• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova nuk përkrah nisma rajonale ku nuk është prezente e pjesëmarrëse BE-ja

October 27, 2021 by s p

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti takime të veçanta me Sekretaren e përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Maria Schmid/

-Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në OSBE/

-Për procesin e bisedimeve më Serbinë, Kryeministri Kurti tha se bosht i tyre duhet të jetë njohja reciproke/ -Sekretarja Schmid përgëzoi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për përgatitjen e infrastrukturës ligjore, si fazë e parë për procesin e vetingut si dhe për progresin mbresëlënës në shumë fusha/

PRISHTINË, 27 Tetor 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Sekretarja e përgjithshme e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Maria Schmid, sot në Prishtinë është pritur në takime të veçanta nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti. 


Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në OSBE dhe vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me misionin e saj ne Kosovë  si reflektim i vlerave të përbashkëta të drejtave të njeriut, demokratizimit dhe sundimit të ligjit.

Në takim është diskutuar për një sërë temash që nga gratë në siguri, zhvillimet e fundit në rajon dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të forcuar sundimin e ligjit.

Presidentja Osmani shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe përsëriti qëndrimin se reformimi i sistemit të drejtësisë, punësimi dhe fuqizimi i rolit të gruas në Kosovë do të vazhdojnë të jenë prioritet për institucionet e Kosovës. Ajo ka falënderuar zonjën Schmidt për angazhimin dhe ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes për Kosovën.

Kryeministri Albin Kurti në takim bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi,  e njoftoi sekretaren Schmid me punët dhe progresin e Qeverisë në 7 muaj qeverisje, për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi dhe në veçanti theksoi përkushtimin për zhvillimin e arsimit dual si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

U diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe kryeministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim dhe integrim, porse ritheksoi se nuk përkrah nisma rajonale ku nuk është prezent e pjesëmarrëse BE-ja.

Sekretarja Schmid e përgëzoi kryeministrin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për përgatitjen e infrastrukturës ligjore, si fazë e parë për procesin e vetingut si dhe për progresin mbresëlënës në shumë fusha.

Ajo e vlerësoi veçanërisht angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit.   

Për procesin e bisedimeve më Serbinë, kryeministri Kurti tha se bosht i tyre duhet të jetë njohja reciproke, dhe se të pagjeturit do të mbeten prioriteti i parë. 

Zëvendëskryeministri Bislimi, duke folur për dialogun dhe rezultatet që priten nga ai, theksoi përkushtimin e Kosovës në arritjen e njohjes reciproke dhe i cilësoi të papranueshme provokimet që i bën Serbia. 

Sekretarja Schmid shprehu gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes dhe ekspertizës për qeverinë, në përputhje me nevojat e institucioneve dhe fushëveprimin e OSBE-së.

Kryeministri Kurti falënderoi sekretaren Schmid për vizitën dhe kërkoi që të ngritet përfaqësimi dhe pjesëmarrja e Kosovës në OSBE.

Në takim ishin edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, zvëndësambasadori Kilian Wahl, zyrtarja e Qendrës për Parandalimin e Konfliktit, znj. Mariana Roibu, dhe zyrtarja ekzekutive e sekretares së përgjithshme, znj.Juliane Ziegler.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari

Kosova në festën iliro-shqiptare, shtrohet Darka e Lamës

October 26, 2021 by s p

-Darka e Lamës, festë e lashtë iliro-shqiptare, tradicionale e Kosovës, u organizua nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani në bashkëpunim me prodhuesit vendorë/

-Në Kosovën e lirë – moderne, në vitin 2002,  Ditën e Falënderimit – Darkën e Lamës Presidenti historik  i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli festë shtetërore/

 -“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti Rugova në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës para 18 viteve – në 23 Tetor 2003/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 26 Tetor 2021/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në bashkëpunim  me prodhuesit vendorë, mbrëmë organizoi festën e moçme shqiptare, Darka e Lamës, ku ishin edhe Kreministri Albin Kurti e përfaqësues tjerë institucionalë e politikë të vendit dhe të pranisë ndërkombëtare.

“Mirë se erdhët në Darkën e Lamës, në festën e lashtë shqiptare, e cila  daton që nga shekulli i V-të dhe shënon mbarimin e verës, kohën kur ne i mbledhim frutat, të lashtat e bereqetin dhe i shprehim falënderimet tona për të mirat e sivjetme”,  u shpreh fillimisht Presidentja Osmani duke përshëndetur të pranishmit.

Ajo tha se Darka e Lamës është pjesë e një trashëgimie të pasur shpirtërore, të cilën shqiptarët e kanë trashëguar dhe e kanë ruajtur qysh nga kohët e hershme. 

“Krahas festave të tjera, Darka e Lamës u ka mbijetuar shekujve dhe është bartur deri në ditët tona, duke u bërë kështu pjesë e rëndësishme e kulturës sonë të lashtë dhe duke ndikuar në ruajtjen dhe kultivimin e shpirtit tonë solidar”, theksoi Presidentja Osmani.

Sonte, vijoi Presidentja e Kosovës, poashtu dua të shprehë mirënjohjen e thellë për kujdesin të cilin ati themeltar i shtetit tonë, Presidenti Ibrahim Rugova, e tregoi kur në vitin 2002 e riktheu traditën e mirë të gatimit dhe të shërbimit të bukës nëpërmjet festës së Darkës së Lamës. 

“Ai e quajti atë Festë e Falënderimeve, të ngjashme me Festën e Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne i jemi mirënjohës për këtë thesar trashëgimie, të cilin ai e riktheu në këtë truall. 

Sikur e dini, Presidenti Rugova gjithnjë festonte me miq, punonte me miq dhe i falënderonte ata edhe për mirëqenien tonë. Ne do ta kultivojmë përherë ketë traditeë të vyer të popullit shqiptar, sepse vlerësojmë, njësoj sikur presidenti Rugova, se kultivimi i traditës së mirë e mbanë të gjallë shpirtin e një kombi”, theksoi Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Festa e Darkës së Lamës është shumë e vjetër, ndërsa autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit. Në Kosovën e lirë – moderne Dita e Falënderimit – Darka e Lamës e rimori peshën që i takonte, madje jo vetëm si akt i trashëgimisë shpirtërore e kulturore. Në vitin 2002, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës festë tradicionale shtetërore të Republikës së Kosovës.

Darka e Lamës, festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit,  e cila  është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej vetëm në kryeqytet-Prishtinë, ndërsa nga viti 2014 edhe në qytete tjera, në Sheshin “Lama e Drithit” në Gjakovë e pastaj në Pejë…

Në vitin 2013 Darka e Lamës u festua në Sheshin me emrin e shtatoren e Presidentit historik Rugova, në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës.

 Në Prishtinë, në 23 Tetor 2003, në mjediset e një hoteli,  kur ishte një nga festimet e Darkës së Lamës, organizuar nën patronatin e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Presidenti theksonte se Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.

Duke folur për traditën e festës së Darkës së Lamës, Presidenti Rugova theksonte se ajo është shumë e vjetër. Madje edhe autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit si festë e vitit tek ilirët, të parët e shqiptarëve që është festuar rreth 23 Tetorit. Autorëve antikë ia ka tërhequr vëmendjen kjo festë e rëndësishme e kulturës shqiptare, shtonte ai.

Presidenti Rugova theksonte se kjo festë nëpër shekuj është ruajtur deri në ditët tona. “Populli ynë ka shumë festa të vitit, që lidhen me solsticin, si shumë popuj të tjerë, që përmbyllen me Darkën e Lamës, që është më e njohura në Kosovë”, theksonte ai, duke shtuar se vitin e kaluar (në vitin 2002) e ka shpallur festë tradicionale shtetërore të Kosovës, e cila do të festohet në çdo familje në Kosovë.

“Në këtë ditë kemi menduar si të parët tanë, t’i bëjmë falenderim Zotit për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë më shumë të mira”, shprehej Presidenti Rugova dhe shtonte se “kjo Ditë Falënderimi na obligon dhe na përkujton se duhet t’i shtojmë prodhimet tona të tokës”.

“Po ashtu na obligon që prodhimet e tokës së Kosovës t’i përpunojmë, t’i bëjmë më cilësore për të gjithë qytetarët tanë dhe për eksport për kombet e tjera. Dhe në këtë ditë ne i lutemi Zotit për këtë”, vijonte Rugova.

Njëherit paralajmëronte se që nga viti i ardhshëm për ditën e kësaj feste nuk do të punohet dhe do të jetë ditë që i kushtohet falenderimit.

“Shpresoj se kjo festë do të pasurohet me forma të ndryshme të manifestimit në të ardhmen”, theksonte Presidenti Rugova, duke i ftuar të pranishmit që të kënaqen me tryezën e shtruar e me prodhime kosovare tradicionale.

“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova, duke folur në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës para 18 viteve – në 23 Tetor 2003.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Darka e Lames

Dekorohen ushtarët e Kosovës, ishin përkrahë Forcave Amerikane…

October 25, 2021 by s p


-Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dekorohen me medalje pas kthimit nga misioni i parë ushtarak jashtë vendit përkrahë Forcave Amerikane të Gardës Kombëtare të IOWA-s /


-Atasheu i Mbrojtjes së SHBA-së, kolonel Stephen Rose falënderoi ekipin e FSK-së për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe profesional gjatë operacionit/


PRISHTINË, 25 Tetor 2021- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/


Në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajt ceremonia e ndarjes së medaljeve për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të kthyer pas përfundimit të misionit të tyre në operacionin paqeruajtës dhe të stabilitetit përkrahë Forcave Amerikane të Gardës Kombëtare të IOWA-s në Lindjen e Mesme në Kuvajt, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021
Me këtë rast, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ndau medaljet “Pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare” të akorduara nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj për: major Mentor Ibrahimi, kapiten Kreshnik Haxhiu, toger Dhurim Shemsedini, tetar Hynor Lajqi dhe ushtar Mehmet Mehmeti. Kurse medaljet për “Shërbim të Shquar” ai i ndau pjesëtarëve nga Garda Kombëtare e Iowa-s, kapiten Wesley R. Gudenkauf dhe rreshter i klasit të parë Matthew G. Sandersen.
Me këtë rast, zv.ministri Syla, në emër të ministrit Mehaj theksoi se ka nderin e veçantë të përshëndesë ushtarakët tanë që bënë historinë për Republikën e Kosovës me zbarkimin e parë në mision paqeruajtës jashtë vendit përkrah aleatëve të përhershëm, forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sot në këtë ceremoni jemi të gjithë të nderuar të përjetojmë këtë moment shumë të rëndësishëm që do të mbetet një moment kulminant që ka ndodhur ndonjëherë në historikun tonë ushtarak. Kjo është vetëm nisma dhe do të vazhdohet edhe më tutje me operacione tjera kudo që na kërkohet neve dhe kudo që shtetet partnere kanë nevojë për ndihmën tonë”, theksoi zv.ministri Syla.
Me këtë rast, ai falënderoi partnerët amerikanë për kontributin e tyre të dhënë për përfaqësimin e FSK-së jashtë vendit.
Gjithashtu, pjesëtarët e FSK-së u dekoruan edhe nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama me medaljen për “Shërbim Vetëmohues”, me motivacion për kontributin e jashtëzakonshëm në operacionin e parë paqeruajtës.
Në këtë ceremoni, gjeneral Rama i përgëzoi pjesëtarët e dekoruar të FSK-së për mision e kryer me sukses dhe për kontributin e dhënë në emër të paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale. Gjithashtu, Gjeneral Rama falënderoi ushtrinë amerikane për përkrahjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm.
“Falë partnerëve tanë strategjikë ne tani nuk jemi konsumues të sigurisë por edhe e prodhojmë atë. Ky ka qenë misioni jonë, të kontribuojmë sa më shumë në paqen globale”, theksoi ai.
Gjithashtu, Gjeneral Rama iu ndau medalje për “Shërbim vetëmohues” edhe pjesëtarëve nga Garda Kombëtare e Iowa-s me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm në bashkëpunimin me kontingjentin e FSK-së në këtë operacion.
Në këtë ceremoni, ndër të tjera, atasheu i Mbrojtjes së SHBA-së, kolonel Stephen Rose falënderoi ekipin e FSK-së për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe profesional gjatë operacionit. “Ju keni kontribuar që të bëni botën një vend të sigurt. Siguria vjen me paqe dhe me prosperitet”, theksoi ndër të tjera kolonel Rose.
Kontingjenti i FSK-së ka realizuar shërbimin në kuadër të misionit paqeruajtës dhe stabilitetit në kuadër të Gardës Kombëtare të Iowa-s në Lindje të Mesme, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari

Kosovë-“Takimet e Gjeçovit” në edicionin e 50-të jubilar

October 25, 2021 by s p

-Të shtunën e 30 Tetorit 2021 në Zym të Hasit, zonë e kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri, mbahen në edicionin e 50-të  jubilar “Takimet e Gjeçovit”, manifestim tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 25 Tetor 2021/ Në Zym të Hasit, zonë kufitare e Kosovës me Shqipërinë në rajonin e Prizrenit, të shtunën e 30 Tetorit 2021 mbahen “Takimet e Gjeçovit”,  në edicionin e 50-të  jubilar të këtij manifestimi tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare.

Manifestimi i sivjetmë mbahet nën patronatin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani,  ndërsa mysafir pritet të jetë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, bëhet e ditur në ftesën e dërguar sot nga Këshilli Organizativ.

Në ftesën e dërguar nga Frrok Kristaj theksohet se, në manifestim marrin pjesë shumë shkrimtarë, shkencëtarë, etnografë, arkeologë, historianë, pedagogë, artistë të teatrit, të filmit, të muzikës, të artit figurativ, pastaj veprimtarë të aktiviteteve kulturore dhe të tjerë nga mbarë viset etnike shqiptare dhe nga diaspora.

Manifestimin “Takimet e Gjeçovit” e organizon Klubi Letrar “Shtjefën Gjeçovi” në Zym në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit të Republikës së Kosovës.

Pjesë e manifestimit do jetë ora letrare  “Anton Pashku” – me emrin shkrimtarit të lindur në fshatin Grazhdanik të Hasit të Thatë, afër Prizrenit, ku lexojnë 15 poetë nga viset etnike shqiptare.

Në tre ekspozita prezantohen veprat letrare, shkencore e publicistike të autorëve hasianë, Llesh N. Biba nga kryeqyteti shqiptar Tirana me drugëdhendje dhe Luan Rr. Çoçaj nga Gjonaj – fshat i Hasit me eksponate etnografike.

Para se të përmbyllen “Takimet e Gjeçovit” me programin kulturo-artistik të Ansamblit Etno-Kulturor “Katarina Josipi” të Zymit dhe me Mikpritjen Zymjane bëhet ndarja e katër çmimeve tradicionale: “Unaza e Katit (Katarina Josipit)”, Plaketa “Pena e Pjetër Bogdanit”, Plaketa “Pena e Shtjefën Gjeçovit” dhe Plaketa “Pena e Anton Pashkut”.

Manifestimi “Takimet e Gjeçovit”  nis mbrëmjen e të premtes së 29 Tetor 2021 me promovimin e tre veprave të Atë Ndue Kajtazit: “Ai vetë është Drita” (Përsiatje përshpirtshmërie) – vëllimi I, “Çështje të identitetit të krishterë” – vëllimi II dhe “Biseda si mundësi njohje dhe komunikimi”- vëllimi III (Botues “Faik Konica” dhe Kuvendi Françeskan i Gjakovës 2020). Vazhdohet me promovimin e monografisë “Buka e Zymit” të Frrok Kristajt si dhe me prezantimin e disa personaliteteve zymjane që veprojnë në botë.

 “Takimet e Gjeçovit” mbahen çdo tetor.  Në Zym të Hasit të Thatë, në 14 Tetor të vitit 1929, nga okupatorët serbë u vra prifti i devotshem, arkeologu, etnografi, shkrimtari, dramaturgu, speleologu, përkthyesi, pedagogu e atdhetari i spikatur Atë Shtjefën Konstantin Gjeçovi – Kryeziu, të cilin zymjanët e varrosën në oborrin e Kishës së Shën Prenës në fshatin Shëngjergj të Hasit. Kjo figurë poliedrike la mbi 75 vepra, duke filluar nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (e mblodhi dhe e kodifikoi Gjeçovi), “Agimi i Gjydetnis”, “Trashegime thrrako-ilirijane” e shumë të tjera, prej të cilave deri më tash i janë botuar rreth 25.

Në një nga “Takimet e Gjeçovit”, akademik Mark Krasniqi theksonte se “Zymi dhe në përgjithësi Hasi i  kanë dhënë njerëz të mëdhenj kombit, kurse Gjeçovi, pas Ungjillit, në rend të ditës kishte çështjen kombëtare, duke marrë pjesë edhe vetë si luftëtar me armë në dorë në luftën e Vlorës më 1920”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Takimet e Gjecovit

Para çerek shekulli forcat serbe më ndaluan në kufi edhe gazetat e Shqipërisë

October 20, 2021 by s p

-Në ditën e zgjedhjeve lokale në Shqipëri në 20 Tetor 1996, para çerek shekulli,  derisa kthehesha nga Kukësi në Prishtinë, i dërguar special i gazetës së rezistencës “Bujku”, që sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga pushteti  okupues serb të gazetës tradicionale të vetme në gjuhën shqipe në Kosovë Rilindja, forcat serbe më ndaluan në kufi edhe gazetat e Tiranës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 20 Tetor 2021/ Para çerek shekulli, në 20 Tetor 1996,  raportoja nga Kukësi – zgjedhjet lokale në Shqipëri, si reporter special i gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes të përditshme shqipe në Kosovë, kryeredaktor i parë -themelues i së cilës isha,  e që sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga pushteti  okupues serb të gazetës tradicionale  të vetme në gjuhën shqipe në Kosovë Rilindja. 

Edhe gazetat e Shqipërisë forcat serbe mi ndaluan e konfiskuan në vendkalimin kufitar Vërmicë-Morin derisa kthehesha nga Kukësi në Prishtinë.

Me mbititull “Raport nga zgjedhjet lokale në  rrethin e Kukësit” e me titull “Vota vizionit të zhvillimit më të shpejtë” në ballinë të gazetës “Bujku” mes tjerash shkruaja:

Shqipëria sot ishte e veshur në të gjitha ngjyrat e spektrit politik shqiptar, kishte ditën e zgjedhjeve lokale nëpër bashki, qytete, komuna e rrethe, me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike dhe me një përqindje të lartë të daljes  së qytetarëve me të drejtë vote nëpër të gjitha qendrat e votimit, të hapura që nga ora shtatë e mëngjesit. Dalja në zgjedhjet e lira e demokratike ishte një moment solemn për tërë vendin dhe popullin që dha votën lirisht për të zgjedhurit e vet, për reprezentuesit e vet për udhëheqjen e pushtetit lokal në Shqipëri.

Në krahinën e Lumës në veri të Shqipërisë sot kishte edhe shumë dasma, dhe dasmat lumjane plot kolorit, këngë, valle e gjallëri, e bënin edhe më të bukuar këtë ditë të zgjedhjeve lokale në rrethin e Kukësit…

Raportimi, në kuadër të cilit ishte edhe intervista me titull “Kukësi – Bashki moderne”, vazhdonte gjerësisht në faqen e parë e të dytë të gazetës me mestitujt “Emra të shquar intelektualësh në konkurrencën politike” e “Raportet dëshmojnë për mbarësi të zgjedhjeve”, përfundonte kështu: 

Të gjithë bashkëbiseduesit në Kukës kishin thuaja të njëjtin opinion për zgjedhjet e sotme lokale: janë këto zgjedhje të lira, korrekte, të drejta, që mund të krahasohen me normat dhe nivelet evropiane… 

Në orët e pasditës, derisa shtohej vazhdimisht numri i njerëzve nëpër rrugë që shkonin në qendrat e votimit, largohemi nga Kukësi për të arritur më kohë ky raport në redaksinë e “Rilindjes” në Prishtinë. Në kufi, në anën e kontrolluar nga forcat serbe, na thonë prerazi se nuk na lejojnë të sjellim në Kosovë gazetat nga Shqipëria, të cilat, pa përjashtim, të gjitha, ishin tematike dhe iu përkushtoheshin zgjedhjeve të sotme lokale. Secila nga gazetat kishte mesazhin, pikëvështrimin e pritjet e veta për zgjedhjet…

Gazetat mbesin në rrugë, në kufi – ndalohen.

Po, edhe në Kosovë na shoqëron Kukësi, radioja e këtij qyteti, programi i tij që gjatë tërë ditës është në frymen e zgjedhjeve, dhe sjell raporte për zgjedhjet edhe nga rrethi i Krumës, nga Peshkopia, Tropoja, komunat Bicaj, Shtiqeni…Edhe informacionet nga të gjitha mjediset, në pritje të rezultateve, flasin për ritme të shtuara të pjesëmarrjes së elektoratit, për mbarësi e korrektësi në zgjedhjet e lira e demokratike lokale të Shqipërisë…

Fotot: 

Gazeta “Bujku” 21 Tetor 1996 faqe 1 e 2  (foto nga arkivi i gazetës) dhe gazetari Behlul Jashari në kohë lufte në Kosovë i ndaluar nga forcat serbe në Prishtinë – kontrollohet (pamje nga një xhirim televiziv i asaj kohe)

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 242
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PRAPË BIEN KAMBANAT NË KISHËN E CURRJAVE T’ EPËRM
  • Çerçizi…
  • BIOGRAFIA E SHKRIMTARIT DHE LETËRSIA…
  • Rrugës për sovranitet
  • #SiSot, më 18 gusht 1887, u lind një nga përfaqësuesit më të rinj të lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë, Ferit Vokopola
  • Kujtime për xhaxhain tim Peter Prifti, 12 vjet larguar
  • Fazli Graiçevci, dëshmori i shkollës shqipe
  • TË HIQEN PËRGJITHMONË ARMËT BËRTHAMORE
  • Borrell: Nuk ka marrëveshje Kosovë – Serbi, bisedimet vazhdojnë
  • Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
  • DEKLARATË e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, lidhur me takimin e nesërm Kurti-Vuçiq
  • DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së
  • TË PIKTUROSH ATË QË NDJEN…
  • JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË
  • Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT