• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vushtrria, qytet i pasur në kulturë e trashëgimi

July 19, 2020 by dgreca

-Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Qeverisë së Kosovës, Vlora Dumoshi në Vushtrri pritet nga kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, diskutuan për projektet në resorët të cilët i mbulon ministria, në kulturë, rini, sport e trashëgimi: Vushtrria është një qytet i pasur në kulturë e trashëgimi/

-Në faqen zyrtare të komunës shkruhet historia: Vushtrria ose Vicianumi, siç është quajtur përpara sipas emrit të vjetër ilir, është lokalitet antik, që daton qysh nga mesjeta, edhe para Perandorisë Romake, përkatësisht që nga koha e dardanëve/

VUSHTRRI, 17 Korrik 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Qeverisë së Kosovës, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministrat Arber Grabovci dhe Engelbert Zefaj, kanë vizituar Komunën e Vushtrrisë për të inspektuar projektet infrastrukturore në të cilat po investon MKRS-ja.

Ata u pritën nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, me të cilin diskutuan për projektet në resorët të cilët i mbulon ministria, në kulturë, rini, sport e trashëgimi.

Pas takimit në Komunë, Dumoshi e Tahiri vizituan stadiumin e Vushtrrisë, për të cilin MKRS-ja ka projektin që ky terren sportiv të shndërrohet në stadium të kategorisë së dytë të UEFA-së.

“Vushtrria njihet me sportistë e sportiste shumë të mira. Ne si ministri kemi planifikuar të investojmë në stadium. Më parë kemi nisur ndërtimin e tribunave por që kanë mbetur në gjysmë. I kemi paraparë 600 mijë euro për stadium dhe do të punojmë ngushtë me kryetarin dhe komunën që të punojmë në bazë të standardeve të parapara evropiane, duke e përmbushur edhe një prioritet të Qeverisë Hoti, për mbështetjen dhe zhvillimin e sportit në vendin tonë”, tha ndër të tjera ministrja.

Ndërsa kryetari Tahiri e falënderoi ministren dhe MKRS-në për përkrahjen dhe investimin në shumë projekte të cilat janë të mirëseardhura për banorët e Komunës së Vushtrisë. Ai tha se Vushtrria merret shumë me futboll, ka nxjerrë futbollistë të talentuar dhe ka shkolla të futbollit të cilat kanë më shumë se 600 fëmijë, dhe se investimet e MKRS-së në këtë drejtim, shkojnë drejtpërsëdrejti në dobi të tyre.

VIZITA NË SHTËPINË E KULTURËS

Në kuadër të vizitës në Vushtrri, ministrja Dumoshi qëndroi edhe në objektin e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” ku ministria është duke investuar mbi 1.2 milion euro.

Ministrja Dumoshi tha se Vushtrria është një qytet i pasur në kulturë e trashëgimi dhe se shtëpia e kulturës do të jetë multifunksionale ku do të ketë hapësira për ekspozita, salla koncertale e teatrale, të cilat do të jenë në shërbim të artistëve të Vushtrrisë.

“Jemi në objektin e Shtëpisë së Kulturës ‘Hasan Prishtina’, ku e shohim një punë jashtëzakonisht të mirë të punëkryesëve, që nuk e kemi has deri më tani në këtë inspektimin tonë që po e bëjmë gjatë këtij muaji, por më e mira e kësaj salle është harmonia të cilën e kanë paraparë projektuesit ku janë të përfshira aktivitetet e ndryshme kulturore”, u shpreh ministrja.

Ministrja po ashtu foli edhe për mbështetjen e trashëgimisë në Vushtrri, ku veçoi edhe shtëpinë e Mahmut Agë Gjinollit, e cila shumë shpejt do të hapet për vizitorë dhe do të jetë një pikë referuese turistike për vizitorë të ndryshëm.

Ndërsa kryetari Tahiri e falënderoi ministren Dumoshi për tërë përkrahjen dhe përkushtimin që ka për Vushtrrinë. Ai tha se ministrja Dumoshi do të mbetet në zemrat dhe kujtesën e vushtrriasve për punën e palodhshme që po bën në mbështetje të projekteve të dobishme për Vushtrrinë të cilat do të ndikojnë që Vushtrria të ndryshojë edhe figurën e tërësishme të saj me investimet që MKRS-ja po bën në këtë komunë.

PËRUROHET PALESTRA SPORTIVE NË SAMADREXHË TË VUSHTRRISË

Samadrexha e Vushtrrisë nga sot do të ketë palestrën e saj moderne, investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vlerë prej 860 mijë euro.

Në një ceremoni të organizuar enkas për këtë ngjarje, u inaugurua palestra sportive në fshatin i cili ka traditë në sport.

Me këtë rast, Ministrja Vlora Dumoshi, e cila ishte në vizitë në Komunën e Vushtrrisë, u shpreh se Samadrexha e ka pasur të nevojshme në palestër të tillë, si një vend që ka traditë në sport.

“Investimi i kësaj palestre që nga fillimi ka qenë i ministrisë, duke filluar nga projekti dhe deri në përfundim, me një kosto prej 860 mijë euro, por përfitimi më i madh shkon tek sportistët, qoftë tek hendbolli, basketbolli dhe sporte tjera. Faleminderit shumë për përkrahjen e djemve, po posaçërisht vajzave, që i shtyni që ato të jenë më të forta dhe të marrin përgjegjësi në çdo hap të jetës”, tha ministrja duke potencuar se prioritet i MKRS-së është zhvillimi i infrastrukturës për të krijuar hapësira të duhura për të gjithë sportistët.

Ministrja Dumoshi tregoi se edhe në vitin e ardhshëm Vushtrria do ta ketë përkrahjen e ministrisë edhe për projekte të tjera që janë në interes dhe në plotësimin e kërkesave të qytetarëve të komunës së Vushtrrisë, për sportistët, për pjesën e kulturës dhe e të trashëgimisë.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, tha se për të është nder dhe krenari, që me përkrahjen edhe të MKRS-së, Samadrexhës po i vënë në funksion një palestër moderne.

“Po i japim përfundimisht Samadrexhës atë që e ka merituar që shumë kohë. Një palestër moderne, një palestër që e bënë krenar jo vetëm Samadrexhën e Vushtrrinë, po krejt Kosovën dhe që i shkon klubit të Samadrexhës, edhe klubit të vashave edhe të djemve, sepse ju me punën e juaj, me sukseset e juaja, me trofetë e fituara për shumë vite për sport, jeni bërë padyshim emblema dhe krenaria e sportit të Vushtrrisë, të krejt Kosovës”, tha Tahiri, duke theksuar se është e rrallë që në një fshat si Samadrexha të ketë kaq shumë klube sportive dhe kaq shumë aktivitete.

Palestrën e sporteve e mirëpritën edhe banorët dhe sportistët e Samadrexhës, duke e konsideruar si një lajm të mirë përfundimin e kësaj palestre. “Një ëndërr e bërë realitet, pasi vitin e ardhshëm bëhen 50 vjet që u themelua klubi i hendbollit i këtij fshati”, u tha nga banorët.

Lëshimin e palestrës në funksion të zhvillimit të aktiviteteve sportive e vlerësuan edhe nga Federata e Hendbollit të Kosovës duke e cilësuar si një objekt modern sporti me standarde evropiane.

Samadrexha është një fshat që ka traditë në sporti që në kohën e ish-Jugosllavisë, kur në ligën e parë të federatës ka garuar klubi i hendbollit, ndërsa tani vajzat e Samadrexhës janë shpallur kampion i Kosovës.

VUSHTRRIA – VICIANUMI SIPAS EMRIT TË VJETËR ILIR, ËSHTË LOKALITET ANTIK

Në faqen zyrtare të komunës shkruhet historia:

Vushtrria ose Vicianumi, siç është quajtur përpara sipas emrit të vjetër ilir, është lokalitet antik, që daton qysh nga mesjeta, edhe para Perandorisë Romake, përkatësisht që nga koha e dardanëve. Viciana në fund të shekullit I para l. K. pushtohet nga Perandoria Romake. Gjatë periudhës së pushtimit romak (I–V) Viciana kishte arritur një zhvillim të konsiderueshëm ekonomik dhe kulturor. Pas shkatërrimit të Perandorisë Romake, Viciana mbeti në kuadër të Bizantit. Pas ndarjes së krishterimit më 1054 në katolicizëm dhe ortodoksizëm, pjesa më e madhe e popullatës së Vicianës ishte katolike. Në shekullin XIV Perandoria Osmane filloi ta pushtojë Ballkanin dhe me këtë edhe Vushtrrinë. Gjatë shekujve XV–XVIII, Vushtrria ishte ndër qytetet më të mëdha në Ballkan, në Perandorinë Osmane dhe qendër e sanxhakut më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane. Gjatë Luftës së Parë Botërore, përkatësisht gjatë viteve 1915–1918, Vushtrria u pushtua nga Austro-Hungaria. Në Luftën II Botërore (1941-1945) Vushtrria me rrethinë i takonte zonës së pushtuar nga gjermanët. Në nëntor të vitit 1944, në Vushtrri u vendos administrata komuniste jugosllave deri në luftën e armatosur të popullit të Kosovës, e organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe ndërhyrja e forcave të NATO-s (mars – qershor 1999) ku përfundimisht më 17 qershor 1999 u çlirua nga Serbia.

MONUMENTE

Kalaja e Vjetër e Vushtrrisë

Kalaja e Vjetër e Qytetit – Monumenti është i ndërtuar në pjesën qendrore të bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë dhe tani gjendet po ashtu në një pjesë gati qendrore të qytetit. Ka mendime se Kalaja e Vjetër e Vushtrrisë është ndërtuar në kohën e JUSTINJANIT I (527-565), në kohën e mesjetës, si dhe në kohën e Perandorisë Osmane e cila mund t’ju ketë shërbyer si han (bujtinë). Ajo ka një sipërfaqe rreth 1.100 m2, pjesë e së cilës është edhe pyrgu me sipërfaqe rreth 100 m2, kurse muret e saj janë të larta 10-12 m, ndërsa trashësia e mureve është 3–4 m.

Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri

Ura e Vjetër e Gurit – Mendohet se monumenti është ndërtuar në antikën e vonë dhe gjatë mesjetës. Ura është e ndërtuar në pjesën veripërendimore ë bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Ajo është e gjatë rreth 135 m dhe e gjerë rreth 6 m, e ndërtuar mbi 9 harqe, por sipas gojëdhënave thuhet se i kishte 12 harqe, të cilat janë të mbuluara me dhe. Ura e Gurit gjendet mbi shtratin e thatë të lumit “Silnicë”, uji i të cilit lumë, për shkak të përbërjes pedologjike e ndërroi rrjedhën disa dhjetëra metra në perëndim.

Hamami – (Banjoja Publike) në Vushtrri

Monumenti është i ndërtuar në pjesën veriperëndimore të bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Kjo banjo përmendet nga kronikë dhe udhëpërshkrues të kohës, për të cilën mendohet se është ndërtuar në shekullin e XV, nga Gazi Ali Beu. Hamami është një ndër hamamet më të vjetra në Ballkan, i cili ka funksionuar deri vonë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai shërbente si banjo publike për meshkuj dhe femra, të cilët pastroheshin me radhë në ditë të caktuara.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Ditet e diaspores, VUshtrria

Rahoveci para 22 vitesh, forcat serbe masakronin shqiptarët

July 19, 2020 by dgreca

-Para 22 vitesh, në korrik 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 19 Korrik 2020/ “Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar para 22 vitesh, në korrik 1998, për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë (Agjencinë Telegrafike Shqiptare) si dhe për Radio Televizionin Shqiptar.

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Në 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Në raportimet për situatën në Rahovec para 22 viteve, në 23 korrik 1998 në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” raportoja se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj.

Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.

Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojnë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera, masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec, e krahasojnë me Srebrenicën.”

Ndërsa, në 24 korrik 1998, po para 22 viteve, raportoja që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”.

“‘Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.

‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se, edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.

‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

Në raportimet nëpër vite kam theksuar se, në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.

Sipas të dhënave të bashkësive të familjarëve të të zhdukurve, të të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 21 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Menjëherë pas luftës në Kosovë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi.

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, në një bisedë që kam zhvilluar.

Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”, ka thënë Gruda.
* Fotot i geni ne Facebook-Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Rahoveci para 22 vjet

SREBRENICA NDODHI EDHE NË KOSOVË-KUJTESË

July 11, 2020 by dgreca

-Si para çerek shekulli në Srebrenicë gjenocidi i forcave kriminale serbe ndodhi edhe në Kosovë/

-Në institucionet e Kosovës, pritje për përfaqësuesit e komunitetit boshnjak/

-Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani: Gjenocidi në Srebrenicë nuk është dhimbje vetëm për boshnjakët, nuk ka paqe në rajon pa drejtësi për viktimat/

-“Tragjedia e Srebrenicës nuk mund të harrohet asnjëherë”, tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili, në emër të Qeverisë dhe për t’i nderuar viktimat e kësaj tragjedie kërkoi që sot, në të gjithë Kosovën, në orën 13.00, të mbahet një minutë heshtje/

-Në korrik të vitit 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën/

-Prof. Dr. Zejnullah Gruda, ekspert i së drejtës ndërkombëtare: Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocidi të forcave serbe kundër shqiptarëve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

PRISHTINË, 11 Korrik 2020/ Masakra në Bosnjë e Srebrenicës e para çerek shekulli – 11 korrikut 1995përkujtohet edhe në Kosovë, ku po ashtu bënë masakra, spastrim etnik e gjenocid forcat kriminale serbe të Slobodan Milosheviçit, i cili pas ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, të para mëse 21 viteve, në zhvillimet e mëtejme në rajon ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Në 25 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, të kryer nga regjimi serb, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka pritur në një takim përfaqësues të komunitetit boshnjak.
Ajo ka thënë se te dy popujt bashkëndjejnë shkaku i një pjese të përbashkët të historisë.
“Kërkesa për drejtësi për Srebrenicën është e obligim i joni si shtet fqinj me Bosnje e Hercegovinën. Gjenocidi në Srebrenicë nuk është dhimbje vetëm për boshnjakët, por edhe për të gjithë njerëzit që mendojnë racionalisht”, është shprehur kryetarja e Kuvendit të Kosovës.
Sipas saj, i gjithë rajoni nuk mund të ecë përpara nëse nuk ka drejtësi për viktimat.
Përfaqësuesi i komunitetit boshnjak, deputeti i Kuvendit të Kosovës Rasim Demiri ka vlerësuar mbështetjen e kryetares Osmani ndaj këtij komuniteti.
Të dy palët u dakorduan që përkundër situatës jo të favorshme politike, miqësia ndërmjet të dy shteteve duhet të kultivohet.​
 Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti përfaqësuesit e komunitetit boshnjak të Kosovës, të cilëve u printe Rasim Demiri, kryetar i koalicionit VAKAT dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Takimi u mbajt në prag të 25-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe vranë 8372 civilë boshnjakë.
“Tragjedia e Srebrenicës nuk mund të harrohet asnjëherë”, tha kryeministri Hoti, i cili, në emër të Qeverisë së Kosovës dhe për t’i nderuar viktimat e kësaj tragjedie, kërkoi që sot në të gjithë Kosovën, në orën 13.00, të mbahet një minutë heshtje.
Ndërsa, duke folur për gjendjen e sotme si pasojë e pandemisë COVID 19, Kryeministri Hoti shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që ta ndihmojë komunitetin boshnjak të Kosovës, por edhe të Sanxhakut për ta përballuar këtë sfidë të rëndë.

PARA 22 VITESH,NË KORRIK 1998 RAPORTOJA: NË KOSOVË PO NDODH BOSNJA, NË RAHOVEC PO NDODH SREBRENICA

“Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 22 vitesh, në korrik të vitit 1998.
Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Para 22 viteve, në 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.
Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.
Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.
Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, në 22 korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.
Në raportimet për situatën në Rahovec para 21 viteve, në 23 korrik në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” bëja të ditur se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat;mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para
ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj. Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.
Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojneë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur, Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec e krahasojnë me Srebrenicën.”

24 KORRIK 1998: RUGOVA KËRKON MBROJTJE NDËRKOMBETARE PËR KOSOVËN

Në 24 korrik 1998 me titullin “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën-raportoja: “’Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombetare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.
‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga
qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.
‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

EKSPERTI I SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE, PROF. DR. ZEJNULLAH GRUDA: NË KOSOVË KANË NDODHUR KRIME LUFTE, KRIME KUNDËR NJERËZIMIT DHE AKTE GJENOCIDI TË FORCAVE SERBE KUNDËR SHQIPTARËVE

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocidi të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar në një bisedë që kam zhvilluar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda.
Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.
 “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”, ka thënë Gruda.
Profesori i të drejtës ndërkombëtare vazhdonte të flasë:
“Argumente ka sa të duash. Është një numër i madh i personave, të cilët kanë pësuar, e sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare është dashur të gëzojnë mbrojtje, të jenë të përjashtuar nga veprimet luftarake, dhe këta janë pjesa më e madhe e viktimave. Këtu është para së gjithash ai grupi që llogaritet si popullsi civile, në të cilin hyjnë fëmijtë, pleqtë, femrat, e kategori tjera që gëzojnë mbrojtje sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Këtu është personeli mjekësor, personeli i shoqatave ndërkombëtare humanitare për ndihmë viktimave të luftës, personeli fetar, janë të sëmurët, të plagosurit, që nuk duhet të jenë në asnjë rast objekt i veprimeve luftarake…
Në Kosova ka ndodhur, edhe është fatkeqësi e madhe, që pjesa më e madhe e viktimave u takojnë këtyre grupeve që është dashtë të jenë të mbrojtura, të përjashtuara nga veprimet luftarake. Këta janë me qinda e me mijëra e atyre që i takojnë popullsisë civile, janë pleqtë,gratë, edhe gra shtatzëna, janë fëmijë, madje edhe fëmijë nën moshën shtatëvjeçare… Vetëm në familjen Jashari në Prekaz janë nëntë fëmijë… Në asnjë rast nuk kanë guxuar të jenë objekt i sulmeve, ose objekt i vrasjeve, në asnjë moment.
Këto janë ato kategoritë, këto janë ato shkeljet e madha që bëjnë përjashtim nga rregullat e të drejtës ndërkombëtare të luftës, të cilat i ndalojnë këto veprime. Kemi pasë të vrarë edhe mjekë, edhe misionarë të organiztave humanitare, që janë marrë me ndihmë viktimave të luftës, edhe klerikë ose persona fetarë…Kemi pasë të vrarë ndër civilë edhe percona të sëmurë, me të meta të rënda, të verbër, të shurdhër, të paralizuar, të sëmurë mentalë. Kanë qenë objekt i sulmeve çka është shkelje e jashtëzakonshme…”
 “Edhe dhunimet, të cilat kanë ndodhur, gjithashtu janë të ndaluara me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare. Është një prej atyre shkeljeve të rënda”, ka thënë Gruda.
Ai ka theksuar se gjithashtu janë të dënueshme veprimet për t’i zhdukur gjurmët e krimeve, dërgimi dhe groposja e trupave të tyre në varreza masive në Serbi.
“Janë mijëra të zhdukur, për të cilët nuk ka kurrëfarë të dhëne çka ka nodhur me ta, që kanë përfunduar diku në përpjekje për t’i zhdukë gjurmët e krimeve”, ka thënë profesor Gruda.
Në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë civilë shqiptarë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur. Menjëherë pas luftës në Kosovë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.

MESAZHI I KRYEMINISTRIT HOTI ME RASTIN E 25-VJETORIT TË GJENOCIDIT NË SREBRENICË

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti:

Sot, në 25-vjetorin e gjenocidit serb në Srebrenicë, lutemi për 8372 viktimat civile boshnjake, të cilët u ekzekutuan pamëshirshëm nga Ushtria e Republikës Serbe të Ratko Mlladiqit.
Barbaria që ndodhi më 11 korrik 1995 në Srebrenicë, paralajmëroi se tragjedi të tilla përmasash apokaliptike mund të ndodhin edhe më vonë dhe për fat të keq ato ndodhën! I ndodhën edhe popullit të Kosovës, i cili, po ashtu, pësoi vuajtje dhe tragjedi të mëdha nga i njëjti agresor që në prag të shekullit XXI, me qëllim të mbizotërimit në rajon, po synonte zhbërjen e etnive të tjera.
Por, ndonëse me vonesë, pasi kishin ndodhur shumë gjakderdhje, ndërsa qindra-mijëra jetë njerëzish ishin shuar, bota demokratike ndërhyri për t’i shpëtuar popujt e shtypur dhe për ta ndalur njëherë e përgjithmonë makinerinë e Millosheviqit.
Populli i Kosovës, që e përjetoi edhe vetë gjenocidin serb gjatë viteve 1998-’99, bashkëndien me popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës!
Zoti i bekoftë viktimat;Srebrenicës!
Zoti i bekoftë popujt liridashës kudo në botë!
* Fotografite I gjeni ne Facebook(Gazeta Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Srebenica

NJË DELAGACION NGA KOSOVA NË PRESHEVË

July 9, 2020 by dgreca

-Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me Ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj – Stublla,  janë pritur nga Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi: Me punë të përbashkët, do ta bëjmë më të mirën për Preshevën/

-Në delegacion edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, pjesë e së cilës Odë janë shumë biznese nga Presheva/

PRESHEVË, 9 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Një delegacion nga Kosova,  ministri i Drejtësisë, Selim Selimi së bashku me Ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj – Stublla, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Luginë të Preshevës, rajonin me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Ministri Selimi dhe Ministrja Haradinaj-Stublla me të arritur në Luginë, janë pritur nga Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Me Kryetarin Arifi, ministrat kanë diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në Luginë si dhe për mundësitë e mbështetjes së tyre. Në takim dy ministrat u informuan me situatën aktuale politike në Preshevë, pozitën dhe kërkesat e qytetarëve shqiptar dhe projektet e Komunës të cilat janë në interes dhe në shërbim të përmirësimit të  jetesës së qytetarëve në vend. Gjithashtu u theksua rëndësia e angazhimit dhe punës së përbashkët me qëllim të forcimit të faktorit shqiptar atje. U ritheksua kërkesa e Kryetarit Arifi për të qenë pjesë e takimeve të dy qeverive shqiptare për të sinkronizuar politikat e përbashkëta, veçanërisht në rastin e përfshirjes së Luginës në procesin e dialogut pasi që një marrëveshje e arritur pa e përfshirë Luginën e Preshevës, sipas Kryetari Arifi, do të ishte e paqëndrueshme. 

Ministri Selimi në këtë takim ka potencuar faktin se rikthimi në Preshevë i jep atij një ndjesi tejet të veçantë, por edhe një përgjegjësi ndaj atij vendi. Duke folur për pozitën e qytetarëve të Preshevës, potencialin e lartë që ka dhe problematikat me të cilat ballafaqohet, Ministri Selimi tha se së bashku me Ministren Haradinaj, mbeten të përkushtuar për të ndihmuar dhe ofruar bashkëpunim të pakursyer për të bërë më të mirën për shqiptarët në këtë anë.

 “Si ministër i Drejtësisë, në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, iu siguroj se do të vazhdojmë të kemi një qasje të përkushtuar dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm si në aspektin politik, ekonomik dhe kulturor për të përmirësuar dhe avancuar pozitën shqiptarëve të Luginës në përgjithësi. Komuna e Preshevës do ta ketë gjithë mbështetjen tonë në realizimin e projekteve konkrete për Luginën” tha Selimi.

Kryetari Arifi poashtu u sigurua nga Ministri Selimi që do të ketë mbështetjen e Ministrisë së cilën ai e drejton në kthimin e Gjykatës dhe Prokurorisë në Preshevë dhe për këtë ofroi mbështetje financiare dhe profesionale për t’i kthyer këto degë në vendin që iu takon.

Ministri Selimi u shpreh i gatshëm për t’i shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe urat e ndërtuara nga dy vendet për të intensifikuar bashkëpunimin dhe koordinimin në interes të qytetarëve të Luginës.

Pjesë e këtij delegacioni është edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, pjesë e së cilës Odë janë shumë biznese nga Presheva.

Kryetari Arifi ka falënderuar për interesimin e vazhdueshëm dhe përkrahjen e ofruar nga institucionet e Republikës së Kosovës duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme për stabilitetin dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në Preshevë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Delegacioni i Kosoves, ne Presheve

13 Korrik, Presidenti Thaçi në Hagë i ftuar nga Specialja për intervistim

July 8, 2020 by dgreca

-Presidenti Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: Të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar. Derisa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi/
Nga Behlul JASHARI-
PRISHTINË, 8 Korrik 2020-Gazeta Dielli- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi sot se të hënën e 13 Korrikut 2020 do të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Duke njoftuar këtë në mbrëmjen e sotme Presidenti Thaçi shkruan:
“Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,
Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.
Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.
Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!
Zoti e bekoftë Kosovën!”.
Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca  kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në mbrëmjen e 29 Qershorit 2020 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar mundësinë e dorëheqjes derisa nga Zyra e tij mbajti një fjalim – adresim për qytetarë, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës  një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku  përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së,  Kadri Veseli.
 “Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, deklaroi mes tjerash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Filed Under: Featured Tagged With: 13 Korrik, Behlul Jashari, Hage, President Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT