Nga Behlul Jashari / PRIZREN, 15 Gusht 2015/ “Evropa fillon këtu” është fushata e nisur të premtën mbrëma në Prizren, derisa në këtë qytet më të madhin jugor të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë, po zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest.
Ministria kosovare e Integrimit Evropian me këtë fushatë ka për qëllim të sensibilizojë qytetarët e Kosovës për procesin e integrimit evropian.
Gjatë lançimit në kuadër të DokuFest, në qytetin e Prizrenit, zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi bëri të ditur se fushata do të përqendrohet në dy prioritete kryesore të axhendës evropiane, në procesin e liberalizimit të vizave si dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
“Përmes fushatës do të shpjegojmë se çfarë është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, pse është e rëndësishme për Kosovën dhe çfarë përfitime do t’i sjell vendit. Krahas kësaj, do të përpiqemi të sqarojmë për qytetarët se çfarë në të vërtet nënkupton procesi i liberalizimit të vizave, apo më mirë të themi çka nuk nënkupton liberalizimi i vizave. Pra, të adresojmë keqkuptimet e shpeshta rreth këtij procesi, si çështja e studimeve, e drejta e punës e çështje të tjera”, është shprehur zëvendësministri Ilazi.
Ai ka vlerësuar se janë vetë qytetarët e Kosovës ata që kanë një rol të rëndësishëm për ta bërë realitet integrimin e vendit në BE.
Përafrimi i Kosovës me BE-në nuk është një koncept gjeografik, ka thënë Ilazi, duke shtuar se, përmes integrimit evropian vendi po kalon nëpër një proces të transformimit demokratik dhe reformimit, gjë që qon drejt përforcimit të demokracisë, përmirësimit të standardeve të jetesës dhe përafrimit të shoqërisë me atë të BE-së në çdo sferë të jetës.
“Para së gjithash, është përafrim në mëndje dhe në zemër. Procesi i integrimit të Republikës së Kosovës në BE, nuk vjen nga jashtë. Ai fillon këtu”, ka theksuar zëvendësministri Ilazi.
Nga 8 deri 16 gusht, në qytetin e Prizrenit në Kosovë po mbahet DokuFest, festivali tradicional ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër. Tema qendrore e Festivalit në këtë vit është migrimi.
Kosovë -Strategji dhe Ligj për Trepçën
-Qeveria e Kosovës miraton themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional për Sektorin Minerar/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Gusht 2015/ Qeveria e Kosovës ka miratur vendimin për themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional për Sektorin Minerar, i cili përfshinë ministritë e caktuara, por edhe subjektet e tjera që merren me këtë fushë, që të japin një orientim strategjik lidhur me zhvillimin e këtij sektori në të ardhmen.
“Në fushën e zhvillimit të sektorëve të minierave dhe minerareve, në fokusim të veçantë do të jetë çështja e Trepçës”, ka bërë të ditur kryeministri Isa Mustafa.
Në konferencën e djeshme për shtyp ai paralajmëroi Strategjinë dhe Ligjin për Trepçën, që do bëhen.
“Do të fillojmë në vjeshtën e këtij viti, edhe njërën edhe tjetrën, me rastin e kompletimit të Bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit. Poashtu, do të punojmë tani në Programin për hartimin e Strategjisë minerare dhe përmes saj do të detajizojmë orientimet tona në të ardhmen”, tha kreu i qeverisë kosovare.
Në fushën e minierave, vijoi Mustafa, kryesisht kemi të bëjmë me ligje të cilat krijojnë kushte për siguri në punë, ndërsa theksoi se, tek Trepça tani në mënyrë konkrete po punohet në dy projekte në minerën në Stantërg.
“Projekti i parë është hapja e vendpunishteve të reja në horizontin e dhjetë dhe në horizontin e njëmbëdhjetë, dhe projekti i dytë është riaftësimi i vendpunishteve në horizontin e tetë dhe të nëntë. Është një investim diku rreth 1 milion e 400 mijë euro”, tha kryeministri kosovar.
Ai bëri të ditur edhe se, është arritur poashtu Marrëveshja lidhur me shfrytëzimin e subvencioneve për Trepçën.
“Por, edhe njëra edhe tjetra ka të bëjë vetëm me pjesën jugore të Trepçës, jo edhe me pjesën veriore, sepse në pjesën veriore akoma nuk është arritur marrëveshja me të”, u shpreh kryeministri i Kosovës.
Çështje të zhvillimit ekonomik, pritet të jenë ndër temat e bisedës gjatë vizitës së sotme të kryeministrit Mustafa në komunën jugore të Mitrovicës, në të cilën është edhe miniera e Trepçës në Stantërg.
Në prill të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, pas të cilit u paralajmërua edhe një ligj i veçantë për Trepçën.
Drejtuesit e institucioneve të Kosovës gjatë vizitave në minierën në Stantërg kanë theksuar se institucionet kosovare do të angazhohen konkretisht që e ardhmja ekonomike e Trepçës të jetë e sigurt.
“Trepça ka nevojë që t’i përshtatet kushteve dhe rrethanave të ekonomisë së të tregut lirë, si e vetmja mënyrë që kapacitetet e saj prodhuese të rivitalizohen, të zgjerohen edhe më shumë, të rritet fuqia e saj eksportuese, që të gjenerojë zhvillim për vete, Kosovën dhe qytetarët e saj”, kanë theksuar ata.
Pasuria minerare e nëntokës së Trepçës arrin vlerën së paku 13 miliardë euro, sipas një studimi të fizibilitetit të kryer nga ekpertë vendorë dhe ndërkombëtarë, vite më parë, por mendohet se është edhe shumë më e madhe e në vlerë më të lartë.
Trepça, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para mëse 16 viteve Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial.
Sipas historikut të Trepçës, hulumtimet gjeologjike kanë filluar në vitin 1924 nga gjeologët anglezë, ndërsa dy vite më vonë (në 1924) në Londër formohet një shoqëri aksionare e njohur me emrin Trepça Mines Limited, e cila merr në koncesion shfrytëzimin e këtij vendburimi minerar për 50 vjet, e në vitin 1930 fillon prodhimi provues i minirealizimeve të sulfurit dhe plumbit.
Prizren – DokuFest / “Kangë e Defa” të Kosovës në një film
– Nesër lançohet fushata “Evropa Fillon Këtu” –
PRIZREN, 13 Gusht /Nga Behlul Jashari / -“Kangë e Defa” të Kosovës në një film u paralajmëruan sot në konferencën e pestë për shtyp në kuadër të edicionit të XIV të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, në qytetin e Prizrenit.“Ne udhëtuam në Kosovë për të gjetur dhe xhiruar këngët e vjetra popullore që ende kultivohen dhe ia dedikojmë këtë film në shenjë respekti të gjitha grave të vendit tonë, të cilat kryesisht i këndojnë këto kangë në manifestime të ndryshme familjare”, tha Fatime Kosumi teksa po fliste për filmin e saj dhe të regjisorit Vincent Moon “Kangë e Defa”, premiera e të cilit ishte në DokuFest dhe shfaqet edhe sonte në Kino Lum.
Në konferencë morën pjesë: Amir Vitija – regjisor i filmit “Të Pafajshmit”, Marko Grba Singh – regjisor i filmit “Abdul and Hamza”, Fatime Kosumi – regjisore e filmit “Kangë e Defa”, dhe Kristof Bilsen – regjisor i filmit “Elephant’s Dream”.
Ndërsa, ministria kosovare e Integrimit Evropian ka ftuar mediat të marrin pjesë nesër në një koktej rasti në kuadër të DokuFest.
Me këtë rast do të lançohet fushata “Evropa Fillon Këtu”, që ka për qëllim sensibilizimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës rreth procesit të integrimit evropian. Kjo fushatë do të përqendrohet në dy prioritete kryesore të axhendës evropiane: Marrëveshja për Stabilizim Asociim si dhe procesi i liberalizimit të vizave. Ngjarja mbahet në “Lounge Bar Theatre” (kafiteria Teatro) në Prizren.
Nga 8 deri 16 gusht, në qytetin e Prizrenit në Kosovë po mbahet DokuFest, festivali tradicional ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër. Tema qendrore e Festivalit në këtë vit është migrimi.
Shumë nga pjesëmarrësit e vizitorët e DokuFest nga vende të ndryshme të botës janë mirëpritur e vendosur nëpër shtëpitë e prizrenasëve.
KOSOVË- MALI I ZI, DREJT MARRËVESHJES PËR KUFIRIN
-Qeveria miratoi Raportin e Komisionit Shtetëror, si dhe vendimin për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës autorizimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe ministrit të Punëve të Brendshme për nënshkrimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/
– Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nesër do të mbajë konferencë shtypi me temë: Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Ai, në 6 gusht, u ka shkruar letër përfaqësuesve më të lartë shtetërorë e institucionalë dhe u ka kërkuar atyre pezullimin e nismës për marrëveshjen mbi kufirin Kosovë-Mali i Zi/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 12 Gusht 2015/ Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës autorizimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe ministrit të Punëve të Brendshme për nënshkrimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme të 44-të, drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, miratoi Raportin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Kryeministri Mustafa ka theksuar se gjatë muajve të fundit janë mbajtur disa takime dhe se janë bërë përpjekje që të sqarohen të gjitha çështjet dhe që të mos mbetet asgjë pa u sqaruar.
U bë e ditur edhe për takimet e mbajtura, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Pejës duke përfshirë kryetarin e komunës edhe disa përfaqësues tjerë, të cilët janë marrë me këtë çështje, ndërsa nga qeveria e Kosovës kanë qenë kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministrat Thaçi e Shala.
Kryeministri Mustafa tha se në këto takime që janë mbajtur janë interesuar se a ndryshon sipërfaqja e Republikës së Kosovës me rastin e përcaktimit të këtij kufiri. “Komisioni ka dëshmuar se sipërfaqja nuk ndryshon për asnjë centimetër katror”, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar nga kryetari i Komisionit që edhe një herë ta vërtetojë këtë para qeverisë, duke përfshirë edhe faktet se nuk ndryshon sipërfaqja e komunës së Pejës.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi pasi ka prezantuar procedurat e krijimit të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, ka theksuar se në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij, për tre vite me radhë ky Komision ka hulumtuar, mbledhur, shqyrtuar dhe analizuar gjithë informacionin, hartën dhe dokumentacionin për vijën kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
“Përgjatë gjithë kësaj kohe janë ngritur debate me ekspertë, me zyrtarë të lartë të qeverisë së Republikës së Kosovës, me kryetarë komunash dhe këshilltarë të komunave të brezit kufitar me Malin e Zi, si komunat e Junikut, Deçanit, Pejës dhe Istogut, si dhe me banorë në terren pranë zonave kufitare. Në bazë të Raportit të Punës së Komisionit Shtetëror, shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi është në përputhshmëri të plotë me linjën kufitare sipas Kushtetutës së vitit 1974, me Planin e Ahtisaarit, dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe se Komisioni Shtetëror garanton se me përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi nuk tjetërsohet asnjë milimetër katror i territorit të Republikës së Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Thaçi, duke shtuar se është bërë një punë tejet e madhe prej Komisionit, gjithashtu se ka qenë një përkushtim i vazhdueshëm i gjithë mekanizmave shtetërorë.
Raportin e Punës së Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror e ka prezantuar para kabinetit qeveritar kryesuesi, Murat Meha.
“Komisioni me përgjegjësi të plotë, me transparencë të plotë dhe me argumente të dokumentacionit që i kemi këtu edhe në formë analoge dhe në formë digjitale, e thotë dhe e dokumenton që territori i Republikës së Kosovës nuk ndryshon për asnjë centimetër katror dhe komuna e Pejës, që e ka pasur territorin e vetë 602.2 kilometra katrorë, të njëjtat i ka pasur edhe në ’74, të njëjtat i ka edhe sot. Do të thotë, nuk ka ndryshim të vijës kufitare në bazë të dokumentacionit ekzistues dhe vijës administrative të cilën e ka menaxhuar edhe Kosova Autonome atëherë, dhe tash është kufi shtetëror i Republikës së Kosovës”, tha Meha
Më parë, në 5 gusht, qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për vijën shtetërore kufitare me Republikën së Malit të Zi, duke vlerësuar se “është tepër e rëndësishme për zhvillimin tonë, sepse shënon një fazë të rëndësishme të përkufizimit shtetëror të Kosovës me vendet fqinje dhe ndërtimit të marrëdhënieve të reja mbi bazën e respektimit të kufijve shtetëror”.
Ndërsa, në 6 gusht, kryetari i AAK-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka shkruar letër përfaqësuesve më të lartë shtetërorë e institucionalë dhe u ka kërkuar atyre pezullimin e nismës për marrëveshjen mbi kufirin Kosovë-Mali i Zi, me arsyetimin se “ky proces është korruptuar”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot paralajmëron se, kryetari i kësaj partie opozitare, Ramush Haradinaj, nesër do të mbajë konferencë shtypi me temë: Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.
Kosovë-Serbi, nisi zbatimi i Marrëveshjes
Kosovë-Serbi, nisi në mesnatë zbatimi i Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve për automjete/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 12 Gusht 2015/ Në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi ka nisur zbatimi i Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve për automjete.
Ka hyrë në fuqi, sot nga mesnata, zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për Njohjen e Reciproke të Sigurimeve të Automjeteve, të nënshkruar në Bruksel më 23 qershor 2015 në prani të kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së.
Kjo marrëveshje mundëson lirinë e lëvizjes së qytetarëve të të dyja vendeve me mjetet motorike të regjistruara në njërën nga shtetet, Kosovë ose Serbi, e që posedojnë sigurim valid për territorin e palës tjetër. Me njohjen e policave të sigurimeve të automjeteve të lëshuara nga autoritetet respektive të Republikës së Kosovës, mundësohet liria e lëvizjes me çmime shumë më të lira.
Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që udhëtojnë në dhe nëpërmjet territorit të Serbisë janë të obliguar që të kenë në posedim të tyre përveç sigurimit/policës bazë për automjetet e tyre edhe MTPL Plus.
Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe Policia e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e rregullt dhe të përpiktë të kësaj marrëveshje.
Qeveria i fton qytetarët që të raportojnë pranë institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës për çdo parregullsi eventuale që mund ta hasin gjatë zbatimit të marrëveshjes, me qëllim të identifikimit dhe eliminimit të tyre.
Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, duke përshëndetur hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, e ka falënderuar Grupin Punues për punën e palodhshme në arritjen e kësaj marrëveshje, me theks të veçantë në rolin e patjetërsueshëm të Bankës Qendrore të Kosovës si autoritet rregullativ i sektorit të sigurimeve, poashtu Byronë Kosovare të Sigurimeve për zbatimin e saj dhe udhëheqësin e grupit teknik Rrahim Pacollin.
Në mbrëmjen e 23 qershorit 2015 njoftohej se, në Bruksel, në margjina të takimit të raundit të 26-të kryeministror Kosovë-Serbi, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, është nënshkruar Marrëveshja për Sigurimet Kufitare të Automjeteve.
Në 5 gusht, delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e mbajtur në Bruksel lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve. Pas takimit u bë e ditur se, marrëveshja Kosovë-Serbi për sigurimin e automjeteve nis zbatimin në 12 gusht.
Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Tahiri është takuar edhe me presidentin e Këshillit të Byrove Evropiane (KBE), Jean Zenners. Është diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, me theks të veçantë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Këshillit të Byrove Evropiane, zbatimi i kritereve të KBE-së nga ana e institucioneve përgjegjëse të Kosovës dhe perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove.
- « Previous Page
- 1
- …
- 230
- 231
- 232
- 233
- 234
- …
- 245
- Next Page »