovës. Kërkon intensifikimin e fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë.
Gjatë muajit maj Presidenti Rugova takon kryeministrin britanik Bler, kancelarin gjerman Shrëder, shefin e diplomacisë franceze Vedrin, Sekretaren Amerikane të Shtetit Ollbrajt. Ndërsa, në qershor Presidenti Rugova viziton Spanjën dhe takon Mbretin Huan Karlos dhe Kryeministrin spanjoll Aznar. Po ashtu, në qershor Presidenti Rugova viziton Shtabin e NATO-s në Mons, Belgjikë, ku takohet me Sekretarin e Përgjithshëm, Havier Solanën, dhe komandantin e NATO-s, Ueslli Klark.
Po ashtu gjatë muajit maj Presidenti viziton refugjatët kosovarë të luftës në Gjermani, Itali dhe Maqedoni…

Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë ishte arritur  Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…

Edhe në atë ditë e orë  historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja për Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s  që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit.

Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri në 17 Shkurtin histotik  2008 të shpalljes së Pavarësisë së njohur deri sot nga 111 shtete të botës.

MESAZHI I FUNDIT I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA I URIMIT PËR 24 MARSIN: DITË E AGUT TË LIRISË PËR TË GJITHË NE

Mesazhi i fundit i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova i urimit për 24 marsin – Ditën e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s për mbrojtjen e Kosovës ishte para 11 vitesh – në vitin 2005:

Dita e fillimit të fushatës apo sulmeve ajrore, pra 24 marsi i vitit 1999, ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e agut të lirisë për të gjithë ne. Kurse në historinë botërore ka hyrë si ditë për mbrojtjen e një populli dhe për shpëtimin e tij nga e keqja.
Sot, pas gjashtë vjetësh në liri, mund të themi se Kosova pa pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Këtë progres do ta bënte më të madh dhe më të shpejtë njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës sa më parë. Pra, një Kosovë e pavarur, demokratike e stabile, e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-të, është vullneti politik i popullit dhe i qytetarëve të Kosovës.
Për këto gjashtë vjet, KFOR-i, NATO, ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë. Kështu, KFOR-i, NATO, është bërë forcë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës, që nga fëmijët deri te pleqtë.
Me këtë rast, urime të përzemërta u bëjmë ushtarëve të KFOR-it, komandantëve të zonave dhe Komandantit De Kermabon. Njëherësh urime të sinqerta u shprehim UNMIK-ut dhe Kryeadministratorit Petersen, si dhe OSBE-së dhe ambasador Fieskit.
Urime të përzemërta u bëjmë përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Filed Under: Histori Tagged With: 17 vjet nga nderhyrja e NATO-s, Behlul Jashari, kosova

Kosova, masa reciproke ndaj Serbisë

March 23, 2016 by dgreca

-Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e qeverisë së Kosovës vendos masa reciproke ndaj Serbisë për mosnjohjen e certifikatës së ADR-së. Ministrja Hykmete Bajrami, thirrje autoriteteve serbe që të jenë më bashkëpunuese dhe të njohin dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Sot u mbledh qeveria, nesër Kuvendi i Kosovës në seancë plenare me 10 pika në axhendë/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Mars 2016/Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa,zhvilloi sot mbledhjen e saj të rregullt, të 81-ën me radhë, në të cilën miratoi projektligje, koncept dokumente dhe vendime që bien në fushën e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka njoftuar kabinetin se më datën 21 mars 2016 ka marrë vendim që të vendoset masa reciproke ndaj Republikës së Serbisë, duke mos njohur certifikatën e ADR-së për automjetet si dhe certifikatën e ADR-së për shoferët, të lëshuar nga autoritetet serbe për transportuesit, eksportuesit e Serbisë të cilët realizojnë eksportin e derivateve të naftës dhe gazit në Kosovë.

 “Me këtë vendim, është obliguar Dogana e Kosovës që të mos njeh certifikatën e ADR-së të lëshuar nga autoriteti serb. Vendimi është marrë pas përpjekjeve të shumta të qeverisë së Kosovës për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë fillimisht ka kërkuar nga autoritetet serbe që të marrin masat e duhura për të eliminuar këtë barrierë, por nuk ka pasur përgjigje pozitive. Pastaj e kemi lajmëruar rastin në Sekretariatin e CEFTA-s dhe çështja është diskutuar në takimin e fundit të nënkomitetit për barriera jo tarifore në nivel të CEFTA-s, i cili takim është mbajtur më 3 mars 2016, por sërish pala serbe nuk ka treguar gatishmëri për zgjidhjen e kësaj çështje”, tha Bajrami. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, po ashtu bëri të ditur se kjo çështje është ngritur edhe në nivel më të lartë politik.

 “Ministrja e dialogut, Edita Tahiri ka kërkuar edhe ndërhyrjen e BE-së, dhe më 18 shkurt 2016, në Bruksel është mbajtur takimi i grupit punues trepalësh mes Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësuar nga BE-ja për çështjen e certifikatës ADR, për të kërkuar nga pala serbe njohjen e certifikatave përkatëse të ADR-së, por pala serbe sërish nuk ka treguar bashkëpunim. Kështu që, kjo masë vjen pas shterimit të të gjitha alternativave tjera që përmes dialogut të gjendet një zgjidhje. Përndryshe, që nga data 28 gusht 2015, kompanitë kosovare importuese që merren me importin dhe transportin e derivateve të naftës dhe të gazit nga Serbia, janë ballafaquar me një barrierë tregtare të vazhdueshme të vendosur nga autoritetit e Serbisë, duke mos iu njohur atyre certifikatat e ADR-së për automjetet dhe për shofer, të cilat janë të lëshuara nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Maqedonisë”, tha ministrja Bajrami.

 Më tej, ministrja Hykmete Bajrami tha se në bazë të vendimit të datës 16 shtator 2015, Ministria e Ndërtimtarisë, e Komunikacionit dhe e Infrastrukturës së Serbisë, pati nxjerr një vendim me të cilën iu mundësonte kompanive kosovare të transportojnë deri më 31 dhjetor 2015, dhe të vazhdojnë transportin e derivateve të naftës dhe gazit pa pengesa.

 “Përkundër këtij vendimi të lëshuar nga pala serbe, kompanitë e Kosovës përsëri nga data 15 tetor 2015 nuk kanë pasur mundësi të importojnë derivatet e naftës dhe gazit, për shkak se autoritetet e Serbisë prapë kanë vazhduar të mos i njohin certifikatat e ADR-së të Kosovës dhe as të Maqedonisë, që bie në kundërshtim me vendimin e lartpërmendur dhe me parimet e tregtisë së lirë të përcaktuara me rregullat e CEFTA-s”, tha ministrja Bajrami, duke i bërë thirrje autoriteteve serbe që të jenë më bashkëpunuese dhe të njohin dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve.

Gjatë mbledhjes së sotme është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme dhe objekteve të “Banka themelore e Bankës së Lubjanës në Prishtinë”, të cilat ndodhen në Zonën kadastrale Prishtinë, për nevoja të qeverisë së Republikës së Kosovës.

Qeveria miratoi edhe katër koncept dokumente: për rregullimin e fushës së pensioneve, për çështjen e trajtimit të ndërtimeve pa leje, për çështjet e kadastrit, si dhe për rregullimin e shërbimeve private të sigurisë në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” Sh.A. në Prishtinë dhe Ndërmarrjes Publike Lokale “Ambienti” Sh.A në Ferizaj.

Me vendimin e miratuar nga qeveria e Kosovës janë ndarë mjetet për Qendrën e Kinematografisë së Kosovës. Ky vendim është edhe  një vlerësim për arritjet e Qendrës Kinematografike të Kosovës pas nominimit të filmit “Shok” për çmimin Oscar.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për autorizimin e organizatës joqeveritare ECMI Kosova për mbështetjen e punës së Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.

Edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është miratuar sot nga kabineti qeveritar.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Sipas ndryshimeve në këtë Ligji, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me miratimin e kryetarëve të gjykatave, mund të transferojë një gjyqtar në një gjykatë tjetër për një periudhë kohore të arsyeshme, në rastet kur gjykata tjetër ka numër të pamjaftueshëm të gjyqtarëve për shqyrtimin e lëndëve.

Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për aprovimin në parim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Maltës për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve.

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot edhe koncept-dokumentin për rregullimin e fushës së pensioneve.  Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se qëllimi kryesor është që të krijohen politika më të mira pensionale për qytetarët e Kosovës dhe shtetasit e huaj të cilët jetojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe të përhershme në Kosovë.

Mbledhja e sotme e qeverisë së Kosovës ishte e 14-ta në vitin 2016, ndërsa, nesër mblidhet Kuvendi i Republikës në seancë plenare me 10 pika në axhendë, mes të cilave “Formimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik”.

Në 18 mars, qeveria e Kosovës, ka miratuar vendimin për t’i riproceduar Kuvendit të Republikës kandidatët për kryetar dhe anëtarë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Në 15 mars, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku nuk mori pjesë opozita, e cila ka paralajmëruar vazhdimin e protestave kundër qeverisë në 26 mars,  deputetët e maxhorancës me mosvotim kanë dështuar ta kompletojnë Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, që është një nga tetë kriteret e përcaktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave.

Ndërkohë, në Kosovë ka qëndruar një mision i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave. Ky mision i paraprinë vizitës së Komisionerit Avramopoulos,  të paralajmëruar në Kosovë për t’u njohur për së afërmi me progresin e bërë në adresimin e kritereve të fundit për të rekomanduar më pastaj heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.

Sipas Ministrisë së Integrimeve, prezantimet dhe informatat e ofruara nga ana e institucioneve të Kosovës gjatë takimeve të zhvilluara me ekspertët e shteteve anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian u kanë mundësuar atyre të kenë një vlerësim gjithëpërfshirës.

Sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në seancën e nesërme, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare do të shqyrtohen dy projektligje: për herë të parë Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, ndërsa për herë të dytë, atë për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar.

Më pas, Kuvendi do të shqyrtojë tre raporte: raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me mbikëqyrjen buxhetore të Skemës së Ndihmës Sociale për periudhën 2013-2015, raportin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2014, si dhe raportin e Komisionit për të Drejta dhe Interesa të Komuniteteve dhe Kthim, lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për fshatin Hoçë e Madhe dhe Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Në fund, pritet të emërohet një anëtar në Bordin për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, kosova, masa reciproke, ndaj Serbisë

Kosova, mundësi Diasporës në Bono Thesari

March 22, 2016 by dgreca

-Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti: Ne si Ministri do të vazhdojmë koordinimin me Bankën Qendrore në aspektin e emetimit, por edhe me Ministrinë e Diasporës sa i përket shpërndarjes sa më të gjerë të mesazhit njoftues për këtë mundësi të re/

PRISHTINË 22 Mars 2016-B.JASHARI/ Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, në konferencë shtypi sot ka bërë të ditur se Ministria e Financave po e hap zyrtarisht kampanjën informuese për mundësinë e re të investimit që do t’i ofrohet diasporës sonë.“Këtë vit, për herë të parë do të emetojmë letra me vlerë, dedikuar diasporës tonë. Këto letra me vlerë do të quhen Bono për Diasporën dhe do të kenë afat maturimi prej 5 vitesh, mirëpo me mundësinë që investimi të shitet nëse paraqitet nevoja. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme investimi për të gjithë bashkatdhetarët tanë, marrë parasysh që me ligj i tërë investimi është i garantuar nga shteti, por edhe interesi i fituar është i liruar nga tatimi. Ne si Ministri do të vazhdojmë koordinimin me Bankën Qendrore në aspektin e emetimit, por edhe me Ministrinë e Diasporës sa i përket shpërndarjes sa më të gjerë të mesazhit njoftues për këtë mundësi të re”, shtoi ministri Avdullah Hoti.Ai gjithashtu theksoi se gjatë kampanjës informuese në ditët dhe javët në vijim, do të njoftoheni edhe me detajet tjera në lidhje me këtë produkt, përfshirë edhe normën e interesit si dhe procedurat për investim. Në këtë Konferencë ministri Avdullah Hoti paraqiti para mediave edhe një kronologji të zhvillimit të hovshëm të këtij tregu që nga themelimi, ku bëri të ditur se ”Tregu i letrave me vlerë në Republikën e Kosovës filloi më 18 janar të vitit 2012, kur Ministria e Financave në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Qendrore por edhe me sektorin bankar, emetoi për herë të parë Bono Thesari në vlerë 10 milionë euro dhe me afat maturimi 3 muaj”.

 “Mirëpo ky ishte vetëm fillimi, sepse në po të njëjtin vit, u lansua edhe Bono me afat 6 mujor, dhe viti 2012 përfundoi me gjithsej 74 milionë euro të emetuara. Në vitin 2013 (24 prill) portofoli i instrumenteve të ofruara u zgjerua edhe më tutje me lansimin e Bonos me afat 12 mujor dhe në po këtë vit u emetuan edhe 80 milionë euro Bono të reja. Në vitin 2014 (31 mars) u lansua edhe Obligacioni i parë qeveritar, me afat prej 2 vitesh dhe viti u përmbyll me emetimin e 102 milionë eurove. Ky vit gjithashtu është shënuar si vit ku për herë të parë kemi blerjen e Bonove edhe nga individë privatë, sepse deri në këtë vit blerësit ishin kryesisht institucione financiare ose pensionale. Viti 2015 ndërkaq do të mbetet si viti kur ky treg kishte zhvillimin më të hovshëm, ku  vlen të theksohet se u emetuan gjithsej 120 milionë euro Bono të reja si dhe u lansuan me sukses Obligacionet me afat 3 vjeçar dhe 5 vjeçar. Gjithashtu u zgjerua edhe baza e investitorëve: në bashkëpunim me Bankën Qendrore u ndryshua korniza ligjore për të lejuar edhe kompanitë e sigurimeve të blenin letra me vlerë, kurse investimi nga personat privatë tejkaloi 10 milionë euro”, shtoi Ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se në vitin 2016 në qarkullim kemi një portofol të letrave me vlerë prej afro 400 milionë euro, kemi 6 instrumente me afat maturimi që fillon nga 3 muaj e shkon deri në 5 vite, kemi një treg sekondar që funksionon dhe me nivel të likuiditetit që rritet dita ditës, si dhe  kemi plane që të zgjerojmë bazën e investitorëve edhe më tutje.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, kosova, mundësi Diasporës, në Bono Thesari

Muzeu i Kosovës: “Dardania Antike”, synim parësor

March 21, 2016 by dgreca

-Bashkëpunim dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në funksion të njohjes me vlerat e trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore dhe afirmimin e tyre edhe jashtë Kosovës, sidomos nëpërmjet guidave, katalogëve dhe përkthimeve të kërkimeve shkencore/

Nga Behlul Jashari/  PRISHTINË, 21 Mars 2016/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka zhvilluar sot vizitë në Muzeun e Kosovës, ku drejtori Skënder Boshtrakaj dhe anëtarët e Këshillit Drejtues e informuan me programin që ka muzeu për këtë vit, duke veçuar sidomos angazhimin për ekspozitën e përhershme “Dardania Antike”, që është një synim parësor i institucioneve të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, në këtë takim u bisedua për iniciativën e Muzeut të Kosovës për të nxjerrë revistën “Buletini i Muzeut”, nëpërmjet të cilës synohet të promovohet kultura shpirtërore dhe trashëgimia e pasur e Kosovës. Gjithashtu, u tha se së shpejti pritet të fillojnë edhe Botimet e Koleksioneve Numizmatike, me çka kjo fushë e rëndësishme e trashëgimisë së Kosovës do të mund të njihet më mirë. 

Drejtuesit u shprehën se muzeu ka një program të pasur provues, ku veçohen sidomos puna me fëmijë dhe programi “Një ditë në muze” që është për fëmijët e shkollave fillore, pastaj Shkolla Mozaikëve, si dhe programi për të rinj dhe studentë “Oda”, nëpërmjet të cilave aktivitete vlerat e muzeut promovohen dhe bëhen të dobishme për të gjithë. 

Drejtuesit e këtij institucioni u shprehën se Muzeu tani ka konsoliduar edhe Muzeun Mobil, me çka kultura e pasur, e cila ruhet në këtë institucion, ka mundësi të lëvizë nëpër krejt Kosovën dhe të njihen me të qytetarët e vendit, sidomos të rinjtë. 

Ndërmjet ministrit Shala dhe drejtuesve të këtij institucioni u bisedua edhe për rëndësinë që ka trashëgimia shpirtërore e Kosovës dhe veçmas muzeu si institucion i rëndësishëm që ruan, ekspozon, promovon dhe e afirmon atë. Për këtë arsye, u kërkua që të punohet më shumë në vetëdijesimin e publikut për trashëgiminë kulturore, veçmas duke e shtuar ekspozitat dhe veprimtarinë publikuese. 

Ministri Shala u shpreh se Ministria po punon në studimin e fiziblitetetit për ndërtimin e Muzeut të Arteve Bashkëkohore, dhe, po ashtu, është duke u angazhuar që të realizojë edhe projektin madhor të Muzeut të Natyrës. 

Po ashtu, Shala u shpreh se muzeu është tejet i dobishëm për kujtesën e një vendi, dhe si i tillë ndihmon promovimin dhe njohjen e kulturës së Kosovës. Ai e vlerësoi si jashtëzakonisht të dobishme iniciativën për publikime dhe u shpreh se duhet një bashkëpunim dhe bashkërendim më i ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës, në funksion të njohjes me vlerat e trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore dhe afirmimin e tyre edhe jashtë Kosovës, sidomos nëpërmjet guidave, katalogëve dhe përkthimeve të kërkimeve shkencore.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Dardania Antike, Muzeu i Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 182
  • 183
  • 184
  • 185
  • 186
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT