• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët, mirënjohës studiuesve të huaj të shqipes

August 20, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj: Gjuha shqipe meriton të njihet nga shumë studiues të botës/
1 ok Albanol Haradinaj
-Ministrja Nikolla: Albanologjia, rol në konsolidimin e kombit shqiptar/

 -Në Prishtinë nis Seminari XXXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Historiku…/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 20 Gusht 2018/ Në Prishtinë, në sallën e madhe të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit Publik, u zhvillua sot ceremonia solemne e hapjes së punimeve të Seminarit XXXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili vijon deri në 31 gusht, ndërsa që gjatë ditës së djeshme janë mirëpritur seminaristët. Kryeministri  i Kosovës Ramush Haradinaj dhe Ministrja e Arsimit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, morën pjesë në hapjen e Seminarit. “Në kohërat e errëta të jetës tonë, një dritë e shqipes është shpërndarë nga këtu në botë, dhe atë jo nga ne, por nga ata që kanë ardhur të njohin më për së afërmi dhe të transmetojnë shqipen dhe shqiptarët te popujt tjerë”, tha kryeministri Haradinaj.

 Para seminaristëve nga e mbarë bota, Kryeministri Haradinaj tha se shqiptarët kudo që janë çdoherë dhe gjithë jetën u janë mirënjohës studiuesve të huaj të shqipes, atyre që kanë ardhur dhe kanë qëndruar me ne, që janë njoftuar me shqipen e shqiptarët dhe i kanë njoftuar të tjerët me shqipen dhe shqiptarët.

“Nuk është kohë e lëvdatave të mëdha, meqenëse shqipja dhe shqiptarët kanë vështirësitë e zhvillimit të vet, qoftë si gjuhë, qoftë si kulturë, qoftë si komb, në rrethanat nëpër të cilat po kalojmë, por një gjë nuk ka ndryshuar, jemi vlerë universale, i takojmë këtij globi. Gjuha jona është prej më të hershmëve në botë dhe njëkohësisht është e pasur dhe si e tillë e meriton që ta njohin më shumë, meriton që sa më shumë studiues ta njohin për së afërmi”, tha kryeministri Haradinaj.

 Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës, jo vetëm tash, por çdoherë duhet t’i jep përkrahje seminarit të gjuhës shqipes dhe të gjithë atyre që e bëjnë të mundur që shqipja dhe shqiptarët të njihen për së afërmi nga studiuesit nga e mbarë bota.

Ministrja e Arsimit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se në gjithë këtë rrugëtim përmes studimeve dhe hulumtimeve keni treguar se si një popull duhet të nxjerrë në pah dhe mbrojë gjithë shenjat dhe burimet e veta shpirtërore për atë çka jemi, për gjuhën, kulturën, historinë, letërsinë, folklorin, identitetin tonë. 

Ajo tha se albanologjia ka luajtur një rol të vyer në konsolidimin e kombit shqiptar.

“Gjuha shqipe fatmirësisht nuk hynë në gjuhët e rrezikuara të Europës për të cilat BE ndanë fonde, por edhe pse kjo është e mirë, na takon qeverive të dy vendeve tona, Kosovës dhe Shqipërisë, që t’iu mbështesim juve, të jemi krahë jush, për të patur  seminare të tilla të standardeve të larta. Unë jam shumë e lumtur që kësaj nisme të Fakultetit të Filologjisë i është bashkuar edhe Universiteti i Tiranës”, theksi Ministrja Nikolla.

Sipas saj, nga ky vit edhe Universiteti i Bolonjës mundëson që gjuhën shqipe ta ketë pjesë të ofertës akademike për shumë studentë dhe studiues.

Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, tha se ka qenë një rrugëtim i vështirë me shumë peripeci, por gjithnjë në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, në kërkim të forcimit të bashkëpunimit ndërakademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë.  

Ajo më tej, tha se falë miqve tanë seminaristë, albanologjia vazhdon të studiohet dhe të mësohet në Pragë, Kozencë, Shën Petërburg, Sofje, Mynhen, Napoli, e shumë qarqe të tjera botërore.

“Investimi në një seminar si ky i yni është investim në ardhmërinë e një shteti”, tha dekanja Rugova, duke theksuar se dyert e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës janë të hapura për të gjithë seminaristët ngado që vijnë.Drejtori i Seminarit të 37-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Rrahman Paqarizi, foli për punën dhe angazhimin e të gjithëve që është bërë në përgatitjen dhe mbajtjen e seminarit, duke thënë  ju seminaristë të dashur jeni shtylla kurrizore e seminarit e arbëreshët tanë të dashur janë shpirti dhe emblema e tij.

Ai vlerësoi lartë punën që kanë bërë figurat e ndritura të albanologjisë Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Zejnullah Rrahmani, profesor Imri Badallaj, Sabri Hamiti dhe studiuesit e tjerë.
Para të pranishmëve një fjalë e mbajti edhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë  të Universitetit të Tiranës, prof. Sabri Laçi
, i cili uroi studentët dhe studiuesit e shqipes.

“Është rasti që  në kuadër të këtij seminari, të gjithë pjesëmarrësit, të përfitojnë risi, të përfitojnë arritjet më të fundit të studimeve shkencore në këto fusha”, u shpreh prof. Laçi.

Programi bazë i Seminarit është: Kurse intensive të mësimit të shqipes (tre nivele); Ligjërata të veçanta të gjuhësisë; Ligjërata për letërsinë shqiptare; Ligjërata për kulturën shqiptare; Referime shkencore; Ligjërata të përgjithshme; Tryeza të rrumbullakëta; Tryeza e doktorantëve; Program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.

Ndërsa, temat bosht  të Seminarit për sesionet shkencore që zhvillohen në 30 e 31 gusht janë:
1. Gjuhësi: Shqipja në diasporë – diasporat e shqipes – Përshkrimi gjuhësor i të folmeve të kolonive shqiptare; Rreziku i zhdukjes së të folmeve të shqipes; Kontekstet gjuhësore të të folmeve të kolonive; Shqipja në mërgatën e re; Bilinguizmi në të folmet e kolonive dhe mërgatës së re shqiptare; Vdekja e gjuhëve; Ndryshimi i statusit të gjuhës shqipe i kushtëzuar nga faktorë politike; Integrimet evropiane – sfidat dhe mundësitë e shqipes.
2.    Letërsi: Topika e letërsisë shqipe –
Topika mitike në letërsinë shqipe; Topika e trashëgimisë retorike në letërsinë shqipe; Topika e heronjve arketiporë në letërsinë shqipe; Topika e rashëgimisë folkloristike; Topika e simbolizmit religjioz në letërsinë shqipe; Topika e vendeve dhe e hapësirave në letërsinë shqipe; Topika etnike e historike në letërsinë shqipe; Topika klasik, moderne e postmoderne në letërsin shqipe.
3.    Kulturologji: Kultura në epokën digjitale –
Kultura e digjitalizuar; Ndikimi i internetit në “kulturimin” dhe akulturimin; Sfera publike në epokën digjitale; Shpërndarja e informatës dhe cilësia e saj përmes internetit; Kultura në rrjetet sociale dhe në medien online; Media në epokën e internetit – gjendja dhe sfidat; Ristrukturimi i medies dhe i skenës mediale.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.

Seminarit në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Albanologet, Behlul Jashari, Haradinaj, Nikolla

PAVARESIA E KOSOVES DHE PRESIDENTI HISTORIK DR. RUGOVA

August 19, 2018 by dgreca

Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova deklaronte vazhdimisht se pavarësia është zgjdhja më e mirë, në intervistat ekskluzive/1 Behlul Rugova

SPECIALE Gazeta DIELLI -VIZIONI RUGOVIAN PËR KOSOVËN E ÇËSHTJEN SHQIPTARE/

1 Rugova Behlul

-Shqiptarët të organizohen, të forcohemi gjithkund aty ku jemi/1 Rugova Bujku-Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistat ekskluzive që kam zhvilluar: Zgjidhja e çështjes shqiptare, nëse duam të hyjmë kështu, në mënyrë globale, shihet: Shqipëria si shtet, që është e njohur, Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht. Në Maqedoni shqiptarët gjithsesi të jenë element i shtetit, shtetformues; tash janë bërë hapat e parë, siç është Marrëveshja e Ohrit, pastaj integrimi i shqiptarëve në institucionet e tjera, që do të jenë element me rëndësi. Në Mal të Zi, poashtu, shqiptarët duhet të kenë një administrim të vetin, pra të kenë përfaqësim në nivel të Republikës së Malit të Zi në instiucione; edhe atje ka filluar një proces. Poashtu edhe në Preshevë, në Luginën e Preshevës, ka filluar një proces pozitiv; ka robleme, do të ketë probleme, por disponimet janë pozitive. Natyrisht, po e them në mënyre legale, ne, Kosova, do të interesohemi si shtet për shqiptarët në Mal të Zi, për Luginën e Preshevës, po edhe në Maqedoni, dhe nuk do të përzihemi në punët shtetërore, që të krijojmë çrregullime, siç dëshirojnë disa fqinjë ndaj Kosovës/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 19 Gusht 2018/  Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova deklaronte vazhdimisht se pavarësia është zgjdhja më e mirë, në intervistat ekskluzive që kam zhvilluar ka folur edhe për mundësinë e bashkimit me Shqipërinë, asnjëherë nuk kemi folur për ndarjen e Kosovës. Ndërsa, gjejmë në arkiva se, në një intervistë për median ndërkombëtare, kur është pyetur,  është shprehur prerë për tërësinë dhe mosndarjen e Kosovës, duke theksuar se me ndarjen e Kosovës serbët kërkojnë pasuritë natyrore.

Në vitin 1992, në 8 qershor, gazeta gjermane me ndikim në Evropë e më gjerë “Der Spiegel”, duke theksuar se  “Duket se politika e ndarjes së Kosovës ka qenë e vjetër në rrethin elitar serb dhe kjo ka qarkulluar prej fillim viteve të 90-ta”, e ka pyetur lidhur me këtë Dr. Rugovën, President i parë i sapozgjedhur i Kosovës. Në intervistën e gazetës gjermane, mes tjerash, kjo ishte pyetja dhe përgjigja: “Der Spiegel: Rrethi intelektual i serbëve është pajtuar ta ndajë Kosovën mes shqiptarëve dhe serbëve?

Rugova: Atëherë prapë do të jetonin një milion shqiptarë jashtë mëmëdheut. Gjithashtu serbët shikojnë me këtë “ndarje”, që secila tokë me pasuri natyrore t’i takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave. Do pranonim një protektorat të përkohshëm të OKB-së, sepse do të ishte qesharake të mendohej se 8% e minoritetit serb të sundonte dhe të mundte me dhunë 2 milionë shqiptarë”. Viti 1992 ishte viti kur në 24 Maj, përkundër kërcënimeve të forcave serbe, mbi 89% të qytetarëve të Kosovës (me të drejtë vote) votuan për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës dhe 100 deputetë për Parlamentin e Kosovës. Me shumicë dërrmuese të votave Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës, ndërsa partia e tij LDK fitoi shumicën absolute të vendeve në Parlament…

Po në atë vit të zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, në dhjetor, në Bruksel, Presidenti Ibrahim Rugova takohet me sekretarin e shtetit të Amerikës Lorens Igëllberger, i cili i shpreh mirënjohje si lider i popullit shqiptar për kontributin  në ruajtjen e paqes në Kosovë. Sekretari i shtetit Igëllberger siguroi Presidentin Rugova se nga shqiptarët nuk kërkohet që të heqin dorë nga objektivi i tyre për të ardhmen e Kosovës.

E objektivi ishte Pavarësia e Kosovës.

Që para afër tre dekadave, Dr. Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur.
“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova.

Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar  në 22 Shtator 1994, referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të 26 deri 30 shtatorit 1991, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990,  Rugova e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Me Presidentin Rugova bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, në Prishtinë, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.

Kjo ishte intervista e parë e një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – ATSH, nga e cila po risjellim një pjesë të pyetjev e përgjigjeve:

PROJEKTI I LIDHJEVE KONFEDERALE TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË LEHTËSON ZGJIDHJEN

Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?

-Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë,  atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.

Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces. Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës.

POLITIKA GLOBALE SHQIPTARE PO REALIZOHET

Shpesh theksoni politikën globale shqiptare, çfarë është kjo politikë e realizuar në praktikë dhe në këto kushte të ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij?

-Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare edhe ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që i ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët, nuk po shkoj më tutje, pas vitit 1912, pastaj 1918, sidomos pas ’45-tës, pra për herë të parë bashkëpunojmë në planin politik. Dhe, natyrisht, në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Do të thotë e kemi një vizion se çka duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se një politikë globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte. Për shembull, me politikë globale shqiptare mendojmë që sa më parë ky mur mes shqiptarëve të bjerë.

Po ashtu politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen e shqiptarëve në planin ndërkombëtar. Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj brenda dhe jashtë e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët. Kjo gjithësesi është një bazë, një element që premton realizimin e aspiratave shqiptare në përgjithësi. Besoj, shumë gjëra janë dëshmuar deri tash. Dhe, kur të kryhen disa punë tash, që i kanë rënë brezit tonë, do të bëhet një politikë globale shqiptare edhe më emadhe, edhe më e frytshme.

DOKUMENT I UNITETIT E INTEGRIMIT SHQIPTAR

Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?

-Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur enxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken.

Kjo intervistë me Presidentin e Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, të cilën e zhvillova si korrespondent i ATSH,  me titullin “POLITIKË GLOBALE QË SA MË PARË TË BJERË MURI MES SHQIPTARËVE” është botuar  të hënen e 26 Shtatorit  1994  edhe në gazetën e vetme të përditshme shqipe në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, e që ishte gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  të gazetës tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me ATSH-në, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë.Edhë në intervista të tjera që kam zhvilluar nëpër vite, në dhjetor 2002, presidenti Rugova theksonte përcaktimin e gjithmonshëm e prej shumë vitesh për Kosovën e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA, si pjesë e zjidhjes së çështjes shqiptare.

“KOSOVA E PAVARUR NË NATO E NË BE DHE NË MIQËSI TË PËRHERSHME ME SHBA”, ishte titulli i intervistës ekskluzive me Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, që e zhvillova për gazetën tradicionale  Rilindja në fundvitin 2002. Presidenti Rugova më priti në Rezidencën Presidenciale në Velani-Prishtinë derisa isha kryetar i Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktor i Gazetës Rilindja, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë.

Nga intervista e botuar në Gazetën Rilindja në 31 Dhjetor 2002 –  numër festiv për Vitin e Ri 2003  po sjellim këtë pyetje e përgjigje lidhur me zgjidhjen e çështjes shqiptare: RILINDJA: Shqiptarët jetojnë në trojet e veta etnike edhe në disa vende të rajonit, si në Maqedoni, në Luginën e Preshevës në Serbi, në Ulqin – Mal të Zi. Si e shihni të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, duke pasur parasysh edhe këtë fakt? Lidhur me këtë ekziston qe mëse një dekadë edhe Dokumenti i opcioneve i partive politike shqiptare.

PRESIDENTI RUGOVA: Po, është Dokumenti i ‘tri opcioneve’. Këtë

politikë, për fat të mirë, e kemi bërë të gjitha partitë politike të trojeve shqiptare, dhe ai dokument i ka dhënë frytet e veta, do të thotë jemi organizuar. Zgjidhja e çështjes shqiptare, nëse duam të hyjmë kështu, në mënyrë globale, shihet: Shqipëria si shtet, që është e njohur, Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht. Në Maqedoni shqiptarët gjithsesi të jenë element i shtetit, shtetformues; tash janë bërë hapat e parë, siç është Marrëveshja e Ohrit, pastaj integrimi i shqiptarëve në institucionet e tjera, që do të jenë element me rëndësi. Në Mal të Zi, poashtu, shqiptarët duhet të kenë një administrim të vetin, pra të kenë përfaqësim në nivel të Republikës së Malit të Zi në instiucione; edhe atje ka filluar një proces. Poashtu edhe në Preshevë, në Luginën e Preshevës, ka filluar një proces pozitiv; ka robleme, do të ketë probleme, por disponimet janë pozitive. Natyrisht, po e them në mënyre legale, ne, Kosova, do të interesohemi si shtet për shqiptarët në Mal të Zi, për Luginën e Preshevës, po edhe në Maqedoni, dhe nuk do të përzihemi në punët shtetërore, që të krijojmë çrregullime, siç dëshirojnë disa fqinjë ndaj Kosovës.

Po e theksoj për ju, e kam theksuar edhe më parë, në Evropën Juglindore, në këtë pjesë të Evropës e të botës, popujt duhet ta njohin njëri-tjetrin: edhe historikisht, edhe në pikëpamje politike, edhe shtetërore, sespse kjo mungon. Për fat të keq, shumica e popujve në rajonin tonë kanë pasur atë logjikën e dominimit, kanë injoruar shqiptarët në përgjithësi, nuk i kanë njohur, ose janë përpjekur edhe të bëjnë eliminime të ndyshme. Prandaj është një plan perspektiv, për të cilin ne si Kosovë do të punojmë në të ardhmen. Duhet të njohim njëri-tjetrin në rajonin tonë, përndryshe mund të ketë probleme. Mirëpo, është pozitive se në përgjithësi tash në rajonin tonë shikojnë nga Evropa. Këtë nuk e kishim deri para disa vjetësh. Ndërsa ne, shqiptarët, në përgjithësi, kemi shikuar gjithmonë e shikojmë nga Evropa, nga integrimet evroalantike.

Në 12 Shkurt 2005, në ditën e jubileut të 60 vjetorit të Rilindjes, kjo gazetë tradicionale e Kosovës sillte intervistën tjetër eksluzive që kisha zhvilluar me Presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

Titulli i intervistës në faqen 1 e 2 ishte  “PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË E MIRA E TË GJITHË QYTETARËVE DHE DO TA QETËSOJË RAJONIN”. Në vitim të intervistës titulli në faqen 3 ishte “Shumë institucione ndërkombëtare e kanë kuptuar se Pavarësia e Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt”, ndërsa titulli në faqen 4: “Rilindja ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”.

Me këtë rast Presidenti Rugova më priti përsëri në Rezidencën Presidenciale të tij në Velani, ku biseduam gjatë dhe si kryetari i Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktor i Rilindjes i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku në 12 Shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë shqiptare të Kosovës që u bë e përditshme.

“Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo
zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i
bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, ka theksuar Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja.

“Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare,
kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka deklaruar Rugova.
“Unë insistoj, edhe nstitucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet
Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe
fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më më e
shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha
presidenti Rugova në intervistën për gazetën Rilindja.
Presidenti i Kosovës vlerëson se njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe
marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një
fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, tha Presidenti  Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët
tanë, ka theksuar Presidenti Rugova dhe ka shtuar se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa
më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.”
“Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe
qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, ka
deklerësuar Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60 vjetorit, botuar në 12 Shkurt 2005, nga e cila po risjellim një pjesë të pyetjeve e përgjigjeve: RILINDJA: Ju vazhdimisht theksoni garancitë për të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në një Kosovë të ardhme me standarde të plotësuara që çojnë në integrimet evroatlantike dhe me status pavarësinë, që është vullnet i shumicës dërrmuese, çfarë do të jenë të drejtat dhe garancitë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet? 

PRESIDENTI RUGOVA: Do të jenë sipas normave ndërkombëtare, që janë paraparë në kuadër të Unionit Evropian, të OKB-së, pastaj edhe të normave tona brenda Kosovës – do të thotë garanci dhe mundësi të zhvillimit edhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Prandaj, ne edhe në këtë gjendje që jemi, pra nën mbikëqyrje, nën administratë ndërkombëtare, kemi bërë mjaft. Sot, gjuhët e të gjitha komuniteteve përdoren në Kosovë edhe zyrtarisht edhe praktikisht, pastaj mos të flasim për mundësitë e ndryshme, në emisionet edhe në Televizionin Publik të Kosovës, radiot private, tekstet, shkollat. Plus, ne edhe i financojmë ekstra, për shembull, për komunitetin serb vendbanimet e tyre, që kanë buxhet special nga komunat përkatëse. Dhe, jemi mjaft tolerantë, që me kohë ata do të kuptojnë dhe do të fillojnë integrimin e tyre.
RILINDJA: A ka vend për frikën se Pavarësia rrezikon interesat e ndonjë komuniteti në Kosovë, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe e propaganda? 
PRESIDENTI RUGOVA: Jo, jo, s’ka frikë, sepse bashkësitë etnike, komunitetet, apo minoritetet, duhet të pranojnë edhe vullnetin e shumicës. Natyrisht, si shumicë, pra si shumicë shqiptare, ne do të kujdesemi të bëjmë një shtet me norma demokratike, me norma integruese të brendshme dhe me garantimin e të gjitha të drejtave.
Natyrisht, s’dua ta komentoj një propagandë negative që bëhet për një komunitet a tjetër, se ka frikë, etj. Por, mos ta harrojmë, është frika e shumicës, momentalisht, e shumicës shqiptare për të ardhmen. Prandaj, me njohjen e Pavarësisë do të hiqet kjo frikë dhe marrëdhëniet njerëzore do të relaksoheshin, do të ishin shumë më të lehta, sepse të gjithë e kemi përjetuar luftën, situatat e rënda, humbjet, etj. Dhe, unë po them, njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia. Në shtetin e Kosovës nesër do të jenë, edhe sot janë, deputetë, ministra, nuk mund të bëhen lehtë. Prandaj, janë edhe përfitimet praktike, njerëzore, që edhe ata do t’i kenë dhe do të jenë të garantuara.
RILINDJA: Ju vlerësoni se Pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e vendeve fqinje, se do ta qetësojë rajonin. Si janë kuptuar dhe pritur këto mesazhe Tuajat në fqinjësi? 
PRESIDENTI RUGOVA: Në fqinjësi, me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, siç e dini, të gjithë shqiptarët në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, do të thotë e përkrahin vullnetin politik.
Me Maqedoninë, kemi marrëdhënie të mira në ngritje e sipër, edhe atje tash ka mendime më pozitive se, nuk iu pengon Pavarësia e Kosovës. Mali i Zi në heshtje, ne kemi marrëdhëine të mira në qarkullim, etj.
Ndërkaq, për Serbinë dihet, ata i kanë ato pretendimet e tyre, ngarkesat historike, etj., që dëshirojnë të dominojnë, etj. etj. Por, do të ishte mirë edhe për vetë Serbinë që, ata do të merreshin me punët e veta dhe nesër ne të gjithë si vende të pavarura, pra Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi nëse do veç apo bashkë me Serbinë, Serbia, Bosnja, të integrohemi, të jemi në Unionin Evropian, dhe kjo është zgjidhja më e mirë, edhe perspektiva e të gjithëve, do të kishte efekt pozitiv për të gjithë fqinjët tanë. Këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.
RILINDJA: Ju lutem, çfarë janë tash marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe si i shihni në të ardhmen marrëdhënet e një Kosove të pavarur me fqinjët e saj, shtetet e tjera në rajon? 
PRESIDENTI RUGOVA: Po, gjithsesi, me njohjen e Pavarësisë do të ndërtojmë më lehtë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndërtojmë. Unë thashë, me Shqipërinë janë të mira, me Maqedoninë janë në ngritje e sipër, me Malin e Zi ka marrëdhënie, me Serbinë momentalisht janë të bllokuara, sepse është një vend që nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk e njeh ende atë që ka ndodhur pas vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s. Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë, pastaj pas njohjes së Pavarësisë, është shumë më lehtë, sipas normave ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok.
RILINDJA: Marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, janë bërë shembull për rajonin. Ky zhvillim erdhi pas thyerjes së kufirit të hekurt që ekzistonte një periudhe të gjatë të kufizimeve të mëdha dhe ndalimeve të marrëdhëieve dhe komunikimeve. Si e shihni të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet evroatlantike? 
PRESIDENTI RUGOVA: Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë – Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë.
RILINDJA: Ju lutem, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ardhmen: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës? Në fillim të viteve 90-të, këto çështje ishin të përfshira në Dokumentin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, që Ju e udhëhiqnit, dhe vlerësohet se në realitetet e reja janë apo do të jenë në proces të realizimit.
PRESIDENTI RUGOVA: Ai është një dokument i rëndësishëm, si i themi Dokumenti i tri opcioneve që ishin atëherë. Dhe, natyrisht, koha e vërtetoi se opcioni për Kosovën e pavarur doli zgjidhja dhe mori legjitimitet gjithnjë e më të madh edhe tek ne edhe në botë. Dhe, siç e dini, atje, në atë dokument, insistohet që shqiptarët në Maqedoni të jenë element i shtetit të Maqedonisë, që ka filluar të realizohet, pastaj shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratën e vet dhe të gjitha të drejtat, e po ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Tash ka progres edhe në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës gjërat po shkojnë më ngadalë, por ka një progres të vogël në këto çështje dhe natyrisht do të insistohet që të realiziohen. Pra, ky ishte ai vizioni që e patëm atëherë dhe që po funksionon. Dhe, mund të them, ishte dokumenti që shqiptarët e kuptuan se duhet të organizohen, duhet të forcohemi gjithkund aty ku jemi. Sot, edhe njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

PAVARËSIA E KOSOVËS, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, në 23 dhjetor 2005, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit.

Para 12 viteve, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, në kryeqytet.

“Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar në 21 Janar 2006, në mesditë.

“Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.

Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, sidhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Ibrahim Rugova ka lindur në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, PAVARESIA E KOSOVES DHE, PRESIDENTI HISTORIK DR. RUGOVA

Kosovë-Shqipëri, Blej Shqip

August 17, 2018 by dgreca

-Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës me fushatë afatgjate dhe gjithëpërfshirëse “Blej Shqip”/

1 Blej shqip

PRISHTINË, Gusht 2018-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi priti  në takim Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka. Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të bizneseve të rëndësishme nga sektorë të ndryshëm të Kosovës.

Ky takim paraqet qëndrimin e Odës Ekonomike të Kosovës  dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe lehtësimin e tregtimit të produkteve në mes të dy vendeve.

Berat Rukiqi bëri të ditur se njëra nga iniciativat e përmendura në këtë takim ishte organizmi i një kampanje afatgjate dhe gjithëpërfshirëse ”Blej Shqip”, si dhe krijimin e një strukture  të përbashkët që do të përmirësonte komunikimin në mes bizneseve të dy vendeve.

Në anën tjetër, Nikolin Jaka theksoi se problemet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë të shumta por jo të pa zgjidhshme, prandaj së shpejti do të dalim me një platformë bashkëpunimi ku do të përfshihen kërkesat ndaj dy Qeverive të vendeve përkatëse.

Përpos kësaj, Nikolin shtoi se mbështetja për Odën Ekonomike të Kosovës do të jetë maksimale./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Blej Shqip, oda ekonomike

Prishtinë-Beograd, deklarata edhe me eufemizma

August 14, 2018 by dgreca

-Deklaratat Prishtinë-Beograd të kësaj vere. Kosova shtet i pavarur realitet i pakthyeshëm.  Historia e dialogut në Bruksel. Kosova, pos realitetit të pavarësisë së pakthyeshme,  ka edhe realitetin e numrave-statistikave, banorë rezidentë –  92.93 % shqiptarë…/

-Presidenti Thaçi: Të gjithë janë të vetëdijshëm se, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, njohja reciproke, paraqet paqe, stabilitet dhe të ardhme të sigurtë evropiane për të dy vendet dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor/

Behlul Jashari stage

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 14 Gusht 2018/ Këtë verë, në Prishtinë flitet për “korrigjim të kufirit”, në Beogad flitet për “përkufizim me shqiptarët”, e duket se këto janë eufemizma për ndarje a marrje territoresh (jo shkëmbim territoresh, se asnjëra palë nuk e thotë këtë, se Serbia thotë se “nuk e jep Luginën e Preshëvës”, e Kosova se “nuk e jep veriun”).

Në Prishtinë bashkë me “korrigjim kufiri” flitet për “njohje reciproke e pranim të Kosovës në OKB” e në Beograd me “përkufizim me shqiptarët” flitet-synohet që territoret-komunat me shumicë serbe në Kosovë (madje jo vetëm veriu) të jenë jashtë “autonomisë së shqiptarëve në Kosovën pjesë e Serbisë (!!!)”…

Në Beograd nuk flitet për njohje të pavarësisë së Kosovës, madje synohet zhbërja e saj në një proces dialogu-negociatash…Edhe duke lobuar te shtete të caktuara që të tërheqin njohjet…

Por, Serbia nuk mund ta zhbëjë realitetin: Kosova ka pavarësinë e njohur deri tani nga 116 shtete të botës, të shpallur para më shumë se 10 viteve  bazuar në Propozimin Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, prezantuar palëve në 2 Shkurt 2007 – para më shumë se 11 vitesh.

Ndërsa, para tetë vitesh, në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Deklarata e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia kishte dërguar në këtë organ të drejtësisë, kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës…

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 shkurt të vitit 2008 me synim të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në  Paketën Ahtisaari…

 

Aktualisht, në Prishtinë lidhur me dialogun final me Beogradin ka pasë edhe deklarata se “Ma mirë pa marrëveshje se me marrëveshje të keqe”…

Në 30 korrik Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.

Propozuesi, që është një nga partitë opozitare,  shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.

Një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial është paralajmëruar për në shtator, ndërsa në 18 Korrik 2018 në Bruksel u zhvillua takimi i dytë i fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian.

“Ky takim ishte më i shkurti në 6 vitet e fundit, por më i vështiri dhe më i rëndi”,  ka deklaruar presidenti kosovar Thaçi në një konferencë shtypi pas kthimit në Prishtinë.

Por, theksoi se, të gjithë janë të vetëdijshëm se, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, njohja reciproke, paraqet paqe, stabilitet dhe të ardhme të sigurtë evropiane për të dy vendet dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ishte ky takimi i shtatë presidencial, i pesti i presidentëve Thaçi e Vuçiç. Para takimit trilateral me dy presidentët përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka takuar ndaras fillimisht delegacionin e Kosovës e pastaj të Serbisë.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin  Thaçi, të inauguruar në muajin Prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në Qershor 2017, takimi i 18 Korrikut 2018 është i pesti, pas të katërtit të dielën e 24 Qershorit 2018, të dy këto të fazës finale.

Ndërsa takimi i 23 Marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 Korrik e të dytit në 31 Gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 Shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 Janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 Janar dhe i fundit që nga i pari në 19 Tetor 2012.

Para pesë vitesh, në 19 Prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike.

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.

Kosova, pos realitetit të pavarësisë së pakthyeshme,  ka edhe realitetin e numrave-statistikave.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.

Numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas regjistrit te Zgjedhjeve Lokale 2017 – të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, është: Mitrovicë e Veriut – 21.797,  Leposaviç – 17.747,  Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.

 

Kosova ka gjithësej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës.

Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Ahtisaari.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.

Në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, në kohët e okupimit e dhunës, të thirrjeve të serbëve se “Kosova është Serbi”  kundërpërgjigja e urtë shqiptare ishte se “Kosova është e shqiptarëve, aq sa është e shqiptarëve, Kosova është e serbëve, aq sa është e serbëve”, duke pasur parasysh statistikat për numrin e përqindjen e shqiptarëve dhe të serbëve në Kosovë.

Kosova është e lirë prej 19 vitesh, nga Qershori 1999 i përfundimit të luftës dhe largimit të ushtrisë e policisë serbe, hyrjes së forcave shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s – KFOR-it dhe vendosjes së UNMIK-ut – Misionit të OKB, pasi Këshilli i Sigurimit  miratoi Rezolutën 1244.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Beograd-Prishtine, eufemizma

Kosovë-Veprimtari në Ditën Botërore të Rinisë

August 12, 2018 by dgreca

2dita Rinise-Instalacion dhe performancë artistike duke “kompletuar Flamurin e BE-së me mesazhin që Kosova është gati për liberalizimin e vizave”/

3 Rini-“Hapësira të Sigurta për Rini”. Kjo moto është rekomanduar për qeveritë  në mbarë globin nga Asambleja e Përgjithshme e OKB/

PRISHTINË, 12 Gusht 2018-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë po zhvillohen sot veprimtari për DitënBotërore të Rinisë – 12 Gushtit, të nisura me ceremoninë e hapjes në Bulevardin Nëna Terezë, kume mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shoqata kulturore “Molla e Kuqe” dhe organizata joqeveritare “Access” organizuan instalacionin dhe performancën artistike  duke “kompletuar Flamurin e BE-së me mesazhin që Kosova është gati për liberalizimin e vizave”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se, shteti i Kosovës, të rinjtë, duhet t’i kenë dyert e hapura për në Bashkimin Evropian “Jam shumë i bindur që ky aktivitet sotëm koincidon edhe me kriteret dhe ato që shteti i Kosovës i ka plotësuar kushtet për t’i pasur dyert hapur në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.

Ministri Gashi shprehu besimin se ky vit të jetë viti kur të rinjtë e Republikës së Kosovës që padrejtësisht kanë pas probleme me lëvizjen e lirë, të jenë të lirë, të barabartë me të gjithë të rinjtë e Evropës.

Pjesë e veprimtarive ishte debati me shoqërinë civile për mundësinë e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen të Rinisë, përmes motos “Hapësira të Sigurta për Rini”.

Kjo moto është rekomanduar për qeveritë  në mbarë globin nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit të qeverisë së Kosovës theksojnë edhe se, ky koncept ka promovimin e hapësirave të sigurta për të rinjtë dhe synim i Departamentit të Rinisë është të ofrojë mundësi të shumta, kreative dhe të sigurta, për të gjithë të rinjtë pa dallime racore, gjinore, fetare ose prejardhje kulturore, për të kontribuar lirshëm në komunitet.

“Kur të rinjtë kanë hapësira të sigurta për t’u angazhuar, ata mund të kontribuojnë në mënyrë efektive në zhvillim, duke përfshirë paqen dhe kohezionin social”, është një nga mesazhet e veprimtarive, të cilat vijojnë edhe gjatë pasditës dhe përmbyllen në mbrëmje. Në një nga këto veprimtari, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se papunësia e të rinjve dhe mungesa e lëvizjes së lirë janë sfidat kryesore për të rinjtë e Kosovës.

“Qeveria është e përkushtuar për të adresuar sfidat me të cilat përballen sot rinia jonë, duhet të fokusohemi në reformat në arsim, të rinjtë tanë të kenë mundësinë që të jenë konkurrentë për tregun e punës në vend dhe jashtë”, theksoi ajo. /b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Veprimtari, ne diten boterore, të Rinisë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT