-Kosova është duke shënuar përparim të mirë në kuadër të programit të saj ekonomik. Pas një ngadalësimi ekonomik të vitit të kaluar, rritja pritet të rimëkëmbet afërisht 4 përqind në vitin 2015, e shtyrë kryesisht nga kërkesa vendore e nxitur nga të hyra të forta të remitancave dhe rritja në huadhënie bankare. Rritja pritet të përshpejtohet në 3.8 për qind më 2016, mbështetur nga realizimi i investimeve në qendrën skitare të Brezovicës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Tetor 2015/ Kosova është duke shënuar përparim të mirë në kuadër të programit të saj ekonomik, u tha sot në Prishtinë në konferencën për shtyp me rastin e përfundimit të vizitës së delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Jacques Miniane.
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Jacques Miniane vizitoi Prishtinën në periudhën 12 – 23 tetor për të kryer rishikimin e parë të programit ekonomik të Kosovës të mbështetur me Marrëveshjen Stand By (MSB).
“Për vitin 2015 kemi një vlerësim të përbashkët, se janë përmbush kriteret e parapara në Programin me FMN-në dhe janë përmbushë me një margjinë shumë të kënaqshme, sa i përket bilancit bankar që është shumë i mirë krahasuar me vitin e kaluar, edhe për shkak të performancës shumë të mirë të të hyrave tatimore, mbikëqyrjes shumë të mirë të shpenzimeve buxhetore si dhe kontrollit strikt që kemi vendos që nga janari i këtij viti. Ky është rishikimi i parë që i bëhet programit ekonomik që kemi ne si qeveri me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të aprovuar në muajin korrik nga Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar”, tha ministri Avdullah Hoti.
Ai bëri të ditur se gjatë vizitës së Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, janë pajtuar në çështjet sa i përket buxhetit, rritjes ekonomike dhe reformave strukturore që kanë ndodhë deri tash, që do të ndodhin gjatë këtij viti si dhe reformat që do të ndodhin gjatë vitit 2016.
“Rritja ekonomike e Kosovës sivjet ka shënuar trende shumë pozitive krahasuar me vitin e kaluar, vlerësimet e Ministrisë së Financave janë që kjo rritje të jetë 3.8% që është mjaft e lartë krahasuar me vitin e kaluar, dhe presim që vitin e ardhshëm, në 2016, të shkojmë afër 4 % rritje ekonomike. Reformat strukturore që kemi ndërmarrë gjatë këtij viti besoj se kanë dhënë rezultatet e tyre siç është Pakoja fiskale, e cila ka hy në fuqi në muajin shtator dhe prek edhe anën buxhetore por edhe zhvillimin ekonomik si dhe aspektet sociale të popullsisë”, shtoi ministri Hoti .
Ministri bëri të ditur se janë dakorduar me FMN-në për reformën e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike. “Janë dy çështje shumë madhore në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, është klauzola e investimeve që neve na mundëson të hyjmë në kredi të buta ndërkombëtare tek Institucionet Financiare Ndërkombëtare me kushte të volitshme për të financuar projekte të mëdha zhvillimore, që nuk mund ti përballojmë me buxhetin e shtetit”, tha ai.
Ministri Hoti tha se, kemi bërë progres shumë të mirë dhe kjo është shpreh edhe prej FMN-së, sa i përket fushës së Prokurimeve ku kemi aprovuar edhe Ligjin e Prokurimeve si dhe jemi dakorduar me FMN-në për prokurimet e centralizuara ku për herë të parë kemi nënshkruar 2 kontrata për prokurimet e centralizuara.
“Jemi pajtuar në parim për objektivat që do ti arrijmë gjatë vitit 2016, sa i përket ruajtjes së qëndrueshmërisë fiskale, të cilën veç e kemi arritur në këtë vit dhe do ta fuqizojmë në vitin që vjen, për të përmirësuar strukturën e buxhetit, gjithashtu dhe për shumat për alokimet, për zëra të veçantë por edhe për strukturën e tyre. Jemi pajtuar në parim që të fillojmë zbatimin e plotë të Ligjit për skemat pensionale, ku kemi vendosur dhe jemi pajtuar me FMN-në që të rrisim alokimin për këtë skemë nga 68 milionë euro sa është sivjet në 98 milionë euro”, bëri të ditur ai.
Ministri Hoti duke falënderuar misionin e FMN-së për konstruktivitetin e treguar gjatë këtyre diskutimeve të cilat nuk kanë qenë të lehta, tha se janë pajtuar për reformat e nevojshme që duhet të ndërmarrim si qeveri.
“Kemi marrë sugjerime shumë të mira, shumë konstruktive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për reformat që duhet ndërmarrë për të përmirësuar ambientin për biznes, për të rritur transparencën dhe efiçencën e qeverisjes. Kemi vendos tragete të arritshme sa i përket të hyrave buxhetore për Dogana dhe për Administratën Tatimore të Kosovës”, theksoi ministry Hoti.
Ndërsa, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza bëri të ditur se sektori financiar ka pasur disa kritere, sa i përket rishikimit të parë të Marrëveshjes, të cilat si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me FMN-në dhe si rezultat edhe i kontributit të tyre profesional kanë arritur që t’i përmbushin para afatit të paraparë.
“Sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë stabil, mirë i kapitalizuar dhe fitimprurës”, theksoi ai.
Në fund të kësaj vizite, udhëheqësi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Jacques Miniane, falënderoi autoritetet dhe bashkëbiseduesit e tjerë për bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer, diskutimet tejet cilësore dhe mikpritjen e ngrohtë.
“Misioni ka arritur marrëveshje në nivel të stafit me autoritetet, që do t’i nënshtrohen aprovimit nga menaxhmenti dhe Bordi Ekzekutiv i FMN-së, lidhur me një varg politikash të cilat janë të nevojshme për ta përmbyllur rishikimin e parë në kuadër të MSB-së. Shqyrtimi nga ana e Bordit Ekzekutiv është planifikuar të mbahet më 16 dhjetor. Përfundimi i rishikimit do t’i mundësojë 28.1 SDR (35 milionë euro) në dispozicion të Kosovës”, tha Miniane.
Ai bëri të ditur se, performanca në kuadër të programit deri më tani ka qenë e mirë. “Autoritetet i kanë përmbushur me lehtësi caqet për muajin gusht në kuadër të programit të mbështetur nga FMN-ja, si për balancën fiskale ashtu dhe për mbulesat e parasë së gatshme të qeverisë. Gjithashtu, ato kanë bërë përpjekje të lavdërueshme për të frenuar shpenzimet aktuale joproduktive, që është veprim i rëndësishëm për lirimin e hapësirës së duhur për shpenzime kapitale dhe përmirësimin e perspektivave për rritje afatgjate. Të hyrat tatimore janë realizuar mirë, por autoritetet duhet të sigurojnë që disa të hyra të njëhershme, nga agjencia e privatizimit dhe nga shitja e licencave të telekomunikacionit, të materializohen ashtu siç parashihet në buxhet”, thekdoi Miniane.
“Kosova është duke shënuar përparim të mirë në kuadër të programit të saj ekonomik. Pas një ngadalësimi ekonomik të vitit të kaluar, rritja pritet të rimëkëmbet afërisht 4 përqind në vitin 2015, e shtyrë kryesisht nga kërkesa vendore e nxitur nga të hyra të forta të remitancave dhe rritja në huadhënie bankare. Rritja pritet të përshpejtohet në 3.8 për qind më 2016, mbështetur nga realizimi i investimeve në qendrën skitare të Brezovicës. Në periudhën afatmesme, nevojitet një rritje më e lartë dhe më përfshirëse për t’i ngritur të ardhurat, për të zhvilluar një sektor privat më produktiv dhe për të krijuar vende pune. Ne përshëndesim hapat e ndërmarra nga autoritetet në drejtim të përmbushjes së këtyre objektivave”, tha Miniane.
Sipas udhëheqësit të Misionit të FMN-së Jacques Miniane, sutoritetet janë duke lëvizur me shpejtësi drejt avancimit të ligjeve të rëndësishme që do të fuqizojnë politikën fiskale dhe do të ndihmojnë nxitjen e rritjes. “Së pari, një ndryshim në dispozitën për investime në rregullën fiskale do të ndihmojë në sjelljen e projekteve kapitale shtesë të financuara nga agjencitë shumëpalëshe dhe dypalëshe. Elementet e rëndësishme të inkorporuara në këtë ndryshim kanë për qëllim rritjen e transparencës në procese dhe mbajtjen e borxhit publik në nivel të ulët dhe të qëndrueshëm. Së dyti, miratimi i rregullës për pagat e sektorit publik do të ndihmojë që ndarjet e ardhshme buxhetore për paga publike të rriten në përputhje me trendet e përgjithshme në ekonomi dhe do ta bëjnë Kosovën më konkurruese”, tha ai.
Miniane gjithashtu theksoi se, në këtë kuptim kemi vërejtur, me një shkallë shqetësimi, se javët e fundit aktivitetet parlamentare kanë ngecur.
“Një gjë e tillë po vonon miratimin e ligjeve të rëndësishme, disa prej të cilave janë kruciale për reformat ekonomike qeveritare dhe zbatueshmërisë se programit të Kosovës të mbështetur nga Fondi. Më së rëndësishmi, situata në parlament rrezikon cenimin e besimit të investitorëve, përfundimisht në dëm të të gjithë qytetarëve”, tha udhëheqës i Misionit të FMN-së Jacques Miniane.
Ai shtoi se, bankat kosovare qëndrojnë mirë, janë mirë të kapitalizuara, likuide dhe profitabile, kreditimi është rritur dhe kualiteti i aseteve ka vazhduar që të përmirësohet këtë vit, ku rritja e kredive është 7.8 përqind deri në fund të gushtit dhe kreditë e këqija mbesin në nivelin prej 7.5 përqind. “Autoritetet gjithashtu kanë shënuar progres të mirë në mbështetjen e stabilitetit financiar dhe identifikimin e masave për të nxitur ndërmjetësimin bankar dhe qasjen në kredi që i duhet Kosovës për të mbështetur një ekonomi më të fuqishme”, theksoi Miniane.
Besiana Kadre: Kosova drejt votës finale për UNESCO
-Sa i përket Asamblesë së Përgjithshme që do të mblidhet në muajin nëntor, ku do të merret vendimi final për anëtarësimin e Kosovës, Ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO Besiana Kadare u shpreh optimiste se tashmë 2/3-at e votave, të cilat kërkohen për të miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv, janë siguruar/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Tetor 2015/ “Nuk do të lëmë gur pa rrotulluar duke kërkuar përkrahje për votën finale për Kosovën në UNESCO”, ka paralajmëruar zëvendëskryeministri i pare në qeverinë kosovare, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.
Paralajmërimin e ka bërë nga Parisi, pasi dje në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, Bordi Ekzekutiv i kësaj agjencie të specializuar të KB-së ka miratuar me 27 vota pro, 14 kundër dhe 14 abstenime, propozim-rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Bordi Ekzekutiv përbëhet nga gjithsej 58 shtete anëtare prej të cilave 32 tashmë e kanë njohur Kosovën.
Ndërsa, mbetet që Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate, në nëntor, të votojë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
“Fitohet beteja e parë drejt UNESCO-s”, “Kosova një hap larg anëtarësimit në UNESCO”, “Kosova, afër anëtarësimit në UNESCO”, janë titujt e ballinave të shtypit të sotëm në Prishtinë.
“Besiana Kadare anëtarësimin në UNESCO e quan fitore për Kosovën dhe Shqipërinë”, është një nga titujt e mëngjesit të sotëm në portalet kosovare, ku “Do të thosha që është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet europiane, anëtare të Këshillit Ekzekutiv me përjashtim të Spanjës, votuan ‘pro’ Kosovës” , citohet ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO.
“Sa i përket Këshillit të Përgjithshëm që do të mblidhet në muajin nëntor, ku do të merret vendimi final për anëtarësimin e Kosovës, Kadare u shpreh optimiste se tashmë 2/3-at e votave, të cilat kërkohen për të miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv, janë siguruar”, citon media kosovare median shqiptare.
Kosova bën hapin e parë drejt anëtarësimit në UNESCO, deklaronte në12 shtator Minsitria e Jashtme kosovare në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, ku zv/ministri i Jashtëm Petrit Selimi vlerësonte se Shqipëria kishte një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara.
“Kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s që përbën një numër rekord në historinë e re të UNESCO-s”, theksonte ai.
Qeveria e Kosovës ka siguruar se, “nëpërmes anëtarësimit në UNESCO, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie ose religjioni dhe do të avancohet edhe më tutje bashkëjetesa, si një traditë qe e kemi ruajtur dhe kultivuar ndër shekuj”.
Po ashtu ka theksuar se, “me anëtarësimin në UNESCO, Kosova do të rrisë standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përshirë respektimin e statusit, të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe”.
KOSOVA NË EVROPË
-Kryeministri Isa Mustafa në Spanjë: Kosova të ketë vendin e saj në familjen e shteteve evropiane/
-Duke forcuar stabilitetin ekonomik, ne synojmë të hapim rrugën e një integrimi më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Qytetarët e Kosovës janë evropianë/
Madrid, 22 tetor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i cili është njëherësh edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mori pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), ku ishte në panelin qendror të Kongresit, që u zhvillua në Madrid, Spanjë.
Para përfaqësuesve të partive anëtare të familjes më ta madhe politike evropiane, kryeministri Isa Mustafa mbajti një fjalim, ku ndër të tjera tha se qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë dhe se ata meritojnë të kenë vendin e tyre në familjen e shteteve evropiane, ashtu si LDK-ja, e cila është pjesë e Partisë Popullore Evropiane. Me këtë rast, kryeministri Mustafa po ashtu ka folur për avancimin e proceseve integruese evropiane të Kosovës, duke theksuar se tashmë Kosova i ka përmbushur kriteret dhe se së shpejti pritet nënshkrimi i MSA-së dhe vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Kryeministri Mustafa po ashtu foli për objektivat kryesore të koalicionit qeverisës të drejtuar nga LDK-ja, që janë rritja më e shpejtë ekonomike e Kosovës, forcimi i sundimit të ligjit dhe integrimi në BE. Duke folur për vendimet shumë të vështira dhe të ndjeshme me të cilat Qeveria e Kosovës është ballafaquar këtë vit, si themelimi i Gjykatës Speciale, marrëveshjet në dialogun me Serbinë dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, kryeministri Mustafa tha se të gjitha këto vendime do të ndikojë në forcimin e sistemit të drejtësisë, paqes, stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Sa i takon marrëveshjeve me Serbinë, kryeministri Mustafa tha se ka ngecje në implementimin e tyre. Ndërsa, lidhur me faktin se këto marrëveshje kanë hasur një rezistencë të fortë nga partitë opozitare në Kosovë dhe veprime të dhunshme dhe jodemokratike, kryeministri Mustafa tha se këto veprime nuk përkrahen nga qytetarët e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa foli edhe për hapat e Qeverisë në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, duke theksuar se e Kosova ka miratuar ligjin që ndalon qytetarët tanë për të marrë pjesë në luftëra të huaja, dhe strategjinë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Lidhur me migrimin e fillimit të këtij viti, kryeministri tha se Qeveria ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të menaxhuar situatën, se Kosova është një vend i sigurt dhe se Qeveria e Kosovës angazhohet në mbështetjen e procesit të riintegrimit të qytetarëve të saj.
“Kosova do të nënshkruaj këto ditë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, presim anëtarësimin tonë në UNESCO dhe të bëhemi anëtar i Këshillit të Evropës. Ne jemi duke u përqendruar në projektet e zhvillimit, investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të punës. Duke forcuar stabilitetin ekonomik, ne synojmë të hapim rrugën e një integrimi më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë dhe ata meritojnë të kenë vendin e tyre në familjen e shteteve evropiane, sikurse edhe partia ime, LDK-ja është pjesë e Partisë Popullore Evropiane. Qytetarët e Kosovës nuk e kuptojnë se pse ata duhet të mbeten të vetmit të izoluar me regjion. Ne kemi përmbushur kriteret për liberalizim dhe presim këtë vit caktimin e datës”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke i falënderuar anëtarët e EPP-së për përkrahjen e tyre në procesin e integrimit evropian.
Gjatë qëndrimit në Madrid, kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në takimet e Asamblesë Politike të EPP-së, si dhe ka zhvilluar takime me homologë si dhe liderë të partive evropiane të qendrës së djathtë, anëtare të EPP-së./b.j/
Kosova sot votohet për UNESCO
– Thaçi nga Parisi: Edhe pak orë na ndajnë nga vota e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s. Fushata jonë pozitive është përshëndetur nga shumë miq të Kosovës/
-Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO janë të angazhuara së bashku pozita dhe opozita kosovare/
-Sopranoja Inva Mula, këngëtarja Rita Ora dhe shkencëtari Ferid Murad janë vetëm disa nga figurat eminente globale që kanë shkruar kolumne ku kanë ftuar mbarë komunitetin ndërkombëtar për të përkrahur aderimin e Kosovës në organizatën e Kombeve të Bashkuara UNESCO/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Tetor2015/ Kosova sot votohet për kandidaturën e pranimit në UNESCO nga Bordi Ekzekutiv i kësaj organizate të OKB-së, në Paris, prej nga kryediplomati kosovar Hashim Thaçi jep mesazhin: “Të jemi aty ku meritojmë – të barabartë”.
“Edhe pak orë na ndajnë nga vota e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s. Fushata jonë pozitive është përshëndetur nga shumë miq të Kosovës”, shpreht ai.
Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do të votojë sot për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci të OKB, ndërsa në fillim të nëntorit pritet që Asambleja e Përgjithshme e saj të votojë anëtarësimin përfundimtar. Një javë më parë, Bordi Ekzekutiv ka aprovuar axhendën përfundimtare, ku është përfshirë edhe anëtarësimi i Kosovës në organizatë, pikë kjo e bashkësponsorizuar nga 47 shtete anëtarë të UNESCO-s.
Për anëtarësim, Kosova aplikoi para pak më shumë se tre muajëve, në 16 korrik.
“Sapo aplikuam për anëtarësi në UNESCO, agjencionin e OKB për arsim, shkencë dhe kulturë”, bënte të ditur zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi. “Ky veprim vjen pas një konsultimi me partnerë dhe pas 130 takimeve me delegacione të UNESCO-s që kemi zhvilluar vetëm këtë vit”, theksonte ai.
“Është ky një hap që fuqimisht zgjëron interaksionin tonë global”, vlerësonte kreu i diplomacisë së Kosovës.
Ndërsa, më pas kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se ishte njoftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO.
“Përgëzoj ministrin e Jashtëm, ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për një punë të madhe dhe me përkushtim”, shprehej ai.
“Në takime me liderë evropianë dhe botërorë kam marrë zotime se Kosova do të përkrahet fuqishëm në këtë proces. Jemi zotuar, po ashtu , se edhe ne do të përmbushim detyrimet tona ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ky është një zhvillim i rëndësishëm diplomatik për Kosovën”, theksonte Mustafa.
Kosova bën hapin e parë drejt anëtarësimit në UNESCO, deklaronte në12 shtator Minsitria e Jashtme kosovare në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, ku zv/ministri i Jashtëm Petrit Selimi vlerësonte se Shqipëria kishte një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara.
“Kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s që përbën një numër rekord në historinë e re të UNESCO-s”, theksonte ai.
“Ambasadorja në delegacionin e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare ka luajtur një rol thelbësor. Ekipet tona, imi dhe i saj, kanë qenë të ngjizura, prej tre muajsh kemi kontakt ditor, madje gati çdo orë, sidomos në periudhën e fundit dyjavore, kur për shkak të mosqasjes së Kosovës në UNESCO, Shqipëria ka marrë një rol shumë aktiv të mbledhjes së nënshkrimeve”, shpreehej zv/ministi i Jashtëm kosovar, Selimi.
Më tej në deklaratë, numri dy i MPJ-së kosovare për ambasadoren Kadare vlerësonte se është “një diplomate që ka emër, eksperiencë dhe reputacion të mirë, është zëvendëspresidente e Komitetit Ekzekutv dhe si e tillë mund të them se ka luajtur një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara”.
Zv/ministri Selimi shprehej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim gjatë verës përmes Nju Jorkut, sipas rekomandimeve nga vetë agjencia gjegjëse e Kombeve të Bashkuara.
“OKB-ja në Nju Jork ka autorizuar UNESCO-n me mekanizmat e saj t’i prijë procesit në mënyrë të pavarur”, theksonte ai. Selmi bënte të ditur se drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova ka përcjellë më tej aplikimin e Kosovës në Boordin Ekzekutiv të UNESCO-s. “Ky zhvillim ka hapur dyert që Kosova të futet në axhendën e Bordit Ekzekutiv”, theksonte ai duke shtuar se duhet shumica e thjeshtë për t’u votuar më pas në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s, në javën e parë të nëntorit, me ç’rast do të kërkohen 2/3 e votave për pranimin në këtë agjenci të OKB-së.
Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO janë të angazhuara së bashku pozita dhe opozita kosovare. “Kosova ka vlera të panumërta që mund t’i ofrojë komunitetit ndërkombëtar”, shprehet AAKdhe fton qytetarët e Kosovës që, “të nënshkruajnë peticionin për pranimin e Kosovës në UNESCO, në mënyrë që zëri ynë të jetë më i fuqishëm se zëri i kundërshtarëve të këtij procesi”.
Ndërkohë, mbi tridhjetë medie të shkruara, elektronike dhe online të Kosovës i kanë dërguar një letër drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, në mbështetje të kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara.
Letrën e kanë nënshkruar pronarë, kryeredaktorë apo gazetarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
“Kjo mbështetje e rëndësishme e komunitetit mediatik vjen pas angazhimit të një sërë institucionesh dhe personaliteteve me famë botërore të cilët i janë bashkuar aspiratës së shtetit kosovar për anëtarësim në UNESCO”, thekson MPJ e Kosovës.
“Ne vazhdimisht e vëzhgojmë punën e qeverive tona dhe jemi zëri kryesor kritik ndaj tyre kur ato dështojnë të japin rezultatet e duhura – qoftë në luftë kundër korrupsionit, reformën e sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe arsimit, apo në rritjen ekonomike… Që Kosova vërtetë të ketë sukses në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shoqëri të fortë, demokratike dhe të hapur, me respekt të plotë për liritë individuale dhe të drejtat e njeriut, përfshirë lirinë e patjetërsueshme të shprehjes, ne na duhen mundësi të barabarta. Dhënia e mundësive dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për të rinjtë tanë në arsim, shkencë dhe kulturë mund të jetë e dobishme për të gjithë. Kjo është arsyeja pse ne sot ju nxisim që të mbështetni kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO”, thuhet në letrën e mediave.
Sopranoja Inva Mula, këngëtarja Rita Ora dhe shkencëtari Ferid Murad janë vetëm disa nga figurat eminente globale që kanë shkruar kolumne ku kanë ftuar mbarë komunitetin ndërkombëtar për të përkrahur aderimin e Kosovës në organizatën e Kombeve të Bashkuara UNESCO.
Kosova, shteti më i ri evropian, me pavarësinë e shpallur para shtatë vitësh, në 17 shkurtin historik 2008, deri tash është njohur nga mëse 110 vende anëtare të OKB-së.–
Atifete Jahjaga
18 hrs ·
Kosovo protects its cultural heritage and is proud of its values and diversity. Kosovo deserves to be in UNESCO. All for #KOSOVOinUNESCO
Hashim Thaçi updated their cover photo.
13 hrs · Edited ·
Edhe pak orë na ndajnë nga vota e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s. Fushata jonë pozitive është përshëndetur nga shumë miq të Kosovës. Ndihmoni edhe ju. Postoni foto në Facebook, Twitter, Flicker, të Kosovës sonë të bukur dhe të shenjtë. Autori i fotos më të mirë me hashtag#KosovoinUnesco fiton një udhëtim në Paris. Me pozitivitet, pa ofendime, kryeneç të jemi aty ku meritojmë – të barabartë. Bashkangjitu fushatës. HTH
Shqipëria hap Konsullatë Ndëri në Gjakovë
-Ministri Bushati: Hapja e Konsullatës së Parë të Nderit në Kosovë, ka një domethënie të dyfishtë/
-Ministrja Tahiri: Kjo konsullatë do jetë promovuese e bashkëpunimit në të gjitha sferat e jetës/
Nga Behlul Jashari/ GJAKOVË, 20 Tetor 2015/ Është zhvilluar sot ceremonia e inaugurimit të konsullatës së nderit të Shqipërisë në Gjakovë, konsullatë kjo e cila ka për qëllim forcimin e lidhjeve kombëtare dhe promovimin e bashkëpunimit në gjitha sferat mes dy shteteve.
Në këtë ceremoni në Gjakovë organizuar nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila, morën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ministrja kosovare, Edita Tahiri, ambasadorët në dyja vendet Qemal Minxhozi dhe Ramiz Lladrovci, konsulli i nderit akademik Tahir Emra dhe shumë personalitete tjera nga jeta politike e kulturore nga Kosova dhe Shqipëria.
Gjatë ceremonisë, ministri Bushati u shpreh se, “hapja e Konsullatës së Parë të Nderit në Kosovë, ka një domethënie të dyfishtë, nga njëra anë është tregues konkret i thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror midis dy vendeve dhe nga ana tjetër, kjo Konsullatë, e para në llojin e saj, hapet në qytetin me tradita të Gjakovës, që ka lindur disa nga figurat më të shquara të kombit shqiptar, nga Ali Podrimja, Bajram Curri, Sulejman Vokshi, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Elton Zherka e deri tek kapiteni Kuq e Zi – Lorik Cana. Bijtë e Gjakovës na kanë bërë të ndjehemi krenarë para vetes dhe para botës”.
Më tej, ministri Bushati shtoi se, “është kënaqësi për mua të emëroj Konsullin e nderit të Shqipërisë në Gjakovë, z. Tahir Emra, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, falënderoi ministrin Bushati për këtë iniciativë me rëndësi dhe vlerësimin e veçantë që i bën zonës së Gjakovës. “Hapja e Konsullatës përben një detyrim për ne për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e Gjakovës me institucionet e Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Ministrja Tahiri në fjalën e saj shprehu përgëzimet e qeverisë së Kosovës për hapjen e kësaj konsullate të Shqipërisë në Gjakovë duke uruar të gjithë që kanë kontribuar për këtë vepër vizionare. Ajo tha se kjo konsullatë do të forcojë lidhjet e kombit, lidhjet që na i këputi historia duke na lënë të ndarë dhe që është detyrë e jona dhe brezave të ri që ta rilidhim fuqishëm kombin shqiptar. “Kjo konsullatë do jetë promovuese e bashkëpunimit në të gjitha sferat e jetës, e ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare, do të prek në hapësirat ku kombi ka nevojë për të punuar bashkë për të mirën tonë”, tha Tahiri.
Ajo më pastaj tha se zëvendëskryeministri dhe ministri Jashtëm, Hashim Thaçi, nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë ngjarje sepse ka udhëtuar për Paris për të lobuar për Kosovën në UNESCO dhe ne kemi pritje dhe përkrahje që Kosova do të anëtarësohet në UNESCO dhe në vijim edhe në gjithë organizatat tjera ndërkombëtare.
“Kur mora ftesën për këtë ngjarje, së pari mendova pse kjo konsullatë në Gjakovë dhe jo në Prizren. E analizova historinë dhe i dhashë të drejt këtij vendimi, sepse Gjakova ia dha Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshin, një komandant të shquar që së bashku me udhëheqësit tjerë të Lidhjes na e lanë një amanet, ta bashkojmë kombin shqiptar. Dhe ne po e bëjmë realitet misionin tonë që të bashkojmë kombin shqiptar, se a do ta bëjmë përmes integrimeve evropiane apo rrugë tjetër, e rëndësishme është që do të vendosim vet”, theksoi ministrja Tahiri.
Po ashtu, vijoi ajo, mendoj se Gjakova e meriton këtë konsullatë nderi sepse ishte qyteti ku gjenocidi serb shkaktoi humbje të mëdha në njerëz dhe në shpirtrat tonë. “Por, ne gjithnjë kemi qenë dhe jemi të fortë në luftën tonë për pavarësi dhe prosperitet, këtë po e dëshmon edhe Shqipëria edhe Kosova dhe gjithë shqiptarët anë e kënd”, tha Tahiri.
Gjatë kësaj ceremonie, ministrja Tahiri bisedoi me ministrin Bushati për rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe zbatimin e vendimeve të dala nga mbledhja e dy qeverive në Tiranë këtë vit, e në Prizren vitin e kaluar.
Në mbledhjen e qeverive Shqipëri-Kosovë, në 23 mars të këtij viti, u nënshkrua një marrëveshje e veçantë për thellimin e bashkëpunimit të zonës ndërkufitare midis Komunës së Gjakovës dhe Malësisë së Gjakovës.
Hapja e kësaj konsullate do të shërbejë në strukturimin e bashkëpunimit mes bashkive veriore të Republikës së Shqipërisë me Komunën e Gjakovës në sferën e zhvillimit të përbashkët ekonomik, shkëmbimeve tregtare, kulturore, turistike dhe realizimit të projekteve ndërkufitare mes dy vendeve.
- « Previous Page
- 1
- …
- 213
- 214
- 215
- 216
- 217
- …
- 245
- Next Page »