• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në 21 komuna të Kosovës të dielën e 14 Nëntorit 2021 balotazhi i zgjedhjeve lokale

November 13, 2021 by s p

-Nga gjithësej 38 komunat e Republikës së Kosovës 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

Në Kosovë të dielën e 14 Nëntorit 2021 votohet në balotazhin – raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ndërsa në minutën e parë të së shtunës ka nisë heshtja zgjedhore. Pas votimeve në zgjedhjet lokale në Kosovë të dielën e 17 Tetorit 2021 me pjesëmarrje të votuesëve 42,50%,  sipas rezultatit të garës për kryetarë në shumicën e gjithësejt 38 komunave – në 21 do votohet përsëri në balotazh e në 17 u përcaktuan fituesit që në raundin e parë.

Votimet e balotazhit për 21 kryetarë komunash zhvillohen në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Vushtrri, Podujevë, Gllogoc (Drenas), Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Shtime, Viti, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Nga gjithësej 38 komunat e Republikës së Kosovës 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës.

Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe,  5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Një komunë – Mamusha është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë. 

Në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë garonin  32  parti politike, 1 koalicion zgjedhor, 33 iniciativa qytetare, 23 kandidatë të pavarur.

Numri i kandidatëve për kryetarë të komunave ishte 166 (meshkuj 152, femra 14). Numri i kandidatëve për kuvende komunale ishte 5 198 (meshkuj 3 261, femra 1 937), ndërsa numri i përgjithshëm i ulsëve në kuvende komunale është 1 002. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar ishte 5 364  (meshkuj 3 413, femra 1 951).

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila  është shpërndarë në vendvotime në ditën e zgjedhjeve më 17 Tetor, përmbante 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën në 14 Shkurt 2021.

Zgjedhjet Lokale 2021 në Kosovë janë të tetat në liri – pas hyrjes shpëtimtare të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qershorin e vitit 1999.

 Para 4 viteve, të dielën e 22 Tetorit 2017, Kosova votoi në zgjedhjet lokale për kryetarët dhe asambleistët e komunave, që u mbajtën në afat të rregullt, katër vjet pas zgjedhjeve lokale të 3 Nëntorin 2013. Kosova në në 2017-tën mbajti edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në 11 Qershor, 3 vjet pas atyre të 8 Qershorit 2014.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999,  zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 Tetor të vitit 2000, ndërsa zgjedhjet lokale të 22 Tetorit 2017 ishin të shtatat.

Zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008.

Ndërsa, zgjedhjet lokale në Kosovë të vitit 2007 janë mbajtur në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare – në 17 Nëntor.

 Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë: 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë. 

Në 4 komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit 2021 numri i votuesëve për Mitrovicën e Veriut ishte 17 721, për Leposaviçin 12 707, për Zveçanin 6 879 dhe për Zubin Potokun  6 443.

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Behlul Jashari

Kosova para 53 vitesh, 28 Nëntori festohej edhe në demonstrata

November 8, 2021 by s p

-Kosova para 53 vitesh në demonstrata shqiptare, në prag të ditëfestës së ndaluar të 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar Shqiptar/

 -NATA QË BËNTE DRITË – shkrimi im për demonstratat e 27 Nëntorit 1968 në Prishtinë, ku isha pjesëmarrës si nxënës i Shkollës Normale,  botuar në Gazetën e rezistencës “Bujku” para 29 viteve në  28 Nëntor 1992,  ribotohet në Gazetën DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

  PRISHTINË,  Nëntor  2021/  Para 53 vitesh në Prishtinë e qytete tjera kosovare shqiptarët u ngritën në demonstrata në prag të 28 Nëntorit  që festohet tradicionalisht në Kosovë edhe si Ditë e Pavarësisë së Shqipërisë, të shpallur në 1912-tën në Vlorë,  edhe si Ditë e Flamurit.

Dita e madhe e gjithë shqiptarëve  festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante Kosovën nga Shqipëria.

Në ato rrethana, shqiptarët në Kosovë e në viset tjera etnike nën ish-Jugosllavi  në kërkimin e të drejtave kombëtare në prag të 28 Nëntorit 1968 u ngritën në demonstrata të fuqishme gjithëpopullore.

Demonstrata më e madhe ishte ajo e Prishtinës e filluar në orët e pasditës së 27 Nëntorit dhe zgjati deri në orët e para të së nesërmes – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, me kërkesat për Kosovën Republikë, Kushtetutë,  Universitet, që askush të mos luajë me fatin e shqiptarëve kosovarë, e të tjera.

Njohësit dhe kronistët e zhvillimeve në Kosovë kanë vlerësuar se, më 1968 filloi ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi, me jehonën që paten në botë demonstratat. Shtypi i huaj i dha hapësirë të konsiderueshme ngjarjeve, duke u marrë objektivisht me karakterin thelbësor të tyre, të cilat quheshin shpesh kryengritje shqiptare, ndërsa ishin të ndikuara edhe nga lëvizjet studentore të Evropës.

Në demonstratën në Prishtinë  pati një të ri demonstrues të vrarë, ra nxënësi  Murat Mehmeti, u plagosën shumë demonstrues, u dënuan mbi 100 veta. 

Në Prishtinë,  marshi i  fillimtarëve të demonstrates, ndër të cilët isha atëherë si nxënës i Shkollës Normale, nisi nga Fakulteti Filozofik (tash Fakulteti Filologjik)  dhe në pasditën e mbrëmjen e 27 Nëntorit 1968 mbushi rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës përplot demonstrues, shqiptarë që erdhën dhe u bashkuan nga të gjitha anët.

Historianët kanë shënuar se, në vitin 1968 pas demonstratave të organizuara më 6 Tetor në Prizren, më 8 Tetor në Suharekë dhe më 19 Tetor në Pejë, më  27 Nëntor rinia dhe populli shqiptar demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe më 22 e 23 Dhjetor në Tetovë. Parullat qendrore të këtyre demonstratave që nxorën në rrugë qinda mijëra qytetarë ishin: “Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji”, etj.

Ishin këto kërkesa vizionare dhe drejt realizimit nëpër vite. Kosova Republikë dhe e lirë është vullneti e vendimi i popullit të Kosovës, mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vende tjera nga Evropa e  bota liridashëse e demokratike. Tash, në 2021-tën, në 53 vjetorin e demonstratave të vitit 1968 Kosova është më shumë se 13 vjet shtet, me pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Edhe si kërkesë e demonstratave të vitit 1968, Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën  në Mars të vitit 1989 dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Prej vitit 2001 deri në vitin 2008 Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Para më shumë se 13 viteve, në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Më parë akti më i lartë  juridik i shtetit ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë Kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK-ut.

Në 2021-tën trembëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës u shënua në kohën kur nëpër qytetet kosovare festohej 22 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin historik të vitit 1999, kur forcat shpëtimtare të  NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria.

Isha në kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s, që hynin në Kosovë dhe për Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë raportoja lajmin e madh për shqiptarët e botën se në Kosovë po ndodhëte liria dhe paqja…

Si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare në 1968-tën, pas një viti Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë,  në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.

Vendi ku nisi marshimi i demonstratës së madhe shqiptare të 27-28 Nëntorit 1968 te Fakulteti i Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) në kompleksin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishina” është emërtuar “Sheshi i demonstratave”…

Në vitin 1968  derisa në Kosovë 28 Nëntori festohej edhe me demonstrata në Prishtinë e qytete tjera me kërkesa për Kosovën Republikë, për Kushtetutë, për Universitet e të tjera për të drejtat e shqiptarëve, në numrin e asaj ditëfeste të  gazetës së studentëve “Bota e Re” Ibrahim Rugova, atëherë në vitin e dytë të studimeve, kishte të botuar shkrimin me titull “Pavarësia kombëtare”, me të cilin artikull sikur paralajmëronte nismën e ideve të veta intelektuale e politike, të cilat 20 vjet më vonë, në një kohë shumë të rëndë, do t’i shprehte në mënyrë të qartë dhe konsistente si trinom: Liri, Pavarësi, Demokraci. 

Rugova shkruante me rastin e përvjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali,  dhe  pasi e quan një nga ditët më të bardha të historisë sonë, vazhdon: “Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës”.  Dhe, në përfundim shprehet: “Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë”.

Në prag të demonstratave shqiptare të para më shumë se gjysëm shekulli, gazeta tradicionale Rilindja, që botohej në Prishtinë e me nisje në Prizren në 12 Shkurt 1945 në frymën e Konferencës së Bujanit, ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po niste në Kosovë…

Në demonstratat e para 53 viteve në Kosovë në kërkim të lirisë edhe për ta festuar 28 Nëntorin, flamujt shqiptarë me valëvitje si fluturime shqiponjash mbaheshin lart në duar e ngriheshin edhe mbi kulme…

Për ato demonstrata në 24 vjetorin e tyre “Nata që bënte dritë” ishte titulli i shkrimit tim në gazetën “Bujku” të 28 Nëntorit 1992 – të 80 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, ku në legjendën e fotografisë theksoja: “Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare…”

“Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valonin edhe për Festën e Flamurit që ishte e ndaluar bashkë me flamurin”, përshkruaja pamjet madhështore…Tregoja edhe se si në 28 Nëntorin 1968  për  demonstratat shqiptare në Kosovë dhe për Flamurin Shqiptar në ditën e madhe historike kisha shkruar vargje – vjershën “Himni i Flamurit”, të cilën ma botoi gazeta studentore “Bota e Re”…

Shkruaja kështu në gazetën e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës Rilindja – të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.

Nga të gjithë shqiptarët, edhe në demonstrata, përkujtohej e edhe sot e përgjithmonë historia jonë shkruan e flet edhe se Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në Nëntorin e madh 1912 nga fshati Boletin në rajonin e Mitrovicës – nga Kosova me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në Vlorë, Isa Boletini me bashkëluftëtarët nga Kosova përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë Shqiptare të kryesuar nga Kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i Shtetit Shqiptar, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.

SHKRIMI IM NË GAZETËN E REZISTENCËS “BUJKU”  TË 28 NËNTORIT 1992 – NË FAQEN 5:

NATA QË BËNTE DRITË

Kjo rrëfejzë është autentike dhe pa asnjë ndryshim, e rrëfyer dhe e shkruar para njëzet e katër vjetëve, edhe pse tash mund të ngjajë në shpalim kujtimesh.-Për shkak se atëherë ishte i domosdoshëm konspiracioni, rrëfejza ishte pa emrin e rrëfimtarit, dhe kështu është…

Askujt nuk ia dija emrin dhe askend nuk e njihja me përjashtim të njërit. Madje, mbase nuk do ta dija as sa është data sikur të mos e kisha bluar tërë natën e ditën se çka do të jetë ajo: “Në ora katër pas dite, një ditë para 28 Nëntorit…”

Këtë ma kishte paralajmëruar një natë më parë ai që e njihja, që e njihja mirë dhe më njihte mirë. Atë të marte, në përfundim të ditës së pazarit në Prishtinë, tek kishim “dalë të shëtisim” një rruge nëpër terr kah Xhamia e Llapit, mi tha do fjalë që ishin më shumë pëshpërimë, si të m’i thoshte toka: “Shiko, tash po ndahemi…Nësër në ora katër pas dite takohemi në Fakultetin Filozofik. Do të dalim në demonstratë, në prak të Ditës së Flamurit…Për këtë – askujt asnjë fjalë… Mund t’ia thuash vetëm ndonjë shoku shumë të sigurt…” I mora këto fjalë më vete, disi si ti futja shtatë pash në dhe, që t’i fsheh nga bota, nga ata që ndiçnin edhe ëndërrat e njerzëve, dhe u përshëndetëm me natën e mirë…

Nata më dukej tepër e gjatë dhe ishte krejt pa gjumë. Do ta kërkoja nëpër librat e mi, të klasës së tretë të Shkollës Normale, të mësoj diçka për atë “Ditën e Flamurit”, por e dija se kjo është e ndaluar edhe për librat e shkollës sonë. Madje më duhej ta fikja dritën që të nos pengoja gjumin e cimerëve dhe që drita e ndezur në natën e thellë të mos i binte në sy “gazdës”, në bodrumin e te cilit banonim.

Tërë ntën ai që e njihja më rrinte para sysh si një ëndërr me sy çelë, jo vetëm me paralajmërimin e asaj nate të vjeshtës së vonë, po edhe me atë që e kisha parë me sy fëmije, i shashtisur, në një stinë të largët, përcëlluese…Këmbëzbathur qëndoja si një gur që nuk luan vendi dhe me sy të zgurdulluar e shikoja tek hynte në oborrin e shtëpisë me duar të lidhura, madje edhe i shtrënguar fort për krahësh nga milicët. Oborri u mbush plot milicë. Edhe përreth shtëpisë plot milicë. Me armë të gatshme për zjarr. Bërtisnin, flisnin, kërkonin shumëçka që nuk kuptoja.  Bastisnin, groponin nëpër oborr, në dhoma, pleme. Nga dheu nxorrën diçka, diçka të qelqtë, të mbyllur mirë…athua çka, çka ka brenda…E morën. Morën edhe libra. E morën edhe të njohurin tim, me duar të lidhura, dhe shkuan.  Pasi shkuan dëgjoja tek flisnin njerëzit e shtëpisë: “Në dhe ishte i fshehur flamuri…” Gratë me lotë e burrat me mërrola të mëdha shikonin udhën kah zdirgjeshin milicët që e çonin në burg djaloshin, flamurin… Ai flamur më rrinte para sysh dhe më bëhej se po çlirohej nga prangat dhe po ngritej për Ditën e Flamurit…Dhe, ashtu më çeli drita e ditës së paralajmëruar. Ishte e mërkurë, 27 Nëntor 1968.

Shkova në shkollë. Në të gjitha orët një pyetje e madhe më siellej në kokë: a t’i them dhe cilit shok t’i them për orën katër? T’i them vetëm ndonjërit më dukej se po u bëj një padrejtësi të madhe të tjerëve…Por, si t’i nxjerrë ato fjalë që duhet ruajtur shtatë pash nën tokë. Me shokët fola vetëm që të dalim në korzo para mbrëmjes dhe nëse luan ndonjë film i mirë dhe nëse kemi mundësi të shkojmë ta shohim. Thash vetë më vete, bile le të gjenden në rrugë kur fillojnë demonstratat dhe sigurisht do të bashkohen…

Ora katër pasdite më gjeti si i mbirë në holin e Fakultetit Filozofik. Deri atëherë më dukej gjithëçka e rëndomtë, nuk kishte shumë njerëz siç paramendoja. Po, në atë orë – si të dilnin njerëzit nga toka. Ndër ta edhe i njohuri im, që pasi kishte dalë nga burgu, edhe pse me moshë të shtyrë me vite që i kishte kaluar nëpër burgje, kishte regjistruar dhe filluar studimet. Të gjithë më dukeshin shumë të mëdhenj dhe shumë burrërorë, jo vetëm pse unë isha shumë i ri ndër ta, por për shumëçka tjetër. I njohuri im m’u afrua, ma shtërngoi dorën me “ke bërë shumë mirë që erdhe, tash po nisemi…”

Parullat e shkruara sakaq u gjendën nëpër duar, shpërndanë shpejt, ku ta dish ku ishin shkruar e si ishin sjellë, po m’u duk se vetë mbinë në duart e njerëzve.  U nisëm në kolonë. Dorën në zemër, ende nuk e dija fort mirë çka është demonstrata. Megjithatë, e dija mirë pse po dalim dhe se nuk është punë e lehtë të dalim…

Se nuk është lehtë u pa vetëm pas nja njëqind e sa metrave. Pasi kaluam sheshin para Fakultetit Filozofik, ende pa dalë mirë të gjithë në rrugën kryesore, se kah u gjend një milic që doli nga ana tjetër e rrugës kur e pa kolonën e demonstruesve, alarmoi me të shtëna në ajër dhe u përpoq të ndalë kolonën, por – thjesht u shkel nga të parët…

Shpejt e mbushën qytetin parullat e shkruara e edhe  të brohoritura: “Duam Universitet”,  “Vetëvendosje – Kushtetutë”, “Kushtetutë – Republikë”, “Lironai shokët”, “Poshtë borgjezia e kuqe…” Kolona e demonstruesve rritej e rritej, asaj vazhdimisht i bashkoheshin shumë qytetarë, madje edhe njerëzit që kishin shkuar të falen në xhami dolën e iu bashkuan studentëve, rinisë…Dhjetëra mijëra demonstrues mbushën rrugën kryesore të Prishtinës. Ishin demonstrata shumë të mëdha, por të qeta.  Marrim vesh se demonstrata po bëhen edhe në qytete të tjera të Kosovës. Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valon edhe për Festën e Flamurit, që ishte e ndaluar bashkë me flamurin. Kolporterët shpërndanin   numrin më të ri të gazetës studentore “Bota e Re”, që sapo kishte dalë nga shtypi. Parulla “Kosova Republikë” bëhej gjithnjë e më e zëshme.  Forcat policore shtoheshin. Shtoheshin kordonët dhe sulmet e tyre, të shtënat e tyre me armë zjarri. Filluan të shtëna edhe nga dritaret e ballkonet e ndërtesave përreth, gjujtjet me saksi, me shishe… Të lënduar, të plagosur. Ata nxirreshin nga kolona për t’iu dhënë ndihmën mjekësore. E, demonstratat nuk ndaleshin, vazhdonin, vazhdonin, madje sa vinte e rritej numri i demonstruesve. Njerëzit vinin edhe nga fshatrat, sapo kishin dëgjuar lajmin për demonstratat në Prishtinë, që u përhap shpejt. Diku afër Shtëpisë së Armatës, tek demonstruesit ishin drejtuar kah Burgu i Qarkut me parullat “Lironai shokët”, midis krismave të armëve, dëgjova:  “Na u vra një shok”… Kudo përshkoi dhembja dhe thirrja – LAVDI! Kolona, si e pafund, e demonstruesve, u kthye përsëri anembanë  qendrës së qytetit, tash shumë e pezmatuar dhe e mllefosur.  Filluan thyerjet e xhamave, rrotullimi i automjeteve të milicisë e e të tjerave. Kisha përshtypjen se muk mbeti xham i dyqaneve të rrugës kryesore pa u thyer… Gurë kishte mjaft – i nxirrnim nga xhadeja. Demonstratat tashmë nuk ishin të qeta. Ishin të përgjakshme… Prishtina, po edhe tërë Kosova po vihej nën shtetrrethim… Dhe, në fund, demonstruesit u kthyen përsëri para Fakultetit Filozofik. Sheshi i gjerë para tij dukej shumë i ngushtë për të zënë gjithë atë masë njerëzish. Kishte propozime: të vazhdojnë demonstratat apo të hyhet brenda në Fakultet  dhe të vazhdohet me grevë. Dikur nga megafoni, nga i cili gjatë tërë kohës  dëgjohej fjala e demonstruesve dhe e prijësve të tyre, u dëgjua njoftimi-marrëveshja për shpërndarje…

E, çka të bëhej në atë pikënate? Të shkoj në banesë? Jo, jo! Aty është “Gazda” – “Çika Jova”, si i thoshin të vetët. Për të thuhej se ka qenë një oficer i lartë i UDB-ës famëkeqe, i pensionuar pas Plenumit të Brioneve, po që ende e vazhdonte zanatin e vet të zi. Këto mendime m’i ndërpreu takimi me njerëzit e anës sime, të fshatit tim. Po shkojmë në fshat – më thanë. Ishte rrugë e gjatë, mbi njëzet kilometra, duhej të ecnim këmbë dhe ishte natë, por u nisëm.  Bashkë me dritën e mëngjesit arritëm. Askush nuk kishte fjetur as në shtëpi. Edhe shumë fqinj ishin aty, ishin bërë bashkë dhe po dëgjonin se çka po lajmëron një transistor që gati krejt i ishin shterë bateritë pse kishte ndejtur ndezë gjithë natën.

Kur na panë u gëzuan shumë. “Tashë ta na tregojnë, s’ka çka na duhet më transistori”, thanë, dhe e fikën. Po, gëzimi i tyre kishte një domethënie shumë më të madhe…

Gjumi më kishte zënë duke shkruar do vargje për demonstratat dhe për flamurin. “Himni i flamurit” ishte një vjershë që ma botoi “Bota e Re”, e ky ishte edhe një perjetim imi shumë i madh.

Ja, kjo është rrëfejza, që si kjo, të ngjashme mund ta tregojnë dhjeta mijëra njerëz, prandaj rrëfimtari mbetet pa emër si vetëm njëri nga të gjithë ata…

Behlul JASHARI

Legjenda e fotografisë që ilustronte shkrimin:

Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare (në mungesë të fotografisë autentike nga këto demonstrate  po botojmë këtë fotografi nga demonstratat e mëvonshme)

LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:

1-Gazeta Bujku e 28 Nentorit 1992 faqe 1

2-Gazeta Bujku e 28 Nentorit 1992 faqe 5 – shkrimi NATA QË BËNTE DRITË

3-Sheshi i Demonstratave te Universiteti i Prishtinës

4 e 5 -Demonstrata e 27-28 Nëntor 1968 në Prishtinë – 2  fotografi

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari

Kosova nuk përkrah nisma rajonale ku nuk është prezente e pjesëmarrëse BE-ja

October 27, 2021 by s p

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti takime të veçanta me Sekretaren e përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Maria Schmid/

-Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në OSBE/

-Për procesin e bisedimeve më Serbinë, Kryeministri Kurti tha se bosht i tyre duhet të jetë njohja reciproke/ -Sekretarja Schmid përgëzoi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për përgatitjen e infrastrukturës ligjore, si fazë e parë për procesin e vetingut si dhe për progresin mbresëlënës në shumë fusha/

PRISHTINË, 27 Tetor 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Sekretarja e përgjithshme e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Maria Schmid, sot në Prishtinë është pritur në takime të veçanta nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti. 


Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në OSBE dhe vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me misionin e saj ne Kosovë  si reflektim i vlerave të përbashkëta të drejtave të njeriut, demokratizimit dhe sundimit të ligjit.

Në takim është diskutuar për një sërë temash që nga gratë në siguri, zhvillimet e fundit në rajon dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të forcuar sundimin e ligjit.

Presidentja Osmani shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe përsëriti qëndrimin se reformimi i sistemit të drejtësisë, punësimi dhe fuqizimi i rolit të gruas në Kosovë do të vazhdojnë të jenë prioritet për institucionet e Kosovës. Ajo ka falënderuar zonjën Schmidt për angazhimin dhe ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes për Kosovën.

Kryeministri Albin Kurti në takim bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi,  e njoftoi sekretaren Schmid me punët dhe progresin e Qeverisë në 7 muaj qeverisje, për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi dhe në veçanti theksoi përkushtimin për zhvillimin e arsimit dual si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

U diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe kryeministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim dhe integrim, porse ritheksoi se nuk përkrah nisma rajonale ku nuk është prezent e pjesëmarrëse BE-ja.

Sekretarja Schmid e përgëzoi kryeministrin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për përgatitjen e infrastrukturës ligjore, si fazë e parë për procesin e vetingut si dhe për progresin mbresëlënës në shumë fusha.

Ajo e vlerësoi veçanërisht angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit.   

Për procesin e bisedimeve më Serbinë, kryeministri Kurti tha se bosht i tyre duhet të jetë njohja reciproke, dhe se të pagjeturit do të mbeten prioriteti i parë. 

Zëvendëskryeministri Bislimi, duke folur për dialogun dhe rezultatet që priten nga ai, theksoi përkushtimin e Kosovës në arritjen e njohjes reciproke dhe i cilësoi të papranueshme provokimet që i bën Serbia. 

Sekretarja Schmid shprehu gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes dhe ekspertizës për qeverinë, në përputhje me nevojat e institucioneve dhe fushëveprimin e OSBE-së.

Kryeministri Kurti falënderoi sekretaren Schmid për vizitën dhe kërkoi që të ngritet përfaqësimi dhe pjesëmarrja e Kosovës në OSBE.

Në takim ishin edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, zvëndësambasadori Kilian Wahl, zyrtarja e Qendrës për Parandalimin e Konfliktit, znj. Mariana Roibu, dhe zyrtarja ekzekutive e sekretares së përgjithshme, znj.Juliane Ziegler.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari

Kosova në festën iliro-shqiptare, shtrohet Darka e Lamës

October 26, 2021 by s p

-Darka e Lamës, festë e lashtë iliro-shqiptare, tradicionale e Kosovës, u organizua nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani në bashkëpunim me prodhuesit vendorë/

-Në Kosovën e lirë – moderne, në vitin 2002,  Ditën e Falënderimit – Darkën e Lamës Presidenti historik  i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli festë shtetërore/

 -“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti Rugova në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës para 18 viteve – në 23 Tetor 2003/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 26 Tetor 2021/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në bashkëpunim  me prodhuesit vendorë, mbrëmë organizoi festën e moçme shqiptare, Darka e Lamës, ku ishin edhe Kreministri Albin Kurti e përfaqësues tjerë institucionalë e politikë të vendit dhe të pranisë ndërkombëtare.

“Mirë se erdhët në Darkën e Lamës, në festën e lashtë shqiptare, e cila  daton që nga shekulli i V-të dhe shënon mbarimin e verës, kohën kur ne i mbledhim frutat, të lashtat e bereqetin dhe i shprehim falënderimet tona për të mirat e sivjetme”,  u shpreh fillimisht Presidentja Osmani duke përshëndetur të pranishmit.

Ajo tha se Darka e Lamës është pjesë e një trashëgimie të pasur shpirtërore, të cilën shqiptarët e kanë trashëguar dhe e kanë ruajtur qysh nga kohët e hershme. 

“Krahas festave të tjera, Darka e Lamës u ka mbijetuar shekujve dhe është bartur deri në ditët tona, duke u bërë kështu pjesë e rëndësishme e kulturës sonë të lashtë dhe duke ndikuar në ruajtjen dhe kultivimin e shpirtit tonë solidar”, theksoi Presidentja Osmani.

Sonte, vijoi Presidentja e Kosovës, poashtu dua të shprehë mirënjohjen e thellë për kujdesin të cilin ati themeltar i shtetit tonë, Presidenti Ibrahim Rugova, e tregoi kur në vitin 2002 e riktheu traditën e mirë të gatimit dhe të shërbimit të bukës nëpërmjet festës së Darkës së Lamës. 

“Ai e quajti atë Festë e Falënderimeve, të ngjashme me Festën e Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne i jemi mirënjohës për këtë thesar trashëgimie, të cilin ai e riktheu në këtë truall. 

Sikur e dini, Presidenti Rugova gjithnjë festonte me miq, punonte me miq dhe i falënderonte ata edhe për mirëqenien tonë. Ne do ta kultivojmë përherë ketë traditeë të vyer të popullit shqiptar, sepse vlerësojmë, njësoj sikur presidenti Rugova, se kultivimi i traditës së mirë e mbanë të gjallë shpirtin e një kombi”, theksoi Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Festa e Darkës së Lamës është shumë e vjetër, ndërsa autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit. Në Kosovën e lirë – moderne Dita e Falënderimit – Darka e Lamës e rimori peshën që i takonte, madje jo vetëm si akt i trashëgimisë shpirtërore e kulturore. Në vitin 2002, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës festë tradicionale shtetërore të Republikës së Kosovës.

Darka e Lamës, festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit,  e cila  është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej vetëm në kryeqytet-Prishtinë, ndërsa nga viti 2014 edhe në qytete tjera, në Sheshin “Lama e Drithit” në Gjakovë e pastaj në Pejë…

Në vitin 2013 Darka e Lamës u festua në Sheshin me emrin e shtatoren e Presidentit historik Rugova, në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës.

 Në Prishtinë, në 23 Tetor 2003, në mjediset e një hoteli,  kur ishte një nga festimet e Darkës së Lamës, organizuar nën patronatin e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Presidenti theksonte se Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.

Duke folur për traditën e festës së Darkës së Lamës, Presidenti Rugova theksonte se ajo është shumë e vjetër. Madje edhe autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit si festë e vitit tek ilirët, të parët e shqiptarëve që është festuar rreth 23 Tetorit. Autorëve antikë ia ka tërhequr vëmendjen kjo festë e rëndësishme e kulturës shqiptare, shtonte ai.

Presidenti Rugova theksonte se kjo festë nëpër shekuj është ruajtur deri në ditët tona. “Populli ynë ka shumë festa të vitit, që lidhen me solsticin, si shumë popuj të tjerë, që përmbyllen me Darkën e Lamës, që është më e njohura në Kosovë”, theksonte ai, duke shtuar se vitin e kaluar (në vitin 2002) e ka shpallur festë tradicionale shtetërore të Kosovës, e cila do të festohet në çdo familje në Kosovë.

“Në këtë ditë kemi menduar si të parët tanë, t’i bëjmë falenderim Zotit për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë më shumë të mira”, shprehej Presidenti Rugova dhe shtonte se “kjo Ditë Falënderimi na obligon dhe na përkujton se duhet t’i shtojmë prodhimet tona të tokës”.

“Po ashtu na obligon që prodhimet e tokës së Kosovës t’i përpunojmë, t’i bëjmë më cilësore për të gjithë qytetarët tanë dhe për eksport për kombet e tjera. Dhe në këtë ditë ne i lutemi Zotit për këtë”, vijonte Rugova.

Njëherit paralajmëronte se që nga viti i ardhshëm për ditën e kësaj feste nuk do të punohet dhe do të jetë ditë që i kushtohet falenderimit.

“Shpresoj se kjo festë do të pasurohet me forma të ndryshme të manifestimit në të ardhmen”, theksonte Presidenti Rugova, duke i ftuar të pranishmit që të kënaqen me tryezën e shtruar e me prodhime kosovare tradicionale.

“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova, duke folur në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës para 18 viteve – në 23 Tetor 2003.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Darka e Lames

Dekorohen ushtarët e Kosovës, ishin përkrahë Forcave Amerikane…

October 25, 2021 by s p


-Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dekorohen me medalje pas kthimit nga misioni i parë ushtarak jashtë vendit përkrahë Forcave Amerikane të Gardës Kombëtare të IOWA-s /


-Atasheu i Mbrojtjes së SHBA-së, kolonel Stephen Rose falënderoi ekipin e FSK-së për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe profesional gjatë operacionit/


PRISHTINË, 25 Tetor 2021- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/


Në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajt ceremonia e ndarjes së medaljeve për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të kthyer pas përfundimit të misionit të tyre në operacionin paqeruajtës dhe të stabilitetit përkrahë Forcave Amerikane të Gardës Kombëtare të IOWA-s në Lindjen e Mesme në Kuvajt, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021
Me këtë rast, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ndau medaljet “Pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare” të akorduara nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj për: major Mentor Ibrahimi, kapiten Kreshnik Haxhiu, toger Dhurim Shemsedini, tetar Hynor Lajqi dhe ushtar Mehmet Mehmeti. Kurse medaljet për “Shërbim të Shquar” ai i ndau pjesëtarëve nga Garda Kombëtare e Iowa-s, kapiten Wesley R. Gudenkauf dhe rreshter i klasit të parë Matthew G. Sandersen.
Me këtë rast, zv.ministri Syla, në emër të ministrit Mehaj theksoi se ka nderin e veçantë të përshëndesë ushtarakët tanë që bënë historinë për Republikën e Kosovës me zbarkimin e parë në mision paqeruajtës jashtë vendit përkrah aleatëve të përhershëm, forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sot në këtë ceremoni jemi të gjithë të nderuar të përjetojmë këtë moment shumë të rëndësishëm që do të mbetet një moment kulminant që ka ndodhur ndonjëherë në historikun tonë ushtarak. Kjo është vetëm nisma dhe do të vazhdohet edhe më tutje me operacione tjera kudo që na kërkohet neve dhe kudo që shtetet partnere kanë nevojë për ndihmën tonë”, theksoi zv.ministri Syla.
Me këtë rast, ai falënderoi partnerët amerikanë për kontributin e tyre të dhënë për përfaqësimin e FSK-së jashtë vendit.
Gjithashtu, pjesëtarët e FSK-së u dekoruan edhe nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama me medaljen për “Shërbim Vetëmohues”, me motivacion për kontributin e jashtëzakonshëm në operacionin e parë paqeruajtës.
Në këtë ceremoni, gjeneral Rama i përgëzoi pjesëtarët e dekoruar të FSK-së për mision e kryer me sukses dhe për kontributin e dhënë në emër të paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale. Gjithashtu, Gjeneral Rama falënderoi ushtrinë amerikane për përkrahjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm.
“Falë partnerëve tanë strategjikë ne tani nuk jemi konsumues të sigurisë por edhe e prodhojmë atë. Ky ka qenë misioni jonë, të kontribuojmë sa më shumë në paqen globale”, theksoi ai.
Gjithashtu, Gjeneral Rama iu ndau medalje për “Shërbim vetëmohues” edhe pjesëtarëve nga Garda Kombëtare e Iowa-s me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm në bashkëpunimin me kontingjentin e FSK-së në këtë operacion.
Në këtë ceremoni, ndër të tjera, atasheu i Mbrojtjes së SHBA-së, kolonel Stephen Rose falënderoi ekipin e FSK-së për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe profesional gjatë operacionit. “Ju keni kontribuar që të bëni botën një vend të sigurt. Siguria vjen me paqe dhe me prosperitet”, theksoi ndër të tjera kolonel Rose.
Kontingjenti i FSK-së ka realizuar shërbimin në kuadër të misionit paqeruajtës dhe stabilitetit në kuadër të Gardës Kombëtare të Iowa-s në Lindje të Mesme, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT