Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim i shkëlqyer në infrastrukturën e energjisë
Ne Foto: Ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie duek diskutuar në Forum/
-Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, alternativa më e lirë dhe e sigurt/
-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: Mbesim edhe më tutje të përkushtuar që ne të bëjmë këmbime të energjisë elektrike me Shqipërinë/
-Ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie: Një nga objektivat kryesore të asistencës amerikane përmes USAID është rritja ekonomike dhe asnjë sektor nuk është më jetësor për këtë rritje se sektori i energjisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Mars 2016/ Me Shqipërinë ne kemi zhvilluar një bashkëpunim të shkëlqyer sa i përket edhe infrastrukturës së energjisë elektrike, tha sot kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. “Mbesim edhe më tutje të përkushtuar që ne të bëjmë këmbime të energjisë elektrike me Shqipërinë nga burime të ndryshme të energjisë, dhe konsiderojmë se ky do të ishte një rezultat edhe një punë shumë e efektshme për neve në të ardhshmen, mirëpo kjo mbetet çështje e vullnetit të të dy palëve. Sa i përket rezultateve të deritanishme, unë besoj se të gjitha këto ne do t’i realizojmë në një periudhë optimale kohore”, u shpreh Mustafa.Kryeministri Kosovar foli në Forumin e Nivelit të Lartë me temë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e drejtuar nga Blerand Stavileci, dhe mbështetur nga USAID-i.Në hapje të këtij forumi morën pjesë përfaqësuesit institucionalë të Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe të komunitetit ndërkombëtar, si dhe të industrisë, organizatave joqeveritare, akademisë, biznesit dhe mediave.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie theksoi rëndësinë e sektorit të energjisë për rritjen ekonomike. “Një nga objektivat kryesore të asistencës amerikane përmes USAID është rritja ekonomike dhe asnjë sektor nuk është më jetësor për këtë rritje se sektori i energjisë”, theksoi ai.Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë, tha se ky institucion do të vazhdojë të mbetet partner i rëndësishëm i Kosovës në zhvillimin e sektorit të energjisë.Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë u pajtuan se prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë mbështetet në thëngjill dhe bazuar në politikat e saj monetare dhe fiskale nuk ka mundësi që në periudhë afatmesme të rritet esencialisht gjenerimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme.Sipas organizatorëve, viti 2016 do të sjell një numër sfidash dhe mundësishë, jo vetëm për sektorin e energjisë, por për sektorin e biznesit në përgjithësi dhe mundësi për rritje të ekonomisë në përgjithësi. “Mirëpo, për të arritur sigurinë e energjisë, Kosova do të ketë nevojë për mbështetje aktive nga partnerët e vetë ndërkombëtarë”, u vlerësua në Forum.Pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.
“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundime të Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.Në dhjetor 2015, në Kosovë u bë inaugurimi i Projekti “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autrstradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues. Në pjesën e Shqipërisë punimet përfundojnë këtë vit dhe bëhet inaugurimi i plotë.Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kosova drejt Speciales
– Presidentja Jahjaga ratifikoi marrëveshjen ndërkombëtare me Holandën. Kosova përmbush të gjitha obligimet e saj ndërkombëtare që lidhen me themelimin e Gjykatës Speciale/ PRISHTINË, 29 Shkurt 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ratifikoi marrëveshjen ndërkombëtare me Holandën “Mbi organizimin e institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës i zhvendosur në Holandë”, të nënshkruar me 15 shkurt 2016 nga Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Ambasadorja e Holandës në Kosovë dhe të pranuar nga Zyra e Presidentes më 23 shkurt.Presidentja Jahjaga e ka ratifikuar marrëveshjen me Holandën në bazë të kompetencave të saj kushtetuese për ratifikim te marrëveshjeve duke u bazuar në nenin 18, paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 10, paragrafi 4 të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare, si dhe në nenin 4, paragrafi 3 të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik.Presdienca kosovare në njoftimin e dërguar thekson se, me ratifikimin e kësaj marrëveshje – krahas ratifikimit më 4 shkurt 2016 të “Marrëveshjen së përkohshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës mbi organizimin e institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës i zhvendosur në Holandë” – Republika e Kosovës përmbush të gjitha obligimet e saj ndërkombëtare që lidhen me themelimin e Gjykatës Speciale./b.j/
Protesta non Stop, Kuvendi nesër voton presidentin e Republikës
-Të premten, më 26 shkurt, në orën 11:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të vetme të rendit të ditës: zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare/
– Në kohën kur po diskutohej rreth rendit të ditës, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Aida Dërguti, hodhi gaz lotsjellës. VV njofton se, ajo u arrestua/
-Protesta “non-stop” e opozitës në sheshe pranë Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës po vazhdon në natën e dytë me tenda të ngritura dje pasdite/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Shkurt 2016/ Kuvendi i Kosovës të premten mban mbledhje të jashtëzakonshme, për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Për këtë pozitë janë nominuar dy kandidatë: Hashim Thaçi dhe Rafet Rama.
Njoftimi zyrtar i sapodërguar bën të ditur se, të premten, më 26 shkurt, në orën 11:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të vetme të rendit të ditës: zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar.
Pas një kohe të gjatë, në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare në opozitë.
Në hapje të mbledhjes, kryetari Veseli bëri të ditur se kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është nënshkruar nga 43 deputetë të Kuvendit, konform nenit 69, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndërsa për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës, janë nominuar dy kandidatë: Hashim Thaçi dhe Rafet Rama.
Në kohën kur po diskutohej rreth rendit të ditës, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Aida Dërguti, hodhi gaz lotsjellës në sallë.
Në pamundësi të zhvillimit të mbledhjes në sallën e përhershme, pas një pauze të shkurtër, Kryesia vazhdoi mbledhjen në sallën alternative, në të cilën, njëzëri vendosi që, konform kërkesës së 43 deputetëve, Kuvendi të mblidhet në seancë këtë të premte, për zgjedhjen e presidentit të shtetit, përfundon njoftimi i dërguar.
Ndërsa subjekti më i madh opozitar kosovar bën të ditur se, në zyrën e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës u arrestua nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aida Dërguti.
Pak më parë u njofua edhe se sonte në në orën 20:30 kryetarët e subjekteve të opozitës së bashkuar, Visar Ymeri i VV, Ramush Haradinaj i AAK dhe Fatmir Limaj i Nismas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
“Konferenca do të zhvillohet pranë binës, në kampin e tendave në sheshin përballë Kuvendit. Në këtë konferencë do të jepen qëndrime dhe shpjegime për situatën e fundit politike në vend”.
Kështu thekson njoftimi i dërguar, ndërkohë që protesta “non-stop” e opozitës në sheshe pranë Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës po vazhdon në natën e dytë me tenda të ngritura dje pasdite. Opozita proteston kundër qeverisë, kundër seancave parlamentare të Kuvendit dhe kundër zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.
“Tubimi në shesh vazhdon. Protesta po vazhdon me aktivitete të ndryshme sociale e kulturore, ditë e natë”, shprehet opozita.
Opozita e bashkuar, në përfundim të protëstës së ditëfestës së 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtit, ku sipas saj ishim mbi 100 mijë pjesëmarrës e sipas Policisë kosovare rreth 15 mijë, ka paralajmëruar protestë tjetër në 27 shkurt nëse deri atëherë nuk dorëhiqet “qeveria që ka shkelur Kushtetutën me marrëveshjen për bashkësinë-asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe nuk shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare.
“Zgjedhjet mbahen në 10 qershor 2018”, të rregullta sipas Kushtetutës së Kosovës, dhe nuk do ketë dorëheqje, ishte përgjigja e qeverisë në një konferencë shtypi pasditen e 17 shkurtit pas protestës së opozitës, ku u shpreh e palëkundur në punën e saj, “duke respektuar votuesin dhe ata që u kanë dhënë mandatit që janë mbi 200 mijë votues të LDK-së dhe mbi 230 mijë të PDK-së dhe mijëra tjerë të partive tjera të koalicionit”.
Liderët e partive më të mëdha të koalicionit qeverisës i kanë bërë ftesa të përsëritura opozitës që të gjitha çështjet që e preokupojnë, që mund të jenë reale, t’i diskutojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
***
PDK MITROVICË – FESTON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT
Dega e PDK-së në Mitrovicë dërgoi sonte këtë komunikatë për media:
Dega e PDK-së në Mitrovicë mbajti takim me Kryesi, strukturat e nëndegëve, RDK-së dhe Gruas Demokratike. Në takim u diskutua për situatën në të cilën gjindet vendi ynë dhe u dha mbështetje e fuqishme për Kryetarin e Partisë Z. Hashim Thaçi që të zgjidhet President i vendit.
Pasi që Seanca për zgjedhjen e Presidentit mbahet të Premten me datë 26.02.2016 në ora 11:00 strukturat e degës vendosën që të festojnë së bashku në Prishtinë.
Urojmë që procesi i zgjedhjes së Presidentit të kaloj pa probleme, siç i ka hije vendit tonë!
Gëzuar!
Kosovë-Protestë, festë…
-Liderët opozitarë, konferencë shtypi një ditë para seancës së Kuvendit për Presidentin e Kosovës/
-Opozita në ditën e tretë të protestës “non-stop”, maxhoranca paralajmëron nesër festë për zgjedhjen e Presidentit/
-Nuk është e sigurt nëse deputetët e Listës Serbe do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit, sipas medias serbe, e cila citon kryetarin e Listës, Slavko Simiç/
PRISHTINË, 25 Shkurt 2016-B.Jashari/ Liderët e opozitës sot pasdite në ora 16:00 mbajnë konferencë shtypi në shesh në Prishtinë, atje ku protesta “non-stop” kundër qeverisë, kundër seancave plenare të Kuvendit dhe kundër zgjedhjes së Presidentit të Republikës, e me kërkesë për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, ka kaluar natën e dytë dhe po vazhdon sot në ditën e tretë , ndërsa për nesër është paralajmëruar “gjithëpopullore” derisa në orën 11:00 Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të vetme të rendit të ditës: Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës.Por, “festa do jetë më e madhe se protesta”, janë paralajmërimet nga partia më e madhe e maxhorancës, PDK, lideri i së cilës, Hashim Thaçi, tashmë edhe zyrtarisht është kandidat për President Republike.“Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është nënshkruar nga 43 deputetë të Kuvendit, konform nenit 69, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndërsa për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës janë nominuar dy kandidatë: Hashim Thaçi dhe Rafet Rama”, ka njoftuar dje pasdite kryeparlamentari Kadri Veseli në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare, ku nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti, nga VV, ka hedhur gaz lotsjellës e më pas është arrestuar.
Ndërkohë është njoftuar se, strukturat e degës në Mitrovicë të Partisë Demokratike të Kosovës “vendosën që të festojnë së bashku në Prishtinë”. “Urojmë që procesi i zgjedhjes së Presidentit të kaloj pa probleme, siç i ka hije vendit tonë!”, thuhet në njoftimin e tyre.“Zgjedhja e Thaçit president mes protestës e festës”, është një nga kryetitujt e ballinave të shtypit të sotëm në Prishtinë.Gazi lotsjellës që u hodh të mërkurën në mbledhje të Kryesisë nuk e ka parandaluar koalicionin qeverisës që edhe zyrtarisht për të premten ta caktojë seancën, kur Hashim Thaçi do të votohet president i Kosovës, shkruan Koha Ditore.Është hera e dytë që opozita, përveç sallës plenare, gaz lotsjellës hedh edhe në mbledhje të Kryesisë. Veprime të tilla brenda dhe jashtë Kuvendit opozitarët kanë paralajmëruar edhe ditën kur do të votohet presidenti i ri.
Ndërsa, PDK-ja ka disa ditë që po përgatit festë për aktivistët e vet ditën kur kryetari i tyre do të mund të inaugurohet shef i shtetit. Për shkak të procedurës që kërkohet, Thaçin formalisht do ta sfidojë bashkëpartiaku Rafet Rama.
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ka folur i nervozuar pas mbledhjes së Kryesisë, i ka ftuar qytetarët t’i ruajnë familjet e tyre. Ndërsa, situatën në të cilën po futet Kosova e ka përshkruar pak më shumë sesa serioze, shkruan gazeta. “E premtja e Thaçit”, është kryetitulli i gazetës Zëri, e cila thekson se lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, do të votohet të premten në Kuvendin e Kosovës për president të shtetit. Kundërkandidat i tij do të jetë bashkëpartiaku, Rafet Rama, i cili do të dalë në votim vetëm për t’ia plotësuar “radhët”. Opozita ka paralajmëruar protestë kundër zgjidhjes së presidentit, ndërsa PDK-ja manifestim pro ngjitjes së Thaçit në “fron”.
“Haradinaj: Mos e thelloni krizën”, ësht tull balline i gazetës Epoka e Re, ku theksohet se, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se insistimi i qeverisë aktuale për ta vazhduar punën është duke e thelluar edhe më shumë krizën politike në vend.
“Mungesa e reflektimit dhe insistimit për të vazhduar është duke e thelluar më shumë krizën politike në vend dhe po ia vonon Kosovës mundësinë për t’u nisë së mbari”, citohet Hradinaj në intervistë. “Deri në dorëheqje të qeverisë apo në shpalljen e zgjedhjeve ne do të jemi në shesh dhe nuk do të tërhiqemi”, ka paralajmëruar lideri i AAK-së, një prej tre subjekteve të opozitës së bashkuar.
Ndërsa sipas medias serbe, kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiç thotë se nuk është e sigurt nëse deputetët e Listës Serbe do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit në të cilin do të zgjidhet Presidenti i Kosovës.
Simiç i ka thënë agjencisë Beta se mbrëmë “demonstrativisht” e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit e cila pas gazit lotsjellës ishte vazhduar në një sallë tjetër.
Ai ka shfaqur pakënaqësi që mbledhja e Kryesisë u thirr vetëm shtatë minuta para se të fillonte, transmeton Koha.net.
“Në vazhdim të mbledhjes kam thënë se jam kundër mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme të mbahet të premten. Lista Serbe ka kërkesa që dalin nga Marrëveshja e Koalicionit PDK – LDK, si dhe kërkesa që dalin nga Marrëveshja e Brukselit që kanë të bëjnë me interesat e bashkësisë serbe në Kosovës e që nuk janë përmbushur”, ka thënë Simiç për median serbe, të cilës i referohet media në Kosovë.“Ne me partnerët tanë të koalicionit kemi pasur disa konsultime lidhur me mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme, por nuk kemi pasur qëndrim zyrtar para se të mos i definojmë kërkesat tona që duhet të zgjidhin problemet e bashkësisë serbe në Kosovë”, ka saktësuar Simiç duke shtuar se “para se ta braktisja i kam mbledhjen e Kryesisë, kam lutur që seanca të mos caktohet të premten dhe derisa të mos merremi vesh për një dokument valid që do të garantonte se kërkesat tona të realizohen dhe kët dokument do ta nënshkruanim bashkërisht”.Sipas fjalëve të tij, nëse kjo nuk ndodh është e pasigurt jo vetëm nëse deputetë do të votojnë, por edhe a do të marrin fare pjesë në mbledhjen që në rend dite e ka zgjedhjen e presidentit të ri, raporton media.Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në Kuvendin e Kosovës, në votimin e parë e të dytë duhen dy të tretat e votave, së paku 80 nga gjithësej 120 deputetët, e në votimin e tretë së paku një më shumë se gjysma – 61.Aktualisht, grupet parlamentare, i PDK-së me 35 e i LDK-së me 33, së bashku kanë 68 deputetë, votat e të cilëve mjaftojnë për zgedhjen e Presidentit në raundin e tretë. Ndërsa, për të pasur kuorumin e nevojshëm dhe zgjedhjen në raundin e parë e të dytë duhen së paku dy të tretat e deputetëve të pranishëm dhe votat e tyre.
Në rrethanat kur nuk mund të llogaritet në votat e opozitës, për zgjedhjen e Presidentit në raundin e parë e të dytë duhen edhe votat e komuniteteve pakicë, pjesë e koalicionit qeverisës – nga grupet parlamentare Lista Serbe me 11 dhe Gjashtë Plusi me 6, gjithësej 17 deputetë. Të katër grupet parlamentare të koaliciont qeverisës – PDK, LDK, Lista Serbe dhe Gjashtë +, së bashku kanë gjithësej 85 deputetë.
Pa grup parlamentar janë 4 deputetë dhe mund të llogaritet edhe në vota të tyre pro zgjedhjes së Presidentit. Por, në anën tjetër, ka ndonjë deklaratë nga deputetë të koalicionit qeverisës që kanë paralajmëruar votë kundër.
Ndërsa, opozita në Kuvendin e Kosovës ka gjithësej 31 deputetë (VV 16, AAK 9 e Nisma 6).
Sipas Kushtetutës, “nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.
./Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari
- « Previous Page
- 1
- …
- 185
- 186
- 187
- 188
- 189
- …
- 245
- Next Page »