• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shuhet aktori Adem Mikullovci…

September 15, 2020 by dgreca

Adem Mikullovci, 2 Korrik 1990-

Shuhet aktori Adem Mikullovci, firmëtar i Deklaratës për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990

-Liderët institucinalë: Adem Mikullovci, edhe si aktor, edhe si delegat që votoi Deklaratën Kushtetuese më 2 Korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 Shtator 1990, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjithnjë ishte në shërbim të vendit tonë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 15 Shtator 2020/ Është shuar sot, në orën e parë të 15 Shtatorit 2020, aktori Adem Mikullovci, i cili si delegat i Kuvendit të Kosovës ishte firmëtar i Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të 2 Korrikut 1990, e në Kosovën e pavarur ishte deputeti më i vjetër zgjedhjeve parlamentare të 11 Qershorit 2017.

 “Sonte pas mesnatës në ora 00:20 ndëroj jetë më i dashuri jonë Adem Mikullovci!”, ka njoftuar bashkëshortja Lumnije Mikullovci, e cila është regjisore.

“Për informata tjera dhe ceremoninë e varrimit ju lajmërojmë”, ka shkruar ajo.

Adem Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri. Ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike. Mes tjerash, prej vitit 1968 e deri në Korrik të vitit 1990 Adem Mikullovci bëri një karrierë me 45 role kryesore, si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore. 

PRESIDENTI THAÇI: KONTRIBUTI I ADEM MIKULLOVCIT DO KUJTOHET PËRGJITHMONË

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan:

Sot qenka ndarë nga jeta aktori i njohur Adem Mikullovci. Edhe si aktor, edhe si delegat që votoi Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai gjithnjë ishte në shërbim të interesit publik dhe vendit tonë. Kontributi i tij në art, kulturë dhe politikë do të kujtohet përgjithmonë. Ngushëllime familjes Mikullovci dhe të gjithë artdashësve, miqve dhe të afërmve të tij!

KRYEMINISTRI HOTI: AKTORI I MADH SHQIPTAR, ADEM MIKULLOVCI…

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka shkruar sot:

Aktori i madh shqiptar, Adem Mikullovci, na paska lanë e paska ikë nga kjo botë, por vepra e tij asnjëherë nuk do të na lërë.

Ai ishte përherë pjesë e gëzimeve dhe festave në familjet tona. Me veprat e tij artistike dhe dashurinë që kishte ndaj të bukurës, ai ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer në artin dhe kulturën tonë.

Ai do të mbetet përherë frymëzim edhe për brezat e rinj, për artin por edhe për atdhedashuri. Përveç që ishte një artist i shkëlqyer, ai ishte edhe një atdhetarë i pashoq. Bacën Adem përherë do ta kujtojmë edhe si njërin prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës nga vitet 1990 – 92, kur u shpall deklarata Kushtetuese dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës.

Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë komunitetit të artistëve.

Lavdi jetës dhe veprës së Bacës Adem!

KRYEPARLAMENTARJA OSMANI: SOT, VENDI MBETI PA AKTORIN E POLITIKANIN E SHQUAR

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani shkruan:  Sot me dhembje të thellë e mësova lajmin për ikjen nga kjo botë të klasikut të teatrit, mjeshtrit të skenës e ish-deputetit Adem Mikullovci.

Skena teatrore humbi njeriun e madh, i cili jetën e tij prej aktori nuk e ndante nga angazhimi qytetar, duke qenë delegat i përbërjes së Deklaratës së 2 Korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut për ta përmbyllur angazhimin e tij politik në mandatin e kaluar si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Guximin e skenës teatrore e manifestoi në cilësinë e delegatit/deputetit, duke u bërë personifikim i njeriut kauza e të cilit është interesi qytetar.

Aktroi për publikun, siç edhe foli për mbrojtjen e interesit të tij!

Një takim përgjatë kësaj jave, ashtu siç ishim dakorduar, na mbeti peng Adem Mikullovci. Për pak nuk e bëmë përshëndetjen e fundit, sepse ti e mbylle perden!

Sot, vendi mbeti pa aktorin e politikanin e shquar, mbeti pa një zë kritik, i cili iku me dëshirën për një Kosovë më të mirë.

Mjeshtër, një është e sigurt; që ti do të mbetesh shenjë e kohës dhe që ne nuk do të pushojmë së punuari që këtë vend ta bëjmë siç deshte ti!

Sipari i Teatrit për TY u mbyll për prezencën fizike, porse jo për veprat që le pas!

Familjes e komunitetit artistik, ngushëllime!

Prehu në paqe Adem Mikullovci!

TELEGRAM NGUSHËLLIMI I MINISTRES DUMOSHI ME RASTIN E NDARJES NGA JETA TË ADEM MIKULLOVCIT

“E nderuar familja Mikullovci,

Me pikëllim dhe me mërzi të madhe e mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, krenarisë tonë artistike, aktorit, skenaristit e regjisorit tonë të madh, bacës Adem.

Baca Adem më nuk do të jetë i pranishëm me trupin e tij, por do të jetë i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas.

Ai do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e tij të pamohueshme e të pashlyeshme që ka lënë pas, si një rrugë të shtruar fort për brezat që vijnë.

Numri i roleve dhe veprave artistike e të papërsëritshme të bacës Adem do të mbesin xhevahire të çmuara dhe do të jenë gjurmë të skalitura e të pashlyera në botën e artit e të aktrimit.

Me praninë e tij, ai e ka pasuruar dhe e ka bërë madhështore çdo vepër artistike dhe i ka dhënë peshë roleve që i ka marrë mbi supe t’u japë shpirt.

Me korpusin e roleve të tij në teatër, film e televizion, baca Adem ka tejkaluar çdo barrierë dhe pa dyshim ai konsiderohet krenaria dhe një prej ikonave të artit shqiptar.

Adem Mikullovci ka qenë dhe do të mbetet shembull dhe pikë orientuese në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, i cili me angazhimin e tij ka qenë edhe frymëzim jo vetëm për kolegët e tij të gjeneratës dhe për aktorët e rinj, por edhe një frymëzim edhe për popullin e Kosovës në kohët më të vështira nëpër të cilat ka kaluar shteti i Kosovës.

Ndarja e bacës Adem nuk është humbje e rëndë dhe e dhimbshme vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por ikja e tij pa dyshim se lë zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt veprën dhe kontributin e tij të çmuar e të paçmim që ka dhënë për kulturën e Kosovës dhe atë mbarëshqiptare.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Adem Mikullovcit”.

Sinqerisht,

Vlora Dumoshi

Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Mikullovci, Behlul Jashari, Shuhet aktori

11 SHTATORI SI KUJTESË-KOSOVA KUJTON

September 11, 2020 by dgreca

  • Dr. Vjosa Osmani: Kosova do të qëndrojë përkrah Amerikës në luftën kundër terrorizmit–

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, bashkë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka vendosur lule tek pllaka përkujtimore, me rastin e 19 vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA.

Para pllakës përkujtimore të 11 Shtatorit, kryeparlamentarja Osmani tha se janë aty për të nderuar mijëra shtetas amerikanë, e në mesin e tyre edhe shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën nga një sulmi tmerrshëm terrorist 19 vjet më parë.

Osmani tha se ky sulm zgjoi ndërgjegjen e botës dhe të demokracive anë e kënd globit, për të luftuar terrorizmin si një ndër sfidat kryesore të kohës moderne.

Kosova, sipas kryetares Osmani, do të qëndrojë përgjithmonë bashkë me popullin amerikan në kërkim të drejtësisë për ato mijëra viktima të atij sulmi të tmerrshëm.

 “Kosova dhe populli i saj, si populli më proamerikan në botë dhe Republika jonë, si aleati kryesor i SHBA-ve, kanë qëndruar me popullin amerikan edhe atëherë, qëndrojnë edhe sot në nderimin e viktimave të këtij akti të shëmtuar terrorist dhe do të qëndrojmë përgjithmonë bashkë me popullin amerikan në kërkim të drejtësisë për ato mijëra viktima”, tha kryetarja Osmani.

Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Osmani konfirmoi se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit dhe luftimin e fenomeneve negative.

Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett, u shpreh se partneriteti SHBA- Kosovë, tejkalon raportet politike.

 “Sot përkujtojmë jo vetëm ngjarjet e tmerrshme të 11 shtatorit 2001, por edhe lidhjen e ngushtë dhe partneritetin mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës dhe ky parneritet tejkalon politikën. Për dy dekada, populli i SHBA-së dhe Kosovës, qëndruan së bashku për të luftuar terrorizmin, në përpjekje për të ndërtuar një të ardhme në paqe, drejtësi e përparim për njerëzit e të dy vendeve tona dhe për fqinjët”, tha ambasadori Kosnett.

Kosnett falënderoi popullin e Kosovës që çdo vit përkujton viktimat e sulmit të 11 shtatorit të vitit 2001, ndërsa shtoi se SHBA dhe Kosova do të forcojnë partneritetin për të luftuar terrorizmin dhe fenomenet negative.

Gjatë homazheve, kryetarja Osmani shoqërohej gjithashtu edhe nga nënkryetarët e Kuvendit, Arbërie Nagavci dhe Memli Krasniqi.​

Filed Under: Featured Tagged With: 11 SHTATORI SI KUJTESË, Behlul Jashari

Shqipëria dhe Kosova, potencial të jashtëzakonshëm rinor

September 10, 2020 by dgreca

-Ministrja e Kulturës e Kosovës Vlora Dumoshi priti në takim pjesëmarrësit e kampit të përbashkët rinor Kosovë – Shqipëri/ 

PRISHTINË, 10 Shtator 2020- Gazeta DIELLI/ Ministrja kosovare e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, në kuadër të Muajit të Rinisë, i cili është mbushur me aktivitete të ndryshme që ishin me interes për fushën e rinisë, ka pritur sot në takim një grup të rinjsh nga Kosova e Shqipëria, pjesëmarrës të sesionit të dytë të kampit rinor i cili ka nisur në Kosovë, pas atij që është mbajtur në Shqipëri në korrik të këtij viti.

Të rinjtë do të kenë mundësinë të ndajnë eksperienca dhe të aftësohen në këto tema:

1. Mbrojtja e mjedisit jetësor në Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës.

2. Rrjetëzimi dhe partneriteti për vitin 2020.

3. Mbështetja e të rinjve në aspektin psiko-social gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Ministrja u shpreh e lumtur që po pret të rinjtë në takim dhe theksoi që konsideron që shkëmbimi i eksperiencave dhe ndarja e njohurive mes dy vendeve tona është tepër e rëndësishme aq më tepër kur të dy vendet gëzojnë potencial të jashtëzakonshëm rinor.

Të rinjtë pjesëmarrës u shprehën entuziastë e të lumtur për takimin dhe e vlerësuan kampin si një hapsirë ku përveç njohurive të reja po përfitojnë njohje të reja e eksperienca të paharrueshme.

I gjithë kampi është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Rinisë e Shqipërisë.

*Me shume fotografi gjeni ne Facebook-Gazeta Dielli

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Potencial rinor, Shqiperia e Kosova

Kosova Rapublikë me Kushtetutë para 30 viteve drejt Pavarësisë

September 7, 2020 by dgreca

 -Kosova para 30 viteve, në 7 Shtator 1990, u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind, si dhe nga zgjedhjet e para pluraliste parlamentare dhe presidenciale të 24 Majit 1992

 -Në Kuvendin e Kosovës sot në një ceremoni solemne u bë ndarja e mirënjohjeve për delegatët, të cilët në 7 Shtator të vitit 1990 morën pjesë në shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës
-Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 12 vitesh në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në  mesazhet e 7 Shtatorit -Viti 1998: Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Viti 2005: Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Shtator 2020/  Para 30 viteve, në 7 Shtator 1990, Kosova u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, poashtu të vitit 1990, e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind dhe pjesëmarrjen masive 87,01%  të 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale që pasuan, të 24 Majit 1992, atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit  të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federates. Ajo Kushtetutë ishte e para në historinë kushtetuese të Kosovës, ndërsa e dyta ishte ajo e 7 Shtatorit 1990, në rrugën drejt lirisë e pavarësisë.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli në një nga intervistat që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pa kthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, është shprehur Ilaz Ramajli në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri më 30 Shtator 1991.

Ndërsa në 30 vjetorin e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, për median kosovare – Kohën, Ramajli tha se ndonëse për shkak të rrethanave, Kushtetuta e Kaçanikut nuk ka pasur mundësi të që të zbatohet plotësisht në territorin e Kosovës, por ajo ka qenë njëra ndër aktet më të përparuara në regjion.

“Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 u shndërruan me kohë në busullë të lëvizjes sonë paqësore politike dhe besoj se po këto akte kanë qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave. Mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut u organizua komplet jeta në Kosovë jashtë sistemit të Serbisë dhe mundësoi që shqiptarët e Kosovës dhe popujt e tjerë joserbë të organizojnë rezistencën e tyre jo të dhunshme më vonë edhe luftën çlirimtare”, ka thënë Ramajli.

Në Kosovën e lirë nga qershori 1990, prej vitit 2001 deri para 12 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Kosova para 12 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur nga Kuvendi i Kosovës u miratua Kushtetuta – akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 Qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda dymbëdhjetë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator që ishte ditë e përvjetorit të Kushtetutës 1990,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 12 vitesh në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.

“Njohja nga Izraeli është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë. Kjo edhe njëherë dëshmoi se që nga shpallja e pavarësisë sonë, Shtetet e Bashkuara kanë rol ekzistencial në përkrahjen dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar te Kosovës”, ka deklaruar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Në Kuvendin e Kosovës sot u shënua 7 Shtatori, respektivisht 30 vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut.

Në këtë solemnitet morën pjesë delegatë të përbërjes së atëhershme të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë shpallur Kushtetutën e Kaçanikut në 7 Shtator të vitit 1990.

Në ceremoninë solemne në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës u bë ndarja e mirënjohjeve për delegatët, të cilët në 7 Shtator të vitit 1990 morën pjesë në shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

PRESIDENTI THAÇI: NGJARJET E 2 KORRIKUT DHE 7 SHTATORIT 1990, AKTE TË GUXIMSHME TË DELEGATËVE SHQIPTARË

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shkruan:

Vullneti i popullit tonë për liri dhe pavarësi ishte shekullor. I tillë ishte edhe vullneti i përfaqësuesve politikë. Ngjarjet e 2 Korrikut dhe 7 Shtatorit të vitit 1990 ishin akte të guximshme të delegatëve shqiptarë, që dëshmuan vendosmëri dhe vetëdije të lartë kombëtare e shtetformuese.

Sot, me respekt të veçantë, kujtojmë sakrificën dhe përkushtimin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që në rrethana të jashtëzakonshme miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte bazament i fuqishëm për ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale në Kosovë.

Liria dhe pavarësia ishin ëndërr e shumë brezave, që sakrifikuan gjithçka për t’i bërë realitet.

KRYEMINISTRI HOTI: TRI DEKADA NGA MIRATIMI I KUSHTETUTËS SË KAÇANIKUT

Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti  shkruan:

Më 7 Shtator të vitit 1990, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, akt ky që erdhi si rezultat i shpalljes se Deklaratës kushtetuese të 2 Korrikut të po atij viti.

Këto dy akte dhe sakrifica e pamohueshme e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, i vunë themelet e shtetit të pavarur të Kosovës.
Megjithëse nën presionin dhe kërcënimin e tytave të armëve, Kushtetuta e Kaçanikut u votua me shumicë votash nga delegatët e Kuvendit të Kosovës, ndaj të cilëve jemi përherë mirënjohës.

PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA: 7 SHTATORI 1990, THEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS

 -Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës/

Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, vlerësonte se miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator të vitit 1990 shënonte aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Po risjellim dy mesazhe të Presidentit Rugova për 7 Shtatorin, të vitit të luftës 1998 dhe të vitit të lirisë 2005 – të fundit të Presidentit historik për ditën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

 VITI  1998: DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA ME RASTIN E 7 SHTATORIT 

PRISHTINË, 7 Shtator 1998/ Me rastin e 7 Shtatorit – Ditës së miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës – Presidenti i  Republikës Dr. Ibrahim Rugova dha një deklaratë në të cilën thuhet:

Pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik të vitit 1990, miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Kjo ngjarje e rëndësishme në historinë më të re të Kosovës, ka vënë themelet juridike e politike të shtetësisë së Kosovës.

Sot, tetë vjet pas miramitit të këtij akti të lartë, populli i Kosovës edhe pse në gjendje okupimi dhe i ballafaquar me ofensivat e egra të forcave serbe, me një vullnet të fortë po ndërton shoqërinë demokratike e civile në Kosovë. Dhe, përkundër vuajtjeve nëpër të cilat po kalon, ai është i përcaktuar që me mjete politike ta realizojë pavarësinë e Kosovës.

Në këto çaste të vështira që po përjeton, populli i Kosovës me përkrahjen dhe ndihmën e botës demokratike e sidomos të SHBA-ve dhe Unionit Evropian, do të dijë ta kapërcejë këtë gjendje të rëndë.

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!

VITI 2005: PRESIDENTI RUGOVA U DREJTOI NJË MASAZH QYTETARËVE TË KOSOVËS ME RASTIN E 7 SHATORIT


PRISHTINË, 7 Shtator 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës me rastin e 7 Shtatorit, ditës kur para 15 vjetësh u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Kaçanik.

  
Në mesazhin e Presidentit Rugova thuhet:


Me rastin e 7 Shtatorit, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Dita e 7 Shtatorit e vitit 1990 është një ditë e rëndësishme në historinë tonë të re, sepse u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u bë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në korrik të po atij viti.

Kjo i vuri themelet e shtetit të Kosovës, që u vërtetua me Referendumin për pavarësi dhe hapi perspektiva për ndërtimin e jetës shtetërore demokratike.

Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës

Filed Under: Featured Tagged With: 2 korrik 1990, Behlul Jashari, Kushtetuta

Kosova dhe Serbia, pas takimit historik në Uashington vijojnë dialogun në Bruksel

September 6, 2020 by dgreca

-Pas takimit të parë e historik në 3 e 4 Shtator 2020 në Uashington-Shtëpinë e Bardhë, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen në 7 Shtator 2020 në Bruksel për të vijuar me dialogun/

-Kryeministri Hoti: Të hënën në Bruksel e takojmë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke…/

-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 6 Shtator 2020/ Pas takimit të parë e historik në 3 e 4 Shtator 2020 në Uashington-Shtëpinë e Bardhë dhe marrëveshjeve të nënshkruara me praninë e garancitë e Presidentit Amerikan Donald Trump, Kosova e Serbia takohen nesër në Bruksel poashtu në nivel të lartë – Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës tha sot se, bazuar në zotimet që i kemi dhënë në Samitin e Parisit më 10 Korrik 2020, si dhe mbështetjen që kemi marrë nga Presidenti Francez Makron dhe Kancelarja Gjermane Merkel, të hënën në Bruksel e takojmë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura.

Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të të gjithë regjionit”, theksoi Kryeministri Hoti.

Ai paralajmëron edhe një takim tjetër të rëndësishëm në Bruksel.

“Të martën, në selinë e NATO-s në Bruksel, takohem me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të cilin e falënderoj për gatishmërinë.
Kosova është e bekuar me miqtë e saj, në të dy anët e Atlantikut”, shprehet Kryeministri Hoti.

Para takimit të dytë – të nesërm, 7 Shtatorit 2020, në 16 Korrik 2020, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar për herë të parë në Bruksel, pas një takimi virtual nëpërmjet video-konferencës në 12 Korrik 2020, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në rifillimin e dialogut mes dy vendeve të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit  2018.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi takimi i parë i nivelit të lartë kryeminsitror është mbajtur në vitin 2012  në 19 Tetor, i cili pasonte dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011.

HISTORIKU I DIALOGUT KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL

Para rifillimit të takimeve në 16 Korrik 2020 të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takimi i fundit Prishtinë-Beograd në Bruksel, ishte zhvilluar në 8 Nëntor  2018, i cili, siç u deklarua atëherë  ishte i treti presidencial i fazës finale në dialogun Kosovë- Serbi, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian – Shefja e  Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

I pari takim presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel i fazës finale të dialogut  është mbajtur në 24 Qershor 2018, ndërsa i dyti në 18 Korrik 2018. I treti takim ishte paralajmëruar për të premtën e 7 Shtatorit 2018, por  sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, Presidenti i Serbisë Vuçiç nuk ka pranuar të takojë Presidentin e Kosovës Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini  ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vijuar dialogun.

Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008.

 Takimi i 8 Nëntorit  2018 ishte i teti  i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.  Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për Presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin Prill 2016, dhe Presidentin Vuçiç, të inauguruar në Qershor 2017, takimi i 8 Nëntorit  2018 ishte i gjashti, pas të pestit në 18 Korrik e të katërtit në 24 Qershor, të tretë të fazës finale, të vitit 2018.

Ndërsa takimi i 23 Marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 Korrik e të dytit në 31 Gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

 Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 Shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 Janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë Presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 Janar dhe i fundit që nga i pari në 19 Tetor 2012.

Para më shumë se shtatë vitesh, në 19 Prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. 

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.

Fishë teknike-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel:

30 RAUNDET KRYEMINISTRORE

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – në 19 Tetor
Raundi 2 – në 7 Nëntor
Raundi 3 – në 4 Dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – në 17 Janar
Raundi 5 – në 19-20 Shkurt
Raundi 6 – në 4 Mars
Raundi 7 – në 20 Mars
Raundi 8 – në 2 Prill
Raundi 9 – në 17 Prill
Raundi 10 – në 19 Prill
Raundi 11 – në 21 Maj
Raundi 12 – në 20-21 Qershor
Raundi 13 – në 8 Korrik
Raundi 14 – në 24 Korrik
Raundi 15 – në 27 Gusht
Raundi 16 – në 8 Shtator
Raundi 17 – në 7 Tetor
Raundi 18 – në 6 Nëntor
Raundi 19 – në 5 Dhjetor

Raundi 20 – në 13 Dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – në 27 Janar
Raundi 22 – në 12 Shkurt
Raundi 23 – në 31 Mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – në 9-10 Shkurt

Raundi 25 – në 21 Prill

Raundi 26 – në 23 Qershor

Raundi 27 – në 29 Qershor

Raundi 28 –  në 25 Gusht

Raundi 29 – në 13 Tetor

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 Janar

TAKIMET E PRESIDENTËVE

Viti 2017:

Thaçi – Nikoliç -2 takime

-1 Shkurt

-24 Janar

Thaçi – Vuçiç

-3 Korrik

-31 Gusht

Viti 2018:

-23 Mars

-24 Qershor

-18 Korrik 

-7 Shtator  (vetëm takime të ndara me Mogherinin)

-8 Nëntor 

Viti 2020:

Hoti -Vuçiç

12 Korrik (takim virtual nëpërmjet video-konferencës)

16 Korrik

7 Shtator (takimi që pritet)

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosove-Serbi, ne Bruksel

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT