• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndërpritet Kuvendi nga gazi lotsjellës, dorëhiqet Hashim Thaci, Iken Haradinaj, Braktis Opozita

March 10, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Prishtina ne pragpranvere, 9 mars 2016/

– Iken Ramush Haardinaj, vjen Ali Berisha/

-Deputetët e opozitës kanë braktisur seancën dhe pritet vendimi i tyre për veprimet e mëtejme/

-Lideri i PDK-së që nga fillimi, Hashim Thaçi,  ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në qeveri dhe në parti/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Mars 2016/ Kuvendi i Kosovës sapo nisi sot me 40 minuta vonesë një seancë plenare me 18 pika në axhendë, një prej të cilave është shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.Fillimisht, në Kuvend dha betimin deputeti i ri Ali Berisha i AAK, i cili zëvendëson deputetin e dorëhequr Ramush Haradinaj – liderin e partisë, por më pas seanca u ndërpre nga gazi lotsjellës i opozitës dhe kryeparlamentari Kadri Veseli dha “10 minuta pushim”.

Pas pushimit që zgjati më shumë derisa nga salla ishin larguar deputetët, ndërsa ishte shtuar sigurimi, seanca vazhdoi me deklarime jashtë rendit të ditës. Seanca vazhdoi edhe pasi sërish, për herë të dytë sot, u hodh gaz lotsjellës nga opozita, derisa sigurimi që qëndronte para foltorës u largua me kërkesë të kryesuesit të seancës, nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti. Seanca po vazhdon me deklarime jashtë rendit të ditës edhe pse ende kishte tym gazi lotsjellës në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.Derisa vazhdonte seanca deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe në këtë situatë nga kryesuesi fjala iu dha deputetit Ismail Kurteshi të VV, i cili tha se “në Kosovë nuk ka situatë normle që nga shtatori, e fajtorë janë ata që kanë nënshkruar marrëveshje kundërkushtetuese”. Nga foltorja e Kuvendit u bëri thirrje qytetarëve për protesta dhe tha se opozita tash po largohet nga Kuvendi.

Në vazhdim fjalën e mori kryeminsitrit Isa Mustafa, i cili tha se “nuk shoh asnjë arsye që opozita të siellet kështu e të na sulmojë brenda e jashtë Kuvendit”.

 Ai ftoi opozitën të marrë pjesë në debat e të thotë vërejtet për asociacionin, demarkacionin dhe dialogun. “Deputetët e opozitës përfaqësojnë një pjesë të qytetarëve, të cilët i kanë votuar të marrin pjesë në seanca e jo të gjuajnë gaz lotsjellës”, tha kryeministri.

 “Kuvendi duhet të funksionojë dhe do të funksionojë. Qeveria ju garantojë se do të funksionojë”, theksoi ai.Para se të marrë fjalën Mustafa, kryesuesi i seancës Kuvendit, Haliti njoftoi se nga opozita kryeministrit të Kosovës i ishte hedhur ujë dhe për këtë i kërkoi  falje.

 Kryesuesi i seancëns plenare tha se opozita tashmë ka shkuar nga seanca e Kuvendit të Kosovës. Deputetët e opozitës pas fjalës së përfaqësuesit të tyre, deputetit Kurteshi, kanë braktisur seancën dhe pritet vendimi i tyre për veprime të mëtejme.Opozita e bashkuar në kërkesat për largimin e qeverisë e zgjedhje të jashtëzakonshme kundërshton dhe bllokon edhe me hedhje gazi lotjsellës e protesta seancat plenare të Kuvendit që nga funvera 2015, gjatë gjithë sesionit vjeshtor dhe në sesionin pranveror, përfshirë edhe seancën e kaluar të jashtëzakonshme të 26 shkurtit, kur me 71 vota të gjithësej 120 deputetëve u zgjodh Presidenti i ri i Republikës, i cili merr detyrën pas më pak se një muaji, në 7 prill, me dhënien e betimit në Kuvend.  Në kundërshtimet në vazhdim, në 4 mars opozita kosovare ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që konteston zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

 President i ri i Kosovës u zgjodh kryetari që nga fillimi e deri tash i PDK-së, Hashim Thaçi, sipas marrëveshjes së koalicionit të dy partive më të mëdha kosovare, që në 8 e 9 dhjetor 2014 i dha fund situatës së “ngrirë” dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë gjashtë muaj me humbje kohe pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, e që si rezultat i saj lideri i LDK-së, Isa Mustafa, u bë kryeministër.

Lideri i PDK-së që nga fillimi, zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm, në dy mandatet e kaluara kryeministër,  Hashim Thaçi,  ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në qeveri dhe në parti.  Zëvendëskryetari i PDK-së Kadri Veseli, dje, mori besimin e Këshillit Drejtues që të ushtrojë detyrën e kryetarit deri në konventën e jashtëzakonshme në 7 maj, në të cilën pritet të zgjedhet kryetar i partisë aktualisht më të madhe në Kosovë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, iken Rmush Hajradina, Nderpritet Kuvendi, Thci dorehiqet

Kosovë-Qeveria miraton buxhetet e komunave veriore

March 9, 2016 by dgreca

 Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Qeveria e Kosoves ne mbledhje, 9 mars 2016/

Kosovë-Qeveria miraton buxhetet e komunave veriore/

-Pas riaprovimit nga Kuvendi Komunal i Zveçanit në përputhje me Qarkoret Buxhetore për vitin 2016 të lëshuara nga Ministria e Financave, qeveria e Kosovës sot miratoi kërkesën për aprovimin e buxhetit 2016 për këtë komunë.  Në mbledhjen e 2 marsit, qeveria kosovare ka miratuar buxhetet komunale për vitin 2016 për Mitrovicën Veriore, Zubin Potokun dhe Leposaviçin/

-Kuvendi kosovar mblidhet nesër në një seancë tjetër plenare me 18 pika në axhendë,  një prej të cilave është shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Mars 2016/ Në Kosovë të gjitha 38 komunat, përfshirë edhe ato të veriut me shumicë serbe, kanë të miratuara buxhetet për vitin 2016. Kjo u konstatua sot në mbledhjen e qeverisë, ku u vendos miratimi i buxhetit për vitin 2016 edhe për komunën e Zveçanit pas riaprovimit nga Kuvendi Komunal në 29 shkurt 2016, në përputhje me Qarkoret Buxhetore të lëshuara nga Ministria kosovare e Financave.

Në mbledhjen e 2 marsit, qeveria ka miratuar buxhetet komunale për vitin 2016 për komunën e Mitrovicës Veriore, të Zubin Potokut dhe të Leposaviçit, pas riaprovimit të këtyre buxheteve nga ana e kuvendeve komunale të këtyre komunave poashtu në përputhje me Qarkoret Buxhetore të Ministrisë së Financave të Kosovës.

Mitrovica veriore, Zubin Potoku, Leposaviçi e Zveçani janë katër komunat e veriut nga 10 sa ka gjithësej në Kosovë me shumicë serbe, të cilat edhe me buxhetet integrohen.Në mbledhjen e sapombajtur qeveria kosovare miratoi edhe vendime të tjera  nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore, përfshirë ndarjen e mjeteve financiare për Kuvendin e Republikës së Kosovës, për nevoja të blerjes së skanerëve.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin sipas të cilit do të obligojë të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të përdorin Sistemin Elektronik të Shpronësimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është aprovuar edhe Rregullorja për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar dhe Menaxhimin e Programit të Riintegrimit. Miratimi i kësaj rregulloreje është edhe plotësimi i njërit nga kriteret e marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizmin e vizave. Kjo rregullore ka për qëllim që të ndihmojë dhe të mbështesë riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar në Republikën e Kosovës, si dhe të mbështesë zbatimin e Strategjisë për Riintegrim  të Personave të Riatdhesuar. Ajo, po ashtu, definon organet kompetente vendimmarrëse, zbatuese dhe koordinuese, dhe gjithashtu përcakton edhe procedurat dhe kriteret për përfitimet dhe ndihmën që gëzojnë të riintegruarit. Me këtë rregullore personat e riatdhesuar mund të jenë përfitues të ndihmës dhe mbështetjes në asistencë për vetëpunësim, përkatësisht financim i planbizneseve, pavarësisht datës së largimit të tyre. Kjo rregullore ka rëndësi edhe në rrafshin e përshpejtimit të rekomandimit, përkatësisht marrjes së datës për liberalizimin e vizave, u tha në mbledhjen e qeverisë. Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 78-të me 9 pika në axhendë, të 11-tën në vitin 2016, të cilin e nisi me dy mbledhje brenda ditës së 8 janarit.

Sot ishte mbledhja e tretë e qerverisë, nga ajo e 2 marsit, pa zëvendëskryeministrin e parë e ministrin e Jashtëm, në dy mandatet e kaluara kryeministër,  Hashim Thaçi, pasi ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në qeveri, pas zgjedhjes President Republike. Presidenti i ri do marrë dertyrën pas më pak se një muaji, në 7 prill, me dhënien e betimit në Kuvendin e Kosovës, i cili e zgjodhi në 26 shkurt, me 71 vota të gjithësej 120 deputetëve.

President i ri i Kosovës u zgjodh kryetari që nga fillimi e deri tash i PDK-së, Hashim Thaçi, sipas marrëveshjes së koalicionit të dy partive më të mëdha kosovare, që në 8 e 9 dhjetor 2014 i dha fund situatës së “ngrirë” dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë gjashtë muaj me humbje kohe pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, e që si rezultat i saj lideri i LDK-së, Isa Mustafa, u bë kryeministër.

Qeveria e koalicionit PDK-LDK, ku përfshihen edhe komunitetetet pakicë, vazhdon punën në vitin e saj të dytë, si edhe Kuvendi i Kosovës, përballur me kundërshtime të opozitës, e cila është shprehur e ka protestuar edhe kundër zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në 4 mars 2016 opozita e bashkuar kosovare ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që konteston zgjedhjen e Presidentit në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi kosovar mblidhet nesër në një seancë tjetër plenare me 18 pika në axhendë,  një prej të cilave është shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, e komunave veriore, Kosovë-Qeveria miraton buxhetet

Epopeja e UÇK-së, krerët e shtetit në Prekaz

March 6, 2016 by dgreca

-Presidenti historik  Ibrahim Rugova, në një konferencë shtypi, para 18 viteve, në 6 mars 1998: Këto sulme në regjionin e Drenicës janë pjesë e programeve për spastrimin etnik të Kosovës. Dënojmë ashpër atakun me pasoja të përgjakshme. Kërkojmë ndërprerjen urgjente të këtyre sulmeve të vdekjes/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Mars 2016/ Krerët e shtetit të Kosovës, preseidentja Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli e kryeministri Isa Mustafa ishin sot në Prekaz, ku vazhdojnë homazhet në Kompleksin Përkujtimor dhe vizitat në familjen heroike Jashari, e cila para 18 viteve u sulmua për herë të tretë.

Sulmi i parë ishte më 30 dhjetor 1991, ndërsa i dyti më 22 janar 1998. Të dy herët sulmuesit u thyen dhe zmbrapsën para qëndresës heroike.

Sulmi i tretë i forcave serbe ishte ushtarako-policor, luftë kundër një familje.

Gjatë rezistencës, më 5, 6 e 7 mars 1998, plot tri ditë e dy netë, ranë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, prej 22 që ishin në rrethimin e forcave serbe. Ndër të rënët ishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari. Shpëtoi djali i dytë i Rifatit, Bashkimi, dhe vajza e Hamzës, Besarta. Ndërsa në familjen e gjerë Jashari kanë rënë 56 dëshmorë. Mes tyre nëntë fëmijë dhe disa të moshuar deri 93-vjeç…

Derisa raportoja për gjithë zhvillimet e para 18 viteve në Prekaz njoftoja edhe se lidhja me zonën e sulmuar, këtë ditë të tmerrshme të 5 marsit, ishte mbajtur përmes telefonit të familjes së Beqir Jasharit, që ku një bashkëpuntore informonte Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë. Lidhja u ndërpre pas njoftimit të fundit se forca të mëdha ushtarako-policore po hynin brenda në këtë shtëpi…

“Këto sulme në regjionin e Drenicës janë pjesë e programeve për spastrimin etnik të Kosovës”, shprehej Presidenti historik  Ibrahim Rugova, në një konferencë shtypi, prej ku raportoja, në 6 mars 1998. “Dënojmë ashpër atakun me pasoja të përgjakshme. Kërkojmë ndërprerjen urgjente të këtyre sulmeve të vdekjes”, theksonte Rugova derisa sulmi i forcave serbe në Prekaz vazhdonte në ditën e dytë.

 Presidenti Rugova kërkonte që çështja e Kosovës të shqyrtohej urgjentisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Kosova të merret urgjentisht nën mbrojtjen ndërkombëtare – duke lënë të nënkuptohet edhe mbrojtjen ushtarake.

Rugova u dërgonte një apel Presidentit amerikan Klinton, Kryeministrit britanik Bler, Presidentit francez Shirak dhe Kancelarit gjerman Kol për të bërë presion mbi Beogradin që të ndërpresë sulmet e policisë dhe të ushtrisë serbe në Drenicë.

Manifestimet tradicionale në nderim të Epopesë së UÇK-së, të nisura dje në Kazermën e FSK-së Adem Jashari në kryeqytetin e Kosovës vazhdojnë sot edhe me një akademi përkujtimore në Prishtinë dhe përmbyllen nesër me ndezjen e flakadanëve në Kompleksin Përkujtimor në Prekaz e me Natën e Zjarreve, me program kulturor-artistik në Sheshin Adem Jashari në Skenderaj.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Epopeja e UÇK-së, krerët e shtetit, ne Prekaz

Kosova realitet i pakthyeshëm dhe paqe e fituar, një miqësi e përjetshme me SHBA-në

March 5, 2016 by dgreca

-Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga: Kosova është një realitet i pakthyeshëm; një paqe e fituar pas një lufte të gjatë e të rëndë; një liri për të cilën është sakrifikuar; një miqësi e përjetshme me SHBA-në që kanë qëndruar kaq pranë nesh në secilin kapitull të shtetndërtimit/

-Kosova nderon Epopenë e UÇK-së. Para 18 viteve raportoja nga Kosova: Prekazi po qëllohet edhe me topa të rëndë. Presidenti Ibrahim Rugova kërkon mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën/

Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/

 PRISHTINË, 5 Mars 2016/ Kosova është një realitet i pakthyeshëm, një paqe e fituar, tha Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga sot në manifestimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Kazermën e FSK-së Adem Jashari në Prishtinë.

“Në këtë ditë të veçantë të Kosovës po nderojmë me respekt të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë dhe njëkohësisht po kujtojmë me shumë nderim gjenerata të tëra që bënë sakrifica sublime për lirinë, pavarësinë dhe paqen e Kosovës”, tha ajo.

Ne qytetarët e këtij vendi, vijoi Jahjaga, përkulemi përpara sakrificës dhe heroizmit të atyre burrave e grave që Kosovën e deshën me dashuri, që e panë të lirë dhe të përparuar dhe që i dhanë më të shtrenjtën për të nesërmen e gjeneratave të reja.

 “Kosova është amaneti dhe forca e tyre dhe guximi ynë për ta bërë vendin e ëndrrave për të gjithë ata që jetojnë në të, pa dallim, të dinjitetshëm dhe të barabartë. Është atdheu i njerëzve të lirë; një vend që diversitetin etnik, kulturor e fetar e ka shndërruar në vlerën më të madhe të shoqërisë, një vend në paqe me të gjithë”, tha presidentja kosovare.

Ajo theksoi se, sot është dita që simbolizon bashkimin e qytetarëve të Kosovës rreth një synimi të përbashkët, për ndërtimin e një vendi të zhvilluar e të përparuar, demokratik e shumë kulturor, është dita kur duhet më shumë respekt e dashuri për atdheun, pa e sfiduar demokracinë e brishtë të tij.

 “Sot është dita kur mendohet për të ardhmen e gjeneratave të reja: duke lënë anash dallimet politike, duke hequr dorë nga inatet dhe egot dhe duke punuar fort për realizimin e aspiratave tona,  për një ekonomi të zhvilluar që mban të rinjtë brenda shtetit, për një shtet të së drejtës kur secili është i barabartë përpara ligjit, për një vend të begatë për secilin qytetar të tij”, u shpreh presidentja e Kosovës.

 Është dita, vijoi Jahjaga, kur duhet të përmbyllim procese të rëndësishme për vendin, për të hapur perspektivat tona, përfshirë edhe shndërrimin e kësaj Force të Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur, për të cilën do të vazhdojmë të jemi krenarë të gjithë.

“Sot është koha për Kosovën! Kosova është një realitet i pakthyeshëm; një paqe e fituar pas një lufte të gjatë e të rëndë; një liri për të cilën është sakrifikuar; një miqësi e përjetshme me SHBA-në që kanë qëndruar kaq pranë nesh në secilin kapitull të shtetndërtimit. Kosova është vlera e shtuar e stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në rajon, një forcë e pazëvendësueshme e fqinjësisë, garantuese e paqes për të gjithë që hap rrugën e integrimeve”, theksoi presidentja kosovare.

 Kosova, përfundoi Jahjaga, është edhe dhimbja edhe krenaria e përbashkët dhe prandaj është fuqia jonë për të dëshmuar se mund ta bëjmë ëndrrën e të gjithë atyre që sakrifikuan për të – realitetin më të mirë.

Në Kazermën e FSK-së Adem Jashari në Prishtinë, nën patronatin e qeverisë së Kosovës e me pjesëmarrjen e krerëve të shtetit, u mbajt sot manifestimi qendror në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 18 vjetorit të Epopesë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kuadratet e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovë ishin të rreshtuara gjatë gjithë manifestimit, ku morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, presidenti i zgjedhur Hashim Thaçi, si dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë..

Krerët e shtetit e të FSK-së vendosën kurora me lule pranë Obeliskut të dëshmorëve, në nderim të të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës.

Në manifestim foli edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtant Rrahman Rama, duke vlerësuar të tashmen dhe të ardhmen e forcës kosovare, ndërsa përshëndeti përfaqësuesi i familjes heroike Jashari nga Prekazi, Rifat Jashari, duke theksuar idealin e të ranëve për liri dhe pavarësi.

Manifestimet treditëshe në Kosovë përmbyllen me ndezjen e flakadanëve në Kompleksin Përkujtimor në Prekaz e me Natën e Zjarreve, me program kulturor-artistik në Sheshin Adem Jashari në Skenderaj.

Para 18 vitesh, në 5 mars 1998,  kam raportuar nga Kosova se forca të mëdha serbe të blinduara kishin filluar që në mëngjes një sulm kundër shqiptarëve në Drenicë.

Forcat serbe kishin zënë pozicione dhe ishin fortifikuar rreth Prekazit dhe qëllonin me armë të kalibrave të ndryshëm mbi vendbanimet shqiptare. Prekazi po qëllohej edhe me topa të rëndë, dëshmonin burime nga vendi i ngjarjeve, ndërsa ishin vënë në përdorim edhe helikopterë dhe nga veriu vinin njoftime se forca të reja ushtarake dhe policore serbe po hynin në Kosovë nëpër luginën e lumit Ibër drejt Mitrovicës dhe nga Merdare drejt Podujevës.

Në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

     Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova,  në 6 mars 1998, në një konfrencë shtypi në Prishtinë para rreth 200 gazetarëve të huaj dhe vendas, prej ku raportoja, përsëriste thirrjen drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për të ndërhyrë pa humbur kohë tek autoritetet serbe dhe për t’i dhënë fund menjëherë gjakderdhjes. Rugova kërkoi që çështja e Kosovës të shqyrtohet urgjentisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Kosova të merret urgjentisht nën mbrojtjen ndërkombëtare – duke lënë të nënkuptohet edhe mbrojtjen ushtarake.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kosova -realitet i pakthyshem, Presidentja Jahjaga

Dr. Ibrahim Rugova para 14 viteve u rizgjodh President i Kosovës

March 4, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja – botim i jashtëzakonshëm i datës 5 mars 2002/

Dr. Ibrahim Rugova para 14 viteve u rizgjodh President i Kosovës: E ardhmja euroatlantike/

-Dr. Ibrahim Rugova: Të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë/

-Do të punojmë së bashku në ndërtimin e një Kosove të lirë, demokratike, paqësore, prosperuese, të pavarur e të integruar në Bashkimin Evropian, në strukturat Veriatlantike dhe në marrëdhënie miqësore me SHBA, në bazë të vullnetit politik e dmeokratik të popullit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kjo është e ardhmja e Kosovës, që tashmë ka filluar. Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do ta siguronte dhe shpejtonte këtë proces/

-Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën”/
-Në Kuvendin e Kosovës, në ambientet për mediat, në 4 mars 2002, para 14 viteve, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja me ekipin e saj special punonte në një zyrë të improvizuar për një botim të jashtëzakonshëm të gazetës historike/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Mars 2016/ Dr. Ibrahim Rugova, Presidenti i parë i Kosovës nën okupim në kohën e Lëvizjes për liri e pavarësi, i zgjedhur para 24 viteve – në 24 maj 1992 në zgjedhjet e para shumëpartiake presidenciale e parlamentare,  u zgjodh edhe President i parë i Kosovës së pasluftës në liri, pikërisht para 14 viteve,  në 4 mars 2002,  nga Kuvendi i Kosovës, për vetëm 45 minuta seancë, në një atmosferë të mrekullueshme.

“Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”. Kështu e citonte në 5 mars 2002 në kryetitull gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për të cilën lideri historik Rugova ka folur menjëherë pas rizgjedhjes President.

“Ju e dini qëndrimin tim për të ardhmen e Kosovës. Kam punuar dhe unë dëshiroj që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës dhe gjithësesi që ajo do të jetë e pavarur, e lirë, demokratike dhe e integruar në rrjedhat e civilizimit europian e botëror, po në atë afat që thatë ju”,  është përgjigjur Presidenti Rugova në pyetjen që i bëra, si kryeredaktor i gazetës Rilindja, se si e sheh Kosovën pas tre vitesh të mandatit. Me pyetjen e parë ishte edhe urimi për të sapozgedhurit President e Kryeministër i Kosovës.

Presidenti i posazgjedhur i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në 4 mars 2002 foli para gazetarëve që përcillnin punimet e Kuvendit të Kosovës, ku në ambientet për mediat  gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja me ekipin e saj special punonte në një zyrë të improvizuar për një botim të jashtëzakonshëm  të gazetës historike, të mbyllur kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim nga Pallati Rilindja rreth dy javë më parë në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt.

Në vazhdim po sjellim në Gazetën Dielli në tërësi fjalën e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, të pikërisht para 14 viteve – 4 marsit 2002, në minutat e para pas rizgjedhjes President:Për gati tri vjet pas luftës, Kosova në liri ka pasur një progres të madh së bashku me UNMIK-un, KFOR-in dhe OSBE-në në të gjitha fushat e jetës.

Poashtu, Zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe Zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar ishin një progres i madh në vendosjen e rendit dmeokratik në Kosovë.Në këto zgjedhje populli i Kosovës tregoi një kulturë të lartë demokratike e politike. Dhe, këto ditë, po përfundojmë me sukses implementimin e Zgjedhjeve nacionale për ndërtimin e institucioneve të Kosovës.

Sot ndihem shumë i nderuar për besimin që ma dha Kuvendi i Kosovës për të marrë përsipër Zyrën e Presidentit të Kosovës. Ky është një nderim dhe obligim i madh për mua. Ju siguroj se Presidenca e Kosovës do të shprehë unitetin e popullit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Brenda fuqive të mia do të punoj për të mirën dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Njëherësh do të punojmë që të kemi një ndarje dhe koordinim të pushtetit të degës legjislative, ekzekutive dhe pavarësi të gjykatave, që t’u përgjigjen kërkesave dhe interesave të qytetarëve. Pra, do të kemi një Presidencë të unitetit, Kuvend demokratik dhe Qeveri efektive e stabile, me të gjitha ministritë, për të siguruar një shtet të së drejtës dhe të sigurtë për të gjithë.

Në punën tonë të ardhshme të të gjitha institucioneve të Kosovës do të jetë koncentrimi në zhvillimin ekonomik, në sigurimin e investimeve dhe në privatizimin me prioritet. Pra, do të punojmë të kemi një ekonomi të hapur e konkurrente, për të krijuar vende të reja të punës për të rinjtë e Kosovës, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullatës sonë.

Poashtu, do të punojmë në integrimin e grupeve etnike në jetën politike, ekonomike e sociale të Kosovës. Pra, jo vetëm mbrojtje klasike, por integrim të plotë të tyre dhe garantim të ruajtjes së identitetit të tyre. Ne, si shumicë kosovare-shqiptare, kemi përgjegjësi për integrimin e serbëve, të boshnjakëve, të turqve, të romëve dhe të ashkalinjve e egjiptianëve kosovarë në shoqërinë e Kosovës. Pra, të gjithë ne jemi kosovarë dhe do të veprojmë si kosovarë, në të mirë të Kosovës.

Kujdes të veçantë do të kemi për forcimin e SHPK-së dhe të TMK-së në punën e tyre.

Do të punojmë që të zhvillojmë edhe shoqërinë civile dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët. Do të zhvillojmë një shoqëri të tolerancës, të mirëkuptimit e të pajtimit midis njerëzve dhe të respektimit të njëri-tjetrit.

Do të punojmë së bashku në ndërtimin e një Kosove të lirë, demokratike, paqësore, prosperuese, të pavarur e të integruar në Bashkimin Evropian, në strukturat Veriatlantike dhe në marrëdhënie miqësore me SHBA, në bazë të vullnetit politik e dmeokratik të popullit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kjo është e ardhmja e Kosovës, që tashmë ka filluar.

Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do ta siguronte dhe shpejtonte këtë proces.
Do të punojmë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët tani, si dhe për krijimin e miqësisë me popujt e rajonit tonë dhe të botës.

Jemi të bindur se të gjithë duhet të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë. Për një Kosovë prosperuese e më të pasur për ne dhe fëmijët tanë.
Do të zhvillojmë një bashkëpunim të ngushtë me UNMIK-un në konsolidimin e institucioneve demokratike të Kosovës, si dhe me OSBE-në. Ndërsa, me KFOR-in do të punojmë ngushtë në forcimin e sigurisë, i cili deri tash ka bërë dhe po bën një punë të shkëlqyeshme.
Kam nderin që nga kjo Mbledhje solemne e Kuvendit të Kosovës të përshëndes Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, për angazhimin e tyre për prosperitetin e Kosovës. Përshëndetje të veçantë i shprehim Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali II, për kujdesin e tij të përhershëm për Kosovën.

Me këtë rast dëshiroj të falenderoj ambasadorin Menzis për angazhimin e tij të palodhshëm gjatë kësaj kohe për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe shefin e Zyrës britanike, zotin Llojd, të Zyrës gjermane, zotin Shmunk, të Zyrës franceze, zotin Garanshe, të Zyrës italiane, zotin Tafur, si dhe të Zyrës kanadeze, zotin Barber.
Poashtu, falenderojmë Komisionerin për politikë të jashtme dhe siguri në BE, zotin Solana që u angazhua në këtë proces.Në mënyrë të veçantë falenderojmë zotin Shtajner, i cili na ndihmoi shumë për të arritur marrëveshjen për përfundimin me sukses të ndërtimit të institucioneve të Kosovës.

Falenderojmë të gjitha partitë politike që u treguan konstruktive në arritjen e suksesit për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, kryetarin e PDK-së, z.H.Thaçin, kryetarin e AAK-së, z.R.Haradinaj dhe prof.Mark Krasniqin.Në fund të këtij procesi demokratik mund të themi se gjithë kjo ishte një përvojë demokratike për ne dhe për qytetarët e Kosovës. Duhet të mendojmë që për zgjedhjet e ardhshme të zgjedhim një sistem elektoral më të thjeshtë dhe më efektiv. Kjo tregon se kosovarët i pranojnë proceset demokratike dhe se dinë dhe janë të aftë të udhëheqin me veten dhe me vendin e tyre. Kryeministri Rexhepi dhe Qeveria do të gëzojnë përkrahjen tonë.Edhe një fjalë: të gjithë jemi pajtuar se këto zgjedhje dhe ndërtimi i institucioneve janë një ngjarje historike në historinë më të re të Kosovës.Në këtë kuptim ambasadori Menzis ka propozuar që 10 dhjetori – Dita e Konstituimit të Kuvendit të Kosovës të shpallet Ditë nacionale. Sugjeroj që Kuvendi i Kosovës të marrë parasysh këtë propozim kur të vendosë në të ardhmen për këtë çështje.

Në fund të kësaj fjale dëshiroj të them se dyert e Presidencës së Kosovës do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të gëzojnë përkrahjen tonë. Prandaj, i ftojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunim, sepse Presidenca dhe institucionet e tjera të Kosovës do të jenë në shërbim të tyre.

Janë institucionet tuaja, qytetarë të dashur, pra, t’i respektoni dhe t’i përkrahni. Unë do të jem në shërbimin tuaj për të mirën e Kosovës.

Jam i bindur se do të kemi përkrahjen tuaj për fillimin e ndërtimit të një pallati presidencial – shtëpie të bardhë të Kosovës, që do të jetë shtëpi e të gjithë kosovarëve.

Qytetarë të dashur, përkundër obligimeve të përditshme, çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Dr. Ibrahim Rugova para 14 viteve, President i Kosovës, u rizgjodh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 184
  • 185
  • 186
  • 187
  • 188
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT